11.2 C
Prizren
E hënë, 13 Prill, 2026
Home Blog Page 6079

Pse Esat Pasha nuk pranonte ta quanin komandant të Shkodrës

0

Një nga figurat më komplekse të historisë shqiptare, për të cilin janë botuar disa libra dhe studime, por gjithnjë i vendosur ose si patriot i kulluar, ose si emblemë e tradhtisë –Esat pashë Toptani nga historianët shqiptarë shpesh është refuzuar, duke vlerësuar studimet mbi të si një përpjekje pa vlerë. Ashtu si vetë jeta e Esat Pashës, komplekse është edhe përgjigja që jep gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi në librin e tij studimor “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”, botimet UET Press.

Dara shtrëngohet

Lajmi se Mali i Zi i kishte shpallur luftë Turqisë u përhap në Shkodër të mërkurën, më 9 tetor paradite, me anë të tellallit. Qyteti kishte disa ditë që ishte shkëputur nga bota e jashtme, për shkak se linja e vetme telegrafike nëpërmjet Tivarit ishte ndërprerë. Brenda për brenda, komunikimi bëhej me korrierë, të cilët i përcillnin telegramet për në Shëngjin dhe, prej andej, ato

arrinin në Durrës. Në mesditë, nga kalaja e Rozafës krisën tre topa, siç ishte zakoni kur ndodhte diçka me rëndësi. Deri atë ditë, redifet e Esatit mund t’i shihje të shkrehura, duke u sorollatur nëpër pazar. Vetë Esati atë ditë kishte shkuar për të gjuajtur thëllëza.

Dalëngadalë, gjërat po bëheshin më të prekshme. Çdo ditë që kalonte sillte një drithërim të ri në shpirtin e njerëzve, sepse tani askush nuk mund të thoshte me saktësi se ç’po ndodhte dhe nuk dihej se ç’do të sillte dita tjetër. Ankthi u shtua pasditen e 11 tetorit, kur, përveç kërcitjes së topave, që duhet të vinte nga Tuzi, u dëgjuan të shtëna të shumta në formë breshërie në breg të liqenit, mu në rrëzë të Taraboshit, pranë kufirit me Malin e Zi.

Ky shkëmbim i rreptë zgjati deri në orën 7 të mbrëmjes dhe u kushtoi turqve shumë të vrarë e të plagosur.

Mali i Zi kishte marrë Zogajn, në anën jugore të liqenit, afër Shirokës. Nga shtëllungat e zeza të tymit që ngriheshin në atë anë, mund të kuptoje se malazezët po u vinin flakën fshatrave njëri pas tjetrit. Nuk kaloi shumë dhe u mor vesh se bëhej fjalë për një gjëmë të tmerrshme, e cila shfaqej te hutimi dhe pikëllimi i njerëzve që tërhiqnin familje e bagëti për të ikur. Nga ana e malit ishin me mijëra myslimanët që largoheshin. Iknin edhe të krishterët. Para se të niseshin, ata grumbullonin në kishë plaçkat dhe linin në portat e shtëpive kryqe ose figura shenjtësh, që zaptuesi të bënte dallimin me shtëpitë myslimane dhe t’ua kursente flakën. Njerëzit hiqnin këmbët zvarrë nga lodhja, por nuk ndaleshin, sepse Shkodra ishte shpëtimi i vetëm. Kur arrinin në qytet, familjet strehoheshin në hanet e pazarit, ose ku të gjenin shtëpi. Beledia (bashkia) u jepte ndonjë metalik që ata të mund të blinin pak bukë sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Por dukej qartë se qeveria ishte e papërgatitur. Një ditë, dyndja e fshatrave drejt Shkodrës u bë e papërballueshme, sepse qyteti po zhytej vetë në krizë. Hasan Rizai dha urdhër të mos lejohej hyrja e të ardhurve. Përballë klithmave, dënesave, lebetitjeve të grave me fëmijë dhe përgjunjieve të burrave që kërkonin të kalonin me çdo kusht, roja kishte vetëm një fjalë: Jazëk! Nuk lejohet, është urdhër i komandantit.

