Home Blog Page 5849

Mamusha anulon prokurimin për sigurim fizik të objekteve komunale

0

Komuna e Mamushës ka marrë vendimin që ta anulojë aktivitetin e prokurimit për sigurimin fizik të objekteve të saj.

Këtë vendim e ka marrë me arsyetimin se një dispozitë në Ligjin e prokurimit publik kërkon anulimin e këtij aktiviteti, shkruan sot “Koha Ditore”.

Paraprakisht, Zyra e prokurimit të kësaj komune kishte anuluar njoftimin për dhënien e kontratës, duke u bazuar në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili e pati kthyer këtë lëndë në rivlerësim. Pas rivlerësimit, Komuna ka konstatuar se “të gjithë pjesëmarrësit në tenderë, kanë qenë të papërgjegjshëm”. (Koha Ditore)

Deputetët ‘sekretë’ të Kadri Veselit

0

Një ditë para seancës së Kuvendit të Kosovës, ku kandidat për kryeparlamentar do të jetë Kadri Veseli, koalicioni PAN nuk jep detaje për çështjen e numrave. Nuk dihet ende se cilët do të jenë deputetët që do ta votojnë ish-shefin e SHIK-ut edhe për një mandat në krye të Kuvendit

Për më shumë se një muaj drejtues të koalicionit PAN vazhdojnë të deklarojnë se i kanë numrat e nevojshëm në Kuvend për ta zgjedhur Kadri Veselin kryeparlamentar dhe Ramush Haradinajn kryeministër të ri.

Por, as një ditë para seancës së Kuvendit ata nuk janë në gjendje t’i zbulojnë emrat e deputetëve nga grupet tjera parlamentare që do t’i votojnë kandidatët e tyre për drejtimin e dy institucioneve më të larta shtetërore.

Ende mbahen sekretë emrat e deputetëve që do ta votojnë nesër edhe për një mandat në krye të Kuvendit ish-shefin e SHIK-ut, Kadri Veselin, apo pasnesër Ramush Haradinajn në krye të Qeverisë.

Në anën tjetër, mediet kanë lakuar emrat e deputetëve Teuta Rugova dhe Labinot Tahiri se do të mundë t’i votojnë kandidatët e PAN-it, në kundërshtim me qëndrimin e koalicionit LAA, pjesë e të cilit zyrtarisht janë këta deputetë.

Ndërsa përfaqësuesit e lëvizjes “Vetëvendosje” kanë pohuar se janë unikë në votën e tyre dhe se nuk do ta votojnë PAN-in.(Zeri)

Dimensioni futurist i lirisë

0

Bardh Frangu

Vetëm pak kohë pas mbarimit të luftës në Kosovë, bashkë me një mjek anglez vizituam Llaushën e Drenicës, një nga fshatrat më të djegura në Kosovë. Për habi timen dhe të mjekut anglez, para çadrave ku ishin strehuar banorët, ndeshëm vetura të shtrenjta, të cilat filluan të importoheshin me të madhe, për t’i dhënë një dimension futurist lirisë së krijuar me sakrifica të mëdha. Ky dimension vazhdoi të rritet deri edhe në ditët tona. Dhe ishte e logjikshme që si i tillë do të merrte edhe haraçin e vet. Mbase për fat të keq edhe po vazhdon ta marrë këtë haraç me çmim të shtuar.

Dihet se korriku dhe gushti janë muaj që sikur thërrasin mërgimtarët të vijnë e të shijojnë lirinë e vendlindjes, e cila gjatë luftës u bëri thirrje që t’i hapnin kuletat dhe mbase edhe zemrat për ta ndihmuar çlirimin e saj. Dhe ata e bënë këtë në mënyrën më të mirë, duke derdhur mjete në dy fonde dhe duke marrë pjesë drejtpërsëdrejti në çlirimin e vendit. Pra investuan para dhe gjak. Shumë nga ta sot i ke nëpër përmendore, po i ke edhe nëpër vendet udhëheqëse të shtetit të ri të Kosovës, madje në pozitat më të larta të tij.

