19.2 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025
Home Blog Page 6320

Zëdhënësi i Mujës i shtien në thonjëza emrat e dëshmorëve! (Foto)

0

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, ka probleme serioze me gjuhën shqipe. Shkrimet e publikuara në ueb-faqen e Komunës, përmbajnë `miliona` gabime të pafalshme gjuhësore.

Berisha, i cili është edhe këshilltar politik i kryetarit Ramadan Muja, emrat e dëshmorëve i shtien në thonjëza.

Isa Boletini, Sinan Thaçi, Ismail Kryeziu, janë disa nga emrat e dëshmorëve që Berisha i shtie në thonjëza.

Në thonjëza është futur edhe emri i këshilltarit të Kuvendit të Prizrenit, Masar Shala, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2014.

isa boletiniBerisha ka probleme edhe me vendosjen e shenjës së pikësimit – pikën. Në çdo titull të lajmeve të publikuar, në fund vendos shenjën e pikësimit, pikë!

Ymer Berisha, në një debat televiziv pati treguar se ka “gëlltitur” një bibliotekë libra.

“Për t’i mësuar shprehjet retorike si unë, duhet m’e hangër një bibliotekë me libra”, pati thënë ai.

ismail kryeziu

Ndërkaq, “gëlltitja” e librave duket se nuk i ka ndihmuar në drejtshkrim. Madje, gjatë leximit të shkrimeve të publikuar në ueb-faqen e Komunës, mund të hasësh edhe në gabime elementare, të cilat nuk lejohen të bëhen as nxënësit e shkollës fillore.

sinan thaci

Berisha për tri mandatet të qeverisë `Muja` ka ushtruar detyrën e zyrtarit për informim të Komunës së Prizrenit. Ai po ashtu është këshilltar politik i kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja. /PrizrenPress.com/

Mustafa tregon pse braktisi VLAN-in e u bashkua me PDK

0

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka shkruar në llogarinë e tij në “Facebook” pranë festimit të Pavarësisë së Kosovës, duke mos u kursyer edhe nga kritikat dhe zbulimi i disa të pathënave deri tash për bllokun VLAN.

Ai ka thënë se AAK-ja, Nisma e në veçanti Vetëvendosja e kanë bindur se shteti nuk mund të drejtohet me mendësi të atillë, edhe përkundër dëshirës për ndryshime. Më tej ai sqaron edhe bashkimin me PDK-në, transmeton Koha.net.

“Edhe unë isha me AAK-në, Nismën dhe VV, nga qershori deri në nëntor të vitit 2014, por sjellja e tyre, sidomos e VV, më bindi se shteti nuk mund të drejtohet me mendësi të tillë, edhe përkundër dëshirës për ndryshime. Me PDK-në u morëm vesh që bashkërisht të qeverisim Kosovën, me zotim se do ta rikthejmë dhe forcojmë shtetin ligjor, të vazhdojmë të ndërtojmë ekonomi të tregut, të kultivojmë partneritetin ndërkombëtar, të trajtojmë mirë dhe të integrojmë popullatën jo shumicë”, ka shkruar Mustafa duke shtuar se fabrikantët e diskursit anarkist këtë e quajnë tradhti, ndër ta dhe ata që i agon dita duke pirë raki dhe kur iu trashet gjuha krahasohen me Ajnshtajnin.

Ai thotë me tej se nuk e sheh arsyen logjike që krerët e AAK-së dhe Nismës, që janë luftëtarë dhe komandantë të UÇK-së, i janë bashkangjitur VV-së në veprimet e tyre si peng.

Postimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:

Të dashur miq,

Janë 16 vite nga ndërhyrja e NATO-s dhe tetë vite nga shpallja e pavarësisë. Për jetën e një të riu janë shumë vite, ndërkaq për historinë janë vite të hapave të parë të ndërtimit të mekanizmave shtetëror, të tranzicionit demokratik dhe ekonomik, të njohjeve nga vendet e tjera. Mund të lavdërohemi se kemi bërë shumë, e kur mbushemi me nihilizëm shohim vetëm keq. Por, mendoj se askujt, nga populli i këtij vendi, nuk ia zë goja të thotë se shteti ynë dhe pavarësia nuk ia vlen, se ajo nuk ekziston. Përjashtuar ata që akoma ëndërrojnë se Kosova duhet të jetë Serbi.

