18.8 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6072

Kabashi i Hasit, aty ku ende bëhen martesat sipas traditës

0

Kabashi i Hasit shtrihet në jugperëndim të Prizrenit. Është ky fshat që vazhdon të ruajë disa nga traditat e moçme. Dr. Fejzë Kabashi, nga ky fshat, duke folur për “Kosova Sot”, shprehet se në fshat aktualisht jetojnë rreth 90 familje me mbi 900 banorë. Kabashi është fshat kodrinor-malor, por ka edhe fusha të gjera dhe pjellore, ka burimin e ujit të pijes si për nga sasia ashtu edhe për nga cilësia më të mirin në rajon.

“Banorët jetojnë me tradita siç janë në gjithë rajonin e Hasit, por kohët e fundit vërehet një devijim nga traditat e vjetra. Megjithatë, shumë nga to ende ruhen me xhelozi. Ende atje bëhen dasmat e kanagjeqet si dikur. Edh rendi familjar respektohet. Fejesat dhe martesat e të rinjve me përqindje shumë të madhe bëhen përmes parapëlqimeve familjare që pasqyrojnë traditën e lashtë shqiptare, moshat gjithashtu respektohen skajshmërisht”, shprehet Kabashi.

Sipas tij, raportet ndërfqinjësore janë të mira dhe ekziston bujari e jashtëzakonshme në mes të banorëve. Kabashi rrëfen se të ardhurat për familje kryesisht vijnë nga zanati i bukëpjekësit, zanat të cilin meshkujt nga mosha 18 e deri 60 vjeç e kryejnë me krenari, duke punuar nëpër të gjitha vendet e botës. “Një fat i mirë vërehet vitet e fundit që rinia kanë filluar të arsimohen, duke mos pasur dallim gjinish, por që zanati i bukëpjekësit vërehet si pengesë për arsimimin e gjinisë mashkullore”, shprehet Kabashi. Sipas tij, edhe bujqësia është e zhvilluar në nivelin familjar dhe mbi 90 për qind e familjeve mbajnë bagëti të ndryshme, kryesisht për nevoja familjare, shkruan gazeta Kosova Sot.

Shkolla me shumë nxënës

Në fshat ekziston shkolla fillore 9- vjeçare, ndërsa ajo e mesme ndodhet 7 km larg në fshatin Romajë. Në Romajë njëherësh është edhe ambulanca më e afërt e fshatit. Adem Morina, drejtor i shkollës “Dëshmorët e Hasit”, pohon se shkolla e fshatit numëron 200 nxënës.”Shkolla jonë posedon një infrastrukturë moderne. Nga viti 2010 udhëheq drejtorinë e kësaj shkolle dhe vlen të theksohet se falë bashkëpunimit me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prizrenit kemi arritur të investojmë afro 15 mijë euro. Jemi munduar që kjo shkollë pasi mban edhe emrin e dëshmorëve të jetë një institucion që krijon vlera arsimore për gjeneratat ardhshme”, tregon Morina për “Kosova Sot”. Ai rrëfen se gjatë luftës banorët e fshatit ndihmuan luftën çlirimtare. Rreth emrit të fshatit Kabash, banorët pohojnë se ka edhe disa fshatra me të njëjtin emër, që është emër fisi. Një i tillë ndodhet edhe në Shqipëri. Ata thonë se vazhdojnë ta ruajnë traditën që mos të martohen me pjesëtar të fisit Kabash kudo që janë ata.

