Home Blog Page 5876

Në Malishevë mbahet ushtrimi fushor “Mirusha 2017”

0

Për dy ditë me radhë, në Malishevë, organizuar nga Komuna e Malishevës, në bashkëpunim me Agjencionin për Menaxhimin e Emergjencave (AME), UNDP dhe Bedrin, është mbajtur ushtrimi fushor “Mirusha2017”.

Në këtë ushtrim ishin të kyçura të gjitha institucionet përgjegjëse lokale dhe AME, si dhe organizatat joqeveritare, pastaj kompanitë për menaxhimin e ujërave dhe mbeturinave, si dhe sektori privat.

Qëllim i këtij ushtrimi fushor ishte vlerësimi i kapaciteteve të organeve lokale, në rastet emergjente si në rastet e vërshimeve, zjarreve dhe aksidenteve të mundshme, ngritja e kapaciteteve lokale menaxhuese dhe reaguese në rastet e fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive tjera.

Në këtë ushtrim kanë marrë pjesë ekipet reaguese dhe të emergjencave, si Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, ekipet e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Policia e Kosovës, Urgjenca dhe Kryqi i Kuq.

Gjatë ditës së djeshme është zhvilluar një ushtrim në tavolinë, ku janë parë mënyrat e intervenimit, duke filluar nga ngritja e Këshillit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim e deri në intervenim, në rastet e caktuara emergjente.

Ndërsa gjatë ditës së sotme, në mënyre praktike është zhvilluar ushtrimi, ku pas marrjes së informacionit për vërshime si pasojë e motit me shi, breshër dhe vetëtima, në pjesën e Mirushës, ku një grup studentësh dhe mësuesve, që ishin duke pushuar afër liqenit, si dhe disa peshkatar, janë lënduar si pasojë e vërshimeve, ku dy prej tyre kanë marr lëndime të rënda trupore, tre të tjerë lëndime të lehta dhe disa persona të tjerë janë traumatizuar nga situata. Një peshkatar ka njoftuar për situatën dhe me të marr informacionin për situatën, zyrtarët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, kanë informuar Kryetarin e Komunës për situatën dhe kanë propozuar aktivizimin e Këshillit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, pastaj, pas aktivizimit të këtij këshilli, është caktuar komandanti i incidentit, i cili edhe e ka udhëhequr tërë operacionin.

Ekipet reaguese të kërkim shpëtimit në ujëra, urgjenca dhe Policia e Kosovës, kanë reaguar, duke krijuar perimetrin e sigurisë, duke i kërkuar të lënduarit, bartjen dhe tërheqjen e tyre në vend të sigurt, trajtimin mjekësor, evakuimin e personave tjerë, trajtimin e personave të traumatizuar dhe strehimin e personave te rrezikuar nga vërshimet. Ndërsa Kryqi i Kuq, ka bërë trajtimin e të traumatizuarve, si dhe ka ngritur tenda për strehimin e personave të rrezikuar.

Pas kësaj është inskenuar një rast zjarri, me persona të lënduar brenda objektit, edhe në këtë rast janë ndjekur procedurat e njëjta të intervenimit, sikur edhe në intervenimin e tretë, në një rast aksidenti më të lënduar.

Në fund të ushtrimit është bërë edhe një analizë e realizmit të këtij ushtrimi fushor, ku janë analizuar ndjekja e procedurave për rastet e tilla emergjente, vendimmarrja dhe realizimi i operacionit në të tri rastet emergjente.

I tërë ky ushtrim fushor, është vëzhguar nga vëzhgues përgjegjës vendor dhe ndërkombëtar, si dhe është përcjellë nga vlerësuesit profesional, vendor dhe të huaj, të cilët do i japin vlerësimet e tyre për këtë ushtrim, ku përmes kësaj do të shikohen përparësitë dhe mangësitë eventuale, për menaxhimin e emergjencave dhe do të vlerësohen kapacitet e Komunës së Malishevës në rastet e tilla.

