Home Blog Page 6084

Fjalët e urta shqipe përballë atyre romane

0

Shkruan: Enver Sulaj

Lidhur me librin “Aspekte krahasimtare të proverbave shqipe me ato të gjuhëve romane“, të autorit Ramadan H. Ramadani, Prizren 2015

 

Në heshtje, pa zhurmë e pa trumbetime neveritëse, pas një pune shmëvjeçare, Ramadan H. Ramadani ka krijuar veprën “Aspekte krahasimtare të proverbave shqipe me ato të gjuhëve romane”- si vlerë shkencore e kulturore, për t´i dhënë studiuesit e lexuesit nektarin shpresëdhënës kundër mediokritetit e injorancës, që në shumë aspekte po na zë frymën.

Paremiologjia dhe paremiografia, janë jo vetëm nocione shkencore me të cilat autori përpiqet ta njoftojë lexuesin që në hyrje të librit, por edhe praktikë shkencore që ai zbaton në çështje të studimit të fjalëve të urta shqiptare. Duke bërë analizën krahasimtare, këto proverba (fjalë të urta), shprehje frazeologjike, marrin peshën e vet në kuadër të korpusit të përbashkët të fjalëve të urta latine e në gjuhët romane, si frëngjisht, italisht, spanjollisht e rumanisht.
Ndonëse në folkloristikën shqiptare ka pasur përpjekje që të bëhet analizë krahasimtare e përqasime edhe me krijimet e popujve tjerë, sidmomos në fushën e epikologjisë, fjalët e urta më rrallë kanë qenë objekt studimi krahasimtar. Prandaj, në këtë aspekt libri i Ramadan H. Ramadanit gjithsesi është i një vlere të veçantë, jo vetëm për qarqet shkencore, por pse jo, edhe për lexuesin e pasionuar, i cili do të gjejë në një vend, qoftë fjalët e urta shqipe, bashkë me ato të gjuëve me të cilat krahasohen, por edhe shpjegimet e nevojshme e komentet për to, që do t´i ndihmojnë ata për të kuptuar më më mirë e më drejt porosinë që ato ngërthejnë në vete. E, në fund të fundit, ky është funksioni që i krijoi dhe i mbajti gjallë deri më sot. Autori insiston në analizën, studimin, ruajtjen e përdorimin e tyre, pra në rifunskionalizimin brenda kontekstit të ri socio-kulturor shqiptar.

Shtegtimi i motiveve është i njohur, ashtu siç është i përbashkët edhe motivi i njeriut në të gjitha kohërat e vendet për të ngadhënjyer mbi të keqen, për ta dashur atdheun e lirinë, për të demaskuar veset e hiperbolizuar virtytet, për t´u ruajtur nga ligësitë, e për t´u sakrifikuar për të drejtën e njeriut. Këtu është fuqia e fjalës së urtë- që është e artë për dimensionin moralizues, që u gdhend e u latua përgjatë shekujve. Kjo dëshmon se oraliteti gjalloi edhe në kohë kryqëzatash e marshimesh të falangave orientale, sidomos në këtë nënqiell, sepse kjo ishte jo vetëm çështje e kënaqësisë estetike- por edhe vetë mbijetesë.

Autori vë përballë njëra- tjetrës fjalët e urta shqipe dhe ato latine e neolatine, për të gjetur pikëtakimet e ngjashmëritë në mes tyre. Në këtë pikë, libri ofron një denduri shembujsh e komentesh me vlerë. Bien në sy fjalë të shumta të shqipes, të cilat të krahasuara me simotrat latine e neolatine, përveç kënaqësisë, dëshmojnë një vazhdimësi të paprerë krijimesh e thesaresh shpirtërore të popullit tonë, të të gjitha trevave etnike. Me këtë libër autori ka vënë një gur të rëndësishëm në folkloristikën krahasimtare shqiptare, sidomos në fushë të paremiografisë, ku shkenca shqiptare çdo ditë e më tepër po shtrin fushën e interesimit dhe të hulumtimit.

