28.2 C
Prizren
E enjte, 26 Qershor, 2025
Home Blog Page 6313

Obama: Trump nuk do të jetë president

0

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka kritikuar miliarderin, Donald Trump, dhe kandidatët e tjerë republikanë presidencialë, duke thënë se pikëpamjet e tyre për myslimanët dhe ndryshimet klimatike, janë “problematike” për gjithë botën.

“Nuk është vetëm zoti Trump; vetëm shikoni deklaratat që janë bërë nga kandidatët e tjerë”, u tha mbrëmë zoti Obama gazetarëve, gjatë qëndrimit të tij në Kaliforni, dhe ka shtuar se “nuk ekziston asnjë kandidat i vetëm në garën republikane, që mendon se ne duhet të bëjmë diçka për ndryshimin klimatik”.

Për më tepër, Donald Trump, i cili pat propozuar ndalesë të përkohshme kundër hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, “mund të paraqes edhe më tepër peshë në ndjenjën kundër myslimanëve, por nëse ju shikoni në atë që kanë thënë edhe kandidatët e tjerë republikanë, kjo është tejet problematike, po ashtu”, tha Obama.

Duke folur për kandidatin Trump, Obama theksoi se “Trump nuk do të jetë president dhe arsyeja është se unë kam shumë besim në popullin amerikan. Mendoj se ata e dinë se të jesh president është punë serioze”.

Pandeli Majko: Kosovë, gëzuar Ditën e Pavarësisë!

0

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e tetë vjetorit të pavarësisë.
Lexoni urimin e ish-kryeministrit Majko:

“Gëzuar Kosovë ditën e Pavarësisë! Ditë e bukur për tu kujtuar. Ditë e vështirë, sot, për tu festuar. Ktheni kokën nga errësira nga e cila erdhët për të kuptuar më mirë të tashmen.

Gëzuar nga zemra të gjithë Jasharëve, ata që janë mbi e nën tokën e Kosovës. Gëzuar Lladrovcëve dhe Haradinajve. Gëzuar Hashim. Gëzuar Albin. Gëzuar Ibrahim Rugova. Gëzuar Rexhep Qosja. Gëzuar Kryeministër. Gëzuar Presidente.
Gëzuar Piro, nipi im prishtinas.

Ju përshendes e ju përqafoj nga Tirana. Festoni, protestoni, kujtoni dhe ëndërroni, për më shumë… 17 shkurt 2016”.

Partitë opozitare: Protesta e sotme, më masivja që nga paslufta

0

Partitë opozitare kanë vlerësuar se protesta e cila do të mbahet sot, në ora 14:00 do të jetë më masivja që nga paslufta.

Visar Ymeri, udhëheqës i lëvizjes Vetëvendosjes, ka thënë ditë më parë se qytetarët e Republikës nuk e ka ndërmend as ta tolerojnë një qeveri që rrezikon rendin kushtetues për t’ia krijuar Serbisë hapësirën për ndërhyrje politike dhe territoriale në Kosovë e as ta tolerojë faljen e tokave të Kosovës, një shteti të tretë, siç është rasti me Malin e Zi.

Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka thënë se pushteti aktual është në panik, ndërsa populli është entuziast dhe i guximshëm dhe sipas tij, ndryshimet po vijnë pikërisht prej popullit.

Ai tha se protesta e nesërme do të jetë më masivja që nga përfundimi i luftës.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj një ditë më parë iu ka bërë thirrje grave të opozitës që të marrin pjesë në protestën e nesërme.

”Ju duhet të merrni pjesë patjetër në këtë protestë duke marrë parasysh gjendjen e gruas në Kosovë” ka shtuar ai.
Ai garantoi se protesta do të jetë e qetë dhe paqësore.

Edhe kryetari i NISMË-s, Fatmi Limaj, ka kërkuar që protesta të jetë paqësore.

“Do të protestohet për shtet me sovranitet dhe do të kërkohet dorëheqja e këtij koalicioni aktual qeverisës që refuzon të jep përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës, me nënshkrimin e marrëveshjeve që ka bërë”, ka thënë Limaj.

Pse jeton me këtë kurvë?

0

Zgjidhja e martesës me bashkëshortin e saj, që e dhunonte fizikisht dhe psikologjikisht, nuk u ka dhënë fund vuajtjeve të një gruaje në Tiranë.

