Home Blog Page 5989

Sot shënohet Dita e Dëshmorëve të Kombit

0

Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit, sot do të kenë një varg aktivitetesh.

Do të bëjnë homazhe dhe aktivitete në qytetin e Krumës, bashkia e Hasit në Shqipëri, homazhe në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, si dhe homazhe e aktivitete të tjera në disa komuna të Kosovës.

Një legen ujë

0

Shkruan: Musa Bushrani
(Legjenda për Karabashin)

Karabashi kishte vdekur dhe ishte varrosur në Terzimahallë. Thonë se kishte rënë dëshmor, thonë gjithashtu se e kishte ditur se do të binte dëshmor, gojët e liga thonë se ai e ka ditur se do të binte dëshmor dhe se u kishte thënë kundërshtarëve të tij, se ai edhe pas vdekjes do të mbetej i njëjti, po ai, Karabashi trim, Karabash efendiu.

Pak kohë para se të vdiste, mes dyzet burrave më besnikë të tij, kishte hapur dylbitë e shekujve për të parë nëse ai do të bënte të uleshin retë e pranverës dhe nga to të shtrydhte breshër, por gjithashtu thonë se ai më pastaj ishte penduar, duke thënë se do të mjaftonte edhe vetëm një rigë e vogël shiu sa për ta mbushur një legen për ta spërkatur dheun e varrit të tij të dytë. Po me varrin e tij të parë?

Luftërat po përpinin frymën e njerëzve, po përhapeshin në formë pykash e po degëzoheshin sikur vetëtima. Luftërat shiheshin afër, por godisnin larg. Gjuanin pa pushim, sikur njerëzit nuk mundnin të jetonin dot pa to. Edhe aty ku nuk përpinte, ku nuk përhapej në formë pyke e nuk degëzohej sikur vetëtima, edhe aty zhvilloheshin luftëra.

Lindja dhe vdekja sikur ishin alternuar dhe nuk shfaqeshin kufijtë e kujës. Gjithçka ishte e shkruar në pergamenë. Ata që duhej t’i shihnin e t’i lexonin këto shkrime të vjetra i kishin parë dhe i kishin lexuar dhe pastaj u kishin treguar edhe të tjerëve. Qenë formuar dy grupe njerëzish, grupi i parë që i kishte parë dhe lexuar ato shkrime të vjetra dhe grupi i dytë që këto shkrime i kishte vetëm me të dëgjuar.

Mbi varrin e Karabash efendiut një farkëtar kishte vendosur kudhrën e tij. Një herë godiste hekurin dhe tri herë kudhrën, ishte nga më të zotët në gjithë qytetin. Përveç shpatave të thjeshta ai herë pas here punonte edhe shpata të tilla me mbishkrime prej argjendi dhe ari. E dinte se shpatat me mbishkrime dhe me dekorime nuk përdoreshin për luftë. E dinte se do të binte në dorën e dikujt që ishte më i lartë se sa ai që i porosiste. Për këto shpata edhe millin e bënte me shumë dashuri dhe pa bujë.

Si kishte mundësi të mos e dinte se kudhra e tij ishte vendosur pikërisht mbi eshtrat e një njeriu. E tëra kjo të ishte rastësi?
Thonë se farkëtari nuk ishte vetëm farkëtar, ai ishte më shumë se i tillë. Ai ishte një nga të paktë të zanatit të tij që dinin të lexonin, por këtë aftësi ai gjithmonë e kishte mbajtur të fshehur.

Po atë ditë kur Karabashit po ia hapnin varrin, farkëtari e kishte mbyllur derën, kishte hapur fjalën se ishte i sëmurë dhe kishte filluar të rrëmihte tokën. Tashmë qyteti ishte bërë gati ta varroste heroin e tij. Nuk mbahej në mend të ishin mbledhur kaq shumë njerëz në një vend. Esnafë, bakallë, tyxharë, mashtrues, batakçinj, hajdutë matrapazë, të gjithë këta qëndronin në rreshtat e pasmë të asaj turme, që sikur po mbinte nga dheu, ndërsa në radhët e para po qëndronte paria e qytetit. Në krye të të gjithëve, valiu.