Ky vend nuk u çlirua lehtë, janë gjenerata të tëra që u flijuan për idenë e pavarësisë, janë rreth 15 mijë të vrarë në luftën e fundit, llogaritet të jenë rreth 20 mijë gra të dhunuara dhe të ekspozuara sjelljeve shtazarake të forcave ushtarake e paramilitare serbe; sot e kësaj dite janë edhe rreth 1600 të pagjetur. Vlerësojmë ushtarët dhe paqeruajtësit ndërkombëtar, të cilët u flijuan për këtë vend.

Janë këto fakte, të cilat, nuk i japin të drejtë askujt të thirret në emër të turmave e të sulmojë me gurë, shufra hekuri, me armë e me shishe molotovi institucionet e Kosovës të dala nga vota e lirë, të sulmojë policët e Kosovës, pronat publike e private. Veç se në një proces demokratik kanë mbetur në pakicë, e populli u ka dhënë vota aq sa e kanë merituar!

Kundër dhunës janë ata që kanë shumicën në parlament, edhe përfaqësuesit e popullatës joshumicë, të cilët si pakicë ndihen të pasigurt. Në takimet që unë si Kryeministër kam pasur me përfaqësuesit e bizneseve, sindikatave, shoqërisë civile, mediave, sportistëve, të rinjve, kompanive më të mëdha përfshirë Trepçën dhe KEK-un, të gjithë e kanë refuzuar dhunën dhe shkatërrimin e shtetit. Dhunën si instrument politik nuk e ka përkrah asnjë shtet demokratik. Kërkohet të punohet më shumë, të bëhen ndryshime pozitive, të hapen vende të punës, të përmirësohet arsimimi dhe shëndetësia, të sigurohet ardhmëria ekonomike e sociale.

Shtrohet pyetja: Kush dhe kah po i financon gjithë këto aktivitete kundër shtetit. Lypset para e madhe për materiale propaganduese, spote e reklama në media, shpenzime të transportit të protestuesve, performansa të llojllojshme ditore?! Ligji obligon të kontrollohen këto shpenzime.

Pyetja tjetër është se çfarë synohet me dhunën, në sallën e Parlamentit dhe jashtë saj. Nëse shënjimi i kufirit me Malin e Zi, kërkohet të zgjidhet me dhunë, atëherë të njëjtën gjë mund a bëjë edhe pala tjetër. Qeveria nuk ka asnjë ankesë të argumentuar të asnjë qytetari, të asnjë komune dhe të asnjë agjensioni shtetëror se ndonjë pjesë e hapësirës tokësore me të cilën kanë administruar në pronësi më parë, ka kaluar në Malin e Zi. Prandaj po të ishte kjo kauze reale, do të uleshin në tavolinë për të argumentuar. Mungesa e argumenteve i qon te gurët dhe armët.

As Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, që si çamçakëz e përtypin në serbishte patriotët e VV, nuk duhet të jetë çështje e rrënimit të shtetit. Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar se Marrëveshja e Parimeve për Asociacionin shkel sovranitetin vendit, por ka konstatuar se si e tillë mund të rrezikoj të drejtat, që komunave me shumicë serbe u takojnë me ligj dhe me Kushtetutë. Dhe, nëse opozita është e brengosur për këtë çështje le të bashkohet në hartimin e Statutit të Asociacionit. Ndryshe rezulton të jetë kauze false.

Rezultoi se nuk është as shënjimi i kufirit me Malin e Zi, e as Asociacioni kauzë, por qenka shpërndarja e Parlamentit dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme. Zgjedhjet e imponuara dhe të shkaktuara nga dhuna e pakicës janë mënyra më e mirë për ta zhytur vendin në kaos institucional, në dhunë ciklike dhe në mohim të shtetit. Koalicioni qeverisës është i përgjegjshëm ndaj votës së qytetarëve dhe nuk do të lejojë me asnjë kusht tu plotësohet dëshira anarkistëve. Atyre që e mohojnë Ditën e Pavarësisë.