Vapë e madhe, në Prizren temperatura arrin mbi 40 gradë

0

Edhe sot sikurse dje i nxehti po mbizotëron në të gjitha komunat e Kosovës. E edhe sot në Prizren temperaturat kanë kaluar të 40-tat.

Një lexuese e Indeksonline ka thënë se sot në Prizren temperatura është 44 gradë celsius, e dje ishte 42.

Këto temperatura Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se do të bien nga nesër për 5-6 gradë celsius.

Në njoftimin për sot, IHMK kishte paralajmëruar se komuna me temperaturat më të larta do të jetë pikërisht Prizreni, kurse pak më të ulta do të jenë në Ferizaj.

Komuna e Rahovecit zgjat orarin e punës për hir të mërgimtarëve

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi ka nënshkruar sot vendimin për vazhdimin e orarit të punës për zyrtarët e Zyrës së Gjendjes Civile, zyrtarët e Zyrës së Pranimit dhe zyrtarët e Tatimit në Pronë të Komunës së Rahovecit.

Zgjatja e orarit të punës për ditë pune është nga ora 16 deri në ora 18:00, ndërsa të shtunën prej orës 09:00 deri në ora 12:00.

Sipas pikës dy të këtij vendimi, vazhdimi i orarit të punës do të vlejë prej datës 17 korrik deri më 25 gusht 2017.

“Arsyeja e vazhdimit të orarit të punës është bërë pasi që gjatë muajve korrik dhe gusht, mërgimtarët e Komunës së Rahovecit, të cilët jetojnë jashtë Kosovës, vijnë në vendlindje dhe synohet që atyre t’ju ofrohen shërbime më të mira dhe të mos presin gjatë për t’u pajisur me dokumente”, thuhet në njoftimin e Komunës së Rahovecit.

Nëntë raste të pagesave paushall të profesorëve në UPZ

0

Profesorët e disa universiteteve publike kanë marrë paga të plota përkundër që nuk kanë qenë të rregullt në mbajtjen e ligjëratave.

Zyra Kombëtare e Auditimit thotë se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) nuk i ka zbatuar rregulloret për të ardhurat personale të stafit akademik për universitetet e komunave të Kosovë.
Kjo për faktin se MASHT ka dhënë avancë për stafin akademik pa mbajtur ligjërata dhe pa e përmbushur normën e plotë të orëve.“Në katër raste në Universiteti i Prizrenit dhe në një rast në Universitetin “Haxhi Zeka” nuk ishte mbajtur norma e plotë e orëve mbi normë, derisa kompensimi ndaj profesorëve ishte bërë i plotë. Rregullorja parasheh që kompensimi të mos bëhet në rast të mos plotësimit të normës”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2016 për Ministrinë e Arsimit.

Po ashtu, auditori ka gjetur se tre profesorë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” janë paguar në avancë. Auditori ka nxjerrë në pah që këta tre profesorë janë paguar në dhjetor për orët mbi normë që i kanë mbajtur në po të njëjtin muaj.

“Sipas rregullores për pagat, kompensimi duhet të bëhet në muajin pasues në bazë të dëshmive për mbajtjen e atyre orëve”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur nëntë raste në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” dhe katër raste në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, ku listat e vijueshmërisë së studentëve në ligjëratë nuk vërtetohen nga personi i autorizuar i fakultetit.

“Mosvërtetimi i listave nga zyrtarët e autorizuar lë hapësirë për dyshim në mbajtjen e orëve nga mësimdhënësit. Duhet të theksohet që UPZ, pas rekomandimit tonë, në tremujorin e fundit të vitit 2016, është angazhuar në përmirësimin e kësaj mangësie”, thuhet në raport.
Po ashtu Raporti i Auditorit ka gjetur se në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka dhe në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” profesorët nuk shënojnë fare orën e mbajtjes së ligjëratave.