Traditat e lashta ende ruhen me fanatizëm

Etnologu Nexhat Çoçaj shpjegon se në fshatrat e Hasit ruhen disa nga traditat e vjetra, kurse kësaj po i kontribuojnë edhe disa nga festivalet e përvitshme që mbahen në këto anë. Ai rrëfen se një prej festave të lashta që vazhdon të festohet në këto anë është edhe Dita e Shën Gjergjit. Kjo festë shënohet në Has më herët, ku ndizet zjarri i madh dhe shënon fillimin e verës.”Kjo shënon ripërtëritjen e natyrës dhe është një festë e trashëgimisë pagane”, shprehet Çoçaj. Ai tregon se kjo festë identifikohet edhe si dita e luleve, e ngrohjes së motit e çeljes së pemëve. Kjo festë manifestohet me daljen e të dashuruarve nëpër rrugë, e urimeve për një stinë të re të begatë të punëve në bujqësi, e dasmave. “Shyqyr që dolëm shëndoshë e mirë nga dimri e na shkoftë mbarë kjo verë që po vjen”, është urimi më i shpeshtë i kësaj feste. “Dita e Verës është dita në të cilën stërgjyshërit tanë, kur s’kishte lindur ende Krishterimi, kremtonin bashkë me popujt e vjetër perënditë e luleve, të shelgjeve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjenin një detyrë, t’u faleshin perëndive që sillnin këto mirësi. Dhe ashtu lindi festa hiroshe që e quajnë Dita e Shëngjergjit”, shpjegon Çoçaj. Ndryshe, tani në këto ditë janari, kur termometri po shënon temperaturat më të ulëta të vitit, edhe rrugët e Kabashit të Hasit janë të mbuluara me borë. Banorët e Hasit në këto ditë të ftohta preferojnë të grumbullohen rreth oxhaqeve dhe të rrëfejnë për historitë nga e kaluara.

(Kosova Sot) 

 

Image
Image
Image

Plagoset dëshmitari i fajdeve në Prizren

0

Sipas Policisë Regjionale të Prizrenit, mbrëmë ka ndodhur një plagosje me armë zjarri në Prizren.

Dy persona të armatosur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës, duke e lënë të plagosur.Hazir Berisha, zëdhënës i policisë rajonale në Prizren tha për KALLXO.com se rasti ka ndodhur dje rreth orës 17:25 minuta.

“Rasti ka ndodhur në rrugën “Aleksandër Fleming” në Prizren. Veprën dyshohet se e kanë kryer dy persona. Njësitet tona janë në fazën e grumbullimit të informacioneve, saktësisht janë duke kontrolluar edhe kamerat për të evidentuar personat e dyshimtë”, tha Berisha.

KALLXO.com ka kuptuar se personi i plagosur është Ibrahim Kazazi, i cili është i përfshirë në një rast të fajdeve.

Gjykatësja e rastit nga Krimet e Rënda në Prizren, njoftoi se në këtë lëndë janë të akuzuar dhjetë persona, dy prej të cilëve ndodhen në arrati.

Ajo njoftoi se seanca e rastit të fajdeve e planifikuar të mbahej për ditën e sotme nuk është mbajtur me arsyetimin se i dëmtuari në cilësinë e dëshmitarit Ibrahim Kazazi ka munguar për shkak të rastit të ndodhur një ditë më parë.

Si rezultat i kësaj, seanca e sotme është shtyrë, ndërsa seancat e radhës sipas gjykatëses janë planifikuar të mbahen më 7 dhe 8 mars 2017.

Në mesin e personave të akuzuar për fajde është edhe Bernard Perlazri, i cili në një lëndë tjetër është i akuzuar për vrasjen e Hekuran Morinës.

Kosova humb njeriun e letërsisë dhe kulturës

0

Kosova ka humbur njeriun e gazetarisë, letërsisë dhe kulturës e mbi të gjitha një profesor të mirë. Kështu është thënë mbledhjen komemorative në kujtim të veprës së publicistit dhe shkrimtarit Ramiz Kelmendi, ku morën pjesë krerë të institucioneve, regjisor, familjarë personalitete të ndryshme e shumë qytetarë të tjerë.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se veprat e përkthyera nga Ramiz Kelmendi bënë që kultura jonë gjuha shqipe të gjejë vlerat më të larta në botë. Për shkrimtarin Kelmendi foli edhe kryeministri Isa Mustafa i cili tha se Kelmendi dha shumë për letërsinë shqipe.

Ndërkaq në emër të familjes ka folur Migjen Kelmendi, sipas të cilit babi i tij Ramiz Kelmendi mbi të gjitha ka shprehur dashuri të madhe për të gjithë.

Para kësaj mbledhje shumë qytetarë kanë bërë homazhe në nderim të Kelmendit, i cili vdiq të mërkurën në moshën 86-vjeçare.

