2.4 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 5949

Dy persona kërcënojnë një femër në Prizren, familjarët e saj hakmerren

0

Policia e Stacionit Policor “Veriu” në Prizren ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se dy të dyshuar e kishin kanosur me armë zjarri një femër nga Lubizhda në oborrin e saj.

”Pas pranimit të informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer bastisje në shtëpinë e personave të dyshuar me ç ‘rast ka gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 me 206 fishekë, tetë karikatorë dy çanta për mbajtjen e karikatorëve, pjesë shtesë të armës dhe pajisje për pastrimin e armës”

” Më pas dy të dyshuarit janë sjellë në stacion dhe në prani të avokatëve mbrojtës janë intervistuar e më pas me urdhër të prokurorit të njëjtit ndalën nën masën e arrestit policor”

Sipas policës një i dyshuar tjetër nga familja e kanosur, në shenjë hakmarrje ndaj kanosësve dyshohet të ketë shkuar dhe t’ia ketë dhënë flakën një shtëpie banimi, pronë e të dyshuarve në të cilën janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Edhe në këtë rast një i dyshuar është arrestuar për zjarrvënie.

Shkas për të gjitha këto probleme thuhet të jetë një kontest pronësor.

Krasniqi rrëmben të artën në Antalya

0

Xhudistja kosovare, Distria Krasniqi ka arritur të fitojë medaljen e artë në Antalya Grand Prix, transmeton Koha.net.

Ajo në finale e mposhti izraeliten, Gili Cohen, në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Distria Krasniqi shënoi fitore me dy waza-ari.

Për të artën në këtë garë po konkurron sot edhe Nora Gjakova, e cila në finale po ashtu do të përballet me një izraelite, Timna Nelson Levyn, në kategorinë deri 57 kilogramë.

Kadri Kryeziu promovoi librin “E Drejta Romake”

0

Prof. Dr. Kadri Kryeziu, Prorektor në UPZ, promovoi librin e radhës universitar, “E Drejta Romake”. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në Universitetin “Ukshin Hoti” kanë marr pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, të gjykatave, të prokurorisë, shoqërisë civile etj.

Me këtë rast fjalë rasti mbajti Rektori i UPZ-së, Prof. Dr. Ramë Vataj i cili e vlerësoi lartë punën akademike të profesorit Kadri Kryeziu.

“Ne si Universitet kemi nderin të promovojmë librin e radhës të profesorit dhe prorektorit Kadri Kryeziu, me titull “E Drejta Romake”. Profesorin e përgëzojmë për punën e çmuar që ka bërë për studentët e Fakultetit Juridik të UPZ-së por edhe gjithë Kosovës dhe më gjerë. Profesori Kryeziu meriton vlerësim pasi që me gjithë angazhimet që ka si profesor dhe si prorektor në UPZ ka gjetur kohë që të shkruan edhe libra.”, theksoi Rektori Vataj.

Recensentja e librit Prof. Jorida Xhafa, e përgëzoi për punën në këtë libër profesor Kryeziun duke theksuar se libri është për çdo lëvdatë. Ndërkaq, Dekani i Fakultetit Juridik në UPZ, Prof. Dr. Arif Rizaj, e falënderoi profesor Kryeziun për punën e madhe që ka bërë në shkrimin e librit të radhës i cili do tu hynë në punë studentëve por edhe profesorëve.

Arianit Berisha, kryetar i Parlamentit Studentor po ashtu theksoi se profesori Kadri Kryeziu po bënë punë të madhe akademike, ngase për një kohë të shkurtër ka arritur të nxjerr nga shtypi dy libra të rëndësishëm universitar.

Tre të vdekur nga shkelja me kamion në Stockholm

0

Agjencia e lajmeve Reuters raporton se tre persona kanë vdekur nga shkelja me kamion në njërën prej rrugëve më të frekuentuara në Stockholm të Suedisë.