“Nga 52 mostrat e testuara, në dy raste në Universitetin ‘Haxhi Zeka’ dhe në gjashtë raste në UPZ kemi vërejtur se profesorët nuk shënojnë fare orën e mbajtjes së ligjëratës, e disa të tjerë shënojnë vetëm fillimin e orës së mbajtjes së ligjëratës, përderisa zyrtarët përgjegjës për kalkulimin e orëve të mbajtura e bëjnë kalkulimin pa ato dëshmi”, thuhet në të gjeturat e Raportit të Auditorit.
Po ashtu pas auditimit në këto dy universitetet UHZ dhe UPZ, në dy raste profesorët nuk e kanë plotësuar fondin e orëve të parapara për mësimdhënie, e në të njëjtën kohë janë kompensuar me pagë të plotë.

“Në një rast profesori kishte mbajtur vetëm katër orë mësim më pak dhe rasti tjetër profesori gjashtë orë më pak mësim, derisa kanë marrë pagën e plotë. Sipas rregullores mosmbajtja e orëve penalizohet me heqje të pjesshme të pagës”, thuhet në raportin e auditorit.
Në raportin e auditorit thuhet se universitetet publike, të cilat funksionojnë në kuadër të MAShT-it në përjashtim të Universitetit të Gjakovës nuk kanë strategji të zhvillimit dhe plan vjetor të punës dhe regjistër të rreziqeve për vitin 2016.
Raporti i auditorit ka vlerësuar se rreziku- kompensimi i profesorëve për provime, shkakton kosto të panevojshme për universitetet dhe mund të sjellë vështirësi financiare.

“Kjo mund të dëshmohet edhe me gjendjen e vazhdueshme të obligimeve dhe kërkesave për mjete shtesë tek pagat”, thuhet në raport.
Po ashtu Raporti i Auditorit ka vënë në pah se MASHT-i nga 26 rekomandime të vitit të kaluar, 7 prej tyre i ka zbatuar, 15 janë në proces të zbatimit, ndërsa 4 të tjera nuk janë zbatuar ende.

Vërejtje tjetër për MASHT-in është edhe plotësimi i 17 pozitave menaxhuese me ushtrues detyre në kohëzgjatje prej 1 viti.
“Kjo situatë ka rrjedhë si pasojë e mospërfundimit të proceseve gjyqësore dhe mospërfilljes së afatit për UD. Si rezultat, funksionimi i strukturave qeverisëse nuk ka siguruar gjithmonë llogaridhënie efektive”, thuhet në Raportin e Auditorit.

MASHT-i është vlerësuar se ka mungesë të raporteve brendshme të auditimit për shkak të mungesës së stafit për t’i kryer këto auditime.

“Në bazë të kësaj i bie që janë bërë tetë (8) raporte të auditivit. por kanë mbetur pa u mbuluar nga auditimi i brendshëm, fusha të rëndësishme si: prokurimi dhe qendra e studentëve”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm./kallxo.com/

Për gjashtë muaj, 50 të vdekur nga aksidentet

0

Aksidentet në komunikacionin rrugor vazhdojnë të shkaktojnë numrin më të madh të vdekjeve në Kosovë.

Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, kanë vdekur 50 persona në aksidentet rrugore.
Autoritetet e rendit thonë se nëse krahasohet periudha e njëjtë e vitit të kaluar, vërehet rritje e numrit të personave të vdekur si pasojë e aksidenteve në komunikacion.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se sipas të dhënave të përgjithshme, vërehet një rënie e numrit të aksidenteve me dëme materiale, derisa numri i aksidenteve me lëndime trupore dhe atyre me fatalitet ka shënuar rritje.
“Gjatë muajve të verës ka një rritje të numrit të aksidenteve, pasi shtohet numri i fluksit nga bashkatdhetarët që vijnë për pushime në Kosovë”, tha Hoxha.

Sipas tij, gjatë sezonit veror, në funksion të një menaxhimi dhe kontrolli më të mirë të sigurisë, veçanërisht të trafikut rrugor, Policia e Kosovës ka përpiluar një plan operativ policor të cilin edhe e ka shpërndarë për zbatim nëpër të gjitha departamentet dhe rajonet policore. Po ashtu, aty parashihen edhe masat ligjore që do të ndërmerren në vazhdimësi për të gjithë ata që nuk u përmbahen rregullave në trafik.