Një prej arsyeve të zgjedhjeve, u tha se ishte se është kapja e shtetit. Edhe unë pajtohem se ka kapje të shtetit, jo aq nga strukturat politike sa nga oligarkë politik e parapolitik, të cilët kanë përvetësuar e privatizuar nën kërcënime pas luftës e janë pasuruar shumë, shfrytëzojnë pronat publike si me qenë të tyre, e disa që kanë bërë krime nga më të ndryshmet, të cilët synojnë të diktojnë se kujt duhet dhënë tenderët, se kush duhet të udhëheqë firma e pasuri të caktuara, se me kënd duhet marrë vesh për Trepçën e pasuritë natyrore. Gjendja pa pushtet në Kosovë do të ishte parajsë për ata, sepse nuk do ti shqetësonte askush. Kur funksionon shteti, ashtu si ka filluar të funksionoj, ngadalë por sigurt, të gjithë e shohin veten të rrezikuar.

Dita e flamurit, 28 Nëntori dhe Dita e Pavarësisë, 17 shkurti janë për të festuar. Logjika që këto ditë të shfrytëzohen për të protestuar dhunshëm kundër institucioneve të Kosovës, është nënçmim për qytetarët e këtij vendi. Siç është nënçmim dhe sjellje e turpshme “dekorimi” i Kryeqytetit nga krerët e Komunës së Prishtinës me pankarta e parulla si të revolucionit kulturor kinez, e jo dekorimi me flamuj dhe simbole të Republikës së Kosovës. Është mohim i njërës dhe datës tjetër. Nuk mund të shoh arsyen logjike të krerëve të AAK-së dhe Nismës, luftëtarë dhe komandantë të UÇK-së që, si peng, iu kanë bashkëngjitur VV në këto veprime.

Edhe unë isha me AAK-në, Nismën dhe VV, nga qershori deri në nëntor të vitit 2014, por sjellja e tyre, sidomos e VV, më bindi se shteti nuk mund të drejtohet me mendësi të tillë, edhe përkundër dëshirës për ndryshime. Me PDK-në u morëm vesh që bashkërisht të qeverisim Kosovën, me zotim se do ta rikthejmë dhe forcojmë shtetin ligjor, të vazhdojmë të ndërtojmë ekonomi të tregut, të kultivojmë partneritetin ndërkombëtar, të trajtojmë mirë dhe të integrojmë popullatën joshumicë. Fabrikantët e diskursit anarkist këtë e quajnë tradhti, ndër ta dhe ata që i agon dita duke pirë raki dhe kur iu trashet gjuha krahasohen me Ajnshtajnin. Unë qeverisjen me PDK-në, në një kurs të qartë zhvillimor, e konsideroj veprim të mençur dhe alternativën më të mirë në këto kushte.
Veprimet e tanishme të opozitës dëmtojnë, por nuk kanë fuqi as ta lëkundin e as ta rrënojnë shtetin. Shteti janë shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk donë që edhe njëherë këtë vend ta kaploj dhuna, shkatërrimi, mjerimi, vrasjet e plaçkitjet; janë ata që besojnë se drejtësia do të zbardh humbjen e njerëzve të tyre; që kërkojnë dekriminalizimin e plotë të vendit, luftimin e korrupsionit dhe të ekstremizmin e dhunshëm; ata që Kosovën e tyre e shohin në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në BE. Janë qytetarët e këtij vendi ata që nuk miratojnë që në Kosovën e tyre të shohin pamjet e vendeve dhe organizatave më ekstremiste të këtij fillimshekulli.
Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, besoj në shtetin dhe qytetarët!

Qendra historike e parkingjeve ilegale

0

Hajrulla Çeku

Mbi 90 përqind e lejeve urbanistike nuk janë respektuar brenda Qendrës Historike të Prizrenit. Me këtë statistikë, çdo lloj arsyetimi e zotimi që vjen nga institucionet për mbrojten e trashëgimisë kulturore nuk është tjetër pos përpjekje e dëshpëruar për manipulim me opinionin publik. Prizreni është zonë e kriminalitetit të lartë urbanistik dhe kushdo që pretendon të kundërtën është ose i paaftë për të kuptuar realitetin ose mashtrues i qëllimtë.

