Home Blog Page 5875

Haskuka: Urgjentisht kërkojmë thirrjen e seancës konstituive në Kuvend

0

Nga 7 korriku, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka të drejtë legjitime të thërras seancën konstituive të Kuvendit, por, ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Këtë të drejtë, presidenti e ka të garantuar sipas rregullores së kuvendit ku në nenin e shtatë thuhet se Presidenti duhet të thërras mbledhjen konstituive brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve.

“Mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit e thërret Presidenti i Republikës së Kosovës brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.

Neglizhencën e presidentit Thaçi për të thirru seancën, Lëvizja Vetëvendosje e sheh si zhvatje, për shkak të mungesës së numrave për te formuar qeverinë nga PAN-i. Deputeti nga radhët e kësaj partie, Mytaher Haskuka, ka thënë për arbresh.info se presidenti Thaçi urgjentisht duhet të t’i jap mandatin Albin Kurtit që të formojë qeverinë.

“Se pari mosthirrja e seancës tregon që PANi nuk ka siguruar numrat për të formuar qeverinë, prandaj presidenti po mundohet të ju sigurojë më shumë kohë dhe kjo për neve është e papranueshme. Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe nuk bën që të vonohet formimi I institucioneve, kaluan më shumë se një muaj që nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit dhe ende nuk është thirr seancë konstituive, kjo është e papranueshme”, ka thënë Haskuka.

Ai ka kërkuar që të respektohen afatet kohore dhe vullneti i qytetarëve.

“Ne mendojmë që duhet të respektohen afatet kohore dhe vullneti I qytetarëve, vullneti I qytetarëve ka treguar që Lëvizja Vetëvendosje është partia me më shumë deputetë dhe Albin Kurti ka qenë kandidati më I votuar për kryeministër, prandaj urgjent presidenti duhet ti jep mandatin Albin Kurtit ashtu që të formohet qeveria”, është shprehur Haskuka për arbresh.info

Sipas Rregullores së Kuvendit, presidenti duhet ta thërrasë mbledhjen konstituive më së largu deri më 8 gusht. Pas kësaj, seanca e parë legjislative bëhet nga Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar dhe Kryesia e Kuvendit e po asaj legjislature. “Përgatitjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit janë përgjegjësi e Kryetarit nga legjislatura e mëparshme”, përcaktohet në rregulloren e punës së Kuvendit.

Pastaj kryetari dhe Kryesia e Kuvendit të kaluar ftojnë kryetarët e partive që kanë hyrë në Kuvend për të biseduar mbi rendin e ditës së seancës konstituive.

PAN-i, para testit të madh

0

Liderët e koalicionit PAN mund të kenë dalë të fituar nga betejat e luftës, mirëpo kjo që po u paraqitet tani, në paqe, duket se do t’i sfidojë përtej pritshmërive të tyre. Haradinaj tashmë ka humbur betejën e parë pas refuzimit që ia bënë LVV-LAA-ja, por a do ta humbë edhe luftën, kjo mbetet të shihet gjatë javës së ardhshme. Ora ka nisur të ecën prapa për të, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Beteja e paqes po del më e vështirë sesa kanë parashikuar “Krahu i luftës” apo liderët e koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN).

Kur tashmë numërimi së prapthi ka nisur për fromimin e Qeverisë, ata ende nuk kanë siguruar numrat e nevojshëm për ta bërë atë.
I nominuari për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, edhe dje u zotua para shefes së Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova, se shumë shpejt do t’i krijojë institucionet, shkruan “Zëri”.

Por, premtimi i tij pas rezultateve të para që dolën nga zgjedhjet, se javën e parë do ta formojë Qeverinë, tashmë duket i pamundur.

E, analistët e shohin të vështirë edhe në javën e dytë, të tretën apo gjatë tërë muajit. Ata madje nuk përjashtojnë mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.

E për t’ia vështirësuar punën Haradinajt po përkujdesen edhe dy blloqet tjera politike, lëvizja “Vetëvendosje” dhe koalicioni LAA.

