14.4 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6036

Koalicioni PDK-LDK nuk prishet as sivjet

0

Kryetari i Grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, i ka cilësuar si shumë të pafuqishëm dhe joseriozë zërat e tillë, që, sipas tij, janë zëra të pakënaqësive individuale, kurse koalicioni është stabil dhe si i tillë do të vazhdojë edhe tutje, deri në fund të mandatit kushtetues

Kohët e fundit kanë filluar të shtohen zërat publikë, deputetë brenda Grupit parlamentar të PDK-së, që po sillen në mënyrë shumë kritike në raport me punën e Qeverisë, me kërkesa të hapura për prishjen e koalicionit dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja të parakohshme.

Këto përplasje brenda koalicionit po konsiderohen si një fillim i çarjeve serioze, megjithatë është fare pak e pritshme që ta rrezikojnë Qeverinë me defunksionalizim të plotë dhe shpërbërje për ta çuar vendin në zgjedhje të shpejta. Vetë kryetari i Grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, i ka cilësuar si shumë të pafuqishëm dhe joseriozë zërat e tillë, që, sipas tij, janë zëra të pakënaqësive individuale, kurse koalicioni është stabil dhe si i tillë do të vazhdojë edhe tutje, deri në fund të mandatit kushtetues. “Unë nuk kisha dashur të flas për këto gjëra, nuk do të kisha dashur të merrem me këto qëndrime individuale, por nuk është realisht diçka që unë dua ta komentoj”, tha Zenun Pajaziti për “Kosova Sot”.

Të nënshtruar ndaj shefave

Edhe zëra kundërshtarë brenda PDK-së nuk janë shumë optimistë se mund të ndikojnë që zëri i tyre kundërshtues të merret seriozisht nga liderët e të dy partive politike, por ata theksojnë se me siguri edhe liderët do të detyrohen të dëgjojnë zërin e shtuar në kundërshtim të kësaj lidhjeje politike jo edhe aq serioze e jofunksionale. “Unë mund të flas për qëndrimin tim rreth koalicionit, i cili është i qartë: Jam për prishje të këtij koalicioni si të pasuksesshëm dhe jofunksional. Disponimi i anë- tarëve të tjerë mund të jetë, por shpesh është qëndrim ashtu siç thotë shefi!”, tha deputeti Shukri Buja për “Kosova Sot”. Edhe kundërshtari tjetër i këtij koalicioni, Shaip Muja, tha se beson që me kalimin e kohës zërat kritikë me kërkesa për prishjen e koalicionit do të shtohen, sepse dështimet janë evidente dhe mospajtimet me këto dështime janë në rritje. Mirëpo, sikur në PDK, edhe në taborin tjetër të koalicionit, në LDK, nuk tremben fare nga kërkesat dhe presioni i individëve të tillë, të pakënaqur, çfarë në realitet ka pasur dhe ka edhe brenda LDK-së/kosova sot/

Asnjë “peshk i madh” nuk bie në rrjetën e drejtësisë

0

Vazhdimi i kontrollit të ashpër politik mbi institucionet e sundimit të ligjit, edhe 9 vjet pas shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës, sipas njohësve të kësaj fushe dhe analistëve politikë, po vazhdon të jetë një nga njollat më serioze, nga e cila edhe qytetarët kanë filluar ta humbin me të madhe besimin në këtë sistem. Kjo gjyqësi dhe prokurori nuk treguan rezultate në hetimin dhe ngritjen e aktakuzave për afera si ajo e “Prontos”, ku flitet hapur për lidhje të politikës me oligarkët, ngase, sipas njohësve, që të dyja sundojnë shtetin me metoda përfitimi.

Prof. Riza Smaka thotë se përderisa prokuroritë dhe gjykatat tona lëngojnë nga dobësi të shumta, ndër të tjera, nga jo pak raste juridike të parashkruara mbase qëllimisht, si dhe të pakryera dhe në të tjerat të cilat trajtohen sipas preferencave të personave pushtetarë ca më influentë, rrjedhimisht, edhe dyshimet e natyrave të caktuara rezultojnë vetvetishëm për ndikimin e politikës dhe grupeve kriminale të interesit.

“Në këtë kontekst shërbejnë jo pak situata skandaloze çfarë ishin ‘thyerjet e dyerve të dhomave të sigurisë së lartë’ në Prishtinë e në Pejë, për të cilat, së paku, aq sa dihet publikisht, nuk janë proceduar juridikisht dot. Siç dihet, po ashtu gjetjet e Auditorit të Përgjithshëm të skandaleve abuzive të kryera nga pushtetarë të caktuar, po ashtu, virtualisht nuk procedohen dot. Së andejmi, implicite del se organet e sistemit të drejtësisë në vendin tonë janë të mbërthyera keq nga influencat politike e qeveritare në disfavorin e aplikimit të ligjit në fuqi e për aq në dëmin publik e të qytetarit”, tha Smaka, shkruan gazeta Kosova Sot.

