Home Blog Page 5968

3 Pushkë + 1 Therrë, 1 Lule & 1 Kaçë

0

SEREMB GJERGJI

Unifikimi i spektrit më të gjerë partiak dhe politik më bënë të kuptoi vetëm një (1) gjë: “Hapi drejt pajtimit të Faktorit Politik në Kosovë”. Kush do ta besonte që ky lloj formatimi politik, do të ishte fillimi i ish-projektit tim për President, “Pajtimi i Faktorit Politik – për një Unitet Kombëtarë”.

Kush do ta besonte që 3 Pushkët: PDK, AAK & Nisma sëbashku me 12-13 parti të vogla do të krijonin Koalicionin më të gjerë deri me tash në Kosovë. Ky koalicion që ka qene i pa imagjinuar!

Perspektiva – besoj shumë, është modeli të cilin e përfaqëson Koalicioni i Gjerë. Duke llogaritur në partitë e vogla si PSD – e cila synon ngritjen e kapaciteteve të brendshme, ka shumë mundësi për Perspektivë.

Koalicioni i Gjerë do ta aprovoi Demarkacionin; do ta themeloi bazën për Forcat e Armatosura, por edhe do ta aprovoi Asociacionin e Komunave Multietnike si dhe do të hapë rrugën për fillimin e implementimit e plotë të IBM-it (Menaxhimit të Integruar të Kufirit) me Serbinë.

Por asnjëra prej këtyre nuk do të jetë e mundur vetëm me 3 Pushkë pa përkrahjen e pjesshme të 1 Therre, 1 Lule dhe 1 Kaçe.

Koalicioni tjetër i cili tashmë ka marrë gjysmë forme – nëse VV integrohet në listat e përbashkëta, atëherë 1 Therrë, 1 Lule & 1 Kaçë merr formën përfundimtare. Duke pritur që gjithmonë Alternativa t’i ujisë të tria – sipas nevojës.

Bashkimi i mundshëm i AKR, LDK, VV + Alternativa, ku secila ka një perspektivë ndryshe, mese miri reflektohet në konceptin 1 Therrë, 1 Lule & 1 Kaçë; që i jep krahun e reagimit të momentit. Të motivuar edhe më shumë nga shkarkimi i Qeverisë, i jep synim edhe më të madh kësaj Alternative.

Ajo që është e sigurtë, 3 Pushkë + 1 Therrë, 1 Lule & 1 Kaçë, duhet të mendojnë për Qytetarin e Kosovës pa dallim, dhe jo inatet personale!

Shtyhet gjykimi ndaj drejtorit të gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren

0

Është shtyrë për një datë tjetër, seanca gjyqësore ndaj të akuzuarve në rastin e organizimit të ekskursionit në Shqipëri të maturantëve të shkollës “Remzi Ademaj” nga Prizreni.

Shtyrja e seancës është mundësuar pas kërkesës së bërë nga mbrojtësi i të akuzuarit, Sali Ademaj, avokati Hazër Susuri, i cili nuk është pajtuar me vlerësimet e ekspertit financiar, i angazhuar në këtë rast, duke kërkuar angazhimin e një eksperti tjetër.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, nuk e ka kundërshtuar propozimin e mbrojtjes, me ç’rast trupi gjykues, i udhëhequr nga gjyqtari Xheladin Osmani, ka pranuar kërkesën e mbrojtjes dhe seancën e ka shtyrë për 11 korrik 2017, me fillim në ora 09:00.

Hamdi Kastrati, në cilësinë e ekspertit financiar, të enjten, ka thënë se komisioni vlerësues i ofertave për ekskursion të maturantëve të shkollës “Remzi Ademaj” për në Shqipëri, nuk ka pasur asnjë anëtar profesional dhe nuk ka respektuar kriterin “oferta më e përshtatshme ekonomike”.

Eksperti Kastrati, këto deklarata i ka bërë gjatë seancës gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin penal ndaj drejtorit të shkollës “Remzi Ademaj” në Prizren, Sali Ademaj dhe përfaqësuesit të prindërve në komisionin përzgjedhës, Hamdi Zymeraj.

