10.3 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6066

Kërcënimet serbe shtojnë presionin për Ushtrinë e Kosovës

0

Pas situatës së fundit të krijuar me provokimet e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës, fillimin edhe të rreshtimit të forcave të ushtrisë dhe policisë së këtij shteti përgjatë vijës kufitare me Kosovën, me kërcënime të hapura, analistë politikë dhe njohësit e fushës së sigurisë konsiderojnë se është momenti i fundit kur institucionet e shtetit duhet të punojnë me urgjencë për transformimin e FSK-së në ushtri. Analisti dhe eksperti i fushës ushtarake dhe të mbrojtjes, Naim Maloku tha për “Kosova Sot” se institucionet e shtetit të Kosovës munden dhe duhet të veprojnë që t’i ndërtojnë dhe t’i avancojnë kapacitetet e tanishme mbrojtëse të FSK- së, duke krijuar kapacitete të mjaftueshme teknike dhe humane, me këtë buxhet që tani e kemi në dispozicion që, përveç mbështetjes që e kemi nga NATO-ja, respektivisht forcat e KFOR-it, edhe Kosova të mundë të japë kontributin e vet për t’u përballë me sfidat më të mëdha se kjo.

“Pra, me sfida të kërcënimit edhe me mjete ushtarake dhe policore, e që mund të vihet në pikëpyetje integriteti dhe sovraniteti i vendit. Pra, konsideroj që një formë e tillë e avancimit teknik dhe human e FSKsë, pa nevojën e ndërrimit të emrit, mund dhe duhet të bëhet, madje pa e pasur fare nevojën e dërgimit në Kuvend për ndryshim të Ligjit dhe as për amendamentin të Kushtetutës për të kërkuar dy të tretën e votave të deputetëve të pakicës serbe. Kosova duhet dhe mundet ta forcojë forcën e vet mbrojtëse në këtë mënyrë, sepse ka modele të shteteve që funksionojnë kështu. As Japonia dhe as Izraeli nuk e kanë të emërtuar ushtrinë si ushtri”, theksoi ai.

Kapacitetet mbrojtëse duhen ndërtuar

Edhe analisti politik, Ali Hertica tha se Kosova po vonohet jashtëzakonisht shumë në gjetjen e formulës për ndërtimin e kapaciteteve të veta mbrojtëse, që gjithsesi do të bashkëvepronin me forcat ndërkombëtare në mbrojtje të kufijve të shtetit, derisa edhe synimi i Kosovës është anë- tarësimi i shpejtë në NATO. “Nocioni shtet është real, e ka edhe kuptimin e palëkundur vetëm kur e ka të ndërtuar edhe forcën e vet mbrojtëse, që kujdeset dhe jep kontributin ligjor e kushtetues në mbrojtje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të shtetit, e cila pozicionohet dhe mban nën kontroll çdo pikë kufitare të shtetit, që siguron dhe garanton kundërpërgjigje për çfarëdo agresioni apo sulm të jashtëm mbi shtetin. Reflektimi në këtë drejtim tani nga institucionet e shtetit është tepër urgjent dhe nuk duhet të vonohet, aq me tepër kur i kemi provokimet e hapura të politikës së Beogradit”, ka thënë ai.

“Zyrtarët serbë nuk ngurrojnë aspak, por flasin hapur për planet e dërgimit të ushtrisë serbe në Kosovë nën pretekstin e mbrojtjes së minoritetit serb. Ky paralajmërim nuk është asgjë tjetër veçse një planifikim perfid i agresionit të mundshëm dhe cenim i rendit kushtetues e sovranitetit të shtetit të Kosovësthirrje për luftë”, tha Hertica për “Kosova Sot”.

