Home Blog Page 5936

Rikthimi i Roger Waters

0

Bashkëthemeluesi i Pink Floyd, Roger Waters, është rikthyer në skenë me solo-albumin më të ri – “Is This the Life We Really Want?”, i pari i tij pas 25 vjetësh.

Ai është prodhuar nga Nigel Godrich – producent i Radiohead dhe Beck – dhe është si një përmbledhje e momenteve dhe motiveve më të mira të Pink Floyd në fillim të mesit të viteve ‘70.

Vendimi i tij për të bashkëpunuar me Gordich duket si një injektim shumë i nevojshëm i gjakut të ri.

Pas një ndërprerjeje të punës në studio, që zgjati afro një çerek shekulli, Roger Waters është kthyer kur duhet më së shumti.

Herën e fundit, në albumin e tij të vitit 1992 “Amused to Death”, Waters po paralajmëronte botën për pothuajse saktësisht çfarë ka ndodhur – indiferencën e mediave dhe përhapjen groteske të politikanëve të luftës.

Albumi i tij i ri, “Is This the Life We Really Want?”, mund të konsiderohet si një vazhdim i drejtpërdrejtë.

Në këto kohë edhe më shqetësuese, ajo që i dallon këto dy albume simotra, është se “Is This the Life We Really Want?” ofron një copë shprese dhe një thirrje për të luftuar.

Ky album është një distilim në shumë aspekte i mesazheve anti-fashiste, anti-imperialiste dhe anti-lakmisë, që Waters i ka transmetuar që nga Pink Floyd. Dhe, në fakt, në aspektin muzikor, ky është një incizim klasik si Pink Floyd. / Politiko.net

Kamy, shkrimtari që i donte aq shumë gratë

0

Kur Alfred Kamy (Camus) redaktonte librin e tij të fundit, Le Premier Homme, (Njeriu i Parë, i botuar veçse para disa vitesh), i cili mbeti i papërfunduar, në fletoret e tij ai kishte shkruar: “J’ai quatres femmes à la fois et mène donc une vie vide”, («Dashuroj katër gra njëherësh dhe bëjnjë jetë boshe»)…

Katër gra kishin lënë gjurmë te ai edhe pse ai kishte njohur dhe dashuruar në kohë të shkurtra dhe shumë gra të tjera: Francine Faure (gruaja e tij, e cila që tentoi të vriste veten duke u hedhur nga ndërtesa) ; Maria Casares, apo «Unikalja», siç e quante ai, me të cilën kaloi aventurën më të bukur teatrale parisiane dhe dashurinë e madhe ; aktorja tjetër Caterine Sellers që e zgjodhi për rolin e pjesës teatrale Requiem pour une nonne në vitin 1956 dhe Mi (Mette Ivers), piktorja e re daneze të cilën e takoi në fund të jetës, në vitin 1957, pa folur për dashuritë kalimtare.

Ai nuk e përmend gruan e tij të parë, Simone Hié, një femër estravagante që pëlqente morfinën dhe heroinën dhe që e pinte cigaren si një Greta Garbo. Dashuria e tyre ishte e shkurtër edhe pse u martuan në një ditë qershori të vitit 1934, atëherë kur ai vuante nga turbekulozi dhe donte të gëzonte jetën, duke menduar se do të vdiste i ri. Madje asaj i dedikoi dhe një libër, Libri i Melusine-s, por ajo e tradhëtoi me një mjek dhe kështu ata u ndanë.

Në udhën e tij ai do pikëtakonte plot gra të tjera, siç ishte Christiane Galindo, të cilën e dashuroi në vitin 1937, një brune e bukur që kishte dëshirë të shtypte në makinën e shkrimit dorëshkrimet e tij. Olivier Todd, biografi i tij, shkrun se «ai kishte një mënyrë që i zhvishte gratë përmes shikimit». Një kritik tjetër, ka shkruar se «ai ishte besnik në ide dhe i pabesë me gratë». Tek libri Miti i Sizifit, duke shkruar për Don Zhuanin, ai shkruan gjithashtu se «çdo njeri i shëndetshëm kërkon të shumfishohet. Po kështu dhe Don Zhuani.

