Home Blog Page 6268

Viti i ri shkollor në Gjonaj të Hasit, nis në objekt të vjetër

0

Nxënësit e fshatit Gjonaj janë detyruar që ta fillojnë edhe një vit të ri shkollor në objektin e vjetër të shkollës, pasi objekti i ri ende nuk është bërë gati.

Këshilltari komunal Haziz Hodaj, që vjen nga ky fshat, tha për “Kosova Sot” se fshati ka rreth 6 mijë banorë rezidentë e jorezidentë, derisa është i privuar nga infrastruktura elementare. Ai shprehet se është strëzgjatur përfundimi i projektit të objektit të ri të shkollës. “Këtë vit është pritur që të fillojë viti i ri shkollor në këtë objekt e në fakt ka filluar në objektet e vjetra”, ka thënë Hodaj,shkruan Gazeta Kosova Sot.

Hodaj, njëherësh veprimtar i hershëm i fshatit Gjonaj, thotë se shqetëson fakti që banorët e këtij fshati janë harruar nga pushteti lokal. “Veçanërisht është keq për nxënësit vonesa e projektit në rregullimin e objektit shkollor në fshatin Gjonaj, gurthemeli i të cilit është vënë para sa vitesh”, thotë Hodaj. Ai thotë se në vend se objekti të ishte i gatshëm që të vihet në dispozicion nxënësve, ai po dëmtohet nga njerëz të papërgjegjshëm sepse është lënë pas dore. Ai paralajmëron ankesa edhe në organe të tjera, siç është Inspeksioni Shtetëror i Arsimit. Ai me këtë rast ka akuzuar edhe pushtetin lokal për papërgjegjësi ndaj qytetarëve e posaçërisht fëmijëve të këtij lokaliteti, duke shtuar se zvarritja e realizimit të këtij projekti dëshmon papërgjegjësinë që ka pushteti lokal.

“U zgjaten veshët” duke pritur

Në anën tjetër, drejtori i ri për arsim në Prizren, Zihadin Shemsedini, tha se për këtë çështje do të angazhohet maksimalisht, dhe se sipas tij ai veçse ka kontaktuar punëkryesit në realizimin e këtij projekti. “Përderisa të jetë i gatshëm ky objekt, nxënësit e këtij lokaliteti edhe për një kohë mësimet do t’i ndjekin në objektet e vjetra në kushte tejet të vështira”, ka thënë Shemsedini, derisa shton se ky rast nuk është i vetmi në komunën e Prizrenit.

Edhe stafi i shkollës janë të shqetësuar për vonesat. “Aktualisht fshati Gjonaj ka dy objekte shkollore dhe ka 912 nxënës, por që të dyja këto shkolla nuk i plotësojnë as për së afërmi nevojat e shkollës”, pohon drejtori i shkollës, Latif Çoçaj. Kurse për objektin e ri të shkollës në këtë fshat, ai pohon se kjo shkollë na i “zgjati veshët” dhe ende s’po kryhet. “Moti ka filluar që në vitin 2010, por ajo nuk përfundoi akoma. Siç duket ajo duke u ndërtuar filloi të vjetrohet”, pohon ai për “Kosova Sot”.

Mirëpo, drejtori i Arsimit në Prizren, Zehadin Shemsedini pohon se sa i përket shkollës në Gjonaj, vitin e kaluar kishte pasur të zotuara 92 mijë euro për ta përfunduar komplet pagesën e projektit, por punëkryesi nuk i ka kryer punimet. “Me këtë premtoj se paratë e planifikuara unë do të angazhohem maksimalisht për kat rast… më shumë nuk di çka të them”, ka thënë Shemsedini. Ndryshe, për gati një vit në këtë shkollë punëkryesi nuk ka punuar pothuajse asgjë dhe objekti ka nisë të shkatërrohet. “Javën që vjen do të mbahet një takim me punëkryesin dhe me mbikëqyrësit e pastaj të shohim nëse dëshiron të punojë ai apo t’i ndërpritet kontrata, si i papërgjegjshëm në punë”, ka thënë drejtori Shemsedini.

Punëkryesit i duan paratë pa u kryer punët

E njëjta situatë është edhe me shkollën në Dedaj, ku punëkryesi nuk i ka përfunduar punimet, edhe pse Komuna ka zotuar shumën e nevojshme në vlerë prej 39 mijë euro. Edhe në Gjonaj edhe në Dedaj, punëkryesit kanë kërkuar që t’u paguhet para se të kryhen punimet paratë, por një gjë të tillë nuk e lejon ligji, meqë pagesat bëhet në bazë të faturave dhe proceseve mbi kryerjen e punimeve.