Tani, kur zhanre të krijimtarisë gojore konsiderohen si të përmbyllura, është materiali i mbledhur e i botuar që pret studiuesit e fushave specifike për të bërë punën e tyre. Mendimi i ngjeshur në formë elipse, ngarkesa emcionale, ndërtimi leksiko- semantik, figuracioni etj. janë elemente të rëndësishme që ia shtojnë vlerën këtij materiali të marrë në shqyrtim dhe analizë, i cili i vënë përballë krijimeve të popujve tjerë, sigurisht se bëhet edhe më interesant.Ndonëse nuk përpiqet të hyjë në fushë të vjetërsisë së këtyre proverbave, duke i krahasuar me autorët latinë, dijetarët e shkrimtarët e mëvonshëm europianë, autori sikur sugjeron tërthorazi se në këtë kohë do të duhej të shtrihet edhe lashtësia e fjalëve të urta shqipe. Kur e themi këtë, sigurisht se faktet duhet të vërtetohen shkencërisht, pa përpjekje joshkencore për të krijuar mite të paqena, të cilat nuk sjellin asgjë të re në mendimin shekncor.
Libri „Aspekte krahasimtare të proverbave shqipe me ato të gjuhëve romane“ është minierë në të cilën, varësisht nga interesimet dhe parapëlqimet e tyre, studiuesit do të gjejnë lëndën e tyre të vlefshme.

Fjalët e urta shpesh përdoren për të thënë diçka me elokuencë, në disa raste për të peshuar mirë mendimin, e për të theksuar traditën e paraardhësve në fushën e krijimtarisë gojore. Fjalët e urta mund të përdoren, thjesht për ta bërë bisedën e ose dialogun më të gjallë. Në shumë pjesë të botës fjalët e urta vlerësohen si shenjë oratorie, por jo çdoherë fjala e urtë kishte status të tillë, ngase u keqpërdor, duke u vënë në funksion të propagandimit të ideve e të bindjeve të papranueshme.

Elementet figurative, si metafora, pyetja retorike, alegoria etj. dëshmojnë për vlerat artistike, që në periudha të caktuara historike ua mundësoi njerëzve të shprehin atë që quhet „revoltë paremiologjike“, duke bërë përgjithësime për t`iu shmangur kritikave të hapura ndaj autoriteteve dikatatoriale që shtypin të drejtat dhe liritë qytetare.

Proverbat, gjithashtu janë trupëzuar edhe në strategjitë e punëtoërve social, mësuesve, predikuesve fetarë, madje edhe të politikanëve, duke u shfrytëzuar kështu si mjet propagande. Por studimi i proverbave është i rëndësishëm për studiuesit e letërsisë, por edhe të dijeve tjera, të cilët mund të gjejnë aty lëndë për studimet dhe punën e tyre.

Të gjitha këto venerime të lartpërmendura, autori i librit i ka përforcuar përmes shpjegimeve e komenteve të shumta që ka bërë për secilën fjalë të urtë.
Meqë fjalët e urta përçojnë mesazhe sublime e të fuqishme, si rrjedhojë e përvojës së gjatë jetësore, sfidat e vështirësitë me të cilat janë ndeshur njerëzit, kemi veçuar tri të tilla për të mbështetur idenë e paraqitur. „Atë që njeriu e mëson në djep, e braktis në varr“; „Luemnjtë më të thellë rrjedhin në gurgullimën më të vogël“; „Librat janë pavdekësia e së shkuarës dhe përjetësia e së ardhmes“. Këto tri fjalë të urta kalojnë nëpër tri kohë, që janë jo vetëm prezencë fizike në këtë botë, por edhe gjurmë shpirëtrore: Edukatë që zgjat përjetësisht, qëndresë e mbijetesë vlerash për vete e brezat që vijnë.

Dita botërore e poezisë

0

Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.

Në të njëjtën kohë, caktimi i një dite ndërkombëtare për poezinë bëhet edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.

Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashta poemat e Homerit mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor. Në këtë mënyrë UNESCO kërkon që përmes recitaleve të ndryshme, përmes takimeve poetike dhe mbrëmjeve artistike të krijojë një urë lidhjeje mes poezisë dhe formave të tjera të artit si teatri, kërcimi, muzika, piktura etj. e në të njëjtën kohë të mbështesë poetët e rinj, t’i promovojë ato dhe të krijojë një imazh tërheqës për poetin, që shpeshherë shihet si dikush që nuk është më në modë.

Dita botërore e poezisë është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh. Për këtë arsye UNESCO bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private duke përfshirë këtu shkolla, bashki, muzeume, shoqata kulturore, shtëpi botuese etj. Para caktimit të 21 marsit, si dita botërore e poezisë, ishte 15 tetori që kremtohej në të gjithë botën me aktivitete të larmishme letrare, pasi ai përkonte me ditëlindjen e poetit epik romak, Virgjil. Në disa vende kjo traditë e të festuarit në muajin tetor vazhdon të ruhet ende.

Megjithëse shumë prej nesh e pëlqejnë poezinë, ose më mirë parapëlqejnë ta përdorin atë sidomos në komunikimin me personin e zemrës, poezia në ditët tona nuk lexohet më aq shumë sa vite më parë. Nëse do t’i hidhnim një sy librave të hedhura në treg nga shtëpitë botuese volumi më i madh i veprave i përket romanit, pra prozës, ndërkohë që librat me poezi janë shumë më të rrallë. Kryesisht ato në masën më të madhe i përkasin letrarëve të rinj, që gjithnjë e nisin rrugën e letrave me vjershat e para të shkruara në kohën e adoleshencës. Nuk mungojnë edhe botimet nga emra tashmë të njohur në këtë lëmë, por që janë gjithnjë e më të pakta.

Për t’u nënvizuar është dhe një fakt tjetër që vihet në dukje e pranohet si nga kritikët, por edhe nga poetët; poezi cilësore ka shumë pak. Kjo dhe për vetë specifikën e poezisë, që gjithnjë është konsideruar si një gjini më elitare sesa proza.

Në Kosovë kjo ditë sot shënohet në Rahovec, në qendrën kultuore të këtij qyteti ‘Mensur Zymberaj’.

462-vjet me parë nisi rrugën gjuha shqipe me Mesharin e Gjon Buzukut

0

Si sot, 462 vjet më parë nisi rrugën e vet fjala e shkruar shqip, në veprën më të vjetër shqipe ”Meshari” i Gjon Buzukut.

“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gj~ të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për s~ mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë…

“Ëndë vietët M.D.L.IV. njëzet dit ëndë mars zuna ënfill, e ënbarova ëndë vietët një M.D.L.V., ëndë kallënduor”, shkruan Gjon Buzuku në Meshar, veprën letrare më të vjetër shqipe të botuar dhe të ruajtur deri sot, rikujton sot ATSH.

Libri përbëhej nga 110 fletë mirëpo kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe kopertina me faqen kryesore.
Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë veriore jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe.
Me veprën e vetë, ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqipe me alfabet latin./KultPlus.com

CIMIC-u turk vizitoi spitalin e Prizrenit

0

Drejtori ekzekutiv i Spitalit të Përgjithshëm, Prof. Ass. Dr. Afrim Avdaj, të hënën, ka pritur në takim përfaqësues të CIMIK-ut, që vepron në kuadër të KFOR-it Turk, që udhëhiqej nga major, Mehmet Erkin Kara.

Drejtori Avdaj shprehu falënderimin dhe gatishmërinë e vazhdimit dhe forcimit të bashkëpunimit me KFOR-in turk dhe shtetin e Turqisë në përgjithësi, si një mike dhe përkrahëse e zhvillimit të Kosovës dhe popullit të saj.

Udhëheqësi i CIMIK-ut, major Mehmet Erkin Kara, ka përshëndetur në emër të gjithë ushtarëve turq që veprojnë në kuadër të KFOR-it për mikpritjen e popullit të Kosovës, duke shprehur përkushtimin për të ndihmuar popullin e Kosovës në fusha të ndryshme.

Në takim udhëheqësit e CIMIK-ut janë zotur se së shpejti në bashkëpunim me Spitalin e Prizrenit do të organizojnë një aksion për dhënien vullnetare të gjakut që do të jetë në shërbim të popullit të Kosovës.

