Home Blog Page 5884

Aksident trafiku në Hoçë të Qytetit të Prizrenit

0

Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti të trafikut në fshatin Hoçë e Qytetit të Prizrenit.

“Dy prej tyre pas trajtimit mjekësor janë liruar, ndërsa i lënduari tjetër është dërguar në spitalin e Prizrenit për trajtim mjekësor”, njofton Policia e Kosovës.

Aksidenti ka ndodhur për shkak pakujdesisë së vozitësit të veturës./PrizrenPress.com/

Arrestohet i dyshuari për vjedhje në Landovicë të Prizrenit

0

Është arrestuar një person në fshatin Landovicë.

Ai, dyshohet për vjedhje të rëndë.

Policia, njofton se i dyshuari është dërguar në mbajtje./PrizrenPress.com/

Interisim i madh për librin “Rikthimi” i autores Veneta Çallpani

0

Shkrimtarja dhe poetja nga Bajram Curri, Veneta Çallpani ka filluar të botojë në një moshë shumë të re. Në moshën 13 vjeçare boton romanin e parë “Hëna dhe Yjet dashurohen”.  Tema e trajtuar i kalon kufinjtë e moshës së saj, prandaj libri pritet shumë mirë jo vetëm nga moshatarët e saj, por edhe më gjerë, duke u cilësuar si një risi në letërsinë Tropojane. Një vit më vonë bëhet anëtare e Lidhjes sëShkrimtarëve Tropojë dhe boton librin e dytë “Në heshtje…” (roman). Merr pjesë në aktivitete të ndryshme të shkrimtarëve, jo vetëm në Tropojë por edhe në Kosovë, në Malishevë, Tiranë etj. Përfaqësohet në antologjinë mbarëkombëtare me titullin “Dhimbja e kufirit” dhe në vitin 2010 boton librin “Frymëzim çasti” (prozë poetike) të pëkthyer në anglisht.

Në vitin 2011 vazhdon studimet në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike,Tiranë, dega Imazheri.  Në vitin 2012 bëhet pjesë e stafit të emisionit “Njerëz të humbur”.

Boton romanin “Rikthimi” në vitin 2013 dhe më pas ikën në Amerikë. Fillimisht jeton në Minnesota. Ftohet në një “Poetry night” për të ndarë me shkrimtarë pjesë nga krijimtaria e saj dhe pas këtij eventi i dhuron botimin e saj “Frymëzim çasti” librarisë së Grand Marais MN. Më pas zhvendoset në New York ku edhe jeton aktualisht.

Në vitin 2014 antarësohet në Shoqaten e Shkrimtarëve Shqiptaro-AmerikanëPerveç shkollës për mjeksi në New Jersey në të njëjtën kohë ajo ndjek edhe disa trajanime tek “Gotham writers” mbi “creative writing” dhe “fiction”, nga ku merr edhe certifikatat përkatëse. Për herë të parë shkruan histori të shkurter (a short story) në Anglisht “Money for nothing” (Para për asgjë). Në vitin 2016 nderohet me çmimin “Valtër Lazëri” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikan për kontributin e saj.

 

Intervistë me shkrimtaren dhe poeten Veneta Çallpani

Intervistoi Ermira Babamusta

 

Cili është libri juaj më i ri dhe kur e keni botuar?

Veneta Çallpani: Libri im më i ri është romani “Rikthimi” botuar në vitin 2013. Sapo libri u botua unë u largova për në Amerikë. Kjo ishte dhe arsyeja që nuk organizova një event promovimi.

Për çfarë bën fjalë libri?

Veneta Çallpani: Libri bën fjalë për një çështje delikate, të cilën unë e kam kthyer në diçka më të thjeshtë por duke e veshur me më shumë dashuri. Bëhet fjalë për Çamërinë. Në vitin 1912, Fuqitë e mëdha ia dhanë Greqisë këtë tokë të mrekullueshme shqiptare. Që prej asaj kohe, ndonëse ndonjëhere nuk e ka pasur vëmendjen e duhur, është diskutuar kjo çështje. Ka plot libra historik dedikuar Çamërisë, por unë nuk jam historiane dhe nuk dua të marr përgjegjësi të tilla, prandaj vendosa ta trajtoj këtë çështje në një nivel tjetër, në nivel prozatik. Kjo tërheq më shumë vëmendjen e lexuesit dhe jo vetëm që ua kujton atë kohë dhe histori,por i bën që ta shikojnë në një këndvështrim tjetër, dhe ta shijojnë leximin e librit. Ndonëse disa data dhe një përmbledhje e shkurtër e historisë së Çamërisë janë të bazuara në ngjarje të vërteta, çdo gjë tjetër është imagjinatë. Një shkrimtare nga Tropoja dhe një gazetar nga Çamëria takohen së bashku për të rikthyer jo vetëm tokën, por edhe dashurinë e munguar.