Zbehja e shtetësisë Sipas analistit Florim Zeqa, neglizhenca e tepruar e institucioneve tona për bërjen e ushtrisë së Kosovës, jo vetëm që ka zhgënjyer qytetarët e vendit, por e ka zbehur në masë të madhe edhe shtetësinë e vendit tone,derisa tani,në rrethanat e krijuara, pas provokimeve të hapura dhe kërcënimeve të fundit për luftë të Serbisë, duhet të mobilizojnë gjithë klasën politike për ta bërë sa më parë Forcën e Armatosur të Republikë së Kosovës. “Në rast të invazionit ushtarak serb, nuk mund të mbrohemi vetëm me forca policore, duke u mbështetur gjithnjë në forcat e KFOR-it. Tashmë ka ardhur momenti i fundit që të ndahet “shapi prej sheqeri”, të dihet saktë- sisht pozicioni i shtetit tonë. Përderisa krerët shtetërorë dhe partiakë e kanë gojën plot shtet të pavarur dhe sovran, atëherë duhet të mbledhin forcat urgjentisht për formimin e ushtrisë së shtetit tonë, ashtu sikurse e kanë të gjitha shtetet e pavarura, pavarësisht pengesave dhe obstruksioneve të pakicë serbe,….të gjejnë mundësitë financiare për të investuar menjëherë disa qindra miliona euro nga buxheti i shtetit në pajisje dhe armatim modern për ushtrinë, e cila do të jetë e zonja të mbrojë shtetin tonë,…për të plotësuar kushtet që sa më parë Kosova të anëtarësohet në organizatën më të fuqishme ushtarake në botë- NATO”, ka potencuar ai.

“Përfundimisht, me formimin e ushtrisë së Kosovës, përveçse do të kthehej besimi i qytetarëve në shtetin e tyre, do të qartësoheshin edhe kompetencat ekzekutive të presidentit të vendit dhe kryeministrit. Besoj se urimit tim, që 9- vjetori i shpalljes së pavarësisë ta gjejë shtetin tonë me ushtri, do t’i bashkohen të gjithë bashkatdhetarët në trojet etnike dhe diasporë. Në të kundërtën, nëse kjo klasë politike tregohet e paaftë për themelimin e ushtrisë para 17 shkurtit, atëherë më mirë të dorëhiqet e të shkojë në theqafje të pakthim, për t’u lëshuar rrugën forcave përparimtare që kanë guximin të përballen me të gjitha pengesat deri në vetëflijim për bërjen e shtetit me ushtri dhe institucione krejtësisht të pavarura nga Beogradi”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Vendimi i Arbitrazhit është përfundimtar

0

Seremb Gjergji

Vendimet e Gjykatës së Arbitrazhit janë përfundimtare. Madje çdo vonese në implementimin e afateve të caktuara nga Arbitrazhi dënohet me interesin mujor të kamatave bankare vendore (lokale) të shumës totale të caktuar nga Arbitrazhi.

Në qershor të 2016-së Kosova është anëtarësuar në Gjykatën e Arbitrazhit, edhe përkundër presioneve dhe pengesave që ngriste Serbia. Kosova është shteti i 120 anëtar i kësaj Gjykate. Kjo gjykatë ka marrë vendim për “Lëndën e Pasaportave” të ngritur nga shtypshkronja shtetërore austriake “OeSD (Osterreische Staatdrukerei GMBH)”, e që rishtazi është hedhur poshtë nga Gjykata e Apelit e Kosovës.
Por në Vendimin Përfundimtarë të kësaj gjykate shkruan: “Kundër vendimit të Arbitrazhit nuk ka mundësi ankese dhe autoritetet në Prishtinë janë të detyruara që në afatin prej 14 ditëve të paguajnë shumën e caktuar prej €4.996.000.00 milion eurosh plus shpenzimet.

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës për të anuluar vendimin e Arbitrazhit he kthyer në rigjykim lëndën është i dëmshëm dhe ndoshta edhe i pamundur.

Njëherësh e dëmton Republikën e Kosovës në disa drejtime:
1. Tregon se Qeveria dhe Kryeministri Mustafa kanë ndikim direkt mbi Gjyqësorin e Kosovës dhe vendimet e tij.
2. Në Kosovë nuk investon asnjë kompani e huaja e cila llogaritë se nesër mund të përballet me të njëjtat probleme.
3. Imazhi ndërkombëtarë i Kosovës në fushën e Drejtësisë dhe Jurispondencës është lënduar tej-mase.
Të gjithë Gjykatësit, Prokurorët dhe Avokatët në Kosovë e që janë serioz në punën e tyre mund t’i konfirmojnë lehtësisht tri (3) segmentet e lartpërmendura.