Para disa ditësh, në zonën e mbrojtur të qytetit ngjau edhe një rrënim pa leje dhe ajo hapësirë e liruar shpejt u shndërrua në parking. Ky është edhe një rast tipik i shkeljes së disafishtë – pa pëlqim të autoriteteve të trashëgimisë kulturore, pa leje urbanistike për rrënim dhe pa leje për ushtrim të veprimtarisë afariste. Për vetëm pak vite, zona historike e qytetit është vërshuar nga parkingjet ilegale. Në hapësirat ku dikur ishin shtëpitë e vjetra dhe ndërtesat tjera të trashëgimisë kulturore të qytetit, sot operojnë dhjetëra parkingje ilegale.

Rasti i fundit ka ndodhur për shkak se rasti i parafundit ka kaluar pa asnjë pasojë. Dhe ai i parafundit është thirrur në ato të mëhershmet. Tashmë të gjithë e dinë, dëmtimi i trashëgimisë kulturore nuk prodhon asnjë ndëshkim. Ndonëse paraqet vepër të rëndë penale, të dënueshme me burgim dhe gjoba marramendëse, dhe përkundër raportimit për dhjetëra raste të dëmtimeve, deri sot nuk ekziston asnjë vendim i plotfuqishëm i gjykatave për t’i dënuar keqbërësit.

Nga një zonë me potencial për të konkurruar trashëgiminë botërore, ajo ka degraduar në një qendër historike të parkingjeve dhe hoteleve ilegale. Aplikimi i ardhshëm për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO nuk është larg dhe tashmë koha punon kundër nesh. Prizrenin duhet ta shpëtojmë, pasi ai do të jetë një nga argumentet tona më të fuqishme në rrugën drejt UNESCO-s/sbunker/

“Ka politikanë që pa luftuar asnjë ditë, janë bërë veteranë”

0

Veteranët e luftës së fundit në Kosovë, përkundër gjendjes së rëndë ekonomike që shumica i jeton çdo ditë, janë të shqetësuar me fryrjen e listave të “kolegëve” të tyre. Ata kërkojnë që të zbatohet ligji dhe të bëhet verifikimi i të gjithë emrave veç e veç me qëllim që listat të pastrohen nga emrat e futur pa meritë.

Kështu tha Xhevdet Qeriqi, kryetarë i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, në një intervistë ku ka folur për gjendjen e rëndë të veteranëve dhe pritjet e tyre nga institucionet e vendit.

Ai tregon se veteranët tash e 16 vjet pas luftës janë të lënë anash nga secila qeveri e vendit. Qeriqi kujton shumë nga shokët e luftës, që sot janë në pozita të larta shtetërore, e që i kanë lënë ata pas dore pasi i kanë shfrytëzuar vetëm në fushata zgjedhore.

“Jo vetëm unë por shumë veteranë e ndjejmë veten që jemi të lënë anash, kjo nuk do koment. Kjo shihet, vërehet që 16 vjet jemi të lënë anash, do të thotë, më tepër veteranët janë keqpërdorur nëpër fushata zgjedhore dhe çdo herë në secilën fushatë që është mbajtur edhe nga bashkëluftëtarët tanë të cilët janë në qeveri, çdo herë është premtuar, ju jeni dëshmitarë dhe asnjëherë nuk është realizuar. Mendoj që kjo është arsyeja që kjo ju ka konvenuar që veteranët të vazhdojnë të jetojnë në këtë gjendje”, ka thënë Qeriqi.

Zvarritja e këtij procesi, dhe lënia pas dore e shumë veteranëve të luftës nga ana e institucioneve të Kosovës, i ka detyruar ata që jo rrallë herë të protestojnë.

“Unë mendoj se protesta është mjeti i fundit por ne kemi qenë të detyruar dhe sikur të mos ishin protestat, veteranët do të ishin aty ku kanë qenë më herët, nuk do ta gëzonin asnjë të drejtë, por presioni ynë i vazhduar dhe eskalimi i atyre situatave ka bërë që të përshpejtohen këto procese”, tha Qeriqi.

Ai gjithashtu kërkon që listat e veteranëve të hetohen, duke propozuar që veteranëve t’u kërkohet edhe një dokument shtesë.