KFOR-i turk, prej hyjes në Kosovë në vitin 1999, në vazhdimësi ka realizuar vizita në spitalin e Prizrenit dhe ka ndihmuar në forma të ndryshme, duke dëshmuar përkushtimin për të ndihmuar jo vetëm spitalin e Prizrenit, por popullin e Kosovës në përgjithësi./PrizrenPress.com/

Jep dorëheqje prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sefer Morina

0

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sefer Morina, të hënën, ka dhënë dorëheqje nga pozita e Prokurorit të Shtetit, për arsye personale dhe shëndetësore.

“Betimi për Drejtësi” ka provuar të kontaktojë me prokurorin Morina, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Kryeprokurori i Prokurorisë në fjalë, Admir Shala, i kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi” ka konfirmuar se prokurori i lartpërmendur ka paraqitur dorëheqjen.

“Prokurori Sefer Morina ka dhënë dorëheqje për shkaqe personale dhe shëndetësore” ka thënë Shala.

Ndryshe, Morina ishte prokuror në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Fatmir Limaj padit shtetin, refuzon ofertën për dëmshpërblim nga KGJK

0

Ish-komandant “Çeliku”, Fatmir Limaj, ka refuzuar ofertën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës për dëmshpërblimin e kërkuar për rastin e njohur si rasti “Kleçka”.

Oferta e Komisionit për Kompensim të dëmit të KGJK-së në vlerë rreth 7 mijë e 305 euro është cilësuar si ofertë simbolike nga ana e Limajt dhe i njëjti ka paralajmëruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë për kompensim të dëmit.

Refuzimi i ofertës nga ana e Limajt ka ardhur, pasi shuma e ofruar nga KGJK, nuk arrinte as 1 përqindëshin nga shuma prej 7 milionë që kishte kërkuar.

Mbrojtësi i Limajt, avokati Tahir Rrecaj, ka konfirmuar për “Arbresh.info” se Limaj nuk e pranoi ofertën e KGJK-së, dhe ai paralajmëroi se më së largu javën e ardhshme do t’a dorëzoj padinë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Nuk jemi pajtuar me ofertën për kompensimin e dëmit. Oferta e KGJK-së ishte simbolike, besoj që javën e ardhshme do t’a dorëzoj padinë në Gjykatë”, është shprehur Rrecaj për “Arbresh. Info”.

Refuzimin e ofertës së KGJK-së e ka konfirmuar për Arbresh.Info” edhe drejtori i Departamentit Ligjor në KGJK dhe sekretari i Komisionit për Kompensim të dëmit, Astrit Hoti.

Ai ka thënë se ky komision në bazë të kritereve që ka nga këshilli, për qëndrimin e Limajt në paraburgim dhe arrest shtëpiak, i ka ofruar shumën prej 7.305 euro, shumë kjo që sipas tij nuk është pranuar nga Limaj.

“Për 35 ditë paraburgim sa ka qëndruar, ia kemi ofruar 1545 euro, ndërsa për arrest shtëpiak që ka qëndruar 384 ditë dhe i kemi ofruar dhe për këtë ia kemi ofruar 5760 euro. Ai nuk e ka pranuar këtë ofertë të KGJK-së dhe përfaqësuesi i tij ligjor ka paralajmëruar padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, është shprehur Hoti.

Sipas Hotit, komisioni i KGJK-së punon në bazë të kritereve që i ka caktuar këshilli në bazë të këtij udhëzimi jep ofertat për dëmshpërblim dhe këto oferta, sipas tij, nuk mund të dalim jashtë udhëzimit.

Ndërkohë muaj më parë, ish-komandant “Çeliku”, Fatmir Limaj pati dorëzuar kërkesën e tij për kompensim nga shteti për procesin e padrejtë gjyqësor ndaj tij në rastin “Kleçka”. Shuma që ai ka kërkuar arrin vlerën rreth 7 milionë euro.

