21 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025
Home Blog Page 6289

Bajrami: Ata që i kanë djegur veturat, të dalin para drejtësisë

0

Deputetja e Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, ka theksuar se njerëzit vazhdimisht po e përkrahin protestën e opozitës.

Bajrami në emisionin “Info – Box”, ka thënë se shumica e deputetëve të opozitës janë të suspenduar, dhe nuk do të mund të marrin pjesë në vazhdimin e seancës e cila pritet të mbahet sot në ora 14:00.

E pyetur rreth djegies së veturave të familjarëve të dy ministrave të Qeverisë së Kosovës, Memli Kransiqit dhe Bajram Gecaj, ka theksuar se “nuk e përkrahim dhunën dhe kush do që i ka bërë ato veprime, duhet të dalin para drejtësisë”.

Edhe gruas së Bajram Gecajt i digjet vetura

0

Mësohet se edhe bashkëshortes së zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit lokal, Bajram Gecajt i është djegur vetura.

Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar edhe vetë Gecaj.

“Po është e vërtetë se dikush i ka thyer xhamat dhe ia vënë flakën brendisë së veturës së bashkëshortes sime në afërsi të ambasadës britanike në Prishtinë”, tha ai.

“Aktualisht jam me policinë dhe po e denncoj rastin”, ka shtuar Gecaj.

Për detaje të tjera rreth kësaj ngjarjeje do t`ju informojmë në vazhdim.

Vdes vëllau i Fidel Castros

0

Ramón Castro, vëllau i madh i Fidel dhe Raul Castros, ka vdekur të martën në moshën 91 vjeçare.

Vdekja e tij u njoftua në një raport të shkurtër të gazetës zyrtare të Partisë Komuniste, Granma.

Castro nuk iu bashkua vëllezërve të tij në lëvizjen guerile që i parapriu revolucionit të vitit 1959, i cili revolucion përmbysi qeverinë e Presidentit Fulgencio Batista.

Por ai kishte qenë i burgosur i qeverisë Batista në vitin 1953, në të njëjtin vit që Fidel dhe Raul sulmuan një kazermë të ushtrisë në Santiago. Sulmi kishte dështuar, dhe të dy Fidel dhe Raul ishin burgosur, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Poashtu sipas kësaj gazete, Ramón kishte ndihmuar përpjekjet e vëllezërve të tij, kur revolucioni i tyre kishte nisur të përparojë.

Fidel Castro dha dorëheqjen si president i Kubës në vitin 2008, ndërkaq Rauli është udhëheqës aktual i këtij vendi.

Trump triumfon në Nevada

0

Nevada ishte një fitore e lehtë për Donald Trumpin, që i forcon kështu edhe më shumë pozitat në garën për nominimin presidencial republikan.

Miliarderi njujorkez ka tani 3 fitore radhazi, pas triumfit në New Hampshire dhe South Carolina. Edhe njëherë senatorët Marco Rubio dhe Ted Cruz, të cilët kanë gjithë javën që sulmojnë ashpër njëri-tjetrin, e gjejnë veten duke u zënë për vendin e dytë. Zyrtarët partiakë, ndërkohë, po verifikojnë raportet për votim të dyfishtë, e në disa raste edhe pamjaftueshmëri të fletëve të votimit.

Nevada, një shtet i lëkundur tipik me një popullsi të madhe latine, konsiderohet vendimtar në procesin zgjedhor. Hillary Clinton e mori trofenë e saj atje të shtunën, në garën demokrate.

AI: Shtim tensionesh në Kosovë

0

Raporti i organizatës Amnesty International për vitin 2015 dokumenton gjendjen e të drejtave të njeriut në 160 shtete dhe territore. Kësaj radhe, në rrafshin global, raporti është përqëndruar më shumë në valën e refugjatëve të cilët janë larguar nga represioni dhe konflikti.

Raporti i organizatës Amnesty International për vitin 2015 dokumenton gjendjen e të drejtave të njeriut në 160 shtete dhe territore. Kësaj radhe, në rrafshin global, raporti është përqëndruar më shumë në valën e refugjatëve të cilët janë larguar nga represioni dhe konflikti.