Kastrati tutje ka thënë se në listën e vlerësimit të komisionit, kompania turistike “Shpejtimi” renditet e para, ndërsa operatori fitues “Sharr Travel” e treta, andaj sipas tij, fituese është dashur të shpallej kompania që renditet e para. Po ashtu, ai ka thënë se vetëm rreth 9 mijë euro i janë paguar kompanisë fituese dhe as kompania e as gjimnazi në fjalë nuk kanë dokumente që dëshmojnë se është bërë edhe pagesa tjetër prej mbi 10 mijë eurosh.

Mbrojtja e ka kundërshtuar ekspertizën financiare të bërë nga eksperti i lartcekur duke thënë se ka bërë vlerësim të gabuar të gjendjes në terren dhe se ka vlerësuar gabimisht kriteret e konkursit, ku sipas tyre, ka vlerësuar me më shumë pikë autobusët e vjetër se ata rinj.

Prokuroria Themelore në Prizren, me 31 tetor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Sali Ademajt dhe Hamdi Zymerajt, të cilët i akuzon se duke qenë anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e ofertave për ekskursionin e maturantëve të shkollës “Remzi Ademaj” në Prizren, kanë zgjedhur ofertuesin më të shtrenjtë.

Sipas aktakuzës, me këtë veprim, të akuzuarit kanë shkelur Udhëzimin Administrativ 3/2015, sipas të cilit duhej të zgjidhej operatori me i përshtatshëm ekonomik.

Andaj, sipas organit të akuzës, me këtë rast nxënësit janë dëmtuar për rreth 4.500 euro dhe njëkohësisht u janë shkelur të drejtat operatorëve tjerë konkurrues, të cilët kanë qenë më të lirë në çmim./betimiprdrejts/

Pesë gazetarët që iu bashkuan politikës

0

Aderimeve në politikë, që po behën ditëve të fundit, nuk kanë mundur t’i rezistojnë as gazetarët e Kosovës. Tashmë disa nga ta kanë braktisur këtë zanat dhe janë rreshtuar krah subjekteve politike.

Arbana Xharra, që deri tash ka drejtuar gazetën Zëri, ditë me parë i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës, që drejtohet nga, Kadri Veselin, shkruan Gazeta Fjala.

Fund karrierës prej gazetari dhe publicisti i ka dhënë edhe Halil Matoshi. Ai tashmë veç është bërë pjesë e partisë së Ramush Haradinjat. Veprim të ngjashëm ka bërë edhe Milaim Zeka.

Ai të enjten zyrtarisht i është bashkuar Fatmir Limjat në partinë Nisma për Kosovën.

Edhe Arbër Vllahiu, gazetar në Evropa e Lirë, pritet që ta lë këtë zanat që nga e premtja.

Ish-këshilltari i Atifete Jahjagës sa ishte presidente e Kosovës, Arbër Vllahiu, partisë së Ramush Haradinjat do ti bashkohet në ora 11:00.

Kurse, gazetari Kastriot Jahaj, që për një kohë të gjatë ka punuar në disa media të Kosovës, ditë më parë është bashkuar krah Mimoza Kusarit e Ilir Dedës, në partinë Alternativa. /Gazeta Fjala/.

Sulmohet një person në Landovicë të Prizrenit

0

Një person është sulmuar dhe rrahur brutalisht në fshatin Landovicë të Prizrenit të martën e kaluar rreth orës 21:30.

Si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe i njëjti ka pranuar tretman mjekësor.

Siç njofton policia në komunikatën e dërguar mediave, dy sulmuesit janë kapur dhe janë arrestuar.

Ata me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

ShKA ‘Agimi’ me dy udhëheqje e shumë probleme

0

Shoqëria Kulturore Artistike “AGIMI” e Prizrenit, nga e cila dolën artistë edhe me famë botërore, ka hyrë në një krizë të funksionimit.

Kjo shoqëri kulturore nga muaji shkurt i këtij viti drejtohet nga dy grupe të ndryshme artistësh.