Edhe pas divorcit, ish­bashkëshorti ka vazhduar ta ngacmojë dhe bezdisë atë në mënyrë sistematike.

Marrja e një urdhri mbrojtjeje në Gjykatë e ka shpëtuar të dëmtuarën D.O. vetëm përkohësisht, pasi në përfundim të tij, ish­bashkëshorti, Xhevdet N., 54 vjeç, riniste “terrorin”.

Ai nuk ka ngurruar edhe ta dhunojë, ta ofendojë, si dhe ndjekë atë nëpër rrugët e kryeqytetit.

Duke ndjerë frikë dhe pasiguri për jetën, e dëmtuara e ka kallëzuar ish­bashkëshortin në Policinë e Tiranës.

Bazuar në këtë kallëzim, Xhevdet N. ka përfunduar si i pandehur në gjyq për akuzën e përndjekjes.

Pak ditë më parë ai u shpall fajtor nga Gjykata e Tiranës për këtë akuzës dhe u dënua me 5 muaj heqje lirie. Sipas vendimit, e dëmtuara D.O. është divorcuar nga i pandehuri rreth pesë vite më parë, për shkak se ai ishte alkoolist, i papunë dhe ushtronte dhunë sistematike ndaj saj në aspektin psikologjik.

Edhe mbas divorcit ai ka vazhduar ta ngacmojë në mënyrë sistematike këtë shtetase dhe ajo ka bërë kallëzim lidhur me sjelljet e tij dhe është pajisur edhe me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata.

Mbas mbarimit të urdhrit të mbrojtjes, i pandehuri ka vazhduar përsëri që t’i dalë përpara asaj, duke fyer sistematikisht atë dhe shoqet e saj.

Referuar vendimit, në 16 tetor 2015 i pandehuri është konfliktuar me partnerin e ri të ish­gruas.

Sapo është afruar drejt tyre, i pandehuri është konfliktuar me Arifin duke i thënë që “pse qëndron me këtë k…” dhe më pas e ka goditur me grusht në fytyrë duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Të nesërmen e kësaj dite ai ka kërcënuar të njëjtin person, ndërsa ka ndjekur nga mbrapa ish­bashkëshorten e tij në zonën e “Pazarit të Ri” dhe “Medresesë”, duke e frikësuar atë.

Ndodhur në këto rrethana, ajo është paraqitur e frikësuar në Polici dhe ka bërë përsëri kallëzim ndaj të pandehurit për “përndjekje”./ Panorama.al

Zafir Berisha: Pavarësinë do ta mbrojë me protestë

0

Deputeti i Nismës Zafir Berisha nuk do tw kishte besuar se në 8 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, do të protestojë në rrugë. Ai tregon se në ditën kur e ka nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë, nuk i ka shkuar as në mendje se do të vije një ditë që të mbrojë me protesta.

“Para 8 viteve kur kam nënshkruar në Deklaratën e Pavarësisë kurrë nuk më ka shkuar mendja se pas 8 viteve të shpalljes së Pavarësisë së vendit do të ketë nevojë me dalë në rrugë me protestu në mbrojtje të sovranitetit të vendit, sovranitet i cili po rrezikohet nga klasa e papërgjegjshme politike me marrëveshje të dëmshme sic është projekti serbe “Zajednica””, thotë Berisha,shkruan PrizrenPress.

Pavarësisht kësaj, Berisha ka uruar qytetarët për Ditën e Pavarësisë.

“Me rastin e 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, uroj këtë festë të gjithë qytetarëve të Kosovës duke shpresuar që festat me simbolikë si kjo do të jenë motivuese për angazhimin tonë në shtet ndërtim”.

“Përpjekjet e qytetarëve të Kosovës, për liri dhe pavarësi të cilat kulmuan me luftën e lavdishme të UÇK-së, na obligojnë të gjithëve, si qytetar, subjekte politike por edhe institucionale që në frymën e këtyre angazhimeve të punojmë edhe më shumë për një jetë më të mirë në shtetin tonë ndaj të cilit kemi obligim”./PrizrenPress.com

Partia Konservatore uron Ditën e Pavarësisë

0

Me rastin e 8 vjetorit te Pavaresise se Republikes se Kosoves,Partia Konservatore e Kosoves ka uruar te gjithe qytetaret e Kosoves,me deshire qe gjithe se bashku te punojme per te bere Kosoven dhe popullin tone te lumtur dhe krenar me vlerat e tij , te integruar ne strukturat Euro-Atlantike dhe ne OKB.

