Home Blog Page 6188

Aktakuzë kundër drejtorit të Gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren

0

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër Sali Ademajt, drejtor i Gjimnazit “Remzi Ademaj” në Prizren.

Ai bashkë me Hamdi Zymeraj, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndaj tyre është mbajtur seanca e parë gjyqësore.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj ka konfirmuar se Ademaj e Zymeraj akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Sali Ademaj dhe Hamdi Zymeraj akuzohen për vepër penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar nga neni 422.1 të KPRK”, njofton Kicaj, shkruan PrizrenPress.

“Aktakuza e Prokurorisë në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka ardhur me datën 03.11.2016, është mbajtur një seancë, dhe është caktuar seanca e radhës”, tha ajo./PrizrenPress.com/

Një jetë që nuk i’a fal vdekjes

0

Abdullah THAÇI

E kam pas dikur një gjysh, ai quhej Avdyl Asllani, në moshën 2 vjeçare kishte mbet jetim pa babën.
Si i vetmi fëmij, pa vllezer dhe motra, deri në moshën 18 vjeçare për rritën e tij u kujdes nëna e tij, Nazlija.

Në këtë moshë, si mijra të rinjë shqiptar të Kosovës, futet në listën e atyre djemve dhe burrave dhe e nisin për Tivar. Mes shumë të tjerve në këtë grup ishte edhe kusheriri i gjyshit, Shabani.

Siç tregonte gjyshi, rrugën për në Tivar e kishin kaluar këmbë nga Prizreni në Kukës e nga aty drejt Shkodrës, e nga këtu drejt e në kasaphanen e Tivarit.
Rruga nga Morina (Kukës) deri në Shkodër (kufiri Malit të Zi) sigurohej nga ushtarët dhe policët e diktatorit Enver Hoxha, me qëllim mos rastsisht po ik ndonjëri nga ta!

Në Tivar shqiptarët ishin rendit në rresht për dy, njërin rresht i therrnin me bajonetë e rreshtin tjetër i mbytnin me tompuz (çekan çeliku në formë sfere me thepa ). Tregonte se si para syve të tij vdisnin shqiptarët, mes tyre edhe baca Shaban.

Ky kishe qëllu në rreshtin ku i mbytnin me bajonetë, e ku fati kishte dashtë që plagosej rëndë, por të mbijetonte.
Tregonte se si tre ditë e tre netë kishe duruar plagët i mbuluar me kufoma, deri sa kishin ardhur iltalianët dhe i kishin kontrolluar trupat, i kishin marr të plagosurit dhe të njëjtit i kishin dërguar në spital. Në spital kish qëndruar tre muaj, për tu ri kthyer pastaj në shtëpi.
Në shtëpi nuk e kish pas gjetë nënën, pasi që ia kishin përzën, me pretekstin se ty nuk të takon kjo pasuri, sepse je e veja e Asllanit, tani kur më mbete pa djal, nuk ke pse rri këtu!

E gjitha kjo histori, e ka një përfundim.
Fal Zotit, Avdyli u kthye gjallë e shëndosh, ai ktheu edhe nënën në truallin e vjetër. Pas një kohe Ai u martua me gjyshen time Fatimen, me të cilën lindën 6 fëmij, katër djem e dy vajza. Fëmiu i parë djal, ju kishte vdekur foshnje.

Sot nga gjaku i Avdyl Asllanit jemi 19 nipa e mbesa. Fal Zotit po rritemi dhe po trashëgohemi më tutje.
Kjo është një pjesëz e historisë së gjyshit tim i rritur jetim. Edhe pse vdekjen e pa me sy, ai nuk vdiç, e nuk ju shua as hisja, sepse kështu deshi Zoti i plotfuqishëm,

Ai që na jep jetën dhe na cakton ditën e vdekjes.
Sot kur e kujtoj gjyshin, më kujtohen shumë tregime e ngjarje. Ai më mësoi se si nuk duhet të hakmerrem por edhe të mos harroj.
Në rriten time Ai u kujdes për zhvillimin tim logjik, ai më bënte shumë pyetje, e assesi nuk mi jepte përgjigjet.
Mes tjerash, një herë më pat pyet, a është më mirë me ken i menqur a i dijshëm?!