Dara e malazezëve rreth Shkodrës po shtrëngohej. Më 18 tetor ata kishin përparuar deri në Fushën e Shtojit në veri dhe ishin duke marshuar drejt Kirit. Në jug, ata bombardonin Taraboshin nga pozicionet që kishin kapur në Muriqan. Hasan Rizai prej kohe kishte menduar për mbrojtjen e Shkodrës në rast të një rrethimi. Punimet e fortifikimit kishin filluar të paktën që në muajin

maj në disa vende njëherësh. Në Shkodër arrinin vazhdimisht me anije në formë dengjesh sasi të mëdha telash me gjemba. Ishte fortifikuar Taraboshi dhe kjo nuk kishte qenë e lehtë, sepse të hapje llogore aty ishte njëlloj sikur të mihje në shkëmb e gur. Edhe në Fushën e Shtojit drejt Vrakës e Koplikut ishin ndërtuar llogore. Ishin fortifikuar edhe kodrat përtej Kirit, sidomos

Bardhaj i Madh, një pozicion me rëndësi. Për Hasan Rizain, ky pozicion dhe e gjithë vija e mbrojtjes në perëndim të tij, deri në liqen, ishin pika më e dobët e garnizonit që ai komandonte.

Esat Pasha përmendet pak në këtë periudhë të parë të rrethimit. Pak është shkruar edhe për marrëdhëniet e tij me Hasan Riza beun. Në një libër të botuar në vitin 1927, marshalli me origjinë shqiptare Fevzi Çakmak, i cili do të luante rol në themelimin e republikës së Ataturkut, shkruan se çështja e komandës së operacioneve nuk ishte fort e qartë, sepse Hasan Rizai ishte komandant i korpusit dhe mbante gradën kolonel, ndërsa Esati ishte pashë, ishte edhe gjeneral brigade. Në të vërtetë, Esati kishte nën komandë një ushtri më të madhe. Të 15 batalionet e redifeve dhe vullnetarëve të tjerë ishin më të shumtë në numër se sa ushtarët e korpusit turk të Shkodrës. Për nga rangu, ishte Esati që duhet të komandonte, por për nga kompetenca ushtarake, komanda duhet t’i takonte kolonel Hasan Rizait, i cili dikur kishte qenë gjeneral, por ishte ulur në rang kur ushtria turke kishte bërë rivlerësimin e gradave. Çakmak shkruan se paqartësitë në zinxhirin e komandës kishin dobësuar disiplinën dhe kishin çuar në shtimin e komitëve.

Në fillim Esatin e thërrisnin komandant i Shkodrës, por atij nuk i pëlqeu ky titull. U vendos që të quhej zyrtarisht komandant i Fronteve të Veriut dhe të Lindjes, dhe kështu nënshkruheshin edhe urdhrat që ai nxirrte me shkrim. Ushtaraku i parë do të ishte Hasan Rizai.

Dy nga oficerët më të lartë të garnizonit turk, Abdurrahman Nafiz Gyrman (Abdürrahman Nafiz Gürman) dhe Qeramudin Koxhaman (Kiramettin Kocaman), i kanë bërë një përshkrim të hollësishëm mbrojtjes së Shkodrës në një libër prej rreth gjashtëqind faqesh, që u botua dy dekada më vonë në Stamboll me miratimin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë.

Libri me titull Mbrojtja e Shkodrës në Luftën Ballkanike, duket më tepër si një përmbledhje shënimesh dhe ditarësh pa një kronologji të qartë.

Për arsye që i shpjegojnë edhe në libër, oficerët nuk kishin ndonjë simpati për Esatin. Ata shkruajnë se, pas fillimit të luftës, kreun e redifeve nisi ta brente shqetësimi se malazezët do të arrinin në Shkodër përmes Kirit dhe se qyteti nuk do të mund të mbrohej më. Esat Pasha, thonë ata, donte të shkonte në Tiranë dhe të ruante prej andej lidhjet me Shkodrën.