Incidenti ka ndodhur në Drottninggatan, njërën nga rrugët më të frekuentuara, pak para orës 15:00 në kohën lokale.

Dëshmitarët kanë thënë për mediat lokale të kenë parë njerëz të shtrirë përtokë.

Policia ka bërë thirrje që të shmanget qendra e Stockholmit.

Shtyhet gjykimi ndaj përmbaruesit privat në Prizren

0

Mungesa e anëtares së trupit gjykues, gjyqtares Kimete Kicaj, është bërë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore ndaj përmbaruesit privat Mehdi Reshani.

Seanca ndaj të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ishte paraparë të mbahej të premten në Gjykatën Themelore në Prizren. Mirëpo, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, paraprakisht kishte njoftuar palët për pamundësinë e mbajtjes së kësaj seance, pasi gjyqtarja Kicaj ndodhet në një udhëtim zyrtar, jashtë vendit.

Në këtë seancë pritej të merrej vendim rreth disa provave të prezantuar në seancën e 24 shkurtit të këtij viti, për të cilat mbrojtja ka kërkuar që të administrohen. Poashtu i akuzuari do të jepte mbrojtjen e tij.

Mirëpo, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës në fjalë, vendimi rreth provave të lartpërmendura dhe mbrojtja e të akuzuarit pritet të bëhen me 25 maj 2017, në ora 9:30.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila e akuzon Reshanin se ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër e njëkohësisht duke i shkaktuar dëm personave tjerë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari, përkundër faktit se e kishte përmbaruar lëndën përmbarimore të kreditorit “Gruppo Vinicolo Fantineli”  ndaj debitorit “QMI”, të dy palët si aksionarë në “Agrokosova Holding”, ai ka marrë sërish veprime ekzekutive pa e njoftuar debitorin “QMI”, duke nxjerrë nga objekti i “Agrokosova Holding” të gjithë stafin e të dëmtuarit “QMI”./betimiperdrejtesi/

Arsyetohet drejtori i Arsimit në Suharekë

0

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Suharekë, Sherif Berisha, i akuzuar se ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare duke punësuar mësimdhënës pa konkurs, të premten, ka thënë se ka vepruar në të mirë të nxënësve.

Berisha, gjatë mbrojtjes së tij, të dhënë para trupit gjykues, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka thënë se obligim i drejtorisë që udhëheqë është që të sigurojë hapësirë dhe mësimdhënës për të shkuar mirë procesi edukativo-arsimor. Andaj sipas tij edhe punësimi i mësimdhënësve që përmend aktakuza, është bërë në kuadër të këtij obligimi. Kjo sepse, sipas Berishës, pas regjistrimit të nxënësve në shkolla, janë shtuar disa orë mësimore andaj ka pasur nevojë urgjente për të gjetur mësimdhënës.

I akuzuari Berisha tutje ka thënë se në momentin kur drejtorët e shkollave kanë kërkuar urgjent mësimdhënës, DKA-ja ka pasur një listë të pritjes e cila ishte formuar nga konkurset paraprake. I njëjti shtoi se nga ajo listë ka punësuar mësimdhënësit, përkohësisht deri sa të pranohen mësimdhënësit me konkurs. Ai ka thënë se ka kontakte edhe me DKA-të e komunave tjera dhe të njëjtat, në raste urgjente, veprojnë njëjtë.

I akuzuari tutje ka shtuar se në disa raste, për të cilat flet aktakuza, janë bërë transferime të mësimdhënësve nga një shkollë në një shkollë tjetër, në bazë të kualifikimit profesional. Sipas tij, një gjë të tillë e lejon Ligji i Punës dhe Udhëzimi Administrativ 14/2011 për arsimin para universitar.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, ka ndërprerë seancën sepse ka pasur të caktuar një rast tjetër me paraburgim. Seancën e radhës e ka caktuar për 13 prill 2017, në ora 13:15, në të cilën do të vazhdojë mbrojtjen i akuzuari Berisha.

