Home Blog Page 6149

Sulmohen fizikisht policët në Rahovec

0

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona pasi ata në orët e para të ditës së djeshme në Shtërpcë e kanë sulmuar fizikisht një zyrtar policor, i cili ishte duke u marrë me një rast.

Si pasojë e sulmit, zyrtari policor ka pësuar lëndime të lehta trupore, për çka është dashur të pranonte tretman mjekësor.

Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i sulmit ndaj personit zyrtar (policit) ka ndodhur edhe në Rahovec.

Policia njofton se dje rreth orës 15:00 është arrestuar një person pasi që e kishte sulmuar fizikisht policin, i cili ishte duke u marrë me një rast “Dëmtim prone”, ku i involvuar ishte edhe i dyshuari.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Gjysmëvjetori i dytë fillon sot

0

Sot rifillon procesi mësimor në të gjitha shkollat e Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami do të vizitojë shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Iliria” në Prishtinë.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë kishte shtyrë fillimin e mësimit për shkak të motit të lig dhe temperaturave të ulëta, si dhe epidemisë së Gripit AH3V.

KFOR-i, i gatshëm për intervenim

0

Zëdhënësi i KFOR-it, nënkoloneli Max Barbacini, u ka bërë thirrje palës serbe dhe asaj kosovare për vetëpërmbajtje dhe të angazhohen për dialog. Megjithatë, sipas tij, KFOR-i është i gatshëm për çfarëdo situate, e cila ka nevojë për intervenimin e tyre

Tentimi që treni i nisur nga Beogradi me mbishkrimet “Kosova është Serbi”, të hyjë në Kosovë, ka kaluar të gjitha kufijtë e “normalitetit” të provokimeve të deritashme nga ana e Serbisë. Ky rast, nga ekspertët e sigurisë në vend, po shihet si “luftënxitëse”, dhe që ka cenuar situatën e sigurisë në Kosovë. Madje, sipas tyre, në pikëpyetje është edhe vetë stabiliteti rajonal. Megjithatë, sipas Policisë së Kosovës, nuk ka vend për shqetësime në nivel shtetëror për gjendjen e sigurisë. Ata vlerësojnë se situata është e qetë dhe e “brishtë” në pjesën veriore të Mitrovicës. Për këtë arsye edhe kanë ngritur në dispozicion të gjitha kapacitetet që kanë. E presidenti serb, Tomislav Nikoliç, dje ka mbledhur edhe Këshillin e Sigurisë Nacionale, pas së cilës ka thënë se Serbia është e gatshme të nisë edhe ushtrinë në Kosovë, nëse rrezikohen jetët e serbëve.

E rreth krejt kësaj situate reaguesi i tretë për sigurinë në vend, KFOR-i, u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të angazhohen në dialog, duke shtuar se ata do të jenë të gatshëm për çfarëdo lloj situate që paraqitet në terren./zeri/

Rrahagjoksi Thaçi i do meritat për vete në ndaljen e trenit

0

Bërja politikë për përfitime personale nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me përpjekjen provuese të shtetit serb lidhur me trenin e nisur nga Beogradi, të shtunën për në Mitrovicën veriore, ka hasur në kritika të ashpra, si në mesin e përfaqësuesve të partive politike, edhe tek analistët politikë. Ata thonë ai tentoi si përherë të marrë meritat për gjërat pozitive në Kosovë, siç ndodhi me kthimin e trenit të shtunën, është i paskrupullt pasi në çdo vend tjetër Qeveria merr vendime të tilla.

Madje, sipas tyre, kjo rrahje gjoksi e presidentit të vendit konsiderohet si një sinjal për ta anashkaluar partnerin e koalicionit, në këtë rast LDK-në, siç ndodhi edhe me rastin e Pavarësisë, ku si kryeministër Thaçi përvetësoi meritat më të mëdha në shpalljen e Pavarësisë, duke anashkaluar presidentin e atëhershëm, Fatmir Sejdiun, por edhe kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqin. Tani ndalja e trenit është meritë më e madhe e faktorit ndërkombëtar, që i dha sinjalin Qeverisë për ta ndalur trenin provokues, derisa Thaçi po tenton ta përmirësojë imazhin e tij të rrënuar për tokë si president dhe si përçarës në një ditë si kjo, kur të gjithë bëhen bashkë për interesat e vendit.

