Home Blog Page 6037

BB9/ Ervini kundër të gjithëve: Po nuk ju pëlqeu dilni jashtë!

0

Gjatë debatit për menaxhimin e buxhetit dhe ushqimeve, Damiano dhe Ervini nuk iu drejtuan asnjëherë njëri-tjetrit, por në më shumë se një rast hodhën kunja.
Damiano tha se Musës i kanë marrë fletën nga dora në momentin e bërjes së buxhetit dhe kjo nuk i ka pëlqyer Ervinit, që me ton më të ngritur iu drejtuar Musës.

“Kush ta ka marrë fletën ty? Se këtu po flitet sikur të kanë marrë fletën ty apo mua. A ta ka marrë njeri fletën?”, e pyet ai.

Toni i përdorur nga Ervini karshi Musës nuk i pëlqeu Damianos dhe as Danjelit.

“Këtu njerëzit çirren kot, flasin kot dhe s’po marrim vesh ça bëhet”, thotë Damiano duke iu drejtuar liderit Lupçe që mundohet të vendosë rregull.

Danjeli kërkon që të flitet me qetësi dhe se ngritja e zërit nuk i jep të drejtë atij që e ngre.

“Unë e di se çfarë flas dhe e mbaj mend mirë! Se ça flas unë është punë tjetër, ai që ka pakënaqësi të largohet, po të dojë le të rrijë. Këtu ka njerëz që flasin pa baza”, thotë Ervini.

Damiano i drejtohet Lupçes me një propozim.

“Unë jam shumë dakort që të marrim si shembull; unë kam katër kosa dhe jam i vetëdijshëm që i kam ngrënë të katërt dhe pyes të kujt janë kosat këtu. Pra pyes a ta marr një a jo. Po këtu nuk pyet njeri”, i thotë Damiano.

Përgjigjjen për këtë Damiano e merr nga Ervini dhe përcjelljësi sërish ishte lideri Lupçe.

“S’ke ardhur këtu me i dhënë edukatë asnjërit. Këtu o e ke edukatën, o s’e ke! Po të pëlqeu mirë!”, thotë Ervini, duke iu drejtuar edhe Lupçes që e kundërshtoi. “Nuk ke ardhur për polic këtu. Këtu kështu janë gjërat, po i pëlqeve mirë, po s’i pëlqeve dil jashtë”./Big Brother/

Mashtrimi i Ri

0

IMER MUSHKOLAJ

Përpara se të jep premtime të reja, Kadri Veseli e ka për obligim t’iu tregojë qytetarëve se çfarë ka ndodhur me përmbushjen e zotimeve të vitit 2014, nga paraardhësi i tij, Hashim Thaçi. “Fillimi i Ri” i Veselit nuk e amniston atë dhe PDK’në nga përgjegjësia për dështimin e “Misionit të Ri”. Mund të jetë veç një mashtrim i ri

Lexojeni këtë fjali: “Pas arritjes së lirisë, realizimit të pavarësisë dhe konsolidimit shtetëror, Partia Demokratike e Kosovës do të angazhohet në ‘Misionin e Ri’, i cili ka për qëllim zhvillimin e hovshëm ekonomik, themelimin e Fondit të Punësimit për krijimin e vendeve të reja të punës, si dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik”. A po ju tingëllon e njohur? Natyrisht, është premtimi i ish-liderit të PDK’së, Hashim Thaçi, i dhënë para tre vjetësh.

Atëbotë, Thaçi premtonte se gjatë katër vjetëve të ardhshëm do të investoheshin 1.5 miliard euro për ta financuar rritjen e sektorit privat të ekonomisë, do të themelohej Fondi i Punësimit, do të krijoheshin 200 mijë vende pune, investime prej gjysmë miliardi eurosh në bujqësi, investime masive në sektorin e energjetikës dhe minierave, zhvillim cilësor të arsimit dhe edukimit, krijim të programit shtetëror të strehimit, investim prej 200 milionë eurosh dhe krijim të 4000 vendeve të reja të punës në turizëm dimëror, duke hapur Qendrën Ndërkombëtare të Turizmit në Brezovicë etj.

Kështu tingëllonte premtimi për punësim: “Do të hapen 200 mijë vende të reja pune në sektorët si bujqësia, industria, infrastruktura, teknologjia informative, minierat, turizmi dhe shërbimet, duke dyfishuar kështu prodhimin vendës”.

