5.9 C
Prizren
E enjte, 9 Prill, 2026
Home Blog Page 6026

Në oborrin e ish-fabrikës së duhanit në Prizren gjenden 77 fishekë

0

Një punëtor i shërbimit komunal për pastrim në Prizren, ka raportuar se në rrugën “Turgut Ozal”, në oborrin e ish-fabrikës së duhanit ka gjetur një qese plastmasi dhe gjatë tentimit që të njëjtën ta largojë nga qesja kanë rënë disa fishekë.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosvoës, raportohet se njësiti i FSK-së kanë larguar nga vendi i ngjarjes 77 copë fishekë të kalibrit 12.7 mm,

Aktakuzë për pesë persona që sulmuan konsullatën turke në Prizren

0

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve I.S., Eg.S., B.S.,Ed.S. dhe B.B., që të gjithë nga Prizreni, për shkak se si bashkëkryerës kanë kryer veprat penale Rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm.

Sipas aktakuzës të pandehurit akuzohen se, më datë 28 nëntor 2016, në cilësi të bashkëkryerësve kanë kryer një sulm të dhunshëm mbi objekte zyrtare të një personi nën mbrojtje ndërkombëtare, kur akti i tillë ka gjasë të rrezikojë personin ose lirinë e tij.

Po ashtu, të pandehurit në cilësi të bashkëkryerësve kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe pasurisë, pasi që kanë gjuajtur me koktej molotovi dhe me kubëza betoni në drejtim të konsullatës Turke, me ç’ rast është shkaktuar zjarri në ndërtesë, dhe ka pasur gjasë të madhe të rrezikojnë lirinë e konsullit dhe personave të tjerë në atë konsullatë.

Kërkon shkarkimin e drejtorëve të “paprekshëm” të Ekzekutivit të Prizrenit

0

Kuvendari i AKR-së në Prizren, Naser Bresa kërkon nga kryetari i Komunës, Ramadan Muja, që të shkarkojë edhe drejtorët “e paprekshëm”. Sipas tij, Ekzekutivi i Prizrenit, ka nevojë për ndryshime të tjera.

“Kryetari Muja mirë do të kishte qenë që të shkarkojë edhe drejtorët të cilët nuk i ka shkarkuar, sepse ata nuk po janë në gjendje një përgjigje të kthejnë”, tha Bresa.

Në gusht të vitit të kaluar, u patën shkarkuar gjashtë drejtorë të Ekzekutivit të Prizrenit. Të gjithë të shkarkuarit kanë qenë nga radha e PDK-së.

Ndërkaq, kuvendari Bresa tha se shkarkimi i drejtorëve të tjerë që vijnë nga partnerët e koalicionit, do të ishte në të mirë të Ekzekutivit.

“ Do t’i bënte mirë Komunës”, tha Bresa./PrizrenPress.com/

Shantazhohet mjeku Arsim Berisha

0

Qeveria e Ramadan Mujës, ka filluar të shantazhojë punëtorët, të cilët i përkasin partive të tjera politike. Njëri prej tyre është mjeku Arsim Berisha, anëtar i Kryesisë së LDK-së në Prizren.

Atij, deri më tash i është ndërruar disa herë vendi i punës. Ai tash është dërguar në fshatin Korishë.

Kuvendari i LDK-së, Qemajl Krasniqi, ka ngritur këtë cështje në seancën e Kuvendit të Prizrenit.

“Ndërrimi i vendit të punës mjekut Arsim Berisha i është bërë me mesazhe të telefonit”, tha Krasniqi./PrizrenPress.com/

Paralajmërohen vrasje të deputetëve për demarkacionin

0

Një deputete e koalicionit qeverisës të vendit ka marrë një kërcënim me vrasje, në prag të votimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në Kuvendin e Kosovës, raporton Gazeta Express.

“Ky do të jetë fati i deputetëve dhe liderëve politik nëse kalon Demarkacioni!”, thuhet në mbishkrimin e një fotografie me përmbajtje të ndjeshme, që i është dërguar si kërcënim një deputeteje të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pozitës.

“Tradhtia kësaj here do ndëshkohet. Pa gjyq… në emër të popullit”, thuhet më tej në mesazhin kërcënues që ka marrë deputetja.