Salihaj: Sjellja e presidentit është një veti e tij e lindur

Analisti politik Florim Zeqa thotë se nuk është hera e parë që Hashim Thaçi tenton të marrë meritat e të tjerëve për gjërat pozitive në Kosovë, siç ndodhi me ndaljen e trenit! Shton se kjo, përveçse një tendencë për përmirësimin e rrënuar të imazhit të tij, Hashim Thaçi hapur e injoroi partnerin e koalicionit, më konkretisht kryeministrin e vendit, Isa Mustafa, për vendimin e Qeverisë për ndaljen” e trenit, ashtu siç e kishte anashkaluar presidentin e atëhershëm Fatmir Sejdiu me rastin e shpalljes së Pavarësisë.”Në fakt, si shpallja e Pavarësisë së 2008-s, ashtu edhe ndalja e trenit provokues serb, ishte meritë edhe e bashkësisë ndërkombëtare. Thaçi dhe të tjerët vetëm sa u përdorën si figura politike për zbatimin e projektit ndërkombëtar (Pakos së Ahtisarit) për shpalljen e Pavarësisë së cunguar…,pasojat e së cilës po i vuajmë tani 9 vjet rresht, me obstruksione dhe provokime të njëpasnjëshme të ish-pushtuesit verior – Serbisë. Thaçi është mësuar që të përfitojë nga situatat unifikuese të popullatës, duke tentuar që nga një përçarës fatal të shndërrohet brenda natës në unifikues, pa e bërë as hapin më të vogël për unifikimin e faktorit politik shqiptar. Disa nga kanalet televizive të Kosovës dhe analistë e thanë se presidenti ishte ai që e ndaloi trenin, duke u munduar ta paraqesin Thaçin si njeriun më të fortë dhe unifikues të Kosovës, nën pretekstin që nesër Kosova të shkojë drejt një republike presidenciale”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”.

Ndryshe, deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, thotë se kjo sjellje e presidentit është një veti e tij e lindur për të përvetësuar meritat e të tjerëve, derisa personalisht angazhohet për shkatërrimin e të gjitha vlerave të shtetit.”Hashim Thaçi është njeri dinak, por prej se ka arritur të bëhet president nuk po di me çka të merret dhe po vrapon që të merret me punët e huaja dhe t’i marrë meritat e huaja. Askush më shumë se Hashim Thaçi nuk ka arritur ta shkatërrojë Kosovën në periudhën e pasluftës, duke instaluar krimin e organizuar dhe korrupsionin në çdo pore të shtetit të Kosovës dhe duke shitur interesat e Kosovës përmes secilës marrëveshje të nënshkruar nga ai me Serbinë”, theksoi deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, për “Kosova Sot”

Kelmendi: Ndalja e trenit, nga presioni popullor

Të pandershme e cilëson përpjekjen jo vetëm të presidentit, por edhe të kujtdo tjetër për të marrë merita në këtë rast edhe deputeti Ali Berisha, nga AAK-ja. Ai thotë se ky është një obligim ligjor e kushtetues, që u ka takuar ta bëjnë të gjitha institucionet e shtetit, prandaj nuk i bën nder askujt që të përpiqet të përfitojë poenë personalë për veten e vet. “Mendoj që për ndalesën e trenit të Serbisë askush nuk duhet të krekoset e të lavdërohet. Në këtë rast institucionet e shtetit të Kosovës vetëm kanë zbatuar një të drejtë dhe obligim kushtetues që duhej të zbatohej. Kushdo që ka vepruar e ka zbatuar Kushtetutën, derisa në rast të mosveprimit e secilit nga bartësit e institucioneve të këtij shteti do të ishte një shkelje serioze e Kushtetutës së shtetit, prandaj në rastet e tilla krekosjet janë të pa vena derisa cenimi i sovranitetit të shtetit të Kosovës do të ishte i dënueshëm, për secilin”, theksoi Ali Berisha për “Kosova Sot”.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi konsideron se nëse dikush duhet lavdëruar dhe falënderuar edhe në këtë rast duhet të jetë faktori popull që vazhdimisht ka bërë presion te politika në mbrojtje të shtetit, por edhe faktori ndërkombë- tar, Forca Ushtarake e Aleancës së NATO-s, që është përgjegjëse për kufijtë e jashtëm të Kosovës dhe i ka dhënë mbështetje ekzekutivit të vendit në mbrojtje të shtetit, derisa këto merita nuk mund t’i marrë ai që vazhdimisht ka punuar në shkatërrimin e shtetit.

