14.1 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6040

Policia konfiskon armë në Kushnin të Prizrenit

0

Policia e Kosovës, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ka konfskuar një pushkë gjuetie dhe një armë AK-47 në fshatin Kushnin të Prizrenit.

“Lidhur me rastin, sot më datën 07.02.2017 nga i dyshuari mashkull K-Shqiptar është konfiskuar një pushkë gjueti me leje me afat të skaduar ndërsa më vonë pas hetimeve të zhvilluara është gjetur dhe konfiskuar edhe arma AK-47 me një karikator e cila dyshohet se është ekspozuar në rrjetin social Facebook”, thuhet në raportin e PK-së, përcjellë PrizrenPress.

Me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Vetura del jashtë rruge në Caralevë të Suharekës, lëndohet një pasagjere

0

Një aksident ka ndodhur në orët e para të mëngjesit e së martes, në fshatin Caralevë të Suharekës.

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij me targa vendore nga pakujdesia dhe mos përshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës humb kontrollin mbi veturën dhe del jashtë rruge, raporton PrizrenPress.

Si pasojë e aksidentit për veç dëmeve materiale, lëndime trupore ka pësuar një pasagjere, e cila është dërguar në Emergjencën e Ferizajt për tretman mjekësor. /PrizrenPress.com/

Pesë vendimet e reja të LDK-së në Prizren

0

Lidhja Demokratkike në Prizren ka marr 5 vendime të reja.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, përmes llogarisë së tij në Facebook.

Ai, ndër të tjera, ka thënë se LDK është e vendosur për fitore. “Vazhdojmë me punë, të konsoliduar, unik, të mobilizuar si asnjeherë më parë. Pa hamendje, të qartë, dhe të vendosur në fitore”, ka shkruar Avdyli, raporton PrizrenPress.

Postimi i tij i plotë:

Vendime nga mbledhja e kryesisë së degës dhe kryetarë nendegësh:
1. Vazhdimi i kujdestarive me anëtar të kryesisë
2. Mbledhje një herë ne muaj të kryesisë dhe nj? herë ne muaj me nendegë , deri ne prill e nga prilli cdo dy javë
3. Rifillimi e konsolidimi i punës se grupeve të ekspertëve për plotesimin e programit qeverisës Prizreni me Ldk-në 2017-2021
4. Takime te shpeshtuara në nendegë e bashkebisedim me qytetarë dhe prezentim i alternativës qeverisëse të Ldk-së
5. Përgaditje per shënimin e 17 shkurtit nga ana FR Ldk-së, 7 marsin nga ana komisonit per arsim , 8 marsit nga ana FG dhe 27 vjetorit të degës së Ldk-së ne muajin mars .
Vazhdojmë me punë, të konsoliduar, unik, të mobilizuar si asnjeherë më parë.
Pa hamendje ,të qartë, dhe të vendosur në fitore.

Në geto edhe në 2017!

0

Qytetarët e Kosovës po rrezikohen seriozisht që edhe këtë vit të mbeten banorët e “enklavës” së vetme në zemër të Evropës, të ndëshkuar pa liberalizim të vizave, vetëm e vetëm si pasojë e moskomunikimit dhe mungesës së koordinimit të politikës vendore që të përmbushen edhe dy kriteret e fundit të mbetura pezull, e që janë qartësimi i vijës kufitare me Malin e Zi dhe lufta kundër korrupsionit, me prova konkrete në nivelin e lartë politik. Analistët politikë theksojnë se vazhdimi i ndëshkimit të gjatë të qytetarëve të Kosovës po vjen pikërisht për shkak të kësaj klase politike tërësisht të papërgjegjshme dhe ndëshkimi nga BE-ja do të vazhdojë të peshojë mbi qytetarin e pafajshëm edhe më tutje derisa vetë qytetarët nuk ngrihen për ta ndëshkuar klasën politike të papërgjegjshme dhe të kriminalizuar.

Politologu Bejtullah Ibrahimi konsideron se premtimet astronomike elektorale, për vende të reja pune dhe integrime evropiane, më saktësisht liberalizimi i vizave, kanë qenë karta më e fortë e subjekteve politike, për të ardhur ose vazhduar qeverisjen me pushtetin shtetëror.

“Kjo qasje e mashtrimit të hapur publik u përdor fuqishëm pas shpalljes së pavarësisë dhe vazhdoi zgjedhje pas zgjedhje dhe realiteti mbetet po ai, i zhgënjimit qytetar karshi pritjeve që kishte për punësimet masive dhe liberalizimin e vizave, sepse klasa politike në përgjithësi gjithmonë prioritet iu dha pazareve politike, përfitimit enorm përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit, por asnjëherë nuk i pati prioritet premtimet e dhëna”, theksoi ai, shkruan gazeta Kosova Sot.