Sot, tre vjet pas, Thaçi është në postin e presidentit, por partia e tij bashkëqeveris me LDK’në. Sot, tre vjet pas, gjithçka duket të ketë qenë një gënjeshtër e madhe. Sot, tre vjet pas, secili qytetar mund të reflektojë për të parë se çfarë është arritur nga këto premtime, në mënyrë që të mos mashtrohet sërish.

* * *

Njësoj si paraardhësi i tij që e promovonte derë më derë e gju më gju “Misonin e Ri”, Kadri Veseli tash po e promovon “Fillimin e Ri”. Por, qasja dhe sjellja e Veselit duken si të një njeriu që nuk ka kurrfarë lidhje me PDK’në e udhëhequr nga Thaçi, e një njeriu që nuk ka jetuar në këtë vend dhe nuk i di premtimet e dështimet e partisë që e udhëheq tash. Veseli ka jetuar këtu, apo jo?

“Zhvillim ekonomik dhe vende pune për qytetarët tanë. Ky është plani im”, shkruan Veseli në Facebook, teksa takohet me afaristë në atë që e ka quajtur “tur dëgjimi”.

“Vendimet tona politike duhet të rezultojnë me vende të reja të punës”, deklaron Veseli në intervista, ndërkohë që nuk e zë në gojë fare shifrën prej 200 mijë të punësuarve, premtuar nga paraardhësi tij.

Përpara se të jep premtime të reja Veseli, si lideri PDK’së, e ka për obligim t’iu tregojë qytetarëve se çfarë ka ndodhur me përmbushjen e zotimeve të vitit 2014. Ai mund të arsyetohet se PDK’ja nuk e udhëheq qeverinë dhe kjo e amniston nga përgjegjësia, por nuk është kështu. PDK, edhe në bashkëqeverisje me LDK’në e ka për detyrë të realizojë programin, me të cilin i ka marrë votat e qytetarëve.

Kadri Veseli mund të fillojë së sqaruari për qytetarët se çfarë ndodhi me premtimin për 200 mijë vende pune, për të vazhduar pastaj me premtimin e Thaçit për liberalizim vizash, fondin e investimeve, fondin e punësimit, edukimi cilësor, shëndetësi cilësore, furnizim 24 orësh me rrymë dhe luftimin e krimit e korrupsionit.

Qytetarët e Kosovës ende po i presin investimet masive të premtuara për të zhvilluar ekonominë, ende janë në pritje të një vendi pune, ende po shpenzojnë miliona për t’u shëruar jashtë vendit, ende janë të izoluar.

* * *

Pse duhet besuar Kadri Veselit me “Fillimin e Ri”, kur ka dështuar “Misioni i Ri” i partisë së tij? Veseli po bën çmos që të distancohet nga PDK’ja e Thaçit, në kuptimin e përgjegjësive dhe premtimeve të pambajtura. Ai po përpiqet të shfaqet si Njeri i Ri, që do t’i bëjë realitet zotimet e dhëna. Ai ka nevojë që të legjitimohet së pari brenda strukturave të partisë, pastaj edhe në skenën politike. Por, përpjekja për t’u amnistuar nga përgegjësia për dështimet e partisë së tij është e pamoralshme.

PDK është në pushtet gati dhjetë vjet dhe është përgjegjëse për gjithë çfarë ka ndodhur në këtë vend. Keqqeverisja, me shumë zyrtarë të zhytur në krim e korrupsion, e kanë karakterizuar dekadën e fundit.

Trashëgimia e Hashim Thaçit në krye të PDK’së dhe të qeverisë do të ishte problematike për secilin që do ta pasonte. Por, Veseli ka qenë aty, bashkë me të, ndonëse jo fort i dukshëm, gjatë gjithë kohës. Ai e di çfarë ka bërë Thaçi dhe shfaqja e tij përpara qytetarëve si dikush që “po i dëgjon” për herë të parë është hipokrizi./gazeta express/

Interi dhe Milani në garë për mbrojtësin e Liverpoolit

0

Dy skuadrat e qytetit të Milanos janë vënë në kërkim të përforcimeve të reja për sezonin e ardhshëm.
Derby della Madonnina zhvillohet në fundjavë ku dy skuadrat e Milanos do të ballafaqohen mes vete.

