22.5 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025
Home Blog Page 6262

Përurohet shtëpia e restauruar e atdhetarit Ymer Prizreni

0

Me një solemnitet rasti, sot është përuruar projekti i konservimit të shtëpisë në të cilën ka jetuar njëri ndër ideatorët kryesor të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni.

Pjesë e këtij solemniteti ishin drejtuesit më të lartë komunal të Prizrenit, dhe pasardhës të kryeministrit të parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Pas prerjes së shiritit, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, tha se ne si institucione me këtë projekt po dëshmojmë se jemi të përkushtuar për të nderuar jetën dhe veprën e kolosëve tonë të kombit, në mesin e të cilëve ishte edhe Ymer Prizreni, i cili i takon një historie të lavdishme për të cilën amanet duhet lënë brezave të rinj.

Stërmbesa e patriotit të shquar, Ymer Prizreni, Sevime Drini- Dobroshi dhe bashkëshorti i saj Reshat, falënderuan komunën e Prizrenit për këtë investim të rëndësishëm i cili në një farë forme përkujton edhe figurën madhore të Ymer Prizrenit.

Projekti i konservimit të shtëpisë së Ymer Prizrenit që ndodhet në afërsi të LSHP-së është financuar në shumë prej mbi 43 mijë eurove nga drejtoria komunale për Urbanizëm dhe Planifikim. /TV Prizreni/

Një muaj paraburgim të dyshuarit nga Dragashi për vrasje në tentative

0

Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurit me iniciale F.Q. nga Dragashi. Ai dyshohet se ka kryer veprën penale ‘vrasja në tentativë’.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj ka bërë të ditur se i pandehuri F.Q. do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji.

“Kohëzgjatje prej një muaji, do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 10.03.2016 në ora 10:00, dhe do të zgjasë deri me datën 09.04.2016”, thotë Kicaj.

“I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, sepse me datën 25.12.2015. rrethe orës 17:35 minutanë Dragash me dashje tenton të privojë nga jeta personin tjetër, në atë mënyrë që në afërsi të kafiterisë “Taksi” derisa i dëmtuari me iniciale E.S. nga fshati Lubovisht, Komuna e Dragashit, ishte duke e pritur kolegun e tij të punës, i pandehuri me iniciale F.Q i paisur me një thikë i përvidhet nga pas dhe e godet të njëjtin tri herë në shpinë (në pjesën e pasme të kraharorit), dhe largohet nga vendi i ngjarjes , duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit”, bën të ditur Kicaj. /PrizrenPress.com/

Shënohet 17 vjetori i Betejës së Jeshkovës

0

Me aktivitete te ndryshme, sot është shënuar përvjetori i 17-të i njërës nga betejat më të lavdishme të UÇK-së në komunën e Prizrenit, asaj të Jeshkovës.

Aktivitetet për shënimin e Betejës së Jeshkovës, kanë filluar me homazhe në Landovicë ku morren pjesë familjarë të dëshmorëve, veteran e invalid të luftës, qytetarë e përfaqësues të institucioneve te ndryshme.

Me këtë rast kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja tha se herozimi i djemve më të mirë të vendit të cilët u flijuan për Lirinë e vendit në shumë beteja sikurse ishte ajo e Jeshkovës, e çliruan vendin nga robëria e egër.

Kryetari i degës së OVL të UÇK-së, në Prizren, Selim Krasniqi tha se Beteja e Jeshkovës është ndër ngjarjet më të rëndësishme dhe më të lavdishme të luftës sonë çlirimtare, por ai kishte edhe porosi për shumë bashkëluftëtarë dhe institucione për shumëçka që po i’a zbeh imazhin e UÇK-së.

Për sakrificën e dëshmorëve nuk duhet shtuar shumë, sepse ata ishin dhe do të mbetën sinonimet e Lirisë sonë të shumëpritur, theksoi oficeri i FSK-së, Sejdi Krasniqi.

