Home Blog Page 6269

Mashtrimi i madh me vizat

0

Pushteti joserioz lë në izolim kosovarët. Para pak muajsh na thoshin se është në dorën e BE-së vendimi, kurse tash e pranojnë se e kanë në duart e tyre liberalizimin e vizave, raporton Gazeta Kosova Sot

Lajmi më i ri dëshpërues për agjendën e liberalizimit të vizave për kosovarët është parë nga analistët dhe subjektet politike të opozitës, si një shuplakë e re shumë e rëndë për Qeverinë e Kosovës, e cila ka më shumë se një vit që po luan lojë të pandershme, mashtruese e dyfytyrëshe me këtë proces. Krerët e institucioneve dhe zyrtarët e ministrive të ndryshme, ka kohë që po e mashtrojnë popullin me mënyrën e komunikimit të procesit dhe obligimeve që duhet të kryhen për liberalizimin e vizave, pasi një herë thanë se varet nga BE-ja, se këta i kanë kryer të gjitha detyrat, e tash po e thonë të kundërtën, e shpikën Demarkacionin me Malin e Zi si kriter të ri fantom dhe fajin përsëri po e bartin te vetja.

Është një vlerësim i analistëve dhe njohësve të kësaj fushe, sipas të cilëve Bashkimi Evropian po e ndëshkon lidershipin qeverisës të Kosovës, e për pasojë edhe qytetarët e Kosovë, me mosliberalizim të vizave për shkak të korrupsionit galopant dhe jo për ndonjë arsye tjetër.

“Shtyrja e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës pikësëpari vjen si pasojë e aktorëve politikë vendorë, që ende nuk kanë dëshmuar pjekuri politike për të qenë të gatshëm për një sfidë të tillë që është hap shumë i rëndë- sishëm për të ardhmen e vendit”, tha për “Kosova Sot” njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe integrime, Adlum Ramadani.

Proceset integruese, në rrezik

Sipas Ramadanit, mospërmbushja e kritereve bazë nga institucionet vendore, padyshim se dënohet përmes shtyrjes së procesit, i cili si i tillë pastaj ndikon edhe në agjendën politike të vendit si prioritet që në rrethana të tilla që ka Kosova padyshim se është shqetësuese, pasi mbyllen dyert për çështje të tjera të rëndësisë së veçantë për të ardhmen integruese të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë.

“I ashtuquajturi kriteri i korrupsionit, padyshim se është njëri ndër elementet që gjithsesi se duhet luftuar përmes mekanizmave kompetentë, por që në rastin e Kosovës ka dështuar të japë rezultate frytdhënëse pikërisht për faktin se të njëjtat mekanizma janë instrumente me agjenda politike, të cilat shfrytëzojnë imunitetin ligjor për t’u dalë në krahë atyre që do duhej të ishin prapa grilave”, tha ai.

Sipas tij, kjo klasë politike e papërgjegjshme po rrezikon jo vetëm liberalizimin e vizave, por edhe shumë procese të tjera të rëndësishme të agjendës së integrimit evropian dhe hapjes ndërkombëtare.

“Në suaza të tilla, Kosova rrezikon jo vetëm liberalizimin e vizave, por edhe të ardhmen euro-atlantike, rrugëtim ky që do t’i siguronte Kosovës të ardhme me prosperitet, mirëqenie sociale dhe padyshim kushte sigurie, faktorë kyçë që tashmë kanë filluar të marrin rrugën drejt humnerës së famshme të vendeve që nga fatkeqësia rrëshqitën në shtete të dështuara për t’u udhëhequr pastaj në regjime autoritare-diktatoriale”, tha Ramadani për “Kosova Sot”.

BE-së nuk i ngutet për Kosovën

Edhe analistja e fushës së integrimeve evropiane nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike Albana Merja vlerëson se me mënyrën e votimit dhe interpretimit të këtij procesi nga Komiteti për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, LIBE, u pa që Kosova me hapa është duke stagnuar në procesin e liberalizimit të vizave, përkundër premtimeve të deritanishme pompoze e kontroverse të qeveritarëve.