Kryetari i Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës ka konstatuar se Kosova nuk ka humbur territor si pasojë e Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Zëdhënësi i këtij Komisioni Tomorr Qelaj, gjatë prezantimit u është referuar dhjetëra dokumenteve, duke konstatuar se Çakorri nuk i takon Kosovës, por Malit të Zi.

Në përmbyllje të prezantimit të të gjeturave, Islami ka thënë se Kosova ka 10. 905.25 km2, nga matjet që janë bërë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës pritet që në muajin mars ta riprocedojë në Kuvend Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi.

Ndalesa e udhëtimeve dëmton spiunët amerikanë dhe Amerikën

0

Shkruan: Michael V. Hayden

Urdhri ekzekutiv i presidentit Trump rreth imigrantëve nuk është pranuar mirë, dobët është implementuar dhe nuk është shpjeguar si duhet. Thënë të vërtetën, do të ishte vështirë që ai të shpjegohej, meqë nuk ishte produkt i profesionistëve të inteligjencës dhe të sigurisë, por i personave politikë dhe ideologjikë, të cilët donin që presidenti ta përmbushte njërin prej premtimeve të tij parazgjedhore, duke u marrë me një kërcënim të cilin ata e kanë tejzmadhuar. Kam dëgjuar nga shumë profesionistë të inteligjencës që duhet të jetojnë me pasojat e këtij urdhri. Ata më thanë se, gjashtë nga shtatë shtetet e involvuara në këtë ndalesë (ku Irani paraqet njëfarë përjashtimi) janë në telashe, shtete të përçara, ku burimet njerëzore janë esenciale për mposhtjen e rreziqeve ndaj SHBA-së. Në mënyrë paradoksale, ata ma kanë bërë me dije sesi urdhri ekzekutiv ua prishi besimin me bashkëpunëtorët e tyre, ku shumicës prej tyre iu kishin premtuar se do t’i mbronin gjithmonë me tërë fuqinë e shtetit amerikan. Burimet e informatave (spiunët) kanë rrezikuar shumë për ta mbajtur Amerikën të sigurt. Unë e kuptoj ankthin e tyre. Si drejtor i CIA-s, unë ua rikujtova atyre se, kur ta rekrutojnë një spiun, ata me gjasë do të jenë fytyra e vetme e shtetit amerikan, që ata njerëz do të shohin. Dhe, një akt i tillë i rekrutimit përfshin një përgjegjësi permanente morale për mirëqenien e burimit të informatave dhe për më të dashurit e tij.

Thashethemet, pëshpëritjet dhe konspiraconet shkatërrojnë jetët e njerëzve

Oficerët amerikanë të inteligjencës mendonin se kishin mundësinë t’ua ofronin burimeve të tyre tërë mirënjohjen dhe meritën e popullit amerikan. Tani, më thonë ata, ky besim është dëmtuar. Meqë kjo është një ndalesë e përkohshme, atëherë mund të bëhen edhe përjashtime. Por, sikur më tha një ish- shef i stacionit, në vendet ku oficerët e inteligjencës operojnë, thashethemet, pëshpëritjet dhe konspiraconet shkatërrojnë jetët e njerëzve. Nuk ka nevojë që të jeni paranoik, për ta parë lidhjen midis urdhrit ekzekutiv dhe gjuhës antiislame të urrejtjes të kohës para mbajtjes së zgjedhjeve.

Në Lindjen e Mesme, ku kultura bazohet te nderi, është më lehtë që të rekrutohet ndokush mbi të cilin kemi shtirë, sesa të rekrutohet dikush, shoqëria e të cilit është ofenduar. Sikur që më njoftojnë, qëndrimi fundamental i një shërbimi të inteligjencës, që është në kërkim të burimeve, është që “ne ju mirëpresim, ju keni vlerë. Shoqëria jonë ju respekton më shumë sesa shoqëria juaj”. Ai ka frikë se ky më nuk do të jetë mesazh kaq i fortë, sikur që ishte dikur. Shefi i stacionit më tregoi sesi njëra ndër tiparet kryesore të punës së tij, është shitja e ëndrrës.