Ndërkaq, kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Kujtim Gashi tha se amaneti i dëshmorëve do të jetësohet nga të gjallët që Kosova të jetë shtet ashtu si e deshën ata që u flijuan për Liri. Pas Landovicës, homazhe dhe buqeta lulesh janë vendosur në Lapidarin e dëshmorëve në Atmaxhë dhe në Jeshkovë është vizituar Kulla Muze e familjes së dëshmorit, Agim Shala.

Në Betejën e Jeshkovës së 11 marsit të vitit 1999 ranë në fushën e nderit 21 dëshmorë, 9 nga të cilët prehen së bashku me taborrin e luftëtarëve të nderit në Landovicë, kurse 11 të tjerë konsiderohen të zhdukur. Ata kanë vetëm emër, por jo edhe një varrë ku mund t’ju bëhen nderimet e ditëve përkujtimore. /TV Prizreni/

Dy gra shkodrane, vështrojnë Jozefin

0

Fotografët e parë në Shqipëri. Nga austriaku Jozef Sekeli, te  dinastia e Marubëve, apo vëllezërit Manakis

Gusht 1863. Dy gra të reja shkodrane të veshura me veshje të traditës, nën një qilim pozojnë para portës së madhe para aparatit fotografik të një të huaji. Ai është Jozef Sekeli(Josef Székely, rreth 1838-1901), fotograf i njohur austriak, i cili do të ndalonte në Shqipëri gjatë udhëtimit që bëri në Kosovë dhe në Maqedoni në vjeshtë të vitit 1863, për të shoqëruar albanologun Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869). Gjatë këtij udhëtimi, Sekeli do të realizonte një kolazh fotosh që mbahen si fotografitë më të hershme të Shqipërisë. Koleksioni i tij përfshin 50 fotografi, me pamje të Shkodrës, të Prizrenit, të Ohrit dhe të Manastirit.

Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të njëzetë ishte dukuri e zakonshme për udhëtarët, shkencëtarët dhe albanologët në Shqipëri të merrnin në aparat fotografik me vete për të fotografuar vendin. Ky material, jo gjithmonë fotografi me cilësi të lartë, u shfrytëzua për të ilustruar librat e tyre për Shqipërinë. Disa koleksione nuk u botuan kurrë, dhe mbetën tani – një shekull më vonë – për t’u zbuluar. Historia e fotografisë vendase në këtë rajon të Europës Juglindore, d.m.th. të fotografëve nga rajoni vetë, lidhet në mënyrë të veçantë me dy koleksione me famë.