Në fund të faljes së namazit të të vdekurit, u lut me zë të lartë,:” O Zot, falja mëkatet dhe mëshiroje, shpëtoje dhe kij ndjesë ndaj tij, bëja vendin e mirë dhe zgjeroja vendin ku do të hyjë… Zëvendësoja shtëpinë me një më të mirë, …..” Kjo lutje më shumë u tha për t’i bindur të gjallët, se sa për ta siguruar të vdekurin.
Krejt vonë, pas mesnate, farkëtari shkoi te varri i Karabashit, e nxori trupin, e ngarkoi në karrocë dhe e shpuri në punishten e tij për ta rivarrosur pikërisht në vendin ku kishte rrëmihur gjatë ditës. E shtriu, mbi të la me kujdes shkrimet e vjetra, vendosi sërish kudhrën në vend dhe u ngjit lart. Shkrimet dhe trupi i tij duhej të ishin bashkë, kishte menduar farkëtari.

Farkëtari nuk merrej vetëm me punimin e shpatave të thyera, ashtu siç bënte konkurrenti matanë rrugës, kur sajonte një shpatë nga katër a pesë shpata të tjera. Jo, farkëtari punonte shpata me porosi, shpata që kushtonin sa një qytet i tërë. Kjo shpatë nuk ishte as jatagan, as pallë, as damaskine e as shpatë e harkuar apo perse. Ishte shpatë vendore që do të vringëllonte sa në të majtë, sa në të djathtë, sa mbi tokë e sa ndër tokë, sepse ishte shpatë e punuar me minerar vendi, dy ditë udhë që këtu. Porositësi i shpatës i kishte lënë amanet t’i ruante disa shkrime të vjetra, sepse farkëtari i kishte thënë: “Jo, zotëri, unë nuk di të lexoj.” Porositësi i shpatës ia kishte besuar shkrimet dhe ky i kishte lexuar. Shpata kurrë nuk i ra në dorë porositësit, pak kohë më vonë ai u gjet i mbytur. Gojët e liga thonë se kishte qenë plaçkitje.

Meqë ishte mjeshtri më i mirë i qytetit, farkëtari ishte i detyruar të shkonte betejave, të provonte dhe të punonte shpata luftërash. Në punishten e tij në shtëpi e kishte lënë të punonte të birin. Pas dy muajsh farkëtari zihet rob dhe dërgohet të vuajë dënimin në një nga burgjet e Maltës.
I biri i farkëtarit përditë godiste me çekan mbi eshtrat e Karabashit, pa e ditur fshehtësinë e të atit. Shpirti i Karabash efendiut nuk po gjente prehje.
Ditët dhe netët për farkëtarin e burgosur nuk kishin masë për ta matur dhimbjen e tij. Pas një kohe, në qelinë e errët e të lagësht i shfaqet vegimi i Karabashit.
– Ke dëshirë të ikësh në shtëpi? – i thotë Karabash efendiu farkëtarit.
-Po!-ia kthen i burgosuri.
-Unë do të dërgoj në shtëpi, nëse do ta mbash premtimin, që tani. Kujdes, i pranishëm të jetë edhe valiu, ti e di mirë, valiu e ka me të dëgjuar, sikur edhe i tërë populli… Më premto, se do të m’i zhvendosësh eshtrat përfundi kudhrës tënde!
Të premtoj! – i thotë farkëtari. Vetëm më liro nga këtu.

Një ftohtësi hyjnore hyri në trupin e të burgosurit, nyjat e duarve ngadalë filluan ta ndjejnë fuqinë, shpërtheu prangat dhe sakaq i burgosuri u lirua. Një mjegull thonë u soll atypari dhe … sakaq, si me magji, Karabash efendiu bëri që i burgosuri të gjendej në oborrin e shtëpisë së tij në Terzimahallë.
Shpërthyen lotët e gëzimit nga familjarët e tij…Ngaqë kishin shumë kohë pa e parë dhe ngaqë kishin menduar se ky tashmë ishte i vdekur, i organizojnë një aheng të madh… kënga dhe vallja nuk pushuan deri vonë. Pastaj edhe dashuria e malli për gruan bëri që në natën e parë në liri ta harronte premtimin e dhënë, as edhe lëvizjen më të vogël nuk e bëri për Karabashin…Pak para agimit, sërish i fanitet vegimi i Karabashit…

-Ti nuk e mbajte premtimin. Ashtu si të kam kthyer në shtëpi, ashtu edhe të dërgoj sërish atje ku ishe… Ti ende nuk e kupton si është të t’i godasë dikush eshtrat me kudhër e çekan…Shiko, ke kohe deri nesër në agim… Fajtor për të gjitha je ti… dhe t’i do ta zgjidhësh ashtu si duhet këtë punë, përndryshe…

