2.4 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6030

Republika gjysmake, pa Ushtri

0

Krerët e shtetit premtuan vazhdimisht se do të formohej Ushtria e Kosovës, por premtimet i mori era dhe ja ku jemi në përvjetorin e nëntë të Republikës, pa atributin kryesor të një shteti-Ushtrinë

Kosova po e kalon edhe këtë përvjetor të radhës të shpalljes së pavarësisë, pa e pasur akoma të ndërtuar institucionin kryesor, që bën bazamentin e shtetit, Ushtrinë e vet. Njohësit e fushës juridike, ekspertë të së drejtës kushtetuese dhe përfaqësues të opozitës, konsiderojnë se është pikërisht kjo klasë politike e papërgjegjshme, që e ka futur në rrugë pa krye procesin e formimit të Ushtrisë së shtetit, duke e bërë atë peng të sanksionuar edhe në Kushtetutë, përmes kushtëzimit nga vota e deputetëve serbë me listë të përzgjedhjes nga Qeveria armike e Serbisë.

Premtimi për transformimin e FSK-së në Ushtri, që e pati bërë ish kryeministri Thaçi qysh në vitin 2014, së bashku me ish-presidenten Jahjaga, po shihet se ishte një premtim elektoral, dhe i njëjti sipas ekspertëve të së drejtës ka filluar të dalë në sipërfaqe edhe tani, të marrë rishtas karakter të premtimit elektoral, pa pasur shpresë se do të mund të konkretizohet së shpejti. “Lidhur me ketë çështje tash veç dihet. Në kohën e nxjerrjes së Kushtetutës së Kosovës, si në shumë fusha, edhe këtu dhe në kundërshtim me çdo normë demokratike, është futur norma e 2/3 të deputetëve serbë. Duket se kryetari i grupit punues në atë kohë ka pasur urdhër nga shefi i vet, Hashim Thaçi, që norma e tillë të futet në dispozitë kushtetuese. Mendoj se kjo është bërë për dy qëllime që janë: krijimin e një gjendjeje që të diskutohet me minoritet për interesa politike dhe individuale, gjë që qartë u pa edhe kur Thaçi u zgjodh president i vendit. Çka u premtua nuk di saktësisht po Lista Serbe e votoi atë. Edhe në çështjen e Ushtrisë duket se pushteti këtë rrugë do ta zgjedhë”, tha prof. Muhamet Kelmendi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Kushtëzimi me mosveprimin në veri

Sipas Kelmendit, më e keqja është që Ushtria e Kosovës mos të veprojë në veri të vendit, dhe ky mund të jetë kompromis për ta votuar atë edhe deputetët serbë. “Kjo do të shkatërrojë tërësisht vendin dhe një Ushtri e tillë nuk i duhet Kosovës. Jam i mendimit së këndej tani krejtësisht në fushatën elektorale po shkon përsëri kjo çështje. Qeveria dëshiron unitet me deputetët serbë, por pa u parë, gjë që e treguan në Kuvend, ndërsa edhe opozita ka atë karakter, zgjedhor. Në fund të fundit kjo edhe nënkuptohet sa i takon opozitës”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Ai konsideron se nëse mbështetemi në premtimet e dhëna tash e 6-7 vite del se kemi një anomali politike dhe një analfabetizëm të lartë. Por, këtë po e besojnë akoma qytetarët, të cilët po vazhdojnë të besojnë symbyllas në premtimet boshe që aq lirë po u shiten. “Me këtë na kanë gënjyen vazhdimisht. Atë e beri Hashim Thaçi, Atifete Jahjaga dhe madje edhe Isa Mustafa. Kurdo në prag të festës së pavarësisë deklaronin me pompozitet formimin e Ushtrisë”, tha Kelmendi.