Këtu, përbuzja e oficerëve është e hapur. Ata e përshkruajnë Esatin si njeri frikacak, që donte t’i shmangej përballjes me malazezët në frontin e Kirit. Pohimet e dy oficerëve nuk vërtetohen nga ndonjë burim tjetër, ndërkohë që dihet se Esati nuk iku nga Shkodra. Sipas asaj që shkruajnë oficerët, ishte Hasan Rizai që arriti ta bindë Esatin të mos largohej. Dëshmitë që ata japin në libër për Esatin janë fragmentare dhe herë-herë kontradiktore, prandaj duhen marrë me rezervë. Ata nuk flasin sidomos për qëllimet me të cilat Esati shkoi në Shkodër. Këto qëllime, me sa duket ishin mjaft të ndryshme nga ato të Hasan Rizait, i cili e mbronte Shkodrën si një qytet turk.

Ka prova që tregojnë se Esati përpiqej të mbante marrëdhënie të mira me katolikët, sepse i shihte me rrezik acarimet fetare mes shqiptarëve. Në një rast, disa nga etërit dhe seminaristët katolikë të Shkodrës, me lejen e valiut po shkonin si zakonisht në vilën e tyre të Bardhajt, nga ku duhet të merrnin ushqime për t’i sjellë në qytet. Papritur, ata u ndaluan nga ushtarët, diku në mesin e shtratit të tharë të Kirit dhe u shoqëruan për në Fushën e Shtojit te një zyrtar, nën të qeshurat dhe romuzet e myslimanëve që bënin sehir.

Zyrtari i dërgoi me një letër përcjellëse tek Esat Pasha, nën shoqërimin e nja dhjetë ushtarëve me bajoneta të ngrehura. Pasi i dëgjoi klerikët, Esati u bërtiti ushtarëve dhe i qortoi që i kishin arrestuar këta njerëz pa arsye. Grupi i katolikëve u la të shkojë në punën e tij.

Hasan Rizai dhe Esat pasha i kishin hyrë një sipërmarrjeje me rreziqe të mëdha, që më vonë do të njihej si mbrojtja e Shkodrës dhe që do të ishte vendimtare për fatin e qytetit. Roli i tyre dhe peripecitë që i ndoqën janë përshkruar nga disa autorë, por për shkak të izolimit të skajshëm të Shkodrës në ato javë dhe muaj tmerri, disa gjëra kanë mbetur të errëta. Për t’iu afruar sa më shumë të vërtetës, ky libër mbështetet kryesisht te rrëfimet e njerëzve që i kanë jetuar ngjarjet.

Më 28 tetor malazezët kaluan Kirin dhe një ditë më vonë arritën deri në Bardhajn e Madh në lindje, por ata pothuajse humbën në labirintin që krijonin dredhat e lumit, përroskat dhe vreshtat. Beteja u shndërrua shpejt në një masakër. Sipas disa dëshmive, numri i të vrarëve e të plagosurve, të përhapur gjithandej në fushën e luftimeve, shkonte në mijëra. Spitalet e qytetit, ku ngrihej flamuri i bardhë, numëronin deri në pesë mijë të plagosur. Të gjymtuarit i sillnin me karroca, ndërsa ata që mund të ecnin vetë, vinin dy e nga dy duke u mbajtur në krah të njëri-tjetrit. Karrocat sillnin edhe qivure dhe qëllonte që turku brenda tyre të mos ishte ushtar i thjeshtë por një melazim ose bimbash dhe kjo kuptohej nga shamia e mëndafshtë që i mbulonte fytyrën. Në këto raste, në të dyja anët e karrocës ecnin me hap të nxituar një numër ushtarësh në shenjë nderimi.

Të plagosurit malazezë, veç sfilitjes, u duhej të duronin edhe poshtërimin. Rrugës për te Saraji i Ri në Parrucë, ku ishte spitali, ata shoqëroheshin nga ushtarë turq të armatosur dhe pas tyre vinte një turmë myslimanësh shkodranë që rrihnin shuplakat nga gëzimi duke thirrur Padishahëm, çok

ja shaaa (Rrofsh o Sulltani im)! Më tutje mund të dëgjoje një turmë redifesh shqiptare prej 100 ose 150 vetësh që ia kishin marrë këngës. Ishte një skenë surreale, ku mjerimi përzihej me festën.