17 Shkurti I vitit 2008 eshte nje dite e bekuar ne te cilen u kurorezua sakrifica shekullore e shume gjeneratave te atdhetareve te devotshem te cilet flijuan gjakun dhe pasurine e tyre per jetesimin e Shtetit te Kosoves.Ne pervjetorin e tete te shpalljes se Pavaresise I kujtojme me pietet dhe lutemi per shpirtarat e te gjithe atyre qe flijuan jetrat dhe familjet e tyre per kete dite te shenuar per kombin tone.

Urojme qe institucionet tona shterore dhe qeveritare te vazhdojne te angazhohen me perkushtim dhe vendosmeri akoma me te madhe ne ndertimin e shtetit te

Kosoves, duke e bere ate shtet ligjor I cili garanton liri ,siguri,zhvillim ekonomik,prosperitet dhe mireqenje per te gjithe qytetaret e vendit tone .

Urime dhe e gezofshim per jete e mot Shtetin e Kosoves!
Zoti e bekofte Kosoven dhe qytetaret e saj!
PARTIA KONSERVATORE E KOSOVES
Munir BASHA
Kryetar

Qosja: Aktivistët e opozitës po arrestohen nga shërbëtori i Millosheviqit

0

Akademik Rexhep Qosja sot ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve më të reja në Kosovë: Mbledhjet e Kuvendit që mbahen në prani shumë të madhe të policëve, arrestimet e deputetëve të opozitës.

Qosja në këtë reagim ka kërkuar ngritjen e zërit kundër Qeverisë aktuale të Kosovës.

Ky është reagimi Qosjes: Regjimi i sotëm në Kosovë ka hyrë në fazën e përdorimit të metodave fashiste në pushtetin që po zbaton dhe këto metoda fashiste nuk po i përdor vetëm sot. Papërgjegjshmëria, shantazhet, gënjeshtrat, kërcënimet, përjashtimet prej pune të familjarëve të kundërshtarëve politikë janë vetëm disa përbërës të metodave fashiste të këtij pushteti. Dëshmi e përdorimit të metodave fashiste në pushtetin e Kosovës sot janë mbledhjet e parlamentit në të cilat gati sa deputetë marrin pjesë policë në uniforma dhe në veshje civile Dëshmi posaçërisht e egër e zbatimit të metodave fashiste në pushtetin e Kosovës janë burgosjet e deputetëve dhe të aktivistëve të Opozitës që tash e sa kohë po urdhëron Qeveria e Kosovës. Këto metoda fashiste, u panë sidomos dje dhe sot: dje – kur, dy ditë para protestës së Opozitës, u thirrën në seancë gjyqësore ish kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, deputetja e AAK-së, Donika Kada Bujupi, dhe deputeti i Vetëvendosjes, Faton Topalli dhe sot – kur në orën 6 të mëngjesit, një ditë para protestës së Opozitës, me urdhër të gjykatësit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, u arrestua shefi i grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, dhe shtatë aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes.

Metodën fashiste të arrestimit të tyre e bënë sa brutale aq edhe komike si “0vonesa” ashtu edhe arsyeja e arrestimit të tyre: ata u arrestuan sepse në vitin 2009 i paskan rrotulluar disa xhipa të EULEX-it dhe i paskan rrotulluar për shkak se EULEX-i kishte bërë marrëveshje me Policinë Serbe! Nuk ka dyshim se qëllimi i arrestimit të tyre është dobësimi sa më i dukshëm i protestës së nesërme në njërën anë, kurse frikësimi i pjesëmarrësve si dhe i atyre që kanë menduar të marrin pjesë në protestë, në anën tjetër. Kur burgosen aq lehtë, e në mënyrë aq fashiste krerët e opozitës, çka mund t’u ndodhë qytetarëve të tjerë! Populli shqiptar i Kosovës, inteligjencia shqiptare e Kosovës, inteligjencia shqiptare në përgjithësi nuk guxojnë ta heshtin këtë rikthim të metodave fashiste në pushtetin e Kosovës.

