14.2 C
Prizren
E premte, 15 Maj, 2026
Home Blog Page 6318

Zhduken dy fëmijë në Korçë

0

Dy të rinj, të moshave 18 dhe 19 vjeç, dyshohet të jenë mbytur pasditen e së premtes në rezervuarin e fshatit Qatrom, në Korçë.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave efektivë të policisë dhe zhytës të RENEA-s janë angazhuar deri në orët e vona të mbrëmjes në kërkim të trupave, pas sinjalizimit për zhdukjen e tyre nga familjarët.

Sipas burimeve, dy të rinjtë janë identifikuar si shtetasit Rei dhe Berti Tahirllari, kushërinj dhe nga dëshmitë e mbledhura rezulton se ata kishin shkuar në rezervuar, tek vendi i njohur si “Gropa e Danielit”, për t’u larë për shkak të vapës.

Rreth orës 22:00, efektivët e policisë dhe zhytësit janë detyruar të ndërpresin kërkimet për shkak të errësirës dhe autoritetet kanë njoftuar se ato do të rinisin ditën e shtunë.

Drejtësia në pazar

0

Edhe pse 17 vjet pas fitores kundër okupatorit dhe jetës në lirinë e paguar shtrenjtë, në Kosovë drejtësia po vazhdon të shitet dhe të blihet shumë më keq se në ‘pazar’, derisa për këtë gjendje të mjerueshme dhe shumë shqetësuese nuk jep përgjegjësi askush. Ndaj është shtuar edhe dilema se si po funksionon kjo shitblerje nga sekserët e ndryshëm dhe të inkriminuar, të cilët ndërmjetësojnë në ndarjen e “drejtësisë” në gjyqësorin e Kosovës, ku veç të tjerash dyshohet se për rastet që nuk kanë interes dhe nuk duan t’i gjykojnë i hedhin në sirtarët e tyre për shumë vjet, ndërsa ato që duan t’i zgjidhin sipas metodave korruptive e të kundërligjshme i shtyjnë përpara në dobi të atyre që paguajnë gjyqtarët duke i korruptuar! Për këtë dhe çështje të tjera të kësaj natyre flasin njohësit e kësaj fushe.

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se Kosova ka numër të madh juristësh të mirë, të cilët do të mund dhe të punonin me nder në gjyqësor në interes të qytetarëve dhe të Kosovës. Por, sipas tij, problemi qëndron se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i korruptuar, ngase shumë gjyqtarë dhe prokurorë emërohen nga njerëz të korruptuar dhe të inkriminuar, duke punuar kësisoj për interesa të tyre e jo për interesa të qytetarëve.

” Andaj, Kosova nuk do të mund të dalë nga kthetrat e krimit pa a pastruar sistemin politik para së gjithash nga kriminelët dhe të korruptuarit, e më pastaj ta pastrojë edhe vetë sistemin e gjyqësisë. Gjyqësori është shndërruar në mekanizëm për përfitime të llojllojshme, në të cilin ndërmjetësuesit nxjerrin përfitime të mëdha, duke nxjerrë ” të pafajshëm” njerëz që kanë bërë krime të rënda”, është shprehur Salihaj…

Gorani i VV-së thotë se Biden akuzoi Thaçin dhe Mustafën për zhvatje

0

Dukagjin Gorani, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, thotë gjatë një interviste për “Zërin” se zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, haptas i akuzoi për zhvatje presidentin Thaçi dhe kryeministrin Mustafa.

Ai flet edhe për kërkesën e numrit dy të SHBA-ve që të miratohet demarkacioni me Malin e Zi dhe të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe

“Nuk ishte lehtë këto ditë të jeni kryeministër apo kryetar në Kosovë dhe ta dëgjoni nënpresidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, teksa haptazi ju akuzon për kapjen dhe zhvatjen e vendit tuaj. Vërtet duhet pasur lëkurë të trashë për t’i qëndruar kësaj”, ka deklaruar Gorani, pak ditë pas vizitës që zhvilloi në Kosovë numri dy i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gorani thotë se mesazhi kryesor i Biden është se për qeverinë amerikane, armiku më i madh i Kosovës është pushteti i saj i korruptuar./Zeri/

Ymeri: AAK e Nisma, të painteresuara për takime rreth demarkacionit

0

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se më 1 shtator qytetarët do ta ndalin përfundimisht versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi.

