8.1 C
Prizren
E mërkurë, 8 Prill, 2026
Home Blog Page 6010

Nëse s’bëhet ushtria, presidenti duhet të dorëhiqet

0

Shkruan: Agron Halitaj

Tri vjet më parë, Hashim Thaçi bëri një zotim në Kuvendin e Kosovës. Ishte përvjetori i shpalljes së pavarësisë, kur para përfaqësuesve të zgjedhur, ai tha se së shpejti shteti do të bëhet me ushtri.

Ato ditë, sapo ishte përmbyllur procesi i “Rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë”, dhe njëri nga rekomandimet e përpiluesve të raportit ishte edhe transformimi i FSK-së në forca të armatosura. Krahas kësaj, procesi ishte përcjellë edhe me propozimet për ndryshime kushtetuese, ku për gjatë kohë shumica shqiptare qe përfshirë në konflikt të brendshëm vetëm rreth një germe.

Ishte shkronja “R”, që për dikë kishte simbolikë të dyfishtë, e për shumë të tjerë zgjonte pezëm e inat, pasi nuk donin që ushtria e re të thirrej FARK, ashtu siç ishte thirrur formacioni ushtarak i krijuar nga qeveria në ekzil në kohën e luftës. Përfundimisht “R” e Republikës u hoq dhe mbeti vetëm FAK – por kjo s’ndihmoi gjë.

Shqiptarët si shumicë e panë se nuk mund të bëhet ushtria pa e marrë pëlqimin e Listës Serbe. E panë se janë kurthyer me miratimin e Planit të Ahtisaarit dhe më pas janë vetëbllokuar duke ia subordinuar këtij plani, Kushtetutën e Republikës. E panë se “kodi i zhbllokimit” të shtetit është te dispozita kushtetuese që mundëson votimin e dyfishtë në Kuvend, por “shifrat e dekodimit” nuk i kërkuan asnjëherë.

Ndonëse Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrur konstatimin se amandamentet kushtetuese të propozuara për transformimin e FSK-së në ushtri nuk i pakësonin të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin e Dytë të aktit më të lart jurdik të shtetit, prap se prap, ato u mbyllën në sirtarë të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, për të mos u nxjerr kurrë më nga aty.

Pikërisht me 7 maj 2014, pa e futur fare në agjendë votimin për krijimin e ushtrisë, Thaçi e çoi qeverinë në mosbesim. Me rënien e Qeverisë, Kuvendi u shpërbë me arsyetimin se kur s’është në gjendje ta krijojë ushtrinë, s’ka pse të funksionojë. Dhe kështu, vendi shkoi në zgjedhje të reja.

Ndërkohë, pas zgjedhjeve dhe pas ngërçit gjashtëmujor, në koalicionin e ri qeverisës u bënë bashkë ata që më herët e kërkonin gërmën “R”, ata që nuk e donin “R”-në dhe ata që nuk e duanë ushtrinë as me “R” e as pa “R”. Ndryshimi tjetër në lidershipin shtetëror ndodhi më vonë – Hashim Thaçi u bë president.

Ende pa i bërë një vit në krye të shtetit, ai po e sfidon Isa Mustafën e Kadri Veselin. Po kërkon nga ta që ta bëjnë ushtrinë sa më shpejt, gjë të cilën nuk kishte arritur ta bënte vetë për më shumë se dy mandate si kryeministër. Ligjërisht, si president ka të drejtë të ndërmarrë nisma ligjore sepse këtë ia garanton Kushtetuta. Veçse në esencë, baza ligjore për transformimin e FSK-së ka kohë që është gati.

Projektligji për transformimin e FSK-së dy herë është proceduar në Qeveri, më 2015 e më 2016, dhe në të dyja herët ka mbetur aty, pasi shefi i Qeverisë gjithë kohën ka pritur të bëhen ndryshimet e duhura kushtetuese. Të njëjtat ndryshimet kushtetuese i kanë kërkuar edhe aleatët e jashtëm – punë që s’bëhet në rrethanat e tanishme.