Malazezët zienin nga inati, por nuk e jepnin veten. Një oficer i tyre, kur pa turmën gjithë shend, tha në gjuhën e vet: “mos u gëzoni shumë, sepse në Podgoricë kemi mbi tre mijë robër nga tuajit”. Megjithatë, ushtarët e Mbretit Nikollë ishin me fat që kishin mbetur gjallë. Batalioni i tyre do të ishte shuar i tëri, po të mos kishte patur ndihmën e malësorëve të Shalës, të cilët e njihnin mirë vendin.

Për shkak të fillimit të shirave, malazezët u tërhoqën nga Kiri në kërkim të një vendi më të mbrojtur dhe u pozicionuan në zonën mes liqenit dhe Fushës së Shtojit. Durham shkruan se ata nuk e kuptonin rëndësinë e Bardhajt, si kyçi për marrjen e Shkodrës. Hasan Rizai përfitoi nga ikja e malazezëve për ta fortifikuar më shumë atë zonë.

Në fillim të nëntorit, malazezët nisën një taktikë të re, bombardimin e qytetit, për të trembur komandën turke dhe për ta hedhur popullatën në rebelim. Kjo shënoi fillimin e një periudhe frike dhe terrori. Zakonisht, bombardimi fillonte aty nga mbrëmja, pas rënies së kambanave, dhe

vazhdonte deri natën vonë. Për shkak të frikës, një pjesë e mirë e banorëve të lagjeve që bombardoheshin dilnin jashtë në terr, viheshin varg burra, gra e fëmijë dhe nxitonin drejt pjesëve ku nuk besohej se arrinin predhat.

Njerëzit trokisnin në dyert e miqve apo të afërmve për t’u strehuar. Qyteti ishte i traumatizuar.

Më 1 nëntor, pas luftimeve në Kakarriq, malazezët mundën të kontrollojnë përkohësisht hyrjen për në Shkodër nga ana e Lezhës, por turqit arritën t’i sprapsin. Hasan Rizai donte me çdo kusht ta mbante të hapur këtë rrugë, nga i vinin përforcime me redife dhe vullnetarë të tjerë. Megjithatë, Shkodra kishte mbetur thuajse e izoluar. Në veri, malazezët mbanin disa pozicione kyçe në Koplik dhe në Vrakë. Në jugperëndim ata ndodheshin në Muriqan. Në anën lindore, matanë Kirit, vigjilonte ditë e natë një divizion i tyre.

‘50 poezi për borën’ në Prizren

0

Pasditen e së shtunës me fillim nga ora 17:00 nën Kalanë e Prizrenit, pranë Shatërvanit, do të mblidhen dashamirët e poezisë për mbrëmjen poetike “50 poezi për borën”, që organizohet në natën pas borës së parë, shkruan zeri.info.

Këtë vit ky festival dimëror i dedikohet shkrimtarit Konstantin Kavafit.

Siç njofton për Gazetën Zëri njëri nga organizatorët e kësaj ngjarje, Kushtrim Thaqi, në Prizren do të mblidhen poetët Donat Vatoci, Dhurata Hoti dhe Egzon Kryeziu.

Tre poetët do t’i recitojnë tri poezi të tyre, duke shtuar një poezi të shkrimtarit që i dedikohet ky edicion.

“50 poezi për borën” është një festival poetik internacional i cili mbahet një herë në vit, në natën pas borës së parë. Mbrëmja mbahet në vende të hapura dhe të errëta dhe puna që bëhet prej organizatorëve dhe poetëve është tërësisht vullnetare.

“50 poezi për borën” është krijuar në Zagreb, në vitin 2012 dhe prej atëherë është organizuar në nëntë qytete dhe shtatë shtete përfshirë këtu Austrinë, Armeninë, Kroacinë, Bullgarin, Finlandën, Francën, dhe Kosovën.