Edhe pse Ai jeton në jetën e përjetshme, unë ende vazhdoj për këtë pyetje t’ia kërkoj përgjigjen!

P.S. Pavarsisht lutjeve dhe intrigave të njerzve, Zoti i di të gjitha, asgjë nuk ndodhë pa dijen dhe caktimin e Ti.
Unë fle i qetë, sepse kisha një gjysh që më mësoi se si duhet ti përkulem vetëm Zotit.

Komuna e Prizrenit, u ofron strehë grave që pësuan dhunë

0

P ër më të pambrojturit, Komuna e Prizrenit ka themeluar tashmë një shtëpi të sigurt. Aty gjejnë strehë gratë e dhunuara dhe fëmijët. Jubilea Kabashi, drejtoreshë e strehimores, duke folur për “Kosova Sot”, tregon se aty tashmë banojnë 51 gra e fëmijë. Por, kjo qendër ka vështirësitë e veta.

“Vështirë po arrijmë t’ia dalim. Ngase janë gra që ikin nga dhuna familjare, bashkë me fëmijë e ka edhe adoleshentë, ku si pasojë e dhunës në familje po gjejnë strehë në këtë strehimore”, shprehet drejtoresha Jubilea Kabashi. Strehimorja e sigurisë për gra e fëmijë apo siç quhet Qendra e Grave dhe Fëmijëve në Prizren, aktualisht ka 51 gra e fëmijë. Kurse për 16 vjet të funksionimit të saj, kjo qendër ka strehuar 800 gra e fëmijë.

Komuna ndau vetëm 2 mijë euro gjatë vitit 2016

Kabashi shprehet se tani shtëpinë ua ka siguruar Komuna e Prizrenit, por kjo është e pamjaftueshme, ngase ato gra të dhunuara e të stresuara nga jeta, kërkojnë përkujdesje, strehim, ushqim dhe veshmbathje.

“Kjo vështirë po arrihet”, tregon Kabashi për “Kosova Sot”. Ajo shpjegon se rreth 50 për qind të këtyre harxhimeve i mbulon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kurse gjatë vitit 2016 edhe Komuna e Prizrenit i ka ndihmuar me 2 mijë euro mjete materiale.

“Por, këto nuk arrijnë të mbulojnë të gjitha nevojat që ka kjo strehimore. Gratë që janë viktimë e dhunës familjare shpesh edhe fëmijët e tyre kanë nevoja të shumta”, shprehet Kabashi. Ajo me këtë rast falënderon edhe KFOR-in gjerman, të cilët përkujdesen jo rrallë për veshmbathjet e këtyre grave dhe fëmijëve në këtë strehimore. “Duke parë se nevojat janë shumë të mëdha, kemi arritur që edhe të bëjmë një projekt për fuqizimin ekonomik të viktimave të dhunës, sipas projektit të BE-së, ku kemi ftuar mekanizmin koordinues kundër dhunës në Prizren”, thotë Kabashi.

Me këtë rast, është bërë edhe nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi në mes strehimores dhe institucioneve. “Ajo që presim nga ky memorandum- marrëveshje është fakti se presim në të ardhmen të kemi mundësi të punësimit të grave të kësaj strehimore në institucione apo kompani më të mëdha private. Krejt kjo për të pasur një të ardhme më të sigurt”, tregon drejtoresha e kësaj Qendre, Jubilea Kabashi.

Sigurimi i objektit

Përfaqësuesja e Komunës Mybexhele Zhuri, koordinatore e Zyrës për Barazi Gjinore, tha se Komuna e Prizrenit i ka dhënë objektin e kësaj qendre dhe po kështu e ka ndihmuar edhe me mjete financiare. “Obligimi i Komunës është që viktimat e dhunës t’i strehojë në qendër, t’i mbështet për punësim apo për strehim. Ne do të mundohemi që atë strehimore ta ndihmojmë sa më shumë, pastaj do të shohim edhe mundësinë se si të gjejmë forma të tjera për të ndihmuar”, ka thënë Zhuri. Ndërsa, dr. Naim Fanaj, neuropsikiatër, shprehet se dhuna në familje është e ndjeshme për secilën shoqëri.