Kriteret e paplotësuar

Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Ilir Fetahu, thotë se klasa politike kosovare, si pozita ashtu edhe opozita, mbajnë përgjegjësi nëse me urgjencë nuk plotësohen kriteret e fundit për vizat dhe qytetarët e Kosovës detyrohen të presin në pafundësi, pa shpresë edhe një vit tjetër që të lëvizin lirshëm sikur shtetasit e vendeve të tjera në fqinjësi.

“Tash për tash procesi në pritje i liberalizimit të vizave është një nga momentet më të rëndësishme aktuale që mund t’u ndodhte qytetarëve të Kosovës, si një lloj frymë- marrje e shëndetshme për qytetarët dhe Kosovën në shumë aspekte. Sikur që dihet, BE-ja i ka përcaktuar dy kritere, të cilat Kosova akoma nuk i ka plotësuar, që janë ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimi i korrupsionit në nivelin e lartë, ku kërkohen rezultate konkrete”, u shpreh ai.

“Unë konsideroj që të dyja këto kushte mund të arrihen, por se nuk janë vendime që duhet të merren ad-hok dhe kuturu”, potencoi më tej Fetahu.

Sipas tij, duhet të ndodhë patjetër Demarkacioni, por vetëm me një saktësi të plotë të përcaktimit real të tërë- sisë së territorit të Kosovës.

“Duhet të dihet qartë ku është kufiri i Kosovës dhe a po humb Kosova me këtë marrëveshje. Nëse ka gabime ato të përmirësohen dhe rishikohet marrëveshja pa vonesë”, theksoi ai.

Bashkë në abuzime

Edhe njohësi tjetër i kësaj fushe, Blerim Burjani, thotë se pikërisht kjo papërgjegjësi e bashkëveprimit politik është e keqja, sepse as pozita e as opozita nuk janë më të përgjegjshme se njëra-tjetra.

“Të dyja palët janë klanore, nepotiste, janë të ushqyera me militantizëm partiak dhe bëjnë politika familjare dhe partiake”, theksoi ai.

Sipas tij, qytetarët duhet të hulumtojnë vetë dhe të vendosin çka më tutje, a dëshirojnë të qeverisen nga kjo klasë politike që pasurohet prej xhepave të qytetarëve, apo dëshirojnë të kenë një klasë tjetër politike dhe një alternativë politike të përbërë nga inteligjenca.

“Tani krejt kjo varet nga qytetarët se kë do ta votojnë në zgjedhjet e ardhshme, deri pas së cilave duket se nuk do të kemi as liberalizim vizash, për shkak të kësaj klase politike të papërgjegjshme”, tha Burjani për “Kosova Sot”.

Driton Gashi, drejtor i ri i AKI-së

0

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, bashkë me kryeministrin e vendit, Isa Mustafa kanë emëruar drejtorin e ri të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Duke u bazuar në Nenin 84 (21) dhe Nenin 94 (8) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe Nenin 5 (3 dhe 5) të Ligjit nr. 03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, presidenti Thaçi dhe kryeministri Mustafa, morën vendim për emërimin e Driton Gashit, drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Shefi i ri i AKI-së, Driton Gashi, ishte sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Ushtria, brenda këtij viti

0

Derisa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolenberg, thotë se për formimin e Ushtrisë së Kosovës duhet të vendosin vetë kosovarët, bërja e vendit me ushtri po shihet ende si mundësi e largët. Stolenberg ka theksuar se NATO-ja nuk ka kompetencë për themelimin e ushtrisë kosovare, sepse kjo iu takon autoriteteve në Prishtinë.

Në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) ndërkaq besojnë se viti 2017 do të jetë viti i formimit të Ushtrisë së Kosovës.

“Ne besojmë dhe shpresojmë që përfundimisht viti 2017 do të jetë viti kur Kosova do të bëhet me forca të armatosura, duke e realizuar kështu një dëshirë të kamotshme jo vetëm të MFSK-së, pjesëtarëve të FSK-së, por edhe të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Remzie Zeqiraj, oficere për marrëdhënie me publikun në MFSK.

Sipas saj, MFSK-ja dhe FSK-ja janë të gatshme për të marrë mision dhe detyra të reja.

“Ne kemi kryer punën tonë dhe po vazhdojmë të punojmë më tutje sipas misionit aktual. FSK-ja është aktive në ruajtjen e kapaciteteve ekzistuese dhe e gatshme për marrjen e detyrave të reja që i janë paraparë misionit të FAK-ut”, ka përfunduar ajo. /Zëri/

President, mos apliko në UNESCO !