Presidenti e di mirë këtë gjë, por ka zgjedhur ta shtyjë përpara krijimin e ushtrisë edhe pa ndryshime të tilla. Ai e di se kjo gjë pëlqehet nga shumica e popullit. Për ta dëshmuar se tash e ka përnjëmend dhe se nuk po e përdor ushtrinë për populizëm, vetëm sa për t’i kënaqur shumicën qytetare, ai duhet ta bëjë të qartë një gjë: Nëse ligji nuk kalon në Kuvend, do të japë dorëheqje.

Nuk ka arsye e as logjikë institucionale që të mbetet në udhëheqje të shtetit një komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nëse përfaqësuesit e zgjedhur të popullit nuk ia mbështesin projektligjin për ushtrinë.

Ka shembuj ku mund të mbështetet.

Ish- kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, dy vjet më parë kishte thënë se nëse e humb referendumin për reformën kushtetuese që e kishte vetiniciuar, përvoja e tij politike do të konsiderohej e dështuar dhe do të tërhiqej. Reforma nuk kaloi dhe ai e mbajti fjalën – dha dorëheqje! Me këtë akt, Renzi e dëshmoi se është i guximshëm, se është në gjendje ta humbë pozitën më të lartë në Qeveri për shkak të veprimit politik të tij, e para së gjithash tregoi se edhe në politikë ka pak moral!

Anton Quni flet për nismën e presidentit për ushtrinë

0

Anton Quni, anëtar i Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka shpjeguar se ky komision, paraprakisht pati marrë një projektligj i cili parashihte transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Sipas tij, ende është e paqartë se a bëhet fjalë për këtë projektligj apo ndonjë tjetër. Megjithatë, ai shpreson që nisma e presidentit Thaçi ta ketë mbështetjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Çdo rrugëtim tjetër, pa bashkëveprim të mirë me partnerët tanë strategjik, do të ishte një lloj i aventurës dhe do të mund të ketë pasoja të rënda për institucionet e Kosovës, por edhe për sigurinë në përgjithësi”, është shprehur deputeti Quni.

Vdes poeti Arif Demolli

0

Poeti Arif Demolli ka ndërruar jetë.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami përmes një telegrami ngushëllimi.

“Demolli ishte një kontribues i madh në letërsinë shqiptare, në gazetari, por mbi të gjitha në zhvillimin e arsimit shqip, e sidomos gjatë kohës sa ka punuar në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, thuhet në këtë telegram ngushëllimi të ministrit Bajrami, transmeton Klan Kosova.

“Arif Demolli ishte miku ynë, por në veçanti ishte dhe mbetet mik i madh i fëmijëve, sepse me krijimtarinë e tij letrare dhe me tekstet shkollore të hartuara nga ai, u rritën dhe u edukuan shumë breza”, përfundon ky telegram.

I dehuri me armë në brez shëtit në Pllavë të Dragashit

0

Pak pas mesnate, Policia e Dragashit ka pranuar një informacion që bënte me dije se një qytetar e kishte ekspozuar një armë zjarri në ambientet e një lokali hotelier, në fshatin Pllavë.

Në vendin e ngjarjes policia e ka takuar dhe kontrolluar të dyshuarin me ç’ rast i është gjetur një pistoletë e llojit TT M57 me tetë fishekë në karikator, transmeton Koha.net. Gjatë bisedës me të dyshuarin ka lindur dyshimi se i njëjti kishte konsumuar alkool, gjë që është verifikuar me alkool test dhe ka rezultuar të jetë 2.42 promilë.

Për rastin është informuar prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalët nën masën e arrestit dhe më vonë të merret në pyetje për armën.

Homazhe para dëshmorëve në Landovicë të Prizenit

0

Në kuadër të shënimit të 19-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, sot janë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në fshatin Landovicë të Prizrenit.

Të pranishëm ishin kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, përfaqësues nga Forca e Sigurisë së Kosovës, OVL e UÇK-së dhe qytetarë të cilët kanë nderuar dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës.

Gjatë këtyre homazheve u vlerësua lart kontributi i të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës, për të cilët u tha se ishin ata që vendosen themelet e shtetit.