Ai i do gratë me të njëjtin vrull, duke iu përkushtuar atyre”. Francine ishte nëna e dy binjakëve të tij dhe vetë familja e tij, e cila mbetej thellësisht e dashuruar pas tij; “F. a le gout de l’absolu” (Francine ka shijen e absolutes”, shkruante ai. Ajo ia njeh aventurat, dashuritë me gratë e tjera. Në deliret e saj kur e çojnë në një spital psikiatrik, ajo përmendte shpesh emrin e Maria Casares, rivales së saj, vajzës së emigrantit politik spanjoll, ish ministrit të Kulturës së Republikës së mundur spanjolle ngag jenerali Franco.

Të gjitha të dashurat e tij kanë një individualitet të fortë dhe një talent. Francine ishte një pianiste e shkëlqyer dhe matematiciene. Ajo ishte virtuoze në pjesët e Bahut. Casares ishte ylli i teatrit francez. Dhe Sellers shkëlqeu në skenën e teatrit parisian. Mi vizatonte me një talent të jashtëzakonshëm… E megjithatë, Kamy ishte me ato gjithnjë i sinqertë, i hapët, edhe kur Maria Casares do t’i shkruante të vërtetën, në mënyrën e tij: ”Të kam tradhëtuar, asnjëherë nuk të kam tradhëtuar”… Po, ai dashuronte disa njëkohësisht dhe nuk i tradhëtonte shpirtërisht.

E çuditshme, por e vërtetë. Madje dhe ditët e fundit të jetës së tij, ai jetonte me dashuritë e tij, me imazhet e të dashurave të tij të gjithëkohshme, me letrat që u dërgonte, apo takimet e fshehta. Më 29 dhjetor, ai i shkruante të dashurës së tij në Danimarkë, Mi, e cila pas pak ditësh do të merrte avionin për në Paris: «Kjo ndarje e tmerrshme, na bëri të paktën të kuptojmë nevojën e përhershme për njëri-tjetrin… Të pres e dashura ime, e zjarrta ime, vogëlushja ime e shtrenjtë».

Një ditë më vonë ai i shkruante fjalë të ëmbla të dashurës së mëparshme Catherine Sellers dhe po atë ditë, pasdite, i shkruante të dashurës së tij të vjetër Maria Casares: «Të dërgoj një mal me urime të dashura që jeta të bulëzojë tek ty, duke të dhënë atë imazh që e dua prej kaq shumë vitesh. Të dërgoj gjithë diejtë e zemrës. Të puth dhe të shtrëngoj pas vetes gjer të martën e ardhshme kur do të takohemi, për të rifilluar përsëri»… Por më 31 dhjetor, përsëri i shkruan të dashurës tjetër Sellers: «Kjo është letra ime e fundit e dashur…»

Vallë do të ishte e fundit? A do t’i takonte më ai të dashurat e tij. A do të përgjërohej më ajo zemër, që gjithë jetën ishte drithëruar nga emocioni i takimit femëror, nga një dehje e pazakontë që e bënte të jetonte, që i jepte ndjesinë e lumturisë? Po ato, ato që vuanin për të, secila në mënyrën e tyre? Njëra, Francine, që hidhej nga ballkoni i shtëpisë që t’i jepte fund dhimbjes së saj, tjetra Casares, që e vetme priste me netë, me ditë, me vetminë e madhe të trupit të saj dhe të botës që të kthehej i dashuri i saj i vtëm?…

A nuk i shkruante ajo në ato letra pafund… “Të pres, unë thjesht të dua, je apo s’je pranë meje, pasi ti je gjithnjë tek unë. Dashuria ime tek unë është si uria, si dielli. Vetëm fakti që ti jeton, më bën plotësisht të lumtur. Çdo çast tjetër që do të vijë do më jetë i ëmbël, pasi ai gjendet gjithnjë në udhën time që vjen drejt teje…”

Vdekja e Xheneta Gashit, pritet aktakuzë për një zyrtar komunal të Prizrenit

0

Një vit pas vdekjes tragjike të 4-vjeçares Xheneta Gashi, në qendrën historike në Prizren, askush nuk ka marrë përgjegjësi.

Mirëpo, deri në fund të këtij muaji, do të ngrihet aktakuzë për njërin nga tre zyrtarët e komunës, ndaj të cilëve kanë vazhduar hetimet që një vit.