Sherif Berisha akuzohet se duke qenë drejtor i arsimit në Komunën e Suharekës, gjatë periudhës 2014-2016, ka punësuar në shkollat e Komunës së Suharekës, pa konkurs, nëntë mësimdhënës dhe një kontabilist.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me këto veprime ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe cenimin e të drejtave të barabarta në punësim të personave tjerë./betimiperdrejtesi/

Datëlindja e 3-të e “Nismës” në Prizren

0

“Nisma”, feston 3-vjetorin e themelimit në Prizren.

Manifestimi mbahet sonte në ora 19;00h, në hotel “Theranda”- kati i dytë.

Në këtë përvjetor, të pranishmëve do tu drejtohet, kryetari i ”Nismës për Kosovën”, Fatmir Limaj, kryetari i Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi.

Në këtë manifestim,do të ketë edhe aderime të reja./PrizrenPress.com/

“Alternativa” edhe në Prizren

0

Gazetari shumëvjeçar Fahri Musliu, ka shpalosur sot detaje rreth themelimit të “Alternativës”, në Prizren.

Ai tha se ky subjekt politik ofron “dritën në fund të tunelit”

“Alternativa nuk do të ketë fjalë e premtime boshe, por realizim të premtimeve”, tha ai.

Musliu është anëtar i Këshillit Nismëtar për themelimin e Degës së “Alternativës në Prizren.

Ai , paralajmëroi se takimi themelues i “Alternativës” në Prizren, do të mbahet të shtunën në orën 14:00, në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit./PrizrenPress.com/

Gjimnazi “Loyola”- një portë e dijes dhe mendësisë evropiane

0

Intervistë me drejtorin e gjimnazit “Loyola” në Prizren, P. dr. Axel Bödefeld

 

– I nderuar z. P. dr. Bödefeld, gjimnaazi “Loyola” sivjet shënon 12-vjetorin e punës. Si e vlerësoni rrugëtimin e deritanishëm të këtij institucioni arsimor me nam në Kosovë?

– P. dr. Axel Bödefeld: Më duket se kjo kohë ka qenë me plot angazhime, sidomos i themeluesit të shkollës, P. Walter Happel, i cili kishte shumë guxim dhe ka treguar shumë angazhim, punë, forcë e durim, për të përgatitur rrugën për këtë shkollë. Gjatë së kaluarës, shumë nxënës kanë pasur mundësinë jo vetëm të arrijnë provimin e maturës, por të mledhin shumë dituri e përvojë për jetën së bashku. Po ashtu shumë nxënës kosovarë kanë pasur mundësi për të mësuar jo vetëm faktet, por edhe qëllimin dhe mënyrën e studimit në vendet perëndimore.

– Sipasa Jush, cili është çelësi i sukseseve që deri më tani ka arritur gjimnazi “Loyola”?

– P. dr. Axel Bödefeld: Jam absolutisht i bindur se çelësi i suksesit të gjimnazit “Loyola” qëndron në faktin se ne e marrim seriozisht mësimin, ngase mendojmë se mësimi, arsimi, shkolla janë vende, janë stacione në jetën e nxënësve të cilat kanë një vlerë shumë të madhe. Ne, p.sh., kemi rregullore të qartë, të cilën të gjithë janë të detyruar ta zbatojnë. Nxënësit i vërejnë rregulloret, por edhe e kuptojnë mendimin e rregulloreve, p.sh nxënësit e fillojnë në mëngjes punën pikërisht me uniformë, i bëjnë detyrat e shtëpisë, sepse detyrat kanë një vlerë, kemi një atmosferë të qetë brenda klasës, etj. Poashtu është e rëndësishme të jenë të pranishëm të gjithë nxënësit në klasë dhe nëse dikush mungon, ne i informojmë menjëherë prindërit për këtë. Këta janë vetëm disa shembuj të cilët dëshmojnë se ne mendojmë seriozisht për zbatimin e rrgullave të shkollës. Pastaj janë investimet në objektin shkollor, hapësirat përreth etj., ku ofrohen kushte të mira për fëmijët, për të thyer përshtypjet që ndonëjherë mund të ekzistojnë se shkolla nuk është e rëndësishme.