Ymeri ka thënë për “Epokën e re” se versioni i këtij demarkacioni nuk do të kalojë.

Ai ka thënë se VV-ja u ka bërë thirrje për bashkëpunim edhe dy subjekteve të tjera opozitare, por nuk kanë parë interesim nga to as për takime, e as për diskutim rreth kundërshtimit për demarkacionim.

“Të njëjtën thirrje për bashkëpunim po e gjej rastin ta bëj prapë, sepse shumë më i rëndësishëm sot është luftimi i demarkacionit dhe asociacionit, sesa kalkulimet se kush do të jetë në Qeveri nesër”, ka thënë Ymeri.

AAK “zbutet” për demarkacionin

0

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka vendosur që të mos i bashkëngjitet Lëvizjes “Vetëvendosje” në protestën e 1 shtatorit për demarkacionin. Zyrtarë të këtij subjekti politik thonë se gjithë fokusi i tyre do të jetë rrëzimi i Marrëveshjes përmes votës. Edhe te “Nisma për Kosovën” thonë se ende s’kanë vendosur për mënyrën e kundërshtimit të demarkacionit në seancën e fillimshtatorit

Tri subjektet opozitare në vend, “Vetëvendosje”, AAK dhe “Nisma”, nuk kanë qëndrim të njëjtë sa i përket mënyrës së kundërshtimit të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e cila pritet të ratifikohet në Kuvend më 1 shtator 2016.

Përderisa, Lëvizja “Vetëvendosje” thotë se nuk do të kursejë “asnjë mjet demokratik” si në Kuvend ashtu edhe jashtë tij për ta parandaluar ratifikimin e demarkacionit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se i gjithë fokusi i kësaj partie është që të parandalohet ky ratifikim përmes votës kundër, kështu duke shpresuar se as deputetët e koalicionit nuk do ta votojnë Marrëveshjen e 26 gushtit të vitit të kaluar. Ndërsa “Nisma për Kosovën” thotë se do ta vazhdojë kundërshtimin, mirëpo ende nuk ka vendosur për mënyrën e kundërshtimit.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes “Vetëvendosje”, Zgjim Hyseni, ka thënë se ky subjekt politik tashmë ka filluar punën dhe angazhimin për protestën e 1 shtatorit, në mënyrë që ajo të jetë masive./Zëri/

Kjo është 37-vjeçarja më seksi në botë

0
Coco Austin ishte ‘zhdukur’ për pak kohë nga qarkullimi.

Por tetë muaj pasi ka sjellë në jetë fëmijën e saj të parë, vajzën Chanel Nicole, 37-vjeçarja e martuar me rapper-in Ice-T tregon sërish format.

Gratë e moshuara në Prizren ende bartin mafes

0

Prizreni dikur i njohur me shumë zeje tani shihet se po e humb këtë pasuri. Ishin dikur me qindra zejtarë në rrugë të ndryshme të qytetit, si argjendarët, arëtarët, saraçët, bojaxhinjtë, qeleshepunuesit, shajakpunuesit, gajtanxhinjtë, terezitë, mëndafshpunuesit, mafesxhinjtë, argjendarët, kallajxhinjtë, gërshertarët, briskaxhinjtë, kovaçët, zdrukthëtarët,,poçarët, jastëkxhinjtë, armëpunuesit, tyfekxhinjtë, tirqipunuesit, terzinjtë, farkëtarët, teneqexhinjtë etj. Sipas ekspertëve të trashëgimisë deri tash janë zhdukur nga çdo formë e trashëgimisë 82 zeje të ndryshme, kurse rrezikohen të zhduken edhe 38 zejet e mbetura,shkruan Gazeta Kosova Sot.

Nëse arrihet të ruhen është sukses, por shoqëria civile dhe qeveria lokale po punojnë në rikthimin e së paku 100 prej këtyre zejeve të njohura në Prizren.