“Votimi i djeshëm në Komitetin për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, LIBE, tregoi që në këto momente Kosova si asnjëherë më parë e ka humbur mbështetjen e Parlamentit Evropian në lidhje me liberalizimin e vizave. Deputetët votuan pro raportit të Fajonit për liberalizimin e vizave me Kosovën, por në anën tjetër kundër propozimit të përshpejtimit të këtij procesi. Kjo e fundit e fut Kosovën në një procedurë më të zgjatur drejt lëvizjes së lirë”, theksoi ajo.

“Evidenca në luftimin e krimit të organizuar dhe mbi të gjitha korrupsionit në nivele të larta, vazhdon të mbetet një ndër kërkesat kryesore nga ana e BE-së. Përveç luftimit të këtyre dukurive, është e nevojshme që Qeveria e Kosovës, Parlamenti dhe institucione të tjera relevante, të fillojnë një proces të lobimit intensiv dhe të koordinuar, në mënyrë që të garantojnë që do të ketë rezultat pozitiv, gjatë votimit të amendamenteve në seancë plenare të Parlamentit Evropian”, tha Merja për “Kosova Sot”.

Vëllezërit e vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në Shkup janë nga Malisheva

0

Burimet e KTV-së, marrin vesh se dy vëllezërit që humbën jetën nga rrëzimi i aeroplanit në afërsi të Shkupit, janë nga Malisheva.

Viktimat janë F. Begaj dhe V. Begaj, të cilët pritej që nesër të hapnin qendrën aeronautike në Istog, një investim i madh në këtë komunë.

Ata dhe katër italianë kanë humbur jetën në tragjedinë që ndodhi sonte në afërsi të Shkupit. Aeroplani i tyre kishte destinacion Prishtinën, por po udhëtonin drejt Shkupit për t’u furnizuar me karburant.

Kosovarët e vdekur në Shkup ishin vëllezër

Dy vëllezër me mbiemrin Begaj, kanë vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në afërsi të Shkupit, raporton Alsat.

Dy vëllezërit kanë humbur jetën së bashku me katër shtetas italianë.

Sipas të dhënave të siguruara deri më tani, njëri prej vëllezërve quhet Visar Begaj, dhe të dy janë investitorë

Qëllimi i udhëtimit, ka qenë iniciativa e dy vëllezërve investitorë kosovarë, të cilët kanë dashur të hapnin një klub për fluturime në Istog.

Mediat italiane raportojnë se Aeroplani ishte destinuar të ulej në Shkup, për të bërë një kontroll teknik.

Ekspozitë e fotografive të Freddie Mercury

0

Tashmë janë bërë 25 vjet që kur vdiq legjenda e rokut, Freddie Mercury. Por në Londër, kujtimet mbi vokalistin e Queen do të rikthehen me një ekspozitë.

Në këtë ekzpositë do të ketë fotografi nga performancat e tij, festat dhe jeta personale të shkrepura nga fotografi dhe miku i tij i ngushtë, Richard Young.

“Kjo nuk është një kujtim për Freddie, por është një kujtim për mikun tim, për dikë të cilin e kam adhuruar dhe dashur shumë si person”, u shpreh Young i cili ka fotografuar edhe Mick Jagger, Michael Jackson, Elizabeth Taylor, David Bowie si dhe Princesh Diana.

Ai e përshkruan këngëtarin si një person me një sens të hollë të humorit dhe shumë të dashur.

Freddie dhe Young kanë kaluar shumicën e mbrëmjeve kur ishin së bashku duke folur dhe ai e kishte lutur atë që t’i fotografonte anëtarët e Queen në dhe prapa skenës.

“Në fillim më ftonte për fotografi nga videoklipet më pas për festat për Freddie dhe më pas unë isha i ftuar që të shkoja me ta në Rio, Munich, Budapest e Irlandë. Ndihesha sikurse anëtar i grupit”, është shprehur Young.