Festivali i parë jashtë Kroacisë është mbajtur në Prishtinë, në vitin 2015. Këtë vit ky festival është duke u organizuar në 15 qytete dhe 9 shtete të ndryshme. /Zëri/

Dragashi bllokohet nga bora, tash 30 orë pa rrymë

0

Është zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Usmen Baldzi, ai që nga Dragashi ka dhënë alarmin e bllokadës të kësaj zone nga bora.
Për më tepër ai ka treguar se tashmë janë bërë rreth 30 orë prej kur në Dragash është ndërprerë energjia elektrike.

“Situata në Dragash është e rëndë. Rrymë nuk kemi prej ditës së djeshme, prej orës 16, pra plot 30 orë”, ka thënë ai në një prononcim për portalin Koha.net, teksa ka bërë me dije se bateria e telefonit gati sa s’i ka pushuar.

Ka treguar edhe për atë se rrugët lokale janë të bllokuara nga bora dhe nga erërat e fuqishme që po e bartë atë në vende të caktuara. Rrugët rajonale ka thënë të jenë të pastruara pjesërisht nga kompanitë përgjegjëse.

Sipas tij, të gjithë 35 fshatrat janë pa rrymë, bashkë me qytezën Dragash. Ndërsa 14 fshatra të Gorës dhe 4 të Opojës janë të bllokuara prej bores.

Edhe një banor i kësaj zone, i ka shkruar portalit Koha.net për të alarmuar për situatën atje.

Më parë Koha.net raportoi se si Banorët e Opojës janë detyruar që të vetorganizohen për pastrimin e rrugës, pasi organet përgjegjëse për pastrim nuk kanë mundur të përballojnë situatën e rëndë në këtë rajon.

Banorët kanë thënë se bora ka arritur deri në 70 centimetra dhe në 24 orët e fundit kanë mungesë të energjisë elektrike.

Banorët e fshatrave përreth janë organizuar sot që vetë të bëjnë pastrimin e rrugëve të fshatrave të Dragashit.

Komuna e Dragashit, sipas statistikave i ka mbi 45,000 banorë në dy treva, atë të Opojës dhe të Gores, me gjithë mërgimtarë.

Bllokohen 50 vetura në Poslisht

0

Në fshatin Poslisht të Prizrenit, për shkak reshjeve të borës, janë bllokuar 50 vetura.

Siç raporton TVPZ, banorët e këtij fshati,kërkojnë urgjentisht nga kompanitë kontraktuese që të intervenojnë në lirimin e rrugës.

Tridhjetë familje të bllokuara, nga bora në Budakovë të Suharekës

0

Fshati Budakovë e Komunës së Suharekës ka mbetur i bllokuar nga reshjet e mëdha të borës që kanë kapluar ditët e fundit vendin.

Sipas banorëve, sasia e borës ka arritur deri në 90 centimetra, ndërsa rreth 30 familje kanë mbetur të bllokuara në shtëpitë e tyre.

Banorët i bëjnë apel Komunës së Suharekës që sa më shpejt të ndërhyjnë në hapjen e rrugëve të bllokuara nga bora e madhe. /Zeri/

Doli nga shtypi libri “Publicistika në luftë e në paqe dhe arti poetik i Qazim Thaçit”

0

Ka dal nga shtypi libri monografik “Publicistika në luftë e në paqe dhe arti poetik i Qazim Thaçit” i autorit Gëzim Ajgeraj.

Ajgeraj në këtë libër paraqet figurën atdhetare dhe të krijimitarisë në kohë të ndryshme të Thaçit

“Sa herë kam menduar për ta bërë një monografi për Qazim Thaçin, gjithmonë më ka preokupuar forma dhe struktura e ndërtimit të saj, dhe gjithmonë ideja më ka rrahur te shkrimet autoriale të tij”, shkruan Ajgeraj.