“Nga divizioni i trafikut rrugor i Policisë së Kosovës, janë përpiluar dhe shpërndarë fletëpalosje me udhëzime dhe mesazhe vetëdijësuese për të ndikuar në uljen e aksidenteve me fatalitet, që mbetet një shqetësim apo brengë për të gjithë ne”, thekson Hoxha.

Autoritetet e rendit thonë se vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, shkelësve të rregullave në trafik u janë shqiptuar 183.729 tiketa gjobë.

Qytetarët në anën tjetër mendojnë se janë ngasësit ata që zakonisht nuk i respektojnë shenjat e komunikacionit.

Anita Mala, 23 vjeçare, studente e Fakultetit të gjuhës angleze në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se arsyeja e vetme e aksidenteve të shumta me fatalitet është gjendja, sipas saj, kaotike që vjen si pasojë e mosrespektimit të rregullave.

“Mendoj se ngasësit nuk i përfillin shenjat e komunikacionit. Sikur të ishin më të kujdesshëm ngasësit në respektimin e rregullave, besoj se nuk do të ndodhnin gjithë këto aksidente. Qytetarët duhet vetëdijësuar sepse është në pyetje jeta e njeriut”, tha Mala.
Ndërkohë, eksperti i komunikacionit, Muhamet Krasniqi thotë se numri i aksidenteve në komunikacion, kryesisht rritet gjatë stinës së verës, duke potencuar se arsyet janë të shumta, por disa nga to, siç thotë ai, janë aspektet teknike të automjeteve, si dhe temperaturat e larta të cilat ndikojnë në shpërqendrimin e situatës.

Por, edhe ardhja e bashkatdhetarëve, thotë Krasniqi, e rritë numrin e veturave dhe gjithë kjo, sipas tij, ndikon në rritjen e numrit të pjesëmarrësve në komunikacion, gjë që mund të ndikojë edhe në uljen e sigurisë në rrugë.

Krasniqi potencon faktin se ekspertët e komunikacionit, kanë bashkëpunim të mirë më autoritet e rendit, ku edhe marrin pjesë në trajnime të ndryshme që kanë të bëjnë me komunikacionin.

“Bashkëpunimi është i vazhdueshëm, jo vetëm në stinën e verës apo dimrit dhe këto bëhen përmes forumit të Kosovës për siguri në rrugë”.

“Diskutojmë rreth çështjeve të sigurisë në rrugë, që ndërlidhet me të gjithë pjesëmarrësve në rrugë. Por, shenjat dhe rregullat e komunikacionit mbeten çështja kryesore që duhet respektuar të gjithë”, thotë Krasniqi.

Sidoqoftë, autoritetet e rendit apelojnë tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti drejtuesit e automjeteve, që të jenë vigjilent dhe të respektojnë rregullat që dalin nga ligji i trafikut, t’i përmbahen shpejtësisë së përcaktuar me shenjat e trafikut, t’i shmangen ngasjes kur janë të lodhur/përgjumur, të mos drejtojnë automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe mos të përdorin telefonat gjatë ngasjes së automjeteve.

Veprime të tilla jo të sigurta, sipas autoriteteve të rendit, po kontribuojnë në shtimin e aksidenteve dhe humbjen e jetëve të njerëzve.

Asgjësohen mbi 500 bimë kanabisi në Rahovec

0

Njësitë policore në bazë të një operacioni të zhvilluar në mëngjesin e së martës, në Rahovec kanë hasur në një zonë të mbjellur me 566 bimë të llojit kanabis sativa.

Sipas raportit të policisë, me vendim të prokurorit këto bimë janë asgjësuar në vend të ngjarjes.

Bëhet e ditur se njësitë policore janë duke hetuar rastin.

Zëri: Mytaher Haskuka, kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit?

0

Ende pa përfunduar mirë “lufta” mes partive për krijimin e institucioneve qendrore të vendit, një tjetër “luftë” për faktorizim ka nisur brenda llojit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Figura nga më të ndryshme politike kanë nisur lobimin e tyre brendapartiak për ta siguruar kandidaturën për kryetar komune në zgjedhjet e 22 tetorit 2017.