Sovjetikët e kishin të vështirë në këtë aspekt, e amerikanët jo. Shumë caqe të inteligjencës – zyrtarë, pjesëtarë të ushtrisë, revolucionarë afganë, liderë fisnorë – kanë protestuar kundër politikave tona, intervenimeve, gjërave të tjera… por, ata e donin Amerikën. Ishte ideja e vendit si vend i veçantë. Ata nuk donin doemos që të vinin në SHBA, por ata e mbanin në mendje këtë shtet, si një vend ku do të ishin të mirëseardhur. Shefi i stacionit dhe unë njihnim Mohammed Shahwanin, një hero irakian dhe amerikan. Shawani kishte mbajtur flamurin e Irakut në Lojërat olimpike në Romë, në vitin 1960 për t’u bërë më vonë hero i luftës dhe komandant i forcave të armatosura kundër Iranit. Ai u bë aq i njohur, saqë Saddam Husseini e shihte atë si kundërshtar, prandaj këtij të fundit iu desh që të ikte, sa për ta shpëtuar jetën.

Nderi pret me durim që të vihet në vend

Shahwani u vendos në Leesburg. Si sunit që ishte, ai themeloi një shërbim jo sektar, i cili ishte një partner i besueshëm profesional i SHBA-së, respektivisht i CIA-s dhe trupave amerikane. Sapo u zbeh ndikimi amerikan, Al-Maliki kërkoi shkarkimin e Shahwanit. Shahwani veproi për shkak se ishte patriot irakian, por edhe për shkak se ishte mirëpritur dhe strehuar nga SHBA-ja, gjë që besonte se do të ndodhte edhe në të ardhmen. Natyrisht, sot të gjithë anëtarëve të familjes së Shahwani-t që jetojnë ende në Irak, ju ndalohet hyrja në SHBA. Shefi i stacionit tim pyet: “Si mund ta shikosh atë në fytyrë, duke i premtuar se do të përkujdesemi për të dhe për bashkëpunëtorët e tij? Çka t’u themi tërë këtyre njerëzve? Se presidenti ynë do t’ju ndihmojë atyre?”. Edhe pse formalisht jemi në luftë me Irakun, ne kemi nevojë për njerëz që kanë karakter si të Shahwani’t.

Këto efekte nuk do të kalojnë me shpejtësi. Ofendimet rrallëherë avullohen. Nderi pret me durim që të vihet në vend. Ndërkohë, ne do të mbesim me agjentë të dobët, pa besim të fortë, të cilët do të nënshkruajnë ndonjë marrëveshjeje vetëm për para. Këta janë spiunët më të këqij të mundshëm. Në të ardhmen do të ishte mirë që, paraprakisht, të konsultoheshin edhe oficerët e CIA-s, para se të merren vendimet dhe të bëhen publike.

(Michael V. Hayden është drejtor i “Chertoff Group” dhe profesor në Universitetin “George Mason”. Ishte drejtor i Agjencisë Kombëtare të Sigurimit midis viteve 1999 dhe 2005)

Rektori Vataj priti në takim nënkryetarin e Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi

0

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Dr. Ramë Vataj, të mërkurën ka pritur në takim nënkryetarin e Komunës së Prizrenit, Lulzim Kabashi. Në takim nënkryetari Kabashi e ka njoftuar Rektorin Vataj për takimin që kishte pasur ditë më parë me ambasadoren gjermane në Kosovë, Angelika Viets dhe përfaqësuesit e KFOR-it gjerman, ku është diskutuar për të ardhmen e kampit ku aktualisht është i vendosur KFOR-i gjerman.

Kabashi e njoftoi Rektorin Vataj se ai ka kërkuar nga KFOR-i që ai vend t’i kaloj Universitetit “Ukshin Hoti” pasi që edhe më parë është menduar kësisoj. Rektori Vataj e falënderoi nënkryetarin Kabashi për vizitën dhe për angazhimin e tij në këtë kuadër.

Rektori Vataj theksoi se UPZ vazhdimisht është duke u zgjeruar me programe të reja dhe se hapësirat ku aktualisht është i vendosur KFOR janë të përshtatshme për një kampus universitar. Në këtë takim u dakorduan për harmonizimin e veprimeve me komunën dhe institucionet e tjera relevante që kampi aktual i KFOR t’i kaloj UPZ-së në pronësi.