“Dhuna ekziston edhe në vendet e tjera në botë. Në Kosovë dhuna në familje bëhet nga shumë faktorë, si ekonomikë, socialë dhe psikikë. Kjo shkakton dhunë në familje. Faktorët e dhunës janë të shumtë”, ka thënë Fanaj, duke shtuar se viktimave të dhunës në familje u nevojitet mbështetja e shoqërisë, kurse qendra në Prizren është shembull i kësaj mbështetjeje. “Ato mund t’i ndihmojmë me punësim, pasi në këtë formë do të kenë mundësi edhe të pavarësohen”, ka thënë Fanaj.

Duan vende pune

Nuhi Koçinaj, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prizren, thotë se sa i përket strehimores së grave, kjo çështje është problematike. “Tashmë është bërë një zgjidhje me objekt, por ka edhe përkrahje nga Ministria dhe qeveria komunale. Disa nga ato gra të dhunuara janë integruar dhe janë kthyer në familjet e tyre. Mirëpo, nevojë e madhe e tyre është punësimi dhe pavarësimi i tyre. Ne si qendër kemi edhe këso raste dhe kemi një bashkëpunim të mirë më Qendrën e Sigurt të Grave. Pavarësia e këtyre personave është një siguri për të ardhmen”, ka thënë Koçinaj. Ndërsa, drejtoresha Jubilea Kabashi tregon se kjo strehimore ka siguri të plotë dhe nuk ekziston mundësia për të biseduar me ato gra për shkak të sigurisë. Kjo strehimore është e lidhur ngushtë me institucionet e sigurisë si me policinë, Prokurorinë Themelore etj.

(Kosova Sot)

Dosja “Pronto” humb në Prokurori

0

Hezitimi i Prokurorisë që të njoftohet opinioni për epilogun e një prej skandaleve thuaja më të mëdha pas luftës, siç është afera ‘Pronto 2’, sipas njohësve të kësaj fushe, por edhe shoqërisë civile vlerësohet si një neglizhim dhe paaftësi e madhe e drejtësisë kosovare. Sipas tyre, është dashur që Prokuroria të ecë me hapa më të shpejtë drejt zhvillimit të hetimeve, pasi në të kundërtën neglizhenca e këtij rasti lë hapësirë të madhe për të dyshuar se nuk do të ndërmerret diçka konkrete në këtë drejtim. Ndaj, është shtuar edhe dilema se përse po heziton dhe po “frikohet” drejtësia që ta hetojë aferën “Pronto 2”, të cilën e pa i tërë opinioni përmes regjistrimeve reale telefonike, se si janë shkelur ligjet, normat, parimet dhe janë bërë emërimet në pozita të caktuar në drejtësi?

Profesori universitar Mazllum Baraliu, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se nuk është rasti i parë që kaq shkurt po pret, pasi ka përplot çështje që presin me nga 15 apo 20 e më shumë vjet, por, sipas tij, mund të thuhet që disa çështje me peshë dhe disa vepra e veprime kriminogjene, që kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore, por edhe përgjegjësi të lartë dhe jehonë në opinion publik në kuptimin e peshës që bëjnë dhe jehonë jo pozitive ku e rrënojnë edhe imazhin e shtetit dhe të drejtësisë si jashtë, por edhe brenda vendit.

Rastet presin me vite të tëra

Këto raste Baraliu thotë se do të duhej të trajtoheshin me prioritet, e sidomos ato të marrëdhënies së punës që janë ekzistenciale dhe që nuk trajtohen. “Prandaj, është një problem shumë më i gjerë se sa problemi i “Prontos”, dhe mendoj se afera “Pronto” është një çështje që ka dalë në opinion dhe që do të duhej të trajtohej, porse çfarë epilogu do të marrë nuk mund ta paragjykoj as ta dij dhe të spekuloj, por ajo është e re në krahasim me rastet e tjera që presin me vite dhe dekada e që nuk trajtohen ose lihen në harresë për t’u parashkruar apo vjetërsuar pa ose me qëllim, pra nga neglizhenca dhe mosefikasiteti, ose ndonjëherë padyshim që edhe me qëllim të caktuar për t’i ofruar drejtësi selektive dhe të favorizuar grupeve të caktuara formale dhe joformale, po ashtu individëve me ndikim, etj.”, theksoi më tutje ai.