Ndryshe, banorët e Gjonajt kanë edhe ankesa të tjera. Edhe pse është fshat ku kalon Drini i Bardhë që i jep hijeshi këtyre viseve, banorët vuajnë për ujë të pijes. Për këtë ka dhënë vërejtje edhe këshilltari Haziz Hodaj. Sipas tij, ende ka reduktime të ujit në këtë fshat të Hasit, dhe kjo është për të ardhur keq.

(Kosova Sot)

Mbi 32 mijë vizitorë në HardhFest në Rahovec

0

Publikun të ndezur e mbajtën bendi ikonë, Elita 5 të cilët ishin edhe protagonistë të natës së parë. E deri në orët e hershme të mëngjesit, publikun e argëtuan DJ NEK, Borce Panov dhe NZT.

Me hapjen e ekspozitës së artistëve, pjesëmarrës në Art Symposium, të dielën, është përmbyllur edicioni i 15-të jubilar i Festës së Vjeljes së Rrushit HardhFest.
Këtë vit, numri i pjesëmarrësve në festival arriti mbi 32 mijë, gjë që tregon se interesimi për këtë festë është duke u rritur. Gjithashtu, “Hardh Fest 2016” arriti të ndërkombëtarizohet, ku përveç performancave të artistëve ndërkombëtarë, u pa edhe një numër i madh i turistëve nga vende të ndryshme të botës.
Gjatë tri ditëve festive, n’Konak dhe në qendër të Rahovecit, u mbajtën aktivitete të ndryshme tradicionale e artistike.

Hapja e festivalit filloi të premten me 2 shtator. Parakalimi i mekanizmit bujqësor, nga qendra e qytetit deri tek Konaku, ishte aktiviteti i parë që i dha frymën e festivalit dhe qytetit të Rahovecit.

Ndërsa, me prerjen e Kalaveshit të rrushit, filloi ceremonia zyrtare, ku të pranishëm ishin Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, Ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Collaku, i pari i komunës së Rahovecit Idriz Vehapi, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi. Gjatë kësaj ceremonie u bë edhe shpallja e vreshtarëve dhe vertarëve më të mirë.

Interesim të madh kishin secili nga aktivitetet e mbajtura, si vizita në vreshta, që këtë vit është quajtur HardhTour, garat në shpejtësinë e vjeljes dhe shtrydhjes së rrushit, Karnevali në Qytetin e Rahovecit, Demonstrimi i pjekjes së rakisë etj.

Ndërsa, me koncertin e festës, me fillim nga ora 20:00 u përmbyll nata e parë e festës. Performanca e Sofie Kastriotit bëri hapjen e koncertit, duke vazhduar me bendin nga Suedia Loud n’ Proud, ku gjatë performancës së tyre, iu bashkuan edhe motoristët e SteelWings – Kosova, të cilët bënë një performancë të pa parë.
Publikun të ndezur e mbajtën bendi ikonë, Elita 5 të cilët ishin edhe protagonistë të natës së parë. E deri në orët e hershme të mëngjesit, publikun e argëtuan DJ NEK, Borce Panov dhe NZT.

Për këtë edicion që vuri themelet e ndërkombëtarizimit të festës së vjeljes së rrushit – HardhFest, falënderon të gjithë ata që mundësuan një organizim të tillë. Falënderon Qytetarët e Rahovecit, për bujarinë dhe mikpritjen e treguar për te gjithë vizitorët dhe turistët, për të cilët i bënë konak gjatë tri ditëve dhe dy netëve, Vreshtarët dhe Vertarët e Rahovecit, pa të cilët një organizim i tillë s`do të kishte vlerë dhe gjithë artistët që morën pjesë në festival. Sponsorët e “Hardhfestit” të cilët mundësuan që kjo festë të kishte nivelin e duhur e gjithashtu edhe Partnerin e festivalit “Stone Castle “. Një përkrahje të madhe dhanë edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Komuna e Rahovecit, nën patronatin e të cilëve organizohet edhe Festa e Vjeljes së Rrushit.
Të palodhshëm u treguan edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për të cilët HardhFest u është shumë mirënjohës dhe falënderues për kontributin e tyre.
Ndërsa, ekipi i HardhFest tashmë ka nisur përgatitjet për edicionin HardhFest 2017, i cili do të jetë me përmasa edhe më të mëdha se sa ky edicion, gjithnjë me përkrahjen e partnerëve tanë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. / KultPlus.com

Zyrtare: Vetëm një kosovarë vdiq nga rrëzimi i aeroplanit në Shkup

0

Pasditen e së martës në fshatin Kozhle në Shkup një aeroplan është gjetur i djegur.