Një Kuvend i kësaj shoqëri me synim bashkimin e të dy grupeve është thirrur për datën 20 maj.

Kuvendi është thirrur nga grupi i udhëhequr nga Kastriot Marku, i cili e konteston kryesinë e vjetër të “Agimit”.

Në këtë kuvend pritet të diskutohen dhe votohen dokumentet e brendshme si dhe do të zgjidhen organet e brendshme të ShKA “Agimi”.

Por, kryesia e vjetër në krye me drejtorin ekzekutiv Xhemal Kabashi ka paralajmëruar sot përurimin e objektit të rinovuar të sallës së korit dhe orkestrës së ShKA “Agimi”.

Kabashi tha se pikërisht kjo sallë ishte shkaktari kryesor që ndau “Agimin” në dy grupe.

Fillimisht kryesia e udhëhequr nga Kabashi kishte vendosur që sallën ta lëshonte me qira. Pas kundërshtimit të shumicës së anëtarëve të ShKA “Agimi”, Kabashi tha se e kanë tërhequr vendimin.

“Nesër thjesht po mendojmë që ma shumë është një hapje simbolike që me i ftu edhe mediat, edhe njerëzit edhe dashamirët e shoqërisë që do të thotë se na ju kemi përmbajtë premtimit tonë edhe dëshirës tyne”, tha Xhemal Kabashi, drejtor ekzekutiv i ShKA “Agimi”.

“Kompania në fjalë meqenëse edhe iu lakua emri i tyre, ata kanë gjetur mirëkuptim dhe janë larguar, nuk kanë lypë asnjë kthim të kompensimit për ato mjete, kështu që ato i kemi të faluna”.

KALLXO.com ka kontaktuar me pronarin e restorantit “Te Syla”, Bujar Dabko, i cili konfirmoi se investimet e bëra në shumën e përafërsisht 7 mijë euro i ka dhënë falas për ShKA “Agimi”.

Në renovimin e kësaj salle donacione ka dhënë edhe firma “Limit”. I kontaktuar nga KALLXO.com, pronari i kësaj firme, Liman Asllani, tha se duke parë mosmarrëveshjet mes dy grupeve të “Agimit” që lindën pikërisht për shkak të kësaj salle, ka shprehur vullnetin që të ndihmojë me këto mjete në mënyrë që ShKA “Agimi” mos të vazhdojë të udhëhiqet i ndarë.

Nga ana tjetër, kryesuesi i anëtarëve në emër të Grupit të Përkohshëm Menaxhues të ShKA “Agimi”, Kastriot Marku, tha se nuk do të marrë pjesë në përurimin e sallës. Salla sipas tij do të duhej të përurohet në ditën e mbajtjes së kuvendit, me 20 maj.

“Fatkeqësisht jemi ndarë në dy grupe dhe me keqardhje dua të them pa ofenduar kërkënd se ata të gjithë janë vëllezërit dhe shokët tanë, mirëpo ne jemi një grup shumë i madh i artistëve prizrenas të cilët për shkak të menaxhimit, ndoshta të qëllimshëm apo jo të qëllimshëm ne nuk e dimë jemi distancuar nga ta”, tha Marku.

Ndërsa, Xhemal Kabashi thotë se është kryetari legjitim i Shoqërisë Kulturore Artistike, pasi është rizgjedhur në kuvendin e 8 shkurtit të këtij viti. Tha se nuk do të marrë pjesë në Kuvendin e ftuar nga grupi i Kastriot Markut për të shtunën, të cilin e quajti Kuvend paralel.

“Kohëve të fundit, muajve të fundit shoqëria ‘Agimi’ ma shumë po i përngjan shoqërive politike, ma shumë po i përngjan disa institucioneve qeveritare se sa një shoqërie që punon vullnetarisht dhe me vetëdëshirë. Tash tre kuvende, katër kuvende, shtatë kuvende me u mbajtë brenda dy muajve ajo është absurditet total”, tha Kabashi.

Madje Kabashi tha se grupit tjetër nuk do t’i lejohet ta shfrytëzojnë sallën për mbajtje të kuvendeve.