– Çdo punë ka të veçantat e veta, e për më tepër puna juaj si drejtor që sivjet bëni dy vjet në krye të gjimnazit “Loyola”. Si e vlerësoni këtë periudhë?

– P. dr. Axel Bödefeld: Që nga fillimi jam munduar të përmirësojmë lidhjet e “Loyolës” me institucionet tjera, si lokale, ashtu edhe me ato qendrore në Prishtinë. Këtë e kemi bërë jo vetëm me institucionet politike, por kam investuar shumë kohë për të krijuar lidhjet edhe me organizatat e shoqërisë civile në Kosovë, sepse mendoj se shkolla duhet të jetë një mes i jetës publike, sepse nuk ka kuptim nëse shkolla largohet nga qendra e jetës. Në shkollë ka nevojë për përfshirjen në diskutime publike të nxënësve, të jetë në lidhje më projektet e reja, me iniciativat e reja, sepse duhet t’i edukojmë fëmijët për të ardhmen, jo për të tanishmen. Dua të përmend në këtë rast, mes tjerash, lidhjen me Qendrën e Iniciativës Kosovare (ICK) që për mua është mjaft e rëndësishme, sepse ky është një shembull dhe një iniciativë e cila përgatit të rinjtë për të ardhmen.

– Çka konsideroni parësore në punën tuaj për të ardhmen?

– P. dr. Axel Bödefeld: Sfida e parë, për çka më vjen keq, por kjo është e vërteta, është sigurimi i kushteve financiare të shkollës. S’ka vlerë nëse kemi shumë ide, shumë iniciativa, pa pasur asnjë siguri financiare për ne si institucion shkollor. Për këtë shkak është e rëndësishme që në të ardhmen të arrijmë një marrëveshje me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe shpresoj se vërtet këtë do ta arrijmë dhe Qeveria do të kryejë detyrimet që ka ndaj nesh. Kemi shumë takime e biseda me Ministrinë e Arsimit, por për mua kjo është sfida, është detyra më e rëndësishme. Vërtet shpresoj se kjo do të ndodhë, veçanërisht për interesin e nxënësve kosovarë dhe Qeveria e Kosovës do t’i paguajë borxhet që ka ndaj shkollës sonë.

– Cili është interesimi i nxënësve dhe prindërve për të siguruar një vend në këtë shkollë dhe cili është bashkëpunimi me ta?

– P. dr. Axel Bödefeld: Bashkëpunimi me prindërit është shumë i rëndësishëm, sepse edukimi ndodh jo vetëm në shtëpi, jo vetëm në shkollë, por ndodh së paku në dy vende, por më duket edhe në më shumë vende. Për këtë shkak, nëse prindërit nuk pajtohen me parimet e shkollës, ose në rast se një shkollë ka interesa ose qëllime shumë të ndryshme prej interesave të prindërve, edukimi nuk ka sukses, edukimi nuk funksionon dhe në fund fëmijët kanë shumë probleme, sepse kanë humbur ose humbin orientimin. Për këtë bashkëpunimi me prindërit është shumë i rëndësishëm. Kam shumë përvojë në bashkëpunimin me prindërit në Gjermani dhe më duket se disa probleme janë shumë të ngjashme, veçanërisht për një shkollë private është e rëndësishme që prindërit të pajtohen me parimet e institucionit. Unë investoj shumë kohë në rast se ka disa pyetje ose konflikte t’ua shpjegoj prindërve idetë, parimet pedagogjike të shkollës. Por nganjëherë arrijmë në një situatë kur bashkëpunimi për të ardhmen s’ka vlerë dhe prandaj është më mire, veçanërishtë për fëmijët, që prindërit dhe shkolla të ndahen. Në anën tjetër, një lidhje shumë e ngushtë me prindërit ofron shumë mundësi për shkollën, sepse mund të hapë dyert për përvoja të dobishme. Për shembull, këtë vit për herë të parë disa maturantë kanë bërë praktikë në disa kompani dhe disa prindër na kanë ndihmuar të gjejmë vende për këtë.