Ushtria për konsum elektoral

Edhe prof. Riza Smaka konsideron se aq shumë po devalvohet dëshira për formimin e Ushtrisë së shtetit të Kosovës, me premtimet e kota të krerëve të shtetit, sa që tani fare pak mbetet për të besuar në planet e tyre. “Persona të papërgjegjshëm dhe të pandërgjegjshëm, në vendin tonë, gjatë fushatave elektorale japin premtime iluzore, irreale, voluntare e arbitrare, të cilat, gjatë ushtrimit të pushtetit, mbase as që orvaten për t’i përmbushur. Premtimet e tilla për qytetarët, në përgjithësi, janë irrituese, provokuese dhe bajate”, u shpreh ai. “Gjatë ushtrimit të pushtetit, veçanërisht, të atij ekzekutiv, referuar premtimeve elektorale të tilla dhe të ngjashme, në raste jo të rralla, disa nga funksionarët publikë do të duhej të shkarkoheshin, për shkak të zotimeve zgjedhore abuzive, shkohet aq larg, saqë me të njëjtat dhe përkitazi me të njëjtat, praktikohen ironizime bizare”, potencoi më tutje ai. Sipas Smakës, edhe kur është fjala për obstruksionet kundër formimit të FAK-ut të vendit tonë, të njëjtat nuk mund të cilësohen ndryshe, pos si konsekuenca të qeverisjes së keqe, qeverisjes së dobët e të dështuar me huqe të mëdha përkitazi me tema shoqërore, ekonomike, arsimore, shëndetësore e tema të tjera të rëndësishme/Kosova Sot/

Tre të arrestuar për heqjen e flamujve turq në Prizren

0

Policia e Prizrenit ka arrestuar tre persona të cilët gjatë ditës së sotme, me rastin e 9-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, hoqën flamujt turq në këtë qytet.

Lajmin e bëri të ditur në Ora e Fundit, Haris Dida – komandant i stacionit policor në Prizren -i cili shtoi se gjatë festimeve nuk ka pasur telashe.

“Nuk ka ndodhur as edhe një incident më i vogël për të cilin mund ta potencojmë, përveç dëmtimit të flamurit të Turqisë. Por, në bazë të veprimeve hetimore janë identifikuar tre persona të cilët janë ndaluar për procedura të mëtutjeshme”, ka thënë ai,.

“Në Prizren ka pasur dhe forca të shtuara të policisë me rastin e Pavarësisë së Kosovës”. /Klan Kosova/

MPJ dënon ashpër heqjen e dhunshme të flamujve të Turqisë në Prizren

0

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka dënuar ashpër heqjen me dhunë të flamujve të Republikës së Turqisë në Prizren, duke e cilësuar këtë veprim si akt vandal nga persona të papërgjegjshëm që kanë për qëllim dëmtimin e shtetit demokratik dhe multietnik të Kosovës.

Po ashtu Ministria e Punëve të Jashtme kërkon që autorët të vihen para drejtësisë dhe të japin përgjegjësi për veprimet e tyre të papërgjegjshme dhe të dëmshme.
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj ka komunikuar me Ambasadoren e Turqisë në Kosovë ku e ka dënuar ashpër aktin si të tillë, përcjell Indeksonline.

“Marrëdhëniet e Kosovës me Turqinë janë të shkëlqyera dhe si të tilla ato nuk do të pengohen e as dëmtohen nga kurrfarë akti vandal e të izoluar që nuk ja duan të mirën Kosovës dhe marrdhënieve tona miqësore me Turqinë”, ka deklaruar ministri Hoxhaj.

Pavarësia e zymtë për familjen e Miradijes nga Prizreni

0

F estën e parë të pavarësisë e pritëm me gëzim se po vijnë ditë të mira. Mirëpo, për ne e ardhmja mbetet e errët. Kështu shprehet Miradije Parallangaj, e cila këtë 9-vjetor të pavarësisë e pret në varfëri të madhe. Falë ndihmës humanitare kohë më parë që bënë shoqatat humanitare për prindërit Xhemë e Miradije Parallangaj u shërua djali i tyre, Elioni, jashtë vendit. Elioni vuante nga uji i mbledhur në veshka. Ai tani është shëruar, por i duhet që për barëra për Elionin të blejë çdo muaj nga rreth 300 euro. Nëna e Elionit, Miradije Parallangaj, që jeton në një depo me lagështi dhe pa kushte elementare shpjegon për “Kosova Sot”: “Po jetojmë me 100 euro ndihmë sociale. 300 euro na duhen vetëm për djalin që t’ia blejmë terapitë”, është shprehur ajo. Shumë e emocionuar dhe me lot për fytyre Miradija tregon se nga ajo që ka përjetuar është sëmurë edhe vetë me bazë nervore dhe nuk po arrin t’i blejë ilaçet. “Brengë e kemi Elionin, edhe pse ai tashmë është shëruar. E dërgojmë në spital, por prapë duhet ta kthejmë në këto kushte të rënda ku jetojmë”, është shprehur ajo.