Ligji për Arbitrazhin ka qene i aprovuar gjate administratës se UNMIK-ut në vitin 2001, dhe pas shpalljes së Pavarësisë, në vitin 2008 është rivotuar nga Kuvendi i Kosovës. Sot ky ligj është pjesë e pakos së ligjeve të Kosovës.

Në aspektin juridik, Gjykata e Apelit nuk ka qenë as pjesëmarrëse e as faktorë mbrojtës i lëndës në Arbitrazh, që e bënë edhe më të pamundur vendimin që e ka marrë. Nga i gjithë procesi del që Qeveria e Kosovës mund të humbë edhe raste të tjera po në këtë gjykatë dhe borxhet mund të rriten çdo ditë nga shkalla e interesit të shumës së borxhit.
Më ke se kaq, kompania austriake OeSD mund ta padis edhe Shtetin dhe Gjykatat e Kosovës për përzierje në sistemin e DREJTËSISË dhe në këtë mënyrë Kosova do ta humbim edhe IMAZHIN ndërkombëtarë; dhe fillojmë t’i tregojmë botës se nuk jemi të denjë të ndërtojmë shtet të së drejtës.

Njësoi do të ndodhë edhe me vendimin e Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit me seli në Paris që ka dhenë për padinë që ka bërë Zmobile ndaj Telekomit të Kosovës për mos përmbushje të kontratës. Të njëjta masa mund të aplikohen edhe më Telekomin e Kosovës dhe kompania do të jetë e obliguar të paguaj €26.1 milion euro plus shpenzimet që arrijnë në €30 milion euro. Të gjitha këto dënime, dhe të tjerat në të ardhmen do të bëhen barrë shtesë për të paguar qytetari i Kosovës.

“Shigjeta” e UÇK-së kërkon të mos ndahen dëshmorët

0

Ish- eprorët e Operaciontit “Shigjeta” të UCK-së kanë kërkuar nga Komuna e Prizrenit, që të mos bëjnë ndarjen e dëshmorëve në Kompleksin Momerial në Gorozhup të Hasit.

“Tashmë Kompleksi Memorial i U?K-ës në Gorozhup është në fazën e përfundimit, prandaj kërkojmë nga ju, si investitor i këtij projekti, që të përfshihen të gjithë dëshmorët e rënë në Operacionin “Shigjeta” si dhe ata duke filluar nga Luan Haradinaj dhe dëshmorët e Brigadës së Komandantit Mujë Krasniqi në dhjetor ’98, dhe ata në Rugovë të Hasit 29 janar 1999 në këtë Kompleks Memorial”, thuhet në kërkesën e “Shigjetës”, dërguar Komunës së Prizrenit.

“Duke i skalitur emrat e të gjithë dëshmorëve në këtë Memorial, nderojmë familjet e dëshmorëve, gjithë pjesëtarët e Operacionit “Shigjeta”, dhe luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qysh nga fillimi i saj”.

“Vetëm kështu besojmë se ky Kompleks Memorial do të shndërrohet në një vend të shenjtë organizimi e përkujtimi të përvjetshëm nga populli ynë”, shkruan PrizrenPess.com.

Kërkesën është nënshkruar nga ish-eprorët:Bilall Syla, Rrahim Bekteshi, Fazli Berisha Binak Gashi, Jusuf Kuqi.