Familjet zejtare që bënë nam

Një prej zejeve që i ka mbijetuar stihisë së kohës është edhe ajo e punimit të mafesave dhe shamive të kokës. Dikur ishin jo më pak se 40 dyqane të tilla në gjithë qytetin, mirëpo tani kanë mbetur vetëm tri familje që po e mbajnë gjallë traditën e prodhimit të tyre. Familjet Buza, Tabaku dhe Zurnagjiu janë të vetmet që vazhdojnë të mbajnë dyqanet ku mund të blihen mafesat e bashkë me to edhe shamitë e ndryshme. “Mafesi është një stoli që u duhej dhe e kanë mbajtur vetëm gratë e moshuara. Edhe sot këtë e bartin vetëm plakat”, tregon profesori Sylejman Randobrava. Ai tregon se dikur mafesxhinjtë ishin zejtarë me nam të këtij qyteti. Sipas tij, këtë zeje si trashëgimi e kanë pasur disa familje të njohura të këtij qyteti, si ajo Tabaku dhe Zurnagjiu. “Këto dy familje ishin familje esnafe të zejeve, prandaj edhe i kanë edhe vetë mbiemrat si p.sh. Tabaku që vjen nga ajo lëkurëpunuesve apo kjo Zurnagjiu që vjen gjithashtu nga zeja e dikurshme e surleve”, shprehet Randobrava.

I riu që kënaqet duke punuar zejen e vjetër

Në dyqanet e familjes Buza në Prizren ne takuam aty të riun Anis Tabaku, nipin e kësaj familje. Ai tregon se ata prodhojnë shami si dhe mafesatTabaku shpjegon se kjo familje këtë zeje e zhvillon tani e një shekull.

“Është zeje e vjetër tradicionale, që dikur ishte shumë profitabile, kurse tani ajo nuk është në atë gjendje, por megjithatë mund të thuhet se prodhimi i mafesave vazhdon të mbetet më i kërkuar, sepse këtë mbulesë koke e përdorin të gjitha plakat e të moshuara pa dallim”, na thotë Anisi, i cili me punën që bën arrin të sigurojë një pagë mesatare, për çka ai shprehet i kënaqur. “Unë këtë punë e punoj që nga mosha 12-vjeçare”, tregon ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo punë kërkon angazhim jo të vogël. “Por, mund të them se mafesat janë ende të kërkuara dhe nuk janë krejtë- sisht të harruar”, thotë Anisi, i cili tregon se ky është brezi i tretë në familje që punon këtë zeje. Ai, edhe pse në moshë të re, tregon se është i përkushtuar për këtë zeje. “Unë dua ta vazhdoj këtë zeje dhe jam brezi i tretë në këtë familje që tashmë po e bart këtë zeje”, tregon ai për gazetën. Anisi shpjegon se mafesat janë të natyrave të ndryshme dhe janë një botë në vete.”Kemi mafesa të bukura dhe këto pa dyshim kanë bërë që mafesxhinjtë e Prizrenit të jenë ende në gjendje për të mbijetuar dhe për treguar se mund të jetohet nga zejet e vjetra”, shprehet Anisi.

Mallëngjimi për të kaluarën

Mallëngjimi për të kaluarën Derisa ne ishim në lokal erdhi e moshuara Hava Gashi, e cila tha se dëshiron të blejë disa mafesa. “Kam me shku tek bijtë në Gjermani, por edhe atje pa mafes nuk po mund të rri. Mafesi për ne është si obligim më duket”, thotë Hava. Sipas saj, mafesi është një trashëgimi që vjen nga e kaluara dhe gratë e brezit të saj janë besnike ndaj saj. Sipas saj, mafesi është edhe praktik. “Është i lehtë dhe pa dyshim se është i freskët në verë e i ngrohtë në dimër”, tregon ajo për “Kosova Sot”. Zonja Hava shpjegon me mallëngjim për kohën kur gratë dalloheshin se cila e ka gjendjen më të mirë ekonomike prej ojnave të mafesit.”Kurse tash nuk u qesin ojna, por dikur vajzave u dilnin sytë për të përgatitur ojna. Ojnat ishin punime dore të luleve apo zogjve dhe të cilat vendoseshin në cepat e mafesave dhe u jepnin bukuri”, tregon ajo