“Jo për faktin se, si do të mund ta përshkruaja unë atë, por me qëllimin më të mirë që ta zbërthenim një jetë njeriu, një idealisti, një kombëtari, një gazetari, publicisti e poeti, përmes shkrimeve autoriale të tij. Kjo formë gjithmonë më ka tërhequr për faktin se ku do të mund ta zbërthenim më bukur jetën dhe veprën e këtij veprimtari, pos në shkrimet autoriale, si mundësi për secilin që lexon brenda këtij libri dhe të vlerësojë vetë një pjesë të kontributit të këtij atdhetari, dhënë çështjes kombëtare. Së dyti, ku do të mbetej një pjesë e këtyre shkrimeve të tij, po të mos i rishpalosnim disa nga ato brenda këtij libri, duke qenë të vetëdijshëm edhe për mungesën e mijëra shkrimeve tjera që nuk kemi mundur t’i përmbledhim”.

“ Edhe kushedi sa monografi të bëja për Qazim Thaçin, gjithmonë do t’i kisha bërë të kësaj natyre, që të mund ta nxjerrim sa më origjinal përpara jush figurën brilante të këtij njeriu aq të thjeshtë e aq të dashur për popullin që i takon. Jo që do i frikohemi mendimit se çfarë do të themi për Qazimin, për vlerat e tij atdhetare, humane e njerëzore, për punën, aktivitetin dhe kontributin, porse, puna e tij na dëshmon vetë, në çasjet që pati, ka e do të ketë, si në publicistikë, në art e medie, në raport me kohën të cilën e jetoi e e mbijetoi përplot sakrifica”.
“Dhe, nëse do të vlerësonim nga ana e besimit, do të thoshim: Zoti i dha jetë Qazimit, për t’i dhënë jetë kohës, guximit, jetë fjalës, lirisë, frymë epokës, nëpër të cilën veproi e po vepron ai”.

“Zëri dhe fjala e tij, për rrezen e lirisë, edhe pse na dukej e largët, gjithmonë e synuan dhe e afruan afër. Gjithmonë me synim e guxim, duke hapëruar hapësirave tona besimin, guximin dhe ndjenjën e lirisë, për të cilën kishim aq etje”.

“Ëndrra e tij për lirinë ishte dhe mbeti gjithmonë vizion në veprimtari. Atë e shndërroi në muzë të mendimit e të fjalës, të cilën me plot guxim e shpërndau e e përhapi te masa e gjerë, për ta bërë atë synim të kapshëm për secilin njeri, që e ndiente e e donte aromën dhe dritën e saj. Ai e tha gjithmonë atë që e ndjeu dhe e mendoi. Pavarësisht se nga ajo që thoshte, mund të të këputej peri i jetës sa qel e mbyll sytë. Asnjëherë ai nuk e mendonte se dita që e përhapte fjalën, mund të ishte dita e fundit. Dhe nga ky zë që përhapej errësirave të robërisë, shpërthente gjithmonë një forcë drite e cila ndriçonte shpresën në hapësirat shqiptare.E nesërmja nuk i garantohej askujt, aq më tepër Qazimit, i cili përherë ishte përballë të ligës, përballë të keqes, përballë krimit e kriminelëve, të cilët shëtitnin shesheve e qyteteve tona, duke mbjellë dhunë e krim kudo. Dhe kudo, gjendej hija e Qazimit, ajo që nxirrte në dritë përtej këtyre hapësirave, dhunën dhe kobin që ushtronte pushteti”.

“ Ai ishte zëri i shpresave të bardha, zëri i udhëtimit tonë, zëri i lirisë.Edhe kushedi sa monografi të bëja për Qazim Thaçin, gjithmonë do t’i kisha bërë të kësaj natyre, që të mund ta nxjerrim sa më origjinal përpara jush figurën brilante të këtij njeriu aq të thjeshtë e aq të dashur për popullin që i takon.Krahas obligimeve dhe angazhimeve tona, duke qenë edhe dëshmitarë dhe i angazhuar drejtpërdrejt në rrethanat e kohës, si dhe duke përcjellë edhe periodikun e kohës nga ngjarjet në terren, vazhdimisht jemi angazhuar që t’i shërbejmë arkivit edhe me këtë periodik. Kurrë nuk kemi llogaritur nëse do t’i mbijetonim kohës, pasi e gjithë jeta e idealistëve shqiptarë, u përbirua nëpër teh shpate”.
“Gjithmonë kemi menduar që t’u shërbejmë brezave, që e nesërmja të ketë edhe këto burime, si dëshmi historike të një lufte dhe të një katrahure shqiptare, siç ishin ato ngjarje, që i përjetoi populli ynë nga dora barbare e okupatorit serb gjatë vitit 1998/99”.