Bëhet fjalë për aeroplanin që vinte nga Trevizo, Itali dhe i cili ishte zhdukur në afërsi të Shkupit.

Nga kjo fatkeqësi raportohet se kanë humbur jetën gjashtë persona, ku ndër ta sipas mediave u tha se ishin dy shtetas kosovarë.

Një gjë të tillë e kishte konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni nëpërmjet Drejtorit për Siguri Publike, Mitko Çavkov i cili tha se nga aeroplani i rrëzuar në rrethinë të Shkupit ka pasur të vdekur dy shtetas të Kosovës dhe katër nga Italia.

Po ashtu mediat raportuan se dy viktimat nga Kosova ishin vëllezër F.B dhe V.B nga Malisheva.

Mirëpo një gjë e tillë më pas u demantua pasi që u tha se shqiptari i vetëm nga Kosova që ka mbetur i vdekur nga rrëzimi i aeroplanit është V.B nga Malisheva.

E një gjë e tillë e ka konfirmuar edhe vetë Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vetëm një shtetas kosovarë ka ndërruar jetë nga rrëzimi i aeroplanit në Shkup.

“Zyrtarisht sipas ambasadës sonë vetëm një shtetas i Kosovës ka vdekur”, ka thënë Hoxhaj.

Për këtë fatkeqësi, fillimisht njoftuan banorët lokal të cilët kanë dëgjuar eksplodim dhe kanë parë flakë, ndërkaq zhdukjen e aeroplanit nga radarët e ka paraqitur në MPB Kontrolli për fluturime në aeroportin e Shkupit./telegrafi/

Të mos e fshehësh Tjetrin

0

ALDA BARDHYLI

Rreth romanit “Fjalë familjare”, me autore Natalia Ginsburg ardhur në shqip nën përkthimin e Donika Omarit

Pikture“Në këtë libër vendet, faktet e njerëzit janë të vërtetë. Nuk kam shpikur asgjë: dhe sa herë që shkoja pas gjurmës së zakonit tim të vjetër si romanciere dhe shpikja, menjëherë nisja e prishja atë që kisha shpikur. Edhe emrat janë të vërtetë. Duke shkruar këtë libër aq s’e kam duruar dot çdo lloj sajimi saqë s;kam mundur të ndërroj as emrat e vërtetë, që më janë dukur se s’mund të hiqeshin prej njerëzve të vërtetë. Ndoshta ndokujt s’do t’i vijë mirë të shohë veten kështu, me një emër e mbiemër, në një libër. Por kësaj s’kam se ç’ti përgjigjem”. Natalia Ginsburg, e nis kështu parathënien e librit “Fjalë familjare”, përkthyer në shqip nga Donika Omari, dhe botuar nga “Elena Gjika” më vitin 1993. Në prag të ndërrimit të sistemeve, Ginsburg ishte nga të parat prozatore italiane që erdhi në një terren të etur për letërsi të huaj. Me sqimën e një shqipërueseje që di të qëmtojë veprat e mira, Omari e solli këtë vepër në shqip, duke e bërë kështu një takim të paharruar mes Ginsburg dhe lexuesit shqiptar.”Lexuesi unë nuk ka pasur rast të njohë asnjë vepër të letërsisë femërore italiane, niveli i së cilës shprehet më së miri në vlerësimet që i ka bërë kritika, të konkretizuara këto, në planin ndërkombëtar, me çmimin Nobel (që e ka marrë Gracia Deleta më 1926) në planin kombëtar me çmimin më të lartë italian, çmimin Strega, që e kanë merituar , veç Ginsburgut edhe pesë autore ndër më të njohurat e pasluftës si Elsa Morante, Ana Maria Orteze, Lala Romano, Fausta Cialente e Maria Beloncci”, thotë Omari. Në këtë letërsi e në krejt narrativën e prozën italiane të pasluftës, Natalia Ginsburgu, e cila u nda nga jeta më vitin 1991 në Romë në moshën shtatëdhjetë e pesë vjeçare, zë një vend të veçantë. Autore e shumë romaneve, pjesëve për teatër, eseve, biografive të letrarizuara, ajo është një figurë e planit të parë dhe emri i saj është përmendur dhe si kandidate për çmimin Nobel.