TË RËNË NË OPERACIONIN ‘SHIGJETA’
NË PASHTRIK (MAJ – QERSHOR 1999)

– Në DT1 (Bataljonin Atlantiku) me Komandant Hysni Syla, më vonë Uran Rexhepi dhe zëv.kom.Binak Gashi – nuk ka rënë asnjë ushtarë në fushëbeteja
– Në DT2/TF-0, me komandant Bilall Syla dhe kom. i TF-0 Fadil Zejnullahu kanë rënë dëshmorë:
1. Avdi Ibrahim Xhaqku, 10.01.1971- 01.06.1999 nga Hogoshti i Dardanës (ish-Kamenicës);
2. Bedri Habib Gashi, 28.08.1967 – 04.06.1999 nga Orllati i Drenasit;
3. Lulzim Hashim Llugiqi, 05.01.1973 – 05.06.1999 nga Dobraja e Lipjanit;
4. Florim Rrahman Rushiti, 02.04.1979 – 26.05.1999 nga Kapiti i Medvegjës;
– Në DT3/TF-2 me komandant Fazli Berisha dhe zëv.kom.Ramiz Neziri kanë rënë dëshmorë:
5. Bafti Nexhip Haxhiu, 11. 06. 1955 – 26. 05. 1999 nga Skifteri (ish-Gjylekari) i Vitisë;
6. Safet Zeqir Peci, 13. 06. 1974 – 31. 05. 1999 nga Mitrovica;
7. Xhelal Behlul Sopi, 21. 11. 1977 – 01. 06. 1999 nga Petrovci i Gjilanit;
8. Astrit Hekuran Suli, 15. 04. 1976 – 27. 05. 1999 nga Kuçova e Beratit;
9. Zejnullah Rrahim Zena, 27. 07. 1967 – 03. 06. 1999 nga Sojeva e Ferizajit;
10. Aliriza Selman Selmani, 05.11.1973 – 27.05.1999 nga Tetova;
11. Ejup Tafil Kosumi, 09.03.1977 – 31.05.1999 nga Stanovci i Epërm i Vushtrrisë;
12. Salih Halim Zenuni, 26.08.1979 – 26. 05. 1999 nga Lubizhda e Vitisë;
– Në DT3 / TF-3 me komandant Ruzhdi Saramati dhe zv.kom.Avdi Ibrahimi, kanë rënë dëshmorë:
13. Beran Muhamet Gashi, 12.02.1974 – 31.05.1999 nga Prizreni;
14. Gani Hamdi Saramati, 04.01.1968 – 31.05.1999 nga Petrova e Prizrenit;
15. Selver Bajram Maçkaj, 04.01.1967 – 31.05.1999 nga Malësia e Vërrinit Prizren;
16. Shpend Sefer Berisha, 27.06.1959 – 31.05.1999 nga Volljaka e Klinës;
17. Abdurrahman Xhylbehar Gërdellaj, 19.11.1974 – 02.06.1999 nga Rrenci i Sharrit
18. Sali Islam Saramati, 03.04.1963 – 31.05.1999 nga Dobrushti i Prizrenit.

UPZ arrin marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Sarajevës

0

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Sarajevës. Marrëveshja akademike është nënshkruar të hënën në mes të Rektorit të UPZ-së, Prof. Dr. Ramë Vataj dhe Rektorit të US, Prof. Dr. Rifat Skrijelj.

Udhëheqësit e të dy universiteteve e vlerësuan lartë arritjen e kësaj marrëveshje akademike.

Në bazë të marrëveshjes, bashkëpunimi do të zbatohet përmes rrjetëzimit dhe shkëmbimit reciprok të mësimdhënësve, personelit të kërkimit, studentëve dhe stafit tjetër për ligjërata, vizita dhe shkëmbimin e përvojave; Pjesëmarrjen e përbashkët dhe aplikimin për fonde të caktuara për arsimin, kërkimin dhe aktivitetet artistike; aktivitete të përbashkëta arsimore, trajnuese ose kërkimore; organizimin e përbashkët të konferencave, simpoziumeve, kongreseve, seminareve, kurseve, shkollave verore, seminareve dhe formave të tjera të bashkëpunimit me interes të përbashkët; shkëmbimin e literaturës profesionale, teksteve mësimore dhe publikimeve të tjera universitare; shkëmbimin e informacionit në fushat me interes për të dy palët; organizimin e programeve të përbashkëta të studimit dhe aktivitete të tjera me interes të përbashkët.

