Home Blog Page 5897

Prizren: Shantazhon një person, i kapen edhe armë

0

Policia në Prizren ka njoftuar për një rast të shantazhit kundër një të dyshuari mashkull.

Hetuesit rajonal në koordinim me prokurorinë e shtetit  kanë nisur hetimin e rastit, shkruan PrizrenPress.

“Pas informacioneve të para është kryer bastisje në shtëpinë shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Dobrusht me ç rast janë gjetur  dhe sekuestruar: një pushkë automatike AK-47 me numër serik 16193350 me dy karikatorë me 46 fishekë të kalibrit 7.62mm; një qese me lëndë të panjohur që dyshohet të jetë narkotik; disa kartela telefoni dhe telefon të markës LG”, njofton Policia Rajonale e Prizrenit.

Lidhur me gjetjet, Policia thotë se është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të mbahet nën masën e arrestit policor. /PrizrenPress.com/

Burri e bën për spital gruan në Prizren

0

Në orët e mbrëmjes së të martës ka ndodhur një rast i dhunës familjare në Prizren në një shtëpi në rrugën “Mbreti Pleurat”.

Policia njofton se në këtë rast  i dyshuari e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe e njëjta është trajtuar nga mjekët e Emergjencës Rajonale në Prizren.

Sipas forcave të rendit me qëllim të eliminimit të rrezikut për viktimën, hetuesit kanë ushtruar një kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, në prezencë të tij dhe dëshmitarëve ku kanë gjetur dhe sekuestruar, një kallashnikov, një pushkë gjysmë automatike, pistoletë, fishekë, etj.

Prokurori i shtetit  ka urdhëruar që i dyshuari të ndalët në masën e arrestit policor. /PrizrenPress.com/

Dënohet mjeku turk në Tiranë, dëmton pacienten

0

Një mjek turk, kirurg plastik në një spital privat në Tiranë, u dënua me 1 vit burg nga gjykata e kryeqytetit për akuzën e “mjekimit të pakujdesshëm”.

I pandehuri Hakan G. u fajësua për operacionin e kryer në dhjetor të vitit 2011 te një femër që kishte kërkuar zmadhim të gjoksit dhe heqjen e rrudhave e dhjamit në pjesën e barkut.

Ndërhyrja estetike, për të cilën ka paguar 7500 euro, jo vetëm që nuk e ka zbukuruar pacienten G.B., por i ka sjellë asaj probleme të rënda shëndetësore dhe humbje e përhershme në 25 për qind të aftësisë për punë, shkruan “Panorama”.

Procesi ndaj mjekut Hakan G., i cili u gjykua pa masë sigurimi, nisi në maj 2015 dhe përfundoi në ditët e para të qershorit 2017. Në të njëjtin vendim gjykata i hoqi atij të drejtën e ushtrimit të profesionit të mjekut për një periudhë 2-vjeçare.

Për të bashkëpandehurën e tij, mjeken Rezarta K., gjykata vendosi pushimin e akuzës, pasi ndjekja penale ndaj saj nuk duhet të vazhdonte me.

Në vijim zbardhet historia e gabimit mjekësor të kirurgut estetik turk, referuar vendimit të Gjykatës së Tiranës.

Kur do t’i shpallë rezultatet përfundimtare KQZ’ja?

0

Pasi sot pritet të përfundojë numërimi i votave me kusht nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, KQZ thotë se sot ose nesër do të dalin rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Gazetën Express se pas përfundimit të numërimit të 2 mijë votave me kusht që kanë mbetur, nga 25 mijë gjithsej, pritet që sot ose nesër të dalin rezultatet përfundimtare.

“Sot ose nesër do të dalim me Rezultatet Përfundimtare. Gjatë ditës do të vendoset nga KQZ-ja dhe për këtë do t’iu njoftojmë me kohë”, ka thënë Elezi.

Deri tani janë numëruar 23 mijë vota me kusht nga 25 mijë gjithsej.

Timoni i Ramës funksionoi, motori i Bashës nuk ndezi

0

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, ka komentuar procesin e zgjedhjeve në Shqipëri, fitoren e Partisë Socialiste (PS) dhe humbjen e Partisë Demokratike (PD).

Lauka në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ka theksuar se organizimi i mirë i PS-së në bazë dhe në qendër, si dhe fushata e Edi Ramës ka ndikuar në fitoren e thellë të së majtës në zgjedhjet e 25 qershorit. Ai ka thënë se “spastrimi” i bazës së vjetër i kushtoi PD-së me humbje të thellë.