Në këtë roman Ginsburg, na sjell nëpërmjet kujtimeve nga jeta e saj, e familjes, të të njohurve të saj, ngjarje të rëndësishme të jetës shoqërore e politike italiane në mes dy luftërave, e pas Luftës së Dytë Botërore. Por në thelb romani është si të ndjekësh përmes faqeve të një libri, ecjen në jetën e përditshme të një gruaje të dashuruar thellësisht me librin. Jetën e një botueseje, që përtej pasionit për të sjell në gjuhën italiane vepra dhe autorë të rëndësishëm të letërsisë botërore, kur kthehet në apartamentin e saj, ulet të shkruajë letërsinë e saj. Një grua që ravijëzon në këtë libër burra aspak të zakonshëm që pati fatin ti njohë, një prej të cilëve ishte dhe shkrimtari italian Cesare Paveze. Një roman gati gati autobiografik, por i thënë me gjuhën e tjetrit, një gjuhë që Ginsburg e bën për të fshehur shpesh dyzimet e një jete në kërkim të shkrimit. Sipas përkthyeses Omari shtysë mrekullibërëse për ngjalljen e kujtimeve të saj janë fjalët e frazat e dikurshme të thëna nga prindërit, vëllezërit , motra, miqtë, e farefisi. Për heroin e Prustit e kaluara çatis në të tashmen nëpërmjet copëzës së kekut ngjyer në çaj, për Ginsburgun vendin e aromave e zënë tingujt; shprehjet e dëgjuara në fëmijëri janë ngulitur përgjithmonë në zemrën e saj dhe mjafton ti përmendë ndokush që jeta e perënduar, të ngjallet e pacenuar nga vitet, duke dëshmuar forcën e kujtesës së ndjenjave. Arti i Ginsburgut është i bërë me pak gjë: aty mbizotëron e zakonshmja, një humor melankolik, një stil i zhveshur (përkthyesi këtu duhet të ketë kujdes t’i përmbahet nivelit të gjuhës së thjeshtë bisedore, pa provuar “të zbukurojë” a “të pasurojë”, shprehet Omari). Por si arrin ajo të robërojë me këto mjete kaq të varfëra, kjo është një pyetje që shtrohet shpesh përpara të fshehtave të artit të madh. Për Omarin, Ginsburg nuk është bërë shkrimtare, ajo ka lindur e tillë. Tregimet e para ajo i shkroi që në rininë e hershme. Librin e parë “Rruga që shpie në qytet” (1942) e botoi me pseudonim, meqënëse fashizmi nuk i jepte të drejtë botimi autorëve hebrenj. Por vepra që i dha një popullaritet të menjëhershëm e njëkohësisht të qëndrueshëm, duke siguruar një publik e lexues besnik, është pikërisht “Fjalë familjare” me të cilin në vitin 1963 fitoi dhe ccmimin Strega. Librat e Ginsburgut u bënë vepra klasike që në të gjallë të saj, duke u përkthyer në disa gjuhë, Nuk është vetëm proza narrative që i siguroi suksesin-po përmendim romanet: Të shkruaj që të të them, Zërat e mbrëmjes, Virtyte të vogla, Mos më pyet, Qyteti dhe shtëpia, etj. Edhe pjesët e saj dramatike kanë pasur sukses. “Në romanet e saj zotëron përkushtimi ndaj të pambrojturve dhe kundërshtimi ndaj konvencioneve e absurditeteteve të ligjmërisë e administratës shtetërore që veprojnë mbi njerëzit si një forcë e verbër e papërgjegjshme. Larg artifiseve letrare, me një dialog të përditshëm, me një formë të thjeshtë e si pa u vënë re ajo ndërton portrete të shkëlqyera të njerëzve të rrugës, të varfërve, grave të shthurura që gëzojnë simpatinë dhe gjithë mbrojtjen e saj”, thotë Omari.