I sapoçliruari, nga frika zgjohet që me natë, mënjanon kudhrën në punishte dhe fillon e rrëmih, nxjerr eshtrat e tij dhe i vendos në një thes.
Ku t’i varroste? Në ç’vend? Aty ku ishte varrosur për herë të parë? Apo diku tjetër? Kishte rëndësi kjo punë? Një mijë mendime po i silleshin nëpër kokë. Doli dhe shikoi përreth, u mendua e u mendua, diçka po mungonte, ah, po, tha me vete, kur po nxjerrja eshtrat e tij, mungonin shkrimet. Të jenë kalbur vallë?
Kush mund t’ i kishte marrë se…? Jo, nuk është e mundur… Nuk po e zinte vendi vend. Edhe varri i dytë i Karabashit ishte hapur nga dikush, derisa ai kishte qenë larg shtëpisë.

Të ishte personi i njëjtë që e kishte mbytur porositësin e shpatës? I çartur fare nga kjo pakujdesi, ngarkoi thesin mbi shpinë. I vetëm, pak para agimit, varrosi eshtrat bashkë me sekretin e tij. Më pas, në kujtim të kësaj ngjarje u ndërtua një krua për të rrjedhur helmi i shpirtit të tij. Tashmë askush nuk do t’i besonte pa ato shkrime, edhe sikur t’u thoshte përmbajtjen e saj. Do ta përqeshnin, do ta tallnin, sepse gjatë kishte trumbetuar se nuk dinte shkrim e lexim, sikur edhe shumica njerëzve të zanatit të tij. Populli do të ndahej në dy grupe. Grupi i parë do të ishte me atë që i kishte lexuar shkrimet e vjetra, ndërsa grupi i dytë do të formohej me ata që kishin dëgjuar për to. Por, kroi i Maltës bashkë me ujin rodhi edhe shekujt, më shumë shekuj se ujë. Në perëndim të kësaj dite, për të qindtën herë, sërish po vije ajo rigë shiu sa për ta mbushur një legen ujë.

Limaj: I kemi më shumë se 40 nënshkrime për rrëzimin e qeverisë

0

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj ka thënë se Nisma i ka siguruar më shumë se 40 nënshkrime për rrëzimin e qeverisë.
“ I kemi të siguruar nënshkrimet që mocioni për rrëzimin e qeverisë të procedohet në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Limaj në emisionin “Politikë” në Tribuna Channel.

Limaj ka theksuar se janë duke i koordinuar hapat me të gjithë deputetët që kanë nënshkruar mocionin, se si do të veprojnë tash e tutje.

“Nga dita kur ky mocion procedohet në Kuvend sipas rregullores më së largu për pesë ditë duhet të thirret seanca e Kuvendit. Po ashtu sipas rregullores ekziston edhe mundësia tjetër që brenda 24 orëve të mblidhet Kuvendi në një seancë të jashtëzakonshme, nëse këtë e kërkon iniciuesi në këtë rast ne pas procedimit të mocionit në Kuvend”, ka sqaruar Limaj procedurat sipas rregullores së Kuvendit, transmeton Telegrafi.

Pavarësisht raportimeve se nesër e më së largu të hënën do të procedohet për në Kuvend mocioni për rrëzimin e qeverisë, një gjë të tillë nuk e ka konfirmuar Fatmir Limaj.

Ai ka thënë se konsultimet me deputetët që kanë nënshkruar këtë mocion janë duke vazhduar edhe sonte dhe se nuk mund të thotë ende asgjë se kur do ta procedojnë.

Limaj është shprehur i bindur se mocioni do të kalojë suksesshëm ditën kur do të vije në Kuvend ./Telegrafi/

Skandal: Varrezat e vjetra të Prizrenit, TIKA turke i quan të osmanlinjve

0

Organizata TIKA së fundi ka financuar një projekt për ndërtimin e një muri rrethues të varrezave të vjetra në Prizren. E pas investimit, kjo organizatë shtetërore e Turqisë që operon në Kosovë, ka vendosur një tabelë në të cilën varrezave u referohet si “Varrezat e Osmanlinjve”, raporton Gazeta Express.
“Muri rrethues i Varrezave të Osmanlinjve (Karabash) është ndërtuar nga ana e Administratës Ndërkombëtare për Bashkëpunim dhe Zhvillim Turke (TIKA)”, shkruan në tabelën e vendosur tek varrezat e qytetit të Prizrenit.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar aktivisti i shoqërisë civile Naim Cahnai, i cili thotë se ky veprim i TIKA’s nuk është bërë pa dijeninë e institucioneve lokale e atyre qendrore.

