Home Blog Page 5918

Tri vite nga vrasja e Elvis Pistës, asgjë të re nga hetimet

0

Sot janë bërë tri vite nga vrasja e kandidatit të PDK-së nga Rahoveci për deputetë të Kuvendit të Kosovës, Elvis Pista.

E tash e tri vite, organet e drejtësisë nuk kanë arritur të zbardhin motivet dhe as kryerësin e vrasjes së Pistës, ndonëse për këtë vrasje janë intervistuar më shumë se 60 persona të dyshuar, shkruan Indeksonline.

Për të ndriçuar vrasjen e Pistës, disa shkrime personale të tij ishin dërguar për ekzaminim në Finlandë, pasi që institucionet e Kosovës dhe as ato të EULEX-it nuk arritën të bëjnë një gjë të tillë.

Për ecurinë e hetimeve, në Prokurorinë Themelore të Gjakovës thonë se nuk ka asgjë të re.

Indeksonline ka kontaktuar me ta dhe përgjigja ishte se “Nuk ka ndonjë zhvillim dhe hetimet po vazhdojnë akoma për këtë rast”.

Elvis Pista, është vrarë më 15 qershor 2014, derisa po largohej nga një restorant në Rahovec. Mbrëmjen tragjike ai po festonte ditëlindjen e gruas së tij.

Pista është qëlluar 4 herë nga prapa me silenciator (armë me shurdhues).

Kujtojmë se në zgjedhjet e 11 qershorit, kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK-së ishte motra e Elvisit, Beatrisa Pista Demiri.

Ajo kishte thënë se po hyn në politikë për një arsye të fortë, për të ndriçuar vrasjen e dyshimtë të vëllait të saj./Indeksonline/

Votat e koalicionit PAN, në komunën e Dragashit

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është më i votuari në listën e PAN-it në komunën e Dragashit me gjithsej 2173 vota.

 

Ndërsa i dyti më i votuari është Enver Hoxhaj me 1220 vota, për tu radhitur i treti Arsim Bajrami  me 1073 vota.

Më poshtë mund ta shikoni listën e votave me kandidatët e PAN-it në komunën e Dragashit.

U përkujtua dëshmori i parë i Malishevës, Imer Krasniqi

0

Nesër më 16 qershor, 19 vite më parë, heroikisht ka rënë dëshmori Imer Krasniqi, i cili edhe ishte dëshmori i parë nga Komuna e Malishevës, i rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë qëllim, sot në vendlindjen e dëshmorit, është shënuar dita e shkollës, e cila mban emrin e dëshmorit dhe janë bërë nderime te busti i tij.

Nderime te busti i dëshmorit Imer Krasniqi, në oborrin e shkollës, kanë bërë, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, zyrtar tjerë komunal, përfaqësuesit e shoqatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë dhe qytetarë të shumtë.

Imer Krasniqi, është dëshmori i parë nga Komuna e Malishevës, i rënë më 16 qershor 1998, ndërsa Mentor Gashi ishte dëshmori i fundit i rënë në ditën e çlirimit të Malishevës, më 16 qershor 1999 dhe për këtë shkak, Komuna e Malishevës, krahas shënimit të ditës së çlirimit më 16 qershor, shënon edhe ditën e dëshmorëve.

Nis restaurimi i shtëpisë së familjes Kabashi në Prizren

0

Qendra Rajonale për Trashëgiminë Kulturore në Prizren ka filluar restaurimin e shtëpisë së familjes Kabashi në Prizren.

Sipas një njoftimi për shtyp të kësaj qendre, ky restaurim kryhet në kuadër të zbatimit të projekteve për ndërhyrje konsoliduese, restauruese dhe konservuese për objektet e trashëgimisë të rrezikuara.

“Një nga tipologjitë më të rrezikuara të shtëpive nga zhdukja totale janë shtëpitë me çardak të hapur në gjithë pjesën e përparme të banesës. Është interes parësor që edhe ky tip i shtëpive të ruhet dhe të promovohen ndërsa në Prizren kanë mbetur jo më shumë 5-6 të tilla. Një nga këto është shtëpia e familjes Kabashi.”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Banesa i takon fundit të shekullit XVIII, e cila është restauruar gjatë shek XIX dhe XX.