Remitancat që vijnë nga ta vlerësohen në qindra miliona euro dhe si të tilla përbëjnë një burim shumë të rëndësishëm të mbijetesës për popullatën e varfër në Kosovë.

Shih për këtë, bëhet e zorshme të flasësh keq për ta, përkatësisht të ngrehësh shqetësime për sjelljet e tyre në vendlindje. Megjithatë më bëhet më e padrejtë të heshtësh dhe sjelljen e tyre ta fshehësh nën rrogozin që në këtë rast nënkupton lirinë e vendit në dimensionin e saj futurist. Dhe nuk mund të heshtësh kur rrugët e Kosovës së lirë shndërrohen në rrugë të vdekjes. Mbase alarmues ishte raporti i publikuar në gazetën “Zëri”. Sipas këtij raporti në këto 15 vjetët e fundit kishte rreth 2000 aksidente me fatalitet, ku 2201 persona kishin humbur jetën, ndërsa të lënduar kishin mbetur rreth 100.000 persona. Në total, sipas këtij raporti, janë shkaktuar rreth 200.000 aksidente! Sigurisht që për gjithë këtë fajin nuk mund t’ua faturojmë mërgimtarëve, por që sjellja e tyre në komunikacion është shumë e egër, nuk mund ta mohojë askush. Dhe sigurisht që kjo sjellje e egër nuk ka kaluar dhe nuk kalon pa pasoja. Natyrisht që fajin për këtë para së gjithash duhet faturuar institucioneve tona, përkatësisht, në këtë rast Policisë së Kosovës, e cila, mbështetur në logjikën dominuese të shoqërisë sonë, mërgimtarët duhet trajtuar si specie të veçanta, të cilat vijnë dhe na e japin një infuzion të mirë për qarkullimin e parasë dhe të mallrave në vendin tonë. Mbase kjo logjikë ambalazhohet edhe me shumë motive tjera, tërësisht të paqëndrueshme dhe të panevojshme.

Ndoshta e gjithë kjo duhet kundruar edhe nga këndi socio-kulturor, sepse respektimi i ligjit nuk nënkupton vetëm frikën nga ndëshkimi, por edhe shpërfaqjen e kulturës për të. Në këtë kuptim nuk mund të fshehim dëshpërimin që na shkakton sjellja e tyre, kjo edhe për faktin se tani kemi një gjeneratë të tretë që rritet dhe zhvillohet në diasporë, madje në vendet më të zhvilluara të Evropës, të cilat merren si sinonim të zhvillimit të kulturës dhe teknologjisë, sikundër edhe të zhvillimit ekonomik.

Ardhja e tyre në vendlindje jo vetëm që shkakton një kaos në komunikacion dhe si i tillë prodhon edhe viktima të shumta, por njëkohësisht shkakton edhe një zhurmë të papërballueshme, si prodhim të ekzaltimit të tyre në dimensionin futurist të lirisë që po e jetojmë. Ardhja e tyre, që përkon me aktivitetet rreth dasmave e synetive, nxjerr mbi sipërfaqe këngëtarët e muzikës tallava dhe zhurmën e madhe që të bën të dalësh në mal. Edhe në këtë rast Policia e Kosovës nuk kryen detyrën e vet. Gjatë gjithë natës si bombat kasetë të NATO-s pëlcasin mjetet piroteknike dhe nuk mund të fusësh gjumë në sy. Nuk po flasim tani për personat e moshuar dhe për fëmijët, të cilët edhe ashtu janë kategoritë më të papërfillshme në këtë shoqëri.