“Paradoksi nuk eshte ndryshe. Varrezat e vjetra te prizrenaseve quhen varreza te osmanlive. Ky veprim nuk eshte i bane pa vetedije, e as pa dijen e institucioneve lokale apo qendrore. Imagjinoni me nje te ardhme te afert me pas kesi tabele tek varrezat aktuale edhe te cilesume si varreza te “jugosllaveve”. Inferioritet, pa shtet. Marre”, ka shkruar aktivisti në facebook, shkruan Gazeta Express.

TIKA nuk është hera e parë që gjendet përballë një skandali të ngjashëm. Kjo organizatë turke në Prishtinë kishte larguar nga shkollat fotografitë në mure të heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, duke i zëvendësuar ato me simbole turke.

Ndryshe, disa media turke, në janar të 2015’ës këtë organizatë e kishin lidhur fortë me organizata të mbyllura në Kosovë për aktivitete anti-kushtetuese dhe organizata terroriste ku kishte xhihadistë kosovarë të ISIS’it e Al-Kaida’s. Por, TIKA po vazhdon punën edhe më tutje në Kosovë. /GazetaExpress/.

Djali i Hashim Thaçit dhe vajza e Lirie Gashit

0

Hajrulla Ceku

Nganjëherë nuk ka nevojë për hulumtime për të dëshmuar pabarazitë në një shtet. Para dy ditësh qarkulluan fotot e djalit të Presidentit, këtë herë ishte në Miami për pushime. Ndërsa, pas dy ditësh bëhen 11 muaj nga vdekja e vajzës së Lirie Gashit, Xhenetës, si pasojë e neglizhencës institucionale.

Prokurorisë në Prizren nuk i mjaftuan as 11 muaj për të ngritur aktakuzë për rastin e Xhenetës, ndërsa Presidentit po i mjafton vetëm rroga për të financuar udhëtimet e djalit të tij. Hendeku mes djalit të Hashim Thaçit dhe vajzës së Lirie Gashit është paimagjinueshëm i madh. Edhepse të dy fëmijë të këtij vendi, praktikisht jetojnë (kjo e dyta fatkeqsisht as nuk jeton më) si në dy universe paralele.

Një shtet ku djali i Presidentit është kaq i privilegjuar dhe në të njëjtën kohë vajza e qytetares anonime privohet nga jeta dhe nuk mund të sigurohet as minimumi i drejtësisë, është në thelb i dështuar.

Xheneta humbi jetën pasi u shemb një monument i mbrojtur, për restaurimin e të cilit institucionet nuk ndanë buxhet. Familja e saj ishte rast social, ndërsa institucionet nuk ofruan as strehim të sigurt. Sikur paraja publike të përfundonte në vendin e duhur, me gjasë monumenti nuk do të shembej, familja e Xhenetës do të kishte strehim të sigurt, ajo do të ishte gjallë, ndërsa i vetmi dëm do të ishte pamundësia e djalit të Presidentit për të shijuar plazhet e Miamit. (Facebook )

Dënohet 62 vjeçari që kanosi me thikë një femër në Prizren

0

N. Th., i akuzuar për veprën penale “kanosje”, të enjten u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren, dhe u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht.

Në shqyrtimin fillestar, N.Th. , të cilit gjykata i siguroi mbrojtës sipas detyrës zyrtare, avokatin Avni Berisha, pranoi fajësinë për veprën me të cilën ngarkohej.

Gjykatësja e rastit Teuta Krusha, aprovoi pranimin e fajësisë pasi që nuk kishte kundërshtim nga ana e prokurorit Fatos Ajvazi.

Mbrojtësi sipas detyrës zyrtare, avokati Berisha, kërkoi nga gjykata që ndaj klientit të tij të shqiptohet një dënim më i butë, meqenëse i njëjti e kishte pranuar fajësinë. Tutje tha se duhet pasur parasysh edhe faktin që i njëjti është i gjendjes së varfër ekonomike, i shtyrë në moshë dhe atë 62 vjeç, dhe po ashtu është hera e parë që bie ndesh me ligjin.