Njerëzit e së kaluarës, në pikat kyçe

Edhe eksperti tjetër, Muhamet Kelmendi, konstaton po të njëjtën gjendje. Ai thotë se praktika e keqe e ndërtimit të sistemit të drejtësisë është një trashëgimi e bartur që nga koha e UNMIK-ut, edhe pas pavarësisë.

“UNMIKu i kishte vendosur në polici, në prokurori dhe në gjykata, madje edhe nëpër borde, si dhe në administratë njerëzit e ish- regjimit serbo-jugosllav. Këtë politikë e vazhdoi më pas edhe PDK-ja me Thaçin, madje shumë më ashpër dhe me sundim autokratik, duke vendosur njerëz të pakurriz, ishpunëtorët e regjimit, si dhe njerëzit pa virtyte në të gjitha institucionet e vendit. U vazhdua me përzgjedhjen e njerëzve me të kaluar të dyshimtë për t’i kontrolluar dhe për të mbajtur nën presion. U futën nëpër institucione vetëm militantët e regjimit, të cilët veprojnë vetëm nën diktat dhe e futën paranë si mjet të zgjidhjes së çështjeve dhe të vendosjes nëpër institucione të vendit”, tha prof.

Kelmendi. Ndërsa, sipas analistit politik Florim Zeqa, drejtësisë së sotme kosovare më së paku i shkon për shtati termi ‘drejtësi’. “Drejtësia kosovare ka vite që bashkëjeton me mafio-politikanët dhe mafio-oligarkët ekonomikë. Prokurorët dhe gjyqtarët ‘flenë’ mbi dosjet kriminale, heshtin para aferave korruptive dhe veprimeve kriminale. Arsyeja pse qytetarët nuk besojnë më në drejtësinë kosovare, është fakti se ajo është e kapur dhe e ngulfatur nga politika. Prokurorët, përveçse nuk e kanë guximin, u mungon edhe motivi për të luftuar veprat kriminale. Arsyeja pse prokurorët nuk treguan rezultate në hetimin dhe ngritjen e aktakuzave për afera korruptive dhe kriminale si ajo e “Prontos”, ku flitet ashiqare për lidhje të politikës me oligarkët, është se të dyja sundojnë shtetin së bashku me metoda përfitimi të ndërsjellë, andaj nisur nga logjika e thjeshtë, asnjë prokuror dhe gjyqtar nuk del kundër interesit të vet”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Ish- ushtari i UÇK-së, Sali Zyba u arrestua 30 herë

0

I arrestuar mbi 30 herë nga policia, pjesëmarrës në dhjetëra protesta, pjesëtar i UÇK-së, UÇPMB-së…, i lënduar disa herë, një pjesë të kohës të kaluar nëpër burgje, Sali Zyba është i gatshëm sërish të protestojë, e edhe të luftojë për luftë çlirimtare, po që se e kërkon nevoja.
Zyba njihet si heroi i protestave.

Sali Zyba, aktivist i Lëvizjes “Vetëvendosje” që nga themelimi i saj, tashmë drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, konsiderohet “heroi” i protestave dhe arrestimeve në Kosovë. Në një rrëfim ekskluziv për “Zërin”, Zyba sjell momente të vështira, të mira, mbi të gjitha të paharruara për kohën sa kaloi, më shumë se 30 herë, nëpër duar të policisë e nëpër burgje.

Më 2005, i ndaluar për herë të parë, Zyba nuk do që ta kujtojë herën e fundit kur është arrestuar, pasi që, sipas tij, hera e fundit ende nuk ka mbërritur.

“Për herë të parë në 2005-ën, në njërin prej aktiviteteve të “Vetëvendosjes”, e fundit nuk besoj që është ende e fundit. Kemi kohë për t’u arrestuar prapë, për të bërë aktivitete prapë, për të kontribuar prapë”, shprehet Zyba për gazetën “Zëri”.

E si i lënduar disa herë , ai thotë se pasojat afatgjate sa u përket lëndimeve kanë qenë të dukshme. Siç tregon Zyba, prejse e kishte lënduar boshtin kurrizor, edhe sot e kësaj dite ndihet efekti i këtij lëndimi. Porse, me bindje të thellë, ai thotë se do të vazhdojë tutje. Nuk do të ndalet.

“Po, një lëndim personalisht ka qenë në boshtin kurrizor, që ndoshta edhe sot pason kjo si vuajtje, por nuk e konsideroj se më ndal në aktivitet”, shton ai.
Përkundër asaj se ai përjetoi momente jo të lehta, arrestime, përjetime në burgje e lëndime, nuk ndihet i penduar për as edhe një veprim që e çoi shumë herë drejt prangave. Përkundrazi, ai thotë se me veprimet e tija ka kontribuar për vendin e tij… “Zëri”.