Më poshtë mund t’i shikoni disa fotografi të cilat do të shfaqen në këtë ekspozitë. /Klan Kosova

Freddie Mercury, Britt Ekland, Ronnie Wood and Jo Wood, New Year’s Eve Party, Maunkberry’s, London, 1978

Freddie Mercury, Britt Ekland, Ronnie Wood and Jo Wood, New Year’s Eve Party, Maunkberry’s, London, 1978

Freddie Mercury, Queen Crazy Hats Party, Legends Nightclub, London, 1979

Freddie Mercury and Elton John, House of Commons, London, 1980

Freddie Mercury and Roger Taylor, New Year’s Eve Party, Legends, London, 1980

Mary Austin and Freddie Mercury, Freddie Mercury’s 38th Birthday Party, Xenon, London, 1984

Freddie Mercury, Rio de Janeiro, 1985

Freddie Mercury, Queen in Concert, Rock In Rio Festival, Rio de Janeiro, 1985

Freddie Mercury, Queen in Concert, Rock In Rio Festival, Rio de Janeiro, 1985

Freddie Mercury, Rio de Janeiro, 1985

Freddie Mercury, Queen in Concert, Rock In Rio Festival, Rio de Janeiro, 1985

Freddie Mercury, Rio de Janeiro, 1985

Freddie Mercury, Queen in Concert, Rock In Rio Festival, Rio de Janeiro, 1985

Freddie Mercury, Rio de Janeiro, 1985

Freddie Mercury and Brian May, Queen in Concert, Live Aid, Wembley Stadium, 1985

Prokuroria fton për intervistim drejtorin e Arsimit në Prizren

0

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ftuar për intervistim drejtorin e ri të Arsimit në Prizren, Zehadin Shemsedinin. Ai brenda kësaj jave është i detyruar të paraqitet në prokurori.

“Prokuroria Themelore e Prizrenit ka dërguar ftesën Zehadin Shemsedinit për intervistim dhe pritet që brenda kësaj jave ai të paraqitet në prokurori”, tregon burimi i Kohës Ditore.

Drejtori i Arsimit në Prizren, Zehadin Shemsedini është duke u hetuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare për kohën sa ka qenë Ushtrues i Detyrës në Universitetin e Prizrenit. Ai dyshohet se kundërligjshëm ka angazhuar djalin e tij, si asistent në këtë universitet.

Angazhimi i djalit të tij, ka ndodhur në vitin 2014.

Inspektorati i Arsimit në Prizren (SIA), rastin e ka lajmëruar në organet e drejtësisë.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxhaj, ndërkaq nuk ka pranuar të flasë rreth kësaj çështjeje. Ai as nuk e ka mohuar, por as pohuar se janë duke u zhvilluar hetimet ndaj Shemsedinit.

“Kur ka diçka të re ju informojmë sic kemi bërë deri më tash për rastet e tjera”, ka thënë shkurt Hoxha për “PrizrenPress”.

Në mars të vitit 2014-të në UPZ është pranuar djali i ish-Ushtruesit të Detyrës së Rektorit, Zehadin Shemsedini, pa i përmbushur kriteret profesionale. /PrizrenPress.com/

Rikthehet Bridget Jones

0

Fituesja e Çmimit Oscar, Renee Zellweger, i është rikthyer theksit britanik për interpretimin e londinezes aq të dashur nga publiku, Bridget Jones.

Personazhi tepër i pëlqyer i vajzës së thjeshtë që zhytet në situata nga më të çuditshmet e plot humor, vjen këtë herë si një grua tek të 40-tat, sërish beqare dhe befasisht shtatzënë.

Aktores teksane do t’i duhet të përballet edhe një herë me shtimin në peshë, ndërsa Colin Firth vjen dhe ai në formën e dashurisë së vjetër Marc Darcy-t. Patrick Dempsey do të interpretojë amerikanin Jack Qwant, njeriun që ka tërhequr së fundi vëmendjen e Bridget-it.