0

Seremb Gjergji

Kosova në fushën diplomatikë nuk ka bërë asnjë veprim pozitiv për të aplikuar sërish në UNESCO! Diplomacia Kosovare përmes Ambasadorëve nuk ka arritur të bindë as Shtetet që na kanë njohur si SHTET që të na përkrahin në anëtarësimet tona në institucionet ndërkombëtare; veçmas në UNESCO.

Aplikimi i sërishëm në UNESCO, pa sinjale të qarta për anëtarësim, do të ishte hapi më i gabuar i diplomacisë tonë. Nëse aplikojmë sërish dhe dështojmë në anëtarësim të Kosovës në UNESCO, vendi ynë do të bëhet GAZI i botës. Jo vetëm që do të humbnim kredibilitetin, por edhe do ta kemi shumë të vështirë të kthehemi në këtë pikë ku jemi sot.

Politika kosovare nuk duhet të lejoi vendin tonë që të kthehet në një Palestinë të dytë në fushën diplomatike. Andaj: Kosovë mos apliko në UNESCO? Angazhimi i shtetit amerikan për njohjen e Kosovës ka qenë i pakrahasueshëm. Por, angazhimi ynë ishte tepër i ligsht. Ndoshta, vetëm i ka shërbyer ish zv. Ministrit Selimi për temë të doktoraturës?! Diplomacia jonë nuk ka arritur t’i bindë as vendet që tashmë na kanë njohur Kosovën të votojnë për ne.

Pse kemi ardhur në këtë pikë?

Mos angazhimi ynë konkret ka sjellë në këtë pikë.

Dështimin dhe zhgënjimin më të madh e në garën e para-dy vjetëve e kemi marrë nga vendet myslimane. Duket se ambasadori ynë që tash sa vjet duhej të ishte në pension z. Rexhep Boja nuk ka arritur t’i bindë një pjesë të madhe të vendeve myslimane ta përkrahin kauzën tonë; edhe pse Kosova ka shumicën e popullatës myslimane.

Pastaj, vet Presidentja Jahjaga nuk mori pjesë në ditën e votimit në sallën e votimit. Nuk ishte prezentë t’iu thot TUNGJATJETA të gjithë kolegëve të sajë nga e gjithë bota dhe t’iu tregonte se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka njohur të drejtën ndërkombëtare të Kosovës për Pavarësi. Ndërsa, ish Ministri i Jashtme, tash Presidenti Thaçi, bënte foto për Facebook.

Mungesa e lojtarëve tanë në fushë, bëri që Presidentët e Brazilit, Rusisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut të kërkojnë nga secili shtet pjesëmarrës mos-votimin e Kosovës në UNESCO.

Kosova për 3 vota nuk ka fituar – ka marrë vetëm 92 nga 95 sa është dashur. Ndërsa me 6 nëntor gjatë votimit për UNESCO në Paris, Kosova ka qene e njohur nga 111 shtetet.
Mos angazhimi ynë ka dëshpëruar dhe ka zhgënjyer të gjithë edhe aleatin dhe mikun tonë Amerikën. Mos ta bëjmë gabimin e njëjtë?!
Aplikimi i Kosovës pa asnjë përgatitje, do të zhgënjente edhe miq dhe aleat të tjerë. President, kujdes se do ta humbim seriozitetin si shtet.

Eqrem Kryeziu: Nuk e votoj LDK-në

0

Ish-nënkryetari i parë i LDK-së Eqrem Kryeziu, sivjet nuk do të vojtojë subjektin e dikurshëm të tij, LDK-në.

Pengesë për të votuar LDK-në, është Isa Mustafa dhe Ismet Beqiri.

“Kam deklaruar se përderisa në LDK është Isa e Ismeti nuk do të votojë atë parti”, tha Kryeziu për RTV Besa ,transmeton PrizrenPres.

Këtë vit, do të mbahen zgjedhjet lokale, ndërkaq që nuk përjashtohen edhe ato nacionale në Kosovë.

Kryeziu, tha se zotimin e dhënë për të mos e votuar LDK-në, nuk do të ndryshojë.

“Nuk kam arsye të ndryshojë atë zotim. As nuk më shkon mendja”, tha Kryeziu./PrizrenPress.com/

Gjykatësi i Ramadan Mujës, shkon në Gjykatën Speciale

0

Njëri nga 19 gjykatësit e sapoemëruar të Gjykatës Speciale ka një përvojë të gjatë gjykimi të rasteve të shumta në gjykatat e Kosovës.

Gjykatësi nga Republika e Çekisë, Vladimir Mikula, është emëruar gjykatës në gjykatën speciale, kompetencat e të cilës përfshijnë gjykimin e ish drejtuesve të UÇK-së, aktakuzat eventuale ndaj të cilëve pritet të lëshohen në javët apo muajt në vijim.