Dhe ndërsa ligji nuk është bërë pjesë e kulturës së tyre nga vendet prej nga ata vijnë, është krejt e natyrshme dhe në dobi të mërgimtarëve që ligji te ne të funksionojë dhe si i tillë të ngjallë frikën e ndëshkimit. Vetëm në këtë mënyrë mërgimtarët do të kuptonin se dimensioni futurist i lirisë është i dëmshëm për të gjithë ne e në veçanti për ta.

LDK-ja propozon katër emra për kryetar të Prizrenit

0

Katër emra janë propozuar për kryetar të Prizrenit.

Hatim Baxhaku, Valdet Hoxha, Driton Selmanj dhe Venera Goxha, janë emrat që do të dërgohen për shqyrtim te lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Vendimi është marrë sot në mbledhjen me nëndegët e LDK-së në Prizren.

Burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se anëtarët e Kryesisë dhe kryetarët e nëndegëve kanë ra dakord që të mbështesin cilindo kandidatë që vendosë Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në Prishtinë.

“Me propozimet e dala nga dega, duket që KP i LDK-së dhe Kryesia qendrore do ta ketë më lehtë të identifikojë kandidatin me gjasat me të mëdha për rikthimin e Prizrenit”, tregon burimi brenda LDK-së në Prizren.

Dr. Hatim Baxhaku është propozuar nga Kryesia e Degës së LDK-së në Prizren.

Nëndega e lagjes “Ortokoll”, ndërkaq ka propozuar për kryetar të Prizrenit, Valdet Hoxha, i cili në Qeverinë e Isa

Mustafës, ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Driton Selmanaj, është propozuar nga nëndega e lagjes “Bajram Curri”.

Në këtë takim është propozuar për kandidate edhe Venera Goxha.

“ LDK-ja është e intersuar që ta rikthej Prizrenin, prandaj unanimisht jemi pajtuar që të mbështesim cilindo emër për kryetar të Komunës”./PrizrenPress.com/

Nuk lejohet ndërtimi i xhamisë në Kalanë e Prizrenit

0

Me rastin e depërtimit të osmanëve në Ballkan, në vitin 1455, forcat osmane hynë edhe në Prizren, gjatë së cilës njësiti ushtarak osman është vendosur edhe në Kala të Prizrenit dhe aty kanë qëndruar gjer në vitin 1912, kur ata u larguan nga Ballkani. Krahas objekteve të tjera që ndërtuan osmanët, pas rindërtimit dhe zgjerimit të Kalasë, kanë ndërtuar edhe një xhami me dimensione të vogla brenda Kalasë për plotësimin e nevojave fetare të tyre, faljen e namazeve.

Xhaminë e ndërtuan osmanët

Sipas Faik Miftarit, jurist nga Prizreni, viti i saktë i ndërtimit nuk është i njohur gjer tani, por me siguri xhamia është ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. XV. Në bazë të kësaj mund të supozohet se krahas xhamisë së parë brenda qytetit të Prizrenit, që e ka ndërtuar, gjatë kohës sa ishte komandant i njësitit osman, Jakub bej Evrenoszade ka ndërtuar edhe xhaminë.

“Në vitin 1689, pas depërtimit të ushtrisë austriake nën komandën e gjeneralit Eneja Silvije Pikolominit në qytetin e Prizrenit, edhe xhamia në Kala është rrënuar, krahas shumë objekteve të tjera të rrënuara të trashëgimisë kulturore islame.” pohon Miftari.

Mirëpo, që nga viti 2010 ka nisur një iniciativë për rindërtimin e kësaj xhamie në Prizren. Vitin që shkoi, pra më 2016, një Këshill nismëtar për këtë çështje filloi të mbledhë nënshkrime për ringritjen e kësaj xhamie. U mblodhën 31 mijë nënshkrime, kurse në krye të këtij Këshilli Qytetar ishte Ilir Gashi.