Por personazhet e librit “Fjalë familjare”, koha nuk ka rrjedhur. Ata mbeten gjithnjë të rinj e të freskët, të paharruar. Ginsburg ka arritur të hyjë në lëkurën e tjetrit, të çdo personazhi që ne gjejmë dhe e duam fort në këtë libër. Një prej të cilëve është padyshim figura e babait të saj, huqet e tij, apo ajo e nënës e dhënë në mënyrë të shkëlqyer.”Nëse ky libër do të lexohet si një kronikë, do të vërehet një zbrazëti pafund. Megjithëse është marrë nga jeta, them se duhet lexuar si ndonjë roman: pra, pa kërkuar as më shumë e as më pak nga ç ‘mund të japë një roman”, thotë Ginsburg. Ajo çfarë ndjehet në parathënien e saj për këtë vepër, kujdesi për ti ruajtur personazhet e saj. Ajo nuk ka dashur ti fshehë portretet e tyre teksa i ka shkruar, e bindur se vetëm duke i ravijëzuar me rrobat e tyre të vërteta ata do të ishin të gjallë ashtu si në jetë në libër. Por tashmë që ata janë në një libër, shqetësimi i shkrimtares për mos evidentimin e personazheve realë në këtë libër, ndjehet në këshillat që i jep lexuesit duke i thënë “të mos kërkojë më shumë për ta”. “Ka dhe plot gjëra që më kujtoheshin por që s’i kam shkruar, dhe në mes tyre, shumë që më përkisnin drejtpërdrejti. Nuk kisha fort qejf të flisja për vete. C’është e drejta kjo nuk është historia ime, por megjithë boshllëqet e zbrazëtitë është më tepër histori e familjes sime. Duhet të shtoj se , gjatë fëmijërisë e rinisë sime, gjithnjë thoja të shkruaja një libër që të rrëfente për njerëzit që rronin atëherë rrotull meje. Kjo është pjesërisht ky libër, por vetëm pjesërisht, sepse kujtesa është e dobët, dhe sepse librat që nxirren nga jeta shpesh nuk janë veçse vezullime të holla e cifla të atyre që kemi parë e dëgjuar”, shkruan Ginsburg. Vajza që dikur e fshihte veten nën emrin e Alessandra Tornimparte (pseudonimi i botimeve të saj të para), ka arritur ta bëjë të paharrueshme takimin me një familje italiane të shekullit të 19, përmes përshkrimit pa maska të botës së tjetrit.Ky roman është dhe një dëshmi për të parë se si mund të ngjajnë si personazhe libri personazhe reale. Një prej të cilëve ishte dhe Cesare Pavese, me të cilën Ginsburg punonte në të njëjtën shtëpi botuese. Eshtë interesante mënyra sesi ajo e përshkruan atë, mbyllur në dhomën e tij të punës, pa dëshirë për të qënë shpesh me të tjerët…”Tani Pavezeja kishte dhomë më vete dhe te dera kishte një kartush me shkrimin “Drejtoria botuese”. Pavezeja rrinte në tryezë, me llullën dhe rishihte bocat me shpejtësi rrufeje. Në orët e pushimit lexonte Iljadën, duke i recituar vargjet me zë të lartë me një kantilenë të trishtuar. Ose shkruante romanet e veta, duke fshirë herë pas here shpejt e me vrull. Ishte bërë shkrimtar i famshëm. Në dhomën ngjitur me të tijën, ishte botuesi, bukurosh, trandafili në fytyrë, me qafën e gjatë, me flokët e thinjura lehtësisht në tëmthat si krahë turtulleshe. Tani kishte shumë zile në dhomë, dhe telefona, dhe nuk bërtiste më:Koopa! Pastaj zonjusha Kopa, s’ishte më aty. Nuk ishte as magazinieri i vjetër. Tani botuesi kur donte të thërriste njeri, shtypte një buton dhe fliste me telefonin e brendshëm me katin e poshtëm, ku kishte shumë daktilografe e shumë magazinierë. Herë pas here botuesi ngrihej e i binte lart e poshtë korridorit me duart pas shpine, kokën anuar pazën mbi sup, dukej te dhomat e nëpunësve dhe thoshte ndonjë gjë me atë zërin hundor. Botuesi s’ishte më i turpshëm tani, a më mirë druajtja e tij shfaqej tani vetëm kur kishte biseda me të huaj, dhe nuk ngjante me druajtje, por një mister i ftohtë e i heshtur. Prandaj ndrojtja e tij i bënte të ndrojtur të huajt, që e ndjenin veten të rrethuar nga një vështrim i kaltër, i ndritur e i akullt, që i shqyrtonte e i peshonte tej tryezës së madhe prej qelqi, në një largësi të ndritur e të akullt. Kështu, ajo ndrojtje ishte bërë një mjet i madh pune. Ajo ndrojtje ishte bërë një fuqi, te e cila vinin e përplaseshin të huajt si ato fluturat që përplasen te drita, të verbuara , dhe në kishin ardhur aty të sigurt në vete, me thasë me propozime e projekte , në fund të bisedës e ndjenin veten çuditërisht të rraskapitur e të turbulluar, me dyshimin e pakëndshëm se ishin ndofta pak më budallenj e naivë, dhe se kishin bluajtur projekte pa asnjë bazë, në prani të një hetimi të ftohtë që i kishte zhbiruar e përcaktuar në heshtje…”, përshkruan ajo në libër. Sipas Ginsburg, Pavezeja rrallë pranonte të takonte të huaj. Thoshte:- Kam punë! S’dua të më vijë njeri! Le të venë të varen në dacin! S’dua t’ia di! Ndërsa nëpunësit e marrë rishtas, të rinjtë mendonin se duheshin dëgjuar të huajt. Mund të sillnin idera. Pavezeja thoshte:-S’kemi nevojë për idera, këtu! Mos i kemi edhe më të tepërt!Binte telefoni i brendshëm në tryezën e tij, dhe dëgjohej në marrës zëri i njohur hundor:-Eshtë filani këtu poshtë. Prite, ka një propozim për të bërë. Pavezeja thoshte:-E ç’nevojë ka për propozime? Jemi deri më grykë me propozime! S;dua të di për propozime. S’më duhen idera!-Atëherë kaloja Bablos, -thoshte zëri. …