Për këtë humbje të së djathtës shqiptare, Lauka ka bërë përgjegjës drejtpërdrejt kreun e PD-së, Lulzim Basha. Ai ka kërkuar nga Basha ta japë dorëheqjen nga funksioni i kryetarit të PD-së dhe t’ua hapë rrugën të tjerëve për të konkurruar për këtë post.

Ish-ambasadori Lauka ka thënë se zgjedhjet e së dielës ishin të qeta, të lira dhe demokratike. /Epoka e re/

Kuvendi i akrabave

0

Përbërja e re e Kuvendi të Kosovës do të jetë “sui generis”.

Liderët e partive janë kujdesur që në legjislativ t’i marrin edhe familjarët e tyre, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kështu, ulëse në Kuvend kanë siguruar vëllezërit Ramush e Daut Haradinaj. I pari është kandidat i koalicionit PAN për kryeministër.

Edhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, pritet të hyjë në Kuvend bashkë me familjarin e tij, Islam Pacollin, partia e të cilëve ka qenë në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Nuk dihet nëse edhe lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, do të shkojë në Kuvend bashkë me mbesën e tij, Adea Batusha.

Por, vend në Kuvend kanë siguruar edhe familjarët e politikanëve më me ndikim në vend. Mbesa e presidentit Hashim Thaçi, Evgjeni Thaçi-Dragusha, pritet të jetë deputete e legjislativit të gjashtë.

Në këtë përbërje të Kuvendit do të jetë edhe djali i kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, Mërgimi, vajza e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Teuta, etj, shkruan tutje “Zëri”.

Kjo e fundit madje pritet ta udhëheqë seancën solemne të Kuvendit bashkë me deputetin më të vjetër, Adem Mikullovcin e lëvizjes “Vetëvendosje”. /Zëri/

Specialja prej javës tjetër e gatshme për aktakuza

0

Dhomat e Specializuara mund të jenë të gatshme edhe ligjërisht që t’i pranojnë akuzat e para brenda shtatë ditëve nëse Gjykata Kushtetuese e shpall pozitiv aktvendimin në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave.

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese pritet që sot, në orën 12:00, ta shpallë aktvendimin mbi Referimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave të rishikuara, shkruan tutje “Zëri”.

Shqiptimin e aktvendimit në lidhje me kushtetutshmërinë e rregullave të rishikuara të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, miratuar nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës, do ta bëjë kryetarja e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatësja An Pauwr-Ford.

Shpallja e vendimit do të bëhet në orën 12:00 në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. /Zëri/

Vetura zyrtare e Komunës së Suharekës, përdoret për qepë

0

Një zyrtar i Komunës së Suharekës ka shfrytëzuar veturën zyrtare për nevoja familjare.

Ai, është kapur duke bartur qepë, me veturë zyrtare.

Fotografia është dërguar nga një qytetar, i cili ka dashur të jetë anonim, por ka dëshmuar se përveq qepëve janë bartur edhe produkte tjera./therandapost.com/

Zgjedhjet: Çfarë ka ndryshuar në të vërtetë?

0

Artan Mustafa

Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare më 11 qershor, që ishin teknikisht të organizuara mirë, në klimë politike në përgjithësi të qetë. Dalja në zgjedhje vazhdonte të binte, mezi kaloi 40%, edhe pse pjesëmarrja e popullsisë rezidente ishte diçka më e lartë se ç’tregon kjo shifër, për shkak se gati gjysmë milioni njerëz me të drejtë vote jetojnë jashtë.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve të qeta, ndërkohë, ishte goxha i jashtëzakonshëm. Ai krijoi një balancë të re në disa procese të dialogut që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian – duke nisur nga “bisedimet për normalizim” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, një momentum të rimendimit të politikave kryesore publike, dhe një domosdoshmëri që partitë kryesore politike të përfshihen në reforma domethënëse.

Humbësit dhe fituesit e zgjedhjeve

Qeveria në largim ishte krijuar nga dy partitë tradicionalisht më të mëdhatë – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – si dhe partitë minoritare. Kushtetuta garanton dhjetë vende në Parlament për komunitetin serb dhe dhjetë vende për komunitetet tjera, si dhe përfaqësim kuotal të tyre në Qeveri.