– Një bashkëpunim i punës suaj mendojmë se është edhe bashkëpunimi me shtetin gjerman dhe mbështetjen që “Loyola” sigurisht ka. Çfarë në të vërtetë u ofrohet nxënësve si rezultat i këtij bashkëpunimi?

– P. dr. Axel Bödefeld: Së pari, nxënësit mund të jenë të sigurtë se mësimi në gjuhën gjermane është në një nivel shumë të lartë, i pranuar në mbarë botën, prandaj lidhja jonë me shtetin gjermn është një siguri për nivelin e mësimit. E dyta, lidhjet e kontaktet e shkollës me Gjermaninë janë të dobishme për nxënësit, p.sh. në iniciativën për arsim profesional ne bashkëpunojmë me disa kompani, që tani më janë janë dhjetë, e të cilat ofrojnë arsimim profesional dhe më vonë edhe studimet në Gjermani. E treta, përkrahja e Ambasadës Gjermane për ne, veçanërisht në këtë situatë politike në Kosovë, është shumë e rëndësishme. Pa përkrahjen dhe pa besimin e Ambasadës, e posaçërisht të Ambasadores gjermane, znj. Angelika Viets, problemet financiare të gjimnazit “Loyola” do të ishin ndoshta edhe më të mëdha.

– Nga këndvështrimi juaj, a mund të tërhiqni një paralele në mes të nxënësve kosovarë dhe atyre evropianë. Çfarë duhet të ndryshojmë ne?

– P. dr. Axel Bödefeld: Sfidat, temat, problemet e të rinjve janë të njëjta në mbarë botën. Adoleshenca, puberteti janë të ngjashme kudo në botë. Mënyrat se si të rinjtë e kalojnë këtë kohë janë të ndryshme, por sfidat janë të njëjta. Për këtë shkak, unë kam përshtypje se me kohë i kuptojnë më mirë edhe nxënësit e Loyolës, sepse shumë probleme e sjellje më duken të njohura, por vërtet në anën tjetër shoqëria kosovare ndoshta krijon disa probleme për të rinjtë, sepse më duket pak më e ngushtë e më mbyllur, sesa për shembull shoqëria gjermane. Nuk dëshiroj të krijoj përshtypjen se vetëm shoqëria gjermane është një model, është një shembull, por ka kushtet në të cilat është më e lehtë ose më e vështirë të kalojnë mirë adoleshentët. Pastaj, koncentrimi i shumë prindërve në sukseset akademike absolute vetëm me nota pesë, vërtet është shumë e vështirë të pranohet për shumë nxënës sot.

– Që nga themelimi ka kaluar një kohë e gjatë që shërben për të parë të arriturat dhe vështirësitë e kaluara. Si e shihni gjimnazin “Loyola” në të ardhmen?

– P. dr. Axel Bödefeld: Unë kam dëshirë dhe shpresoj se „Loyola“ do të zhvilohet në një vend ku fëmijët, të rinjtë do të kenë mundësi të bëjnë përvoja të ndryshme, pa frikë të mësojnë çka është demokracia, të ushtrojnë përgjegjësitë; kanë mundësi të zbulojnë talentet e tyre dhe kanë dëshirë të mësojnë shumë gjëra e aspekte të jetës për të ardhmen në të gjitha fushat. Unë dëshiroj që “Loyola” të vazhdojë të ofrojë një vend të sigurtë, një vend interesant, një vend plot me mundësi për nxënësit dhe pastaj në bazë të një fundamenti stabil, ata të marrin përgjegjësinë për jetën e tyre e të ardhmen e vendit.