“Për mendimin tim meritat i takojnë popullit të Kosovës, sepse ky popull ka vite dhe muaj që po bën presion mbi pushtetin për të vepruar dhe për të ndalur shkatërrimin e shtetit të Kosovës, të cilin grupi politik i Hashim Thaçit me vite të tëra e shkatërroi. Tani ndalja e trenit vjen nga presioni i popullit. Ai e detyroi policinë për të vepruar. Gjithashtu duhet thënë se në këtë anë ka ndikuar shumë edhe faktori ndërkombëtar, respektivisht aleanca e NATO-s dhe BE-ja, Brukseli në bashkë koordinim me SHBA-në. Ndryshe në pyetje ka qenë provokimi serioz nga Serbia dhe Rusia. Ushtria Rusem NATO-ja dhe SHBA-ja së bashku, në koordinim me institucionet e shtetit, kanë bërë që treni të kthehet nga Rashka, por me vendimin e shtetit serb. Ndërsa, tani dua të them se tërë kjo do të shihet se si do të pasojnë veprimet e tjera derisa kemi akoma murin që duhet rrënuar në veri, është Asociacioni që po duan ta krijojnë, por është edhe Demarkacioni dhe natyrisht që ndërtimi i parimeve mbi raportet në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë dhe BE-së varet nga këto tema. Nga këto zhvillime do të shihen edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë, se ku qëndrojmë”, u shpreh Kelmendi

Zhgënjimi i miqve në elitën e korruptuar kosovare

0

A po i merr sinjalet e qarta të izolimit ndërkombëtar kjo klasë politike që po keqqeveris vendin, derisa edhe miqtë më të përkushtuar ndërkombëtarë po ndahen të zhgënjyer nga të bërat e tyre. Ishte së fundi edhe ish-shefi i Misionit të OSBE-së, William Walker, që tha se në Kosovë ka politikanë që nuk kanë hyrë në politikë për të bërë politikë në të mirë të vendit dhe qytetarëve, ndërkohë që vuri në pah edhe faktin se Kosova duhet ta ndërrojë e zëvendësojë klasën politike aktuale kudo në pushtet, pasi që ata kanë qëndruar shumë gjatë në pushtet dhe kanë dëshmuar se nuk punojnë për të mirën e vendit e qytetarëve.

Analisti politik, Fadil Lepaja, thotë se izolimi i kësaj klase politika ka filluar kaherë të paralajmërohet pasi që ka devijuar nga obligimet që ka ndaj shtetit. “Po, ka kohë që kjo klasë politike është korruptuar aq shumë sa më nuk vepron sipas interesave të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës, por e kanë instrumentalizuar shtetin dhe grupet e qytetarëve, në funksion të interesave të tyre duke e mbajtur kështu vendin në gjendje krize permanente, të izoluar dhe me ekonomi të rrënuar”, thotë Lepaja për “Kosova Sot”.

Spahiu: Të merret si shembull Obama e jo Kim II Young-un

Sipas analistit dhe profesorit universitar, Nexhmedin Spahiut, sinjalet për izolim të kësaj klase politike vijnë edhe më herët, nga deklaratat e James Rubinit. “Kjo ka filluar që me deklaratën e James Rubin para 4 vitesh dhe i fundit është William Walker. Vetëm miqtë e Kosovës e thonë hapur. Të tjerët e mendojnë po nuk e thonë. Çka është tepër, tepër është. Shikoni emrat e politikanëve në Evropë. Askund në Evrope nuk ke ta zëmë politikanë që 40 vjet në funksione ballore të vendit si Isa Mustafa, kryetar i rinisë, kryetar i kryeqytetit, ministër (10 vjet), prapë kryetar i kryeqytetit 6 vjet, kryeministër. Po edhe këta që janë që 20 vjet në pushtet tepër është. Shikoni Barack Obama-n. Karriera e tij politike ka filluar më 2005 e po përfundon më 2017.