Këtë e ka konfirmuar kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, duke mos dhënë detaje se cili zyrtar do të akuzohet, raporton KTV

Ndërkaq, Hajrulla Çeku, nga organizata joqeveritare “EC MA NDRYSHE”, ka thënë se Qendra Historike ka qenë në vazhdimësi duke u degraduar, tani është bërë edhe e rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Nën hetime, nga Prokuroria Themelore në Prizren, kanë qenë ish-drejtori i Urbanizmit, Nijazi Kryeziu, drejtori i Inspektoratit Komunal, Bedri Bytyqi, dhe Bedrija Ejupagiq, drejtor i Emergjencës.

Të tre akuzohen se kanë pasur për detyrë, por nuk kanë marrë masa, për parandalimin e rrëzimit të shtëpisë, në të cilën pësoi Xheneta Gashi.

Blerim Çoçaj: Prizreni, do të përcaktojë fituesin e zgjedhjeve të 11 qershorit

0

Gazetari nga Prizreni Blerim Çoçaj, thotë se ky qytet, do të përcaktojë fituesin e zgjedhjeve të 11 qershorit. Sipas tij, qytetarët e Prizrenit, për dallim nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës, çdo herë janë treguar “specifik” në zgjedhje.

“Ata, shikojnë, dëgjojnë, marrin pjesë në të gjitha tubimet e partive politike, por në fund votojnë ‘çuditshëm’ “, thotë Çoçaj.

Postimi i plotë në “Facebook

Prizreni do të përcaktojë fituesin e zgjedhjeve të 11 qershorit. Partitë politike, tashmë e kanë kuptuar këtë fakt, prandaj janë angazhuar maksimalisht në këtë qytet.

Liderët e të gjitha partive politike, gjatë këtyre dy ditëve të mbetura të fushatës, do të fokusohen në Prizren. Ata do t’i bëjnë përpjekjet e fundit, që votat përcaktuese të fitores në zgjedhjet e 11 qershorit , t’i rrëmbejnë për vete. Qytetarët e Prizrenit, për dallim nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës, tregohen më “specifik” në zgjedhje.

Ata, shikojnë, dëgjojnë, marrin pjesë në të gjitha tubimet e partive politike, por në fund votojnë ‘çuditshëm’ .

“Rrejnë” më shumë se politikanët!

Ish-lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, ka qenë i vetmi që e pati kuptuar këtë “specifikë” të votuesve, prandaj gjatë gjithë kohës së fushatave zgjedhore qëndronte në Prizren.

Rrugën e Thaçit,pres se do të ndjekin edhe liderët e partive të tjera, pasi që përcaktues i fituesit në këto zgjedhje do të jetë Prizreni./Gazeta Blic/

Nezir Çoçaj: Të rritet angazhimi për personat me aftësi të kufizuar

0

Kandidati i PDK-së për deputet, Nezir Çoçaj ka takuar anëtarët e HandiKos-it në Prizren.

Ai ka thënë se duhet rritur angazhimi për personat me aftësi të kufizuara sepse ata janë kategori e barabartë me gjitha kategoritë tjera shoqërore.

Ky është postimi i plotë i Çoçajt në Facebook:

Jashtëzakonisht i nderuar t’a pranoja ftesën për një bashkëbisedim miqësor me anëtarët e HandiKos në Prizren. Personat me aftësi të kufizuara janë kategori e barabartë me të gjitha kategoritë tjera shoqërore, andaj institucionet duhet t’a rrisin angazhimin e tyre në zbatimin e legjislacionit që parasheh mbështetjen sociale, financiare dhe praktike për këta qytetarë duke u mundësuar kushte dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë.

Unë sa herë që ka qenë kërkesa dhe nevoja kam komunikuar dhe jam takuar me këta persona për t’i diskutuar dhe adresuar problemet e përditshme të tyre. #12 #67

Ritmi i romanit

0

Ag APOLLONI

Ridvan Dibra është autor postmodernist, i cili fokusohet në tema të vogla, por që te lexuesi ngjallin asociacione të mëdha. Ai i përmbahet parimit të asjbergut, në sipërfaqe nxjerr pak, por leximi i vertikales semantike mundëson të shihet edhe pjesa nënujore, që është e madhe dhe frikësuese. Kjo është edhe arsyeja pse ai sot është një autor që çmohet lart nga kritika, por edhe nga lexuesit që, siç thotë Barthes, kënaqësinë tekstuale, apo orgazmën, atë jouissance (1973: 10) që e shkakton teksti, e kërkojnë jo te tekstet e lexueshme, por tek ato të shkrueshme (1974: VIII-IX).