Përballja e tij tri herë radhazi me drejtësinë në rastin “Kleçka”, në të cilin rast akuzohej për krime lufte gjatë vitit 1999 dhe vërtetimi i pafajësisë, ka bërë që Limaj të kërkoj kompensim dëmi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, saktësisht 6 milionë e 987 mijë e 314 euro.

Ndryshe, Limaj bashkë me nëntë luftëtarët e UÇK-së akuzohej për Krime lufte gjatë vitit 1999.

Në vitin 2012, Gjykata e Qarkut në atë kohë i pati shpall të pafajshëm Limajn dhe nëntë të tjerët, si dhe kishte hedhur poshtë dëshminë e dëshmitarit Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari “X”, mbi të cilën ishte bazuar një pjesë e mirë e provave të prokurorisë.

Po këtë vit Gjykata Supreme pati marr vendim që gjithë rastin “Kleçka” ta kthej në rigjykim.

Por në shtator të vitit 2013 pas një rigjykimi, Gjykata Themelore e Prishtinës pati shpallur të pafajshëm të gjithë të akuzuarit e rastit “Kleçka”.

Gjykata e Apelit për herë të tretë e pati kthyer “Kleçkën” në rigjykim, por kësaj here pati vendosur që rastin t’a gjykoj një kolegj i gjyqtarëve të saj.

Në maj të vitit 2016, Apeli përfundimisht i shpalli të pafajshëm të gjithë të akuzuarit e këtij rasti, duke i dhënë fund kështu një gjykimi maratonik./Arbesh.info /

Rasti i Shyhrete Berishës tregon sa e pabarabartë është gruaja në shoqërinë tonë

0

ATIFETE JAHJAGA

Fjalimi i Atifete Jahjagës, ish presidente e Kosovës, për javën e gruas
Ju falemnderit për këtë mundësi që të vlerësojmë rrugën tonë të përbashkët për fuqizimin e grave të Kosovës në një kohë kur gradualisht si shoqëri po vetëdijësohemi për rolin dhe kontributin e tyre.

Arritjet janë të shumta, dhe ne të gjithë jemi përkrahës e dëshmitarë të tyre.
Por edhe zbrapsjet tona si shoqëri nga rruga e barazisë gjinore, sa herë që ndodhin, janë shumë të vrazhda. Të shëmtuara. Plotësisht të turpshme.
Ne mund të krenohemi si shteti i parë në rajon me grua presidente. Me kryetaren e parë të një komune, grua. Me kuotën e përfaqësimit të gruas në parlament.
Por, të gjitha këto arritje zbehen dhe zhbëhen për secilen prej nesh kur jemi dëshmitarë të dramës nëpër të cilën po kalon Shyhrete Berisha.

Shyhretja, si shumë gra të Kosovës, e ka paguar shtrenjtë çmimin e lirisë.
E plagosur fizikisht dhe e vrarë emocionalisht, Shyhretja ka mbijetuar fare rastësisht, e lënë për të vdekur, e mbuluar me trupat e pajetë fëmijëve e bashkëshortit të saj në kamionin ku forcat serbe i kishin ngarkuar anëtarët e familjes Berisha nga Suhareka.

Pak nga ne kishim menduar që dy dekada pas luftës, Shyhretes, që po luftonte me ngulm për t’u hapur varre për t’i qarë fëmijët e saj, e po kërkonte drejtësi për vrasësit e familjes së saj, do t’i ngarkohej edhe një betejë tjetër për drejtësi.

Dyshoj që ta ketë menduar edhe ajo që një ditë dyert e shtëpisë ku kishte nisur e krijuar familjen deri në ato momente të kobshme që e kishin privuar përjetë nga ajo lumturi, do t’i mbyllen në emër të normave, të burrnisë, të traditës. Asaj është duke ju mohuar e drejta mbi pronën, bashkë-ndërtuese e të cilës ishte.

Nuk e kisha menduar që një shtet ligjor do ta dështojë kështu gruan, vuajtja e së cilës është vet bazamenti i këtij shteti.