Që të dy partitë e mëdha dolën humbëset kryesore të zgjedhjeve të reja, siç ka ndodhur së voni në shumë vende të Evropës.

LDK-ja, partia më e vjetër që kryesonte koalicionin konservativ krahas Aleancës Kosova e Re (AKR) dhe Alternativës, humbi zona të mëdha urbane si Prishtina, Gjilani dhe Ferizaj. PDK-ja, duke drejtuar koalicionin e qendrës së djathtë të partive të dala nga ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe partive tjera të vogla, humbi shumë vota rurale.

Ndonëse “krahu i luftës” – që përfshinë PDK-në, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismën – fitoi më së shumti vota më 11 qershor si koalicion. Rritja më e madhe u regjistrua nga Vetëvendosja (VV), për më shumë se 100%.

E krijuar gjatë negociatave të udhëhequra nga OKB për statusin e Kosovës (2005-2007), Vetëvendosja në fillim e përdori nacionalizimin për të siguruar mbështetjen e të rinjve, por gradualisht u reformua drejt një partie më social-demokrate që promovon barazinë sociale, drejtësinë dhe anti-korrupsionin.

Përveç një kampanje të suksesshme që ishte në gjendje të ndërtonte koalicione me struktura të ndryshme urbane dhe rurale, që kanë mbështetur partitë tjera, dinamikat brenda Kosovës dhe ato përreth saj shkuan në favor të VV-së.

Varfëria rurale po rritej për rreth 8% prej vitit 2007, pabarazia e përgjithshme shoqërore në të hyra u bë më e larta në Evropë në vitet e fundit (mbi 43%), që bëri gati 10% të popullatës të emigronte në mënyrë të paligjshme ose të dorëhiqej nga nënshtetësia vetëm gjatë periudhës 2013-2015, dhe perceptimi për nivelin e lartë të korrupsionit në qeveri mbeti negativ.

VV-ja gjithashtu mobilizoi votuesit kundër dy marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE – një me Malin e Zi dhe tjetra me Serbinë.

Si rezultat, Vetëvendosja mori diferencën më të lartë në përqindje të votave nga partitë tjera në rajonin më të varfëruar, atë të Gjilanit; ndërsa PDK vazhdoi të binte në vota të mbledhura në Drenicë, e cila vazhdon të ketë shumicë rurale, dhe që ishte bastioni i saj. VV-ja, në anën tjetër, mbajti votat e të rinjve.

Brenda komunitetit serb, përkundër daljes më të madhe në zgjedhje, asgjë serioze nuk ka ndryshuar sa i takon rezultateve. Sërish, vetëm një deputet (tash nga Partia Liberale e Pavarur, SLS), ka qenë në gjendje të hyjë në Parlament në garë me Listën Serbe – të përkrahur nga Qeveria e Serbisë.

Plani që është bllokuar

Parlamenti u shpërnda në maj ngase nuk mund t’i kalonte marrëveshjet e gushtit 2015 të ndërmjetësuara nga BE: njëra që përcaktonte vijën kufitare me Malin e Zi, dhe tjetra që krijonte Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe (AKS) brenda Kosovës.

PDK-ja, si partia më e madhe, zgjodhi që të bënte koalicion me AAK-në (duke ia premtuar kësaj të fundit postin e Kryeministrit) në pritje të miratimit të këtyre marrëveshjeve ose ndonjë versioni të modifikuar të tyre. Duke llogaritur në meritat e tyre të luftës, liderët e koalicionit kanë besuar se mund të mblidhnin mjaftë pushtet për të kaluar marrëveshjet dhe për të marrë, në shkëmbim, liberalizimin e vizave me BE-në dhe potencialisht disa ndryshime në kushtetutën e Serbisë, e cila ende e konsideron Kosovën territor të saj. Këto marrëveshje do t’ia lehtësonin të dy vendeve progresin drejt BE-së.

PDK, AAK dhe NISMA mund të kenë shpresuar se një sjellje e këtillë “konstruktive” në politikën rajonale do të mund të ishte ndoshta edhe me përfitim për udhëheqjen e dikurshme të UÇK-së, tash që Gjykata Speciale për krimet e luftës të kryera në Kosovë, e financuar nga BE-ja, është ngritur në Holandë.