Fotolajm: Zhvishet kosovari në mes të Ujëvarës së ngrirë të Mirushës

0

Fotografi Kushtrim Ternava ka realizuar një set fotografish në Ujëvarën e Mirushës. Fotot janë mahnitëse

Malishevë: Rrah dy femra për shkak të borxhit

0

Një person është arrestuar në fshatin Terpezë e Ulët të Malishevës, pasi pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi ka sulmuar fizikisht dy viktimat femra shtetase të Shqipërisë.

Siç njofton policia, viktimat kane pranuar tretman mjekësor.

Me urdhër te prokurorit i dyshuari dërgohet ne mbajtje.

Tentim vrasje në Prizren

0

Një person është plagosur me armë zjarri nga dy të dyshuar në Prizren.

Policia e Kosovës raporton se për shkaqe të panjohura personi është sulmuar me armë zjarri. Ai është dërguar në spitalin e Prizrenit dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Në vendin e ngjarjes njësiti policor ka gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë te kalibrit te panjohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

Hollywood apo klishe

0

 

Florim Hashani

Hollywoodi, ky emri gjigand që e njohim të gjithë. Piedestali i çdo filmi, ylli i pashuar i çdo artisti, ëndrra madhështore e çdo regjisori, ndoshta edhe ëndrra më prestigjioze i çdo njeriu që pretendon të futet në këtë botë të larmishme emocionesh, në këtë botë ku suksesi dhe fama do të derdhen e do të bëhen një për ta amshuar artistin e për ta ngritur atë në qiellin e shtatë. E kush mund ta bëjë këtë tjetër përpos këtij kolosi që nuk i njeh kufijtë e ndaljes, kolos ky, ku derdhen miliona e miliona të ardhura materiale. Një fabrikë e pashtershme dëshirash, ku si këmbim kërkon vetëm një gjë, talentin dhe punën e pashtershme. Industria filmike e Hollywoodit është industria më eminente dhe më fitimprurëse e gjithë kinematografisë botërore.

Etnogjeneza e saj i kap vitet e hershme. Ia nisë me historinë e filmit, të krijimit të saj ku edhe sot e kësaj dite ka miliona adhurues anembanë globit. Para vëllezërve ‘Lymier’, babai i Motion Pictures apo të fotografisë në lëvizje ishte Louis Le Prince, ku në vitin 1888 e xhiroi një film të metrazhit të shkurtër deri në 2 sekonda. Me një kamerë prej 12 frema në sekondë. Shfaqja e parë filmike u bë pikërisht nga dy vëllezërit francez, ku në vitin 1895 e shënonin edhe lindjen e një arti të ri për njerëzimin. Ishte shpikje e zbulim gjenial, ku deri në atë kohë as që mund të imagjinohej fare nga mendja e njeriut se si një zbulim epokal i fotografisë, bëri hapin e rradhës deri te zbulimi i lëvizjeve të saj, e që ne sot e quajmë atë ‘film’.

Revolucioni audiofonik ishte ai i shpikjes së shiritit ferromagnetik, magnetofonit dhe shpikja e audio stereo që ia dhanë finesat e fundit në përsosmërinë e filmit. Nuk ishte e lehtë që të arrihej perfeksioni, që ne sot si filmdashës, gëzojmë dhe e shijojmë çdo sekuencë të filmit, ngase u deshën plot 90 vite që kinemaja ta arrinte nivelin e sotëm. Por ku qëndron tani fati i kinematografisë? Çfarë filma po prodhohen sot? Çfarë ndikimi po vazhdon ta ushtrojë Hollywoodi? Mos vallë në këto dekada të fundit bota e filmit po e humbet sensin e vetë si art i vërtetë? Apo çdo rrugë që po lidhet, po na dërgon në një qorrsokak të quajtur komercializëm. Këto janë vetëm disa nga pyejet e shumta, që dita ditës po ia ngacmojnë kërshërinë e çdo kritiku të filmit.