“Nuk dihet se kush ka qenë ndërtuesi ose pronari i parë i kësaj shtëpie, por dihet se ajo është shfrytëzuar (blerë) nga Durmish Hapçiu në çerekun e fundit të shekullit XIX. Me ndarjen e trashëgimisë gjysmën e shtëpisë e trashëgon e bija, Fatime Hapçiu – Kabashi të cilën më pas e trashëgojnë fëmijët e saj. Gjysma tjetër e shtëpisë (në anën perëndimore) shitet në vitin 1956 të cilën pronarët e rrënojnë dhe ndërtojnë një godinë të re në fund të shekullit XX. Për fat të mirë trashëgimtarja e pjesës tjetër të banesës e ka ruajtur me fanatizëm thuajse të gjithë elementet (origjinale) që ka pasur deri në atë kohë”, theksohet në njoftim.

Sipas QRTKP, ky restaurim vjen si rezultat i nevojës së domosdoshme për ta mbrojtur këtë shtëpi banimi, e cila është karakteristike për trashëgiminë arkitekturore në qytetin e Prizrenit.

Shtatë vjet nga vdekja e aktorit Bekim Fehmiu

0

Sot shënohet shtatë vjetori i vdekjes së një prej aktorëve më të mëdhenj shqiptarë që pati famë kudo nëpër botë, Bekim Fehmiu.

Gjurmët e tij në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare nuk janë të vogla.

Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966.

Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë. Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë.
Ndër rolet më të njohura të Bekim Fehmiut janë “Prova speciale”, “Odissea”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.

Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë.Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë. Në këtë përvjetor asnjë nga institucionet nuk e kujtojë figurën e tij.

Poezia si kërkim i diçkaje që mungon

0

Vëllimi poetik “Gjithmonë diçka mungon”, Prishtinë, 2017, fq. 110, i Ndue Ukajt, poet, kritik i letërsisë dhe publicist, tashmë i njohur në letrat shqipe, sjell një frymë të re, gjithsesi moderne, në poezinë e sotme shqipe.

Ky vëllim, i shkruar me një dell të veçantë poetik, me një pasion të madh për ”mbretëreshën e artit” sjell ide, imazhe, mesazhe sublime, shumë të forta, që, si tipar poetik të fascinon dhe emocionon tej mase edhe për faktin se, siç e ka vënë re edhe Dr. Beljfore Qose, fq. (105-110), është i mbushur me imazhe, me pikëllimin e fortë të qytetit, në shtresëzime të kohëve dhe dijeve të akumuluara të njerëzimit, me shqetësimin e mosnjohjes së vetes, tjetrit, shoqërisë, me nevojën e domosdoshme të komunikimit, dëng me pamundësi-të njohjes, të realizimit të ëndrrave, të arritjes së lirisë së vërtetë dhe mbi të gjitha,një poezi që shpreh me çdo mjet të vetin pushtetin e gjithhershëm të letërsisë (fq. 105).

Pak biografi
Ndue Ukaj (1977), shkrimtar, kritik i letërsisë dhe publicist. Si poet është përfshirë në disa antologji të poezisë, brenda dhe jashtë vendit. Poezitë dhe tekstet e tij janë përkthyer në disa gjuhë si: anglisht, spanjisht, italisht, rumanisht, finlandisht, kinezisht, suedisht, etj. Është autor i librave “Diskursi biblik në letërsinë shqipe”, 2004, “Ujëvarat e metaforave”, 2009, “Godo nuk vjen”, 2010, “Ithaca of the Word”, 2010, “Interpretime letrare”, 2010 dhe “Arka e shpëtimit”, 2012. Libri me poezi “Godo nuk vjen” është vlerësuar me çmimin kombëtar “Azem Shkreli” për librin më të mirë të botuar në vitin 2010. Në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” është lauruar me çmimin për poezinë më të mirë. Revista letrare The International Poetry Transation And Research Centre, e cila botohet në Kinë, e ka vlerësuar si një nga poetët më të mirë të botuar në këtë revistë në vitin 2013.

Po ashtu është fitues i Çmimit “Creativity prizes” në Naji Naaman’s Literary Prizes 2016?. Ndue Ukaj është edhe anëtar i PEN-it në Suedi.