Emigranti i parë shqiptar në SHBA dhe Fan Noli

0

Emigranti i parë shqiptar që shkeli në Amerikë është Kolë Kristofori nga Katundi, një fshat i vogël pranë fshatit Qytezë të Kolonjës. Naum Prifti shkrimtar, prej kohësh sekretar i shoqatës Vatra në SHBA, një shoqatë tepër aktive për çështjen shqiptare në kujtimet e tij shkruan dhe për Kolë Kristoforin. Sipas tij për herë të parë për emigrantin e parë shqiptar në SHBA mësojmë nga monografia apo libri i Kostandin Demos apo Nini Demos sikurse njihej nga shqiptarët e kohës së tij që jetonin në Boston Mass ose në qytetet afër tij.” Konstandin emoja pati idenë e mirë të botonte një libër modest, më sakt një libërth apo librushkë me titull Shqiptarët në Amerikë, apo imigrantët shqiptarë në Amerikë. Ai vëren se i pari emigrant shqiptar që erdhi në Amerikë qe Kolë Kristofori nga Katundi një fshat i vogël pranë fshatit Qytezë të Kolonjës.

Edhe vetë Nini Demoja qe po nga ky fshat, dua të them nga Katundi. Këto fshatra shqiptare shtrihen në veri të Qafëzezit dhe njihen me emrin e përbashkët “fshatrat e Vakëfit” sepse dikur ato qenë prona të Kishës”, thotë Prifti. Nini vëren se Kolë Kristofori erdhi në Amerikë në vitin 1884 dhe pasi punoi aty dhjetë vjet u kthye në fshat me qesen mbushur me para dhe i veshur me rroba të ngushta alla frënga dhe jo me shallvare, as me kaftan dhe dolloma sikurse mbanin përgjithësisht fshatarët e asaj ane, por me veshje evropiane. “Nuk përjashtohet mundësia që edhe para tij të kenë ardhur shqiptarë të tjerë, sikurse përmendet ardhja e një prifti katolik nga veriu, por ai erdhi me mision fetar nga dioqeza e tij për të hetuar mundësinë e ngritjes së ndonjë famullie katolike në qytetet ku kishte mjaft katolikë shqiptarë.

Veç tij mund të kenë ardhur edhe shqiptarë të tjerë, por ata erdhën si vizitorë me misione të ndryshme jo si emigrantë ekonomikë si Kolë Kristofori. Pas disa vitesh Kola u dorëzua prift dhe punoi si meshtar orthodoks në disa qytete ku kishte emigrantë shqiptarë”, thotë Naum Prifti. Sipas tij, shumë fshatra në krahinën e Korçës i kishte lënë vakëf feudali i madh Iljaz Bej Mirahori në fund të shekullit XV. Edhe kisha e krishterë krijoi vakëfe me anë dhuratash dhe testamentesh të besimtarëve të saj sepse vakëfet gëzonin disa favore shtetërore.

“Libri apo monografia e Konstandin Demos ka interes të veçantë për historikun e emigracionit shqiptar në Amerikë, ndaj Peter Prifti e përktheu anglisht që të të kishte një përhapje më të gjerë edhe te brezi i ri i shqiptarëve”, thotë Prifti. Ai tregon sesi autori i librit iu lut Fan Nolit ti shkruante parathënien. Peter Prifti një tjetër personazh i rëndësishëm i diasporës shkruan në kujtimet e tij se nuk besonte se Fan Noli do ti bënte parathënien një vepre të rëndomtë apo modeste , por për çudinë e tij Fan Noli pranoi me kënaqësi kërkesën e zotit Kostandin Demo dhe midis të tjerash shkroi se ajo ishte një broshurë që meritonte të lexohej nga çdo shqiptar.

“Rrëfimi i autorit Konstandin Demo shquhet për vërtetësi dhe thjeshtësi. Ai sjell mbresat e tij jo si historian , as si letrar, por thjesht si emigrant i komunitetit shqiptar në Amerikë”, thotë Prifti.