Unë dua t’i ngris disa pyetje, që ndoshta diskutimi i mëvonshëm edhe mund të jap përgjegje:

1. Si mundemi, ne, respektuesit e kuotës së tridhjetë përqindshit, promovuesit dhe avokuesit për të drejtat e gruas, të lejojmë që një grua të hiqet zvarrë nga shtëpia e saj ku me vite ka grumbulluar kujtimet e më të dashurve të saj që lufta – lufta për lirinë tonë – ja mori padrejtësisht?

2. Si mundemi ne, kur sot, në mesin tonë, këtu, kemi gra, secila e fuqishme, secila shembull për komunitetet e tyre, secila punëtore dhe me etikë të punës, t’i mbyllim sytë para një padrejtësie të tillë?

3. Si mundemi të sillemi kështu para gjeneratave të reja, të cilave po u premtojmë se Kosovën do ta bëjmë vend të ëndrrave të tyre?

Si Shyhretja ka shumë në Kosovë, pre e një kulture që vazhdimisht sposton gruan në pozitë inferiore, një pozitë të dytë. Të sigurohemi që ato t’i ndiejnë efektet e punës tonë për të jetësuar këtë barazi që ajo të mos mbetet vetëm në letër.

Zonja dhe zotërinj,

Ende jemi larg për ta bërë këtë ndryshim dhe për ta mbyllur hendekun gjinor.
Sipas të dhënave, 60% e të diplomuarve në universitetet në Kosovë janë femra. Por, vetëm 21% e femrave kërkojnë punë krahasuar me 61% të mashkujve.
Ky raport është goxha shqetësues edhe kur bëhet fjalë për pozita të larta në sektorin publik, menaxhment, apo në legislativ ku vetëm një në gjashtë persona që kanë pozita udhëheqëse në këto fusha është grua. Mosbarazi edhe më e madhe ekziston në përbërjen e qeverisë së Kosovës, ku vetëm 10% e ministrive udhëhiqen nga gratë.

Pjesëmarrja e grave në sektorin e sigurisë është poashtu tejet e ulët. Vetëm 14% e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës janë gra, ndërsa vetëm 9% e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë femra.

Këto shifra flasin për një nevojë shumë të madhe për t’i fuqizuar më shumë gratë në vendin tonë, sepse gratë historikisht kanë qenë pjesë e rëndësishme e procesit shtet-bërës në Kosovë.

Ne nuk do të heqim dorë dhe ju ftoj që ky të jetë një zotim.

Ne jemi ato që duhet t’ua mbushim mendjen që duhet të kërkojnë atë që u takon — barazi sociale, politike dhe ekonomike, pa dallim gjinie.

Unë, flas nga përvoja personale kur them se zgjedhja e një presidente femër, e një kryetare të komunës, e një ministre, e një ambasadore, e një udhëheqëse të një institucioni, e ka ndryshuar qasjen se si vajzat e reja sot e shohin rolin e tyre në ndërtimin e të ardhmes së vendit tonë.

Ne krenohemi dhe e duartrokasim suksesin e ambasadoreve tona të nderit, Majlinda, Rita, Dua, Era, Nora, që po e bëjnë Kosovën kampione. Ato nuk po i harrojnë rrënjët e tyre dhe e bëjnë të dukshëm shtetin e tyre në hartë dhe e bëjnë flamurin të valojë aty ku nuk e presim.

Por ne, me krenari të njëjtë duhet t’i trajtojmë vajzat brenda vendit që ndoshta nuk do t’iu jepet mundësia e njëjtë.

Ne duhet të zotohemi që të krijojmë një ambient ku emancipimi i tyre duhet të jetë prioritet, edhe nëse nuk e kanë fatin të bëhen yje botërore.

T’i njohim meritën edhe vajzës së vogël që shkon në shkollë me këpucë dhe rroba të grisura, e sidomos familjes që e bënë një sakrificë për ta dërguar në shkollë.
T’i njohim meritën edhe nënës amvise që rritë fëmijët dhe mban familjen.
T’i njohim meritën edhe grave të komuniteteve minoritare, që ju duhet të dyfishojnë përpjekjet për integrim.

Duhet të punojmë që secila mësuese, të jetë krenare që i mëson 30 nxënës shkrim dhe lexim.