– Çfarë do t’i shtoni në fund kësaj interviste?

– P. dr. Axel Bödefeld: Dëshiroj të theksoj edhe një herë se në shkollë nuk është vetëm drejtori, sepse mundësitë e drejtorit janë të kufizuara. Çdo drejtor varet nga stafi dhe suksesi i gjimnazit “Loyola” patjetër është suksesi i stafit. Shumë mësimdhënës investojnë shumë kohë, shumë durim, shumë energji për të ofruar mësim çdo ditë, çdo javë, për të inkurajuar e për të korrigjuar nxënësit. Pra, pa stafin adekuat në shkollë, në konvikt dhe në shkollën fillore, “Loyola” nuk do të kishte pasur këtë sukses, prandaj patjetër dhe për këtë arsye dëshiroj të falënderoj stafin, kolegët e mi dhe t’u uroj të gjitha të mirat në të ardhmen në 12-vjetorin e themelimit të shkollës.

Intervistoi: Enver Sulaj

Drejtori i Inspektoratit në Prizren shfrytëzon kundërligjshëm pronën publike

0

Bujar Hasani është emëruar vitin e kaluar në krye të Inspektoratit komunal, por deri më tani nuk ka vepruar ndaj lokalit të tij, e as ndaj lokaleve tjera që ndodhen në këtë zonë të mbrojtur me ligj.

Lokali “Fellas” gjendet në zonën e parë të Qendrës Historike të Prizrenit, e cila është e mbrojtur me ligj të veçantë për këtë qendër. Para këtij lokalit, në vitin 2015, është ndërtuar një konstruksion metalik dhe është mbuluar sipërfaqja publike.

Vendosja e këtij konstruksioni metalik është në kundërshtim me ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit.

“Vendosja e kiosqeve, tezgave, tavolinave dhe elementeve tjera montazhe, parkingjeve ose të ngjashme që do të pengonte vizurat dhe qasje të lirshme në monument si dhe vendosja e kontejnerëve dhe shportave tjera për mbeturina para dhe në afërsi të monumentit”, thuhet në nenin 6 paragraf 1 pika 1.2 e ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Lokali “Fellas” është në pronësi të Gurash Hasani, djalë i Bujar Hasanit, drejtor i Inspektoratit në Prizren.

Bujar Hasani është emëruar vitin e kaluar në krye të Inspektoratit komunal, por deri më tani nuk ka vepruar ndaj lokalit të tij, e as ndaj lokaleve tjera që ndodhen në këtë zonë të mbrojtur me ligj.

“Lokalin, nëse është në pyetje për këto anash që po i shifni këto mbuloja, sene, është e vërtetë që nuk ka leje, por si gjithë lokalet tjera, tuj fillu prej pjesës së Shatërvanit që nga pas lufta, edhe ky lokal është njëjtë”, tha Hasani për KALLXO.com.

Hasani thotë se pjesën e shtuar të lokalit e ka bërë para se ai të vijë në pozitën e drejtorit dhe tani nuk e sheh të arsyeshme të ndërhyjë në të. Premton se do të reagojë për shkeljet që janë bërë pas emërimit të tij.

“Tash nuk mund të bëj përjashtim dhe të them se në lokalin tim nuk bën e te të tjerët bën… Shiko, me gjithë vullnet po si t’ua ndaloj… Po është problem pak, është problem”, thotë ai kur pyetet pse nuk ka vepruar ndaj lokaleve të vendosura pa leje në këtë pjesë.

Hasani më pas flet si biznesmen dhe fillon ta kritikojë ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, e të cilin e ka obligim ta zbatojë.

Drejtori Hasani thotë se shfrytëzimi i hapësirës publike për tavolina lejohet me pagesë. Por, ai këtë pjesë të pronës publike e shfrytëzon gjatë tërë vitit.

