Home Blog Page 6187

Nis dekorimi i qytetit të Rahovecit për festat e fundvitit

0

Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit Komuna e Rahovecit është treguar e kujdesshme sa i përket dekorimit të qytetit, pasi që nga sot kanë nisur punimet e para, për të vendosur dritat ndriçuese për dekorimin e rrugëve të qytetit.

Punët për vendosjen e dritave ndriçuese kanë nisur në qendër të qytetit për të vazhduar edhe në rrugët tjera që është planifikuar të ketë dekorim të qytetit siç është udhëkryqi tek semaforët, një pjesë e rrugës “Xhelal Hajda” dhe rruga “Xhevat Kasapi”.

Prizreni trajton 65 lëndë për dhënie pronash komunale në shfrytëzim

0

Komisioni për vlerësimin e ofertave dhe dhënien e pronës komunale në shfrytëzim i Komunës së Prizrenit nga fillimi i janarit e deri në fund të muajit nëntor të këtij viti ka shqyrtuar gjithsej 65 lëndë.

Në raportin e këtij komisioni të nënshkruar nga kryetari Visar Islamaj, që njëherësh është edhe drejtor i Urbanizmit, thuhet se ky trup ka punuar dhe vepruar në bazë të Ligjit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim pronash të paluajtshme të komunës,shkruan KD.

“Lidhur me këtë një gjë e tillë, duke i bazuar me dispozitat ligjore që dalin nga ligji i përmendur, ka marrë vendimet, konkluzionet, rekomandimet, informatat, sugjerimet dhe aktet e tjera juridike konform kërkesave të parashtruara në adresën e këtij komisioni nga ana e personave fizikë, juridikë, subjekteve politike, etj.”, shkruan në raport, ku sqarohet se sipas ligjit prona komunale jepet në shfrytëzim, në afat të shkurtër prej 1-15 vjet dhe në afat më të gjatë kohor prej 15-99 vjet.

Kuvendi i Prizrenit i thotë “po” ndërtimit të xhamisë në Kala

0

Kuvendi i Prizrenit i ka thënë “po” ndërtimit të xhamisë në Kala.

Kuvendarët kanë miratuar një deklaratë, e cila do t’i dërgohet Ministrisë së Kulturës për shqyrtim për kërkesën e Iniciativës Qytetare dhe KBI-së për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit.

Në këtë deklaratë, thuhet se “grupet e këshilltarëve përkrahin këtë iniciativë, dhe kërkojnë nga Ministria e Kulturës në afat sa më të shpejtë kohor të shqyrtojë këtë kërkesë, por se do të respektohet edhe vendimi që do ta marrë Ministria për këtë çështje”./tvpz/

Personi i kërkuar arrestohet në Vërmicë

0

Në pikën kufitare të Vërmicës është arrestuar personi i kërkuar me urdhër të Gjykatës.

Policia njoton se pas arrestimit, ai është dërguar në vuajtje të dënimit në Dubravë.

Të hënën ose të martën seanca për Deharin

0

Të hënën ose të martën e ardhshme do të thirret seanca e jashtëzakonshme për vdekjen e aktivistit të “Vetëvendosjes” Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Kjo seancë pritet të karakterizohet me akuza të ndërsjella ndërmjet pushtetit dhe opozitës

Në fillim të javës së ardhshme pritet të thirret seanca e jashtëzakonshme, në të cilën do të diskutohet për vdekjen e aktivistit të “Vetëvendosjes”, Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Sipas mbikëqyrësve të punës së Kuvendit, kjo seancë pritet të kalojë me tensione për shkak të akuzave të ndërsjella në mes të pushtetit dhe opozitës, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ndërsa, opozitarët thonë se do t’i paraqesin të gjitha shkeljet që kanë ndodhur dhe se nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për vdekjen e Astrit Deharit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme do të thirret seanca e jashtëzakonshme për të diskutuar për rastin e Deharit.

Veseli ka thënë se kjo seancë është dashur të mbahet më datën 14, por meqë rreth 20 deputetë janë jashtë vendit seanca do të thirret të hënën ose të martën.