Rektori Vataj me këtë rast theksoi se kjo marrëveshje është e një rëndësie të veçantë pasi që në UPZ krahas gjuhës shqipe studimet organizohen në disa drejtime edhe në gjuhën boshnjake dhe studentët nga ky komunitet por edhe të gjithë studentët e tjerë do të kenë mundësi të vijojnë studimet në nivele të ndryshme në Universitetin e Sarajevës. Ai shtoi se bashkëpunimi do të jetë i gjithanshëm më këtë universitet dhe e falënderoi Rektorin Skrijelj për gatishmërinë e treguar për të bashkëpunuar me UPZ-në në fushat akademike.

Ndërkaq edhe Rektori i Universitetit të Sarajevës, Prof. Dr. Rifat Skrijelj e vlerësoi lartë arritjen e kësaj marrëveshje duke theksuar se ata do të jenë të hapur për bashkëpunim në të gjitha fushat akademike të interesit të ndërsjellë dhe duke shprehë gatishmërinë që studentët boshnjak në UPZ por edhe të përkatësive të tjera do t’i kenë dyert hapur në US për vijimin e studimeve Master ose në nivel të Doktoraturës.

Shtyhet sërish procesi mësimor në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren

0

Procesi mësimor nuk do të fillojë as nesër(e martë) në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren.

Drejtori Shaip Buduri ka njoftuar se përkundër përpjekjeve, as sot nuk kanë mundur t’i eliminojnw problemet e nxehjes.

“ Për rrjedhën e mëtejmë do të ju informojmë sërish”, tha Buduri./PrizrenPress.com/

Arrestohet një person me uniformë të ushtrisë serbe në Prizren

0

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Prizren një qytetar serb të veshur me uniformë të Ushtrisë së Serbisë.

Arrestimi i tij është kryer rreth orës 11:30 dhe me vendim të prokurorit të dyshuarit serb nga rrethi i Prizrenit, i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha ka konfirmuar arrestimin e qytetarit serb, derisa ka thënë se serbi i arrestuar ka nënshtetësi të Kosovës.

“Diku rreth orës 11:45, qytetarët kanë informuar se në qytet është parë një qytetar me uniformë ushtarake. Policia ka intervenuar, e ka arrestuar qytetarin dhe në konsultim me prokurorin e Shtetit është vendos që ai të ndalet me masën e arrestit për 48 orët e ardhshëm”, ka thënë Berisha për Insajderin.

Gjatë tre ditëve të fundit, situata ndërmjet shteteve të Kosovës dhe Serbisë ka qenë e tensionuar për shkak të një treni serb me sloganin “Kosova është Serbi”, që tentoi të futej në Kosovë.

Treni u ndalua me urdhër të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, pasi autoritetet e Kosovës kishin njoftuar se nuk do ta lejonin hyrjen e trenit në territorin e Republikës së Kosovës. /Insajderi.com

Fshati Kuk, që nuk u përkul ndaj pushtuesve sllavo-ortodoksë

0

Fshati Kuk i Opojës është fshati që gjatë historisë arriti të frymonte shqip, përkundër presionit të madh të pushtuesit sllav. Fshati shtrihet rrëzë maleve të Sharrit, në lartësinë mbidetare 1150 m. Nëpër Kuk kalon lumi i fshatit, kurse pasuritë natyrore të Kukit janë kullosat, toka fushore dhe ujërat. Studiuesi Bedri Halimi shprehet se këtë vendbanim, ndonëse nuk e gjejmë në dokumente të shkruara, mendohet se ky fshat është mjaft i vjetër. Ndryshe, sipas shënimeve statistikore në vitin 1865 fshati kishte 45 shtëpi; rreth vitit 1879 i kishte 40 shtëpi; kurse sipas regjistrimit të vitit 1913 kishte 563 banorë; në vitin 1918 kishte 60 shtëpi me 347 banorë shqiptarë; në vitin 1912 kishte 63 shtëpi me 433 banorë; në vitin 1948 i kishte 71 shtëpi me 640 banorë; në vitin 1953 kishte 83 shtëpi me 655 banorë; në vitin 1961 i kishte 79 shtëpi me 669 banorë, të gjithë shqiptarë; në vitin 1971 kishte 97 shtëpi me 985 banorë (966 shqiptarë, 19 të tjerë); në vitin 1981 i kishte 131 shtëpi me 1334 banorë, të gjithë shqiptarë. Ndërsa, në vitin 1991 i kishte 161 shtëpi me 1625 banorë. Fshati ka lidhje të mira rrugore, shkollën e plotë fillore, ambulancën “Nënë Tereza”, disa dyqane tregtare e zejtare si për punimin e drurit, lëngjeve dhe prodhimin e kaloriferëve etj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Toponimia shqipe