Ramadan Muja, kryetari i Komunës së Prizrenit, ka kujtuar luftën dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë bashkëluftëtarëve të tjerë që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës.

“Këtu e 17 vjet më parë është zhvilluar lufta më e ashpër me armikun shekullor nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në krye me hirojnë legjendar të kombit tonë Adem Jashari, i cili sakrifikoi jo vetëm vet vetën për çlirimin e vendit lirinë e kombit tonë por edhe për pavarësinë . E sakrifikoi edhe familjen më të gjerë të Jasharajve. Ato monumente, shtëpitë e tyre të cilat kanë përjetuar granatime më të ashpra të një ushtrie barbare , gjenocidale, një ushtrie e cila ka luftuar edhe kundër popullit armë , popullit i cili e ka kërkuar si dritën e diellit lirinë dhe pavarësinë. Adem Jashari, me anëtarët e familjen e vet dhe me bashkëluftëtarët e vet gjithandej Republikës së Kosovës por sidomos në Prekaz tregoi se kjo tokë ka zot e ka popullin shqiptar i cili ka mbirë nga kjo tokë”, tha Muja.

Sejdi Krasniqi, nga Forca e Sigurisë së Kosovës, e ka cilësuar vend të shenjtë kompleksin memorial të dëshmorëve, duke thënë se nga aty duhet gjetur motivi për të punuar për të ardhmen e vendit.

“Këtu jemi për tu përulur para gjithë këtyre dëshmoreve , heronjve që në periudha të ndryshme kohore kanë kontribuar kanë derdh gjak dhe kanë dhënë jetën për këtë ditë. Por duke u përul gjithë herë para luftëtarëve , duke i respektuar gjithë veteranët që në periudha të ndryshme kanë kontribuar për këtë ditë. Kur jemi në këto vende të shenjët ne duhet të marrim motivin për të punuar për të ardhmen duke e kujtuar të kaluarën duhet të përkushtohemi më shumë për të ardhmen”, tha Krasniqi.

Selim Krasniqi, përfaqësues i veteranëve të luftës së UÇK-së në Prizren, ka thënë se shumë nga ata që sot i vizitojnë dëshmorët nuk e meritojnë as t’u afrohen këtyre varrezave.

“Këtyre shokëve dhe bashkëluftëtareve të mij lavdi ju qoftë . Këta janë ata që sot na ecim të lirë. Se secili njeri që vjen këtu edhe sillet okolla tyre ai nuk meriton me ju afrua afër . Po për fat të keq kemi qëlluar kësi soji dhe të shkohet qysh në fund kjo. Po ma vonë do të ju bie në mend të rinjve që me bërë ato lojërat por këtyre lavdi ju qoftë. “, tha Krasniqi./rtklive/

Malisheva, po shënon manifestimin “Epopeja e UÇK-së”

0

Në kuadër të shënimit të manifestimit “Epopeja e UÇK-së” , Komuna e Malishevës, përmes aktiviteteve të ndryshme, po shënon këto data me rëndësi në historinë e popullit shqiptar.

Në kuadër të këtyre shënimeve, Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot ka mbajtur një seancë solemne, ndërsa janë bërë nderime pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari në Malishevë, homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë, Kleçkë dhe në Prekaz.

Në seancën solemne, të Kuvendit të Komunës, krahas anëtarëve të KK-së dhe familjeve të dëshmorëve, morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, komandanti i stacionit policor në Malishevë, Halil Morina, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, dhe të tjerë.

“Ngjarja e 5, 6 dhe 7 Marsit, të vitit 1998, ishte dhe do të mbetet njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, sepse pas kësaj ngjarje u bë kthesa e madhe historike”, tha kryetari Begaj, ne fjalën e tij, ndërsa duke folur për sakrificën e familjes Jashari, Begaj tha se “Kjo sakrificë e një familjeje, është rasti më unik në botë, i një sakrifice të një familjeje, të cilët ranë për çështjen kombëtare”. Në fjalën e tij, kryetari Begaj, e përmendi edhe ish kryeministrin e vendit Ramush Haradinaj dhe luftëtarët tjerë të lirisë, të cilët, po mbahen padrejtësisht në burgje.