“Sipas të gjitha gjasave do të kemi seancë më datën 19, kur do të kemi edhe kthimin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të cilët aktualisht janë nëpër vizita zyrtare. Atëherë do të bisedojmë edhe me grupet parlamentare, do të iniciohet nga Grupi Parlamentar i PDK-së, do të kërkohet të nënshkruhet nga të gjithë deputetët që janë të interesuar për datën 19 apo 20. Por të jeni të sigurt se javën tjetër seanca do të jetë”, është shprehur Veseli./zeri/

Gjyqtarë e prokurorë frikësohen nga Lustracioni

0

Njohës të fushës së drejtësisë dhe të së drejtës janë të mendimit se edhe shteti ynë duhet që më në fund ta përfundojë çështjen e Lustracionit, apo zbardhjen e dosjeve të ish-bashkëpunë- torëve të dikurshëm të UDB-së jugosllave. Ndonëse kjo çështje është përfolur disa herë në media deri më sot, 17 vjet pas luftës, akoma nuk është marrë ndonjë vendim i prerë nga ana e institucioneve më të larta shtetërore se kur pritet të hapet si çështje.

Ndaj në këtë drejtim është shtuar edhe dilema se po i frikësohet edhe krerët e drejtësisë hapjes së dosjeve dhe Lustracionit, që mund të jetë fatal për plot figura të Gjyqësorit e Prokurorisë, për ish-të bëmat e tyre? Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se një ligj i tillë do të mund ta shpëtonte sistemin e drejtësisë, ngase për rrjedhojë, sipas tij, do t’i spastronte Gjykatat dhe Prokuroritë nga ata gjyqtarë e prokurorë që potencialisht mund ta kenë një të kaluar kriminale, sepse të njëjtit do të largoheshin nga institucionet në fjalë.

“Por, nuk mendoj se kjo duhet t’i përfshijë vetëm prokuroritë dhe gjykatat, pasi duhet të përfshijë komplet sistemin, administratën publike, në mënyrë që njerëzit të cilët kanë pasur lidhje me krimin dhe një të kaluar kriminale thjesht të mos jenë pjesë e sferës publike, as në administratën shtetërore dhe as në prokurori e gjykata, derisa kjo më pastaj mund të ndikojë edhe në kthimin e besimit si në sistemin politik, por njëkohësisht edhe në atë të drejtë- sisë”, tha Demhasaj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Procesi i vonuar qëllimshëm

Avokati Tomë Gashi thotë se çështja e Lustracionit apo Ligjit për vërtetimin e të kaluarës së secilit zyrtar të lartë shtetëror, zyrtarëve të lartë politikë, gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe atyre që mbajnë poste të larta publike, është një çështje që është dashur të bëhet, por siç tha posaçërisht është dashtë të bëhej menjëherë pas luftës. Tutje, Gashi ka nënvizuar se ne duhet t’i përcjellim hapat e Shqipërisë, ani pse ajo ende nuk ka arritur që të ketë një ligj të tillë, por që ka pasur tentativa shumë të forta dhe të mëdha në Parlamentin e Shqipërisë që kjo të ndodhë, derisa sipas tij në Parlamentin e Kosovës thuajse nuk është folur asnjëherë lidhur me këtë çështje.

“Kështu që nëse vihet deri tek ajo do të dihet e kaluara e secilit zyrtar të lartë publik, pa marrë parasysh se a është gjyqtar, prokuror apo mban poste të tjera publike dhe me siguri se ata që i kanë shërbyer sistemit të kaluar, atij të okupimit, nuk mund të jenë zyrtarë të lartë shtetërorë në Kosovën e pasluftës. Unë e di se një pjese të gjyqtarëve, të prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë politikë nuk u konvenon që të kemi një ligj të tillë dhe ndoshta kjo është edhe arsyeja që ata nuk duan ta shtyjnë përpara këtë çështje të Lustracionit, apo të verifikimit të së kaluarës së zyrtarëve të sipërpërmendur “, ka spikatur për gazetën “Kosova Sot” avokati Tomë Gashi.

Të dhënat fshihen nga Serbia

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, mendon se kjo është një çështje shumë e rëndësishme për shtetin tonë, sidomos pas rrjedhave e proceseve dhe luftës që ka kaluar, por, sipas tij, kjo është një çështje shumë e ndjeshme, ngase askush nga Serbia nuk do të jepte të dhëna të sakta për njerëzit e vet, të cilët i ka pasur në shërbimin e inteligjencës, andaj si e tillë Baraliu thotë se është diçka që mund të jetë shumë fluide, por edhe me pasoja dhe e rrezikshme. Sipas tij, nuk ka siguri asnjëherë se Serbia do t’i japë të dhënat e sakta për njerëzit e duhur, pasi ajo mund të bëjë ndryshime eventuale në pasqyrën dhe dokumentacionin që mund ta japë.”Por mendoj se është mirë që ta bëjmë një ligj të tillë si shtet, në mënyrë që të bëmat e njerëzve të vihen në spikamë dhe ato të pasqyrohen që kësisoj të dihet se kush çfarë ka bërë në të kaluarën, derisa edhe orientimi i njerëzve në pushtet, por edhe në hallkat e levat e shoqërisë institucionale, duhet që të jenë njerëz të merituar dhe pa të kaluar të dyshimtë”, ka theksuar profesori Mazllum Baraliu për “Kosova Sot”

Nexhat Çoçaj dhe Shaip Buduri në rigjykim, për punësimin e Besnik Krasniqit

0

Ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit Nexhat Çoçaj, bashkë me atë të Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Shaip Buduri, do të ulen sërish në bankën e të akuzuarëve.