Në këtë libër, Ajgeraj ka paraqitur përshkrimet që personalitetet e ndryshme kanë bërë për Thaçin.

Në mesin e tyre është Prof. dr. Eqrem Kryeziu, Mr. Qerim Shkreli, Prof. Dr. Nexhat Çoçaj, Mr. Bedri Halimi,shkrimtari Ibrahim Skenderi,bashkëveprimtari Skender Morina.Bislim Zyrapi në cilësinë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm UÇK-së,Nehat Basha në cilësinë e komandantit të Brigadës 125 të ZOP-it dhe të tjerë.

Libri është voluminoz me mbi 370 faqe.Ëshë botuar nga Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni”. /PrizrenPress.com/

KFOR-i turk ndihmon Ramadan Mujën

0

KFOR-i turk i ka dalë në ndihmë në pastrimin e borës kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja.

Pjesëtarët e KFOR-it turk janë angazhuar në pastrimin e borës në rrugën “ Liman Shala” në Prizren.

Ata janë angazhuar me kërkesë të banorëve.

Sipas banorëve të kësaj lagjeje, kjo rrugë tashmë është pastruar krejtësisht.

Banorët falënderojnë KFOR-n turk për gatishmërinë e treguar për të ofruar ndihmë në pastrimin e rrugës, të cilët sipas tyre pa hezitim i janë përgjigjur kërkesës së tyre./TVPZ/

Arrestohen dy persona në Prizren

0

Dy persona janë arrestuar në Prizren.

Arrestimi i tyre është bërë me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren.

I arrestuari i parë është dërguar në burgun e Duravës, ndërsa i dyti në burgun e Prizrenit./PrizrenPress.com/

François Hollande dhe arrestimi i Ramush Haradinajt

0

Naim Malaj

Sot ka dalë në qarkullim libri «Gabimet fatale» të Vincent Noutille.

Ai pason librin e shkruar nga dy gazetarë francezë: Gérard Davet dhe Fabrice Lhomme, “Një president nuk duhet ta thoshte këtë”, të botuar në tetor 2016.

Në të dy librat del në pah se presidenti në detyrë, François Hollande, ka dhënë urdhër për vrasjen e më shumë se 40 personave, jashtë territorit francez.

Ja si e citon “Le Monde” këtë të fundit: “Sa herë që të ketë sulme ndaj ushtarëve tanë, sa herë që të ketë marrje pengjesh, të rrëmbyer dhe të burgosur, çdo herë përgjigjja do të jetë e adaptuar”. Këto operacione të quajtura «Homo» janë vrasje me paramendim të autorëve të atentateve, të organizuara nga Drejtoria e përgjithshme e sigurisë së jashtme (DGSE)”

“Le Monde” boton pjesë të librit: “I rrethuar nga këshilltarë të prirë nga aksioni ( …) François Hollande i ka dhënë urdhër të qartë shtabit të tij të përgjithshëm ushtarak të DGSE-së mbi këtë çështje: ata kanë dritën e gjelbër për të vrarë, edhe jashtë vendit (Ndt: Francës) bile edhe fshehurazi, «shefat e terroristëve» dhe armiq të tjerë të prezymuar të Francës»

Shumë vende janë të përfshira: Siria, Iraku, Saheli.

Gazeta vazhdon të citojë «…Së paku 40 veta janë ekzekutuar jashtë vendit midis 2013-ës dhe 2016-ës. Është e qartë se bëhet fjalë për ekzekutime pa gjyq».

E njëjta gazetë kohë më parë do të shkruante në 1999 se Kosova ishte viktimë prej më shumë se 10 vjetësh e politikës së aparteidit të udhëhequr nga Beogradi.