Gjykatësja Krusha duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, përveç shqiptimit të dënimit të lartpërmendur, Th.  e liroi edhe nga shpenzimet procedurale.

Sipas aktakuzës, N.  Th. më 16 mars 2016, rreth orës 18:45 në lagjen “Adem Jashari” në Prizren, seriozisht e kanosë të dëmtuarën A.  N. , në atë mënyrë që derisa e dëmtuara ishte duke ecur, i akuzuari ju kishte afruar me një thikë. E dëmtuara posa e kishte vërejtur ishte larguar me shpejtësi, ndërsa i akuzuari i ishte vënë pas. Me këto veprime të dëmtuarës i kishte shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri.

N.Th.  ngarkohej me veprën penale “kanosje” nga neni 185 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit./betimiperdrejtesi/

Prizren: Shtyhet gjykimi ndaj inkasantit të akuzuar për përvetësim të rreth 20 mijë eurove

0

Mungesa e ekspertit financiar Qemail Smaili, ka pamundësuar mbajtjen e shqyrtimit kryesor të caktuar për të enjten, në rastin ndaj inkasantit të ndërmarrjes “Hidroregjioni Jugor”, H.  G.

Ky i fundit po akuzohet se duke qenë në pozitën e lartpërmendur, ka përvetësuar para në shumë prej rreth 20 mijë euro.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, ka konstatuar se eksperti Smaili është ftuar në mënyrë të rregullt nga seanca e kaluar, por i njëjti nuk e ka arsyetuar mungesën e tij.

Prandaj në mungesë të kushteve ligjore, seanca në fjalë është shtyrë për 6 qershor 2017, në ora 9:30.

Në këtë seancë ishte paraparë që eksperti i lartcekur të merrej në pyetje nga palët në lidhje me ekspertizën financiare të përpiluar nga ai, për këtë rast penal.

Ndryshe, gjykimi zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur fillimisht ndaj H. G., F.  B. , I. R. dhe D.  G. .

Mirëpo, të akuzuarit F. B. , I. R.  dhe D.  G., pas ngritjes së aktakuzës, kanë arritur marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, me organin e akuzës, ndërsa i akuzuari H.  G. , nuk ka arritur një marrëveshje të tillë, andaj për të njëjtin procedura vazhdon./betimiperdrejtesi/

Afrim Avdaj prezanton Planin Strategjik të Spitalit të Prizrenit

0

Drejtori i përgjithshëm i spitalit të Prizrenit, Prof. Ass. Dr. Afrim Avdaj, të enjten, para strukturave udhëheqëse, shefave, kryeinfermierëve dhe punëtorëve të spitalit ka prezantuar Planit Strategjik të spitalit të Prizrenit 2017-2021.

Plani Strategjik është pjesë e Programit Përkrahës për Shëndetësinë në Kosovë – KSV/017, implementuar nga LuxDev dhe Ministria e Shëndetësisë.
“Sot para jush po prezantoj Planin Strategjik të spitalit të Prizrenit 2017-2021. Por, para se të prezantoj këtë plan, që është në përputhje me strategjinë sektoriale të MSH-së dhe planin e SHSKUK-së, më lejoni që në emër të stafit menaxhues dhe gjithë punonjësve të spitalit të falënderoj MSH-në, SHSKUK-në dhe në veçanti Qeverinë e Luksemburgutr, dhe udhëheqësit e projektit, që në vazhdimësi ka qenë dhe janë në përkrahje të spitalit tonë. Ky dodument është një udhërrëfyes i punës, që spitali i Prizrenit të jetë udhëheqës në rajon, konkurrues dhe më i miri në ofrimin e shëerbimeve shëndetësore me qytetarët në qendër të kujdesit”,- pohoi AVDAJ.

Ai ka falënderuar edhe grupin punues që me përkushtimin më të madh kanë kontribuar në finalizimin e këtij plani strategjik./PrizrenPress.com/

Letra e fshehur për 194 vite sfidon versionin e historisë mbi fundin e Ali Pashës

0

Falë një bashkëpunimi me Auron Taren dhe studiuesin kosovar Bejtullah Destani, gazeta DITA sjell për herë të parë një dokument të rëndësishëm që sfidon atë që kemi ditur deri sot mbi vdekjen e Ali Pashë Tepelenës.