Le të merret shembull Obama e jo Kim II Young-un apo pasardhësit e tij”, theksoi Spahiu për “Kosova Sot”. Analisti Blerim Burjani vlerëson se kjo qeverisje duhet të kujdeset sinqerisht për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale. “Mungesa e një edukimi normal dhe cilësor bën që Kosova të jetë në krize permanente dhe ka një pasiguri për të ardhmen e vendit. Klasa akademike në vend tani duhet të mobilizohet dhe të bëjë një alternativë të re politike, pra një gjeneratë më e re politike i nevojitet vendit për ta zëvendë- suar këtë klasë politike që deri më tash u pa se nuk është as e gatshme as e interesuar për të zbatuar vullnetin e qytetarëve, por vetëm vullnetin partiak, familjar dhe klanor”, theksoi Blerim Burjani.

RoMed i dhuron 30 shtretër Spitalit të Prizrenit

0

Nga mbrëmë, Spitali Rajonal i Prizrenit ka 30 shtretër më shumë, donacion ky i ardhur nga Klinika gjermane RoMed nga qyteti Bad Aibling, afër Rosenheimit në Gjermani.

Drejtuesit e Spitalit të Prizrenit, që kanë pranuar donacionin, kanë falënderuar donatorin, spitalin RoMed dhe organizatorin e kësaj ndihme humanitare, humanistin dhe aktivistin e Shoqatës Nëna Tereze të Mynihut, Haqif Gashi si dhe Presidentin e UBT-së Edmond Hajrizi, i cili kishte marrë përsipër të gjitha shpenzimet e transportit.

Mjeku nga Kosova Haqif Gashi, i cili ka vite që është i angazhuar në këtë klinikë, është i njohur për aktivitete humanitare edhe në Afrikë, ku me grupe mjekësh vullnetarë kryejnë aktivitete humanitare në vendet e varfra. Në Kosovë, humanisti Haqif Gashi ka ndihmuar edhe herë të tjera. Janë disa raste kur ai bashkë me shoqatën “Nëna Tereze” në Mynih, kanë organizuar mjekimin e fëmijëve nga Kosova në Gjermani, kur trajtimi i tyre ka qenë i pamundur në Kosovë.

Ndërkaq, në vitin 2013 ai kishte sjellë në QKUK 110 shtretër spitalorë dhe shumë aparate mjekësore si donacion. Gjithashtu, 10 shtretër si donacion kishin shkuar edhe për spitalin e Tepelenës në Shqipëri. Vlera e donacionit për spitalin e Prizrenti kalon rreth 60 mijë euro. Donacion është mbështetur edhe nga drejtuesit e Spitali RoMed, Hr. Marburger dhe Dr. Pfeiffer.

Po kështu e njëjta klinikë nga Gjermania ka dhuruar donacion disa aparate mjekësore në shërbim të studentëve të degës Infermieri në Universitetin UBT./rtklive.com/

 

 

 

Drejtoresha e Arsimit në Rahovec nuk i zbaton vendimet e Ministrisë

0

Drejtoria komunale e arsimit në Rahovec përkatësisht drejtoresha Vjollca Vuçitërna nuk i zbaton vendimet Ministrisë së Arsimit përkatësishtë të Zyres së Inspektoriatit të Arsimit në Gjakovë, shkruan Gazeta InfoPress.

U bënë një vit e gjysmë që Inspektoriati i Arsimit i regjionit të Gjakovës lëshon dokumente të njëpasnjëshme, nga Rekomandimi deri në Vendim, duke ja kujtuar DKA-së në Rahovec se dikujt i kanë mohuar të drejtën ligjore por këto dokumente DKA-ja nuk i përfill fare. Për ta banalizuar çështjen edhe më shumë, drejtoresha e arsimit zn. Vjollca Vuçitërna, ankesave të punëtores në fjalë, sikundër edhe të punëtorëve tjerë të arsimit, nuk i përgjigjet fare me shkrim kurse përgjigjiet verbale që jep janë tejet fëmijërore.