Pas refuzimit që ia bënë ftesës së Haradinajt për takim, përfaqësuesit e këtyre partive thonë se në mesin e tyre nuk ka votë për qeverinë “Haradinaj”.

Leotrim Gërmizaj, anëtari më i ri i Aleancës Botërore të të Rinjve

0

Leotrim Gërmizaj është bërë pjesë e Aleancës Botërore të të Rinjve.

“U konfirmova si anëtari më i ri i Aleancës Botërore të Rinjve duke u bërë pikë kontakti i kësaj organizate globale për Kosovën”,shkruan Gërmizaj në Facebook.

“Së shpejti WYA Europe do jetë e pranishme edhe tek ne, duke e bërë Kosovën shtetin e parë nga vendet fqinje, me degë të veçantë të Ëorld Youth Aliance”.

“Grupi i aktivistëve të rinj që do t’i prijnë kësaj iniciative vullnetare por me shumë ndikim global, së shpejti do të finalizohet!”

WYA është një organizatë globale rinore që shtrihet në gjashtë kontinente dhe që ka status të veçantë brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe brenda shumë mekanizmave ndërkombëtare./PrizrenPress.com/

“Vodhën me PDK, tash s’e duan Haradinajn shkaku i saj”

0

Deputeti i zgjedhur nga PAN, dhe njëherësh anëtari i NISMA-s, Zafir Berisha, e ka kritikuar LDK-në dhe AKR-në duke i akuzuar se kanë qeverisur me PDK-në dhe tani nuk duan të shkojnë në takim me Ramush Haradinajn pasi që është me PDK-në, njofton Klan Kosova.

“Unë po e luaj rolin si deputet i zgjedhur, që të krijoj opinion pozitiv për bërjen e institucioneve të Kosovës për të cilat ka nevojë shumë qytetari i Kosovës”, tha Berisha në Ballë për Ballë të Klan Kosovës.

“Është momenti i duhur që t’i lëmë teket personale dhe inatet, e t’i rrekemi punës që t’i krijojmë institucionet”, shtoi ai.

“Mospërgjigjia në ftesën e Haradinajt nuk është korrekte, as edhe njerëzore e as morale. Veçanërisht me arsyetimin që nuk shkoj në takim pasi që është me PDK-në”, tha Berisha.

“Kush ka qeverisur me PDK-në? LDK dhe AKR”.

“Dhe tash këta nuk po shkojnë të takohen me Haradinajn shkaku i PDK-së, ndërsa deri dje kanë vjedhur bashkë me PDK-në, në kohën kur Haradinaj as që ka qenë në Kosovë”.

“Tash kur vjen momenti të bëjnë diçka për Kosovën, janë pozicionuar në inate”, shtoi Berisha duke shtuar që ata po e bëjnë tërë këtë presion për pozicione personale.

Berisha: Jam oferta më serioze për Prizrenin

0

Zafir Berisha nga NISMA për Kosovën ka konfirmuar se do të kandidojë për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet lokale të tetorit, madje ka thënë se ai është oferta më serioze për këtë qytet, njofton Klan Kosova.

“Prej shtatorit po përgatitem, këto ditë po përgatisim platformën zgjedhore dhe listën e kandidatëve për asamblistë”, tha Berisha në Ballë për Ballë të Klan Kosovës.

“Jam i përgatitur, më shumë se asnjëherë që t’i futem garës, kësaj radhe me mbështetjen e qytetarëve do t’i japim fund keqqeverisjes në vend”.

Berisha premtoi se do t’ia kthejë identitetin qytetit të Prizrenit i cili sipas tij është nëpërkëmbur nga kjo garniturë politike.

Ndonëse partia në të cilën ai bën pjesë ka hyrë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, ai tha se vazhdon t’i qëndrojë prapa kritikave ndaj kësaj partie dhe kryetarit aktual të Prizrenit, Ramadan Mujës, duke thënë se nuk ka lëvizur nga ato fjalë.

“Nuk kam lëvizur nga ato fjalë, hajduti është hajdut”, tha Berisha.