Përmbledhje e pjesës për Kosovën

Nga janari deri në mars të vitit 2015, rreth 48,900 qytetarë nga Kosova kanë aplikuar për azil në Bashkimin Evropian, thuhet në raport.

“Në Hungari, autoritetet ua kanë refuzuar azilin 99% të aplikuesve dhe i kanë riatdhesuar. Në Gjermani, nga 29,801 vendime për azil, vetëm 0.4% qytetarë nga Kosova e kanë fituar strehimin”, thuhet në raportin e AI, në të cilin gjithashtu tërhiqet vërejtja se masat e reintegrimit për të riatdhesuarit mbeten rrënjësisht joadekuate.

Organizata ka tërhequr vërejtjen edhe për shtimin e tensioneve ndëretnike në Kosovë.

Tensionet ndëretnike gjithashtu janë shtuar pas aplikimit të pasuksesshëm të Kosovës për anëtarësim në UNESCO”, thuhet në raport, në të cilin gjithashtu përmenden edhe protestat e fillimvitit 2015, për shkarkimin e ministrit serb, për kthim dhe komunitete, Aleksandar Jabllanoviq.

Ky i fundit, i kishte quajtur “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse më 6 janar.

“Serbët e Kosovës u janë nënshtruar kërcënimeve, plaçkitjeve dhe sulmeve, përfshirë këtu edhe përpjekje për zjarrvënie, në Gorazhdec dhe Klinë, në maj dhe korrik”, vlerëson AI, duke theksuar edhe rastin e dëmtimit të pronave të dy familjeve në Gorazhdec nga të shtënat me armë zjarri.

Amnesty githashtu rikujton se 1,650 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur që nga koha e luftës në Kosovë dhe se me gjithë gërmimet që kanë ndodhur në disa lokacione potenciale si varreza massive, lokacione të tjera nuk janë identifikuar as në Serbi, e as në Kosovë.

Në këtë kuadër, përmendet edhe rasti i zhvarrimit të disa trupave në Krushë të Vogël, nga ana e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX. Përfaqësuesit e këtij misioni kishin bërë zhvarrimin nën dyshimet për identifikim të gabuar, por nuk kishin njoftuar të afërmit e viktimave.

Për Gjykatën e Posaçme për Krime Lufte, Amnesty vlerëson se masat për ngritjen e saj, e cila do të përndjekë ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë zvarritur vazhdimisht në Kuvendin e Kosovës.

“Nën trysninë ndërkombëtare, legjislacioni për themelimin e gjykatës së posaçme është miratuar në gusht”.

Amnesty International, mes tjerash ka vënë në pah edhe kundërshtimin e zëshëm të opozitës në Kosovë pas arritjes së marrëveshjes për ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, më 25 gusht 2015.

Organizata e ka vlerësuar si ushtrim të tepruar të forcës rastin e ndërhyrjes së autoriteteve të rendit më 28 nëntor në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje, për të arrestuar njërin nga udhëheqësit e saj, Albin Kurtin.

Këtu mund ta lexoni raportin e plotë.

Donika gatuan për protestuesit: Samun me suxhuk

0

Shefja e grupit parlamentar e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila ndodhet në arrest shtëpiak për 30 ditë, si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës, nga shtëpia e saj po kujdeset për protestuesit e opozitës.

“Kur s’të lajnë me dal, gatuaj për protestuesit ?#?sheshiikundershtimit”, ka shkruar Kadaj-Bujupi në profilin e saj në Facebook.

Donika gatuan0Donika gatuan1

Qeveria: Djegia e veturës, sulm kriminal

0

Qeveria e Kosovës dënon ashpër djegien e veturës private familjare të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi.