Pasi shfrytëzova pozitën e anëtarit të Kuvendit Komunal të Rahovecit për të kërkuar qëndrimin zyrtar të DKA-së në raport me problemin në fjalë, përgjigjja e drejtoreshës injoron problemin duke kthyer përgjigjje shumë naive karshi dokumenteve zyrtare. Rrjedha e ngjarjes; – Para një viti e gjysmë, në shkollën fillore “Hamëz Thaqi” në Xërxë, u liruan orët e lëndës së Kimisë. Adelina Kryeziu, mësuese e kësaj shkolle për 11 vjetë, e kualifikuar në fakultetin e Edukimit drejtimi Biologji – Kimi / 240 kredi, e kualifikuar me rreth 600 orë seminarike për mësimdhënie, shembullore në punë, punonte me orë zgjedhore dhe katër orë biologji, në dy shkolla. Drejtoria komunale e arsimit / drejtoresha Vjollca Vuçiterna, në vend se t’ia kalonte lëndën e kimisë Adelina Kryeziut, shpall konkurs të hapur dhe e pranon një punëtore të re, pa përvojë pune, e paliçensuar dhe me notë mesatare më të ulët.

Derisa konkursi ishte i hapur deri me 10 shtator, Adelina, me 3 shtator 2015, i drejtohet me Ankesë DKA-së nga e cila zyre nuk merr përgjigjie asnjëherë. Rezultatet e inspektimit të rastit nga Zyra e Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë ishin në favor të Adelinës, gjithsej katër dokumente. Të gjitha këto i injoron drejtoresha Vjollca Vuçitërna, përfshirë edhe Ankesat dhe Kërkesat që i’a drejton Adelina, derisa unë, në cilësinë e anëtarit të Kuvendit Komunal, në seancën e Kuvendit të muajit nëntor i kërkoj përgjigjje me shkrim në raport me Vendimin e Inspektoriatit, në lidhje me rastin në fjalë. Në seancën e dhjetorit drejtoresha ma solli Përgjigjien e cila, përveç defekteve në përgaditje, është përgjigjie mjaftë naive në vetvete dhe e injoron realitetin e paraqitur nga dokumentet e Inspektoriatit.

Vendimi i Zyres së Inspektoriatit të Arsimit në Gjakovë thotë;-“Drejtoria Komunale e Arsimit në Rahovec, për sistemim në vendin e punës si mësimdhënëse e Kimisë të znj. Adelina Kryeziu, të vepron konform legjislacionit në fuqi për sistemim, bazuar në përgaditjen e saj shkollore.”, për të vazhduar;-“Kërkesa e sajë (Adelina Kryeziut) për sistemim në vendin e punës, mësimdhënëse e Kimisë, për 14 orë mësim në javë në SHFMU “Hamëz Thaqi” në Xërxë, është e arsyeshme, sepse këtë të drejtë ja mundëson ligji Nr. 03/L-212 i punës dhe UA 14/2011 (MPMS). Pyetjes time në seancën e Kuvendit, drejtuar drejtoreshës Vjollca Vuçitërna;-“Kërkoj përgjigjje me shkrim se;- Cili është qëndrimi zyrtar i DKA-së për Vendimin e Zyres së Inspektorëve të Arsimit në Gjakovë, me Nr.649/10?”, drejtoresha më ktheu përgjijen siç vijon; “-…supozimi juaj se orët janë marrë padrejtësisht bashkëshortes suaj nuk qëndron, sepse Adelina Kryeziu është pranuar në punë për orët e mësimit zgjedhor në vitin 2004, dhe ka punuar si mësimdhënëse e mësimit zgjedhor ku edhe vazhdon, ndërsa orët të cilat i pretendoni ju, janë orë të kimisë dhe për to është shpallur konkurs konform legjislacionit në fuqi. Paraprakisht, Adelina është dashur të bëjë kërkesë me shkrim në DKA, se është e interesuar për tiu plotësuar norma dhe kjo nuk ka ndodh.