Narrativa inovative

“Nudo” nga vetë autori ka përcaktuesin kategorial: roman. Mirëpo, i parë në kontekst më të gjerë, ai për nga gjatësia hyn te novela, standardin e së cilës, sipas disa teoricienëve, në letërsinë botërore e caktojnë: Metamorfoza (Kafka), Zemra e errësirës (Conrad), I huaji (Camus), Njerëz dhe minj (Steinbeck), Plaku dhe deti (Hemingway), Gjiri (Roth) etj.

Në anglisht, romani quhet novel, kurse novela quhet novella, të dyja me origjinë të njëjtë te fjala latine novella, e cila shënjon diçka të re. Derisa te italianët novela (novella) domethënë tregim i shkurtër i diçkaje të re, në anglisht novela (novel dhe novella) ka kuptimin narrativë e gjatë që dallon nga tregimi i shkurtër (short story).

Ridvan Dibra e quan veprën e tij roman, jo pse ajo s’mund të quhet novelë, por sepse ndarja mes dy kategorive të narrativës së gjatë gjithmonë tingëllon artificiale. Pra, nëse marrim për bazë strukturën, apo edhe numrin e faqeve, distinksioni i novelës me romanin duket qesharak dhe absurd. Por, nëse marrim në konsideratë origjinën e termit, atëherë romanin e Dibrës mund ta kategorizojmë si novelë, sepse ai është narrativë inovative.

Akti i zhveshjes

“Nudo” është një vepër që trajton temën e pushtimit. Jo të pushtimit në kuptimin tradicional, por të pushtimit erotik. Prandaj, titulli alternativ i kësaj vepre, sipas dëshmisë së autorit, ka qenë Pushtimi i madh, kurse si moto e saj është vënë thënia e filozofit kinez Lao Tzu: Çdo pushtim është një dështim. Tematikisht vepra është provokacion erotik që aludon në një perversitet të madh: skulptori Alfred Boka zgjidhet drejtor i konviktit që ka një mijë vajza dhe, befas, në një cep të trurit i vetëtin ideja për t’i pushtuar të gjitha. Ai së pari provokon duke vënë në mes të oborrit të konviktit skulpturën e tij me trajtë nudoje dhe, pasi vepra e tij bëhet objekt adhurimi, ai nis të thurë plane për pushtim: Ai, drejtori i Konviktit, qe bërë shpirti, nordi i asaj turme! Ajo turmë e adhuronte tashmë, kjo s’kishte pikë dyshimi. Dhe mbi këtë adhurim ai do të ndërtonte dhe do ta zbatonte planin e tij. Ani pse, në vështrim të parë, ai plan dukej absurd, një çmenduri e vërtetë.

Kureshtjen e lexuesit semantik e ushqen përpjekja e skulptorit për t’i shtënë në dorë konviktoret, ndërsa joshjen e lexuesit semiotik e imponon shenjëzimi i koduar në vepër si një apel për aventura semiologjike.

“Nudo”, në thelb, është rrëfim onirik, pasi ai është një tekst i thurur si ëndërr, të cilën Sigmund Freud e identifikonte me dëshirën. Këtu e nënvetëdijshmja del në sipërfaqe, pra bëhet e vetëdijshme, derisa strukturimi tekstual luan me impulsin seksual. Por, “Nudo” nuk është vetëm një dëshirë e zjarrtë për ta zhveshur femrën dhe për ta shfryrë epshin e mashkullit, ajo është vepër që zbulon dëshirën e njeriut për pushtim, për dominim. Meqë, diskursi fallocentrik (Jones 2000: 438) është tipar dallues i veprës, atëherë femrat si seks i dytë, apo gjini sekondare, siç janë konsideruar me shekuj, vihen në shënjestrën e fallosit (gr. fallos – organ gjenital mashkullor), i cili imponon ndjenjat dhe mendimet e personit me pretendime pushtuese.

Natyrisht, përveç aktit të zhveshjes që është synim i protagonistit, romani “Nudo” është po kaq interesant edhe në aktin e veshjes.