“Ramadan Muja me bandën e vet, gjatë gjithë mandatit ka qenë nëpër gjykata. A mund të them që nuk ka qenë?”, shtoi ai.

Edhe vëlla ta kem, ajo që është, është. Nuk mund t’i ndryshojmë qëndrimet, mendimet dhe opinionet sipas shijes së politikës ditore”.

Ai tha që pa diskutim, në bazë të opinionit që e ka marrë dhe në bazë të punës së ekipit që ai ka, Berisha beson se është oferta më serioze për qytetin e Prizrenit.

“Nuk shoh konkurrent”, tha Berisha duke shtuar se me gjuhën e argumenteve, fakteve dhe programeve të kapshme e konkrete do të prezantohet në zgjedhjet lokale.

“Kësaj radhe do të triumfojë NISMA për Kosovën në Prizren”, përfundoi ai.

Familje të Balincës së Malishevës me shtëpi të dëmtuara nga ndërtimi i autostradës

0

12 familje nga Balinca e Malishevës të cilët jetojnë afër rrugës magjistrale Prishtinë – Pejë e cila është duke u ndërtuar, janë në hall të madh, raporton KTV.

Si pasoi e punimeve që janë bërë në ndërtimin e nënkalimit, nga makineritë e rënda, thonë se u janë dëmtuar muret e disa shtëpive.

Pos kësaj ata ankohen se edhe punimet i kanë lënë në gjysmë Ministria e Infrastrukturës që sipas tyre qarkullimin me vetura e kanë të vështirësuar.

Thonë se aty nuk mund të jetojnë më nga rreziku që u kanoset ndërkaq kërkojnë që Ministria e Infrastrukturës t’ua shpronësojë shtëpitë e tyre.

Sipas tyre, nuk do ta lejojnë ndërtimin e mëtutjeshëm të këtij nënkalimi.

Shumë herë ata i janë drejtuar edhe Ministrisë së Infrastrukturës por kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.

Sipas tyre Ministria nuk ka pranuar që shtëpitë e tyre t’i shpronësoi pavarësisht nevojës që ata duhet të largohen nga aty.

Ndërkaq Kohavisioni nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje nga zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës lidhur me këtë çështje.

Taksistët në Prizren, akuzohen për kontrabandim me emigrantë

0

Dëshmitarët e Prokurorisë Speciale, Misin Popaj, Maliq Gashi, Nijazi Zeneli, Skender Demaj, Faredin Qovanaj, Ismet Sinanaj dhe Ajdin Elshani, të mërkurën, kanë thënë se të akuzuarit nuk u kanë ndihmuar për të nxjerrë dokumente të udhëtimit në Serbi.

Këta dëshmitarë kanë dëshmuar në shqyrtimin gjyqësor ndaj Bajram Aliut, Samet Ramadanit, Zenel Halimit, Rufat Destanit, Hamëz Pistës dhe Kemajl Celinës, të cilët akuzohen se kanë krijuar grup të organizuar për kontrabandim me migrantë dhe falsifikim të dokumenteve të udhëtimit.

Dëshmitari Nijazi Zeneli, ka thënë se vëllai i tij ka dalë deri në Suboticë, ndërsa më pas e kishte telefonuar dhe i kishte thënë që duhet t’i japë disa personave 2800 euro në emër të tij, në mënyrë që të vazhdonte rrugën për në shtetet e BE-së.

Ai ka thënë se në Prizren, kanë ardhur disa persona me një veturë të tipit “Mercedes” dhe i kanë marrë paratë. Por, tha se të akuzuarit nuk i njeh dhe se asnjërit prej tyre nuk ia ka dhënë paratë.

Ndërsa, dëshmitari Faredin Qovanaj ka thënë se i akuzuari Bajram Aliu e kishte dërguar djalin e tij për të marrë një certifikatë të lindjes në Serbi, por se këtë e kishte bërë vetëm si shërbim me taksi, për të cilin shërbim edhe e ka paguar djali i tij.