Megjithatë DKA-ja ka bërë përpjekje të sistemimit të Adelinës për tia plotësuar normën dhe i është ofruar mundësia ti merr orët e kimisë në Krushe të Madhe (zëvendësim lehone), por verbalisht ajo nuk ka pranuar. Ne si DKA kemi obligim të bëjmë sistemimin e punëtoreve me kërkesa të tyre paraprake, e edhe Adelina do të sistemohet në momentin e parë kur do të jetë e mundur.” Komentimi i përgjigjjes; Drejtoreshë, kunkursi për orët e Kimisë në fjalë është i paligjshëm për faktin se; Së pari, sipas inspektorëve të arsimit, është hapur pa kërkesë zyrtare të drejtorit të shkollës, pa kontaktuar me punëtoren e cila ka pasur nevojë për këto orë. Dy ditë pas hapjes së konkursit ju kemi kontaktuar në zyren tuaj dhe ju kemi sqaruar se konkursi është i paligjshëm ku edhe kemi kërkuar anulimin e konkursit. Me 3 shtator Adelina ju ka drejtuar zyrtarisht një Ankesë me shkrim, ku ka sqaruar se është e kualifikuar për lëndët Biologji-Kimi me 240 kredi, është punëtore e rregullt e kësaj shkolle që nga 1 shtatori 2004, që konkursi është hapur 6 ditë pa skaduar kontrata e fundit derisa Adelina kishte nevojë për këto orë, se Adelina nuk është kontaktuar nga askush për ta marr mendimin se a është e interesuar apo jo, se Adelina qysh në muajin qershor 2015 kishte kërkuar orët nga drejtori Murat Kryeziu i cili i kishte premtuar verbalisht se do t’i jipen orët sapo të lirohen.

Së dyti, është e vërtetë se Adelina është punësuar si punëtore e mësimit zgjedhor në vitin 2004 por që nga ajo kohë ajo nuk e ka shkëputur asnjëherë kontratën e punës, ka përfunduar edhe dy vite studime, ka bërë rreth 600 orë seminare për mësimdhënie dhe ka qenë mësimdhënëse shembullore. Prandaj, ligjërisht, pas një pune të suksesshme 11 vjeçare DKA-ja ka qenë e obliguar t’ia plotësojë normën e punës, sidomos kur orët janë liruar në të njëjtën shkollë ku ajo punon dhe nuk ka pasur konkurencë të brendshme. Së treti, është e vërtetë se Adelinës i keni ofruar 8 orë zavendësim të një lehone por aktualisht ajo është e angazhuar në dy shkolla për vetëm 12 orë. Angazhimi i një nëne në tri shkolla, me nga dy ditë angazhim, është i papërballueshëm. Pse nuk e dërguat Dianën që të zavendësojë në Krushe meqë ajo është e angazhuar vetëm në Xërxë?! Apo ajo është e paprekshme! Së katërti, pse Vendimi i inspektorëve saktëson se ;-“Kërkesa e sajë (Adelina Kryeziut) për sistemim në vendin e punës, mësimdhënëse e Kimisë, për 14 orë mësim në javë në SHFMU “Hamëz Thaqi” në Xërxë, është e arsyeshme, sepse këtë të drejtë ja mundëson ligji Nr. 03/L-212 i punës dhe UA 14/2011 (MPMS)?”.

Nëse kjo kërkesë është ligjore sipas ligjit dhe udhëzimit administrativ të lartëshënuar atëherë si është e mundur që edhe ju të keni të drejtë që këto orë ti shpallni në konkurs dhe t’ia jepni një punëtori tjetër?! E di se, derisa e lexoni këtë pyetje, vetëmevete përshpëritni;-LIGJI ËSHTË SI LLASTIKU O XHAFERO! Për një çështje të caktuar nuk mund të ketë dy të drejta drejtoreshë dhe se ligji nuk është si llastiku. Fatkeqësisht disa zyrtarë si puna juaj ushtrojnë autoritet duke e lakuar ligjin si llastiku por kjo nuk do të thotë se edhe drejtësia qëndron në anën tuaj. Edhepse ligjin e ke bërë llastik, unë do ta vazhdoj betejën time. Prof. Dr. Sali Bytyçi thotë;-“ Edhe nëse e ke të qartë se në fund do ta humbasësh luftën me të keqën, mos u dorëzo! Dëshmoje se nuk erdhe kot në këtë botë!” prandaj mendoj se ja vlenë ta vazhdoj betejën për drejtësinë.