Ndërsa një fjalë rasti e ka mbajtur edhe kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi, i cili foli për sakrificën e familjes Jashari, rëndësinë e kësaj ngjarje dhe ndikimi i saj në rrjedhat e mëtutjeshme të historisë. “Sakrifica e familjes Jashari, ishte një histori në vete, e cila i fliste popullit shqiptar dhe botës demokratike, se populli shqiptar e ka nisur shtegtimin e saj për liri, të cilën nuk mund ta ndalë askush”, tha mes tjerash kryesuesi Thaçi, i cili shprehi mirënjohje edhe për të gjithë dëshmorët e kombit dhe të gjithë mësuesit e rënë në luftën për liri.

Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, i cili tha se “sot është një datë, kur të gjithë duhet të jemi të bashkuar, pa marrë parasysh bindjet. Sot jemi para një sfide të madhe, kur vendi ynë po përballet me rreziqe te vazhdueshme, përfshi edhe integritetin territorial dhe kushtetutshmërinë, dhe këto janë sfida të cilat duhet të na mbajnë të bashkuar”.

Fjalë rasti ka mbajtur edhe përfaqësuesi i familjeve të dëshmorëve në Malishevës, Sinan Gegaj.

Më pas, janë bërë nderime para shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, në sheshin e dëshmorëve në Malishevë, homazhe në varrezat në Malishevë dhe Kleçkë, si dhe në Prekaz, ndërsa është bërë një vizitë edhe në odën e madhe të Jasharajve në Prekaz./rtklive/

Të hapen dosjet e shkrimtarëve

0

Anullimi i takimit i paralajmëruar nga unë dhe kolegia Beti Njuma me shkrimtaren Diana Çuli tregon se sa e nderë është ende situata në një skenën letrare në vend, edhe pse kemi më shumë se dy dekada që jemi ndarë nga komunizmi. Thirrjet për protesta publike të bëra nga një shkrimtar, i cili është i angazhuar në denoncimin e krimeve të komunizmit dhe nga ana tjetër përdor metoda të ngjashme me ato të regjimit, tregojnë jo vetëm orkestrimin e shëmtuar që e shkuara po i bën të tashmes, por dhe mungesën e një kulture debati e cila duhet të vinte pikërisht nga autorë që i përkasin një tjetër kohe siç është dhe z. Tufa.

Ndryshe nga shumë vënde ish komuniste, ku intelektualë dhe shkrimtarë e pranuan natyrshëm bashkëpunimin me regjimin si pjesë e një kolane historike nga ku nuk mund të shmangeshin, në Shqipëri pas viteve 90-të ka ndodhur e kundërta. Mungesa e një debati të mirëfilltë mbi ndarjen e dy periudhave, apo qasjes që shoqëria por dhe letërsia duhet të kishte ndaj një periudhe gati 50-të vjeçare të saj, në kushtet e mungesës së një kritike dhe një shoqërie të emancipuar për ta kuptuar apo pranuar këtë dramë historike të saj, ka sjellë këto vite një debat që më shumë ka pasur në thelb goditjen e figurave të njohura të kohës me damkën e komunizmit, dhe jo një përballje dinjitoze me të.

Dihet që letërsia e shkruar gjatë soc-realizmit në thelb kishte ideologjinë në indoktrinimin e masës. Por duhet pranuar që kjo letërsi dhe në kushtet e një prej diktaturave më të egra ka pasur brenda dhe shfaqje disidence, që gjenden veçanërisht në veprën e Kadaresë, që kanë arritur të bëjnë një përballje të heshtur dhe triumfuese për vetë bashkëkohësinë që kanë këto vepra sot.
Nuk mund të ketë emancipim të shoqërisë pa pranuar këtë pjesë të errët të letërsisë dhe arteve gjatë periudhës së komunizmit, pa pranuar fatin e trishtë që shumë shkrimtarë dhe poetë patën gjatë asaj kohe, por duke mos mohuar dhe jetën me vuajtje titanike të atyre që arritën t’i mbijetonin kohës.
Mosballafaqimi me të shkuarën me qetësi dhe objektivitet, do të sjellë shpesh “incidente” të tilla, të cilat gjithnjë do të na tregojnë se nuk mund të flasim për letërsi bashkëkohore pa folur për letërsinë e soc-realizmit, e cila në thelb është pararendësja e asaj letërsie që bëjmë sot.