“Xhamia e Kalasë është një prej xhamive të para në qytetin e Prizrenit, e ndërtuar rreth viteve 1450. Qëllimi i kësaj iniciative është arritja e një konsensusi për ndërtimin e xhamisë në Kala. Për këtë qëllim, Iniciativa Qytetare me BI-në kanë filluar edhe mbledhjen e një peticioni dhe takimet me subjekte politike, shoqërinë civile dhe intelektualë të qytetit dhe arritëm të grumbullojmë 31 mijë nënshkrime dhe të marrim edhe miratimin e KK të Prizrenit” , tregon Ilir Gashi, kryesues i Iniciativës Qytetare.

Vendim krijon terren për revoltim të besimtarëve myslimanë

Mirëpo, para tri- katër ditësh Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës ia ktheu përgjigjen lidhur me këtë xhami dhe për kërkesën e ndërtimit në Kala duke thënë se atje s’mund të ndërtohet xhamia. Kjo të thuash se ka shqetësuar jo vetëm KBInë, por edhe ata që e kanë nënshkruar këtë kërkesë. Kurse për Këshillin e Bashkësisë Islame asnjë objekt tjetër në hapësirën e Kalasë së Prizrenit nuk mund të krahasohet me xhaminë e dikurshme aty për sa u përket fakteve.

“Dhe këto fakte, sipas KBI-së në Prizren, janë aq kategorike, saqë organet qeveritare nuk mund t’i mbyllin sytë para fakteve”, thuhet në komunikatën e KBI-së.

Këtë qëndrim KBI-ja e ka shpalosur duke reaguar ndaj vendimit të javës së kaluar të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, me të cilin është refuzuar kërkesa për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit.

Madje, KBI-ja ka shprehur keqardhjen që ky vendim ka krijuar terren për revoltim të besimtarëve myslimanë.

“Natyrisht, ky vendim nuk është i mirë për askënd, sepse ka injoruar faktet historike, argumentet autentike dhe vullnetin e qytetarëve të Prizrenit. Ne jemi të bindur se edhe vetë Instituti, si organ i Ministrisë së Kulturës, nuk i beson këtij vendimi, që vetë e ka lëshuar”, thuhet në reagimin e KBI-së.

Kërkesë e drejtë dhe legjitime

Besim Berisha lidhur me situatën tha për “Kosova Sot” se e kenë njoftuar Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për vendimin e Institutit.

“Natyrisht, Myftiu Tërnava e ka përkrahur kërkesën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, respektivisht të qytetarëve të Prizrenit, si një kërkesë e drejtë dhe legjitime. Ai disa herë është prononcuar publikisht për xhaminë e Kalasë, duke dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë”, tha ai.

Një numër i prizrenasve, si: Abdyl Berisha, Adem Krasniqi, Muhamet Berisha e të tjerë ndajnë mendimin se ajo xhami, pasi dikur ishte në Kala, duhet të ringritet e mos të mbetet tash si mollë sherri për tolerancën që kanë prizrenasit.

Kurse për “Kosova Sot ” Ilir Gashi shprehet:”Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve në lidhje me refuzimin e rikonstruimit te xhamisë në Kalanë e Prizrenit shpreh edhe një herë shumë qartë qëndrimin selektiv dhe përjashtues të logjikës që është instaluar në institucionet publike”, shprehet Gashi. (Kosova Sot)

Në Bruksel, jo në Beograd

0

IMER MUSHKOLAJ

Kosova është problem i BE’së, e jo i Serbisë. Para se në Beograd, përgjegjësinë për ngecje në ecjen përpara drejt shtetndërtimit Prishtina duhet ta kërkojë në Bruksel.
Sa herë kanë nevojë të gjejnë fajtorin kujdestar për dështimet në Kosovë e Serbi, elitat politike të këtyre dy shteteve fajësojnë njëra-tjetrën. Për gjithçka që nuk ec mirë në Kosovë thonë se fajin e ka Serbia, e andej thonë se është problemi i Kosovës që po i frenon të shkojnë përpara. Por, a është kështu vërtet dhe çfarë është përgjegjësia e Brukselit në këtë mes?