Drejtoreshë e DKA-së zn. Vjollca Vuçitërna. Më vjen keq që po ju drejtohem në këtë mënyrë por kjo është shkelje e pastër ligjore. Ju keni lejuar të nëpërkëmbeni nga përfiterë të ulët siç është Murat Kryeziu&CO të cilët tërë këtë skenar e kanë bërë në llogari të vetes, për të cilin do t’ju sçarojmë po në këtë mënyrë, ditëve në vijim. Duke e parë se me sa vullnet e keni shkelur ligjin dhe normat e tij në këtë rast, kam fituar përshtypjen se ju keni bërë edhe shkelje tjera ligjore! Më vjen keq që i keni zhgënjyer të gjitha ato femra që kërkojnë më shumë hapësirë për femrën në qeverisje derisa ju jeni bërë shembull i keq i qeverisjes lokale të Rahovecit dhe ju keni mbyllur gojën këtyre femrave veçanërisht anëtareve të Kuvendit Komunal. Uroj që ta qoni deri në fund këtë madat që keni dhe pas tij të mos keni nevojë t’i nënshtroheni drejtësisë! Për fund, po ju rikujtoj dy pyetjet që ju parashtrova në Kuvend dhe për të cilat pres përgjigjje në seancën e radhës; ”1.- Nëse në një shkollë lirohen orë mësimore për të cilat ajo shkollë ka punëtor të kualifikuar i cili ka nevojë për to, orët nuk e jepen punëtorit por shpallen në konkurs të hapur dhe i jepen një personi tjetër, a është shkelje ligjore?” dhe “2.-Nëse një punëtor punësohet me konkurs të afatizuar për zavendësim për pushimin e lehonisë 6 deri 9 muaj, pas skadimit të kësaj kontrate, pa konkurs i ofrohet kontratë e rregullt, a është shkelje ligjore?”.

Ky publikim përcillet me të gjitha dokumentet zyrtare që është përcjellur kjo problematikë. /Gazeta InfoPress/

Sot nuk fillon gjysmëvjetori i dytë në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren

0

Gjysmëvjetori i dytë nuk fillon sot në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren.

Drejtori Shaip Buduri tha se arsyeja e mosfillimit të mësimit është plasaritja e gypit të nxehjes.

“ I njoftoj të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit se nesër nuk fillon mësimi në gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, për shkak të pamundësisë për t’i eliminuar defektet në nxehjes qendrore që është shkaktuar nga acari”, tha Buduri për PrizrenPress.

Ai tha se mësimi në këtë shkollë do të fillojë të martën./PrizrenPress.com/

Aksident trafiku në magjistralen Prizren – Gjakovë

0

Një aksident trafiku ka ndodhur në magjistralen Prizren – Gjakovë, në mes një veture dhe një traktori.

Aksidenti ka ndodhur si pasojë e kushteve të dobëta dhe ngricave në rrugë, ku në momentin e përplasjes asnjëra nga dy mjetet nuk kanë mundur të frenojnë.

Në këtë aksident nuk ka pasur të lënduar në njerëz por vetëm me dëme materiale./indeksonline/

Dragashi, komunë e dimrave të ashpër

0

Rrugët brenda Komunës së Dragashit kanë marrë pamje të bardhë, edhe pse janë të hapura për qarkullim. Gjerësia e tyre është ngushtuar, për shkak të borës që ka mbuluar këtë zonë. Prandaj edhe qarkullimi i automjeteve është rralluar.

Peizazhi natyror anash këtyre rrugëve ofron bukuri, megjithëse e tëra nganjëherë mbështillet edhe me ndjenjën e trishtimit, për shkakun e kujtimit të ngjarjes tragjike të pesë vjetëve më parë, kur një masiv bore në periferi të Restelicës kishte shkaktuar vdekjen e dhjetë anëtarëve të familjes Reka, shkruan sot “Koha Ditore”.

Qarkullimi nëpër këto segmente rrugore është i vështirësuar dhe pajisjet dimërore janë të domosdoshme. Madje rrugët lokale që dërgojnë kah fshatrat e thella të kësaj komune malore në gjerësinë e tyre e zënë vetëm një automjet.

Po ashtu është nevojitur mobilizim dhe angazhim disaditor i autoriteteve lokale dhe kompanive private që të zhbllokohen rrugët e fshatrave të kësaj komune, me ç’rast ka qenë i domosdoshëm edhe intervenimi i Ministrisë së Infrastrukturës me angazhimin e kompanive që posedojnë buldozerë me rrota të dhëmbëzuara për depërtim në fshatra të caktuara, që për disa ditë kanë qenë të bllokuara, pas reshjeve të borës që kishin nisur të enjten e javës së kaluar.

Ndërkohë temperaturat e ulëta që kanë shkuar deri në -28 gradë celsius kanë qenë pengesë shtesë. Qëndrimi jashtë makinerive në këto kushte është i mundshëm vetëm për pak minuta.