Nga sot dënoheni me 5 euro për hedhjen e cigares apo çamçakëzit

0

Që nga sot fillon implementimi i udhëzimit administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore.

Promovimi i këtij udhëzimi është bërë nga Ministri i Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor, Ferat shala, Kryetari i Asociacionit te Komunave, Naim Ismaili dhe Koloneli i Policisë, Sheremet Ahmeti.

Ky udhëzim ka për qëllim parandalimin e hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të caktuara për hedhjen e tyre, eliminimin e ndotjes dhe mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit të njeriut.

Implementimi i këtij udhëzimi fillon së pari në Prishtinë, duke filluar me gjobitje prej 5 eurove për hedhjen e cigares apo të çamçakëzit e deri tek gjoba prej 100 eurove për hedhje të mbeturinave në lumenj, liqene, apo edhe djegjen e gomave.

Shumë shpejt pritet që implementimi i tij të zgjerohet edhe nëpër të gjitha komunat e Kosovës.

Boshnjakët e Zhupës kërkojnë shërbime shëndetësore të nivelit primar

0

Boshnjakët e Zhupës kërkojnë shërbime shëndetësore të nivelit primar

Përfaqësuesit politikë nga radhët e komunitetit boshnjak kanë shprehur qëndrimin se shërbimet e kujdesit parësor shëndetësor në Luginën e Lumëbardhit nuk janë në nivel të duhur dhe kanë kërkuar nga autoritetet përgjegjëse që të ndërmarrin veprime për evitimin e lëshimeve në këtë plan.

Më të zëshmit rreth kësaj çështjeje kanë qenë të zgjedhurit nga radhët e NDS-së (Partia e Re Demokratike), të cilët pretendojnë se në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Reçanë dhe në nëntë ambulancat shëndetësore në fshatrat e Luginës së Lumëbardhit (Zhupës) ka mangësi sa i përket shërbimeve shëndetësore të nivelit primar.

Por zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit kanë konsideruar se ankesat e përfaqësuesve boshnjakë nuk janë tërësisht të bazuara në fakte, duke shtuar se ky rajon është i privilegjuar sa i përket shëndetësisë primare…/koha ditore/

Suharekë: Inskenim i vrasjes në tentativë

0

Rreth orës 22:54 minuta, Policia e Suharekës ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se në fshatin Gelancë janë dëgjuar të shtëna nga arma e zjarrit. Rreth orës 23:03 minuta policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka pyetur për rastin. Një qytetar e ka njoftuar patrullën se përderisa po lëvizte me veturën e tij të llojit “Ford” dikush kishte tentuar ta vriste duke shkrehur disa fishekë dhe dy nga ta e kishin qëlluar veturën në xhamin e pasmë dhe kishin depërtuar përtej xhamit të përparmë.

Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja dhe një fishekë i pa shkrehur. Me ta pranuar rastin hetuesit policorë kanë nisur me këqyrjen detale të vendit të ngjarjes dhe kanë kuptuar se ka mospërputhje të deklaratës së shoferit dhe provave materiale të gjetura në perimetrin e vendit të ngjarjes. Pas këmbëngulësisë së hetuesve, i dyshuari i sqaron rrethanat e rastit dhe tregon se i njëjti vetë kishte shtënë me armë zjarri të llojit kallashnikovë në veturën e tij dhe se të njëjtën e kishte fshehur në disa shkurre në afërsi të fshatit Popolan.

Pas gjetjes së kallashnikovit, policia ia ka bastisur edhe shtëpinë të dyshuarit me ç’ rast e ka sekuestruar edhe një pushkë gjahu me 12 fishekë, 8 fishekë të kalibrit 7.65mm dhe 1 fishekë i kalibrit 7.65mm. Provat materiale do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme hetimore ndërsa i dyshuari ndalët nën masën e arrestit policor për 48 orë. Mbetet të sqarohen rrethanat se ç ‘e shtyri të dyshuarin të inskenojë kë vepër./PrizrenPress.com/