“Prandaj, është një problem shumë më i gjerë, ai i mosefikasitetit të Gjyqësorit dhe mos-hetimit me prioritet të çështjeve dhe problematikave të rëndësishme që kanë peshë e jehonë në shoqëri dhe ato mbase do të duhej trajtuar më me prioritet e përgjegjësi dhe efikasitet, në mënyrë që të mos ketë zvarritje dhe as pritje me vite, sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, dhe këto janë disa nga çështjet që do të duhej të kishin prioritet në reformën e parë që bëhet, por edhe pa reformë nga ana e eprorëve të caktuar të institucioneve të drejtësisë”, është shprehur Baraliu.

Prokuroria është dashur të vepronte me shpejtësi

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, mendon se Prokuroria është dashur jo vetëm që ta hetojë personazhin kryesor të kësaj afere, por edhe emra të tjerë që janë përmendur në aferën “Pronto”, si punësime të mundshme që kanë mundur të ndodhin, derisa, sipas tij, Prokuroria po ashtu është dashur të angazhohet dhe t’i shikojë komplet dosjet e aplikimit në ato pozita, se kush është marrë në pyetje apo kush ka qenë pjesë e komisionit, në mënyrë që të verifikojë çdo detaj për ta parë se a është shtuar ndikimi apo jo tek punësimi i atyre njerëzve, në mënyrë që atëherë të vihet në përfundim për ta kuptuar se a ka qenë gjithçka në rregull apo jo. ” Përndryshe, kështu siç ka mbetur deri më tani situata, nuk është e mirë dhe thjesht lë hapësirë për të dyshuar se këtu ka mundur të ketë keqpërdorime të mëdha dhe në njëfarë mënyre Prokuroria qëllimisht nuk po do që ta hetojë këtë rast, por për të dalë gjithç- ka në rregull thjesht Prokuroria është dashur që të verifikojë dhe të hetojë komplet dosjet e atyre personave të paktën që janë përmendur me emra të përveçshëm në ato përgjime”, ka potencuar ai. “Është dashur që shumë më shpejt të zhvilloheshin hetimet dhe më pas diçka konkrete, përndryshe prapë po them kështu siç po ecën ky rast lë hapësirë të madhe për të dyshuar se nuk do të ndërmerret diçka në këtë drejtim, por lind rreziku që edhe rasti në fjalë mund të parashkruhet”, ka deklaruar për gazetën, “Kosova Sot”, Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”.

Prizreni dhe Suhareka përkrahin proceset në shërbimin civil

0

Departamenti i Administrimit të Shërbimit Civil, kryesuar nga drejtori Tefik Mahmuti, vizituan komunat e Prizrenit dhe të Suharekës, bëhet e ditur përmes një komunikate.

“Qëllimi i takimit ishte njohja për se afërmi me proceset e menaxhimit të burimeve njerëzore në Shërbimin Civil. Në takimet e mbajtura me kryetarin e komunës së Prizrenit Ramadan Muja, përkatësisht kryetarin e komunës së Suharekës, SalihAsllanaj dhe bashkëpunëtorët e tyre, u fol rreth sfidave që po paraqiten në zbatimin e legjislacionit në Shërbimin Civil në këto dy komuna”, thuhet në komunikatë.

Pos kësaj, më tutje thuhet se në këto takime është biseduar edhe për SIMBNJ-në, angazhimet dhe punët që ndërlidhën me procesin e katalogut të vendeve të punës, për procesin e klasifikimit, ngritjen e kapaciteteve të nëpunësve civilë dhe rëndësinë e strategjive që janë pjesë e proceseve.

Mahmuti ka thënë se Ministria e Administratës Publike/DASHC është e përkushtuar në zbatimin e plotë të reformave të ndërmarra në dy vitet e fundit në administratën publike.

Përplaset në rrethojat e shtëpisë, lëndohet shoferja në Suharekë

0

Një grua ka pësuar lëndime trupore në një aksident trafiku në Suharekë, bën të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

“Rreth orës 10:30 minuta, në rrugën “Agron Berisha” në Suharekë, një drejtuese e automjetit Landrover, përderisa po lëvizte me automjet, e kishte humbur kontrollin ndaj automjetit dhe kishte dalë në krahun tjetër të lëvizjes e më pas përplaset në rrethojat e një shtëpie e që në fund përfundon në oborr”, thotë PK.