Në mungesë të dëshmitarëve tjerë, kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 7 shtator 2017, në ora 09:00, ku pritet të vazhdohet marrja në pyetje e dëshmitarëve tjerë të propozuar nga organi i akuzës.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila i akuzon të pandehurit Bajram Aliut, Samet Ramadani, Zenel Halimi, Rufat Destani, Hamëz Pista dhe Kemajl Celina, se kanë kryer krim të organizuar duke bërë kontrabandim me migrantë.

Organi i akuzës pretendon se të akuzuarit, që nga janari 2013 e deri në korrik 2014, duke vepruar si grup kriminal i organizuar, i kanë gjetur migrantët e interesuar për të dalë në mënyrë ilegale jashtë Kosovës dhe u kanë ndihmuar që të dalin. Sipas aktakuzës, ata u kanë rregulluar dokumentet e nevojshme për udhëtim dhe pas marrjes së pagesave deri në 5 mijë euro, i kanë dërguar ata përmes Serbisë, nëpër vende të ndryshme të Bashkimit Evropian./betimiperdrejtesi/

Gërnçari, fshati i surlaxhinjve dhe tupanxhinjve

0

Fshati Gërnçar aktualisht numëron 1600 banorë dhe janë rreth 300 familje. Ato që e zbukurojnë këtë fshat janë dasmat dhe synetitë që ndodhin kryesisht gjatë verës, ku dallohen në gjithë Podgurin e Prizrenit. Të rinjtë dhe të rejat bartin rroba kombëtare dhe secila vajzë duhet t’i ketë ato para martesës. Para martese duhet të i kenë 20 palë rroba tradicionale. Fshati ka disa “Tajfe”, kështu quhen grupet e surlaxhinjve dhe tupanxhinjve. Profesori i parë në këtë fshat është Bajram Jakupi. Shkolla e këtushme ka 250 nxënës, tregon Refki Alija nga ky fshat.

Dasmat plot sharm

Në zonën e Podgurit të Prizrenit, në fillim të këtij shekulli, tradita ka qenë që zakonisht nusja e dhëndri nuk njiheshin me njëritjetrin. Fjalën e martesës e jepnin prindërit e tyre.

“Ditën e dasmës, krushqit vinin me kuaj për të marrë nusen. Nusja vinte hipur mbi kalë, me kokën të mbuluar me duvak, dhe kalin ia jepte babai ishte pjesë e pajës së saj. Kur nisej me krushqit për në shtëpinë e burrit, zakoni ka qenë që ta shoqëronte një mashkull nga familja, zakonisht vëllai i vogël. Kishte dhe nuse që vishnin fustan të bardhë e vello, por tradita ka qenë citjane të kuqe atllasi ose mëndafshi dhe xhokë të qëndisur e të shndritshme, shami me temina, dhe kokën të mbuluar me duvak. Flokët dhe gishtat i lyenin me kanë”, tregon profesor Sadri Bajra, etnolog.

Kënga e vallja nuk pushonin deri vonë. Një zakon shumë karakteristik i kësaj zonë ka qenë kur krushqit shkonin të merrnin nusen, zakoni e donte të ishin prezent njerëz shumë të zgjuar e të shpejtë në të menduar, sepse aty hidheshin batuta, ose kunja me njeri-tjetrin, nga ana e njerëzve të nuses dhe dhëndrit, që hidheshin e priteshin sa nga njëra anë në tjetrën dhe që ishin të krijuara aty për aty dhe që donin përgjigje të shpejtë.

Atmosfera e dasmave fillon shumë më përpara

Traditat e kësaj ane janë të lashta. Bajra thotë se atmosfera e dasmës fillon një javë para, të hënën. Fillojnë përgatitjet, njerëzit vijnë nga të gjitha anët dhe çdo natë bënin darkë, mblidheshin të gjithë. Të mërkurave merret paja e nuses dhe në shumicën e rasteve i mbledhin të gjithë fëmijët dhe shkojnë të marrin pajën. Kur niset makina hedhin sheqerka dhe oriz. Me pas bëhet adeti i zënies së bukës me qiqra. Të gjitha gratë mblidhen në dhomë rreth dhe këndojnë, fëmijët e shtëpisë e shtypin qiqrën dhe me pas gratë fillojnë të zënë bukën dhe e lënë të vijë deri të nesërmen në mëngjes.