Derisa disa prej personave më me ndikim të partive janë të paprekshëm në këtë drejtim, të tjerë po shtyhen me bërryla me bashkëpartiakët e tyre për nominimin e partisë

Lëvizja “Vetëvendosje”, ndërkaq në Prizren, sipas të gjitha gjasave do ta kandidojë Mytaher Haskukën për kryetar të Komunës.

Arrestohet një person në Dragash

0

Një person është arrestuar në Dragash.

Arrestimi i tij është bërë me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Ai, është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës./PrizrenPress.com/

Ja arsyeja pse pranoi titullin “Akademik i Italisë”

0

Janë shumë kurioze marrëdhëniet e Fishtës me regjimet që erdhën në Shqipëri. Nga të dhënat historike thuhet se mbreti Zog e vlerësonte shumë at Gjergj Fishtën dhe pse njihet shumë mirë kufizimi që i bëri monarku shkollave dhe kolegjeve fetare në vendin tonë. Nga të dhënat e arkivuara të françeskanëve thuhet se Fishta nuk ishte dakord që Shqipëria t’i jepte kaq shumë koncesione Italisë sepse do vinte koha që vendi ynë do binte nën grackën e saj. Diheshin prej kohësh synimet e Italisë e cila që prej Konferencës së Londrës donte të merrte protektoratin e Shqipërisë.

Dhe këtë rrezik Fishta e kishte përshkruar hollësisht në veprat e tij. Thuhet fillimisht se ai nuk e pranoi dekoratën honorifike që shteti italian i akordoi. Por erdhi koha që Fishta mori titullin “Akademik i Italisë”. Për këtë moment kaq të veçantë që hyri në historinë shqiptare na ndihmon me shkrimet e tij At Zef Pllumi. Si reagoi armiku më i përbetuar i italianëve? Në një shkrim të botuar në gazetën Panorama ja se ç’thuhet për reagimin e poetit të madh, këtij visari të jashtëzakonshëm të kulturës shqiptare…

***
Mbas pak kohet erdhi okupacioni fashist italian. Vetëm ata që e kanë provue dhunën në shpinë e vet, ata mund ta kuptojnë ma saktë se çka asht diktatura.
Fishta në këtë kohë gjindej po në Kuvendin Françeskan te Arra e Madhe. Fashistat ndërruen mbretin, ndërruen edhe flamurin. Si të gjitha diktaturat edhe ata kërkojshin duertrokitjet e popullit dhe përuljen e njerëzve të përmendun e me influencë. Shpërndajshin pare, shpërndajshin dekorata, shpërndajshin rybe.

Në atë vit un ishem ndër klasat e nalta të liceut. U përhap fjala se edhe Fishtën e kishin emnue me dekret si “Akademik të Italisë”. Mbas disa ditësh kje caktue që të gjithë pjestarët e Kuvendit Françeskan të shkojshin bashkarisht te Arra e Madhe për t’i ba urimet Fishtës. Na priti me karamele dhe kumel. Mbasi i paraqitem bashkarisht urimet, nji prej profesorve, P. Mëhill Miraj, u çue e i tha:

-Pater Gjergj, na këtu jemi të gjithë nxënsat tuej. Un këtu po shprehi mendimin e të gjithë kolegëve të mi dhe vllazënve tuej: aq sa na ra mirë emnimi yt si akademik, aq na ka ra edhe keq. Na të gjithë prej teje kemi mësue se si duhet ta duem Shqipninë e se si duhet të jemi atdhetar. E gjithë Shqipnia, ashtu edhe fashistat italianë e dinë mirë se ti ishe kundra tyne. Bashkarisht kemi vendosë me të ba këtë propozim: “njashtu si ti ktheve mbrapsht dekretin e dekoratës që të kje dërgue prej autoriteteve italiane, tue u thanë se “nuk asht dekoratë për mue”, po ashtu ktheje mbrapsht edhe titullin e akademikut. Kaq dimë e kaq ta themi si vllazën, si nxanës e si bij tuej e mos na e merr kurrgja për të keq se ti je ndera jonë”.