“Ky sulm i paprecedentë kriminal, i ndodhur në vazhdën e sulmeve që janë kryer së fundi kundër bartësve legjitim të institucioneve të Kosovës dhe ministrit Krasniqi, nga grupe anarkiste parapolitike, synon të krijojë atmosferë të dhunës dhe frikës, si dhe të pengojë punën e Qeverisë së Kosovës dhe rezultatet konkrete të Ministrisë së Bujqësisë si një ndër sektorët prioritar për zhvillimin ekonomik të vendit. Qeveria e Republikës së Kosovës thekson se sulmi ndaj ministrit Memli Krasniqi, i kryer nga njerëz të cilët pasi kanë humbur arsyen, duke mos zgjedhur mjete dhe mënyra radikale, po përpiqen ta zhysin vendin në kaos dhe anarki, për përfitime të caktuara”, thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

Qeveria ka ftuar organet kompetente të rendit dhe të drejtësisë, që të marrin të gjitha masat ligjore ndaj kryesve të këtyre sulmeve kriminale dhe të parandalojnë përsëritjen e tyre në të ardhmen.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Kosovës, shpreh përkushtimin e plotë për zhvillim ekonomik, ndërtimin e gjithanshëm të shtetit dhe fuqizimin e partneritetit strategjik me SHBA-të dhe vendet tjera mike, përkundër përpjekjeve që grupe të izoluara po bëjnë për sabotimin e këtyre objektivave nacionale të qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës”.

Veç zgjedhjet e zgjidhin krizën

0

Profesori i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fadil Maloku, ka thënë se veç zgjedhjet e reja e zgjidhin krizën aktuale politike, që është krijuar ndërmjet pozitës dhe opozitës.

“Le të shpallen zgjedhjet e parakohshme, ngase, në gjithë këtë acarim dhe tensionim kryeneç të dy palëve s’ka zgjidhje tjetër”, ka shkruar Maloku në profilin e vet në Facebook.

Mbyllet votimi për Oscar, “Shok” është fituesi absolut

0

Mbrëmë filmi “Shok” është shfaqur në sallën e Akademisë.

Është mbyllur para gjashtë orëve procesi i votimit në Akademinë Oscars, për të gjitha kategoritë e sivjetme.

Kampanja e cila ka nisur që në muajin shtator ka përfunduar ndërsa fituesit janë tanimë në zarfet që do të hapen natën e 28 shkurtit. Deadline – ka parashikuar fitoren e filmit nga Kosova “Shok” në kategorinë Short Film Live Action.

“Filmi “Shok” mund ti shokojë të gjithë” – shkruan Deadline, faqe e famshme në internet e cila pasi ka analizuar sinopsiset e filmave ka ardhur në përfundim që filmi me regji të Jamie Donoughue do të shokojë me triumfin e tij.

Brie Larson është favorite për çmimin e aktores më të mirë ndërsa Leonardo DiCaprio për rolin e tij në The Revenant. Mbrëmë filmi “Shok” është shfaqur në sallën e Akademisë. /KultPlus.com/

Jeta në kërkim të dashurive e Serena Vitales

0

Serena Vitale, studiuesja dhe kritikja e njohur italiane vjen në një rrëfim për kohët e arta të letërsisë ruse, takimet me Kunderën, Moravian, apo Havelin dhe dashuritë që takoi gjatë karrierës… për t’u ndalur te Majakovski, të cilit i ka kushtuar një libër, që shtëpia botuese “Saras” do ta sjellë së shpejti për lexuesin…

ANTONIO GNOLI

Nëse ekziston një shpirt rus që endet nëpër Europë, ky padyshim mishërohet në zemrën dhe mendjen e Serena Vitales, studiueses më të madhe të gjuhës dhe kulturës sllave. Me një inteligjencë të rrallë dhe mendime që lëvizin aq shpejt njëri pas tjetrit, saqë gati–gati përngjajnë me lëvizjet e pafrenuara të hapave të një ushtari kozak. I kam dashuruar librat e saj, të kthjellët dhe plot shkëlqim si, “Kopsa e Pushkinit” apo tregimet për vitet e jetës së saj moskovite. Jam i sigurt se do t’i dua edhe të tjerët pas tyre. E shkujdesur ndaj celularit dhe me një cigare të ndezur në cep të buzës, kërkon fotot e Majakovskit: “Ishte shumë i pashëm edhe kur vdiq. Ja. Shiko këtu”, – më thotë teksa më tregon fotografinë e tij. Ka muaj që merret me poetin. E lëviz, e shikon, e studion. Qesh me të, qan me të, shikon nëpërmjet tij. Mendoj se dashuritë e vërteta janë pikërisht kështu. Pak posesive. Të bëjnë të harrosh pjesën tjetër të botës. Sot është Majakovski, nesër Pushkini apo Mandel’Stam, apo Belyj. Copëza jete dhe rrugë të përshkruara së bashku me këto fantazma të mrekullueshme. Është shpirti rus. Ai, ku asgjë nuk është më e vërtetë sesa imagjinata. Ku asgjë tjetër nuk është më në qendër të asaj që ndodhet në kufi. Qesh. Prek flokët. Pres që nga çasti në çast të fillojë të më citojë ndonjë poezi. Kur befas, krejt papritur bëhet serioze.