“Nuk kemi me e lëshu këtë sallë nëse e kërkojnë, nuk mujna me ja lëshu sallën. Së pari ata duhen me e bo një kërkesë për sallë. Sallat i lëshojmë për punë edhe për aktivitete kulturore, sallat janë të hapura gjithmonë për çdokënd, e jo që në vazhdimësi këtu të mbahen kuvende kjo është absurditet total”, tha Kabashi.

Kryesuesi i grupit tjetër Kastriot Marku thotë se të gjithë pretendentët për të udhëhequr me organizatën duhet t’i nënshtrohen vullnetit të anëtarësisë së gjerë përmes votës legjitimuese të 20 majit, duke pretenduar se këtë kuvend do ta mbajnë në objektet e ShKA “Agimi”.

“Na do ta mbajmë kuvendin ashtu siç e kemi cekur, në objektin e ShKA “Agimi”. Ne shpresojmë se do të hasim në mirëkuptim dhe shpresojmë që e udhës është t’i çelen dyert të gjithë anëtarëve të ‘Agimit’ që ta mbajnë një kuvend. Nëse nuk na lejojnë do të shikojmë një opsion tjetër të cilin për momentin nuk mund të ju them”, tha Marku.

Anëtari tjetër i “Agimit”, Festim Bytyqi, thotë se është anëtar i kësaj shoqërie tash e 39 vjet si këngëtar. Ai për një kohë të gjatë e ka menaxhuar bufenë e ShKA “Agimi”.

Bytyqi thotë se në grupin tjetër ka persona që shumë i respekton dhe u bën thirrje për bashkim. E kuvendin që do të mbahet të shtunën, Bytyqi e sheh si ngjarje që do t’i thellojë ndarjet.

Hajrulla Çeku thotë se ka për qëllim ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. 20 majin, Çeku e sheh si një përmbyllje të një kaptine jo edhe aq të këndshme të këtyre muajve të fundit për ShKA “Agimi”. Ai beson se të shtunën do të bashkohen edhe grupi tjetër në kuvend.

Mirëpo nëse ndodhë e kundërta dhe nëse nuk do të lejojnë të shfrytëzohen objektet e ShKA “Agimi”, kuvendin Çeku thotë se mund ta mbajnë edhe në ambient të hapur, siç është Shatërvani i Prizrenit.

“Agimi” ka telashe edhe me financim. Një shumë e ndarë nga Komuna e Prizrenit për këtë shoqëri ende nuk i është alokuar.

“Këto mjete deri në këtë moment komuna nuk i ka nda për shkak se nuk ka pasë mjete. Shuma më duket se është 3 mijë euro. Ndoshta javën tjetër më së largu mjetet duhet me ju dalë, në shoqërinë kulturore ‘AGIMI’, kujt saktësisht nuk e di por ne kemi kërkuar që të na sjellin listën nga departamenti i OJQ-ve në Prishtinë edhe ata që janë të regjistruar atje, ata janë për neve legjitim”, tha Lulzim Ibri, zyrtar në Komunën e Prizrenit.

Zyrtari komunal tha se çdo vit ShKA “Agimi” i janë ndarë përafërsisht nga tre mijë euro, ndërsa tha se nuk e di se çka ka ndodhë më tutje a janë paraqitur apo jo këto mjete në ATK, ngase për këtë kompetent janë institucionet tjera që duhet të kujdesen.

Sa i përket mosdeklarimit financiar të ShKA “Agimit” në ATK, Xhemal Kabashi u pajtua se ka ndodhur një gjë e tillë në të kaluarën, mirëpo tha se kanë ndryshuar gjërat për të mirë dhe se tani kanë filluar të deklarojnë gjendjen financiare në ATK.

Shoqëria Kulturore-Artistike “Agimi” është formuar në vitin 1944 dhe i ka mbijetuar shumë sfidave në të kaluarën. Tani po ballafaqohet me probleme brenda vetes të cilat nuk po duken të jenë lehtë të kalueshme.