Burri i operuar nga kanceri në fyt, nuk mund të punojë

“Burri s’mund të punojë, është operuar nga kanceri në fyt. Unë jam e sëmurë, djali i madh e ka të hequr njërën veshkë. Edhe Elioni ishte shumë i sëmurë, por tash për fat të mirë është shëruar me kontributin e humanitarëve”, është shprehur ajo. “Patëm premtime për një strehë, por siç duket u harrua ai premtim”, ankohet Miradije Parallanga. Ajo tutje shton se në 9-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës, e vetmja e mirë që ka ndodhur në familjen e saj është shërimi i djalit, problemet e tjera mbesin ato që kanë qenë edhe më parë. “S’kemi as bukën e gojës dhe s’di si të gëzohemi. S’kemi as pse i gëzohemi kësaj jete as kësaj feste. Jemi duke jetuar në këtë depo, por edhe ajo është në plan të rrënohet”, thekson Miradija.

Pa ushqim të mjaftueshëm

Miradija tregon se nëse i largojnë nga ajo depo, nuk e di se ku do të shkonte ajo me gjithë familjen. Brengoset se në këto kushte Elioni prapë do të sëmuret. “Unë më shumë ha lot se bukë në jetën time”, është shprehur ajo. Shton se si fëmijë ata ballafaqohen me mungesën e çdo gjëje. “Si të rriten këta fëmijë, kur s’kanë ushqim të mjaftueshëm. Nuk kemi asgjë, ama asgjë për t’iu ofruar kushte më të mira këtyre fëmijëve”, thekson ajo. Jeta e ka rrënuar shëndetin e Miradijes nga sëmundjet e familjarëve dhe nga kushtet e rënda. Karshi moshës që kishte, ajo dukej shumë më e vjetër. “Si të gëzohemi për festën e pavarësisë kur nuk kemi as bukë për të ngrënë”, shprehet ajo. Tutje shton: “Fëmijët nuk hanë pavarësi, por duan bukë”, tregon Miradija. Kjo familje ka nevojë për çdo gjë. Për të gjithë ata që duan ta ndihmojnë familjen e Miradijes ajo ka në dispozicion numrin e telefonit që është 045 273 637. Miradija shpreson se shoqatat humanitare do t’ia sigurojnë një kulm mbi kokë, ndryshe do ta kenë shumë të vështirë

Studentët e UPZ-së, homazhe para dëshmorëve

0

Parlamenti Studentor i UPZ-së, me rastin e 9 vjetorit të Pavarësisë, ka bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Landovicë.

“U nisëm nga shtëpia jonë pra nga Universiteti ynë, ku udhërrëfyes qëndron lapidari i të madhit Ukshin Hoti, për të vazhduar më tej për në varrezat e dëshmorëve në Landovicë, e nga aty në Nashec, në vendin e rënies heroike të Komandant Petritit – Remzi Ademajt”, thuhet në komunikatën për media.

“Më pas u ndalëm në kompleksin e dëshmorëve në Arbanë, ku gjendet edhe lapidari i dëshmorit Ismajl Kryeziu dhe nga aty vazhduam për në qendër të Prizrenit, për të vendosur lule pranë lapidarëve të dëshmorëve, Xhemajli Berisha, Ismet Jashari – Kumanova, Xhevat Berisha dhe Pal Paluca”.

“I nderojmë dhe përkulemi para veprës së atyre që na mundësuan ta festojmë këtë ditë, duke sakrifikuar gjithçka pa kursyer as gjënë më të shtrenjtë të tyre, vetë jetën.

Ajo që na mbetet sot neve është që secili të japim kontributin tonë nga pozitat të cilat gjendemi, drejt forcimit dhe ruajtjes së këtij shteti, themelet e të cilit janë të përgjakura ndër shekuj”.

“Konsideratë dhe mirënjohje pa fund për veprën e dëshmorëve, dhe të gjithë atyre që kontribuan që ne sot ta gëzojmë lirinë.
Duke nderuar dëshmorët ne nderojmë veten tonë. Urime 9 vjetori i Pavarsisë së Kosovës”/PrizrenPress.com/

 

Për përvjetorin e Kosovës së pavarur

0

Eqrem Kryeziu

Nuk ka dyshim se kjo është dita më e madhe e Kosovës: sublimimi i ëndrrave dhe flijimeve të brezave të tërë.