Kritikët, pa marrë parasysh rrethanat apo vështirësitë, luajnë rol kyç dhe kanë ndikim të rëndësishëm në atë se si pritet të reagojë audienca, pjesëmarrësit në filma. Sidomos filmat e zhanreve të caktuar. Sipas tyre, filmat e zhanreve horror, aksion dhe komedi nuk e mbajnë epitetin e një filmi të suksesshëm, e ndonjëherë nuk janë edhe pjesë e agjendës së tyre. Ata fokusohen më shumë në subjektin dhe tematikën se çka shpalos filmi në fjalë, regjinë e saj, vlerësimin e punës së skenaristit, producentit, e në raste të shumta nuk është për çudi kur një film i tillë përfundon me një çmim Golden Globe apo edhe Oscar. Ku është magjia e gjithë këtij misteri tani? Mund të themi se vitet e 90’ dhe 2000’ i kanë kapur majat e suksesit në botën e filmit. Veçanërisht vitet 90’ ku teknologjia e sofistikuar ishte ende në zhvillim e sipër, e nuk shijohej ende qërshia mbi tortë.

Por me një bindje të plotë mund të themi se euforia e filmit që ekzistonte para disa dekadave nuk është e njëjtë me atë të viteve të fundit, ngase kanë ndodhur ndryshime rrënjësore. Shembull konkret mund ti marrim filmat e shumtë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në memoriet e miliona njerëzve, e që kanë mbetur përgjithmonë në magazinën e kujtesës afatgjatë. Filmat që kanë fituar shumë çmime prestigjioze dhe janë pritur mjaft mirë nga masa. Filmi i Steven Spielberg ‘The Schindler’s List’ (1993, fitues i 7 çmimeve oskar), triologjia ‘Lord Of The Rings’ (plot 11 çmime oskar), ‘Titanic’-u i famshëm i James Cameron po ashtu 11 çmime, ‘Dances With Volves’, ‘The Godfather’, ‘The Shawshank Redemption’ e shumë filma të tjerë që kanë prekur zemrat dhe mendjet e shumë njerëzve anembanë botës, qoftë edhe atyre që nuk kishin njohuri dhe lidhje fare në artin e filmit. Ndoshta involvimi i furrishëm dhe influence e 3D teknologjisë, ia ka humbur magjinë dhe konceptin domethënës që përçon filmi tek njerëzit. Ndoshta ndikimi i tepërt i saj, e ka komercializuar botën e kinematografisë, apo edhe e ka bërë më të pëlqyeshme, më kreative dhe më tërheqëse për audiencën. Ndoshta çdo film tani e merr kthesën e asaj që gjithë e njohim: ‘thjesht biznes’. Sidoqoftë, diçka është e sigurtë, filmi është art i bukur. Ta dashurojmë artin, ta dashurojmë filmin, e mbi të gjitha ti dashurojmë njerëzit, sepse janë të vetmit gjëra që do e shtyejnë përpara racën njerëzore.

Frikë dhe presion para arrestimeve të para

0

Për secilin qytetar të Republikës së Kosovës që eventualisht mund të jetë objekt i dyshimit dhe akuzës në Gjykatën Speciale kjo nuk është aspak e lehtë, pasi është njëfarë lloj droje, ankthi, por edhe pritje, se çfarë do të ndodhë me atë, por edhe me të tjerët që do të jenë objekt i trajtimit të kësaj gjykate. Kështu kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë thënë po ashtu se, përveç të dyshuarve të saj, Gjykata Speciale është një ankth dhe shqetësim i përgjithshëm për gjithë qytetarët e Kosovës. Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se sa i përket Gjykatës Speciale sigurisht që të gjithë e dinë se faji për funksionalizimin e kësaj gjykate është nxjerrja e ligjit për këtë gjykatë, që e kanë bërë deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2015.”Sigurisht se një pjesë e atyre deputetëve që kanë votuar për Gjykatën Speciale e kanë pasur nën vetëdijen e tyre se ata vetë mund të jenë objekt i trajtimit nga kjo Gjykatë Speciale dhe është një çudi botërore se si vetëm shqiptarët e Kosovës votojnë një gjykatë në Parlamentin e tyre kundër vetvetes, pasi kurrkund në botë, në asnjë parlament botëror, nuk ka ndodhur deri më tani që Kuvendi të votojë ligje kundër vetvetes, por me shqiptarët e Kosovës ka ndodhur kjo dhe ndaj një pjese të këtyre deputetëve me siguri që do të jenë akuzat fillestare apo të para në Gjykatën Speciale në Hagë”, ka vijuar ai.