Vëllimi poetik “Gjithmonë diçka mungon”, i poetit Ndue Ukaj, i strukturuar në mënyrë moderne, jo në cikle siç kanë bërë poetët tanë të traditës dhe jo vetëm të traditës, përmban gjithsej 79 poezi me tema nga më të ndryshmet, por më e rëndësishmja, siç e ka vënë re Dr. Belfjore Qose, është ajo që ka të bëjë me krizën e humanitetit, një temë që autori e mbart edhe nga vëllimet e mëparshme, një shqetësim i ankthshëm, një profetizim eliotian për njeriun modern dhe humanitetin e tij të gjymtuar, vetëdijen e tij të paralizuar dhe dorëzimin apatik kundrejt një të keqeje të një forme të re (aq sa mund të jetë e re e keqja e shprehur me imazhe biblike). Vlen të theksohet me këtë rast, madje në mënyrë të veçantë, se titulli i vëllimit nuk i referohet drejtpërdrejt mungesave që dje edhe sot mungojnë si qartësia, dashuria, shkëlqimi, drejtësia dhe mirësia.

E kjo ndodh pasi uni poetik i poetit në fjalë, Ndue Ukajt, është i mbushur me ndjesi, mendime, kujtime dhe ide, dhimbje e lumturi, melankoli dhe përpjekje për t’ i shpëtuar apatisë, është një shpirt përplasjesh dhe harmonish, dilemash dhe besimesh. Por ajo çka vlen të nënvizohet, është se këto mungesa lidhen me kërkimin e tyre, me tragjizmin e atij që gjithmonë kërkon diçka dhe gjen diçka tjetër. Për më tepër, Itaka e njohur e poetit është e ndryshme nga ajo e Odiseut, gruaja, femra është një e dytë me të cilën pafund kërkohet komunikimi sipëran, ai shpirtëror, që të bën të shohësh pastërtinë e marrëdhënies së re me të, ku trajta fizike shndërrohet(Dr. B. Qose, fq. 109). Kisha është diçka tjetër nga ajo e Kadaresë etj.

Duke u marrë me analizën dhe vlerësimin e poezive të vëllimit poetic “Gjithmonë mungon diçka”, do kuptojmë se shumica e tyre, për nga vlera dhe substanca poetike – artistike, filozofike-biblike, dalin si kundërvënie ndaj poezisë që është krijuar në periudhën e soc-realizmit, madje edhe si kundërvënie e drejtpërdrejtë edhe ndaj poezisë së Kadaresë (Krahaso I. Kadare: Në kishë, te “Buzëqeshje mbi botë”, Rilindja, Prishtinë, 1980 dhe N.Ukaj “Në kishë”, fq. 63, ku, ndër të tjera, këndon:

“Dhe kur hyj në kishë/Gjithë pushteti i mëshirës/Është në mua/Dhe shpallja e gëzimit/Duajeni njëri-tjetrin./Përnjëherë bie perdja/Dhe dëgjoj melodinë e jetës/S’bëj zë/Shkëputemi nga bota/Aty është mbretëria e qetësisë/Tisi i së cilës hapet/Sapo hapim zemrat/S ‘bëj zë/Shikoj kryqin/Dhe gjej kuptimin e pikëpyetjeve pafund/Ai na dëfton se e keqja mundet me dashuri”. (Në kishë, fq. 63).

Ndryshe nga poezia “Në kishë” e I. Kadaresë, poezia e poetit N. Ukajt sjell krejtësisht një frymë të re, filizofike-biblike, sa e vjetër aq edhe e re, moderne gjithsesi edhe një mesazh krejt ndryshe nga ai i Kadaresë, sjell një mesazh të fortë, sublim dhe universal, për shqiptarët dhe jo vetëm për ta. Kështu, prandaj, kemi te ky vëllim një botë të re poetike në kërkim të diçkaje që na mungonte, që na mungon, fatkeqësisht, edhe sot.

Krejt në fund, duke iu referuar një vlerësimi të Anton Gojçajt, le të theksojmë se poezia e N. Ukajt lidhet me traditën e trashëgimisë së kulturës evropiane madje duke filluar nga disa pika kryesore lidhëse, në radhë të parë referencat që burojnë në shkrimet biblike, pastaj poemat e Homerit dhe Komedia Hyjnore e Dantes.

Është e tillë për shprehjen e vet moderne, për vargun e lirë e ritmin e prajshëm, plot me dinjitet, për invencionin dhe pasurinë figurative… Prandaj, duke e lexuar me përkushtim këtë vëllim poetik të poetit N. Ukajt, lexuesi ndjen një kënaqësi të veçantë estetike.