A kanë qenë të rëndësishëm poetët në jetën tuaj?

“Në të gjitha kuptimet, ata kanë qenë më të rëndësishmit”.

Ku keni lindur?

“Jam krenare që kam lindur në Brindisi. Më pas, në moshën 12-vjeçare, kur prindërit e mi u divorcuan, ne me nënën u transferuam në Romë. Këtu filluan dhe vitet e vështira”.

Sa të vështira?

“Shumë. Varfëri e madhe dhe për më tepër motra ime, e cila ishte e sëmurë. Jetonim në lagjen afrikane. Nga pallatet e mëdha mund të shiheshin muzgjet e fundit pasoliniane, barakat dhe imoraliteti. Më pas, në rininë e hershme fillova të dilja. Në liceun “Jul Cesari” pata një flirt me një djalosh. Mbrëmjeve shkoja shpesh në një mensë, e cila shërbente me gjysmë racione. Më pëlqente pula me speca djegës. Më pas në kinema, te Farnese. Ai që shiste akullore i ngjante shumë Dostojevskit. Por një mbrëmje, magjia mbaroi, sepse dikush nga salla bërtiti: O Gorki na bej dy akullore me krem”.

Fantastike. Një pagëzim sllav sipas të gjitha rregullave?

“Ku i dihet. Ndoshta rridhja nga një familje rusomane”.

Me çfarë merreshin prindërit tuaj?

“Babai im ishte violinist. Rridhte nga një familje që merrej me instrumente muzikore. I mësoi muzikë edhe Domeniko Modunjës. Ndërsa nëna donte të ishte qendra e sistemit planetar”.

Në çfarë kuptimi?

Ishte rregullatore e roleve të të gjithë pjesëtarëve në familje. Të djalit mjek; të motrës pianiste dhe timit, mësueses së shëmtuar inteligjente. Mendo, që për të shtyrë vëllain drejt profesionit të ardhshëm i dhuroi filmin “Sinue egjiptiani”.

Historinë e mjekut dhe të faraonit. Po ju e shikonit veten në këtë rol?

Nuk e di. Zonjusha Fucile – beqarja e abandonuar në altar që ishte mësuese matematike, thoshte që isha shumë e nxituar, por që kisha shumë të dhëna për lëndën e saj. Po, unë mund të isha bërë një mësuese matematike, ndërsa sot kam përshtypjen se i kam harruar të gjitha. Më ka mbetur vetëm logjika dhe ndonjëherë mendoj që në momentet e vështira ka qenë pikërisht ajo që më ka shërbyer.

Për cilat momente e keni fjalën?

“Për ato tri-katër histori, të cilat më kanë tronditur”.

Më parë thatë diçka për motrën tuaj?

“Ishte diçka e tmerrshme. Studionte në konservator dhe ishte një pianiste që premtonte shumë, kur një ditë e diagnostikuan me një lloj skizofrenie. Brodhëm në gjithë Europën me shpresën se mund ta ndihmonim. Një mjek suedez i bëri një ndërhyrje në kokë, labotimi. Ishte një krijesë shumë e bukur. Iu privua një pjesë e vetes së saj. Më pas vdiq në “Santa Maria della Pieta’”. Kjo është e gjitha”.