Çfarë mesazhi keni dashur të përcillni përmes tij?

 Veneta Çallpani: Mesazhi i këtij libri është dashuria të cilën unë e kam vendosur në një trekëndësh. Në kulmin e trekëndëshit kam vendosur dashurinë për shkrimin dhe artin. Kjo dashuri qëndron e lartësuar nga dy bazat e trekëndëshit: dashuria për njeriun dhe dashuria për atdheun.  Ky libër u mëson njerëzve që të dashurojnë pa frikë, pa urretje, pa zili atë që është e tyre.

Çfarë strukture ka libri?

Veneta Çallpani: Libri është një roman i rrëfyer në vetën e tretë, pra nga një narrator i jashtëm. Përveç rrëfimit, detajisht përshkruhen ngjarjet, vendet dhe psikologjia e karaktereve. Përsa i përket kohës dhe hapësirës, kam luajtur pak me ato (duke përfituar nga ky privilegj që kanë shkrimtarët). Ngjarjet fillojnë në Tiranë, për të shkuar më pas në Çamëri dhe në Tropopjë. Koha ndërthuret mes të shkuares, së tashmes dhe së ardhmes. Në fakt, mbyllja e librit, është një gjetje imagjinare e imja e një të ardhmje pa një datë të caktuar, dhe për të cilën nuk jam e sigurt a do të jetë një e ardhme e afërt apo e largët.

Çfarë e ka frymëzuar këtë zhanër të librit?

Veneta Çallpani: Ky libër e ka zanfillën në Qafë botë, në një ndër pikat kufitare me Greqinë.  Unë mora pjesë në një marshim që u mbajt në qershor, në nderim të viktimave të popullsisë Çame prej genocidit grek që u ndërmor ndaj tyre në vitin 1944. Ndër të tjerash, i madhi Mirush Kabashi interpretoi  poezinë “Trendafili i Çamërisë”. Mund të them me gojën plot, se ai interpretim ishte frymëzimi im që u bë më pas zanafilla e romanit “Rikthimi”.

Nuk kam përjetuar ndonjëhere emocion më të fortë dhe për një moment gjithçka çfarë kishte ndodhur mu shfaq para syve dhe e ndjeva thellë atë dhimbje që u shoqërua më pas me lotët që pa kuptuar po puthnin faqet e mia të ndezura flakë. Ajo poezi më ktheu pas në kohë, dhe më bëri të imagjinoj e të ndjej dhimbje të përzier me dashuri, për një tokë, e cila ishte vetëm pak metra larg meje, por nuk e arrija dot. Fuqia e atyre vargjeve ngjallën tek unë një Venetë që nuk e kisha njohur më përpara. Kështu mora guximin të shkruaja romanin “Rikthimi” duke përfshirë në të edhe poezinë “Trëndafili i Çamërisë”. Nuk e ndaj dot rëndësinë apo dashurinë ndërmjet katër librave që kam botuar, por mund të them që “Rikthimi” është libri që më ka kthyer dhimbjen në forcë dhe herë pas here faqet e bllokut janë lagur nga lotët e mi. Në çdo shkronjë është një skenë e gjallë e mbushur me shumë emocione, dhe mbase në një të ardhme mund edhe të shndërrohet në një film.

Sa libra keni botuar deri tani? Na tregoni më tepër për veprat e tjera letrare tuajat.

Veneta Çallpani: Kam botuar katër libra deri tani. Hëna dhe Yjet dashurohen” (roman) “Në heshtje..”(roman) “ Frymëzim çasti”(proza poetike) dhe “Rikthimi” (roman)

Shkruaj edhe poezi, por nuk i kam të botuara. Kam botuar edhe shkrime të tjera  nëpër gazeta e faqe interneti për tema të ndryshme.

Cilin libër do të veçonit nga veprimtaria juaj?

Veneta Çallpani: Është sikur të pyesësh një nënë cilin fëmijë do më shumë…Nuk i veçoj dot, por siç e thash më lart, “Rikthimi” është romani që më ka ndyshuar, rritur, dhe më ka mbushur me shumë shumë emocione. Megjithatë kjo nuk përjashton mundësinë që veprat e mia të ardhshme të jenë akoma më të arrira dhe më të suksesshme.

Cili është krijimi juaj i parë dhe çfarë moshe keni patur?