Kuçi: S’ka dilema, Haradinaj e formon qeverinë

0

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuçi, ka thënë se asnjë parti deri më sot nuk ka mundur ta formojë e vetme qeverinë pa bërë koalicione paszgjedhore.Në një intervistë për ‘Epokën e Re’, Kuçi ka thënë se koalicioni PAN ka dalë fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit dhe Ramush Haradinaj do ta formojë Qeverinë e re.Ai ka bërë të qartë se koalicioni PAN ka disa variante për krijimin e qeverisë së re me kryeministër Haradinaj, por ka thënë se duhet pritur certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve nga ana e KQZ-së.

Ai ka thënë se populli zgjodhi ofertën e Haradinajt.“Më 11 qershor ka pasur referendum me tri oferta për Kryeministër, z.Haradinaj, z.Hoti dhe z.Kurti. Populli e ka zgjedhur Haradinajn. Referendumi ka treguar se Haradinaj duhet të jetë Kryeministër, e jo Kurti ose Hoti”, ka thënë Kuçi, duke siguruar se nuk do të ketë ngërç politik pasi, sipas tij, qeveria do të krijohet sipas afateve ligjore.

Tragjedia në familjen durrsake në Itali, i biri: Ja çfarë i thashë mamit para vrasjes

0

Në zonën e njohur si Verese ne Itali, një 62-vjeçar shqiptar i identifikuar si Muhamad Vrapi, ka vrarë me thikë gruan e tij, Diana Vrapi Koni, 52 vjeçe, duke e goditur me një thikë kuzhine 15 herë me rradhë.

Pas krimit të rëndë menjëherë në vendin e ngjarje kanë mbëritur shërbimet mjekësore dhe policia.

Edhe pse gruaja ishte dërguar në spital, nuk ka mundur që t’u mbijetonte plagëve të marra.

Autori i ngjarjes ka pranuar krimin dhe është arrestuar.

Njëri prej fëmijëve në hetuesi është shprehur se gjithnjë i kë kërkuar nënës së tij që të qëndrojë larg nga ajo shtëpi, pasi gjërat mes tyre nuk shkonin si duhet.

“Unë e këshilloja nënën time për të qëndruar larg nga ajo shtëpi”, tha i riu, shkruan milano.corriere.it.

Çifti shqiptar ishte shpërnguar në Itali, por me pas kishin tërhequr dhe fëmijët e tyre nga qyteti i Durrësit.

Ata kishin marrë edhe nënshtetësinë italiane dhe janë prindër të tre fëmijëve, dy djem dhe një vajzë, të gjithë të rriturit, që tani jetojne secili më vete.

Policia italiane është duke hetuar lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Ajo po punon për të kuptuar se çfarë e ka shtyre 62-vjeçarin, qe të kryej në masakër të tillë, pasi ai njihej si njeri punëtor./portali DurresLajm/

Prizren: Shtyhet seanca ndaj të akuzuarve për shitje të narkotikëve

0

Mungesa e të akuzuarit Gjon Krevja nga Shqipëria, është bërë shkak për shtyrjen e shqyrtimit fillestar ndaj tij dhe të akuzuarës tjetër, Kristina Zefi, për transport dhe shitje të narkotikëve.

Shqyrtimi ishte paraparë të mbahej të mërkurën, por një gjë e tillë është pamundësuar pasi që i akuzuari Krevja, i cili gjendet në burgun e Dubravës, ka refuzuar të vijë me arsye se është i sëmurë.

Në Gjykatën Themelore në Prizren, është paraqitur prokurori i rastit, Mehdi Sefa, e akuzuara Krisitina Zefi me mbrojtësin e saj, avokatin Skender Morina, po ashtu është paraqitur edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gjon Krevja, avokati Betim Shala.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka njoftuar palët se para se të fillonte seanca ka biseduar me zyrtarin e burgut të Dubravës, i cili e ka njoftuar se i akuzuari në fjalë ka refuzuar që të transportohet me makinën e burgut, me arsye se është i sëmurë.

Në këto rrethana, Sejrani, ka shtyrë shqyrtimin fillestar për 28 qershor 2017, në ora 09:30.

Gjon Krevja dhe Kristina Zefi akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prizren se në bashkëveprim edhe me të akuzuarin Afrim Milla, i cili po gjykohet në një gjykim të ndarë, kanë transportuar narkotik të llojit marihuanë nga Shqipëria për në Kosovë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë pritur brenda kufirit të Kosovës, ndërsa të akuzuarin Afrim Milla, e kanë dërguar në pjesën tjetër të kufirit për të marrë narkotikun në sasi prej 39 kg, i njëjti e ka marrë atë dhe ka tentuar të kaloi kufirin në këmbë. Derisa i akuzuari Milla, po e kalonte kufirin në këmbë me tre thasë marihuanë, përmes liqenit të Vërmicës, është hasur nga Policia e Kosovës dhe i njëjti ka lëshuar thasët dhe ka filluar të ikë. Duke vrapuar ka komunikuar në telefon me dy të akuzuarit Gjon Krevja dhe Kristina Zefi, të cilëve u ka treguar se është nxënë nga policia.