Po ju si u ndiet mes gjithë kësaj?

“Edhe sot ndihem shumë keq. E kuptova që ishte e sëmurë, një ditë teksa ndodheshim bashkë në të njëjtën dhomë. Ishte duke punuar një triko leshi me vija gri dhe portokalli, kur krejt papritur, mori një gërshëre dhe e preu në mes. I them: – Çfarë bën, po e prish. Ajo më pa e habitur: Jo,- m’u përgjigj gjithë seriozitet. -Këtu ku po e pres do të vendos kopsat. Nuk kishte kuptim, por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte prerja. Një herë tjetër pashë fotot e saja të varura në mur me gjilpëra me kokë të ngulura te sytë.

Çfarë menduat?

“U terrorizova. Më pas më shpjeguan se është një formë klasike e skizofrenisë, e njohur si asgjësim i vetvetes. Është hera e parë që flas për këtë gjë. Ka momente, kur dhembja bëhet më e fortë, dhe mendoj t’i shkruaj këto gjëra. Por tërhiqem, sepse e di që nuk do të ishte e drejtë”.

Ndoshta do të lehtësoheshit po ta bënit këtë?

“Nuk lehtësohesh dot kurrë plotësisht. Ka gjithmonë diçka që mbetet thellë, në fund. Por ka dhe gjëra të bukura. Gjyshi kishte një agjenci për shpërndarjet detare. Kur isha e vogël më hipte nëpër anije. Aty kuptova se Puglia ishte toka e erës dhe e tjetërkundi. Ishte pikërisht në një prej këtyre rrethanave kur fillova të perceptoj që historia ime i përkiste Lindjes. Një ditë gjyshi më hipi në bordin e një anije me avull “Valixhja e Indisë” dhe më tregoi për udhëtimet e mrekullueshme të Orientit.

Përse më pas zgjodhët Rusinë?

“Ishte falë takimit tim me sllavistin e madh, Angelo Maria Ripellino. Asistova në leksionin e tij të parë në Universitetin e Romës. Nuk shkoi dhe aq mirë. Ishin të paktën 500 persona. Fillova të djersija. Vuaja nga klaustrofobia. Sikleti sa vinte e më shtohej. Dola me vrap. E megjithatë…”

E megjithatë?

“Ai burrë kishte një shpirt të veçantë. U ktheva më pas për ta dëgjuar. Më magjepsi mënyra teatrale e leksioneve të tij. Skedat me ngjyra që prezantonte duke i lëvizur si letra prestigjiatori. Sipas tij, asgjë nuk është ajo që është, por çdo gjë të çon te një tjetër gjë. Më hapi mendjen. U diplomova me të për Andrej Belyi. Shkova në Moskë dhe aty më mori dreqi”.

Çfarë nuk funksionoi?

“Duhej kohë që të mësohesha me atë botë. Mbërrita në 1967, bashkë me tri shoqe të universitetit. U sistemuam në konviktin e Universitetit të Moskës, te kodrat e Leninit. Ishte kulmi i epokës së Brezhnjevit. Akulli na kishte hyrë deri në tru. Tronditjen e parë të madhe e mora nga buburreci: furrtari ose insekti gjerman siç e quante Linneo. Ishte një makth. Por e kuptova, atëherë kur më në fund kisha mposhtur tmerrin dhe frikën dhe kisha arritur të flija në prezencë të tij, se isha bërë si e shtëpisë në Rusi”.

Si iu duk qyteti?

“I pafund, i jashtëzakonshëm, dorëzuar varfërisë dhe informalitetit. Alkooli, vodka sidomos, ishte i vetmi ngushëllim ndaj Realizmit Socialist. Mendoja se ç’kishte qenë Rusia në vitet e para të shekullit, kur çdo gjë ishte e lejuar, seksi, inteligjenca, provokimi. Ndonjëherë i telefononim natën, të dehura, Ripelinit: -Ky nuk është më një vend për të rinj, -i bërtisnim në receptor”.

Megjithatë, keni takuar pleq interesantë?