Veneta Çallpani: Krijimi im i parë ka qënë një poezi “Kam mall” kushtuar shoqes sime të bankës e cila iku në Amerikë nga fundi i klasës së dytë. Më kujtohet fytyra e habitur e mësues së fillores kur lexoi poezinë dhe pasi e vuri në këndin e klasës e thërret mamin dhe i thotë “Kjo vajzë do të bëhet një shkrimtare e madhe. Mami qesh, dhe duke mos e marr seriozisht e pyet se si po shkoja me mësimet. “Sose, shokët e saj akoma nuk kanë mësuar të lexojnë rrjedhsmë, e kjo shkruan poezi”. Që këtu i kishte fillimet krijimtaria ime. Që atë ditë nuk kam ndaluar së shkruari. Megjithëse librin e parë e botova 13 vjeçe, kam shkruar mbi një mijë faqe, poezi, proza, histori, të cilat sigurisht nuk i kam botuar por i ruaj akoma, sepse janë shumë të shtrenjta për mua.

Kush ju mbështet shpirtërisht në krijimtarinë tuaj letrare dhe publicistikë?

Veneta Çallpani: E gjithë familja ime, por mami është jo vetëm mbështjetja ime shpirtërore, por është edhe frymëzimi im. Krijimtaria ime filloi që në moshë të  vogël, dhe mami ishte ajo që më mbajti dorën në hapat e mi të parë duke më shoqëruar në çdo event, derisa erdhi momenti që fillova të eci vetë. Në moshën 20 vjeçare kur erdha në Amerikë, u ndjeva sërish fëmijë dhe herë pas herë ktheja kokën duke menduar të shikoja mamin, por ajo ishte larg. Ndonëse më mbusheshin sytë me lot, e doja të qaja, i kujtoja vetes se kishte ardhur koha ti tregoja mamit se sa të fortë dhe të kompletuar më ka bërë dashuria dhe përkrahja e saj. Pastaj jo vetëm familja ime, por të gjithë njerëzit që njoha u kthyen në mbështjetje. Ajo çfarë mban gjallë krijimtarinë time është lexuesi im dhe kjo është mbështja ime më e madhe artistike.

Cili libër/autor që keni lexuar ju ka tërhequr më shumë dhe pse?

Veneta Çallpani: Është e vështirë për mua të them se cili libër apo autor më tërheq më shumë. Në faza të ndryshme te jetës, kërkesat e njeriut ndryshojnë po ashtu edhe pritshmëritë, prandaj edhe nuk ngopem asnjëherë së lexuari. Megjithatë mund të veçoj Ismail Kadaren dhe Petro Markon si shkrimtarë. Pastaj librat që më kanë tërhequr shumë janë “Alkimisti” i Paulo Coehlo, “After the quake” i Haruki Murakami dhe “Super brain” i autorëve Deepak Chopra dhe Rudolph Tanzi. Kur kam nevojë për qetësi dhe frymëzim gjithmonë kthehem tek Rumi (Jalal ad-Din Muhammed RUMI). Rumi është dhe do të ngelet gjithmonë udhëheqësi im shpirtëror.

Çfarë pasione dhe qëllime të tjera keni në jetë?

Veneta Çallpani: Pasione kam shumë. Më pëlqejnë gjuhët e huaja dhe më pëlqen të udhëtoj dhe të njoh vende e kultura të ndryshme. Deri tani kam studiuar dhe kam njohuri të gjuhës Frengjishte, Anglishte, Spanjishte dhe Gjermanishte. E adhuroj kërcimin, muzikën dhe këndoj gjatë gjithë kohës,sidomos spanjisht (meqë po mësoj edhe në shkollë momentalisht). Edhe ecja është pasion për mua. Eci shumë, sidomos ecjen në vjeshtë e adhuroj. Është si një lloj meditimi në vete.

Në kategorinë e pasionit mund të fus edhe shkrimet, megjithëse shkrimet për mua janë shumë më shumë se pasion. Më pelqen të takoj dhe të flas me njerëz. Shkrimtarët zakonisht njihen për “vetminë” e tyre, por për mua është ndryshe. Njerëzit që më njohin e dinë se sa energjike dhe sa shumë më pëlqen të kaloj kohë me shoqëri. Unë marr energji kur jam e rrethuar me njerëz. Prandaj e dua shumë edhe punën që bëj tani, sepse jam gjithmonë në kontatkt me pacient, me njerëz. Përsa i përket qëllimeve ato ndryshojnë me kohën. Shumë prej tyre i kam arritur, të tjerat i kam në rrugë e sipër. Pavarsisht sa edhe si këto qëllime marrin drejtim, qëllimi im kryesor nuk ndryshon asnjëhere: Të përmirësoj veten time dhe të jap më të mirën që mundem botës.

Çfarë temash ju interesojnë të trajtoni në shkrimet tuaja?