Fishta gjatë këtyne fjalëve kishte ra në mendim.
-Ndigjoni, – tha, -o vllazën e bij të mi. Un nuk kam ndërrue, por jam ai Pater Gjergj që kam kenë gjithmonë. Ju e dini mirë se sa e kam dashtë un Italinë këtu. Kaq e gja e kan kuptue edhe fashistat vetë. Mos mendoni se këtë titull ma kanë dhanë për me më nderue, por ma kanë dhanë për me më internue. Latinët kanë nji aksiomë të vjetër të politikës së tyne: Njashtu si po internojnë shumë shqiptarë të tjerë, njashtu po duen me ba edhe me mue, përse në bazë të Statutit çdo akademik i ri e ka për detyrë me u sjellë për gjashtë muej tue mbajtë konferenca nëpër institutet e nalta të kulturës. Në këtë mënyrë ata duen punën e vet me e ba njëkohësisht me i hjedhë pluhën syve të botës, popullit shqiptar ashtu edhe mue.

Un sot jam i plakun; sëmundja e zemrës më asht randue shumë në këta muejt e fundit. Ato mësimet e mia që ju kam dhanë dikur kishem me dashtë që ju sot t’i shtini në veprim, ndërsa un nuk jam i zoti me përballue ma as burgun, internimin apo arratinë. Por un po ju premtoj ju se kurrë nuk do ta përuli para të huejve rodin e shqiptarit. Me të vërtetë sot na kanë okupue, si dikur Roma Ilirinë. Por un ndër konferencat e mia do t’ua përsëris italianëve pa ja da se me të vërtetë që Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U baj edhe nji premtim tjetër se përnji që ato konferenca do të kryejnë për gjashtë muej, siç i don rregullorja, un menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipni./Arlinda Canaj /

Presin dështimin e PAN-it

0

Lëvizja “Vetëvendosje” si dhe koalicioni LAA (LDK-AKR-Alternativa) po e presin dështimin e koalicionit PAN për ta formuar Qeverinë, në mënyrë që, siç thonë ata, t’i marrin “frerët” e ekzekutivit, shkruan sot, gazeta Zeri.

I nominuari i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj, i ka bërë ftesë për takim drejtuesve të LVV-së dhe LAA-së, por këta të fundit e kanë refuzuar ftesën e tij. Kundërshtarët politikë janë të bindur se Haradinaj nuk i ka numrat për ta formuar Qeverinë, prandaj presidenti do të detyrohet ta nominojë një mandatar të dytë.

“Ne besojmë që Haradinaj nuk i ka numrat për ta formuar Qeverinë dhe presim dështimin e tij. Po ashtu besojmë që ne jemi ata që do ta kemi shumicën dhe t’ia dalim ta drejtojmë Qeverinë e re të vendit”, ka thënë për “Zërin” Shkodran Hoti, zëdhënës në LVV.
Sipas tij, takimi i radhës LVV- LAA do të përcaktohet nga zhvillimet aktuale.

“Në takimin e parë janë diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe zgjedhjet në përgjithësi dhe nuk është bërë ndonjë diskutim më i hollësishëm. Takimi i radhës do të jetë sapo të koordinohemi dhe varësisht nga zhvillimet”, ka thënë Hoti, duke theksuar se do ta bëjnë të pamundurën, siç thotë ai, ta materializojnë votën për ndryshim.

“Më 11 qershor u konfirmua nevoja për ndryshim dhe përkrahja e jashtëzakonshme për ne, që është thirrje urgjente që Kosova të çlirohet nga mendësia e “Pronto”-s dhe ta fillojë një qeverisje me një mendësi krejt tjetër, që angazhohet për drejtësi, zhvillim ekonomik, barazi e mirëqenie sociale. Ne do të përpiqemi pa ndalur që kjo të jetë e mundur”, ka përfunduar Hoti…