Por një derbi mes Interit dhe Milanit po zhvillohet edhe në merkato, aty ku këto dy ekipe janë vënë në kërkim të mbrojtësit të majtë të Liverpoolit, Alberto Moreno.Ish-futbollisti i Sevillas ka humbur vendin e titullarit në skuadrën e Jurgen Klopp dhe me shumë gjasë do të largohet nga Anfield në përfundim të stinorit.

Si Interi ashtu edhe Milani raportohet të kenë pasur kontakte me Liverpoolin, i cili ua ka bërë me dije çmimin prej 15 milionë funtesh për 24-vjeçarin spanjoll.Përkundër interesimit të dy gjigantëve të futbollit evropian, mediat angleze shkruajnë, që Moreno preferon më shumë rikthimin në Spanjë, me dëshirën për të qenë më afër familjes.Moreno ka kontratë edhe për dy vite me Liverpoolin.

Del Piero tregon si mund të fitojë Juventusi ndaj Barcelonës

0

Ikona e Juventusit, Del Piero, ka dhënë një intervistë në prag të ballafaqimit çerekfinal të Ligës së Kampioneve të bardhezinjve me Barcelonën, ku ka nënvizuar faktin se “nuk ka mbrojtje për ta ndalur MSN, prandaj duhet luajtur si një ekip ndaj tyre”.

Më tej, pyetjes nëse Juve mund ta mposhtë Barcelonën, por edhe gjërave të tjera mbi këtë përplasje të shumëpritur, ish-kapiteni u jep këtë përgjigje: “Barcelona është një ekip i jashtëzakonshëm. Megjithatë, luhet 11 kundër 11, ndaj është e vështirë të parashikohet se kush mund të fitojë. Tashmë kjo ka ndodhur dhe mund të ndodhë përsëri. Juve është një ekip i madh dhe i ka mundësitë për gjithçka. PSG-ja, për shembull, ishte një shembull në ndeshjen e parë. A do të peshojë kujtesa e finales së Berlinit? Nuk mendoj, sepse Juventusi ka ndryshuar. Dhe, përveç kësaj, një raund eleminator është shumë ndryshe nga një finale. Përmbysja e Barcelonës kundër PSG? Ajo ishte historike.

Një moment që do të qëndrojë pikë referimi në historinë e futbollit dhe Champions-it, diçka që shkon përtej të mundurës. Mbrojtja bardhezi është më e mirë në Ligën e Kampionëve. A mund ta ndalë MSN? Personalisht mendoj se ka asnjë mbrojtje që mund t’i ndalojë këto fenomene. E përsëris, ata janë individualisht të pandalshëm.Kundër Barçës ju mund të fitoni vetëm si një ekip. A mendoj se Neymar do ta fitojë “Topin e Artë”? Po, do ta bëjë atë. Veçanërisht këtë vit ka marrë rrugën e duhur. Çfarë do të vlerësoja në lidhje me filozofinë e lojës së katalanasve? Para së gjithash, unë e vlerësoj atë si filozofi, më shumë se një klub, siç lexojmë në tribunat e “Camp Nou”.

Barça transmetohet me kalimin e kohës, trajner pas trajneri, lojtar pas lojtari. Futbolli katalanas është, gjithashtu, një ndjenjë e përkatësisë, lartësim i emrit dhe talentit. Kjo është shenjë dalluese e tyre. Incidenti mes Suarez dhe Chiellini, a është harruar tashmë? Po, jam i sigurt. Në mesin e sportistëve, kësi gjërash janë të tejkaluara. Dybala? Tashmë ai ka bërë shumë dhe ka gjithçka për të ndërmarrë një hap tjetër, përpara. Shpresoj të qëndrojë te Juventusi për aq kohë sa të jetë e mundur, edhe përgjithmonë.Sezoni bardhezi i Higuain? Ekselent.

Mos harroni se Higuain nuk arriti te Juve që të mundë rekordin e tij të golave. Ai e bëri këtë lëvizje për të fituar. Tani, një nga qëllimet më të rëndësishme të Higuain është Liga e Kampionëve. Buffon, me sa duket, do të tërhiqet pas Kupës së Botës… Nuk është ende një vendim zyrtar, por unë mendoj se kjo varet nga forma sportive, në të cilën do të ndjehet në fund të vitit të ardhshëm. Çfarë më kujtohet përplasja me Barcelonën në vitin 2003? Një emocion i jashtëzakonshëm, një nga momentet më kulmore që kam jetuar në Ligën e Kampionëve. Të fitosh në “Camp Nou” është diçka e jashtëzakonshme”.