“Është e vërtetë. Më i madhi ka qenë Viktor Shklovkij, letrar i jashtëzakonshëm. Doja të shkruaja një libër për të. Kam shkuar ta takoj rreth viteve 1978-’79, gjatë dimrit më të ftohtë të shekullit. U drejtova për në shtëpinë e tij. E pashë këtë burrë, të shkurtër dhe shumë të tensionuar, teksa merrej me një grup xhirimi. Filloi t’i bërtiste një djali të ri, i cili po i jepte urdhra se si duhej të rrinte përpara telekamerës: -Kam punuar me Pudovkin dhe me Ajshtajnin unë, çfarë do që të më mësosh? Ishte shumë i nxehur. Ishte nxirë nga inati. Herë-herë enigmatik. Më kthehet me ironi: -Nuk kam pasur kurrë talent si shkrimtar. Ky imi nuk është veçse një tërbim i brendshëm, -më thotë”.

Keni njohur edhe Lilja Brik?

“Shkova ta takoja në Moskë. Ishte plakur. Ajo kishte qenë muza dhe shoqja e Majakovskit. Seksualisht një vullkan i vërtetë. I koleksiononte dashnorët me po të njëjtën lehtësi që ne marrim frymë. Për më tepër, adhuronte të tregonte për ta. I pëlqente “ta bënte” në mënyrë të çuditshme”.

Në ç’kuptim?

“Po ja, takohej me Majakovskin nëpër bordellot e Moskës. Ishte një grua e shfrenuar, por edhe kurajoze. Trashëgimtare e periudhës së paturpshme të “Epokës së Argjendtë”. Por nuk ishte një grua gjeniale. Urrente Akmatovën. Ajo po që ishte talent absolut. Një urrejtje të cilën poetja e shihte me shumë si inatin e dikujt, i cili ka vuajtur shumë në jetë”.

Çfarë është dashuria?

“Nuk e di. Ekzistojnë historitë e dashurisë”.

Po të tuat?

“Të bukura, të komplikuara, zhgënjyese dhe me raste të dhembshme. Historia më e rëndësishme ka qenë ajo me Giovanni Rabonin. Filloi në vitin 1970. Punoja te Garzanti ato kohë. U martuam dhe u ndamë në 1981. Ishte një përzierje e çuditshme. Unë arrakate, e ardhur nga Brindisi e më pas nga Roma dhe ai me mënyrat dhe moralin e tij milanez. Më goditi ai mashkull. I bukur dhe diskret. Mendoj se dashuritë, ashtu si dhe poetët, duhen mbrojtur”.

Mbrojtur nga çfarë?

“Nga lodhja dhe nga shpifjet e kohës. Me Giovannin kaluam një periudhë të bukur në Pragë. Dhe të mendosh që vitet e “Periudhës së normalizimit” ishin më të errëta se ato të “Periudhës sovjetike”. E megjithatë, qyteti nga vitet tridhjetë e në vazhdim ishte një thesar i kulturës ruse. Njohëm persona interesantë, ndër ta edhe Kunderën. U bëmë miq. Na pyeste nëse duhej të largohej në emigrim. Më pas në 1975, ai u transferua në Francë. Më kanë tërhequr shumë librat e tij të parë. Përktheva “Valsi i lamtumirave” dhe ia dhashë për botim, shtëpisë botuese “Mondadori”.

Ju keni qenë një urë për te kultura sllave?

“Një herë Pasolini më shkruante duke me falënderuar që i kisha krijuar mundësinë për të njohur poetin e mrekullueshëm, Osip Mandels’shtam”.

Takoheshit bashkë?

“Disa herë. Zakonisht hanim darkave karbonara. E kam dashur shumë. Donte të dinte për Tolstoin dhe për arratisjen e tij në 1910, vit në të cilin shkrimtari rus vdiq. Fliste shumë pak. Vdekja e tij më befasoi dhe hidhëroi shumë. E mësova kur isha me Giovann-in në Paris. U kthyem në Milano të tronditur nga kjo ngjarje.

Kë tjetër keni takuar gjatë atyre viteve?