Fototeka Marubi në Shkodër përfshin rreth 150.000 fotografi, shumë prej tyre me një rëndësi të dukshme historike, artistike dhe kulturore. U përpilua nga tre breza fotografësh. Pjetër Marubi (Pietro Marubbi, 1834-1903) ishte piktor dhe fotograf italian i cili, si përkrahës e Garibaldit, u detyruan të ikte nga Piaçenca të Italisë për arsye politike dhe gjeti strehim në Shkodër rreth vitit 1850. Aty, themeloi dyqanin foto “Marubi” me disa aparate fotografike që i kishte sjellë me vete. Fotografitë më të vjetra të koleksionit janë nga vitet 1858-1859. Disa foto të Marubit u botuan në revistat The London Illustrated Neës, La Guerra d’Oriente dhe L’Illustration. Marubi u ndihmua nga djali Rrok Kodheli (1862-1881) dhe nga vëllai i tij, Kel Kodheli (1870-1940), i cili më vonë, pas vdekjes së Pjetrit, e mori në trashëgim firmën familjare dhe u bë i njohur si Kel Marubi. Keli mësoi të përdorte efekte të posaçme dhe të përpunonte negativat. Gjithashtu filloi të fotografonte jashtë studios me aparate më bashkëkohore. Lidhur ngushtë me familjen Marubi ishte fotografi dhe piktori Kolë Idromeno (1860-1939) i Shkodrës. Me mbështetjen e Pjetër Marubit, prej të cilit mësoi artin e fotografisë, ai shkoi në Venedik në vitin 1875 për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura. Ai nuk arriti të përfundonte mësimin dhe e braktisi Akademinë pas gjashtë muajve, mirëpo mbeti në Venedik dhe punoi disa vjet si ndihmës i një piktori venecian, për të kthyer në Shqipëri në vitin 1878. Në vitin 1883, Idromeno hapi një fotostudio me aparate fotografike të marrë nga shoqata Pathé në Francë. Në vitin 1912, importoi për herë të parë në Shqipëri aparate filmike dhe shfaqi filme. Në gusht të atij viti, firmosi një kontratë me shoqatën Josef Strauber në Austri për të krijuar atë që mund të quhet kinemaja e parë në Shqipëri. Brezi i tretë i fotografëve Marubi ishte djali i Kelit, Gegë Marubi (1907-1984). Ai studioi në Lion të Francës në 1923- 1927 pranë shkollës së parë të fotografisë dhe të kinemasë të themeluar nga vëllezërit Lymier, dhe punoi në Shkodër si fotograf nga viti 1928-1940. Ishte i pari në familje që përdori celuloid në vend të pllakave prej xhami. Fotostudio Marubi kap dhe dokumenton historinë e Shqipërisë së Veriut që prej Lidhjes së Prizrenit e më tej. Përfshin fotografi të mahnitshme të udhëheqësve të fiseve të veriut, të kryengritjeve të malësorëve, të jetës qytetare në Shkodër dhe të ngjarjeve publike të ndryshme. Vetëm pak fotografi janë botuar deri tani. Që prej vitit 1994, me mbështetjen e UNESCO-s, bëhen përpjekje për të shpëtuar koleksionin dhe për ta bërë të njohur.

Koleksioni tjetër i njohur i fotografisë dhe të kinematografisë ballkanike është ai i vëllezërve Manakis në Maqedoni. Janaki Manakis (1878-1954) dhe vëllai Milton Manakis (1882-1964) lindën në fshatin Avdela afër Grevenës, tani në veri të Greqisë, dhe ishin me prejardhje vllahe (aromune). Nga 1898-1904 kishin një dyqan fotografik në Janinë dhe në vitin 1905 u vendosën në Manastir, tani në Republikën e Maqedonisë, ku hapën Studion për Artin Fotografik. Janaki dhe Milton Manakis bënë më shumë se 17.300 fotografi në 120 vende të ndryshme. Në vitin 1905 realizuan edhe filmin e parë në Ballkan.

Në Shqipëri janë edhe koleksionet e Shan Picit (me rreth 70.000 fotografi), të Dedë Jakovës (me rreth 50.000 fotografi) dhe të Raboshtës, të gjitha të lidhura ngushtë me shkollën e Marubit në Shkodër.

Koleksione të tjera të rëndësishme të fotografisë së hershme ndodhen në Korçë. Ndër ato janë veprat e Petro Dhimitrit (1861-1946), i cili filloi si fotograf bredhacak në vitet 1890; të Kristaq Sulidhit, i cili mësoi profesionin në Greqi; dhe të Vani Burdës të Bukureshtit, i cili hapi një fotostudio në Korçë në vitet 1920. Me një interes të veçantë është vepra e Kristaq Sotirit (1883-1970) të Korçës, student i Sulidhit, i cili mërgoi në Shtetet e Bashkuara në 1902-1903 dhe punoi fotograf në Nju Jork dhe Los Anxheles. Në vitin 1923 u kthye në Korçë dhe, bashkë me piktorin e njohur korçar, Vangjush Mio (1891-1957), hapi fotostudion “Sotiri”, të njohur në juglindjen e Shqipërisë. Janë ruajtur rreth 14.000 fotografi të këtij koleksioni. Mund të përmenden edhe Ymer Bali i Tiranës, Mandi Koçi (1912-1982) i Voskopojës, Jani Ristani i Rrethit të Gjirokastrës, Misto Cici i Pogradecit dhe Xhimitiku i Beratit. Megjithëse nuk lidhet drejtpërsëdrejti me Shqipërinë, nuk duhet harruar në historinë e fotografisë shqiptare edhe emri i Gjon Milit (1904-1984), i cili mërgoi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1923, studioi në Institutin e Teknologjisë të Masaçusec-it (Massachussetts Institute of Technology) dhe u bë i famshëm si fotograf për revista të njohura amerikane si Life dhe Fortune. /Shqip/