Gjykata e Apelit ka marrë vendim që ta kthejë rastin në rigjykim, duke e anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, e cila në maj të këtij viti, kishte liruar nga akuza Nexhat Çoçajn dhe dënuar me një vit burg efektiv Shaip Budurin.

“Ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit është parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe njëjta është kthyer në rigjykim”, ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës në Prizren, Afërdita Kicaj, shkruan PrizrenPress.

Çoçaj dhe Buduri akuzohen për kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, se i mundësuan mikut të drejtorit të gjimnazit, Besnik Krasniqi, lidhje të kontratës së punës pa shpallur konkurs për vendin e punës./PrizrenPress.com/

Konfiskohen 30 kilogramë narkotikë në Prizren

0

Një person është arrestuar në Prizren për arsyen se i janë gjetur 30 kilogramë narkotikë.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë- Njësia në Prizren ka arrestuar një person për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge.

Policia njofton se i dyshuari E.R. është ndaluar derisa po voziste automjetin e tipit “Citroen” në të cilin pas kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar një masë e substancave narkotike.

Më pas 24 vjeçarit të ndaluar, me urdhër të gjykatës i është bastisur shtëpia ku janë konfiskuar rreth 30 kilogramë narkotikë , një pushkë gjahu, 31 fishekë dhe dy telefona mobilë.

Ndalesa e makinës ku u gjetën narkotikët, sipas Policisë së Kosovës është bërë edhe me ndihmën e Njësisë së Autostradës.

Me aktvendim të Prokurorisë Themelore në Prizren, të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit policor./kallxo.com/

“Veteranët”, mashtrues i frikësohen ndryshimit të Ligjit për Veteranët e UÇK-së

0

Bazuar në ligjin aktual për veteranët e luftës të UÇK-së, çdo veteran në listën e pensioneve paguhet me 170 euro në muaj. Por, sipas Qeverisë ky ligj do të ndryshojë, duke qenë se nuk mund t’i përballojë pensionet e përmuajshme të 28.000 ish luftëtarëve, më shumë nga sa ishte përllogaritur më parë.

Sipas zyrtarëve Kosova po rimendon si të reformojë skemën e pensioneve për veteranët e luftës për të trajtuar koston e lartë, pasi i’u kërkua nga Fondi Monetar Ndërkombëtar ta trajtojë këtë problem.

Për Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, për Këshillin për Mbrojtjen e Veteranëve dhe për deputetët që ishin pjesëtar të UÇK-së ,vonesa e pensioneve po ndodh si pasojë e fryerjes së listave, gjë të cilën nuk e kishte paraparë Qeveria në buxhetin e saj, mirëpo ndryshimi i ligjit është i papranueshëm për ta.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati thotë për InfoPress se ligji për veteranët nuk do ndryshohet, por vetëm do të plotësohet, këtë sipas tij e siguron ligji, i cili tashmë është në fuqi.

“Ndryshimi i ligjit aktual do ishte diçka shumë e padrejtë që do tu bëhej ish luftëtarëve të UÇK-së”, shton Gucati

Ai thotë se padrejtësi po bëhet edhe në vonesat e pensioneve, gjë të cilën Gucati e quan lojë të keqe të Qeverisë.

Kurse, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi thotë se tashmë kanë disa informacione se Qeveria po shikon mundësitë për ndryshimin e ligjit të veteranëve të UÇK-së për pensionet e tyre, dhe shton se për ta kjo do të jetë e papranueshme dhe e padrejtë

“Nëse Qeveria mendon që përmes këtyre ndryshimeve ligjore ti ulë pensionet, ne jemi këmbëngulës që mos të ndodh kjo e fumdit. Për ta zgjidhur problemin Qeveria duhet të formojë një komision të pavarur për pastrimin e listave, sepse fryrja e listave ka bërë që Qeveria të përballet me probleme financiare.Vetëm kështu do të kishte buxhet mjaftueshëm që të mbuloheshin veteranët”, shton Qeriqi për InfoPress

Ai po ashtu thotë se është e turpshme që po u bëhen vonesat e pagesave të veteranëve në pension dhe sipas tij është e papranueshme kjo vonesë që po bëhet nga ana e Qeverisë. Ky i fundit thotë se po vërehet që Qeveria e Kosovës siç duket se nuk ka kuadro që di të bëjë planifikimet buxhetore.