Për Ginsburg, shkrimtari nuk e harroi asnjëherë humbjen e mikut të tij Leones, dhe pse asnjëherë nuk fliste për të, pasi nuk donte të vuante. “Nuk i pëlqente të fliste për ata që s’ishin aty, ose për të vdekurit. Thoshte:-Kur ikën ndonjëri ose vdes, unë përpiqem të mos mendoj për të, se s’ma ka qejfi të vuaj.Megjithatë ndofta vuan nganjëherë që se kishte më Leonen. E kishte pasur mikun më të mirë. Ndofta këtë humbje e fuste në gjërat që e mundonin më shumë. Dhe sigurisht që s’ishte i zoti t’i shpëtonte vuajtjes, duke rënë në vuajtjet më të rënda e mizore , sa herë që binte në dashuri.Dashuria e zinte si ndonjë dhembje ethesh. I mbante një vit, dy vjet, pastaj shërohej, por ishte i çakërdisur e i dërrmuar, si ndonjë që ngrihet pas një sëmundjeje të rëndë…”. I shkruar herët nga Ginsburg, “Fjalë familjare” është një libër që të bën ti rikthehesh shpesh, për fjalët tona që gjejmë në të.

Shuma marramendëse që i ofrohet Daniel Craig

0

Aktorit Daniel Craig i janë ofruar 150 milionë dollarë për të qenë pjesë e dy filmave të ardhshëm të James Bond. 48-vjeçari britanik, i cili luan rolin e agjentit 007 që nga viti 2006, pati thënë se më mirë “priste damarët” sesa të vazhdonte me këtë rol, por nuk e ka zyrtarizuar ende tërheqjen.

Burime për “Radar Online” kanë thënë se shefat e Sony-t duan ta mbajnë me çdo kusht aktorin edhe për dy filma të tjerë, derisa të ndajnë mendjen për pasardhësin e tij.

Zërat në Hollivud janë se ky zëvendësues mund të jetë Idris Elba ose Tom Hiddleston, por Sony kërkon që 007-n e parë bjond në histori ta mbajë edhe për disa vite.

Daniel Craig ka qenë James Bond në filmat Casino Royale (2006), Quantum of Solace (2008), Skyfall (2012) dhe Spectre (2015).

Kundër Demarkacionit, s’u interesojnë vizat

0

Opozita kosovare është e vendosur që të mos lëshojë pe për Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi, pavarësisht se pa këtë të fundit definitivisht nuk do të fillojë negocimi i heqjes së vizave për Kosovën.

Komisioni për Liri Qytetare, Drejtësi dhe Punë të Brendshme i Parlamentit Evropian të hënën ka miratuar raportin e eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për Kosovën, por nuk e ka dhënë mandatin për negocim të heqjes së vizave për vendin pa ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës insiston që këtë marrëveshje do ta rikthejë në Kuvend, ndonëse në seancën e 1 shtatorit nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme, për shkak të mospjesëmarrjes së deputetëve të listës “Srpska”, me ç’rast u detyrua ta heqë demarkacionin nga rendi i ditës.

“Gjithsesi se Demarkacioni do të kthehet në Kuvend jo vetëm pse kjo është një nga kushtet për liberalizimin e vizave, por edhe pse kjo çështje është e ndërlidhur jetësisht me shtetndërtimin si proces, me normalizimin e raporteve tona me fqinjët, si edhe me integrimet evropiane”, ka thënë për “Zërin” zëdhënësi i Qeverisë, Faton Abdullahu.

Duke mos përmendur një datë të caktuar Abudllahu ka shtuar se kjo hapësirë tani do të shfrytëzohet për të qartësuar këtë marrëveshje edhe më tepër për opinionin. Por, edhe për t’i dhënë kohë partive opozitare që të reflektojnë në qëndrimet e tyre.