Fotografet e pare ne Shqiperi

Haskuka: Pushteti i viruseve më paditi për hedhje të ujit

0

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka ka reaguar pas arrestimit dhe ngritjes së padisë ndaj tij, për hedhje të ujit në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, duke thënë se cili pushtet mund të konsideroi ujin si rrezik për jetë.

Ai në rrjetin social Facebook ka shkruar se “Dje u arrestova dhe u ngrit padi ndaj meje për hedhje uji, ‘për rrezikim të zyrtarit’. Cili pushtet mund të konsideroj ujin si rrezik për jetë? Ndoshta një pushtet që e identifikon veten si virus apo baktere?”.

Xhami në mes të Nishit

0

Nishi, ka një të veçantë, pavarësisht se numri më i madh i popullsisë i takon besimit ortodoks.

Një xhami në këtë vend është ndërtuar për një pjesë të vogël të banorëve që i përkasin besimit islam.

Nga numri i përgjithshëm i popullsisë serbe, që është  115. 890, vetëm 2%, e tyre janë të fesë islame.

Xhamia “Islam Aga”, ekziston që nga viti 1870, dhe është nën mbrojtjen e shtetit. /Gazeta Fjala/

Ekspertizë neuropsikiatrike për vrasësin e Zejnepe Berishës

0

Nebih Berishës, të akuzuarit për vrasjen e gruas së tij Zejnepe Berishës do t’i bëhet ekspertizë neuropsikiatrike.

Kërkesën me shkrim për këtë ekspertizë e kishte bërë më 7 mars 2016 Esat Gutaj, avokati i Nebih Berishës.

Në seancën e sotme kërkesën për ekspertizë, avokati e përmendi edhe gojarisht. Prokurori e kundërshtoi në tërësi propozimin e mbrojtjes për ekspertizë neuropsikiatrike, por avokati Gutaj para gjykatës paraqiti disa raporte mjekësore të klientit të tij në periudha të ndryshme kohore nga viti 2008.

Me këto raporte avokati tha se dëshmohen problemet neuropsikiatrike të të mbrojturit të tij dhe arsyetohet kërkesa për ekspertizë.

Gjykatësi Xhevdet Elshani aprovoi kërkesën e mbrojtjes dhe urdhëroi ekzaminimin neuropsikiatrik të Nebih Berishës, për të cilin tha se do të bëhet në Qendrën e Shëndetit në Prizren përmes një kontrolli njëditor.

Gjykatësi tha se kjo ekspertizë do të vërtetojë se në çfarë gjendje mendore ka qenë i pandehuri në kohën e kryerjes së veprës penale dhe pas kryerjes së veprës, si dhe do të vërtetohet se a është në gjendje që ta përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

Nebih Berisha akuzohet nga Prokuroria e Shtetit se më 23 tetor 2015 rreth orës 21:25 minuta në Suharekë në shtëpinë e tij familjare me dashje privoi nga jeta bashkëshorten Zejnepe Berisha.

46 vjeçarin Nebih Berisha, aktakuza e Prokurorisë së Shtetit e akuzon se më datë 23.10.2015, rreth orës 21:25 minuta në Suharekë, në shtëpinë e tij familjare, me dashje privon nga jeta bashkëshorten Zejnepe Berisha.