Veneta Çallpani: Çdo lloj teme, përvec politikës (duke qeshur).  Në botimet e mia të para tematikat kishin të bënin me lirinë e të shprehurit, të mendimit dhe me faljen. Ishte koha kur femrat akoma duhej të ruanin “dinjitetin” dhe të fshihnin ndjenjat, të mos shprehnin mendimin e tyre sidomos nëse ato mendime nuk përputheshin me standartet e vendosura kohë më parë në shoqëri. Pastaj me prozat poetike temat janë gjithë përfshirëse, për të arritur më pas tek romani “Rikthimi” për të cilin kam folur më lart. Besoj që në të ardhmen do të shkruaj edhe për tema shkencore.

Çfarë mendoni për letërsinë që krijohet sot?

Veneta Çallpani: Mendoj se letërsia sot po kalon në një fazë xhelozie me teknoligjinë. Ndonjëherë xhelozia të tjetërson dhe kështu më duket edhe për letërsinë. Sikur po kalon në një fazë tjetërsimi por nuk mund të them akoma nëse ky tjetërsim do sjelli dicka më të mirë apo jo. Do ia lëmë kohës. Unë personalisht ndjej një lidhje te fortë me librat e “vjetër”.

Si ka ndryshuar stili i shkrimit tuaj gjatë viteve?

Veneta Çallpani: Stili i shkrimit nuk ka ndryshuar shumë. Mund të them që tematikat kanë ndryshuar.

Çfarë e bën të suksesshme një shkrimtar?

Dashuria për shkrimin dhe njerëzit. Kjo dashuri të bën shumë kërkues ndaj vetes, prandaj të mban gjithmonë zgjuar në kërkim të dickaje më shumë.

Ku mund të blihet libri, në treg, shtëpia botuese dhe linqet online?

Veneta Çallpani: Nga katër librat e botuar më kanë ngelur shumë pak kopje nga libri i tretë  “Frymezim çasti”, edhe ato kopje nuk gjenden më në Shqipëri, i kam marrë në Amerikë dhe do përpiqem ta ribotoj këtë libër pasi kam pasur shumë kërkesa meqënëse është edhe i përkthyer në anglisht. Për romanin “Rikthimi”, deri para pak kohësh ka qënë i disponueshëm online, në librarinë elektronike te Filozofia Urbane. Është lexuar shumë online, por për shkak të një problemi teknik kjo faqe nuk është e arrtishme për momentin, por shume shpejt do jetë në amazon. Do ti njoftoj lexuesit e mi përmesfaqes time në facebook dhe Instagram. 

Krahu i luftës drejt Qeverisë, nën presionin e Speciales

0

Heqja e të gjitha pengesave të deritanishme, që kishte fillimi i veprimit të punës së Gjykatës Speciale për krimet e supozuara të luftës, që u vonua për më shumë se dy vjet, dhe nisja e punës së saj tani, krahas procesit të ndërtimit të institucioneve të reja, sipas analistëve politikë, mund të jetë një patate e nxehtë që do të djegë edhe Qeverinë e re të Kosovës, nga kushdo që formohet pas zgjedhjeve të 11 qershorit. Kjo për faktin se arrestimet e figurave me ndikim në politikë mund të jenë një tërmet që edhe mund ta shembë shumë shpejt ekzekutivin e ri, eventualisht të dominuar nga krahu i luftës.

Profesori i së drejtës, Blerim Burjani, thotë se do të jetë një situatë pak a shumë kritike dhe me shumë probleme për rendin dhe ligjin kur dihet se këta njerëz, që mund të përndiqen dhe të merren nga kjo gjykatë, kanë fuqi edhe politike edhe ekonomike në Kosovë, prandaj është e vështirë dhe mund të ketë një rezistencë në variante të tjera, jo të drejtpërdrejta me këtë gjykatë.

“Kjo tashmë po dihet dhe kjo është ideja që me ngërçe politike e institucionale të blihet kohë, duke sjellë jo siguri dhe jo stabilitet. Pra, me vonimin e bërjes së institucioneve ose me ngërç dhe provokim eventual të zgjedhjeve të reja në fund, mund të blihet shumë kohë, sepse kështu problemi mbetet i atillë, se nuk e di se kush do të merret krejt nga kjo gjykatë. Pra, këtu është problemi”, tha Burjani për “Kosova Sot”. Fuqinë e këtij institucioni të drejtësisë ndërkombëtare ai e sheh të madhe, pasi që do të përfshijë kompetenca veprimi për periudhën e kohës së paraluftës dhe pasluftës. “Kjo situatë ka frikësuar në masë të madhe liderët e luftës”, theksoi ai.