“Periudhën kohore prej tërheqjes së projektligjit deri te procedimi i serishëm në Kuvend do ta shfrytëzojmë pos tjerash edhe për të vazhduar tutje me sqarime e interpretime të drejta. Kjo do të bëhet për t’u dhënë mundësi të gjithë subjekteve të ndryshme, deputetëve dhe faktorëve të tjerë relevantë të cilët kanë hezitime, paqartësi e keqkuptime në këtë aspekt të informohen drejt, gjithanshëm me qëllim që të reflektojnë dhe më pas të vendosin në interes të Kosovës”, ka deklaruar Abdullahu. /Zëri

Kosova nuk din për humbje që nga viti 2014

0

Përfaqësuesja e Kosovës nuk din për humbje që nga 24 maji i vitit 2014

Kosova ka nisur të shkruajë historinë. Të hënën mbrëma Përfaqësuesja jonë debutoi në garat ndërkombëtare, duke marrë një pikë ndaj Finlandës, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit ‘Rusia 2018’, përcjell Gazeta Express.

Barazimi i me Finlandën, ishte i dyti për Kosovën në pesë ndeshjet e fundit e pa humbje. Që nga humbja ndaj Senegalit në Gjenevë me 24 maj të vitit 2014, Kosova ka zhvilluar pesë ndeshje.

Djelmoshat e Albert Bunjakit kanë arritur të fitojnë tre prej tyre, derisa kanë barazuar në dy të tjera, ecuri pozitive kjo për Kosovën, transmeton Gazeta Express.

Kosova 1:0 Oman

Kosova 2:0 Guinea

Kosova 2:2 Shqipëria

Kosova 2:0 Ishujt Faroe

Finlanda 1:1 Kosova

Rrëfimi i familjarëve të Visar Begajt, i cili humbi jetën mbrëmë nga rrëzimi i avionit

0

Në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur fatkeqësia ka qëndruar televizioni SHENJA. Aty ka takuar edhe disa nga të afërmit e Visar Begaj, njëri nga personat që ka humbur jetën në aksidentin. Ata thonë se Begaj po kthehej në Kosovë, për të shënuar një vjetorin e themelimit të “Kosova fly akademi”, klubi i aviacionit, pronari i së cilit ishte vet Visari.

Aeroplani ka qenë i drejtuar nga Françesko Motagner i cili njëherë ka qenë edhe presidenti i klubit të aviacionit në Trevizo. Familjarët thonë se ata rregullisht ndaleshin në Shkup për karburantë pasi që kerozina e përshtatshme për aeroplanin “Pajper” nuk shitet në Prishtinë.

Fatkeqësisht kësaj radhe nuk arritën të aterojnë në aeroportin e Shkupit.

Fazli Begaj është i gjallë

0

Shtetasi kosovar, Fazli Begaj, i raportuar në mesin e gjashtë viktimave, të cilët ndodheshin në bordin e avionit të rrëzuar pasditen e kësaj të marte në Maqedoni, në zonën e Velesit pranë Shkupit, është i gjallë.

Politiko.net ka arritur të kontaktojë në telefon me Fazli Begajn. Ai nuk ka qenë fare në bordin e avionit të rrëzuar.

Vëllai i tij, Visar Begaj, ndërkaq, raportohet të ketë qenë në avion, ashtu si edhe katër shtetas të tjerë italianë.

Avioni është zhdukur nga radarët e kontrollit të fluturimeve të Aeroportit të Shkupit rreth orës 17 e 40.

Fillimisht ishin banorët e Velesit ata që njoftuan për një shpërthim të fuqishëm, dhe pas lajmit për zhdukjen e avionit u verifikua vendndodhja e rrëzimit. / Politiko.net

Specialja, kërcënim për oligarkët

0

Priten procese gjyqësore komplekse

“Është thënë se në tetor do të fillojë punën kjo Gjykatë, mirëpo për shkaqe teknike mund të ndodhë se do të vonohet për një kohë të shkurtër, por pritet që sa më shpejt të funksionalizohet. Tanimë është ndarë edhe objekti dhe po e ripërsëris se politikanët kosovarë nuk kanë kurrfarë roli, e as ndikimi në punën e Gjykatës Speciale”, tha avokati Tomë Gashi, raporton Gazeta Kosova Sot

Me gjithë pëshpëritjet e opinionit se gjoja shtyrja e funksionalizimit të Gjykatës Speciale na paska ndodhur për shkaqe të interferencës së brendshme politike të krerëve më të lartë të shtetit, për njohësit e kësaj fushe ato vlerësime nuk qëndrojnë fare, ngase është vlerësuar se ndikimi dhe roli i politikanëve kosovarë në këtë drejtim është minor, apo thënë troç zero. Ndaj në këtë drejtim është hequr edhe mëdyshja më e vogël e ndikimit të elitës politike kosovare edhe përmes emërimit të kryeprokurorit David Schwendiman së fundmi në krye të kësaj Gjykate.

Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se nëse shikohet misioni i Gjykatës Speciale dhe fuqia e saj vendimmarrëse, me të drejtë, siç tha, mund të dyshohet se i gjithë ky lëmsh politik është i orkestruar në mënyrë për ta shtyrë funksionimin e kësaj Gjykate, e cila do të merret kryesisht me oligarkët politikë dhe mjaft të tjerë që janë bërë oligarkë nëpër ndërmarrje të mëdha shoqërore e deri tek pozitat e udhëheqësve të bordeve, të cilat krijojnë një unazë, përkatësisht dëshmojnë shtrirjen zinxhirore të një sistemi, ku veprimet e nëntokës janë bazë themelore për të ruajtur ndikimin e tyre në të gjitha sferat dhe shtresat e shoqërisë qytetare.

“Natyrisht, Gjykata Speciale është vonuar dukshëm, por vendeve të Bashkimit Evropian dhe Amerikës nuk u bëhet vonë, prandaj edhe pse ne flasim për zvarritje të proceseve nuk shihet asnjë hezitim apo tërheqje, por pavarësisht asaj se punët po shkojnë ngadalë në këtë drejtim, nuk ka asnjë dyshim se oligarkët politikë dhe një garniturë e kësaj nëntoke do të kenë telashe me këtë Gjykatë”, tha ai.

Në PDK pritet tërmet

Më tej, Dibrani ka nënvizuar se tashmë emërimi i kryeprokurorit David Schwendiman në krye të kësaj Gjykate, jep sinjalin e qartë se Gjykata Speciale nuk ka hequr dorë nga misioni i saj për të vënë rend dhe ligj, por më shumë, siç tha, për ta disiplinuar një kastë politike, e cila po i rri pezull jetës publike në Kosovë.

“Pavarësisht abuzimeve të deritanishme dhe ndikimeve që kanë pasur në Gjykatën dhe Prokuroritë e Kosovës, ku ndikimi i tyre në vendimmarrje ka qenë evident, qeveritarët e korruptuar dhe ata mbi të cilët rëndojnë akuza të rënda nuk do të mund t’i shmangen Gjykatës Speciale. Nuk ishte rastësi e amerikanëve, por as e BE-së, që pikërisht njohësin e mirë të sistemit ligjor në Kosovë dhe atë që për vite është marrë me raste delikate, ta vendosin si kryeprokuror në Gjykatën Speciale, dhe nuk ishte krejt e rastësishme as publikimi i emrit të tij pikërisht një ditë pasi Qeveria e Kosovës e hoqi nga rendi i ditës rastin e Demarkacionit”, është shprehur Dibrani.

Eksperti i fushës së sundimit të Ligjit, Blerim Burjani thotë se Gjykata Speciale pritet që shumë shpejt të veprojë dhe se ky do të jetë një proces i vështirë për t’u dëshmuar nga Tribunali apo Gjykata Speciale, derisa, sipas tij, faktet dhe argumentet janë baza e vetme për të nxjerrë një aktgjykim të drejtë, të paanshëm dhe profesional.

“Pra, do të jetë një punë e gjatë dhe e mundimshme e Gjykatës dhe nuk i dihet fati se çfarë aktgjykime do të nxirren nga kjo Gjykatë, por edhe ana tjetër, ligji për kompensim material të personave që do t’i nënshtrohen Gjykatës është mjaft e vlefshme dhe e moralshme për këtë kategori njerëzish. Proceset e gjykimet do të jenë mjaft komplekse dhe se nuk dihet fundi i tyre. Sidoqoftë, pritet që të ndodhë një termet i fuqishëm për disa njerëz të PDK-së, por edhe njerëz të disa subjekteve të vogla opozitare, por shumë të zëshëm politikisht”, ka vijuar më tej ai.

Burjani ka shtuar se kjo mund të ketë pasoja për skenën politike dhe për disa njerëz, të cilët mbajnë poste të fuqishme nëpër parti, ngase, sipas tij, Gjykata do të godet edhe politikisht dhe do të sjellë ndryshime edhe politike në vend, por, siç tha, pritet të shihet se deri në cilën masë do të ketë ndryshime skena politike vendore pas veprimit të kësaj Gjykate. /Kosova Sot/