Të enjten vajzat me mësallat e reja i dërgojnë bukën në furrë. Të enjten shkojnë gratë e fisit të djalit tek nusja për të parë dhe po ashtu për t’i çuar dhurata. Kur mbërrijnë në shtëpinë e dhëndrit, i mbulojnë me oriz e grurë. E ëma i pret tek dera me bukën, që ta verë nën dorën e nuses dhe me mjaltin. Ngjyen gishtat e nuses në mjaltë dhe ndesh cepin e derës. Më vonë i vënë nuses një djalë në prehër, ajo ka një mollë dhe çorape pastaj fillon dasma e vërtetë”, tregon Bajra. Fshati Gërnçar i Prizrenit shtrihet rrëzë bjeshkëve të Sharrit, me Lumëbardhin nën këmbë, është i pasur me një diversitet kulturor, etnik dhe fetar. Ajdin Bajrami tregon se fshati ka një traditë të trashëguar që para 500 vjetësh.

(Kosova Sot)

Dasmat e vdekjet nuk bëheshin pa kazanë në Prizren

0

Mjeshtërit që bëjnë kazanë prej bakri dhe llamarine, me teknikën e rrahjes dhe të punimit në relief me incizim dhe që merret me kallajisjen e ndreqjen e tyre quheshin kazanxhinj. Bëhen punime si enë të përdorimit të përditshëm, kazanë e tepsi. Janë kryesisht të shekullit XIX ato që prizrenasit ende në shtëpitë e tyre i kanë këto punime. Në fillim të shekullit XX, në Prizren ka pasur shumë shitore të zejes së kazanxhinjve.

Ata punonin enë bakri, legenë e ibrikë, kusi të vogla dhe të mëdha, tepsi, sini, mangallë etj., me teknikën e “savatit” dhe të rrahjes. Prodhimet prej bakri nuk përdoren më në amvisëri, por ato akoma përdorën si suvenire. Këto prodhime sot nuk mundë të gjenden në shtëpitë e Prizrenit në përdorim pos si suvenire ka shumë të tilla.

Zeja e kazanxhinjve në Prizren është shuar dhe tashmë sipas profesor Hasan Berishës, është vetëm Gjokë Berisha, i cili mund të bëjë renovimin e kazanëve në tërësi e në veçanti kazanët e rakisë. Prof. Mejdi Elezi thotë se deri vonë kazanxhinjtë punonin vetëm në një dyqan dhe tani e tridhjetë vite ajo zeje u shua në këtë qytet.

Kazanxhinjtë përskaj lumit

Stanko Kazanxhia para 30 vitesh ka punuar në rrugën e kazanxhinjve në Prizren që tash është rruga e “Saraqëve”. Mirëpo kandidati për doktoraturë Samir Hoxha shpjegon faktin se ka pasur disa kazanxhi, që kryesisht atëbotë ishin kryesisht ortodoksë të ardhur nga jugu i Shqipërisë. I fundit para 30 vitesh ishte Stanko Kazanxhia. Por, ajo që është interesante është fakti se kazanë të vjetër ka në shumicën e shtëpive të vjetra të Prizrenit, shumica syresh u shërbejnë për përgatitje të ajvarit ose të turshive, por më kazanxhi Prizreni s’ka tani e tri dekada.

“Dikur në rrasa, në breg të lumit Lubardh, ka pasur një sërë muresh të fortë ku kazanxhinjtë e parë punuan. Atëbotë herët në Prizren quhej porta e tregut të kazanxhinjve, ishte një treg prej 800 hapash përgjatë lumit. Në këtë krah të lumit kishte shtëpi të mbuluara me tjegulla, të ndërtuara lehtë e mbajtura mirë. Veç këtyre, në anë të rrugës së madhe gjendeshin rreth 80 dyqane të tilla. Dikur rruga e “Saraçëve” quhej rruga e kazanxhinjve”, shprehet Hoxha. Ai shton se tjetër rrugë kryesore nuk ka pas, sepse nga njëra anë ishte tregu i kazanxhinjve.