PK thotë se drejtuesja e automjetit ka pësuar lëndime për të cilat është përkujdesur mjeku i Shtëpisë së Shëndetit në Suharekë.

Dëme materiale janë shkaktuar në automjet dhe në rrethojën e oborrit. Policia ka kryer procedurat hetimore.

Dragash: Vjedhje në tentativë, arrestohet hajni

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas një pune hetimore lidhur me vjedhjen në tentativë, e cila pati ndodhur më datën 22 nëntor të këtij viti rreth orës 09:45 në Dragash, është arrestuar një i dyshuar mashkull i nacinalitetit goran.

“Njësitet policore pas një pune operative e kanë identifikuar dhe e kanë arrestuar me 12.12.2016 të dyshuarin mashkull K/Goran (i mitur), pasi që për të njëjtin ekziston dyshimi i bazuar se është i përfshirë në raste të ndryshme të ‘vjedhjeve’ dhe ‘tentim vjedhje’ të shtëpive”, thuhet në raportin e Policisë, shkruan PrizrenPress.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrzrenPress.com/

Opozita duhet të reformohet

0

Nuk ka këmbëngulje për trajtimin e temave serioze. Analistët kritikojnë heshtjen dhe mosinsistimin e opozitës për hapjen e debateve të nxehta në Parlament, për dëmet qindra milionëshe që iu bënë për shumë vite qytetarëve nga monopolet e inkriminuara nga mafio-bizneset, mandej nga tenderomania pesëqind milionëshe gati për çdo vit, e cila pasuroi mafio-politikanët dhe korporatat e tyre mafioze, duke zhvatur në mënyrë të kundërligjshme asetet e shtetit, përmes mafio-bizneseve të kriminalizuara,raporton Gazeta Kosova Sot

Kuvendi i Kosovës në këto dy vite të kaluara nga analistët politikë po shihet si një nga legjislaturat më të zbehta për nga roli opozitar në funksion të mbikëqyrjes së Qeverisë, për të siguruar qeverisje më të mirë, transparente dhe në interesin e përditshëm publik. Është konstatim gati i njëzëshëm i analistëve, të cilët mendojnë se opozita ka humbur pothuajse krejtësisht terrenin opozitar në Parlament dhe, siç shihet, nuk dallon fare nga pozita në pushtet, sepse opozita nuk po insiston ndonjëherë as nuk po kërkon që të hapen debate të nxehta të keqpërdorimit të parasë publike nga ana e pozitës të abuzimit me paranë e shtetit dhe dëmet qindra milionëshe që iu bënë për shume vite qytetarëve nga monopolet e inkriminuara, nga mafio-bizneset, nga tenderomania pesëqind milionëshe gati për çdo vit, e që pasuroi mafio-politikanët dhe korporatat e tyre mafioze, nga zhvatja e kundërligjshme e aseteve të shtetit, përmes mafio-bizneseve të kriminalizuara. Ky devijim i rrugës së opozitarizmit të vërtetë, sipas analistëve politikë, krijon bindjen se edhe një pjesë e madhe e opozitës nuk është krejtësisht pa mëkate. Sipas analistit politik, Blerim Burjani, ky devijim i rolit opozitar në Kuvend dëshmon më së miri se sa i sinqertë është ky grupim politik dhe sa e ka seriozisht deklarimin publik për shtet të së drejtës, sundim të rendit dhe ligjit e zhvillim ekonomik pa krim dhe korrupsion.

Pozitë e opozitë ushqehen në një “grazhd” Sipas Burjanit, pozita si opozita nuk dallojnë në kuptimin e keqpërdorimeve të bëra, andaj Kosova s’ka akoma një opozitë të pastër dhe pa probleme me rendin dhe ligjin.