Është detyrë politike, është detyrë morale, është detyrë kombëtare, është detyrë historikë e popullit shqiptar të Kosovës, e inteligjencies shqiptare të Kosovës, e inteligjencies shqiptare në përgjithësi të ngre zërin kundër kësaj të keqeje fashiste që po ia sjell Kosovës qeveria e sotme e kryeministruar prej ish – shërbëtorit politik të Sllobodan Millosheviqit, i cili shtetin e Kosovës, si po shihet, me metodat e tij fashiste, po e bën “ranç” tij privat. Të këqijat politike parandalohen vetëm para se të institucionalizohen. E zbatimi i metodave fashiste në pushtetin e sotëm të Kosovës ka hyrë në fazën e institucionalizimit.

Opozita në Prizren: Shihemi në protestë !

0

Opozita e  Bashkuar në Prizren,  ka ftuar bashkëqytetarët që t’i bashkohen protestës së nesërme në  Prishtinë.

Zyrtarja e VV-së, Drita Millaku, tha se protesta e nesërme, që do të organizohet nga Opozita e Bashkuar është në vazhdën e kundërshtimit të keqqeverisjes nga pushteti, i cili po e rrezikon të ardhmen e shtetit.

“ I bëjë thirrje qytetarëve  që masovisht nesër të jenë pjesë e protestës”.

Edhe Sabri Micaj nga Bashkimi Demokratik, Sinan Alija nga Nisma për Kosovën dhe Korab Qerreti nga AAK, ftuan bashkëqytetarët që të përkrahin protestën e opozitës, e cila është vënë në mbrojtje të sovranitetit të tërësishëm të vendit, pasi që qeveria aktuale po e rrezikon të ardhmen e fëmijëve tanë, theksuan ata.

Nisja e organizuar për në Prishtinë do të bëhet nga ora 11:30 minuta nga Stacioni i Autobusëve në Prizren./TVPZ/

Ramadan Muja: Urime 8 vjetori i Pavarësisë së Kosovës !

0

Kryetari i Komunës së Prizrenit,Ramadan Muja ka uruar gjithë qytetarët në 8 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

“Komuna jonë më shumë evenimente shënon përvjetorin e tetë të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe ftojmë të gjithë qytetarët për pjesëmarrje në aktivitete të përbashkëta”, ka thënë Muja.

Në vijim japim të përimtuar agjendën e aktiviteteve
E mërkurë, 17.2.2016
10,00 – Homazhe te “Varrezat e Dëshmorëve dhe “Monumenti i Lirisë”
11,00 – Seancë solemne (Shtëpia e Bardhë)
12,00 – Koncert i SHMM “Lorenc Antoni” (Shtëpia e Kulturës “Xh. Berisha”)
14,00 – “Turneu i Pavarësisë” në futboll (Stadiumi i qytetit “Përparim Thaqi”)
19,00 – “Koncerti i Lirisë” i AKV “Lidhja e Prizrenit” (Sheshi i Shatërvanit)
20,30 – Shfaqje teatrore “Shërbëtori i dy zotërinjve”-TP (Shtëp. Kult.”Xh. Berisha”)

Jep dorëheqje Rektori Ramadan Zejnullahu!

0

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu dha dorëheqej nga posti i rektorit.

Lajmi në përpunim…

Deklarata e plotë:

DEKLARATA E PLOTË E REKTORIT RAMADAN ZEJNULLAHU:

FORCA E DIJES DHE ARSYES DO TË TRIUMFOJË HERËT APO VONË

Para 18 muajsh kam ardhur në krye të Universitetit të Prishtinës për të ndihmuar nxjerrjen einstitucionit nga kriza në të cilën e kishin futur degradimi akademik e moral, papërgjegjësia dhe konformizmi. E kam ditur se do të jetë shumë vështirë, por nuk kam pasur idenë se rezistenca për ndryshime do të jetë aq e fortë. Përkrahja e madhe që më është dhënë ka ndikuar që t’i qëndroj besnik misionit tim. Po kjo përkrahje ka bërë që, pas shkarkimit tim dhe anulimit të këtij vendimi, të rikthehem në krye të Universitetit. E kam bërë këtë për ta inkurajuar stafin akademik dhe studentët që, përmes pjesëmarrjes në procesin zgjedhor, të reflektojnë për situatën e përgjithshme dhe të zgjedhin një rrugë që jep shpresë.