Prej “Agimit” kanë dalë emra me nam të fushës së muzikës, aktrimit dhe kulturës në përgjithësi, si Lorenc Antoni, Bekim Fehmiu, Nexhmije Pagarusha, Zita Bashota, Liliana Çavolli, Engjëll Berisha, etj. /Kallxo.com/

Dështimi i LDK-së dhe VV-së favorizon koalicionin PDK-AAK-Nisma

0

Koalicioni i “Krahut të Luftës”, i përbërë nga PDK-ja, AAK-ja dhe “Nisma”, po shihet si fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit. Për këtë analistët kosovarë më së shumti “merita” po ua atribuojnë LDK-së dhe Vetëvendosjes, të cilat nuk arritën ta nënshkruajnë një marrëveshje bashkëpunimi

Dështimi për ta gjetur një gjuhë të përbashkët në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes “Vetëvendosje” për një marrëveshje bashkëpunimi para zgjedhjeve të 11 qershorit ia ka lënë namin e favoritit koalicionit PDK-AAK-“Nismë”, shkruan Zëri.

Koalicioni i “Krahut të Luftës” nga analistët kosovarë, të paktën në letër, po shihet si fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit. Megjithatë, sipas tyre, gara nuk do të jetë e pasfiduar. E ndonëse ka mbetur edhe një ditë e plotë deri te dorëzimi i listave për deputetë, ata vlerësojnë se në raportin mes LDK-së e “Vetëvendosjes” nuk mund të pritet të ndodhë ndonjë ndryshim sa i përket kësaj çështjeje.

E për dështimin e bashkëpunimit lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ky subjekt mbetet i hapur për diskutim me VV-në te pas zgjedhjeve. Ndërsa, i pari i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, pasi ka konfirmuar ka thënë se “Vetëvendosje” do të hyjë e vetme në zgjedhje, ka bërë të ditur se LDK-ja gjatë diskutimeve ka kalkuluar interesat e saj personale.

Suharekë: Mësimdhënësi rrahet me tre nxënës

0

Në fshatin Mohlan të Suharekës ka ndodhur një situatë e pazakontë.

Një nxënës ka pasur nevojë të marrë tretman mjekësor pasi është rrahur nga mësuesi i tij.

Drejtori i kësaj shkolle që mban emrin “Naum Veqilharxhi”, Ali Kabashi ka treguar në Kosova Direkt se në këtë rast kanë qenë të përfshirë tre nxënës dhe një mësimdhënës.

“Sipas informatave që posedojmë, ka ndodhur një perleshje mes mësimdhënësit dhe dy-tre nxënësve por njëri ka raportuar ngjarjen që ka ndodhur në shkollë”.

“Sipas raporteve, intervistimeve të Policisë, del se nxënësit pretendojnë se janë sulmuar fizikisht brutalisht derisa mësimdhënësi deklaron të kundërtën”.

Kabashi ka thënë se edhe nxënësit e tjerë, që kanë qenë dëshmitar të kësaj ngjarje deklarojnë se është përdorur dhunë nga ana e mësimdhënësit.

“Ka pasur një përleshje mes mësimdhënësit dhe nxënësve por jo e kësaj përmase kaq të madhe”.

“Nuk kam parë shenja të dhunës, kam biseduar me nxënësit, shenjat e dhunës nuk duken në fytyrë ose trup, por sipas prindërve, ka pasur shenja të dhunës”.

Ai ka deklaruar se janë në pritje të raportit të Policisë për të marrë masat e duhura sanksionuese ndaj mësimdhënësit.

Por ka treguar poashtu se kjo nuk është hera e parë që i njëjti mësimdhënës është përfshirë në një ngjarje të tillë.

“Mësimdhënsi është hera e dytë që përfshihet në një ngjarje të tillë dhe po me të njëjtin nxënës dhe prindërit janë revoltuar sepse herën e parë, kemi insistuar që ngjarja të mos marrë përmasa të mëdha”.