Nuk dihet kur nisin arrestimet e para

Gashi ka shtuar se me siguri me fillimin e arrestimeve të para do të ketë ndryshime edhe politike, por edhe ndryshime të tjera në Kosovë.”Secili që potencialisht mund të arrestohet nga Gjykata Speciale në Hagë është i frikësuar deri në atë masë saqë ne e dimë që edhe persona apo zyrtarë të lartë në Kosovë, që mund të jenë objekt i trajtimit në Gjykatën Speciale, janë në njëfarë mënyre duke bashkëpunuar me organe të tjera që t’u ndihmojnë atyre, por edhe që ta heqin emrin e tyre nga lista e atyre që potencialisht mund të jenë të akuzuar”, ka thënë ai. “Sido që të jetë, me siguri nuk mund të themi se arrestimet e para do të fillojnë gjatë këtij tremujori, por e dimë se sigurisht para qershorit do të fillojë puna e Gjykatës Speciale dhe puna nuk mund të fillojë pa pasur të dyshuar atje, të cilët sigurisht që do të arrestohen. Ndërsa secili që potencialisht mund të jetë i akuzuar atje ka një frikësim të posaçëm dhe kjo është e natyrshme, por e panatyrshme ka qenë që deputetët të votojnë një ligj kundër vetvetes”, ka shtuar ai. Ndërsa sa i përket ndihmës që do t’ua japë shteti të akuzuarve potencialë të kësaj gjykate, Gashi ka nënvizuar se ndihma që do të jepet në mbrojtjen e të akuzuarve në Gjykatën Speciale është një ndihmë, siç tha, “e cila vetëm ka tentuar që të parandalojë mllefin e popullatës së Kosovës derisa ato as përafërsisht nuk do t’i mbulojnë shpenzimet e avokatëve, sepse secili që do të jetë i akuzuar në Gjykatën Speciale mund të dënohet me dënime drakonike, deri me burgim të përjetshëm, dhe secili ka të drejtë ligjore, por edhe të drejtë njerëzore, që të kërkojë ekipet më të mira të avokatëve që ta mbrojnë, për shkak të kërcënimit me dënime afatgjata, deri në burgim të përjetshëm”.

Efektet politike, të pashmangshme

Analisti Naim Kelmendi thotë se Gjykata Speciale do të fillojë së shpejti me arrestimet e të supozuarve për krime të luftës në Kosovë, derisa, sipas tij, punën e vet kjo gjykatë e fillon në rend të parë bazuar në raportin e Dik Martit, kinse për krimet e luftës nga ana e UÇK-së, por Kelmendi thotë se, siç dihet, në raportin e Dik Martit, mbi të cilin edhe ka bazën e gjykimeve Gjykata Speciale në Hagë, aty janë edhe emrat e apostrofuar si të supozuar për krime lufte, derisa këta emra atëbotë, në kohën e luftës, përbënin pothuajse relevancë në hierarkinë e UÇK-së, por të njëjtit sot janë pjesë e skenës politike dhe mbajnë edhe pozita në institucionet e shtetit. “Fillimi i arrestimeve të këtyre figurave sigurisht se do të ketë efektet e veta në skenën politike, mbase do ta tronditë atë, posaçërisht kjo tronditje do ta godasë PDK-në, ngase të apostrofuarit për krimet e supozuara në raportin e Dik Martit, që do të arrestohen për t’u gjykuar në Gjykatën Speciale, përbëjnë disa nga figurat qendrore të kësaj partie, por edhe janë në krye të institucioneve të shtetit. Pa paragjykuar në asnjë rast fajësinë apo pafajësinë e këtyre figurave dje në krye të UÇK-së e kaq vite në krye të politikes dhe shtetit, sigurisht se vetë gjendja e tyre në subjektin e të akuzuarve për krime lufte në Gjykatën Speciale do të ketë efektet e veta negative në imazhin e kësaj partie, por patjetër edhe në arenën ndërkombëtare për imazhin e Kosovës”, theksoi ai.”Ndërsa, gjykimet në fjalë për këto krime të supozuara kanë mundur të gjykoheshin në Kosovë, ku edhe pasojat do të ishin më të vogla në imazhin e Kosovës, por për këtë gjë nuk kanë ekzistuar vullneti dhe vendosmëria e institucioneve tona të drejtësisë. Por sikur është thënë edhe nga Gjykata Speciale, ajo do fillojë me arrestimet që në janar të vitit 2017, duke vazhduar në vijimësi për të nxjerrë para drejtësisë këta njerëz, emrat e disa prej tyre janë edhe publikë”, theksoi Kelmendi.