Fshati Kukit ka sipërfaqen 6,62 km2, ku jetojnë 1750 banorë në 185 shtëpi. Për nga numri i popullsisë dhe shtëpive është vendbanimi i tretë në Opojë. Mëhallët që e përbëjnë fshatin përputhen me fiset Kelaj, Durakaj, Velaj, Tafaj, Medaj, Hoxhaj dhe Pashtraj. Ndër toponimet që gjenden në këtë territor veçohen: Sefos, Ostrika, Baxhak, Ndërvorrëza, Ligata, Defalle, Livadhe, Begit, Livadhet e mëdha, Rakita, Hederza Lithiza, Ndërlugjez, Lug, Gurthi, Livadhet e Muratit, Stërga, Guri çamë, Mllakat e Danës, Guri i Hakulit, Kodra e Vashave, Rrethi i Pites, Guri i gatë, Gropshta e sipër, Verri rrahës, Vija e ahut, Norshinëz, Kroi i Hakmagjes, Kroi Kadisë, Kroi Leros, Kroi Gurit të gatë, Kroi Nusos, Përroi gurëzve, Reka Kukit, Guri qenit, Guri Limuar, Guri Stërgos, Guri Kthyet, Guri shejas etj. Halimi shpjegon se sipërfaqja e arave është 135 ha, e livadheve 87 ha, e kullosave 407 ha dhe e pyjeve 12 ha.

Opoja nën sundimin e egër bullgar

Treva Opojës shekuj me radhë ishte territor i Bizantit. Për një kohë të shkurtër, në fillim të shek. XII, Opoja ishte nën pushtetin bullgar. Faktet tregojnë se populli shqiptar përjetoi periudhën më të errët të ekzistimit të vet, gjatë kësaj kohe. Opoja, gjatë kësaj periudhe, pësoi dëme shumë të mëdha. Më pas, shumë fshatra të saj, sunduesit e Nemanjiqëve i bënë pronë të manastireve të veta, si ai i Shën Arhangjejve, Shën Premtes etj. Të gjithë banorët u ngarkuan me taksa të mëdha dhe punë të detyruar, që duhet ta bënin për interesat e okupatorit. Për shembull, gjersa Drinia ishte e ngarkuar të siguronte drithin për Manastirin e Shën Arhangjejve, sredskasit siguronin sanën, opojarët e furnizonin këtë manastir me prodhime blegtorale (mish, tëlyen, djathë e kajmak). “Në fushën e besimit, gjuhës dhe kulturës u bënë ndryshime të dhunshme dhe shumë të mëdha në ketë trevë”, rrëfen Halimi. Sipas tij, qendra kishtare shqiptare në Ulinë, e cila tubonte rreth vetes të gjitha kishat e Opojës, Gorës, të Sdretskajve dhe një pjese të fshatrave të Tetovës u la pas dore, derisa shtresa e ngritur feudale shqiptare për t’u favorizuar u përfshi në skizmën e Kishës lindore, në mënyrë që përmes kësaj të bëhet sllavizmi i kësaj treve të pastër iliroshqiptare. Halimi shpjegon se në këtë periudhë u bë ndërrimi i dhunshëm i emrave të banorëve, mikro dhe makro toponimisë.