Më 10 prill 1999, Joshka Ficher, ministri gjerman i punëve të jashtme të kohës do të shprehej kështu për “Le Monde” : «Kur ta njohim të gjithë të vërtetën besoj se do të jetë shumë e vështirë për ta përballuar» ai e krahason luftën e Jugosllavisë me luftën e viteve 30-40.

Më 3 prill, për të njëjtën gazetë, Rudolf Scharping, homologu i tij i mbrojtjes do ta quante atë çka po ndodhte «Gjenocid» (Le Monde, 3 prill 1999).

Ndërsa Bill Clinton do të thoshte për “The New Statesmen”, (15 november 1999) se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte «përpjekje e qëllimtë dhe sistematike e gjenocidit»

Lionel Jospin, kryministër francez, në atë kohë shprehej se bombardimet e NATO-s ishin «në shërbim të së drejtës, në emër të lirisë dhe të drejtësisë» (Le Monde, 27 mars 1999)

Ndërsa Tony Blair, duke iu referuar të njëjtës, thotë: «Ju premtoj se Millosheviçi dhe gjenocidi i tij i urryer do të marrin fund këtu». (The Guardian, 28 tetor 1999).

Ato që ndodhnin në Kosovë, u krahasuan prej klasës politike perëndimore me tmerret e shkaktuara nga nazistët në Evropë, kundër të cilëve rezistenca franceze dhe gjenerali De Gol iu kundërvunë me aksione konkrete dhe rezistencë të armatosur.

Mbi një milion persona, shumica burra e gra, u dëbuan dhe u zhvendosën nga shtëpitë e tyre, mbi 20 mijë gra e vajza u dhunuan nga ushtarët dhe paramilitarët serbë. Dhunimi u përdor si mjet lufte.

Më 14 dhjetor 2015, gazeta “Zëri” do të raportonte: “Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë 13 mijë e 549 persona, prej tyre 76 për qind civilë, kurse 24 për qind pjesëtarë të formacioneve të armatosura. Prej viktimave civile 1 mijë e 400 ishin nën moshën 18-vjeçare. Sa i përket përkatësisë etnike (…) shumica prej tyre janë shqiptarë me numrin prej 8 mijë e 693, kurse 1 mijë e 196 janë serbë dhe 445 romë dhe të tjerë”.

Ndërkohë policia franceze arreston Ramush Haradinajn, ish-komandant i UCK-së, që luftoi kundër dhunës dhe terrorit shtetëror serb të Millosheviqit.

Sjell në kujtesë se Haradinaj iu nënshtrua procedurave penale të tribunalit të Hagës dhe ky i fundit e shpalli të pafajshëm. Pra ai arrestohet për një «faj» tashmë të gjykuar dhe të shfajësuar. A mos po hasim në një drejtësi me dy kute?

Ciceroni do të kishte vënë duart në kokë e do të kishte thirrur: o tempora o mores…

*(Autori është ish-ambasador i Kosovës në Bernë)

Rrugët në komunën e Rahovecit të kalueshme, por me ngrica

0

Komuna e Rahovecit njoftoi se të gjitha rrugët lidhin fshatrat me qendrën e Komunës janë të kalueshme, vështirësi në qarkullim nuk ka në qytetin e Rahovecit, por në fshatrat të cilët janë me të thella malore, qarkullimi është vështirësuar për shkak të sasisë së borës dhe ngricave.

Muhamet Behra, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike shprehet se operatori i cili është kontraktuar nga ana e Komunës për pastrimin e bore nga rrugët gjate gjithë ditës se enjte dhe natës ka bërë pastrimin, por intensiteti i madh i borës dhe i erërave të fort kanë vështirësuar pastrimin e disa rrugëve nëpër disa fshatra dhe për këtë është vështirësuar qarkullimi në disa rrugë të fshatrave të cilët janë me të thella malore.

Ai thotë po ashtu se edhe gjatë ditës së sotme, makineria e operatorit i cili është kontraktuar, është në teren dhe vazhdimisht është duke bërë pastrimin e borës dhe hedhjes si kripës./PrizrenPress.com/