Të gjitha bisedat në mes tyre policia i ka të regjistruara, pasi që telefonat e të akuzuarve, me vendim të gjykatës, po përgjoheshin./betimiperdrejtesi/

Veseli e Mustafa të japin dorëheqje

0

Mund të jenë zhvillime model për t’u mbajtur në mend, sikur rasti i zgjedhjeve të 11 qershorit në Republikën e Kosovës, në të cilat ndodhi befasia e madhe, kur të dy subjektet tradicionale politike, PDKLDK, rivalët e vjetër dhe partnerë të koalicionit në dy mandate, të ndëshkohen kaq rëndë sikur nga votuesit e vendit dhe të rrezikohet aq seriozisht e ardhmja e tyre në politikë. Analistët konsiderojnë se krerët e të dyja këtyre subjekteve politike do të duhej të jepnin dorëheqje, si Kadri Veseli në PDK, ashtu edhe dhe Isa Mustafa në LDK pas debaklit në zgjedhjet e fundit. Kadri Veseli është përgjegjës, sepse dështoi me mënyrën e menaxhimit të partisë, duke vazhduar të lejojë krimin dhe klanin ‘Pronto’ të udhëheqë nga nëntoka shtetin, si dhe me aderimet e njerëzve të dështuar dhe servilë në PDK. Edhe “Fillimi i Ri” i Kadri Veselit në politikë rezultoi me debakël.

Partia Demokratike e Kosovës nën drejtimin e tij ka marrë tatëpjetën, duke ia rrezikuar kështu pozitën e partisë më të madhe në vend, të cilën e ka mbajtur për hiç më pak se një dekadë. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, PDK-ja si e vetme, pa i llogaritur votat e partnerëve të koalicionit (AAK, Nisma dhe 13 parti të tjera të vogla), me shumë gjasë nuk do të dilte partia më e votuar në vend. Sipas analistëve, me moton e fushatës “Fillimi i Ri” Veseli u përpoq të shkëputet nga keqqeverisja afatgjatë e PDK-së në nivel qendror dhe lokal, nga korrupsioni i lartë, që ishte rezultat i kësaj keqqeverisjeje, nga kurdisja e tenderëve dhe e konkurseve publike, por pa sukses. Pa dyshim se votuesi kosovar ishte i vetëdijshëm se “Fillimi i Ri” në asnjë mënyrë nuk do të ndodhë me politikanë të vjetër e të dyshuar për korrupsion, dhe se nuk do të mund të ketë drejtësi e as “Fillim të Ri”. Po ashtu vlerësohet të ketë dështuar edhe Isa Mustafa me krijimin e koalicionit me PDK-në në vitin 2014, por edhe me Krijimin e koalicionit parazgjedhor me AKR dhe Alternativa, të cilët do të shiten tani tek PDK-ja. Nga vendi i parë apo i dytë që e mbanin për një kohë të gjatë në garën politike, LDK-ja ra në vendin e tretë.

Ndëshkimi qytetar

Analistët politikë, duke ia faturuar të gjitha këto gabime dhe dështime, po ashtu konsiderojnë se shpëtimi i LDKsë, sikurse edhe i PDK-së është në reformimin e shpejtë dhe urgjent të këtyre partive politike. PDK- ja duhet të futet ne procesin e reformës dhe ristrukturimit, pasi udhëhiqet nga krimi i organizuar i klanit ‘Pronto’ dhe jo vetëm, ku edhe ardhjet e reja, në maksimum çka mund të bëjnë, është të luajnë rolin e asistentëve personalë të shefit, ndërkaq LDK-së po ashtu i duhet një rifreskim jo vetëm dekorativ, por edhe në vendimmarrje. Muhamet Kelmendi thotë se në kuadër të çështjeve të paraqitura, lidhur me PDK dhe Kadri Veselin kryetar, si dhe me LDK dhe Isa Mustafën po ashtu kryetar, lirisht mund të konstatohen dështime të mëdha dhe të gjithanshme për të cilat edhe njëri edhe tjetri do të duhej të jepnin llogari para qytetarëve dhe anëtarësisë së tyre, duke mos përjashtuar aktin më të lartë moral dhe etik, që është dorëheqja nga pozita e kreut partiak.