“Kjo është koha për të cilën jemi të obliguar ta bëjmë pagesën… Është shfrytëzu (edhe gjatë dimrit), po është e paraparë me ligj për gjashtë muaj… Por nuk është shfrytëzuar ku me ditë sa, se është ftohtë, po është e vërtetë që kanë dalë nga brenda për të pirë kafe dhe cigare në atë pjesë”, thotë ai.

Asamblistja komunale nga radhët e LDK-së, në Prizren, Mybera Mustafa, e cila njëkohësisht është edhe banore në lagjen ku drejtori Hasani ka lokalin, thotë se disa herë e ka ngritur në Kuvendin Komunal uzurpimin e pronës publike nga lokali ku pronar është Hasani.

“Ka tri vite që e kemi ngritë si çështje, kemi kërku dokumentacion dhe raport se a ka leje ai njeri dhe a është në bazë të standardit për zonën historike të Prizrenit, kryetarin e komunës së Prizrenit ish dashtë me e brengosë fakti që po kërkojnë qytetarët”, thotë Mustafa.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, thotë për Gazetën JnK se në rastin e Bujar Hasanit nuk konsiderojnë se ka shkelje ligjore.

“Ne në lidershipin e komunës i trajtojmë të gjitha kërkesat njëjtë, pavarësisht përkatësisë partiake e racore. Ne nuk kemi intervenu te rasti i zotëri Hasanit sepse lëvizja e lirë e qytetarëve është në rregull, nëse është në kundërshtim me ligjin për qendrën historike do të duhej që komisioni dhe Qendra Rajonale të bëjë shkresa, që ku atakohet, në cilën pikë të ligjit atakohet me këtë veprimtari dhe jo vetëm në këtë rast por edhe në ratste tjera”, thotë Berisha.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka siguruar Njoftimi i QRTK-se për Komunën e Prizrenit, të cilat e demantojnë qëndrimin e komunës.

Zyra e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore i është drejtuar me shkresa zyrtare komunës së Prizrenit për disa raste, në mesin e tyre edhe për lokalin e drejtorit Hasani.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Samir Hoxha, thotë se drejtori Hasani do të duhej të ishte shembull i zbatimit të ligjit.

“Unë mendoj që secili person publik i cili merr përsipër detyra zyrtare duhet të jetë fillimisht i gatshëm që vet ta respektojë legjislacionin në fuqi dhe pastaj në përputhje me detyrat zyrtare të ndërmarrë të gjitha veprimet për të parandaluar shkelësit e ligjit në Qendrën Historike dhe në rastin konkret edhe z. Hasani do të duhej të ishte më i vëmendshëm dhe më i kujdesshëm për të ndërmarrë të gjitha veprimet për të cilat e obligon ligji për Qendrën Historike të Prizrenit”, thotë samir Hoxha.

Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, në nenin që ka të bëjë me mbikëqyrjen inspektuese në zbatimin e këtij ligji e obligon inspektoratin komunal të Prizrenit.

Edhe përkundër këtij obligimi ligjor, Drejtoria e Inspektorateve në Prizren nuk e ka parë të arsyeshme të reagojë.

I pyetur nga Gazeta “Jeta në Kosovë” i pari i kësaj drejtorie, Bujar Hasani, nuk premtoi se do të ndërmarrë masa as ndaj lokalit të tij e as për lokalet tjera, ai tha se do të pres ndryshimet ligjore.

Qendra Historike në Prizren, edhe pse e mbrojtur me ligj dita ditës po degradohet.

Gazeta “Jeta në Kosovë”, edhe më herët pati raportuar për Zonën e Parë të Qendrës Historike të Prizrenit, e cila u shndërrua në zonë të parë biznesore me mbindërtime nga njerëz që shpërfillin ligjin, për veprimtari të kundërligjshme të rrënimit të trashëgimisë, e deri te rasti i tragjedisë së së vajzës katër vjeçare nga mos kujdesi ndaj trashëgimisë në këtë zonë.