Haradinaj paguan çmimin e Demarkacionit dhe Asociacionit

0

Analistë kosovarë vlerësojnë se aktivizimi i fletarrestit serb për Ramush Haradinajn lidhet me rezistencën e tij të suksesshme ndaj dy marrëveshjeve të dëmshme për Kosovën, ku Qeveria është bllokuar dhe nuk ka vota në Kuvend, sepse bëhet fjalë për cenimin e integritetit territorial dhe rrezikun nga bosnjëzimi,shkruan gazeta Kosova Sot.

Situatën e krijuar së fundi me arrestimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe kreut të AAK-së, Ramush Haradinajt, nga autoritetet franceze, sipas kërkesës së shtetit serb, analistët politikë dhe njohësit e fushës së drejtësisë po e cilësojnë si veprim kryekëput politik, i cili po përdoret për një lloj presioni të paparë nga bashkësia ndërkombëtare për Demarkacionin dhe Asociacionin, duke tërhequr vërejtjen se marrëveshjet duhet të miratohen dhe të mos bllokohen proceset e dizajnuara nga ndërkombëtarët. Tani me të drejtë shtrohet pyetja se deri kur Kosova do të vuajë pasojat e veprimeve të pamatura të qeveritarëve të papërgjegjshëm, deri kur do të pranojë ta dëmtojë veten,shtetësinë e saj dhe humbjen e territoreve, për hir të “proceseve” që nuk kanë asnjë kuptim, përveç “tradhtisë’ eventuale kundër shtetit të Kosovës, nëse politika vendore vërtet gjunjë- zohet para presioneve të tilla.

Prof. i së drejtës Muhamet Kelmendi thotë se me kohë është vërejtur një tendencë e tillë e presionit indirekt, që ka zhvilluar bashkësia ndërkombëtare kundër atyre që kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë konsistentë në kundërshtimin e këtyre dy marrëveshjeve të dëmshme për shtetin e Kosovës, por se tani është zgjedhur një moment kritik dhe në mënyrë të pandershme, duke “e prerë në besë” njërin nga kundërshtuesit më të mëdhenj të të dyja marrëveshjeve, që me angazhimin e tij opozitar dha kontributin maksimal në stopimin e zbatimit të tyre.

“Unë mendoj që kryesisht këto temat e rëndësishme, nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe janë kundërshtuar nga opozita, e që tash nga presioni ndërkombëtar kërkohet me çdo kusht që gjatë këtij viti të kalojnë dhe zbatohen, janë faktori kryesor që kanë ndikuar që edhe ky fletarrest, i lëshuar që në vitin 2004 nga shteti i Serbisë kundër Ramush Haradinajt, të aktivizohet dhe të filloj të gjejë zbatim aktualisht në këtë kohë, sepse para institucioneve të Kosovës janë dy tema të rëndësishme për faktorin ndërkombëtar, që kërkon të zbatohen, Asociacioni dhe Demarkacioni sikurse edhe aktualiteti rreth Gjykatës Speciale”, theksoi ai.

Bllokimi i marrëveshjeve

Sipas Kelmendit, dy çështjet më të rëndësishme që tani zgjojnë interesin e bashkësisë ndërkombëtare dhe bëhet presion janë Demarkacionit dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të cilat nuk arritën të zbatohen gjatë vitit të kaluar, ngase në kuadër të forcave rezistuese del që realisht ka qenë roli i Haradinajt si personi më i besueshëm, i cili ka dhënë kontribut dhe ndikim për mosrealizimin e qëllimit të Qeverisë në përmbushjen e këtyre dy pikave. “Rolin e Ramushit në kundërshtimin e këtyre dy marrëveshjeve e kemi parë vitin e kaluar edhe në Kuvend, por edhe në aktivitetet e tjera publike dhe është krijuar bindja e plotë se ka qenë dhe mbetet roli i Ramushit si personaliteti kryesor, i cili ka kontribuar në ndalimin e zbatimit të të dyja këtyre marrëveshjeve”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”. Sipas tij, ky presion do të vazhdojë edhe më tutje që marrëveshjet të zbatohen, të votohen edhe nga Kuvendi vetëm për shkak të rritjes së vazhdueshme të ndikimit rus në rajonin e Ballkanit dhe përpjekjeve për arritjen e një lloj bilanci strategjik të ndarjes së interesave në këtë pjesë të Ballkanit, duke i bërë lëshime Serbisë dhe Malit të Zi, në përpjeke për ta përfituar atë, Serbinë drejt Perëndimit dhe për ta larguar nga ndikimi rus. “Në këtë drejtim konsideroj se është bërë edhe ndalja e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinajt, në këtë rast si formë presioni, të cilën ndalesë unë e konsideroj ndalesë politike dhe jo ndalesë të formës së bazuar në materie juridike, sepse për veprimtaritë, për të cilat është akuzuar Haradinaj në të kaluarën është dhënë verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës në dy rate të gjykimit, duke e shpallur atë të pafajshëm, dhe nuk ka pasur rast, i cili nuk është analizuar dhe nuk ka kaluar nëpër atë proces”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