Një muaj paraburgim boshnjakut që shau policët gjatë kryerjes së detyrës në Prizren

0

Gjykata Themelore e Prizrenit e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të pandehurit nga Prizreni me iniciale A.A.

“I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, sepse me datën 07.04.2017, në orën 19:47 minuta, në rrugën “Janina” në Prizren, sulmon personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, në atë mënyrë që derisa zyrtarët e policisë me iniciale M.M. dhe E.S. ishin në pikën e kontrollit, tentojnë ta ndalin automjetin e markës “Pasat”, me targa të regjistrimit 639-KS-799, ngjyrë të zezë, me ç’rast vozitësi i këtij automjeti devijon rrugën në afërsi të policisë, hynë në një rrugicë pa dalje, e ndal automjetin dha largohet. Me këtë rast, zyrtarët policorë njoftojnë autobartjen për tërheqjen e automjetit. Derisa zyrtarët ishin duke e pritur autobartësen, vjen i pandehuri, tenton të hyj në automjet. Zyrtarët policorë i kërkojnë dokumentet për identifikim, i njëjti refuzon t’ju jap dokumentet duke iu drejtuar zyrtarëve të policisë me fjalët në gjuhën boshnjake “jebem ti albansku majku, ne poznajem vama, samo serpsku miliciju” dhe fillon t’i godas me grushte, derisa zyrtarët policorë arrijnë ta arrestojnë”, njofton Gjykata Themelore – Prizren.

Me këto veprime, i pandehuri me iniciale A.A. dyshohet se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 410 parag.2 i KP-së.

Bota kërcënohet nga djegia, shqiptarët krihen!

0

Halit Krasniqi

Asnjëherë prej pas Luftës së Dytë Botërore se sa sot, nuk ka pasur më shumë vringëllima të armëve në mes dy superfuqive botërore e konflikte luftarake me implikime të tyre të drejtpërdrejt duke përjashtuar rastin e Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë.

Në këtë pjesë të globit, po shfaqen përplasje të dy superfuqive dhe gjithë vëmendja e diplomacisë botërore është koncentruar në këto zhvillime. Kjo gjendje ka mund të parashikohej lehtësisht para se të ndodhte kështu, sepse ishin një varg zhvillimesh që iu paraprinë vendimeve që e imponuan këtë gjendje në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Nëse e shikojmë fillimin e këtij konflikti dhe zhvillimin e tij nëpër faza të caktuara duke eskaluar dhe të krahasohen me zhvillimet politike ndër ne, do të bindemi sa naive dhe sa e mjerë aktualisht është skena politike te të gjithë shqiptarët. Skenë e ndarë, e copëtuar padrejtësisht në shekujt e kaluar dhe që deri tani nuk kanë pasur premisa për të arritur synimet shekullore nëpër breza për ribërjen e Atdheut të vet.

Duke u ashpërsuar konflikti në mes interesave të superfuqive ushtarake që kanë ruajtur ekuilibrat botëror deri tani, bindemi shpejt e lehtë se në decenien e fundit është zhvendosur prioriteti i trajtimeve të problemeve të pa zgjidhura në botë.

Gjithnjë në progresion të pa favorshëm për kauzën tonë, të goditur në fillim shekullin e kaluar dhe të trajtuar me prioritet e konstruktivitet po në atë fundshekull. Gjithashtu, edhe me një qasje të favorshme edhe në fillim të këtij shekulli, të cilin disponim nuk arritëm ta shfrytëzonim si duhet. Përkundrazi shumë shpejt ashpërsuam konfliktet brenda nesh, madje u refuzua bashkëqeverisja, edhe pse ishim në gjendje të ndjeshme dhe në fokusin qendror të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Edhe pse sot kemi këtë emancipim të përgjithshëm në të gjitha oazat politike të etnisë sonë, prapë sillemi gati si para kërcënimeve të fillim shekullit të kaluar. Në fillim shekull, nga robëria shekullore, padija e popullit tonë dhe prapambetja ishin të papërshkrueshme. Nëse në atë kohë mund të justifikohen shumë sjellje e veprime inhibitive të shtresave të tëra të shoqërisë për fatet e atdheut e të kombit, gjithashtu me këtë qasje justifikimi mund të mos jemi të ashpër edhe për armiqësitë e liderëve lokal, sepse shkalla e emancipimit dhe ndërgjegjësimit ishte tejet e ulët. Në fillim shekullin e shkuar, sapo ishte krijuar alfabeti dhe ende nuk ishte përvetësuar në masë të gjerë; gjithashtu ishin pak vite që kishte filluar shkollimi në pak vendbanime shqiptare në gjuhën shqipe. Gjithashtu, të pakët pjesëtar të etnisë sonë mund të kenë qenë që kanë vizituar gjithë relievin e ashpër të Atdheut, nga veriu në jug të tij, sikur as nga lindja në perëndim. Kufij të cilët do të tkurren vazhdimisht edhe pse u bënë rezistenca të zbehta, lokale.