Rolin që do të kthehej në njërin prej sukseseve të saj më të mëdha, Zellweger e mori për herë të parë në 2001-shin me “ditari i Bridget Jones”. Pas kësaj, tre vjet më vonë, erdhi vazhdimi i filmit, “Bridget Jones, skaji i arsyes”. Tani, edhe pse më e madhe në moshë dhe një producente lajmesh në televizion, Bridget sërish përfshihet në telashe pa fund.

“Është figurë shumë familjare për mua. Por ishte një eksperiencë ndryshe kjo e fundit, sepse të nxit kreativitetin, të shtyn të mendosh sesi duhet ta paraqesësh një person më të pjekur tashmë, pa tradhtuar në të njëjtën kohë esencën e asaj çfarë është në të vërtetë”, shprehet Renee Zellweger, aktore.

Filmi është pritur me padurim të madh nga adhuruesit që mbeten të tronditur nga libri i 2013-s, “Bridget Jones: e çmendur pas djalit”, ku autorja Helene Fielding bën që Darcy të vdesë dhe Jones të mbetet vejushë duke rritur fëmijët e vetme.

Referendum për Ushtrinë

0

Mos amandamentimi i Kushtetutës së Kosovës ka bllokuar një numër procesesh të rëndësishme, përfshirë edhe krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, thonë njohës të çështjeve kushtetuese.

Kushtetuta e Kosovës, e miratuar menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së saj, në vitin 2008, asnjëherë nuk u sprovua deri në bllokadën politike të vitit 2014, kur juristët thanë se ajo nuk ka paraparë situata të caktuara politike.

Gjithsesi, Kushtetuta u parapa të ndryshohej me një marrëveshje politike të vitit 2011, të arritur ndërmjet tre liderëve politik në vend, me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan, që nxori Kosovën nga kriza e thellë politike.

Por, pas përfundimit të punës së komisionit për ndryshimet kushtetuese, Gjykata Kushtetuese solli vendimin se shumica e amandamentimeve shkelin kapitullin kushtetues për të drejtat e njeriut.

Ndryshimet kushtetuese kurdo që të mendohet të kryhen duhet të kalojnë përmes procedurave të caktuara, përfshirë një votim të dyfishtë: fillimisht prej dy të tretave të 120 deputetëve të Kuvendit dhe njëkohësisht dy të tretave të deputetëve nga radhët e komuniteteve.

Vigan Qorolli, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet janë të domosdoshme por, sipas tij, ato duhet të nisin me një marrëveshje me përfaqësimet e komuniteteve pakicë në Kuvendin e Kosovës.

“Ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme, por që ka një problem këtu, sepse ndryshimi në këtë pjesë të shumicës së dyfishtë kërkon konsensus nacional dhe kërkon edhe gjithëpërfshirje të serbëve për të mos i bllokuar më tutje proceset, siç është rasti i Ushtrisë së Kosovës. Për të mos bllokuar ndryshimet kushtetuese që lidhen më ushtrinë e Kosovës, atëherë duhet mbase, sipas gjykimit tim, një referendum”, tha Qorrolli.

Qorrolli ka theksuar se komunitetet pakicë, që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, me votat e tyre janë duke bllokuar proceset, si integrimin në Bashkimin Evropian, formimin e Ushtrisë së Kosovës, anëtarësimin në NATO, e të tjera.

“Duhet liderët politik të ulen dhe të bisedojnë dhe të mos lejojnë edhe me tej instrumentalizimin e Listës serbe, e cila përveç që e ka të drejtën kushtetuese të shumicës së dyfishtë, e ka e edhe instrumentin e kontrollit dhe varësinë nga Beogradi dhe kjo duhet patjetër të ndryshojë”, tha Qorrolli.

Kuvendi i Kosovës nuk arriti një vit më parë që të kalojë në votim themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, për shkak të mungesës së marrëveshjes me Listën Serbe, votat e së cilës ishin të domosdoshme.

Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik, në Universitetin e Prishtinës, Visar Morina, thotë se duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në Kuvend, dhe bllokimin e disa proceseve, ndryshimet në Kushtetutë janë të domosdoshme.