Pa e anticipuar se ç’rrugë do të marrë e ardhmja, Kosova e pavarur është pozicioni kyç dhe si i tillë është shqetësues për forcat antidemokratike e antishqiptare.

Se jemi të frustruar me parodinë e shtetit, për shkak të pushtetit të papërgjegjshëm – kjo shihet sheshazi, por kjo nuk është arsye të harrojmë rëndësinë e pavarësimit.

Përkundrazi, do të thoshim se pavarësia obligon, obligon të mbrohet me çdo çmim.

Kur ta arrijmë këtë konsensus, jo vetëm si bindje, por edhe si pjesë të patjetërsueshme të karakterit të secilit prej nesh, do të shohim një qiell me diell mbi Kosovën.Jemi në fazën kur mësojmë dhe nuk ka mësim pa pësim.

Ahtisarizmi dhe ahtisaristët

0

Driton Gashi

Të jesh ‘ahtisarist’, do të thotë të mos besosh luftën e ushtrisë çlrimtare të Kosovës. Të jesh ‘ahtisarist’ do të thotë të mos besosh tek republikanizmi. Të jesh ‘ahtisarist’ do të thotë të mos besosh tek bashkimi kombëtar, i cili është ëndërra e çdo shqiptari. Të jesh i tillë, do të thotë ta pranosh ndarjen e Mitrovicës, Zajednicën si dhe ta pranosh Demarkacionin dhe në fund ta shuash ëndërrën.Të jesh i tillë do të thotë të mos besosh tek Pavarësia por tek Pakoja e Pavarur e Ahtisarit.

‘Ahtisarist’ do të thotë të jesh qytatari i një shteti i cili është bërë shtet nga një pako. Ky lloj shtetasi është i ashtuquajtur shtetas në atdheun e tij. Ky është i ri në rajon e botë. Sepse kështu e paraqet kushteteta e tij sovrane që ka vendosur të mos jetë sovrane. Ai është njeri që përkufizohet vetëm rreth një emri të thjeshtë, – si qytetar i thjeshtë. Pa komb, pa histori, pa asgjë! Ai është disi i imponuar nga jashtë sepse vet pakoja ëshe e imponuar nga jashtë. Këta besojnë në një lloj ‘qytatarizmi evropian’ e internacionalizëm, kurse internacionalizmi mbetet rrena më e madhe e njerëzimit.

Por, të ngelemi tek ‘ahtisaristët’, që vërtetë janë të ngelur. Këta dikur s’kishin asnjë dilemë, por sot vuajnë nga dy sosh. Njëra është shtrirja dhe tjetra është shtirja. Njëra është fizike e cila ka shërim kurse tjetra është psiqike, e cila është e pashërueshme. Por, pavarësisht këtyre dy dilemave, dilema më e madhe mbetet pyetja: Si është e mundur të pranonin atë pako pa asnjë dilemë të vetme?

Ahtisaristi’ i cili e ka kuptuar shumë vonë se pakoja nuk po e lejoka shtrirjen, sovranitetitin, sot s’bën tjetër pos shtiret për këtë sovranitet. Ai s’ka çfarë të bëjë tjetër, pos të festoj, të vallzojë, e në fund të dehet. Por problemi qëndron se ai në fillim ka qenë i dehur, pastaj ka festuar e vallëzuar. Ai e ka pranuar i dehur këtë pako dhe brenda saj është izoluar.

Prapëseprapë, iu uroj këtij qytatari i cili beson tek kjo pavarësi e (pa)vërtetë, sepse tek e fundit kjo është e vërteta e tij. Por, dilema që paraqitet në këtë urim, është vetëm dilema që u shtohet atyre që pranojnë këtë urim si dilemë. Dhe në këtë rast nga dikush që se pranon këtë pavarësi të tillë e të njëanshme.
Dikujt iu desh pak kohë ta kuptoj këtë, ndërsa dikujt tjetër dhjetë vite, e dikujt tjetër do i nevojten edhe shumë të tjera. Por falë Zotit ka nga ata që e ndiejnë vetën shqiptarë të vërtetë, dhe janë në shumicë. Ata besojnë tek vërteta e shtrirjes së republikanizmit gjithandej, dhe jo tek shtirja e tij, që është Pakoja e Ahtisarit. Ata besojnë tek pavarësia e vërtetë. Kjo sigurisht, do bëhet e vërtetë vetëm atëherë kur bëhet ”Republika e Tretë”. Atëherë nuk do e uroja askë duke u shtirur dhe as që do të më uronte dikush tjetër po duke u shtirur. Sepse vetëm të shtirurit, ahtisaristët, i urojnë të shtirurve, ahtisaristëve tjerë, e këta ia kthejnë po në të njejtën mënyrë. Reciprocitet urimesh e shkëmbimesh falso.