Zgjedhjet e përgjithshme në UP tash kanë marrë rrugën e vet drejt rezultatit përfundimtar dhe, në masë të madhe, kanë demantuar bindjen time,të shprehur në një deklarim publik, se “në UP,ka shumë gjëra me të cilat jemi të pakënaqur”. Si duket njerëzit janë të kënaqur, prandaj edhe i votojnë ata që, sipas bindjes sime, e katandisën Universitetin në këtë gjendje, ata që, vite me radhë manipuluan, falsifikuan, mashtruan dhe përfituan. Kjo tregon se UP, tanimë,e ka trasuar qartë rrugën e “zhvillimit” të vet. Nëpër këtë rrugë sot do të ecim vet,ndërsa nesër, fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve tanë. Po shihet qartë se kjo është rrugë e përshtatjes interesave të klaneve, brenda së cilës, ka hapësirë të mjaftueshme për realizimin e interesave joligjore të secilit që ka fuqi, duke filluar nga ata që janë në majat e shtetit e deri te servilët besnikë të tyre.

Qëndrimi im i mëtutjeshëm në krye të Universitetit do të ishte lajthitje, mashtrim i qytetarëve se çdo gjë është në rregull dhe se çdo gjë do të bëhet mirë. Megjithëse ka mbetur vetëm edhe një muaj deri në përfundimin e mandatit tim, unë nuk dëshiroj të qëndroj në krye të institucionit i cili ka zgjedhur një rrugë që nuk përkon me vizionin tim dhe me angazhimet e mia. Prandaj edhe kam dhënë dorëheqje nga detyra e rektorit të Universitetit të Prishtinës. Shpresoj se ky hap i imi do të mirëkuptohet nga stafi akademik, studentët dhe qytetarët.

Unë kam ardhur në krye të UP-së që ta nxis një ndryshim pozitiv, mundësisht brenda këtyre dy viteve sa kisha mandat, dhe këtë e kam thënë edhe publikisht. Gjatë kësaj kohe jam munduar të punoj ndershëm dhe në mënyrë transparente. Në pozicionin zyrtar që mban ndonjëherë, nuk mund të artikulosh qëndrimet ashtu si do të bëje në kapacitet privat. Në disa raste kjo ka mundur të interpretohet edhe si ndryshim iqëndrimit parimor dhe krijim i përshtypjes së gabuar se,për hir të ruajtjes së postit, je pajtuar me atë të keqe për të cilën ke marrë mandat ta luftosh.Por, megjithatë jam i bindur se publiku e kuptoi se ndërrimi i idesë dhe afrimi me eksponentë të degradimit akademikjanë veprime që nuk do t’i bëj asnjëherë dhe për asnjë çmim.

Nuk kam pasurplane pas këtij mandati, dhe jam përpjekur të mos kalkuloj çfarë më shkon për shtati e çfarë jo, me gjithë se gjatë tërë kohës isha nën presion shumë të madh nga të gjitha anët, e më së shumti nga njerëzit që nuk ia dilnin t’i ruajnë privilegjet e veta, e që ishte e mundur vetëm në kushte të funksionimit joligjor të institucionit. Nëse,sadopak, kam arritur t’i kontribuoj ndërtimit të një kulture të transparencës dhe të respektimit të kritereve ligjore e akademike në këtë Universitet, atëherë mendoj se i kam bërë një shërbim modest Kosovës. Nëse jo, atëherë puna ime ka dështuar. Koha do të gjykojë më së miri për këtë.

Unë ende vazhdoj të besoj në fuqinë e UP-së dhe të shoqërisë sonë për t’u transformuar, duke respektuar vlerat dhe duke ndërtuar institucione që punojnë për të mirën e përgjithshme, e jo për klane njerëzish të fuqishëm e keqbërës. Unë do të vazhdoj ta jap kontributin tim për të mirën e UP-së në cilëndo pozitë që jam. Forca e dijes dhe e arsyes do të triumfojë herët a vonë.

I falënderoj të gjithë ata që më ofruan përkrahje gjatë kësaj kohe, qoftë edhe nëse ndonjëherë nuk janë pajtuar me veprimet e mia. Mbi të gjitha, i falënderoj ata që nuk më njohën në fillim por, duke e parë se ku ishim katandisur, besuan se mund të punohet pa hile e pa kalkulime për të mirën e universitetit dhe të vendit. Do të ju respektoj gjatë gjithë jetës!

Më 16 shkurt 2016 Prof.Dr. Ramadan Zejnullahu