Akti i veshjes

Sipas shkrimtarit peruan Mario Vargas Llosa, ka një “ngjashmëri” mes striptizeres dhe shkrimtarit: Të shkruarit e librave është barasvlerës i asaj që bëjnë profesionistet e striptizës kur zhveshin teshat dhe tregojnë trupat lakuriq në skenë. Shkrimtari kryen të njëjtin akt, por në të kundërtën e tij. Për të krijuar një roman, ai kryen të gjitha lëvizjet e të veshurit, duke fshehur lakuriqësinë me të cilën nisi punën (2008: 21). Ky krahasim tregon qartë aktin e dyfishtë të veprës “Nudo”, tema e së cilës sugjeron lakuriqësinë dhe seksualitetin potencial, ndërsa stili mbulon materialin bruto, i cili pa petkun stilistik do të rrëshqiste në banalitet.

Autori nuk lodhet për pasqyrimin e realitetit, pasi ai është shpikës i realitetit romanor. Prototipi i personazhit të tij skulptor nuk është thjesht një njeri i zakonshëm, apo edhe një artist, por secili njeri që diku në skutat e të nënvetëdijshmes ndryn dëshirën që bie ndesh me moralin si konventë sociale. Autori e krijon personazhin e përcaktuar mirë, por nuk e gjykon, sepse postmodernizmi nuk është i papërcaktuar, as zhdukje e gjykimit: ai konteston pikërisht themelet e çdo përcaktueshmërie (historinë, subjektivitetin, referencën) dhe çdo standard gjykimi (Hutcheon, 1988: 57).

Natyrisht, përtej ideve dhe referencave, autori pranon pohimin e Todorovit se personazhi është një emër, veprimi një folje (2000:51) dhe e kthen rrëfimin në një eksperiment gjuhësor që të rrëmben me ritmin e shpejtë që imponon shkathtësia gjuhësore për të cilën dallohet proza e këtij autori.

Ridvan Dibra e vesh veprën me figura të shumta dhe pastaj e tkurr në një figurë të vetme, në një parabolë mbi pushtimin si dështim. Krejt teksti narrativ është një sintezë stilistike, mirëpo ironia si figurë dominuese e diskursit postmodern dhe enumeracioni si figurë që, bashkë me sintaksën poetike, krijon ritmin e romanit, janë dy figurat nëpërmjet të cilave shfaqet autenticiteti i autorit Ridvan Dibra, i cili me veprën “Nudo” injoron romanin tradicional shqiptar dhe ndjek ritmin e romanit postmodern.

Histori prekëse! Ja si u ndjeva kur zemra e djalit tim pushoi së rrahuri për herë të dytë

0

Mbrëmjen e datës 29 shtator 1994, shtatëvjeçari Nicholas Green u qëllua për vdekje me armë zjarri gjatë pushimeve me familjen në Italinë e jugut. Kjo qe tragjedi për prindërit e tij, Reg dhe Maggie, por vendimi i tyre për t’i dhuruar organet e tij bënë që shkalla e dhurimit të organeve në Itali të trefishohet brenda dekadës. Kjo dukuri ka marrë emrin “efekti Nicholas”.

“Herën e parë që e ndjeva rrezikun qe kur një veturë me ngjyrë të errët na afrua shumë nga mbrapa duke mos na u ndarë për disa çaste,” thotë Reg Green, duke kujtuar natën kur të birin ia qëlluan në mënyrë të pakuptimtë me armë zjarri disa persona të panjohur në jug të Italisë. “Pastaj, shumë shpejt, vetura filloi të na parakalonte. Aty për aty u qetësova, duke kujtuar se parandjenja nuk qe e saktë.”

Mirëpo, në vend që të bënte përpara, vetura tjetër vazhdoi të ecte përkrah tyre. Green dhe e shoqja, Maggie, dëgjuan britma zemërimi. E morën me mend se njerëzit brenda saj donin që ata ta ndalonin veturën.

“Mendova se, nëse do të ndalonim, do të ishim tërësisht në mëshirën e tyre, prandaj i dhashë më shumë gaz. Edhe ata bënë të njëjtën gjë, kështu që të dyja veturat bënë një garë paralel njëra-tjetrës, në mes të errësirës. Dritarja e pasme u shkërmoq nga një plumb. Maggie ktheu kokën dhe iu duk se të dy fëmijët po bënin gjumë të thellë.”