Nuk mund të “kryqëzojmë” me akuza të pafaktuara një shkrimtare tepër të rëndësishme në historinë e letrave dhe të shoqërisë sonë pas viteve 90-të, duke mohuar kontributin e saj, duke e parë historinë vetëm nga njëra anë. Është veprim i papranueshëm kur hatërmbetje meskine letrare i shtyjnë disa njerëz të sulen me thirrje publike e populiste për të denigruar një koleg apo kolege të tyren. Ndërkohë, ka mënyra të qytetëruara, ka institucione verifikuese të figurës, ka hapje normale të dosjeve për të parë me saktësi e pa shtrembërime çfarë ka ndodhur në të vërtetë me çdo qytetar të Shqipërisë në periudhën e regjimit.
Hapja e dosjeve të shkrimtarëve, të persekutuar ose jo, do të mbyllte njëherë e mirë një histori e cila është keqpërdorur keq për interesa shpesh dhe politike, dhe do të bënte atë katarsisin e munguar me të shkuarën. Ndoshta dhe do të shohim shumë histori ‘ndryshe” nga ato që kemi dëgjuar e lexuar deri sot”.

Të premten më 3 mars ishte parashikuar të mbahej një takim letrar me shkrimtaren Diana Culi në kuadër të takimeve “Letërsia dhe qyteti”. Takimi do të anullohej pas thirrjes publike të shkrimtarit Agron Tufa në Facebook, për një protestë massive në të njëjtin vënd ku do zhvillojej takimi me Culin, duke e quajtur atë një “vrasëse”. “Ejani të lexojmë poezitë e poetëve të vrarë Genc Leka e Vilson Blloshmi para Diana Çulit, në të njëjtin vend me vrasësen e tyre”, shkruajti Tufa dhe publikoi pasazhe nga reçenca e Diana Çulit për Genc Lekën që sipas drejtorit solli pushkatimin e shkrimtarit. Pas thirrjes për skandal, shkrimtarja ka vendosur mos marrë pjesë në aktivitet për të shmangur ndonjë përplasje të bujshme e për mos rënë pre e provokimit të Tufës.

Prizren: Arrestohet pasi zihet duke vjedhur tepihë

0

Është arrestuar i dyshuari mashkull, pasi që i njëjti është zënë në flagrancë duke tentuar t’i vjedhë tre tepihë në bodrumin e ankuesit mashkull.

Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje, thuhet në raportin e policisë.

Barcelona i ofron pagë marramendëse Messit

0

Drejtuesit e Barcelonës po bëjnë çmos që ta vazhdojnë kontratën me Lionel Messin

Objektivi kryesor i drejtuesve të Barcelonës është rinovimi i kontratës me lojtarin më të mirë të tyre, Lionel Messin.

Ylli i Argjentinës ka kontratë me kampionin aktual të Spanjës deri në verën e vitit 2018, por deri më tani negociatat për vazhdimin e bashkëpunimit kanë ngecur.

Sipas Calciomercato.com, Barcelona i ka ofruar Messit një pagë prej 35 milionë eurove vetëm që ta vazhdojë kontratën.

Mbetet të shihet se cili do të jetë reagimi i argjentinasit pas kësaj mega oferte nga klubi i zemrës. /Express/

Prizren: Tenton të vjedhë automjete në një auto-sallon

0

Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar mashkull nën dyshimin dyshimin se i njëjti disa ditë më herët me forcë kishte depërtuar në brendinë e një auto-salloni pronë e ankuesit mashkull K/Shqiptar duke tentuar të vjedhë disa automjete të cilat ishin të ekspozuara.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Tirana’ gjatë ditës së djeshme në Prizren.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.