Stabiliteti dhe imazhi në rrezik

Politologu Gurakuq Kuqi vlerëson se krijimi i Gjykatës Speciale fillimisht është një gabim i madh dhe tani mund t’i sjellë Kosovës dëme të konsiderueshme sa i përket imazhit të Kosovës. Mirëpo, ai thotë se tani dëmi akoma më i madh do të jetë edhe në zhvillimet e brendshme. Ai shpë- timin nga tronditja e qeverisë e sheh vetëm në zgjedhjen e Haradinajt në pozitën e kryeministrit, pasi që ai është gjykuar dhe shpallur i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare dy herë radhazi dhe tani nga spektri i figurave të luftës nuk pritet të jetë objekt i Gjykatës Speciale. Mirëpo, Qeveria do rrezikohet nëse pas dy vjetësh ndërron mandat kjo Gjykatë Speciale, duke zgjeruar kompetencat e veprimit.

“Kur flasim për ndikimin e brendshëm, përderisa nuk kemi emra se kush janë të akuzuarit, gjithçka tjetër mund të jetë spekulative. Por, duke pasur parasysh qëllimin e krijimit të kësaj gjykate dhe ato qëllime duke i krahasuar se kë mund të prekë potencialisht, mund të nxjerrim një konkluzion që do ta dridh skenën politike në vend. Më së shumti njerëz mund të jenë të atakuar nga radhët e PDK-së, por jo edhe ata të cilët tashmë janë gjykuar nga Gjykata për Krime Lufte në ishJugosllavi, të paktën kështu është marrëveshja”, u shpreh ai.

“Qeveria e re, me kryeministër potencialisht Ramush Haradinajn, nuk e prek këtë të fundit, por njerëzit nga radhët e PDK-së, qofshin ata në qeveri apo Kuvend. Ka mundësi që të marrë edhe ata të cilët janë duke u gjykuar apo janë gjykuar në Kosovë. Kjo gjykatë më shumë mund të gjejë veten nëse do të merrej me rastet pas përfundimit të luftës së fundit dhe potencialisht nëse edhe qëllimi i saj ndryshon pas një apo dy viteve ku do të gjykojë edhe krimet ekonomike. E nëse ndodh kjo, atëherë mund të kemi një dridhje të vërtetë të skenës politike pasi dy pikat e përmendura potencialisht i prekin të gjitha partitë politike. E kështu do ta fundoste edhe qeverinë e re dhe klasën politike”, tha politologu Gurakuqi për “Kosova Sot”.

E vërteta e gjykimeve

Analisti Jeton Kelmendi, duke ndërlidhur formimin e Qeverisë së re të vendit dhe paraprakisht fillimin e veprimit të Gjykatës Speciale, thotë se është fakt që tani Gjykata Speciale është duke ua futur frikën në palcë disa figurave politike kosovare, të cilët po presin arrestimet e tyre, edhe pse ai nuk pret ndonjë zhvillim të madh veç një teatri tronditës të përkohshëm të skenës politike. “Në fakt nuk pres shumë nga kjo gjykatë dhe nuk besoj se do të ketë dënime të figurave të larta, por e gjithë kjo më tepër është një mënyrë e largimit nga politika të disa politikanëve që tash e dy dekada po e keqpërdorin fuqinë e tyre dhe po keqpërdorin pushtetin. Prandaj, edhe u bënë bashkë të gjithë ata që kanë keqpërdorur dhe kanë abuzuar me paranë publike dhe kjo vetëm për ta mbajtur pushtetin edhe ndonjë ditë më tej. Me humbjen e pushtetit do të humbin edhe të mirat që ia kanë marrë këtij vendi, prandaj, edhe pse ishte shumë e dhimbshme pozita e kryeministrit Kadri Veseli, ai ia “dhuroi” Ramush Haradinajt këtë gjë kaq të mirë”, tha Kelmendi për ‘Kosova Sot’.

Sipas tij, nëse kjo gjykatë do të merret fillimisht me disa figura jo të rëndë- sishme, gjasat që Qeveria të mbijetojë në mandat të plotë janë reale.”Realisht nuk pres asgjë nga kjo temë: Qeveria do të përballojë këtë tërmet politik pa asnjë problem, pra cilado qeveri që do të bëhet, sepse ky është obligim ndërkombëtar i pranuar nga vetë ata që mund të gjykohen, pra që nga më i madhi deri te më i vogli”, theksoi ai. Kelmendi konsideron se ka qenë edhe mesazhi i Xhejms Rubin-it se komandantët e kishin tepruar me politikë që nuk ishte lexuar nga këta politikanë, prandaj tani e kemi Gjykatën Speciale, e cila është fshesë dhe do t’i nxjerrë jashtë politikës figurat e inkriminuara në korrupsion dhe krim, “por jo se kanë bërë krime ndaj serbëve, por ndaj ekonomisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës”.