Para se në Beograd, përgjegjësinë për ngecje në ecjen përpara drejt shtetndërtimit Prishtina duhet ta kërkojë në Bruksel.

Kosova vazhdon të jetë problem për Serbinë, por Serbia nuk është më problem për Kosovën. Gur i rëndë rreth qafës së Kosovës nuk është Serbia, por pesë vendet e BE’së që nuk ia kanë njohur pavarësinë, ashtu si dhe Kina e Rusia, dy shtete këto që në OKB bllokojnë çdo përpjekje për anëtarësimin e shtetit të ri në këtë organizatë.

Procesi i normalizimit të marëdhënieve ndëmjet të dyja vendeve, ndërkaq, i shërben Brukselit për të zvarritur zgjidhjen e problemit të vërtetë. Tash për tash, ky proces zgjidh problemin e Serbisë karshi BE’së, por jo edhe të Kosovës. Pra, nga ky proces përfiton vetëm Serbia, e cila do ta përshpejtojë rrugën e integrimeve europiane, ndërkohë që Kosova nuk ka kurrfarë përfitimi konkret.

Për shkak të mosnjohjes nga pesë vende anëtare të BE’së, sidomos kundërshtimit të ashpër të Spanjës, mund të thuhet se pavarësisht procesit të bisedimeve në Bruksel dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, Kosova nuk mund të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kjo është jashtëzakonisht e qartë, ndonëse shpesh nuk thuhet drejt dhe ka përpjekje për kamuflim të së vërtetës.

* * *

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve do të ndikojë që edhe në Kosovë, edhe në Serbi të humbet armiku ideal për përdorim të brendshëm, pas të cilit liderët e të dyja vendeve për vite me radhë kanë fshehur paaftësinë e vet. Pra, humbet fajtori kujdestar për dështimet politike.

Për klasën politike kosovare do të jetë goditje e madhe kur opinioni më në fund do të kuptojë qartë se pengesë për përparimin e Kosovës nuk është Serbia, por BE’ja, respektivisht pesë vende anëtare të saj dhe dy nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB’së.

Ndërkohë, pushteti në Serbi, ashtu si dhe një pjesë e mirë e opozitës atje vazhdojnë të shpërndajnë narrativin se Kosova është problem i madh, madje thelbësor për këtë vend, gjë që nuk është aspak e vërtetë.

Ashtu si elita politike kosovare ka qejf të merret me Serbinë dhe ta fajësojë për ngecje në zhvillimin e gjithëmbarshëm, edhe elita politike serbe me shumë dëshirë fokusohet në çështjen e Kosovës, në vend se të merret me problemet kryesore të Serbisë, siç janë korrupsioni, krimi i organizuar, pavarësia e sistemit të drejtësisë dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës. Probleme këto të njëjta, me të cilat ballafaqohet edhe Kosova.

Pushteti në Beograd e ka më të lehtë që të përdor retorikë lufte karshi Kosovës sesa, ta zëmë, të sqarojë se si do t’i sigurojë 11 miliardë euro të nevojshme për të përmbushur parametrat nga kapitulli i 27’të i bisedimeve për anëtarësim, që ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit.

Ndërkohë, po tregohet gjithnjë e më e suksesshme fushata për shtrembërimin e fotografisë reale të gjendjes në Kosovë që nga intervenimi i NATO’s deri tek bisedimet e Brukselit, në mënyrë që tek qytetarët të shtohet animoziteti karshi Perëndimit në përgjithësi dhe BE’së në veçanti.

* * *

Gjithë muhabeti i bisedimeve të Brukselit dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është vetëm arsye për të shtyrë momentin kur në BE duhet të pranojnë se ekziston një problem në Ballkan, që është Kosova.

Për një kohë të gjatë Kosova as që do të mund të fitojë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE, aq më pak të fillojë negociatat për anëtarësim. Kështu, Brukseli ndjek politikën e veprimit hap pas hapi, respektivisht që në momentin kur shfaqet problemi, atëherë merret me të.