Në fakt, Nicholas-in plumbi e kishte marrë në kokë, ndërsa e motra Eleanor po flinte e patrazuar. Pak sekonda më pas, u thye edhe xhami i dritares së shoferit dhe vetura tjetër u largua me shpejtësi. “Ndalova makinën dhe dola. Atëherë u ndez drita e kabinës, por Nicholas nuk lëvizi. Iu afrova dhe vura re se gjuha i varej pak jashtë ndërsa në mjekër kishte një gjurmë të vjelle. Aty e kuptova se kishte ndodhur diçka e tmerrshme,” thotë Green, 88 vjeç, i cili ka shkruar një libër të titulluar “Efekti Nicholas”, lidhur me këtë përvojë. Ngjarjet e asaj nate janë përshtatur në vitin 1998 në një film Hollivudi të titulluar “Nicholas’ Gift”, me aktorë kryesorë Jamie Lee Curtis dhe Alan Bates. “Tronditja që pësova kur e pashë ashtu është çasti më i tmerrshëm i jetës sime. Kur e kuptova se e kishte marrë plumbi, m’u përmbys e gjithë bota.”

“Grabitësit qëllojnë një shtatëvjeçar,” shkruante the Times. Pushimet e një familjeje amerikane qenë kthyer kështu në një makth. Nicholas do të vdiste pas disa ditësh në spital, duke mos dalë nga koma. Por përpara se të ndërronte jetë, prindërit e tij morën një vendim i cili do t’ua ndryshonte jetën shtatë familjeve në mbarë Italinë. Ata vendosën t’ua dhuronin organet e të birit shtatë personave në nevojë për transplant.

“Në atë çast, ata njerëz nuk qenë veçse abstraksion. Nuk mund ta dije se çfarë njerëzish qenë. Ishte njësoj sikur t’i jepje lëmoshë dikujt, porpa e ditur fare se si do ta ndihmonte kjo gjë tjetrin. Pas katër muajsh, na ftuan të ktheheshim dhe të njiheshim me të gjithë në Sicili, prej nga qenë katër prej përfituesve.”

Në Itali kriminelët shumë rrallë vrasin fëmijë, thotë Green, sepse në një rast të tillë policia u qepet këmba-këmbës gjersa t’i gjejë. Kështu ndodhi edhe në rastin e Nicholas-it. Një hetim i gjithanshëm policor çoi në arrestimin dhe dënimin me burg të Francesco Mesiano dhe Michele Iannello.

Ende nuk dihet mirë nëse qenë hajdutë apo vrasës me pagesë të cilët kishin gabuar person. Fakti se njërin prej tyre në gjyq e mbronte një prej avokatëve më të njohur të Italisë, për Green do të thotë se kishin lidhje me mafian.

“Nicholas qe zemërmirë. Ai shikonte gjithmonë anën e mirë të gjërave, prandaj të gjithë ata që i ndodheshin pranë tregonin më të mirën,” shpjegon i ati. “E pranoj se një shtatëvjeçar me shumë gjasë nuk do ta kishte kuptuar vendimin tonë, por e di se kur të rritej ai do të kishte qenë dakord me ne. Për këtë nuk kam asnjë dyshim. Nëse do të ndodhej përpara mundësisë për të qenë i zemëruar me personat që kryen këtë gjë dhe mundësisë për të ndihmuar dikë tjetër, padyshim që ai do të kishte zgjedhur këtë të dytën. Nicholas më ka mësuar shumë për durimin, për shembull,” shton Green, i cili më së shumti ka punuar si gazetar përpara se të vendosej në SHBA ku hapi familje me të shoqen Maggie. “Unë nuk kam durim shumë dhe kur përballem me probleme, nxehem. Nicholas rrethohejnga një qetësi dhe dashamirësi që të bënte edhe ty të silleshe njësoj si ai.”

Për Green çasti kur u gjend ballë për ballë me njerëzit të cilëve organet e Nicholas-it u kishte shpëtuar jetën qe i papërballueshëm.

“Kur u hap dera dhe të gjashtë hynë në dhomë, efekti qe i papërballueshëm,” thotë ai, duke shtuar se njëri prej përfituesve nuk qe i pranishëm për shkak se ndodhej i sëmurë në spital. “Kush kishte buzën në gaz, kush i kishte sytë me lot, kush mezi e ngrinte kokën nga ndrojtja, ama të gjithë qenë gjallë. Shumica e tyre pat qenë në prag të vdekjes. Aty e kuptova për herë të parë se sa i rëndësishëm pat qenë vendimi ynë. Gjithashtu, qeshë në gjendje të kuptoja sa e rëndë do të kishte qenë vdekja e tyre për prindërit dhe gjyshërit e tyre. E kuptova se këtu bëhej fjalë për shumë më shumë njerëz të tjerë jeta e të cilëve do të kishte qenë shumë më e mjerë sikur të mos t’i kishim shpëtuar ata fëmijë.”