Presionet e paralajmëruara

Se ky arrestim ka për qëllim pikërisht këtë model presioni, pajtohet edhe deputeti Ismail Kurteshi nga ‘VETËVENDOSJE’. Sidoqoftë, ai thotë se të gjithë ata që e kanë kundërshtuar Demarkacionin dhe “Zajednicën” e kanë pasur parasysh se mbi ata do të ushtrohet presion, dhe se është e mundur edhe të shqiptohen masa ndëshkuese, por ata që e kanë kuptuar sa të dëmshme për vendin janë këto procese nuk do t’i nënshtrohen presionit e as nuk do të zmbrapsen, për shkak të masave që eventualisht mund të merren. “Mision i ndërmjetë- suesve ndërkombëtarë është arritja e sa më shumë marrëveshjeve në mes të palëve, pa e çarë kokën se a janë të drejta apo jo këto marrëveshje. Ata që ne po i quajmë ndërkombëtarë janë burokratë, që rëndësi të veçanet i japin CV personale. Çdo marrëveshje që arrihet përmes ndërmjetësimit të tyre ata avancohen, pra ata janë duke e bërë punën e tyre, edhe përfaqësuesit e Serbisë po përpiqen t’i realizojnë projektet e tyre hegjemoniste”, theksoi ai. “Vetëm përfaqësuesit e Kosovës, të papërgatitur e të nënshtruar, po nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme, e kjo është në kundërshtim me misionin që do të duhej ta kryenin, sepse detyrë e vendorëve është që t’i analizojnë mirë propozimet që vijnë nga pala tjetër dhe të pajtohen vetëm me ato propozime, që janë të mira për vendin, por edhe vetë të propozojnë zgjidhje të drejta”, potencoi më tej Kurteshi.

Ndërron jetë shkrimtari Ramiz Kelmendi

0

Në moshën 86 vjeçare, ka ndërruar jetë shkrimtari Ramiz Kelmendi.

Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë publik nipi i tij, Adriatik Kelmendi.

“Me pikëllim të thellë e zemër të thyer, të dashur familjarë, miq e dashamirë, ju njoftoj se sonte u nda nga jeta axha im, që e kisha shumë më shumë se axhë, Ramiz Kelmendi, në moshën 86-vjeçare”, ka thënë Kelmendi në postimin e tij në Facebook.

Të enjten në orën 10:30 fillojnë homazhet në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku po ashtu, me fillim nga ora 12:30 do të mbahet mbledhja komemorative.

Ndërkaq, varrimi i të ndjerit do të bëhet në orën 14:00 në varrezat e Prishtinës.

Një histori e shkurtër e jetës dhe veprës së shkrimtarit Ramiz Kelmendi, të publikuar nga tv “Rrokum”.

RAMIZ KELMENDI

(1930 – 2017)

Ramiz Jakup Kelmendi u lind më 20 dhjetor 1930 në Pejë, ku mbaroi shkollën fillore dhe gjysmëmaturën. Në kohën kur duhej të regjistrohej në shkollën e mesme, ai u burgos për motive politike. Ishte në grupin e patriotëve pejanë, që në vitin 1945 propagonin idenë e Bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Dënohet në të njëjtin proces gjyqësor të montuar, bashkë me Marije Shllakun dhe krejt grupin e patriotëve, në Prizren (qershor-korrik 1946), por me qenë se ishte i mitur (16-vjeç), i mban vetëm 30 ditë burg dhe lirohet.