“Ideja e kësaj kaste politike është përfitimi, por aspak zbatimi i vullnetit të qytetarëve. Problemet po vijnë duke u shtuar me këtë kastë politike në pozitë dhe opozitë, prandaj po shihet që edhe qytetarët janë lodhur nga kjo kast politike dhe nuk po shohin ndonjë zgjidhje nga këta njerëz të shumtë përfitues, të cilët merren me privilegje për interesat e tyre të ngushta, jo me hallet e qytetarit”, tha Blerim Burjani.

Se legjislatura aktuale e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbetet gjatë në kujtesën e qytetarëve të vendit, si legjislatura më e dobët, më heterogjene dhe më e dëmshme për vendin e thotë edhe analisti Florim Zeqa. Ai thotë se sidomos do të mbahet në mend opozita, e cila pothuajse ka dalë krejtësisht nga binarët e saj funksionalë duke u munduar që me veprime joserioze të bëjë politika të mëdha, por vetëm duke harruar rolin e saj primar në luftimin e fenomeneve negative, krimit dhe korrupsionit brenda institucioneve të shtetit.

“Opozita në këtë mandat e ka humbur busullën orientuese dhe terrenin opozitar në Parlament,…pothuajse nuk dallon fare nga pozita në pushtet”, theksoi ai.

Zeqa kritikon heshtjen dhe mosinsistimin e opozitës për hapjen e debateve të nxehta në Parlament, që kanë të bëjnë me dëmet qindra milionëshe që iu bënë për shumë vite qytetarëve nga monopolet e inkriminuara nga mafio- bizneset, mandej nga tenderomania pesëqind milionëshe gati për do vit, e cila pasuroi mafiopolitikanët dhe korporatat e tyre mafioze, duke zhvatur në mënyrë të kundërligjshme asetet e shtetit, përmes mafio-bizneseve të kriminalizuara.

“Opozita edhe pse e ç’akorduar, sikur të ishte e pastër dhe e pa përlyer dhe që nuk ushqehet në “grazhdin e krimit” dhe që synon pushtetin e pastër, do të kërkonte përherë debat për tema me interes për të gjithë qytetarët, do të kërkonte interpelanca për ministra të caktuar deri në largimin e tyre nga pushteti”, theksoi Zeqa./Kosova Sot/

Kryefamiljari i Kqirajve të akuzuar për fajde: Rruga jonë deri te pasuria

0

Në grupin e 14 personave që po gjykohen për krim të organizuar, fajde, detyrim, shpëlarje të parave, organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm si dhe të armëmbajtjeve pa leje, gjashtë prej të akuzuarve janë nga familja Kqira e Prizrenit.

Katër nga të akuzuarit e kësaj familje Tunë, Gjon, Marian dhe Kastriot Kqira që 18 muaj vazhdojnë të jenë në paraburgim. Ndërsa paraburgimi u është ndërprerë Gjekson e Gëzim Kqirës, të cilët po vazhdojnë të gjykohen në liri.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast, i cili duket të jetë njëri nga rastet më të mëdha që po gjykohet në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prizrenit.

Gjergj Kqira, kryefamiljari i familjes Kqira përmes KALLXO.com, ka bërë një reagim në emër të familjes Kqira, ku tregon për fitimet e pasurisë së kësaj familje.

Në vazhdim është letra e plotë e Gjergj Kqirës, i cili flet në emër të djemve të tij të ndodhur në paraburgim.

“Duke parë titujt bombastikë dhe skandalozë të disa portaleve dhe gazetave lidhur me gjykimin e padrejtë dhe qesharak ndaj anëtarëve të familjes Kqira nga Prizreni, ne si familje ndihemi të obliguar moralisht që ta sqarojmë për opinionin e gjerë këtë barrë që na peshuan në qafë pa fajin tonë.

Familja jonë ka reaguar edhe herë të tjera kur e kemi parë të arsyeshme dhe ju bëjmë me dije se gjithmonë do të reagojmë kur bëhet fjalë për cenimin e të drejtave tona. Puna na ka shoqëruar çdoherë, qysh nga paraardhësit tanë.

Fillimisht na lejoni të sqarojmë se pasuria e familjes tonë nuk është pasuri marramendëse siç pretendojnë të tjerët, ne nuk kemi dhe as nuk kemi pasur ndonjëherë jetë luksi, por jeta jonë ka qenë gjithmonë me punë, me të mirat që i kemi krijuar vetë, natyrisht të varfër s’kemi qenë asnjëherë. Për të pasur këtë jetë me mirëqenie, familjes tonë iu desh shumë punë, mund e djersë e të gjashtë vëllezërve.