Ky është vendimi i Hatim Baxhakut për Demarkacionin

0

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hatim Baxhaku, i cili fitoi simpatinë e elektoratit “Rugovist” me mos pjesëmarrjen në seancën e zgjedhjes së Hashim Thaçit president, ende nuk ka vendosur ta bëjë publike votën për Demarkacionin.

Baxhaku i kontaktuar nga Gazeta Blic në lidhje me votën e tij për demarkacionin ka thënë se këtë do ta bëj publike më 1 shtator, atëherë kur edhe do të mbahet seanca e Kuvendit.

“Më 1 shtator kemi me e mbajt mbledhjen me diskutu e me debatu e mandej me votu, aty ka me e tregu unë votën time”, janë fjalët e Baxhakut për Gazetën Blic.

Ndërkohë, raportohet se koalicioni PDK- LDK nuk i ka votat për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin. /

Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria

0

Ben Blushi

Kosova ka patur dhe ka dy pengesa për të qenë plotësisht e pavarur: njëra është politike dhe tjetra kulturore.

E para është më e thjeshtë, si një betejë diplomatike dhe juridike. Ka te bëjë me raportin e Kosovës me Serbinë.

Me ndihmën e ndërkombëtarëve, Kosova e ka fituar pavarësinë nga Serbia dhe rruga për t’u kthyer atje është më e pamundur se rruga për të shkuar në Mars. Ajo pjesë e rrugës që mbetet, është më e shkurtër se ajo që ka kaluar.

Rruga e dytë është më e vështirë. Në këtë rrugë, Kosova nuk po fiton, por po triumfon, për kënaqësinë e vet dhe për dobinë tonë.

Kjo është pavarësia kulturore nga Shqipëria.

Për arsye historike, Kosova ka qënë një koloni artistike e Shqipërisë. Arti që bëhej në Shqipëri, konsumohej në Kosovë. Por sot e kundërta po provohet e vërtetë. Sot Shqipëria duket si një koloni artistike e Kosovës dhe me sa duket ky është vetëm fillimi.

Kosova po na dominon artistikisht dhe ky është një fat që duhet pranuar si i tillë.

Vitet e fundit, varësia nga mediat, televizionet, spektaklet, çmimet, tekstet dhe arenat e Shqipërisë, ka përbërë një joshje të madhe për kosovarët. Ata u dyndën duke performuar dhe duke formuar një modë.

Marrëdhënia e artit të Kosovës me artin e Shqipërisë është si marrëdhënia e lëngut me enën. Ata janë lëngu, ne jemi ena. Dhe me sa duket kështu do të jemi edhe për shumë kohë.

Në çdo kuptim ata na dhanë më shumë se ç’iu dhamë. Ata kanë zërin, ne kemi audion. Ata kanë figurën, ne kemi ekranin. Ata kanë golat, ne kemi fushat. Ata ndikuan në krijimin e një mënyre të re arti që nuk e kishim njohur. Kosovarët krijuan shije, rrymë dhe stil. Pa frikë sot mund të them se ata na futën artistikisht në shekullin që jetojmë. Para zbarkimit të tyre arstistik, muzika dhe sporti shqiptar ishte tërësisht ballkanik. Me ndihmën e tyre është shumë më evropian.

Sot kosovarishtja është gjuha e muzikës shqiptare. Nuk ka këngëtar shqiptar që të mos këndojë kosovarisht. Je nga Shkodra knon. Je nga Tirana e bon. Je nga Korça, nuk do, por don.

Nëse e bën je. Nëse nuk e bën nuk je. Nëse e bën shijohesh, nëse nuk e bën nuk shikohesh.

Tregu shqiptar i muzikës dhe showbizit është i gjithi kosovar. Prej aty lind ritmi, lirika, vlimi, frymëzimi, hedhja dhe përdredhja.

Kosovarët kanë humor, kanë refren, kanë pasion dhe harmoni. Pa dyshim kanë edhe diçka që nuk e besoja që e kishin: disiplinën. Arti dhe sporti kërkon përkushtim dhe kosovarët dinë ta bëjnë si yje edhe pse janë të vegjël.

Ne u kemi dhënë stilit të tyre një treg, ata i kanë dhënë artit tonë një shteg.