Green dhe e shoqja Maggie, të cilët janë martuar në prill 1986, qenë të vendosur që Eleanor të mos rritej fëmijë i vetëm. Pas tragjedisë, atyre u lindën edhe dy binjakë, Laura dhe Martin, të cilët mbushin 21 vjeç në maj. Si ka ndikuar në jetën e Green-it vdekja e të birit? “Kam një brengë që nuk më shqitet kurrë nga shpirti, një brengë që nuk e kam pasur kurrë më parë. Kurrë më nuk kam ndier lumturi të plotë. Edhe në çastet më të gëzuara, mendoj: ‘Sikur të ishte edhe Nicholas këtu!'”

Por l’effetto Nicholas efekti Nicholas është një e mirë që doli nga kjo fatkeqësi. “Më duket sikur sa herë që del ndonjë lajm në gazetë, televizor apo radio, do të jetë dikush nga lexuesit, shikuesit apodëgjuesit të cilit do t’i duhet ta marrë këtë vendim. Sikur të mos kenë dëgjuar apo menduar për faljen e organeve më parë, gjasat më shumë janë që të thonë ‘jo’.”

Reg është takuar së fundmi me Marian, e cila, pasi e rimori veten nga kolapsi i mëlçisë, lindi një djalë të cilit ia vuri emrin Nicholas. Green kthehet dy herë në vit në Itali për të bërë ndërgjegjësim për dhurimin e organeve. Herën e fundit u njoh me Maria Pia Pedala-n, e cila qe në koma me kolaps mëlçie ditën kur vdiq Nicholas dhe pritej të vdiste, por shpejt e mori veten pas transplantit të mëlçisë. Pas dy vjetësh ajo u martua dhe dy vjet më pas lindi një fëmijë mashkull, të cilit ia vuri emrin Nicholas, pas të cilit i lindi edhe një vajzë,

Alessia. Të tre udhëtuan nga Sicilia ku dhurimi i organeve në vitin 1994 thuajse nuk njihej fare, thotë Green për të marrë pjesë bashkë me të në një program televiziv në Milano.

Green thekson se edhe përfituesi i zemrës së Nicholas-it, Andrea Mongiardo, i cili ndërroi jetë më herët sivjet, e mbajti organin në truptri herë më gjatë se vetë Nicholas. Por, për të, trashëgimia e të birit shkon përtej shtatë personave që morën organet e Nicholas-it. Shkallët e dhurimit të organeve u rritën në mënyrë të vrullshme pas vdekjes së Nicholas-it, thekson ai, dhe vijojnë të rriten. E kështu, thotë ai, me mijëra njerëz janë sot gjallë, të cilët përndryshe do të kishin vdekur.

Prokuroria nuk çon askënd në gjykimin për kanosjen e prokurorit Besim Susuri

0

Prokuroria e Shtetit nuk dërgoi përfaqësuesin e saj në gjykimin ku Eshref Qafleshi akuzohet për kërcënimin e prokurorit Besim Susuri.

Në Gjykatën Themelore të Gjakovës të hënën ishte planifikuar të mbahej seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Eshref Qafleshi nga Dragashi, për shkak të akuzës për kanosje ndaj prokurorit të shtetit Besim Susuri nga Prizreni.

Seanca gjyqësore nuk u mbajt ngase askush nga Prokuroria e Shtetit nuk u paraqit në gjykatë.

Gjyqtarja e rastit, Ilirjana Hoti, bëri përpjekje të shumta duke thirrur përmes telefonit prokurorët e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, mirëpo asnjëri prokuror nuk ishte i lirë.

Ajo, kontaktoi edhe me punëtorin e ndarjes së lëndëve në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, nga i cili u njoftua se kjo lëndë nuk gjendet në regjistrat e Prokurorisë së Gjakovës.

Nga ana tjetër, prokurori Besim Susuri me lejen e gjykatës përmes telefonit e konfirmoi se Prokuroria e Prizrenit në muajin shkurt e kishte proceduar këtë lëndë në Gjakovë.