Ditë të vështira për qeverinë e re

Analisti politik, Arsim Haziri, thotë se është fare pak e imagjinueshme që vendi të mos tronditet dhe qeveria të mbijetojë nga një tërmet i madh pas fillimit të arrestimeve nga Specialja. Ai konsideron se ndërrimi i Qeverisë duhet të jetë i atillë saqë të jetë gati edhe për menaxhim të situatës deri në pastrimin gjeneral të skenës politike dhe institucionet nga të gjithë të dyshuarit dhe inkriminuarit.”Nëse eventualisht Gjykata Speciale fillon aktivitetin e saj, siç edhe po flitet, sigurisht se për skenën politike në Kosovë do të jetë një tronditje e madhe, sidomos për ata çka ka bazë faktike për të ngritur aktakuza për krime, e keqpërdorime. Përshpejtimi i veprimtarisë së Gjykatës Speciale, konsideroj se do kishte edhe efekte, mbase do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë në evitimin e thellimit të ndonjë krize institucionale, rrjedhimisht duke parandaluar ndonjë skenar siç ishte ai i vitit 2014″, ka potencuar ai.

“Fuqizimi i veprimtarisë së kësaj gjykatë mbart në vete edhe efekte çliruese, që krijon hapësirë të mjaftueshme për konstituimin e organeve shtetërore prej atyre çka përmbajnë histori të pastër politike, si dhe nivel të lartë të integritetit moral e profesional. Kosova realisht është nën zaptimin e posteve kyçe, poste të cilat shihet në domosdoshmëri për t’u udhëhequr prej garniturës së deritanishme udhëheqëse. Mbi këto premisa vendi nuk mund të përcillet e shoqërohet me avancim të përgjithshëm shoqëror”, u shpreh Haziri për “Kosova Sot”.

UÇK

0

Skender Berisha 

Mllefi derdhur s’më bën gjë.
Edhe stuhitë më deshën,
Andaj kështu nuk të lë.

Fjala mortin e ndjell,
Po mortin kurrë s’ma bjen.
Ky diell që e desha shkëlqen.

Ti rri e bën sehir derdimen,
Po gojën shplaj kur t’më permend.
Rrënjë kam lëshuar në këtë vend.

Prej vrushkujsh gjaku dola.
Aty ku isha sa hollë të ftova.
Atë kushtrim ty ta këndova.

5 korrik 2017

Qetësia e Veselit, viziton bjeshkët e Sharrit

0

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka kaluar pasditen e sotme duke ecur në bjeshkët e Sharrit.

Përmes një statusi në Facebook, ai ka treguar se ndodhet në bjeshkë duke ecur në një natyrë të mrekullueshme ku në mes të korrikut edhe pse temperaturat janë të larta, në atë pjesë të Kosovës duket edhe bora.

“Në Bjeshkët e Sharrit, në këtë pjesë të bukur të Kosovës – nga ku duket mrekullueshëm Pashtriku, porta e lirisë sonë”, ka shkruar Veseli.

Pagat e turpit

0

IMER MUSHKOLAJ

Ulja e pagave të veta enorme dhe heqja dorë nga të tjera privilegje do të duhej të ishte veprimi i parë i deputetëve të përbërjes së re të Kuvendit. Është turp i madh dhe e pamoralshme që ata të paguhen sa pesë-gjashtë rroga mesatare të atyre që i përfaqësojnë.

Paguhen sa pesë-gjashtë paga mesatare në vend, përfitojnë edhe mëditje e privilegje të tjera, por puna që bëjnë nuk arsyeton paratë e majme që marrin. Deputetët kosovarë fitojnë më së shumti në rajon, ndonëse përfaqësojnë qytetarët e vendit më të varfër. Ata përfitojnë dy mijë e më shumë euro në muaj, duke filluar nga paga bazë rreth 1500 euro, ndërkohë që paguhen edhe pjesëmarrjet në seanca dhe në mbledhje komisionesh, mëditjet për udhëtime jashtë vendit, pagesat për transport etj.

Kuvendi i Kosovës është kthyer në vendin më të pëlqyer për punësim e privilegje, ndërkohë që do të duhej të ishte institucion i punës së të zgjedhurve të qytetarëve. Deri më tash, deputetët janë shquar kryesisht për mospunë dhe rrallë t’i kenë arsyetuar paratë e majme që përfitojnë nga shteti i varfër.