FSK-ja informon maturantët e gjimnazit “ Loyola” mbi kriteret që duhet plotësuar për t’u bërë pjesë e saj

0

Drejtues të lartë dhe oficerë të FSK-së, të premten, para maturantëve të gjimnazit “Loyola” në Prizren, kanë shpalosur ofertën e kësaj trupe që atyre u mundëson të bëhen pjesë e saj në atë ardhmen. Aktiviteti është zhvilluar në kuadër të informimit të maturantëve dhe orientimin e ardhshëm profesional, ndërkohë që interesimi i tyre për të studiuar në qendrën e studimeve të FSK-së dhe për t’u bërë pjesë e kësaj trupe ka qenë i lartë.

Gjenerali i FSK-së, Gëzim Hazrolli, dhe oficerë të tjerë të kësaj trupe, para maturantëve janë shprehur të kënaqur me kapacitetet që ofron “Loyola” dhe me interesimin e nxënësve maturantë, të cilët të ardhmene tyre e shohin në strukturat e FSK-së, natyrisht pas një përgatitjeje preofesionale që kalon në fazën e stdimeve dhe përgatitjeve tjera të parapara.

Këtë prezantim e vlerësoi lart edhe dr. Axel Bodefeld, drejtor i gjimanzit “Loyola”, i cili tha se është në interesin e tyre si institucion arsimor që nxënësve t’u ofrojnë mundësitë që të informohen për karrierën e tyre, të kenë mundësi të përcaktohen drejt, sepse ata duhet të jenë në shërbim të së ardhmes dhe të përparimit të vendit tonë.

Gjatë këtij aktiviteti, nxënësit kanë bashkëbiseduar me oficerët e FSK-së, kanë parashtruar pyetje për funksionimin e kësaj trupe, për mundësinë që të studiohet në qendrën e studimeve të FSK-së, për sfidat, përgjegjësitë, por edhe për mundësinë e ngritjes në karrierë, nëse arrijnë të kalojnë fazën testuese dhe të bëhen pjesë e kësaj trupe.

I themeluar 12 vjet më parë, gjimnazi “Loyola”, bazuar në të arriturat e testit të semimaturës dhe të maturës, vazhdon të prijë për rezultate të larta në nivel vendi.
Gjimnazi “Loyola”, poashtu, nxënësve u mundëson që pas përfundimit të shkollës së mesme të kenë mundësi të punojnë dhe të studiojnë në Gjermani, në kuadër të një projekti me kompanitë më të njohura gjermane, në fushën e teknikës, teknologjisë, sistemit shëndetësor etj. /Enver Sulaj/

Shtyhet gjykimi ndaj drejtorit të Gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren

0

Gjykimi ndaj drejtorit të gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren, Sali Ademajt dhe Hamdi Zymerajt, të akuzuar për korrupsion, nuk ka nisur të enjten ashtu siç ishte paraparë. Kjo sepse kjo lëndë ende gjendet në Gjykatën e Apelit.

Lënda penale e këtij rasti është dërguar në Apel, për shkak të ankesës së mbrojtësve ndaj aktvendimit për refuzimin e kërkesës së tyre për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Kryetari i trupit gjykues,  Xheladin Osmani, ka njoftuar se lënda penale është dërguar me ankesë në Apel para më shumë se 20 ditësh, por ende nuk ka përgjigje. Andaj, në këto rrethana, ka shtyrë fillimin e gjykimit për 6 mars 2017, me fillim në ora 09:00.

Për këto rrethana, palët në procedurë dhe gjashtë dëshmitarë, janë njoftuar direkt nga gjyqtari në kohën kur ishte paraparë të fillonte seanca.

Në shqyrtimin e dytë, Sali Ademaj, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Hazër Susuri, ka kërkuar që aktakuza të hudhet poshtë si e pabazë sepse nuk mbështetet në prova konkrete..

Një gjë të tillë ka kërkuar edhe i akuzuari tjetër, Hamdi Zymeraj, përmes avokatit të tij, Asman Hoxha, me arsyetimin se klienti i tij asnjëherë nuk ka qenë person zyrtar, dhe nuk ka punuar në arsim apo në ndonjë shkollë.

Prokuroria Themelore në Prizren, me 31 tetor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Sali Ademajt dhe Hamdi Zymerajt, të cilët i akuzon se duke qenë anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e ofertave për ekskursion të maturantëve të shkollës “Remzi Ademaj”, kanë zgjedhur ofertuesin më të shtrenjtë.

Sipas aktakuzës, me këtë veprim, të akuzuarit kanë shkelur Udhëzimin Administrativ 3/2015, sipas të cilit duhej të zgjidhej operatori me i përshtatshëm ekonomik.