Krahina më pak e hulumtuar

Opoja, trevë etnikisht shqiptare që për nga pikëpamja e kulturës shpirtërore e materiale ka një trashëgimi të pasur me elemente dhe me vlera të veçanta, për fat të keq, nuk është e njohur sa duhet. Për Opojën nuk janë bërë studime e hulumtime shteruese, ndaj edhe ka mbetur sot e kësaj dite një ndër trevat shqiptare më pak të njohura dhe më pak të studiuara. Pikërisht për këtë arsye dr. Sadik Mehmeti, punonjës shkencor në Arkivin e Kosovës dhe ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë dhe në Fakultetin Filozofik në Universitetin “Hasan Prishtina”, duke qenë edhe vetë i lindur dhe i rritur në këtë trevë, i është qasur punës hulumtuese e studimore e cila ka kulmuar me botimin e librit “Kontribute për historinë e Opojës”. “Është një përpjekje për të sjellë të dhëna për disa ngjarje, personalitete e institucione të kësaj treve, kryesisht të shekullit XX dhe është padyshim një libër me vlera të pakontestueshme historike për Opojën”, tregon prof. Mehmeti. E ashtuquajtura histori e fshehur, ajo që zhvillohet në margjinat e ngjarjeve të rëndësishme shoqërore, pas analizave të hollë- sishme dhe shumështresore mund të tregohet si faktor i rëndësishëm në krijimin e disa parimeve të reja shoqërore. “Një nga njohuritë më të rëndësishme deri tek e cila mund të arrijmë në atë mënyrë, është për shembull, kush ishin prijatarë në luftën për emancipimin fetar, dhe ngritjen e vetëdijes kulturore e kombëtare në Opojë, njerëz të cilët çdo minutë të kohës së tyre e shfrytëzuan për këtë qëllim”, thotë Mehmeti.

Fshati i kurbetçinjve

Bedri Halimi duke folur për “Kosova Sot” tregon se ka shumë kurbetçinj dhe numri i tyre është i madh dhe është numër lëvizës. “Kemi të punë- suar në Gjermani, në Austri, në Itali, në Zvicër”, shprehet Halimi, duke shtuar se kjo plagë e ka goditur secilin vendbanim shqiptar. Banorët që jetojnë në fshat janë të kënaqur me kushtet e jetesës. Ata shprehen se rruga është e asfaltuar, kurse në disa pjesë është edhe tubëzimi, derisa edhe infrastruktura tjetër është e realizuar në masë të konsiderueshme. Banorët thonë se ka nevojë për renovim të rrjetit të ujësjellësit si dhe ndërtimin e rrugës së bjeshkës. Banorët kryesisht merren me blegtori. “Banorët vazhdojnë t’i ruajnë disa nga traditat e vjetra, veçanërisht dasmat e kanagjeqet”, tregon Halimi. Ndryshe, banorët e Kukit kanë ankesa ndaj KEDS-it, sepse në acarin e ditëve të fundit ata mbeten plotë një javë pa energji elektrike. Edhe dëmet ekonomike nga ndërprerja e rrymës ishin të mëdha. Ata pohojnë se KEDS-i në raste e këtilla duhet pasur kujdes se si sillet karshi një rajoni të tërë.

(Kosova Sot)

Zafir Berisha: Vetëm zgjedhjet do të mund të bënin ndryshime

0

Deputeti nga ‘Nisma’ për Kosovën, Zafir Berisha, ka nënvizuar se zgjidhja më e mirë për tërë këtë katandisje që po ndodh në Kosovë, do të ishte që së pari të pastrohej politika dhe përmes saj edhe drejtësia që është e kapur nga politika, derisa siç tha jemi dëshmitarë se drejtësia në Kosovë është e kapur nga politika dhe për rrjedhojë ajo nuk mund që ta pastrojë politikën, pasi ato janë si dy hallka të një zinxhiri.

Por, sipas Berishës, për ta ndryshuar këtë gjendje të brishtë dhe aspak të mirë në drejtësi dhe në institucionet e tjera shtetërore, duhet fillimisht të gjykohet nga qytetari përmes votës dhe pastaj të futet në mënyrë thelbësore që të pastrohen organet e drejtësisë.