Përkundër deklaratave publike, edhe lidershipi në Serbi, por edhe fuqitë perëndimore duhet të kenë pritur që koalicioni i partive të dala nga UÇK-ja të bënte qeverinë dhe të lëvizte me marrëveshjet. Tani, ky shteg pothuajse është bllokuar. Edhe pse partitë e dala nga UÇK-ja munden ende të formojnë qeverinë bashkë me minoritetet dhe disa deputetë të koalicionit të LDK-së. Autoriteti i Vetëvendosjes tani është bërë i pakalueshëm.

Shmangia e VV-së nga bisedimet për normalizim me Serbinë do të ishte e njëjtë me mungesën e UÇK-së në negociatat për mbylljen e konfliktit të armatosur më 1999. Prandaj do t’i bënte ato relativisht jo legjitime. Në të njëjtën kohë, prania e saj krijon balancë të re në dialog, sepse VV-ja kundërshton parimet e marrëveshjeve të lartpërmendura. Në efekt, kjo do të mund të përkthehet në progres të ngadalësuar drejt BE-së, riformatim të negociatave, dhe më shumë hapësirë për nacionalizmin.

Dinamikat e reja në politikën publike dhe partitë e mëdha

Cilado që të jenë rezultatet e bisedimeve për kabinetin e ri, që mund të çojnë edhe në zgjedhje të parakohshme tjera, votimet e qershorit krijuan një dinamikë të re të brendshme në Kosovë.

Sa i takon politikave socio-ekonomike, prej 1999-ës Kosova ka ndjekur kornizën neoliberale të vendosur nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat tjera të mëdha e që koncentrohej në: investime në infrastrukturë, privatizim të ndërmarrjeve sociale dhe rishpërndarje të ulët nën pritjen se punësimi në sektorin privat dhe investimet e huaja do të rriteshin.

Mungesa e rolit aktiv të qeverisë në krijim të punës dhe rregullim të punës, korrupsioni i lartë, si dhe politikat e dobëta rishpërndarëse qëndrojnë në rrënjët e varfërisë dhe pabarazisë në rritje, që kanë shkaktuar emigracion dhe kanë parandaluar zhvillimin e mëtejmë demokratik. Rritja e mbështetjes për Vetëvendosjen, që promovon më shumë drejtësi sociale, është indikacion se politika publike në vitet e ardhshme do të lëvizë drejt programeve social-demokrate.

Në anën tjetër, partitë tradicionalisht të mëdha – në veçanti PDK-ja dhe LDK-ja si humbëset kryesore të zgjedhjeve – përballen me presione të brendshme të reformimit. Përkundër që brenda të dy partive, një numër politikanësh që ishin gjithnjë prezent në Parlament, nuk arritën të rifitonin ulëse – gjë që përbën njëfarë ndryshimi. Edhe PDK-ja edhe LDK-ja kanë humbur koalicione me struktura të ndryshme sociale si pasojë e lidershipit të tyre aktual dhe përformimit të dobët në qeveri. Nëse ato nuk përfshihen në zgjedhje serioze të brendshme, me mundësi të gjera dhe mirëseardhëse të garës së drejtpërdrejtë, parti të reja do të shfaqen duke ndjekur shembullin e Vetëvendosjes si opsionin e vetëm real për reformë domethënëse politike.

Vota kundër partive kryesore ka krijuar një pritshmëri për ndryshim, që është i nevojshëm – siç e kanë demonstruar ngjarjet e emigracionit masiv. Se ç’kahe do të marrë ky ndryshim, Vetëvendosja është aktori kryesor për ta monitoruar në të ardhmen e afërt – qoftë si pjesë e qeverisë, qoftë si parti shumë e forcuar opozitare.

Ky artikull është botuar fillimisht në anglisht në EastBlog të Universitetit të Vjenës.

http://eastblog.univie.ac.at/

Zafiri nuk e voton Haradinajn nëse bën koalicion me serbët

0

Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën, ka treguar rastin kur nuk do ta votojë Qeverinë e koalicionit PDK-AAK-NISMA (PAN).
Në profilin e tij në Facebook ai ka shkruar se “koalicioni i ardhshëm, duhet t’i ketë 61 vota, pa Listën Serbe të Vuqiçit”.

“Ndryshe nuk do ta ketë votën time”, thotë ai.

Berisha ka garuar për deputet si pjesë e koalicionit PAN i cili ka dalë fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, por që nuk i ka votat e mjaftueshme për ta bërë Ekzekutivin e ri të vendit. Berisha pritet të jetë pjesë e Legjislativit të ri të Kosovës.