Ajo që kanë bërë me futbollin tonë, është një marrëzi që lind nga një popull me fantazi.

Edhe pa futbollistët e Kosovës, Shqipëria do kishte futboll. Por pa shkëlqim, pa qëllim dhe pa sedër. Ata na dhanë atë që kishim humbur për disa dekada. Forcën për t’u ndjerë të barabartë me të tjerët. Na çuan në Evropian duke i dhënë kombëtares së Shqipërisë një ritëm që raca jonë nuk e kishte njohur.

Kosovarët janë një popull që di të përdorë muskujt.

Kur shoh sot Majlinda Këlmendin që mori një medalje të artë në Olimpiadën e Rios, kur shoh Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën, Era Istrefin, Krenare Rugovën, Luan Krasniqin, Granit Xhakën, Milot Rashicën, Adnan Januzajn, Etrit Berishën, Lorik Canën apo dhjetëra stililistë, arkitektë, aktorë, kineastë, informaticienë dhe hakera të përsosur kosovarë, kam vetëm një pyetje.

Pse kanë kosovarët kaq shumë talent? Dhe pse nuk ka Shqipëria po kaq talent?

Ka disa vite që nuk kam përgjigjen e duhur për këtë pyetje. Në fakt kam më shumë pyetje. Gjuha është njëlloj. Vuatjet janë të ngjashme. Genet janë të afërta. Atëherë çfarë ndryshon?

Kanë investuar më shumë në art, në sport dhe në muzikë? Nuk e them dot. Kosova shpenzon për artin dhe sportin ndoshta më pak se ç’bën Shqipëria, por çështja nuk është kjo.

Çështja nuk janë paratë. Çështja është besimi.

Disa herë kam mënduar se Kosova është duke përjetuar një fazë lirie të harbuar. Pavarësia i ka dhënë arsye dhe frymëzim popullit për të eksperimentuar.

Gjatë kohës kur jetonin në Jugosllavi, kosovarët nuk kishin kaq shumë talente. Muzika, letërsia, sportet, piktura dhe futbolli i tyre ishte i prapambetur në krahasim me popujt e tjerë jugosllavë. Nuk kishin fituar asnjë medalje të artë, nuk kishin pothuajse asnjë futbollist të madh, nuk kishin muzikantë, piktorë apo shkrimtarë të shquar. Kuotat më të larta, mendimi i tyre kritik, i arriti duke shkruar esse për poetët dhe artin e Rilindjes Shqiptare.

Por sot gjërat kanë ndryshuar. Ata bëjnë art, ne e kritikojmë. Ata luajnë, ne duartrokasim. Ata këndojnë, ne kërcejmë. Ata prodhojnë, ne blejmë. Deri dje nuk kishin Rilindjen e tyre, që duket se tani po e shpikin. Pa ndihmën tonë. Rilindja e tyre nuk është jugosllave, nuk është as shqiptare, është thjesht kosovare.

Çfarë ka ndodhur pra në dhjetë vjet?

Sipas meje ka funksionuar raporti me lirinë. Kosovarët po e shijojnë lirinë e tyre. Ata kanë hyrë në një epokë lirie që prodhon art, sa herë kombinojnë tingujt me gjuhën, trupin me ritmin dhe muskujt me mendimin. Liria që kanë fituar po i shpërblen. Ata po e shijojnë duke krijuar, duke kënduar dhe duke vrapuar. Kosovarët kanë fituar artin për të kënaqur veten me art. Dhe për shkak të gjuhës po na kënaqin edhe ne, megjithëse ky nuk është qëllimi i tyre i parë.

Ata po shkojnë në drejtimin e tyre dhe shija që po krijojnë sot është vetëm fillimi i një rruge në të cilën, me sa duket, do na duhet t’i ndjekim.

Kosova është një kënaqësi që shijohet duke menduar se mund të mos e kesh.

Dhe vërtet. Imagjinoni sikur të mos e kishim.

Do ishim shumë më të varfër dhe shumë më të mërzitur.

Por që ta shijojmë duhet të paguajmë një çmim: duhet t’i lemë të lirë. /lapsi.al/