Andaj, sipas organit të akuzës, me këtë rast nxënësit janë dëmtuar për rreth 4.500 euro dhe njëkohësisht u kanë shkelur të drejtat operatorëve tjerë konkurrues, të cilët kanë qenë më të lirë në çmim./betimiperdrejtesi/

Në Landovicë konfiskohet një kallashnikov

0

Hetues policorë të Stacionit Policor “Veriu” në Prizren, duke u mbështetur në informacione inteligjente, sot e kanë bastisur një shtëpi në fshatin Landovicë, njofton kumtesa e PK-sw.

Me këtë rast është sekuestruar një armë automatike të llojit kallashnikov.

I dyshuari është intervistuar në polici dhe pas intervistës me urdhër të prokurorit të shtetit i njëjti është liruar ndërsa kallëzimi penal do t’i kalojë prokurorisë sipas procedurës së rregullt.

Arrestohet zyrtari i lartë i Qeverisë, kërkonte para për zgjidhjen e një rasti në gjykatë

0

Një zyrtar i lartë i qeverisë së Kosovës është arrestuar pasditen e djeshme nga Policia e Kosovës nën dyshimin se ka kërkuar para për zgjidhjen e një lënde në gjykatë.

Sipas burimeve të KALLXO.com, i arrestuari është Zahir Bajrami i cili mban pozitën e drejtorit të financave në qeverinë e Kosovës.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për arsyet e arrestimit duke sugjeruar gazetarin që t’i referohet raportit 24 orësh të policisë.

Avokatja Adelina Isufi ka konfirmuar se mbrëmë ka marrë pjesë në intervistimin e Bajramit në Polici po nuk ka dhënë detaje.

Ajo ka thënë se ka qenë sipas detyrës zyrtare ndërsa klientin e saj sipas autorizimit vazhdon ta mbrojë një avokat tjetër.

Në raport flitet edhe për një të arrestuar tjetër.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë, pasi që të njëjtit në bashkëpunim ia kanë marrë viktimës një shume të konsiderueshme parash me qëllim të heqjes së një dënimi të shqiptuar nga një gjykatë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

I kontaktuar nga portali, Sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Fitim Krasniqi, ka thënë se drejtori i financave nuk ka dalë sot në punë në qeveri ndërsa ende nuk kanë ndonjë njoftim nga ndonjë institucion për mundësinë e arrestimit të tij.

Kryeprokurori i Prishtinës, Imer Beka, ka konfirmuar se njëri nga të arrestuarit e djeshëm është zyrtar në drejtorinë e financave në qeverinë e Kosovës.

As Beka as policia nuk kanë dhënë detaje për shumën e parave të kërkuara dhe lëndën gjyqësore për të cilën janë kërkuar paratë./Kallxo.com/

Kapet me armë në Prizren, dërgohet në mbajtje

0

Është arrestuar një person i dyshuar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë, shkruan PrizrenPress.

Rasti ka ndodhur gjatë mbrëmjes së djeshme në rrugën “Mbreti Longar” në Prizren.

I njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në qendrën e mbajtjes në Prizren. /PrizrenPress.com/

Dy vëllezër rrahen mes veti në Suharekë, konfiskohen edhe armë

0

Dje rreth orës 15:48 minuta, Policia e Suharekës është informuar për një përleshje që kishte ndodhur në Reçan të Suharekës me ç ‘rast dy vëllezër ishin rrahur në mes vete duke përdorë mjete të forta si: dru dhe një shati. Po ashtu dyshohet të jetë përdorë edhe një pistoletë e kalibrit të vogël e cila është sekuestruar së bashku me një pushkë gjahu, shkruan PrizrenPress.

Vëllezërit e dyshuar kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë ndihmën e parë në Shtëpinë e Shëndetit në Suharekë e më pas janë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren për trajtim.

Lidhur me rastin, prokurori i shtetit ka nënshkruar vendimin për ndalimin e të dyshuarve nën masën e arrestit policor.

Ndërkaq, gjatë orëve të mbrëmjes, Policia e Prizrenit e ka arrestuar një qytetar pas një informate që bënte të ditur se i dyshuari kishte ekspozuar një armë zjarri. Arma e zjarrit është sekuestruar ndërsa i dyshuari ndalet në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Arrestohet shqiptari në Vërmicë, hyri ilegalisht në Kosovë

0

Policia e Kosovës në raportin e saj ka njoftuar se ka arrestuar një person në Vërmicë i cili dyshohet se para tri ditësh ka hyr ilegalisht në Kosovë, shkruan PrizrenPress.

“Me 09.02.2017 është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë, pasi që i njëjti dyshohet se me datën e cekur kishte kaluar kufirin në mënyrë të kundërligjshme edhe pse kishte ndalesë hyrje. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë. /PrizrenPress.com/