“Kushtetuta definitivisht duhet të pësojë ndryshime në këto segmente në mënyrë që të lehtësojë funksionimin kushtetues të organeve shtetërore dhe në veçanti të parlamentit. Vërehet edhe në seancën fundit të parlamentit bojkoti nga ana e komuniteteve pakicë dhe unë mendoj që një veprim i tillë definitivisht zbehë procesin e vendim marrjes në parlamentin e Kosovës”, tha Morina.

Profesori Morina konsideron se ndryshimet kushtetuese duhet të inicohen dhe të bëhen në koordinim me qytetarët e Kosovës, duke përfshirë grupet e komunitetit pakicë dhe faktorin ndërkombëtar.

“Kosova dhe Parlamenti i Kosovës duhet të marrin vendime strategjike. Mendoj dhe jam optimist që me një dialog të hapur me përfaqësuesit e komunitetit pakicë në parlament dhe përtej tij, dhe një komunikim të rregullt besoj se do të mund të gjendet një zgjidhje politike, e cila do të mund të çonte nga një variant i pranuar i modifikimeve kushtetuese”, tha Morina.

Nga ana tjetër, ish- deputeti serb i Kuvendit të Kosovës, Rangjell Nojkiq tha për Radion Evropa e Lirë se të drejtat e tyre nuk janë shpikur, por siç thotë ai ‘është një kërkesë e planit Ahtisaari, që në mënyrë të qartë kërkon që të krijohet një instrument mbrojtës për komunitetet pakicë.’

“Mendoj se në një shpjegim të përafërt ishte formulimi se ky nen vlen vetëm për vendimet shumë të rëndësishme për komunitetet. Sipas kësaj, nëse Ushtria është apo nuk është në interes edhe të komuniteteve, atëherë ky instrument duhet të respektohet dhe se nuk paraqet kurrfarë bllokade, por duhet të respektohet.”

“Kjo nënkupton që shumica në Kuvend duhet që para se të ndërmarrin çfarëdo vendimi të ulen dhe të bisedojnë me përfaqësuesit e komuniteteve dhe të formulojnë dhe definojnë zgjidhje që do t’u përgjigjen si shumicës, ashtu edhe pakicës. Andaj unë nuk e shoh këtë si bllokadë, por si masë që është në fuqi jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende tjera, si p.sh. Belgjika”, tha Nojkiq .

Në zhvillimet aktuale politike, kur vendimmarrjet janë bllokuar për shkak të mungesës së marrëveshjeve politike, analistët kanë thënë se zgjidhja tani mund të pritet vetëm përmes trysnive nga faktori ndërkombëtar. / REL

Zafir Berisha: Rasti i Ramadan Mujës tregon se politika ndërhyn në drejtësi

0

Deputeti nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, mendon se për vetë faktin se deri më tani nuk ka pasur ndonjë arrestim të të ashtuquajturve ‘Peshqve të mëdhenj’, siç po quhen krerët e institucioneve që janë të korruptuar dhe që për këtë, sipas tij, tanimë edhe qytetari më i thjeshtë e di, tregon se politika i ka implikuar gishtat në drejtësi.

Ai këtu ka përmendur edhe rastin Ramadan Mujës, i cili edhe publikisht është proceduar, ku siç tha “i cili për 3 apo 4 vite zhagitet nga shkalla në shkallë të gjykatave dhe që është një dëshmi se personat që janë në drejtësi janë të ndikuar nga politika, ngase ta zëmë një qytetari të thjeshtë me shpejtësinë e dritës i kryhet procedura dhe dënohet, ndërsa në anën tjetër një personi të caktuar, i cili është në politikë, procedura ndaj tij zgjat edhe me vite të tëra dhe në të shumtën e rasteve del i pafajshëm në mungesë të provave.

Dhe këto janë dëshmi të mjaftueshme që na shtyjnë të mendojnë se vetëm ndryshimet politike rrënjësore dhe ato në organet e drejtë- sisë mund t’i ofrojnë qetësi, rahati dhe perspektivë këtij vendi”, ka potencuar deputeti Zafir Berisha për gazetën Kosova Sot.