“Drejtoria e shkollës dhe Drejtoria e Arsimit dhe në bashkëpunim me prindin jemi marrë vesh që kjo punë të mbyllet por ka ndodhur prapë. Çështja është jo që nuk merren masat por kjo punë është ndalur, me bashkëpunimin e prindit”.

Kabashi ka treguar poashtu se në shkollën që ai drejton nuk ndodhin raste të ngjashme, ose janë të përmasave shumë më të vogla.

Këta janë kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje nga Prizreni

0

Në mbledhjen e Këshillit të Qendrës të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Në Prizren, delegatët pas miratimit te emrave të propozuar për kandidatë në listën për deputetë, sot përfundimisht edhe me miratimin e Këshillit të Përgjithshëm është vendosur që kandidatë nga Komuna e Prizrenit të jenë:

Arbër Rexhaj
Drita Millaku
Kujtim Shala
Mytaher Haskuka

Më poshtë ju bashkëngjisim edhe biografitë e kandidatëve në fjalë.

ARBËR REXHAJ
Ka lindur në Prizren me 16.12.1985.

Arsimimi

Shkollimin fillor dhe te mesëm e kreu në Prizren.
Ka mbaruar studimet për Letërsi  Gjuhë Shqipe në Fakultetin Filologjik në Prishtinë.
Ka kryer edhe Fakultetin e Shkencave Politike.
Vazhdon studimet pasdiplomike për Letërsi  po në Universitetin e Prishtinës.

Aktivitete dhe funksionet

Arbër Rexhaj është marrë me veprimtari letrare; romane, poezi, monografi, recensione dhe publicistikë.
Ka qenë kryetar për dy mandate i asosacionit të vetëm të shkrimtarëve të Prizrenit, klubit letrar “Fan S. Noli”.
Kryetar i Qendrës së VETËVENDOSJE!s në Prizren 2010-2013.
Ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Arsim në Komunën  e Prizrenit.
Ka qenë kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të klubit futbollistik “Liria”.
Gjatë mandatit si kuvendar në Komunën e Prizrenit nga KDI është  përzgjedhur si kuvendari më aktiv i kësaj legjislature komunale. Aktualisht drejton grupin parlamentar të VETËVENDOSJE!s në Prizren. Punon si profesor në shkollën e mesme “Remzi Ademaj”.

DRITA MILLAKU

Ka lindur në Prizren
Shkollimin fillor, të mesëm dhe Fakultetin e Edukimit e ka mbaruar në Prizren, për ta vazhduar Fakultetin Filologjik dhe masterin në Prishtinë. Është e martuar, nënë e dy fëmijëve, e punësuar në Bibliotekën Ndërkomunale në Prizren dhe që 4 vite është  asambliste në Kuvendin Komunal në Prizren.
Është e angazhuar maksimalisht për çështjet dhe preokupimet e qytetarëve dhe falë këtij angazhimi është cilësuar si asambliste me e suksesshme në nivelin komunal. Gjithashtu është  angazhuar pareshtur në fuqizimin e LVV në Prizren . Në kuadër të NDI ka përfunduar Akademinë për Lidership, dhe e angazhuar në shumë projekte për të drejtat e grave. E trajnuar nga OSBE- si trajnere mbi të drejtat e trashëgimisë së Gruas.