Fëmijëria jonë e hershme ishte me sakrifcë e punë. Ne ishim gjashtë vëllezër dhe dy motra që u rritëm pa praninë e babës tonë pasiqë baba jonë punonte në furrën e tij në atë kohë në qendër të Zagrebit në Kroaci dhe kishte edhe një dyqan në Bosnje dhe Hercegovinë.

Babën tonë e takonim një herë në vit dhe kjo ishte kënaqësia jonë më e madhe. Gjithashtu në kohën kur baba jonë punonte jashtë vendit me bizneset e tij, axha jonë merrej me bujqësi përkatësisht me rritjen e deleve në fshatin tonë, Serbicë e Epërme.

Kjo i vërteton edhe fjalët në fillim se familja jonë asnjëherë nuk ka jetuar në luks, por gjithmonë duke u munduar me punë për sigurimin e jetesës së familjes. Atë rrugë më pas e vazhduam edhe ne gjashtë vëllezërit disa duke u marrë me kultivimin e bujqësisë e disa edhe vazhduan rrugëtimin jashtë vendit në Gjermani.

Puna ecte gjithmonë mirë, një sezon me shitblerjen e pemëve dhe perimeve ka shkuar deri në vlerën e 100 mijë markave gjermane.

Pas disa vitesh punë e fitime të disa vëllezërve në Gjermani, ata vendosën të kthehen dhe vendosën të marrin një restorant në Ulqin aty ku do të angazhoheshim e gjithë familja. Fitimet në atë kohë ishin të mëdha dhe puna në restorant na siguronte të ardhurat tona, pasiqë asokohe Ulqini frekuentohej nga një numër i madh i turistëve nga e gjithë Evropa.

Për vite me radhë familja kurseu paratë nga gjithë ajo punë disavjeçare, derisa në Ulqin filloi periudha kur turizmi filloi të bie dhe kështu ne u kthyem sërish në vendin tonë, në Prizren.

Pas kthimit tonë, ne morëm me qera restorantin ”Flamengo” dhe aty vazhduam punën së bashku. Duhet cekur se të gjitha shpenzimet e restorantit si: verën, mishin, rakinë, pemët e perimet, i siguruam të gjitha këto nga punimet e tokës tonë dhe i vetmi shpenzim që kishim ishte qeraja e restorantit.

Në të njëjtën kohë e zgjeruam biznesin tonë dhe vazhduam me hapjen edhe të dyqanit të rrobave (tekstilit) emri i të cilit ishte “6 vëllezërit”.

Falë Zotit bizneset po ecnin shumë mirë dhe fitimet po rriteshin shumë. Nga kërkesa e madhe e blerësve, njëri nga vëllezërit udhëtonte çdo javë në Turqi për t’u furnizuar me mall, madje udhëtimi i tij bëhej me autobus vetëm me qëllim që të mos bënim shpenzime të panevojshme dhe gjithmonë duke e ruajtur traditën e kursimit.

Me kursimet e mbledhura ne arritëm ta blejmë kafiterinë “Shatërvan 2”. Kjo erdhi pas një marrëveshje që familja jonë bëri me ish pronarin e lokalit me të cilin njiheshim personalisht.

Të gjithë ata që jetojnë me vite në qytetin e Prizrenit e dinë se sa fitime sjell ky lokal. Pra me një fjalë pas shumë punëve dhe angazhimeve pa hile familja jonë arriti të bëhej pronare e këtij lokali. Rrugëtimi jonë vazhdonte të përparonte dhe secili nga ne vëllezërit ishim në kërkim të hapjes së bizneseve të reja.

Në kuadër të angazhimeve që kishim familja jonë, përkatësisht vëllai ynë i ndjerë u mor edhe me tregtimin e ligjshëm të arit. I ndjeri gjatë punës së tij si argjendar la pas vetes një sasi të madhe të arit.