Shkrimtari nga Kukësi parashikon saktë rezultatin e Kosovës

0

Finlanda dhe Kosova kanë luajtur baraz 1-1 mbrëmë në Turku, ndërkaq kanë qenë të shumtë ata që kanë prognozuar rezulatin përfundimtar.

Mirëpo shkrimtari dhe studiuesi i Letërsisë nga Kukësi, Petrit Palushi, e ka gjetur saktë rezultatin. Ai para ndeshjes kishte shkruar se ndeshja në Turku do të mbyllet baraz 1-1.

Mirëpo Palushi nuk ka arritur ta gjejë edhe rezultatin e Shqipërisë, pasi ai e kishte paraparë fitoren e saj 2-0, kurse ndeshja është ndërprerë në minutën e 75 nga ku pritet të vazhdojë me rezultat baraz 1-1.

Autostrada Biennale publikon emrat e Bordit Këshillues

0

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale” ka publikuar emrat e Bordit Këshillues. Ky bord përbëhet nga Iara Boubnova, Sezgin Boynik, Juan A. Gaitán, Miran Mohar, Edi Muka, Yehuda Safran dhe Sislej Xhafa.

Iara Boubnova – është kuratore e artit bashkëkohor dhe kritike arti nga Sofia, e lindur në Moskë, Rusi. Që nga viti 1985 ajo punon në Galerinë Kombëtare, në Sofie, si Kuratore në Departamentin e Artit të Evropës Lindore. Që nga Janari 2015, ajo bëhet Zëvendës Drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të sapokrijuar dhe është përgjegjëse për mbledhjen ndërkombëtare të institucionit. Që nga viti 1995 Iara Boubnova është themeluese e Institutit të Artit Bashkëkohor, në Sofia.

Sezgin Boynik, i lindur në Prizren, Kosovë, ai jeton dhe punon në Helsinki. Ai ka përfunduar doktoraturën në Jyväskylä University Social Science, me temë “Politikat kulturore të Valës Zezë në Jugosllavi, nga viti 1963 deri më 1972”. Ai ka botuar për punk-un, marrëdhëniet ndërmjet estetikës dhe të politikës, të nacionalizmit kulturor, situatcionistat ndërkombëtarë dhe kinemanë jugosllave. Ai është redaktor i Rab- Rab: Gazetë për Hetime Politike dhe formale në Art (www.rabrab.fi).

Juan A. Gaitán (Canada / Colombia, b. 1973) është një shkrimtar dhe kurator, me qëndrim në Meksikë dhe Berlin. . Ai ishte kurator në Witte de With – Qendër për Art Bashkëkohor (2009-2010), dhe profesor zëvendësues në Programin e Praktikës kuratoriale në Kaliforni /Kolegjin e Arteve, San Francisco (2011-2012). Nga 2006-2008 ai ishte në Bordin e Drejtorëve të Frontit të Shoqërisë perëndimore, dhe ka punuar si kurator i jashtëm në Morris dhe në Galerinë e Arteve Helen në Vankuver. Gaitán shkruan për disa revista, duke përfshirë Afterall, The Exhibitionist, Fillip, dhe Mousse

Miran Mohar është një artist me qëndrim në Lubjanë, Slloveni. Ai është anëtar i grupit Irwin dhe një bashkë-themelues i kolektivit Neue Slovenishe Kunst, studio grafike e dizajnit New Collectivism dhee Scipion Nasice Sisters Theatre. Sëbashku me katër anëtarët e tjerë Irwin (Dušan Mandi?, Andrej Savski, Roman Uranjek dhe Borut Vogelnik) ka marrë pjesë në të gjitha projektet dhe ekspozitat e Irwin që nga viti 1984.

Edi Muka (1969, Shqipëri) është një kritik arti dhe kurator. Ai është bashkë-drejtor i Tirana International Contemporary Art Biennale (T.I.C.A.B.) dhe bashkë themelues dhe kurator i Tirana Institute of Contemporary Art (TICA), dhe kurator dhe drejtor artistik (së bashku me Joa Ljungberg) të Bienalës së artit bashkëkohor të Göteborg-ut.