Duke parë nivelin e disave nga ta, që nuk janë në gjendje ta shkruajnë as një status Facebook’i si duhet, kuptohet lehtë se sa të tillët mund të kontribuojnë me propozime e amandamente, sa mund të kontribuojnë për ligje cilësore dhe vendime të rëndësishme për jetën e qytetarëve. Përbërjet e kaluara të Kuvendit janë karakterizuar me shumë analfabetë funksionalë, e duket se të tillë do të ketë edhe në përbërjen e re.

Ka pasur mjaft deputetë që nuk e kanë çelur gojën asnjëherë në seanca, ka pasur nga ata që rrogën për gjithë mandatin e kanë “merituar” me një pyetje parlamentare ose thjesht me ngritje dorë për të votuar ndonjë ligj. Veçanërisht gjatë mandatit të kaluar plot seanca kanë dështuar në mungesë të deputetëve, të cilët janë shfaqur në Kuvend vetëm sa për ta vënë nënshkrimin në listë dhe për t’i marrë mëditjet. Në këtë mënyrë, ata nuk e përfaqësojnë qytetarin e varfër që ua ka dhënë votën, por i shfrytëzojnë votat e qytetarëve vetëm për të përfituar. E keqpërdorin besimin e votuesve të tyre.

* * *

Jo rastësisht pozita më atraktive sot në Kosovë është ajo e deputetit. Është absurde dhe e papranueshme që pagat e deputetëve kosovarë të jenë më të lartat në rajon. Ata do të duhej të ndiheshin keq dhe t’iu vinte turp që marrin paga sa pesë-gjashtëfishi që fitojnë qytetarët e rëndomtë. Pagat e majme të tyre do të duhej të uleshin në nivelin e pranueshëm për taksapaguesin dhe buxhetin e shtetit. Kosova nuk e ka luksin që atyre t’u paguajë paga kaq të larta, për punën që nuk e kryejnë si duhet.

Andaj, ulja e pagave të veta dhe heqja dorë nga të tjera privilegje do të duhej të ishte veprimi i parë që do të duhej ta bënin deputetët e përbërjes së re të Kuvendit. Dhe e kanë këtë mundësi, po që se kanë dëshirë dhe vullnet ta shfrytëzojnë.

Ligji për Pagat që do të sillet në Kuvend mund të jetë një rast i mirë për ta që t’i ulin, nivelizojnë të ardhurat e veta dhe të zyrtarëve të tjerë të shtetit. Ligji do të duhej të miratohej i atillë që marrja me politikë e individëve të mos jetë atraktive për pasurim personal, aq më pak në kurriz të qytetarëve të varfër.

Duke marrë paga të majme, karshi pagave të ulëta të shumicës absolute të qytetarëve, deputetët me vetëdije po e kultivojnë diferencën sociale aspak të ndershme. Në këtë mënyrë ata nuk po kontribuojnë në ndërtimin e shtetit, por në ndërtimin e mirëqenies së tyre, të të ardhmes së tyre.

* * *

Jo vetëm pagat e deputetëve, por edhe të zyrtarëve të tjerë publikë duhet të nivelizohen. Po ashtu, duhet gjetur mundësia që kjo masë të aplikohet edhe për menaxherë të ndërmarrjeve publike, të cilët paguhen tre, katër, pesë e gjashtë mijë euro në muaj.

Më së miri do të ishte që pagat e qytetarëve të rriteshin dhe të bëhen sa ato të deputetëve. Por, meqenëse kjo mbetet veç një ëndërr e bukur, atëherë deputetët e kanë rastin që të japin shembull të mirë se ata vërtet i kanë zënë karrigat në Kuvend dhe e kanë fituar besimin e qytetarëve për t’iu shërbyer atyre me nder. Në këtë mënyrë ata do të tregonin se janë vetëm disa prej nesh dhe si ne, do të dëshmonin vullnetin e mirë për të punuar në të mirë të zgjedhësve të vet.

Kuvendi nuk është dhe nuk do të duhej të ishte vend për t’u pasuruar. As institucionet tjera publike nuk janë dhe nuk do të duhej të ishin të tilla. Ata që dëshirojnë të pasurohen le të merren me biznes dhe të mos i keqpërdorin taksat e kosovarëve të varfër. Kuvendi nuk është biznes./gazeta express/

Triumfon Shyhrete Berisha, gjykata i jep të drejtën e pronësisë mbi gjysmën e shtëpisë

0

Shyhrete Berishës i takon gjysma e shtëpisë. Kështu ka vendosur Gjykata Themelore e Prizrenit – Dega në Suharekë, në aktgjykimin e saj për këtë çështje.