Rrethanat ndërkombëtare krahasuar me periudhën kur Kosova ka shpallur pavarësinë kanë ndryshuar dukshëm edhe sa i përket mundësisë së njohjes nga Spanja, Qiproja, Greqia, Sllovakia e Rumania. Rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në BE nuk po e bllokon Beogradi, por këto pesë vende. E kur përmendet njohja e shtetësisë nga Serbia, Beogradi do të mundte shumë lehtë që të shtrojë një pyetje, për të legjitime: çka do të shërbejë kjo njohje, ndërkohë që këto pesë vende nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë? A ka çfarë të thotë Brukseli në këtë rast?

Cila mund të jetë zgjidhja për Kosovën me “perpektivë europiane” aq të përmendur nga klasa politike kosovare?

Ideja që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen përnjëherë në BE është utopike, ngase këto vende janë në faza të ndryshme në procesin e integrimit. Mali i Zi dhe Serbia po i vazhdojnë negociatat për anëtarësim, Maqedonia tash 12 vjet e ka statusin e vendit kandidat, por nuk mund të shkojë tutje pa e zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë. Shqipëria ka probleme serioze me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe BE nuk ia jep ende datën për fillimin e bisedimeve. Është pak e besueshme që kjo të ndodh madje edhe gjatë vitit të ardhshëm. Bosnja e Hercegovina ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat. Kështu, Maqedonia është të paktën pesë vjet prapa Malit të Zi e Serbisë në rrugën e integrimeve, Shqipëria të paktën shtatë, ndërkaq Kosova, me kusht që të gjendet një zgjidhje të cilën askush tash për tash nuk e ka të qartë, është të paktën një dekadë larg këtyre dy vendeve fqinje.

E përderisa Brukseli nuk po di çfarë të bëjë me Kosovën, elita politike në Beograd po e qartëson gjithnjë e më shumë qëndrimin e vet që duket të jetë: ka Serbi pa Kosovën, pot nuk ka Kosovë pa serbët.

Policia shton masat e kontrollit në trafikun rrugor

0

Referuar shtimit të numrit të automjeteve në qarkullimin rrugor dhe shtimit të aksidenteve në trafik, Policia e Kosovës ka marrë masa shtesë, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve të trafikut, të cilat kohët e fundit kanë shënuar ngritje.

Policia e Kosovës edhe përkundër masave të ndërmarra në vazhdimësi me plane dhe detyra konkrete gjatë sezonit veror, referuar situatës së krijuar dhe humbjes së jetëve të njerëzve në trafik, ka marrë masa shtesë duke krijuar një TASK FORCË, e cila enkas do të merret vetëm me kontrollin, trajtimin dhe përmirësimin e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor.

“Qëllimi kryesor i kësaj TASK FORCE është që përmes qendrave të komandës dhe kontrollit dhe zbatuesve të detyrave në rrugët e Kosovës, të ndikohet direkt në parandalimin e aksidenteve të trafikut rrugor, duke angazhuar sa më shumë personel të PK-së nga nivele dhe njësi të profileve të ndryshme, me prezencë më të shtuar dhe mbulim të terrenit 24/7 në të gjitha akset rrugore, duke aplikuar masën zero-tolerancë ndaj gjithë kundërvajtësve në trafik”, thuhet në komunikatë.

Sipa të njejtës komunikatë thuhe se programi veprues i TASK FORCË-s, parasheh përfshirjen e njësiteve të ndryshme në terren dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.

Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht te shoferët e automjeteve, që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të trafikut rrugor, të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe shpejtësisë së lejuar, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik. /PrizrenPress.com/

Programi i DokuFest u prezantua në Prishtinë

0

Sot në Prishtinë u mbajt konferenca e përvitshme për shtyp e festivalit DOKUFEST, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 16 të festivalit, i cili do të mbahet nga data 04-12 gusht në Prizren, Kosovë.