Lokalin që e kishim marrë me qera në qendër të Shatërvanit “Hollyëood”, kishim vendosur ta mbyllim për një periudhë sepse pikërisht para atij lokali vëllai ynë kishte ndërruar jetë. Pasi pronari i lokalit “Hollyëood” vendosi ta nxjerrë në shitje lokalin, ne vendosëm ta blejmë atë lokal sepse aty kishim pasur fitime të mira dhe tanimë me atë lokal e kishim krijuar një lidhje të fortë emocionale në shenjë kujtimi për vëllain e ndjerë.

Lokali në fjalë vazhdon të punon ende por tani me emrin “Kristal”. Bizneset tona përparonin vazhdimisht dhe një fitim e sillte tjetrin. Përpos bizneseve që ne i zotërojmë edhe sot e që luhaten kohë pas kohe nga kriza ekonomike në Kosovë, ne vazhdojmë t’i qëndrojmë besnik punës tonë në fshat me bujqësi e blegtori, duke punuar tokën e gjithashtu duke u marrë me tri ferma që i posedojmë tani.

Toka jonë e punuar përpos që siguron ushqim për tri fermat tona, ajo sjellë edhe mijëra kilogramë grurë që i dorëzojmë në mullinj vit për vit.

Ne si familje kemi shumë për të treguar për rrugëtimet tona të gjata e të shoqëruara me shumë vështirësi dhe do të duheshin ditë të tëra për ta përmbledhur me fjalë punën tonë. Nëse ka të tillë që mendojnë se pasuria jonë u krijua në mënyrë të kundërligjshme gabohen rëndë. Ne e kemi dëshmitar Zotin, djersën dhe mundin e gjithë familjes.

Dhe krejt në fund, ne ende besojmë fuqishëm në organet e drejtësisë. Kemi shpresë se drejtësia do ta zbardhë këtë çështje duke mos anuar nga grupet e caktuara, individë të caktuar dhe interesat e tyre që shihet qartë se përparimtarët nuk i duan dhe i kanë therrë në sy.

Me respekt,

Gjergj Kqira

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Katinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka raportuar që nga fillimi i këtij rasti, e në vazhdimësi.

Thaçi nderon serbët e vrarë në Hoçë të Madhe të Rahovecit

0

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka nderuar 84 serbë të Kosovës të rënë në Hoçë të Madhe të Rahovecit gjatë viteve 1998-2000.
“Sot sapo vumë lule në këtë pllakë përkujtimore për 84 qytetarë serb të Kosovës, jemi sot këtu për të kujtuar dhe lutur për viktimat gjatë dhe pas luftës pa dallim nacionaliteti”, tha Thaçi, njofton Klan Kosova.

Sipas Thaçit, familjarët e të pagjeturve janë shembull për të gjithë të tjerët që siç tha ai “duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për të ardhmen e vendit tonë dhe se duhet që njëherë e përgjithmonë ta përfundojmë agoninë e familjarëve”.

“Nga familjarët e pagjeturve dhe takimet që kemi zhvilluar me ta mësojmë se dhimbja është e njëjtë për të gjithë, për secilin prind, për secilën familje, për secilin komunitet”.

“Për të vërtetën dhe pajtimin për të vërtetën kërkohet sakrificë dhe që kërkoj për të gjithë që të ngriten mbi vetveten mbi përkatësinë nacionale në shërbim të demokracisë, në shërbim të së ardhmes, në shërbim të europianizimit të Kosovës dhe shoqërisë multietnike në emër dhe shërbim të së ardhmes euroatlantike dhe evropiane të Kosovë”.
“Duhet të zbardhet fati i të pagjeturve, të ngadhënjejë drejtësia e të ndodh pajtim. Kosova nuk duhet të mbetet peng i së kaluarës së errët por me mirëbesim dhe bashkërisht ta ndërtojmë të ardhmen të gjithë pa dallim, ky është misioni ynë, vizioni ynë që të punojmë të gjithë pa asnjë dallim, qoftë politik, qoftë etnik, qoftë të besimit”, ka thënë ai.

Gjatë muajit korrik, kryetari i shtetit ka vendosur kurore lulesh në memorialin e 14 qytetarëve serbë të vrarë menjëherë pas luftës në fshatin Grackë të Lipjanit, vizitë kjo që pati nxitur reagime të mëdha, njofton Klan Kosova.