“Natyrisht, Laura Bettin, të cilën e frekuentova gjatë kohës së saj më të mirë. Më pas Elsa Moranten. Lindi një miqësi e vërtetë mes nesh, por jo aq për arsye letrare sesa për dashurinë që kishim për macet. Më vonë kam takuar Alberto Moravian”.

Shumë i dashur në Bashkimin Sovjetik?

“Më pak se këngëtari Robertino dhe Sofia Loren. Po mund të thuhet se ishte një personalitet. Mbaj mend një darkë që shtrohej për nder të tij në Moskë, në restorantin “Sovietskaya”, vend me histori të vjetra për Komitetin. Kur në një moment, gjatë kohës që na shërbenin ushqimet, pashë Moravian që ngriu i tëri, gati-gati si një zbukurim pemë, duke ndenjur në qetësi. Kori këndoi “Tuppe tuppe Mariscia”. Ishte një moment surreal”.

Sot është e papërfytyrueshme…

“Rusia është tjetër gjë sot. Mbaj mend që kur Juri Andropov ishte në krye të KGB tha se do luftonte disidencën duke rritur prodhimin e sallamit”.

Mënyra pak staliniste?.

“Mendonte se në këtë mënyrë luftonte korrupsionin: -Duke filluar nga gastrono-moskovitet”.

Po sot?

Më thonë miqtë e mi që në Moskë, korrupsioni nuk është më problem, është sistem”.

Me çfarë merren miqtë tuaj?

“Duan të largohen. Nuk ia dalin dot më të qëndrojnë aty. Më duket se Moska e ka humbur shpirtin e saj. Shkrimtarët shkruajnë paçavure. Si majmunët, kopjojnë Perëndimin”.

Nuk ka me shkrimtarë si njëherë e një kohë?

“Mos më bëni të prish fjalorin”.

Ju e filluat me Pushkinin dhe tani jeni zhytur aty, te Majakovski. Çfarë kanë të përbashkët?

“Hmm…Nuk e di. Ndoshta faktin që të dy kanë vdekur 37 vjeç dhe me histori femrash në kurriz”.

Jeni martuar përsëri?

“Do t’ju befasoj. Po. Në vitet ’60 njoha në Pragë, një djalë. E ftova në Romë dhe ia prezantova Ripellino-s. Dolëm së bashku për pak kohë. Ishte shumë romantik edhe pse ishte djali i një njeriu të rëndësishëm të periudhës komuniste. Më pas u kthye në vendin e tij. Ripellino e bindi të transferohej në Itali, por nuk ia doli në kohë. Ato ditë u mbyllën kufijtë. Kështu humbëm kontaktet. Quhej Vladimir Novak”.

Si vazhdoi më tej?

“Kaluan vitet. E kisha harruar atë histori. Në vitin 2000 kthehem në Pragë. Ditën tjetër do takohesha me Havel, me të cilin ishim miq që prej kohëve me Kunderën, por atij i doli diçka e papritur në moment të fundit. Kështu, duke mos ditur se çfarë të bëja, u kujtova për të, Vladimirin. U mundova ta gjeja nëpërmjet telefonit. I rashë një numri dhe gjithë emocion pyeta për të. Isha e sigurt që ishte një tentativë e kotë. M’u përgjigj: – Jam unë dhe jam një burrë i ve’. Të nesërmen u paraqit në Arkivin e Emigracionit rus, ku isha duke bërë disa kërkime, me një tufë të madhe trëndafilash. Një vit më pas u martuam”.

Po ai me çfarë merret në jetë?

“Është një artist i njohur. Është piktor. Kemi vendosur të mos jetojmë bashkë dhe të mos zgjedhim një qytet, Milanon apo Pragën, por të rrimë të ndarë dhe të takohemi me periudha të caktuara, herë nga mua, e herë nga ai, apo në çfarëdolloj vendi ku duam të jemi. Është një dashuri fikse dhe fluturuese. Një histori e bukur me pak fjalë”.

Pak a shumë si Krishtlindjet.

“Nuk ka lidhje me historitë melankolike. Në fakt, e mendoj më shumë si histori festive”. /Gazeta Shqip/