Yehuda Safran, jeton dhe punon në New York. Ligjërues në Graduate School of Architecture, Planning and Preservation në Columbia University dhe Pratt Institute, poashtu profesor vizitues në Graduate Institute of Architecture at Nanjing University dhe Shanghai University, Graduate School në Kinë. Ai është redaktor dhe drejtor i ‘Potlatch’ një revistë mbi hetimin e Artit dhe Arkitekturës si një dhuratë. Ai është poashtu këshilltarë për Steven Holl Architects në NY.

Sislej Xhafa, është artist vizuel i lindur në Pejë, Kosovë, me qëndrim në Nju Jork. Ai është i njohur për hetimet e tij artistike në realitetet sociale, ekonomike dhe politike lidhur me kompleksitetin e shoqërive moderne. Xhafa gjatë krijimtarisë së tij ndër vite, ka theksuar me punën e tij artistike, temat ekonomike dhe sociale, realitetet politike, si ato ndërveprojnë në shumëllojshmërinë e paqëndrueshme të shoqërive moderne.

AUTOSTRADA BIENNALE është krijuar me vizionin për t’recikluar boshllëqet kulturore në vend, duke i kthyer në vlera, në hapësira t’përjetueshme e t’prekshme, të cilat bëjnë thirrje për t’shtyer kufijtë e dialogut e të mendimit t’pavarur – në mejdise ku reagimi, kërkimi dhe veprimi shndërrohen në akte çliruese, emancipuese, dominuese e estetike.

Autostrada Biennale është themeluar nga një ekip i të rinjëve përfshirë artistë, pedagogë dhe sociologë, të bashkuar me misionin për të zgjeruar kulturën, mbi një parametër paradoksal dhe idealist për të hapur “dyer emergjente” projektuese e vepruese. Ekipi i Autostrada Biennale, i përbërë nga: Bar?? Karamuço, Fitore Isufi / KOJA, Leutrim Fishekqiu dhe Vatra Abrashi, drejton një fabrikë utopike, me misionin që t’shndërrojë qytetin njëkohësisht në muze dhe qendër të bashkëkohores.

Konferenca “E kaluara bashkëkohore. E ardhmja historike.” e mbajtur në Korrik të këtij viti, ishte hapi i parë në ndërtimin e “Autostrada Biennale”, bienalja e parë e artit bashkëkohor në Kosovë, që parashihet të mbahet në Shtator të vitit 2017, në Prizren.

Konferenca dy ditore, përmes diskutimeve në sesionet e saj, ka zgjuar interesim në vend dhe më gjerë, duke krijuar hapësirë zhvillimi në shumë drejtime. Përmes konferencës në fjalë, Autostrada Biennale ka marrë përsipër rolin e saj brenda sloganit të vet, duke e shfytëzuar pozicionin e vet gjeografik, në udhëkryqin në mes lindjes dhe perëndimit. Ajo është e hapur për këmbime kulturore dhe intelektuale, për ringjallje të komunitetit artistik lokal e regjonal, aktivizim të qytetit si dhe qytetarëve të saj – përballë zvarritjeve të shumë proceseve zhvillimore në të cilën Kosova po kalon.

Kështu, Autostrada Biennale shfrytëzon dinamikën e sotme t’vendit, vitalitetin e rinisë që e karakterizon, njohuritë lokale, si dhe mardhëniet bashkëpunuese regjionale e më gjerë, për tu vet-organizuar dhe vet-pozicionuar në hartën globale kulturore. Prandaj, konferenca ndërkombëtare ka pasur rol kyq në gjtihë këtë nismë, sepse përpos që ka bërë bashkë, artistë, kuratorë, galeristë, udhëheqës institucionesh kulturore, në një diskutim me qëllimin që të adresojë çështje kulturore nëpërmjet perspektivës së artit, politikës dhe ekonomisë – ajo ka rezultuar me një bord këshillues ndërkombëtarë, të cilët vazhdueshëm do t’kontribojnë në hapat e mëtutjeshëm të bienalës, me mendimin e tyre të pavarur dhe profesional. /PrizrenPress.com/