Duhet te punojmë që secila police të ketë fuqi që të mbrojë rendin dhe ligjin, që të kemi një shoqëri të drejtë.

Duhet të punojmë qe secila deputete të ketë guxim të ngjitet në podiumin e Kuvendit dhe të flas me zë të lartë kundër padrejtësive që i duket se po bëhen, pa marrë parasysh se cilës parti i takon.

Shpesh deri sot, vota e grave ka qenë e pakusht në raport me politikat ndaj pozitës së tyre, pothuajse e pavërejtshme. Në duart e tyre, ato mbajnë fuqinë për t’i larguar nga vendimmarrja të që gjithë ata që nuk i respektuan dhe nuk nuk i panë si vlerë.
Gratë kosovare, në përgjithësi kemi dëshmuar se jemi luftëtare të zellshme dhe se do t’i kërkojmë pa pushim të drejtat tona. Gratë në politikë, e kanë dëshmuar se janë më të forta se sa sulmet që ju bëhen për shkak të pamjes, veshjes dhe statusit martesor.

Prandaj, unë sot ju them të mos frikësoheni, sepse frikacakë janë sulmuesit. Mos lejoni që elemente tejet sipërfaqësore të ju pengojnë në synimin tuaj për të krijuar një shoqëri më të drejtë, më të mirë.

Ne jemi ekip. Secila prej nesh duhet ta gjej forcën aty

Nisin vizitat shëndetësore për nxënësit e shkollave të Prizrenit

0

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prizren, ka filluar vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit e klasave të para, të pesta dhe të nënta.

Drejtori i QKMF-së, Mehmedali Gashi tha se stafi mjekësor është shumë i përgatitur për realizimin sa më të suksesshëm të këtij aktiviteti.

“Qëllimi i vizitave është vlerësimi i gjendjes shëndetësore të fëmijëve dhe identifikimi i hershëm dhe me kohë i anomalive eventuale të patologjive të fëmijëve”, tha Gashi,transmeton TVPZ.

Sipas tij, kontrollit sistematik mjekësor, sivjet do t’i nënshtrohen 7800 nxënës të të gjitha komuniteteve në Prizren.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, tha se ky aktivitet shëndetësor është shumë i rëndësishëm.

“ Pas këtyre kontrolleve e dimë gjendjen shëndetësore të nxënësve”, tha Muja./PrizrenPress.com/

Liria, miqësore me Kukësin

0

Drejtuesit e Lirisë dhe të Kukësit, kanë arritur marrëveshjen që të zhvillojnë ndeshje miqësore.

“Në kuadër të bashkëpunimit të shkëlqyer që kemi me klubet shqiptare, e në veçanti me fqinjin tonë Kukësin, kemi arritur marrëveshje që të luajmë ndeshje miqësore.

Për këtë ndeshje besoj që do të ketë interesim në qytetin e Prizrenit e më gjerë, duke ditur formën dhe performansën e Kukësit, në kampionatin shqiptar dhe në garat europiane viteve të fundit”, ka thënë kryetari i Lirisë, Mirsad Çollaku.

Drejtuesit e skuadrave, besojnë në rritjen dhe fuqizimin e bashkëpunimit, në të ardhmen.

Ndeshja, Liria-Kukësi, zhvillohet të shtunën në ora 15.00 në ‘Përparim Thaçi’.

Ymer Berisha: LDK-ja e Nisma, do të mbesin zë opozitarë në Prizren

0

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha ka hedhur poshtë pretendimet e partive opozitare,  duke theksuar se Komuna në secilin konkurs respekton legjislacionin dhe punëson më meritorët.

Politikat e konkurseve e janë ekskluzivisht të normuara ligjërisht dhe mbi këto të drejta ligjore procedohen dhe kandidatët meritorë rekrutohen konformë kërkesave ligjore për vendin e punës”, ka thënë Berisha për Koha Ditore.

“LDK-ja dhe Nisma me këto deklarata fiktive dhe tendencioze mirë është që të vazhdojnë të mbesin zë opozitarë politik e asgjë më shumë”, ka thënë ai.