Ali Pasha nuk është vrarë në përpjekje të armatosur ndërsa gruaja e tij Vasiliqia nuk është ajo që ka paraqitur deri më sot historia.

Ky dokument FO195 /34 i ruajtur në Arkivin e Ministrisë së Jashtme Britanike për 194 vjet hedh dritë mbi disa fakte të panjohura deri më sot mbi njerëzit që komplotuan në vrasjen e Luanit të Janinës.

Në të gjitha veprat deri më sot vrasja e Aliut njihet gjerësisht ajo që përshkruhet nga konsulli francez Pouqueville (Pukëvil), i cili flet për një betejë heroike të Aliut dhe rojeve të tija në shkallët e shtëpisë në ishullin e Liqenit të Janinës.

Falë këtij përshkrimi ku nuk mungojnë edhe dialogët midis palës sulmuese dhe asaj mbrojtëse të bie në sy “fjalët e fundit të Aliut” i cili kërkonte që rojet e tij të vrisnin Vasiliqinë besnike gruan e Pashait “që ajo të mos binte në duart e turkut”.

Hrushid Pasha, rrethuesi i Aliut, vrau veten në rrethana të paqarta disa muaj më pas

Në mungesë të dëshmitarëve apo dokumentave autentike, vdekja e Aliut njihet ende nga kjo veper e Pouqueville, madje dhe në ditët e sotme në shtëpinë e ishullit te Janines turisteve kurioze ju tregohen “vrimat e plumbave te cilat vranë Vezirin e Famshem”.

Por dokumentat sjellin ndërmjet dëshmive autentike një tablo te ndryshme mbi fundin e Aliut duke i dhënë fund ngjarjes së treguar nga Pouqueville.

Bëhet fjalë për zbulimin e një letre-dëshmi të shkurtit të vitit 1822 që Reis Efendi, ministri i jashtëm i Perandorisë Otomane të kohës i jep Ambasadorit të Britanisë Lordit Strangford për Sekretarin e Shtetit, Lord Castlereagh mbi fundin e Aliut.

“Këto dëshmi jane të vetmet fakte që vijnë nga burimet osmane në kohë reale mbi përfundimin e rebelimit të Pashait shqiptar. Prandaj mendojmë se vertetesia e tyre është shumë afër ngjarjes së vërtetë – thotë Auron Tare.

Nga dëshmia ku përshkruhet me hollësi vrasja e Aliut, del se veziri i madh i Janinës, personalitet i jashtëzakonshëm i epokës së tij, vdiq në vetmi, i vrarë nga një shqiptar dhe se gruaja e tij Vasiliqia ishte bashkëpunëtore e fshehtë e Portës së Lartë.

Dëshmia se Vasiliqia ka bashkëpunuar me Portën e Lartë për vdekjen e Aliut është vërtet mbresëlënëse, pasi figura e saj e njohur nga një sërë veprash të orientalizmit europian është konsideruar si simboli i besnikerise ndaj Pashait plak.

Portret i zonjës Vasiliqi. Autor i panjohur, shtëpia e ankandeve Sotheby.

E trajtuar gjithmonë me nota idealizmi dhe keqardhje për fatin e saj tragjik, roli i Vasiliqisë në vdekjen e Aliut sipas burimit osman që sjellin Tare-Destani, duket se ka qenë vendimtar.

Nje tjeter fakt shumë i rëndësishëm mbi figurën e Vasiliqisë është cilësimi i saj qartësisht në raportin e ministrit otoman si “vajza e një prifti grek”. Kjo dëshmi mbi prejardhjen e saj hedh poshtë ndonjë perpjekje sporadike të studiuesve për shndërrimin e saj në “shqiptare ortodokse nga Çamëria”.

Roli i Vasiliqisë në fundin e Vezirit nuk ka qene asnje herë i ndriçuar nga burimet e kohes. Me sa duket veprimet e saja ne dobi te Portës së Lartë kanë qenë aq sekrete, sa askush deri më sot nuk ka dyshuar mbi tradhetine e saj, edhe pse dihej se pas renies se Aliut ajo mori papritur në zotërim disa prona të rëndësishme.

Por dëshmia më interesante e raportit britanik bazuar në informacionin e Ministrit te Jashtem Otoman eshte emri i personit që ekzekutoi atë.