Mikula ka shërbyer për disa vite si gjykatës në misionin e Bashkimit Europian për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX.

Mikula ka gjykuar disa nga rastet e ndjeshme në Kosovë viteve të fundit përfshirë edhe rastin ndaj kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja; rastin ndaj ish sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj; rastin e të akuzuarve për krime lufte ndaj Slbobodan e Sreçko Martinoviq dhe Svetlana Stojanoviq; rastin e Ukë Rugovës; rastin e policëve të Kosovës të akuzuar për incidentin me truprojat e ministrit serb, Aleksandar Vulin si dhe rastin e akuzës për kërcënim të kryetarit të komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ndaj gazetares Jeta Xharra.

Bashkë me Mikulan, janë emëruar edhe 18 gjykatës të tjerë.

KDI publikon fletënotimin për Malishevën, Rahovecin, Dragashin dhe Mamushën

0

Sipas rezultateve të Fletënotimit për periudhën Janar-Dhjetor 2016, të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në Kuvendin e Komunës së Malishevës, anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë janë: Valon Hoti (LVV) me 22.7 %, Ahmet Rrahmanaj (PDK) me 14.6 %, dhe Januz Kastrati (LDK) me 12.6 % të vlerësimit të përgjithshëm.

Anëtarët e këtij institucioni janë ngritur gjithsej 483 çështje, nga ku rezulton se 50 % e çështjeve të ngritura kan qenë të dedikurar në interes të qytetarëve të kësaj komuna, derisa 50 % e tyre kanë pasur të bëjnë me aspektet procedurale të punës së organeve të Komunës së Malishevës. Derisa, më aktiv në ngritjen e çështjev del të jetë anëtari i Kuvendit të Komunës së Malishevës Valon Hoti (LVV) duke shënuar numrin më të lartë të çështjeve me 26.0 % , përcjellur nga Ahmet Rrahmanaj (PDK) dhe Januz Kastrati (LDK) me nga 15.0 % përkatësisht 13.0 % të çështjeve të ngritura.

Në Kuvendin e Komunës së Rahovecit, anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë janë: Florije Boshnjaku (AAK), me 14.5 %, Fatmir Iska (AAK), me 11.0 %, dhe Rasim Fazliu (PDK), me 8.2 %, të vlerësimit të përgjithshëm. Anëtarët në drejtim të ekzekutivit të kësaj komune kanë parashtruar gjithësejtë 200 pyetje, nga të cilat 62 % e tyre kanë qenë nga fushat me interes për qytetarët e Rahovecit ndërkaq 38 % e pyetjeve të inicuara kan qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Rahovecit.

Në Kuvendin e Komunës së Dragashit, anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë janë: Zaim Hajredini (AKR) me 10.4 %, pasuar nga Velid Hadzisin (VAKAT) me 10.3 % e Samedin Xheladini (LDK) me 9.7 % të vlerësimit të përgjithshëm. Velid Hadzisin (VAKAT) ka shënuar nivelin më të lartë të diskutimit lidhur me pikat e rendit të ditës me 10.2 % të diskutimeve të përgjithshme.

Anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në Kuvendin e Komunës së Dragashit kanë qenë: Kapllan Fetahu (LDK) me 13.7 % i përcjell nga Zaim Hajredini (AKR) me 11 % të pyetjeve të përgjithshme.

Anëtarët që prinë me rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Mamushës janë: Abdulhadi Krasniç (KDTP) me 34.9 %, Halim Sadiku (PDK) me 34.5 % dhe Mehmet Mazrek (KTAP) me 9.5 % të vlerësimit të përgjithshëm.

Anëtarët e KDTP-së në Kuvendin e Komunës së Mamushës në këtë periudhë kanë shënuar nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në diskutime në të gjitha seancat e mbajtura përgjatë periudhës Janar-Dhjetor 2016 me 34.7 % të pasuar nga KTAP dhe PDK me nga 31.9 %.

Gjatë seancave të mbajtura në periudhën Janar-Dhjetor 2016, nga anëtarët e Kuvendit të komunës së Mamushës janë ngritur gjithsejtë 65 çështje, prej të cilave 48 % nga fusha me interes për qytetarët e Mamushës, ndërsa 52 % e çështjevë të inicuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të kësaj komune.

Këto të dhëna janë nxjerrë në kuadër të “Fletënotimit” që përmban analizë dhe notim për punën individuale të anëtarëve të këtyre kuvendeve të komunave dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këto institucione për periudhën janar-dhjetor 2016, bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit. /PrizrenPress.com/