“Duke e ditur se vetë politika është e kriminalizuar dhe implikuar edhe në organet e drejtësisë, nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i nevojshëm dhe domosdoshëm për qytetarin nga kjo kastë politike. Andaj, vetëm zgjedhjet do të mund të bënin ndryshime për të mirë, ngase për rrjedhojë, duke ndërruar kastën politike do të ndryshonin më pastaj për të mirë edhe gjërat edhe në fushën e drejtësisë”, ka deklaruar për gazetën “Kosova Sot” deputeti Zafir Berisha

(Kosova Sot)

Prizren: Deshën të vrisnin dëshmitarin, një muaj paraburgim për të dyshimtit

0

Gjykata Themelore e Prizrenit e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaj të pandehurve nga Prizreni me inicialet N.P. dhe L.K. ndërsa i pandehuri i tretë me iniciale GJ.P. gjendet në arrati, njofton kumtesa, transmeton Koha.net.

Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, sepse me datën 11.01.2017, rrethe orës 17.00, në rrugën “Aleksandër Flamengo”, në bashkëveprim mes vete, me dashje dhe paramendim, tentojnë ta privojnë nga jeta të dëmtuarin me inicialet I.B. , të cilin në lokalin e tij e sulmojnë, njëri me sëpatë dhe tjetri me armë zjarri duke shtënë dy herë në të, dhe të cilët i shkaktojnë plagë në pjesën e poshtme të trupit-këmbë, me qëllim të hakmarrjes që të mos dëshmojë si dëshmitarë në një proces gjyqësor që është duke u zhvilluar pranë kësaj gjykate ku i akuzuar është i pandehuri me inicialet N.P.

Me këtë veprim të pandehurit me inicialet N.P. dhe L.K dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale vrasje në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 dhe nenin 31 të KPK-së si dhe për të pandehurin N.P. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPK-së.

Mësimi ka filluar në të gjitha shkollat e Malishevës

0

Gjysmë vjetori i dytë i vitit shkollor 2016/2017, ka filluar në të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës dhe nuk është regjistruar asnjë problem. Kështu ka bërë të ditur drejtori i arsimit, Avdi Morina, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve. Me këtë rast, kryetari Begaj dhe drejtori Morina, i kanë uruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit, për fillimin e gjysmë vjetorit të dytë.

Përndryshe në mbledhjen e rregullt të qeverisë komunale, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka kërkuar nga drejtoritë, që të jenë të gatshëm për fillimin e realizimit të projekteve të planifikuara për vitin 2017. Edhe drejtori i financave, Vesel Krasniqi, ka bërë të ditur se të gjitha drejtoritë janë të njoftuar me planifikimet buxhetore, ndërsa dha vërejtje për neglizhencë nga ana e Ministrisë së Financave, për mos alokim të mjeteve, dhe siç tha drejtori Krasniqi, “mund të ketë vonesë deri në muajin shkurt, gjë e cila do të sjellë probleme serioze për komunën”.

Gjatë javës së kaluar, sipas drejtorit për bujqësi, Murat Hoxha, ka përfunduar shpërndarja e lopëve qumështore, ndërsa drejtoria që ai drejton, është në përgatitje të realizimit të projektit për ndërtimin e tridhjetë serrave për këtë vit. Kurse drejtori i urbanizmit, Ahmet Morina, ka bërë të ditur, se drejtoria është duke bërë incizimin e rrjeteve të kanalizimeve, si dhe janë bërë përgatitjet për fillimin e realizimit të projekteve, ku në mesin e tyre janë edhe tri shkolla të reja.

Drejtori për Gjeodezi dhe Kadastër, Blerim Thaçi, ka njoftuar për raportin e punës së drejtorisë, ku sipas të dhënave të nxjerra, viti 2016 ka qenë i suksesshëm edhe në grumbullimin e të hyrave nga drejtoria, ku janë realizuar 14 mijë euro më shumë se viti paraprak.

Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Milazim Morina, ka njoftuar se gjendja e rrugëve është e mirë, ndërsa drejtoria gjatë këtij viti, do të ketë prioritet rritjen e hapësirave të gjelbëruara dhe rregullimin e ndriçimit publik edhe në vendbanime tjera.