Pas shumë vështirësish, iu mundësua të regjistrohej vetëm në shkollën e mesme bujqësore në Prishtinë, në serbisht.

Kur e përfundon, pranohet gazetar në të përjavshmen e atëhershme “Rilindja”.

Më 1950 regjistron Fakultetin Filozofik në Beograd, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Studimet në fillim ia finanson i jati i tij, sepse si një “element me njollë biografike”, nuk i jepet bursa për studime. Diplomon në vitin 1955 me temën “Proza e Migjenit”.

Me të mbaruar të studimeve rikthehet në gazetën “Rilindja”, që tash ishte bërë e përditshme, ku për 12 vjet rresht punon redaktor, reporter i lirë dhe kolumnist, kolumnet e të cilit ishin nga më të lexuarat e kësaj gazete.

Në vitin 1967 emërohet kryeredaktor i Redaksisë së Botimeve në ndërmarrjen botuese “Rilindja”.

Për katër vjet me radhë ishte Drejtor i Teatrit Popullor Krahinor.

Në vitin 1969 zgjidhet profesor i letërsisë shqipe në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë. Ligjëronte landën “Historia e letërsisë shqiptare nga Rilindja e deri sot”.

Në vitin 1975 magjistron me temën “Humori dhe satira në letërsinë shqipe”.

Ramiz Kelmendi arriti të krijojë edhe një opus të begatë letrar. Botoi 12 vëllime me tregime, 8 romane, dhjetëra udhëpërshkrime, 3 radiodrama, 3 drama televizive, 39 tekste satirike, një skenar filmi, 4 tekste shkollore, monografinë “Shqipëria e Marije Shllakut”, dhe me mija shkrime publicistike natyrash të ndryshme.

Kelmendi njihej edhe si një nga përkthyesit më produktiv të Shtëpisë Botuese “Rilindja”. Gjatë viteve ’70 – ’80 ka përkthyer nga serbishtja kryeveprat e autorëve si Orwell, Markes, Kafka, Kundera, Grass, Castaneda, Sabato, Krleza, Kis, etj.

Ishte njëri nga themeluesit e Këshillit për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, dhe njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtar i së cilës nuk u bë kurrë.
Ishte shkurti i vitit 1990 kur ai dhe Anton Çetta ishin të parët që përkrahën iniciativën e rinisë progresive kosovare për t’i pajtuar gjaqet në Kosovë. Kështu, Anton Çetta dhe Ramiz Kelmendi hynë në familjen Buqolli në Raushiq të Deçanit, për te kerkuar faljen e gjakut dhe bënë histori. Ramiz Kelmendi në javën tjetër fton edhe miqtë e tij Mark Krasniqin, Bajram Kelmendin dhe Azem Shkrelin për t’ju bashkuar dhe kështu fillon një lëvizje historike mbarëpopullore për pajtimin e gjaqeve, që përfundon me një manifestim madhështor në Verat e Llukës.

Ramiz Kelmendi ishte edhe njëri nga ideatorët dhe nëshkruesit e parë në dokumentin e njohur “Apeli i 215 intelektualëve” dhe anëtar i Kryesisë së Forumit Mbarëkombëtar të Intelektualëve.

Kur pensionohet, Kelmendi nuk ndalet. Më 1996, Ramiz Kelmendi fiton një ide të padëgjuar dhe të re në krejt hapësirat shqiptare që po dilnin nga komunizmi: idenë per hapjen e një institucioni privat arsimor. Kelmendi vendosë të hapi Fakultetin e parë privat të Gazetarisë në krejt hapësirat shqiptare, “Faik Konica”, që ka funksionuar deri më 2007. Me hapjen e këtij fakulteti, Kelmendi u bë nismëtari i arsimimit privat shqiptar.

Ramiz Kelmendi vdiq si njëri nga emrat më të shquar të krejt një brezi intelektualësh, të kulturuar në ish-Jugosllavi, që mbrojtën identitetin shqiptar dhe ndryshuan imazhin dhe percepcionin për shqiptarët në sytë e kombeve dhe kulturave që formonin Federatën Jugosllave.