“Pas një bisede dhe mosmarrëveshjeve paraprake lidhur me do telefonata që i merrte bashkëshortja e tij, derisa viktima Zejnepe Berisha ishte në dhomën e ndejës me një thikë të gjatësisë së tehut 10.5 cm, e gjerësi 2.5 cm, e sulmon bashkëshorten me thikë duke i shkaktuar 20 plagë, prej tyre 12 plagë kanë qenë depërtuese, 7 goditje ka pësuar në zgavrën e majtë të kraharorit dhe 5 goditje në zgavrën e barkut,” thuhet në aktakuzën e prokurorisë.

Sipas aktakuzës, vajza e tyre e mitur E.B. (emri i njohur për redaksinë) pas britmave të nënës hyn në dhomën e ndejës dhe sheh se babai Nebih Berisha ishte duke e goditur me thikë nënën e saj.

“I afrohet ta mbrojë nënën duke vendosur dorën e djathtë në trupin e nënës, me ç’rast babai i saj e godet me thikë në dorë edhe të dëmtuarën e mitur,” vijon përshkrimi në aktakuzë.

Aktakuza përshkruan më pas vdekjen e Zejnepe Berishës dhe lëndimin e vajzës së saj.

“Nga plagët e marra e ndjera Zejnepe Berisha vdes në vend si pasojë e gjakrrjedhjes së jashtme dhe të brendshme, ndërsa të dëmtuarës vajzës E.B. [Nebih Berisha] i shkaktoi lëndime të lehta trupore në regjionin e shuplakës së dorës së djathtë,” thuhet në aktakuzë.

Prokuroria Themelore në Prizren e ngarkon Nebih Berishën për vrasje të rëndë dhe lëndim të lehtë trupor.

Seanca e radhës së gjykimit të Nebih Berishës do të caktohet pasi të kryhet ekzaminimi i tij neuropsikiatrik. Derisa të kryhet ky ekzaminim, mbrojtja nuk do të kundërshtojë aktakuzën dhe provat e saj. /Kallxo.com/

Femra shkel me veturë mashkullin në Prizren

0

Një këmbësor është goditur me veturë në rrugën “Dervish Salihu” në Prizren.

“E dyshuara femër K/Shqiptare duke drejtuar veturën e saj nga pakujdesia ka goditur viktimën mashkull K/Shqiptar (këmbësor)”, njofton PK, raporton PrizrenPress.

Sipas polcisë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor. /PrizrenPress.com/

Arrestohet personi që rrahu mjekun në Suharekë

0

Policia e Kosovës bën të ditur se ka arrestuar personin i cili kishte rrahur mjekun në Suharekë.

I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

PrizrenPress pati raportuar se të mërkurën, rreth orës 15 e 20 minuta, në Suharekë është rrahur një mjek nga djali i një të sëmuri.

Sipas informatave që ia ka dhënë policisë viktima thuhet se si shkas i mos vizitës së një pacienti në shtëpinë e tij, është sulmuar fizikisht nga djali i të sëmurit. /PrizrenPress.com/

Bie niveli i ujit në lumin Mirusha

0

Ndërprerja e shiut, ka bërë që të filloi të bie niveli i ujit në lumin Mirusha, si dhe në liqenin në Mirushë, mirëpo rruga Mirushë-Gurbardh vazhdon të mbetet e pakalueshme, si dhe rruga Malishevë-Duhël, me vështirësi e kalueshme, ndërsa masat preventive dhe kujdesi i shtuar, vazhdojnë të jenë në fuqi.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim në Malishevë bën të ditur se niveli ujit në liqenin Mirusha ka rënë për afro 20 centimetra, mirëpo rruga që lidh fshatin Gurbardh, mbetet e mbuluar. Po ashtu edhe rruga në dalje të Malishevës, është vështirë e kalueshme, andaj qytetarëve ju rekomandohet të shfrytëzojnë rrugët alternative.

Sipas drejtorisë, ekipet e kësaj drejtorie, së bashku me të gjitha organet tjera të sigurisë, janë n gatishmëri të plotë, edhe pse niveli i ujit në lumenj e përroska është u ulur gradualisht. /PrizrenPress.com/