Në këtë konferencë, e cila u mbajt në Reastaurant Rings, morrën pjesë Drejtori Artistik Veton Nurkollari, Drejtoresha e Festivalit Nita Deda, Drejtori Ekzekutiv i DokuFest Eroll Bilibani dhe selektori i programit të filmave të shkurtër Samir Karahoda.

Drejtoresha e festivalit Nita Deda, hapi konferencen the theksoi temen e këtij edicioni të festivalit “E ARDHMJA” që përbëhet nga një program i gjerë dhe i kuruar me kujdes e qe perfshinë shfaqje te mbi 230 filmave, ekspozita, muzike, teknologji dhe diskutime.

Ndërsa Veton Nurkollari, Drejtori Artistik i Festivalit morri fjalën për të biseduar më tepër rreth programit të sivjetëm të filmave. Ai u shpreh shumë i kënaqur me cilësinë e filmave të këtij edicioni, e në veçanti me film bërësit kosovar dhe shqiptar.

“Nga një numër rreth 2000 filmave, kemi përzgjedhur 102 filmave për kategori garuese të festivalit dhe rreth 150 filma për mbi pesëmbëdhjetë programe të veçanta të festivalit, shumë prej të cilave i përkojnë edhe temës së këtij edicioni”.

Nurkollari gjithashtu njoftoi të pranishmit për punëtoritë, master klasat dhe koncertet e ndryshme që ky edicion do të sjellë në Dokufest.

“Një bashkëpunim tjetër i veçantë është bashkëpunimi me Marubin- Muzeun Ndërkombëtar të Fotografisë në Shkodër, me të cilët do të sjellim një ekspozintë, dy punëtori dhe një video-mapping nga koleksioni i Marubit” theksoi ai.

Një tjetër ngjarje interesante e këtij edicioni është edhe Retrospektiva e Travis Wilkerson e cila vjen për here të parë, duke marrë parasysh se nuk ka ndodhur askund në botë.

Para se të i’a jap fjalën përfqësuesit të rradhës së festivalit, Drejtori Artistik tha se ai është shumë i kënaqur me numrin e filmave të regjisorëve Kosovarë dhe Shqipëtarë si dhe cilësinë e përgjithshme të filmave për këtë vit, duke e marrë parasyshe se do të ketë filma fituese të festivaleve kryesore si Cannes, Tribeca, Berlinale, Sundance si dhe nga festivalet Europiane dhe rajonale.

Selektori i programit të filmave të shkurtër, z. Samir Karahoda, njoftoi për ndryshimet e bëra sivjet, ku festivali për herë të parë ka filluar të aplikoj pagesë për gjatë aplikimit të filmave garues, gjë kjo që ka ndikuar edhe në ngritjen e cilësisë së filmave.

“Vlen të përmendet që edhe cilësia e autorëve kombëtarë sivjet ka qenë e nivelit të jashtëzakonshëm duke i krahasuar me nivelet e viteve te kaluara, e sidomos autorët nga Shqipëria ku prej 13 filmave sa edhe janë në kategori garuese, 6 prej tyre janë të autorëve shqiptarë” tha Karahoda.

Programi Kombëtarë do ti ketë gjithësej 9 premiera që shfaqen për herë të parë në Dokufest nga data 7-10 gusht.

Në fund, drejtori ekzekutiv Eroll Bilibani, njoftoi për programet tjera të festivalit të cilat edhe mëtojnë të edukojnë gjithë pjesëmarrësit e festivalit.

“Ne në programet tona mundohemi që filmin ta përdorim si një medium për edukim në të gjitha nivelet e shkollave, pasi që misioni ynë është edukimi përmes filmit” tha ai.

Përmes punëtorive të ndryshme, Dokufest synon që të edukoj autorë të ndryshëm të rinj nga autorët më të mirë rreth realizimit të filmave.