 PROF. DR. KUJTIM SHALA

U lind në vitin 1961 në Prizren.
1987- Diplomon në Fakultetin e Mjekësisë – Seksioni i Stomatologjisë( si student më i mire i gjeneratës). Gjatë studimeve  është zgjedhur Prodekan Student në Fakultetin e Mjekësisë.
(1987-1988) Kryen stazhin e obliguar Mjekësor në Qendrën Medicinale në Prizren
1988- Punësohet në Kliniken e Stomatologjisë të Fakultetit të Mjekësisë
1989 Nga ana e Senatit të Universitetit zgjidhet Asistent në Lëndën Protetika Stomatologjike
1988-1996 Kryen Studimet Pasuniversitare në drejtimin e Stomatologjisë Eksperimentale
1993 – Kryen provimin Specialistik para Komisionit të krijuar nga Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës dhe gradohet ne Specialist i Protetikës Stomatoloigjike
1991-1999 Angazhohet në Universitetin paralel në pozitën e Asistentit
(angazhim pa pagesë me vetë deklarim)
(1999-2000) Angazhohet nga ana e Komandës Jugore të KFOR si doktor specialist dhe kryen shërbime mjekësore për personelin ushtarak të Komandës Jugore, policinë Speciale të UNMIK, burgun nën administrimin ushtarak, civilëve të mbrojtur
Mbrojtja e tezës së Magjistraturës dhe shpallja Magjistër i Shkencave Stomatologjike
nga Senati i Universitetit të Prishtinës zgjidhet Ligjërues i Lartë për Lëndën Protetika Stomatologjike
Qëndrimi për aftësim Profesional në Kings College University London, Dental Hospital Denmark Hill KCU, UK
Mbron Disertacionin e Doktoratës dhe shpallet Doktor i Shkencave Stomatologjike
Senati i UP e zgjedh në titullin e Profesor asistent
Senati i UP e zgjedh në titullin Profesor i asocuar
 2003-2012   Zëvendës Drejtor i QKSUK i Degës së Stomatologjisë
2007 Kryetar i Bordit Qendror për Edukim të Vazhdueshëm profesional në MSH
2004-2007 Kryetar i Komitetit Specialistik për Stomatologji
Autor dhe koautor i shumë punimeve profesionale dhe shkencore.
Aktualisht është kryetar i Odës së Stomatologëve të Kosovës.

PROF. DR. MYTAHER HASKUKA

I lindur më 12.10.1973 në Prizren

Arsimimi
Ka mbaruara studimet për Psikologji  në Universitetin Bogaziçi- Stamboll.
Magjistër i Psikologjisë Sociale,
Doktor i Shkencave në Psikologjinë Sociale,
Universiteti Ludëig Maximillians, Mynhen, Gjermani.

Aktivitetet dhe funksionet
Profesor. Asistent në Departamentin e Psikologjisë, Fakulteti Filozofik.
Mbi 14 vjet përvojë ligjërimi në Universitetin e Prishtinës,
ndërsa rreth 12 vjet në projekte zhvillimore me UNDP-në dhe organizata të tjera ndërkombëtare dhe vendore.

 

Sekretariati për Media dhe Komunikim i Lëvizjes VETËVENDOSJE!- Prizren

Arbër Rexhaj, kandidat për deputet i Vetëvendosjes

0

Arbër Rexhaj do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit.

Ai këtë e ka konfirmuar në rrjetin social Facebook

Postimi i plotë në Facebook

Sot Levizja VETEVENDOSJE! me nderoi me kandidature per zgjedhje parlamentare. Pres mbeshtetjen tuaj.
Na prift e mbara deri ne fitore!

Jo me votën time!

0

IMER MUSHKOLAJ

Përtej rezultatit të zgjedhjeve, një fitore shumë më e madhe për qytetarët do të jetë dhënia e besimit për t’i përfaqësuar atyre që nuk kanë probleme me ligjin, njerëzve që vërtet e meritojnë. Mos i votoni kandidatët e korruptuar e të kriminalizuar më 11 qershor. #AsUne nuk do t’i votoj. Jo me votën time, jo me votat tona të tillët deputetë.

Një garë e paparë ndonjëherë pritet të jetë ajo për të fituar një ulëse deputeti në Kuvendin e Kosovës. Koalicionet parazgjedhore kanë bërë që partitë të mos i kenë listat e plota në dispozicion, por t’i ndajnë ato me partnerët. Kjo nënkupton se për zyrtarë partish politike, një fitore e vogël mund të jetë madje edhe futja e emrit në listë.

Por, përtej rezultatit të zgjedhjeve, një fitore shumë më e madhe për qytetarët do të jetë dhënia e besimit për t’i përfaqësuar atyre që nuk kanë probleme me ligjin, njerëzve që vërtet e meritojnë, njerëzve të pakriminalizuar e të pakorruptuar.