Pushtimi i gjatë e kishte katandisur popullin tonë në kufij të mbijetesës njerëzore. Duke qenë kështu, ndarja dhe copëtimi nga fqinjët tanë robërues të rinj dhe rezistenca jonë e dobët, do të mund të arsyetohet.

Tani nuk mund të arsyetohet kjo gjendje në mes nesh dhe assesi nuk mund të justifikohen këto sjellje e këto angazhime me objektiv të lidershipit te fokusuar në konflikte ndërpartiake, me motive ireale dhe pseudopolitike nga Tirana e deri në Prishtinë, nga Shkupi e Tetova deri në Preshevë e Ulqin.

Të bën të ndjehesh keq kur krahason gjendjen aktuale të një pjesë të lidershipit aktual, me gjendjen e tyre pasurore dhe të familjarëve të tyre para se të bëhen fytyra publike, kur sheh angazhimin pasionant me agjenda konfliktuoze me motive e suaza lokale, kur sheh jo koordinimin e tyre në papajtueshmëri me agjendën nacionale, me mungesën e hapave të fuqishëm drejt integrimeve euro atlantike, në këto momente kaq të rëndësishme, pikërisht kur po bëhet rikonfigurimi gjeopolitik global, këto motive injorante duket se po plotësojnë kapitujt tragjikomik të shekujve të kaluar dhe qenien tonë e pasqyrojnë të përulur e të copëtuar.
Lidershipi patjetër duhet të kontribuojë në ndryshimin e këtyre qasjeve dhe në ndërrimin e këtij kursi, të mos hezitojë që për hir të brezave të ardhshëm që mos t’u lëmë misione të pa mbaruara dhe projekte me të cilët do të sfidohen doemos. Për këto synime shekullore, kemi mundësitë reale si asnjëherë në historinë tonë, madje me kushte të favorshme si asnjëherë deri më tani, të bëhemi pjesë e historisë pozitive dhe pjesë e ndritshme e zhvillimeve ndërkombëtare, ashtu si në fund të shekullit të shkuar.

Arrestohet personi i kërkuar në Prizren

0

Një person është arrestuar në rrugën “De Rada” në Prizren.

Arrestimi i tij është bërë me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren.

Policia njofton se i arrestuari ka qenë në kërkim të organeve të drejtësisë.

Ai është dërguar në mbajtje./PrizrenPress.com/

Arrestohet kosovari në Morinë, ishte në kërkim ndërkombëtar

0

Policia e Shtetit ka arrestuar një kosovar në Pikën e Kalimit Kufitar në Morinë.

Kosovari Sh.B 44-vjeç nga Gjilani është arrestuar pasi që ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar.

Me rastin është duke u marrë Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Kukës.

“Më datë 09.04.2017, nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në hyrje u bë ndalimi dhe arrestimi provizor i shtetasit kosovar të shpallur në kërkim ndërkombëtar, konkretisht: -Sh.B, 44 vjeç, banues në Gjilan Kosovë”, thuhet në raportin e Policisë së Shtetit.

Ditën i përulen, natën e abuzojnë

0

Republika e Kosovës ka mbushur plot 9 vjet nga miratimi dhe fillimi i zbatimit të Kushtetutës, por tani e gati një dekadë të plotë, dokumenti bazik i shtetit vazhdon të shkelet e nëpërkëmbet, pikërisht nga kjo politikë që e ka votuar atë edhe në Kuvend. Njohësit e fushës së të drejtës dhe analistët politikë vlerësojnë se politikanët e shtetit të Kosovës po tregohen shumë hipokritë, deri edhe tallës, duke folur për Kushtetutën edhe në këtë përvjetor të radhës, e në anën tjetër abuzojnë me Kushtetutën dhe kryesisht nuk e përfillin atë.