Të pranishëm në gjykatë ishin i akuzuari Eshref Qafleshi dhe i dëmtuari- prokurori Besim Susuri, mirëpo për mungesë të përfaqësuesit të prokurorisë, seanca u shty, duke u caktuar më 5 korrik.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, i akuzuari Eshref Qafleshi më 08 qershor 2016 rreth orës 16:00 në Dragash, saktësisht në sallën e Gjykatës Themelore në Dragash, seriozisht e ka kanosur të dëmtuarin- prokurorin e shtetit Besim Susurin.

Kanosja, sipas aktakuzës, ka ndodhur në seancë gjyqësore, në të cilën Eshref Qafleshi ka qenë palë në procedurë në cilësinë e të dëmtuarit.

Gjatë seancës gjyqësore i pandehuri Qafleshi fillimisht kishte përdorur fjalë fyese ndaj prokurorit të shtetit, e më pas e kishte kanosur me fjalët “ki me pa se kush është Eshref Qafleshi”.

Më pas, sipas aktakuzës, Qafleshi pa lejen e askujt kishte ikur nga salla e gjykimit, duke mos respektuar urdhrin e gjykatëses që i kishte thënë të ndalej.

Eshref Qafleshi akuzohet për vepër penale të kanosjes nga neni 185, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për të cilën parashihet dënim deri në 5 vjet burg.

Qafleshi për këtë rast ka qëndruar në paraburgim nga data 08 qershor 2016 deri më datë 07 korrik 2016./kallxo.com/

Rrihet nxënësi në korridor të shkollës në Prizren

0

Një person është arrestuar në fshatin Caparc të Prizrenit pasi e rrahu një nxënës.

Policia në raportin e përditshëm njofton se ka arrestuar një person në Caparc të Prizrenit nën dyshimin se i arrestuari sulmoi fizikisht një nxënës .

I arrestuari sipas policisë së pari e nxori nxënësin nga klasa e tij, e pastaj e sulmoi fizikisht në korridor të shkollës.

Për policinë shkak i aksidentit është një mosmarrëveshje mes nxënësit të sulmuar dhe një nxënësi tjetër.

“Dyshohet se shkak i incidentit është një mosmarrëveshje e mëhershme në mes të viktimës dhe një familjari të dyshuarit po ashtu nxënës i kësaj shkolle”, thuhet në raportin policor.

Nxënësi i sulmuar ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.

Të arrestuarit prokurori ia ka caktuar ndalimin policor.

Dy lagje të Prizrenit ia premtojnë votën Nismës

0

Lagjja “Vëllezërit Stavileci” dhe ajo “Lidhja e Prizrent” në Prizren, kanë premtuar se dotë mbështesin Nismën, në zgjedhjet e 11 qershorit.
Banorët e këtyre lagjeve kanë thënë se kandidatët e NISMA-s për deputetë, do të jenë përfaqësimi më meritor në legjislaturën e re të Kosoves.

Kandidati Zafir Berisha tha se Nisma në këto zgjedhje nuk po hyn me premtime megalomane, por me premtime që do të jenë lehtësisht të arritshme, duke prekur kështu sektoret kryesor që ndikojnë direkt në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Prioritare, për NISMA-n do të jetë bujqësia, deri në 400 milion euro investime , kryesisht në Agrokulturë dhe Hortikulturë, degë këto të bujqësisë që më së shumti do të kenë impakt në regjionin e Prizrenit me rrethinë. Bujqësia është jetike për ekonominë e Kosovës, ku ekziston një potencial i madh në rritjen dhe krijimin e vendeve të punës dhe në uljen e varfërisë në Kosovë”, theksoi Berisha.

“Poashtu krijimi i vendeve të reja të punes që do të lehtësojnë jetën e 25 mijë familjeve me asistencë sociale në Kosovë, që është poashtu shtyllë bazë e premtimeve të NISMA-s, krijon premisat e para që të fillojmë të mendojmë më pastaj për investime të mëdha ekonomike në Kosovë”.

Tubimin elektoral e pershendeti edhe kandidatja per deputete, Manuella Koni, e cila tha se “ne si deputetë duhet të përqendrohemi në punet të cilat dimë ti bëjmë më së miri, duke aluduar në profesionin e saj të mjeksisë, ku tha se ashtu siç eksiston betimi i Hipokratit në mjekësi, një betim i tillë do të duhej të jetë edhe në politikë, në mënyrë që të punojmë ndershëm para qytetarit./PrizrenPress.com/