Por, më e keqja ndër të gjitha këto, – është se të shtirurit, nuk e besojnë tek mesazhi i vërtetë por e marrin gjithmonë si të shtirur. Ata s‘shohin asgjë rreth vetës, përveç vet vetës së tyre që njëkohësisht se shohin as vetë veten e tyre se si shtiren. Ky është problemi më i madh i tyre por edhe i yni njkohësisht.
Kurse për fund, vlen të theksohet se ka një dallim substancial në mes të ‘ahtisaristëve‘ dhe vetë ‘ahtisarizmit’ si koncept i imponuar politik. Sepse ai ka mundur ta gjejë e shtrijë shrirjen e tij vetëm tek të shtirurit, ndërsa ka qenë dhe është e pamundur të shtrihet tek ata që s’shtiren,- tek shqiptari i vërtetë, i cili e do vetëm shtrirejn e repulikanizmit, – pavarësinë e vërtetë. Derisa ‘ahtisarizmi’ s’është gjë tjetër pos infektim i sovranitetit, ai kështu do e gjejë shërimin e tij e rehabilitimin, njëherë e përgjithmonë, vetëm kur të bëhet ‘Republika e Tretë’. Dhe ajo do të bëhet. Është proces i pashmangshëm historik.

Malisheva shënoi nëntë vjetorit e Pavarësisë

0

Komuna e Malishevës, përmes aktiviteteve të ndryshme, ka shënuar nëntë vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Aktivitetet e Komunës së Malishevës, filluan me mbajtjen e një seance solemne të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku fjalë rasti kanë mbajtur, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kryesuesi i KK të Malishevës, Aziz Thaçi dhe kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Metush Kryeziu.

Në këto fjalime të rastit, u vlerësua sakrifica popullit shqiptar të Kosovës, në përpjekjet për liri dhe shtetësi. Në këtë drejtim, edhe përpjekjet dhe kontributi i Malishevës, në luftën për liri dhe për shtet, si përpjekjet për zhvillim, u vlerësuan lartë, ku kontributi i Malishevës, ishte i jashtëzakonshëm, sidomos në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovsë.

Aktivitetet e Komunës së Malishevës, kanë vazhduar sipas agjendës, me homazhe dhe nderime te shtatorja e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, në “Sheshn e Dëshmorëve” në Malishevë, pastaj homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevës, nderime dhe homazhe në Prekaz, si dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë.

Më pas, në parkun e qytetit në Malishevës, është organizuar një koncert i madh, me artist nga Komuna e Malishevës dhe me artist nga estrada kosovare, ndërsa nga ora 15:00, luhet edhe finalja në turnirin në futsall.

Në Prizren, homazhe për Pavarësinë

0

Zyrtarë të institucioneve në Prizren, të prirë nga kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja kanë bërë homazhe në Prizren, njofton Klan Kosova.

Homazhet në të cilat kanë marrë pjesë edhe shumë qytetarë, janë bërë në kompleksin e dëshmorëve në Landovicë.

prizren

prizren1
download

 

Flamuri turk hiqet dhe shqyhet në Prizren! (Video)

0

Disa të rinjë në Prizren në 9 vjetorin e pavarësisë kanë shprehur patriotizmin e tyre përmes një viedoje.

Ata kanë hequr një flamur të Turqisë që po qëndronte në një shtyllë të varur në qytet, raporton Indeksonline.

Në një video dërguar në Indeksonline ata dëgjohen duke thënë “Kjo festë është e jona e jo e turkut”

Derisa tjetrin shan duke thënë “F**k turku”, për ta shkelur dhe shqyer pastaj flamurin e Turqisë.

Flamuri turk hiqet dhe shqyhet në Prizren!

Gepostet von IndeksOnline am Freitag, 17. Februar 2017