Në të gjitha përbërjet e kaluara të legjislativit ka pasur deputetë që kanë shkelur ligjin, por që janë bërë pjesë e Kuvendit. Pak duke përdorur marifetllëqe tashmë të njohura, por më së shumti me votën tonë.

Në këtë mënyrë, në vend që t’i përfaqësojnë qytetarët, ata e kanë shfrytëzuar karrigen e fituar si një lloj imuniteti ndaj veprimeve të tyre të paligjshme, duke gëzuar privilegjet që sjell të qenit deputet. Për më tepër, me mënyrën e veprimit të tyre, kanë fyer edhe ata që i kanë votuar.

* * *

Subjektet politike e kanë shansin që në listat zgjedhore të përfshijnë emra që nuk kanë probleme me ligjin. Në këtë mënyrë do të dëshmonin se i kanë seriozisht premtimet për shtet të së drejtës.

Kandidimi, e më pas zgjedhja e njerëzve me precedentë penalë prodhon pasoja të rënda. Këta njerëz e kanë në dorë rregullimin e jetës sonë, e kanë në dorë të ardhmen tonë. Këta njerëz votojnë ligjet, këta njerëz zgjedhin qeverinë. Këta njerëz vendosin kah ta çojnë atdheun tonë.

Subjektet politike duhet të mos iu japin shans të tillëve, ndonëse e kanë të vështirë të veprojnë kështu. Thuajse në të gjitha partitë njerëzit e fortë, njerëzit që nuk njohin rend as ligj përbëjnë një masë të konsiderueshme. Ata sigurojnë shpesh mjete financiare për parti, ata kanë ndikim në parti, ata duan të jenë në lista, ata duan të zgjedhen. Andaj, të mos iu krijosh hapësirë në lista të tillëve, për partitë do të thotë të presin degët që i mbajnë.

Përbërja e kaluar e Kuvendit në masë të madhe ka qenë e turpshme – me njerëz nën hetime, njerëz të paedukuar a të paedukatë, njerëz të pafytyrë e me shumëfytyrësha, njerëz që ta fyejnë inteligjencën kur i dëgjon tek përpiqen të thonë diçka në foltore. Institucioni që do të duhej të ishte tempull i përfaqësimit e i demokracisë jo rrallë kthehej në tempull të turpit. Turp ky, të cilit i kemi ndihmuar vetë ne, duke ua dhënë votën atyre që t’i përfaqësojnë interesat tona. Por, çfarë bënë atë në të vërtetë?

Ata nuk na përfaqësuan ne, vetëm u paguan me paratë tona. Ata përfaqësuan veten dhe klanet e veta, si dhe i shfrytëzuan të mirat e privilegjet që ne ua mundësuam. Ata me siguri na shohin budallenj që ua kemi dhënë votën. E rastin e kemi që të mos na konsiderojë askush më, asnjëherë të tillë.

* * *

Më kanë kërkuar këto ditë kolegë gazetarë që ta komentoj thirrjen e ndërkombëtarëve për dekriminalizim të listave zgjedhore. Iu kam thënë dhe vazhdoj të mendoj se përpara se të jetë punë e ndërkombëtarëve, ambasadorëve e kujdoqoftë tjetër, kjo është punë e jona, është obligim yni.

Ambasadorët, përfaqësuesit e institrucioneve ndërkombëtare nuk do të na o pastrojnë listat. Listat mund dhe duhet t’i pastrojmë ne. Edhe nëse partitë politike zgjedhin të na ofrojnë kandidatë të kriminalizuar, të korruptuar, të pazot, ne duhet t’i ndëshkojmë ata me votën tonë, me fuqinë tonë.

Kandidatët për deputetë duhet të jenë shembull për të mirë. Është koha e fundit që të pamerituarit të mbeten jashtë Kuvendit, ndërkaq ata që vlejnë dhe që na përfaqësojnë denjësisht, t’i ndihmojmë me votë. Vetëm kështu vendosim qartë për të ardhmen tonë.

Mos i votoni kandidatët e korruptuar e të kriminalizuar më 11 qershor. #AsUne nuk do t’i votoj. Jo me votën time, jo me votat tona të tillët deputetë.