“Lidhur me PDK dhe Kadri Veselin, pavarësisht se cili është slogani, u treguan qytetarët e Kosovës shumë të vendosur dhe ia dhanë dënimin e merituar si parti dhe si kryetar i saj. Trendëve të vazhdueshme negative, afera “Pronto”, keqpërdorimet dhe vjedhjet, krimi mbi baza shtetërore dhe kapja e tërë Qeverisë, si në ekzekutiv, ashtu edhe në Gjyqësor dhe në fusha të tjera, populli iu dha përgjigje me votë, kur doli se PDK-ja ka pësuar debakël të rëndë dhe nga mbi 30 deputetë që i kishte, sigurisht ka rënë në numër shumë të vogël, madje simbolik, besohet në 17 a 18 deputetë. Kjo është një humbje e madhe, e cila duhet të pasojë jo vetëm me dorëheqje të Kadri Veselit, por edhe të tërë kryesisë, madje edhe të Këshillit të përgjithshëm të partisë, do të duhej të ishte si adresim i përgjegjë- sisë. Pra, dorëheqjet janë të domosdoshme”, tha Muhamet Kelmendi. Por, sipas tij, duke shikuar gjendjen dhe situatën, nuk po duket që ka moral, disiplinë dhe vetëdije politike e njerëzore që të jepen dorëheqje nga ana e atyre që e sollën gjendjen në parti deri në rrezik të shuarjes, por edhe e dëmtuan shtetin. Ë njëjta situatë, sipas tij, është edhe në LDK. “Po e njëjta gjendje është edhe të LDK-së. Kjo parti u tregua e ngathtë dhe aspak produktive. Gradualisht u larguan dhe u injoruan veprimtarët e kësaj partie. Turpi më i madh u bë duke u futur në koalicion me PDK në vitin 2014. Pastaj vazhdoi çështja me papunësi, me ikje jashtë vendit, me korrupsion dhe me Demarkacion e me Asociacion. Të tëra këto e dëmtuan LDK-në dhe natyrisht se pritet të japin dorëheqje shumë veta në LDK, duke prirë nga ana e të parit Isa Mustafës”, tha Muhamet Kelmendi.

Të adresohet përgjegjësia partiake

Edhe analisti Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, konstaton se tani nuk ka asnjë arsye që krerët e të dy partive politike tradicionalisht më të mëdha në vend, të cilët nuk arritën ta mbajnë si duhet timonin e partisë dhe morën ndëshkim të madh nga votuesit, do të duhet të jepnin llogari para elektoratit të tyre për dëmin që i kanë sjellë, ngase ringjallja pas këtij dështimi, gati vdekje klinike është tepër e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

“Zgjedhjet e 11 qershorit treguan që është humbës çdo lider i çdo partie, përveç ‘Vetëvendosjes’, dhe kjo në kushte normale demokratike duhet t’i vërë para përgjegjësisë partiake ku këshilli i partisë apo kushdo që me statut e udhëheq partinë, do të kërkonte llogari dhe ndëshkim për papërgjegjësi dhe paaftësi. Andaj, edhe zgjedhjet e fundit sikur partitë politike në Kosovë të ishin parti të qytetarëve të Kosovës, anëtarët dhe kryesia apo këshilli do t’i vinin para përgjegjësisë liderët partiakë, ose në të kundërtën këta do të duhej të jepnin dorëheqje vetë nga posti si satisfaksion dhe obligim moral partiak, shtetëror dhe demokratik”, u shpreh ai. “Por, partitë në Kosovë janë totalisht lideriste, klienteliste dhe jodemokratike që një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë, pra deri më tani Isa Mustafa, i cili si kryetar i LDK-së njeh vetëm humbje tani do të duhej të kishte dhënë dorëheqje, e me të edhe Kadri Veseli, i cili me një koalicion të madh nuk arriti ta ruajë as votën e partisë të trashëguar. E pozicionin e vet duhej ta rishikonin edhe liderët e partive të tjera, dhe kështu të lihej hapësire për shkapje dhe demokratizim të partive me një reformim të thellë, përndryshe tatëpjeta e tyre do të vazhdojë akoma”, theksoi Kuqi.