Bashkëpunimi me Gjirafën do të ndodh sërish ku do të sjellim një kinema VR tek zona Kej në Prizren.

“Ky është bashkëpunimi më progresiv që kemi pasur ndonjëherë me një nga partnerët tanë” theksoi Bilibani.

Në anënën tjetër këtë edicion rikthehet edhe Qendra Ballkanike e Dokumentarëve, ku do të jenë 7 projekte filmike të cila do të prezantohen para profesionistëve të ndryshëm për ti paketuar këto projekte për treg ndërkombëtar. Prezantimi i këtyre projekteve do të jetë publik

Master Klasat përveç tjerash, do të mbahen nga regjisorë të njohur si John Smith dhe Travis Wilkerson.

Për ndërlidhjen e filmit me edukim, Bilibani njoftoi për punën e DokuFest me të rinj për ti aftësuar në prodhim të filmave dokumentarë, për cfarë noftoi se interesimi i të rinjve nga Shqipëria gjatë këtij edicioni ka qenë shumë i madh në krahasim me vitet e kaluara, duke përfshirë kështu punën e tre studentëve të shkollave të mesme nga Tirana.

Për ta përmbyll konferencën drejtoresha Nita Deda morri përsëri fjalën duke folur me tepër rreth koncerteve që do ti sjell DokuNights. Ndër shumë emra të njohur vendor dhe të huaj ajo shpalosi se musafir special këtë edicion është edhe këngtarja e me fame botërore Princess Nokia. /PrizrenPress.com/

Në Rahovec nis vendosja e kamerave

0

Në qytetin e Rahovecit, kanë filluar punimet për vendosjen e kamerave të sigurisë. Baza e këtyre kamerave do të jetë në Stacionin e Policisë në këtë qytet.

Projekti për vendosjen e kamerave të sigurisë është siguruar nga Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP), përkrahur nga Komuna e Rahovecit, OSBE dhe Stacioni i Policë në Rahovec.

Përmes këtij projekti, është paraparë që të vendosen gjithsej 8 kamera në këto pjesë të qytetit: afër Stacionit të Policisë, në qendër të qytetit të Rahovecit, tek semaforët, në dalje të qytetit tek pompa e derivateve “AlPetrol” dhe në lagjen e epërme në qytetin e Rahovecit. Realizimi i këtij projekti të rëndësishëm, do të bëhet në disa faza. /PrizrenPress.com/

Hapet panairi artizanal në Malishevë

0

Në kuadër të shënimit të Ditëve të Mërgatës, sot në Malishevë, është hapur edhe panairi artizanal, ku po prezantohen punimet e dorës në veshje, dekorime në bizhuteri, si dhe të ushqimeve tradicionale.

Në hapjen e panairit morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Blerta Krasniqi.

“Unë ju përgëzoj në rend të parë për punën që po e bëni dhe në të njëjtën kohë, për kultivimin e vlerave të mirëfillta shqiptare, tradicionale, përmes veshjeve dhe ushqimeve, shtrojës dhe mbulojës dhe gjërave tjera nga tradita jonë”, tha nënkryetari Mazreku, me rastin e hapjes së panairit.

Për punën që po bëjnë, sidomos gratë të cilat përmes artit të punimit të veshjeve dhe ushqimeve tradicionale, i ka përgëzuar edhe drejtoresha për kulturë, Blerta Krasniqi.

“Panairi tashmë tradicional, organizohet në kuadër të shënimit të ditëve të mërgatës dhe me këtë rast ju ka dëshiruar mirëseardhje edhe të gjithë mërgimtarëve nga Komuna e Malishevës”, tha ajo.

Drejtoresha Krasniqi, gjithashtu tha se “përveç panairit, në kuadër të ditëve të mërgatës, mbahet edhe festivali folklorik “Oda e Llapushës”, edicioni i katërt, festival në të cilin prezantohen vlerat e mirëfillta të folklorit”.