Tri vjet asnjë vdekje nga rriqrat në Malishevë

0

Në Malishevë sot është mbajtur takimi i Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemorragjike Krime-Kongo, ku është thënë se në këtë komunë për tri vitet e fundit nuk është shënuar asnjë vdekje nga pickimi i rriqrave.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se puna e përbashkët dhe koordinimi i mirë midis nivelit qendror dhe atij lokal, ka bërë që qytetarët e Malishevës ta heqin frikën nga një e keqe që ka dominuar me vite.

“Puna e përbashkët ka bërë që, përkundër faktit që sivjet ka pasur mbi 1333 thumbime, të mos kemi asnjë rast të vdekjes, sikurse edhe dy vitet e kaluara dhe kjo pa dyshim që është një fitore e përbashkët”, tha Begaj.

Ai tha se rezultatet e tre viteve të fundit janë një fitore që dëshmon se puna profesionale me përkrahjen edhe të pushtetit rezulton me sukses të përbashkët.

“Është shumë e rëndësishme që qytetarët e Malishevës ta ndiejnë se e kanë larguar rrezikun nga rriqrat dhe besojmë që sukseset do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim”, tha Begaj.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani tha se mbajtja e takimit në Malishevë, ishte një ide për të falënderuar kështu komunitetin për angazhimin dhe bashkëpunimin e mirë midis niveleve në luftimin me sukses të EHCC.

“Fakti që qe tre vjet nuk kemi asnjë viktimë nga EHCC flet për rezultate të mira të arritura së bashku. Unë jam i përkushtuar që punët e mira t’i shtyjmë para dhe një prej këtyre punëve ishte edhe puna e Këshillit Ndërministror për EHCC”, tha Rrahmani, duke theksuar se takimi në Malishevë ishte ide që qytetarët e kësaj komune dhe vet rajoni, ta ndiejnë praninë e pushtetit dhe përkrahjen për t’u ballafaquar me sukses me EHCC.

Tashmë që përvojën e kemi përpara, tha më tej ministri Rrahmani, uroj që edhe vitin tjetër të flasim për një vit pa viktima, e gjithashtu edhe në vitet në vijim, në mënyrë që “kjo sëmundje të mbetet pastaj si histori”.

Drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani, ka prezantuar një rrjedhë të situatës epidemiologjike sa i përket EHCC prej vitit 2000 deri në vitin 2016, duke theksuar faktin se në tre vitet e fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjeve, ndërkohë që prej vitit 2000-2013 në Kosovë ishin regjistruar 49 raste të vdekjeve, me një shkallë letaliteti prej 26.7%.

Ramadani ka theksuar se sivjet në Klinikën Infektive ka pasur 55 raste të dyshuara për EHCC, prej të cilave vetëm një ka rezultuar pozitiv dhe ky rast ka qenë nga komuna e Gjakovës. Ai ka prezantuar edhe aktivitetet e realizuara nga Ministritë, pushteti lokal dhe AVUK, bashkë me komunat në kuadër të Planit operativ për parandalimin dhe luftimin e EHCC si dezinsektimi selektiv, repelimi i shtazëve, marrja e mostrave të gjakut, fushatat edukative-vetëdijesuese, etj.

Doajeni i shëndetësisë publike në Kosovë, epidemiologu Isuf Dedushaj, tha se investimi në parandalim është masë shumë praktike dhe profitabile për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse, ndërkohë që përgëzoi qytetarët e Malishevës për angazhimin që përkundër rreziqeve, ja ka dalë me një problematikë të madhe, në koordinim me akterët e të gjitha niveleve që kanë kontribuar.

Në këtë takim të Këshillit Ndërministror për luftimin dhe parandalimin e EHCC u bë shqyrtimi edhe i masave për sezonin 2017 për të gjitha institucionet që përfaqësohen në Këshill, përkatësisht në luftën kundër Etheve Hemorragjike Krime-Kongo. /PrizrenPress.com/