“Nëse Qeveria vendosë të ndyshojë ligjin në dëm të veteranëve të UÇK-së, atëherë që sigurisht ne do të jemi në rrugë për ta kundërshtuar. Ne do të kërkojmë një trajtim të dinjitetshëm per këtë kategori, e cila është më meritorja për lirinë që e gëzojmë sot”, përfundon Qeriqi

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili ishte edhe vetë pjesëtar i UÇK-së thotë për InfoPress se para së gjithash UÇK-së i është bërë e padrejtë me fryerjen banale të listave. Ai shton se padrejtësia po vazhdon ndaj veteranëve edhe sot, të cilët perveç që po konsiderohen si një katregori sociale atyre edhe nuk po u jepen pensionet.

“E kam fjalën për ata veteranë që janë vërtetë veteranë, e jo per ata dhe ata që kanë e përfituar statusin e veteranit të luftës pa qenë fare ushtarë të UÇS-së”, thekson deputeti Selimi.

Selimi thotë se përgjegjës për këtë situatë të rëndë me veteranët janë Komisioni qeveritar për verifikim, Qeveria dhe të gjithë ata që kanë përfituar paligjshëm apo kanë deklaruar rrejshëm lidhur me statusin e veteranit të luftës.Sipas tij është e turpshme për Qeverinë t’i trajojë kështu veteranët, por edhe po ashtu edhe për ata që rrejshëm deklarohen dhe perfitojnë si veteranë.

“Po të ishte numri real i veteranëve në përputhje me ushtarët e UÇK-së atëherë edhe Qeveria nuk do të mundte dhe nuk do të guxonte të luante me veteranët”, përfundon Selimi për InfoPress.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Lahi Brahimaj, njëherish edhe ish pjesëtar i UÇK-së tha se çdo veprim që shkon në tentativë për të dëmtuar imazhin e luftëtarit të UÇK-së, është i papranueshëm.

“Pensioni, për të mos i thënë lëmoshë, sepse shuma që marrin veteranët, nuk është as sa paga bazë e muajit në Kosovës është kategori ligjore, e cila është vendosur njëherë dhe nuk do të duhej që çdo ditë të luhet më dinjitetin e atyre që dhanë çdo gjë për këtë vend. Por, si në çdo segment tjetër, padrejtësitë e kësaj qeverie, nuk kanë të ndalur edhe në raport me veteranët”, theksoi Brahimaj

Ai thotë se buxheti i shtetit duhet të ketë të gjitha planifikimet se nga do të shpenzohen të hollat.

“Për të gjithë po ka të holla vetëm kur po vjen puna te veteranët po ngec diçka”, shprehet Brahimaj.

Ai thotë se Qeveria po harron që ka veteranë që nuk ka asgjë tjetër prej të ardhurave përveç këtij pensioni dhe kur i vonohet ky pension kjo kategori sigurisht që e kanë shumë vështirë. Brahimaj shton se nuk duhet të luhet më fatin e shumë familjeve, duke i vonuar e kërcënuar me ndërprerje, thuajse në secilin muaj sepse sipas tij në fund të fundit, pensioni për kategoritë e dala nga lufta, më shumë se vlerë materiale është vlerë institucionale.

“Të të qënit familje e dëshmorit apo e martirit, invalidë apo veteranë i UÇK-së, nuk ka gjë që mund ta paguaj, shteti përmesë ligjeve për këto kategori nuk ka bërë asgjë më shumë se sa që e ka kryer një obligim, se pari moral e kombëtar, pastaj edhe kushtetues. Pensionet që marrin këto kategori nuk mund të thuash se s’po ia jepi se i ka kushtet e mira, ose se janë të gjithë në punë apo diçka tjetër. Ajo pra është më shumë se vlerë materiale, vlerë institucionale”, tha në fund Brahimaj.

Sulmohet për pronë një person në Romajë të Hasit

0

Një sulm fizik ka ndodhur në fshatin Romajë të Hasit. Policia njofton se sulmi ka ndodhur për shkak një mosmarrëveshje rreth një prone.

“Është arrestuar i dyshuari, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje rreth një prone ka sulmuar fizikisht viktimën”, njofton PK.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Prizrenit . Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje./PrizrenPress.com/