Për pasojë të kësaj sjelljeje mbi ligjin, politika jonë e ka bërë Kushtetutën një paçavure të pavlerë, kurse politikanët e Kosovës po bëhen shembulli më i keq jo vetëm në rajon, por edhe përtej tij, për shpërfilljen e ligjeve dhe Kushtetutës së shtetit të tyre. “Pikërisht, institucionet dhe funksionarët publikë më të përgjegjshëm për përfilljen e Kushtetutës, të njëjtën, jo rrallëherë e kanë nëpërkëmbur, madje me shumë vrazhdësi. Kushtetuta mund të nëpërkëmbët në mënyrë eksplicite dhe implicite. Gjatë këtyre nëntë vitesh të historikut të Kushtetutës së vendit tonë, e njëjta, në jo pak raste, nuk është përfillur nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi as Qeveria e Kosovës”, tha prof. Riza Smaka, ekspert dhe një nga pjesëmarrësit në hartimin e këtij dokumenti.

Shkelja e VLAN-it Smaka ka konstatuar se shkelja më serioze që i është bërë Kushtetutës së shtetit ka ndodhur në rastin VLAN-it, sepse, sipas tij, Gjykata Kushtetuese, në vend të interpretimit konsekuent të dispozitës së nenit 95 të Kushtetutës, që t’i jepte autorizim edhe koalicionit paselektoral për të propozuar mandatarin për kryeministër, padrejtësisht dhe pa precedencë e ka “autorizuar” ekskluzivisht koalicionin paraelektoral, i cili sikundër dihet nuk kishte kapacitete të votave, dhe ashtu ka qenë krijuar një bllokadë institucionale e panevojshme, e padrejtë dhe e dëmshme. Smaka konstaton se Kushtetuta nuk është zbatuar edhe në shkeljet e pretenduara për dy rastet e ish-presidentëve, Sejdiut dhe Pacollit.

“Ajo Gjykatë, duke e shpërfillur Kushtetutën në favorin e kërkesave politike ditore ka pas dhënë opinion juridik të paqëndrueshëm në rastin ‘Sejdiu’ sikundër në rastin ‘Pacolli’. Në rastin ‘Sejdiu’, Gjykata Kushtetuese e ka interpretuar arbitrarisht nenin 88 të Kushtetutës, me të cilin presidentit nuk i lejohet ushtrimi i asnjëfarë funksionit publik as partiak pos të presidentit, por implicite nuk i ndalohet mbajtja pasive e funksionit të caktuar.

Ne rastin ‘Pacolli’ Gjykata në fjalë pati krijuar precedent të paqëndrueshëm për obligimin e deputetëve për të marrë pjesë dhe për të votuar për apo kundër zgjedhjes së presidentit, ngase edhe sipas Kushtetutës përkatësisht ligjit të aplikuar deputeti mund të mos marrë pjesë në seancë të Kuvendit deri në gjashtë muaj, një dhe dy, mund të votojë për apo kundër, mund të mos votojë përkatësisht të abstenojë. Në kontekst me këtë, ndërprerjen e procesit të votimit të cilësuar antikushtetutar, e njëjta Gjykatë nuk e ka përfillur në rastin ‘Thaçi’! Pr,a precedentin e vet Gjykata Kushtetuese nuk e ka përfillur”, tha prof. Smaka. Sipas tij, shkelje kushtetuese po bën edhe Qeveria e Kosovës, kjo e tanishme, duke mos e proceduar deri në miratim e aplikim aktin ligjor nga neni 13 i Kushtetutës referuar kryeqytetit, nga neni 18 i Kushtetutës referuar ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, nga neni 99 i Kushtetutës përkitazi me Qeverinë etj.

Irina është bërë nënë

0

Bradley Cooper është bërë baba.

E fejuara e tij Irina Shayk ka lindur fëmijën e parë në fund të marsit, të paktën kështu bën të ditur revista “People”.

Ai 42 vjeç dhe ajo 31, janë prindërit e rinj të cilët e kanë mbajtur lajmin të fshehtë për dy javë, dhe për momentin për fëmijën nuk dihet asgjë, madje as gjinia.

Nga ana tjetër, asnjë nga të dy nuk ka komentuar, dhe as konfirmuar lajmin e shtatzënisë së saj, që kur modelja u shfaq me bark në pasarelë në sfilatën e fundit të Victoria’s Secret në fund të nëntorit.