Ne kundërshti nga pershkrimi plot ngjyra i Pouqueville për një fund plot lavdi, Ambasadori Britanik e quan vdekjen e Aliut “nje vrasje të pastër”.

Dhe jo pa arsye. Pasi la me këmbënguljen e gruas fortesën e tij Aliu u strehua ne nje shtepize te vogel ne Ishullin e Janines, ku priste faljen e premtuar nga Stambolli.

Më shume pak pasues nga te cilet disa po komplotonin per fundin e tij duket se Aliu ishte rrethuar nga tradhtia.

Mohamed Pasha, ekzekutori i Aliut

I përgatitur ndoshta për një betejë përfundimtare, por i genjyer nga te gjithe personazhet që e vizitonin nga kampi kundërshtar, Aliu pret ne audience nje shqiptar mjaft të shquar por shume pak te njohur nga historia. Muhamed Pashën e Moresë i njohur edhe si Dramaliu, i cili ishte Princ i Portës së Lartë.

Me sa duket rangu dhe qenia shqiptar e Muhamedit të Moresë mund të mos kenë ngjallur dyshime te Aliu.

Por ishte pikërisht ky shqiptar, i cili sipas deshmise se Ministrit të Jashtëm Otoman ka ngulur ne trupin e Vezirit plak kamën e Sulltanit duke i dhene fund një jetë plot trazira dhe lavdi.

Të njëjtat rrethana të vrasjes së Aliut si dhe tradhtia e gruas së tij janë publikuar 4 vjet më vonë, në 1826 në një botim ende të panjohur për publikun shqiptar që ka për autor Robert Walsh, ish-prifti i Ambasadës Britanike.

Gravura që shoqëron këtë shënim ka për autor pikërisht Walshin dhe tregon ekspozimin e kokës së Aliut në kamaren e Portës së Lartë.

Walsh, i cili ka vizituar personalisht ekspozenë e kokës së pashait jep një përshkrim me detaje dhe përcakton si datë të kësaj ekspozeje 24 shkurtin e vitit 1822.

Pronari i lokalit “Besi” në Prizren, dëshmon për vjedhjen që i ndodhi në vitin 2012

0

Pronari i lokalit “Besi” në Prizren, A. M. , i cili është i dëmtuar në rastin ndaj të akuzuarit për vjedhje të rëndë, L. B. , në seancën e së enjtes u dëgjua në cilësi të dëshmitarit.

A.M.  deklaroi se kur ka shkuar të hap lokalin në ora shtatë të mëngjesit, pasi ka hyrë brenda e ka vërejtur se ishte thyer xhami. I njëjti tha se menjëherë e ka kontaktuar policinë, të cilët kanë shkuar në vendngjarje pas dy orëve.

“Familja ime dhe familja e këtu të akuzuarit jemi në një lagje dhe kemi raporte. Unë nuk e di se kush e ka kryer veprën penale, andaj dëshiroj të zbardhet e vërteta” tha  pronari i lokalit.

Pas dëgjimit të të dëmtuarit, prokurori Fatos Ajvazi i propozoi gjykatës që të dëgjohet edhe dëshmitari Besart Memqaj. Meqenëse ky i fundit ishte i mitur në kohën e kryerjes së veprës penale, ndaj tij ishte zhvilluar procedura e veçuar.

Ndërkaq, mbrojtësja me autorizim e të akuzuarit , avokatja Bahrije Besimi, propozoi që të dëgjohet edhe eksperti i daktiloskopisë.

Gjykatësja e rastit Teuta Krusha, aprovoi propozimin e prokurorit Ajvazi, ndërsa për propozimin e mbrojtëses Besimi do të vendos në njërën nga seancat e radhës.

Shqyrtimi i radhës u caktua për 3 korrik 2017, në ora 11:00.

L. B.  akuzohet se më 25 maj 2012, gjatë orëve të natës, në rrugën “Ismail Qemaili” në Prizren, në lokalin “Besi” të të dëmtuarit A. M., me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, së bashku me të pandehurin B.  M.  thyejnë xhamin e lokalit dhe marrin 100 euro. Të njëjtit më pas largohen nga vendi i ngjarjes.

I dyshuari është akuzuar për “vjedhje të rëndë” nga neni 253 paragrafi 1, nën paragrafi 1, lidhur me nenin 23, të Kodit Penal të Kosovës, e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa me nenin 327, të Kodit të ri Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në shtat vjet./betimiperdrejtesi/