Kazanët shërbejnë edhe për prodhimin e rakisë

Edhe pse kanë kaluar plotë tri dekada që s’ka më asnjë kazanxhi, të rralla janë ato familje myslimane që nuk kanë kazanë në shtëpi, por ata kazanë i përdorin për të zier ajvar apo turshi. Kurse shtëpitë katolike kanë kazanë, por kryesisht për të zier rakinë. Gjon Berisha njëri nga qytetarët me përkatësi katolike tregon se kazanët i merr nga kumbara i tij, Pjetri, i cili nuk gjendet tash në Kosovë por jeton në Kroaci. Ai shton se shumë familje katolike në Prizren i kanë kazanët për raki. Berisha shprehet se shumica e tyre ato i ruajnë me kujdes të madh, sepse më kazanxhi nuk ka në Prizren dhe ato të rejat që mund të blihen se nuk e kanë kualitetin e kazanëve të vjetër. “Kazanët e vjetër ishin dhe kanë kualitetin e punës të mirë janë të lehtë dhe janë të shëndetshëm”, pohoi Berisha për “Kosova Sot”.

Afrim Gashi shprehet se tradita për të pasur kazanë ishte shumë e përhapur në Prizren edhe për faktin se dasmat dhe vdekjet i bënin me këta kazanë. Ai tregon se në fshatin Arbanas ish-Serbicë ka pasur atje kazanxhinj që kanë punuar kazanë kryesisht për raki, por edhe për gjella. Ai tregon se pleqtë thonë se pasuli i zier të kazan nuk zëvendësohet në asnjë enë tjetër. Në këtë drejtim edhe plaku Ramiz Berisha, tregon se si “pasuli i kazanit” s’ ka gjellë më të mirë në botë. “Po e hëngre hallvën e kazanit o ndonjë ëmbëlsirë tjetër s’besojë se kërkon me ngrënë diçka tjetër. Era e hallvës së kazanit dikur nuhatej larg.

(Kosova Sot)

Kasapit nga Prizreni i ngordhin lopët nga vapa e madhe (Foto)

0

Këto fotografi që po i shihni janë bërë në qytetin e Prizrenit. Një tregtar i kafshëve, po tenton t’i shpëtojë lopët nga temperaturat e larta sepse kamioni i tij ishte stërngarkuar dhe për pasojë i kanë ngordhur.

Lajmi.net merr vesh se personit që i kanë ngordhur lopët është kasap në Prizren, që tregton me lopë.

Kanë qenë rreth 20 lopë që ka treguar një qytetar për Lajmi.net, ndërsa 8 i kanë ngordhur.

Lajmi.net ka siguruar disa fotografi nga vendi i ngjarjes ku shihen lopët e ngordhura dhe tentimi për t’i shpëtuar.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Bajram Curri” në Prizren, ku në vendngjarje shihet se kanë dalë edhe zjarrfikësit për ta ndihmuar tregtarin që t’i shpëtojë lopët.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit Hazir Berisha ka thënë për Lajmi.net se qytetarët i kanë informuar Policinë e Kosovës dhe për raportin përfundimtar do të dihet pasi të bëhet ekzaminimi nga ana e Inspektoratit Komunal dhe veterinarëve.
“Sipas qytetarëve që e kanë informuar Policinë në Prizren thuhet se te tregu i kafshëve paska qenë një kamion me kafshë. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për të parë se çka është në pyetje. Ne nuk kemi më shumë mundësi të merremi me ato punë, po e kemi thirr inspektoratin komunal së bashku me veterinarët dhe ata do ta japin raportin përfundimtar”, ka thënë Berisha për Lajmi.net.