Dy të paditurve, Arben e Xhelal Berishës, u është lënë mundësia alternative që Shyhrete Berishës t’ia paguajnë shumën prej 130 mijë eurosh, aq sa është vlerësuar pjesa e shtëpisë.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, dega në Suharekë, përveç gjysmës së shtëpisë ku kishte jetuar, ka vërtetuar se Berisha gëzon të drejtën e pronësisë edhe në dy prona të tjera.

Shyhrete Berisha, e mbijetuar e masakrës ndaj familjes Berisha, në vitin 2013 kishte paditur Arben e Xhelal Berishën për t’iu njohur e drejta e pronësisë në shtëpinë ku kishte jetuar deri më 26 mars të vitit 1999.

Prizren, arrestohet për dhunë familjare

0

Në Prizren është arrestuar i dyshuari mashkull shqiptar, pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën femër turke.

Sipas Policisë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i është ofruar tretmani mjekësor, njofton Klan Kosova.

I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Videoincizimi i përleshjes shikohet në gjykimin e Granit Paçarizit

0

Një video-incizim i kamerave të sigurisë përballë ëmbëltores “Te Jupa” u lëshua në gjykimin e Granit Paçarizit.

Në gjykimin ku Granit Paçarizi akuzohet për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, u shikua video-incizimi i kamerave të sigurisë së bastores “Toto Sport” që ndodhet përballë ëmbëltores te “Jupa” ku ndodhi përleshja mes dy grupeve më 6 korrik 2013 në Prizren.

Nga video-incizimi i kësaj date nuk u pa se kush shtiu, ngase pamja e kamerave të sigurisë pengohej nga një dru i mbjellë dhe një reklamë, por u dëgjuan 7 të shtëna në intervale të ndryshme kohore.

Vetëm një person me revole në dorë u pa teksa largohej nga rruga dytësore, për të cilin i akuzuari Paçarizi pretendoi se është Ardian Shala.

Shala kishte dëshmuar në njërën nga seancat e kaluara kur kishte mohuar se u përfshi në përleshje.

Në atë seancë Granit Paçarizi kishte kërkuar që Shalës t’i bëhet ekzaminim i trupit, pasi tha se Shala ishte plagosur në ditën kritike.

në seancën e sotme dëshmoi Aret Bytyqi që pranoi se njihte personalisht Egzon Krasniqin dhe Hamit Alemdarin që në ëmbëltoren “Te Jupa” sulmuan Granit Paçarizin.

Bytyqi tregoi në gjykatë se bashkë me Egzon Krasniqin në ditën kritike kishte shkuar në Lokalin “Crem Caffee“, ku sipas Bytyqit Egzon Krasniqi i kishte thënë se po i priste Hamit Alemdari.

“Unë kam parkuar automjetin në afërsi të kësaj kafiterie ku më pas Egzoni dhe Hamiti kanë biseduar diçka pastaj që të 3 kemi hypur në automjet të Hamitit dhe kemi vazhduar drejt rrugës kryesore kah qendra“, tha Bytyqi.

Dëshmitari më tutje tregoi si filoi përleshja në Lokalin “Te Jupa”.

“Unë se kam ditë pse po shkojmë aty se nuk kisha shku kurrë, ata jashtë lokalit vetëm janë rrokë me fjalë, ndërsa kur kanë hyrë brenda unë nuk kam parë asgjë përpos krismave të armëve që i kam dëgjuar”, tha Aret Bytyqi.

Ai më tutje rrëfeu se i dha ndihmë të plagosurit Egzon Krasniqi.

“Ka dalë Egzoni nga lokali i plagosur të cilin e kam ndihmuar të hypte në makinë duke e nisur drejt spitalit”, tha Aret Bytyqi.

Bytyqi mohoi se janë të tij disa pjesë të deklaratës së dhënë në polici, kur u ballafaqua me këtë deklaratë.

Kur iu tha se këtë deklaratë e kishte nënshkrtuar, Bytyqi deklaroi se nënshkrimi në deklaratë nuk ishte i tij.

“Nuk kam shpjegim për disa pjesë të kësaj deklarate, aty çka s’paskan kan shkru policia, madje as nënshkrimi nuk është i imi“, tha Bytyqi.

Avokati i Granit Paçarizit konsttoi se dëshmia e Aret Bytyqit nuk është e besueshme, ndërsa i propozoi gjykatës që t’i bëjë ekspertizë grafalohgjike nënshkrimit në deklaratë, pasi sipas avokatit dëshmitari po pretendon se është kryer vepra penale falsifikim i nënshkrimit.

Gjykata nuk e aprovoi propozimin e avokatit me arsyetimin se çështja e nënshkrimit nuk është objekt i shqyrtimit në këtë gjykim.

Seanca do të vazhdojë edhe sot kur do të merret në pyetje Granit Paçarizi./kallxo.com/