“Ne kemi kërkuar të bëhet një hetim i pavarur brenda këtyre listave dhe gradualisht të hetohen. E kemi diskutuar sidomos me zv. Kryeministrin pasi që ka qenë pjesë e luftës, edhe ai ka qenë i shqetësuar me këto fryrje, dhe kemi kërkuar që të ketë kritere, të kërkohet edhe një dokumentacion shtesë që ua kam propozuar unë. Kjo është në të mirë të dy anëve sepse po dëmtohet buxheti po gjithashtu edhe imazhi. Shpresojmë se do të reflektojnë, në të kundërtën u kam treguar edhe në takim që kam pasur me ta se në rast se këto kërkesa nuk realizohen, atëherë ne jemi të detyruar të protestojmë”, tha ai.

Qeriqi tregoi se shumë nga njerëzit që sot janë në politikë mund t’i gjejmë edhe në listat e veteranëve, bilës thotë se këtë e kanë arritur pa e bërë as edhe një ditë në luftë.

“Ka emra konkretë nga të gjitha zonat… mua më njoftojnë veteranët e luftës. Janë në dijeni institucionet e shtetit, por pse nuk po veprojnë, kishte me qenë mirë t’i pyesni ata. Ka raste të shumta, jo pak por shumë, të cilët fare nuk kanë qenë në luftë. Ka raste që i njoh edhe unë vet personalisht, dhe sot ata po i gëzojnë këto të drejta dhe pse nuk po u takojnë. Nuk kemi një listë të saktë, por ka dhe njoh njerëz, jo vetëm unë por secili veteran me të cilin takohem njeh njerëz që nuk kanë qenë në luftë, por nuk është e interesuar prokuroria të merret me këto raste. Edhe vet prokuroria është në dijeni. Tani po bëhen edhe publike sidomos në rrjete sociale publike, dhe asnjëherë nuk po reagon askush. Është dashur të hetohen nga ana e prokurorisë por për fat të keq nuk po ndodhin këto. Gjë që jemi të revoltuar sepse po e dëmtojnë imazhin e veteranëve po ashtu edhe në buxhetin në këto kategori si dhe buxhetin e shtetit”, tha Qeriqi.

Megjithatë ai nuk e ka një listë të saktë të personave të rrejshëm që sipas tij janë në listat e veteranëve.

Por është edhe një kategori e njerëzve të cilët kanë ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në forma të ndryshme dhe që nuk kanë përfituar asnjë benificion nga institucionet e shtetit.

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fushatës së tij elektorale kishte premtuar që edhe kjo kategori do të shpërblehej, por e gjitha kjo deri më tani ka mbetur vetëm një premtim.

“Nuk dua të ia mohoj askujt kontributin që ka dhënë, nuk jemi vetëm ne veteranët që kanë dhënë kontribut, por kanë dhënë mërgimtarët dhe qytetarët e këtij vendi, edhe fëmijët e këtij vendi. Mendoj që janë kriteret brenda ligjit që është miratuar për veteranët e luftës ku qartësohen të drejtat e secilit për kontributin që ka dhënë. Ka qenë premtim i ish-kryeministrit Thaçi se edhe ata do të gëzojnë të drejtat e tyre që u takojnë por shpresoj se pas premtimeve ata t’i gëzojnë ato të drejta”, tha ai.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi ishte parë edhe në protestat e opozitës më 9 janar. Për këtë ai është shprehur se nuk ka marrë pjesë si përfaqësues i veteranëve por si qytetar i thjesht i këtij vendi i cili është i pakënaqur me zhvillimet fundit, njofton KP.

Përndryshe, veteranët e luftës kanë protestuar më 1 shkurt para Qeverisë së Kosovës ku kanë kërkuar që 4.000 veteranëve, të cilëve nuk i kanë dalë pensionet që u takon me ligj, t’u paguhet. Kjo protestë u bë shkak që kryeministri Mustafa t’i thërras në takim përfaqësuesit e veteranëve ku u premtoi se së shpejti kjo do të rregullohet. Ndërsa veteranët kanë paralajmëruar protestë nëse nuk plotësohen kushtet e tyre.

(Kosova Sot)

Vetëm Specialja e shpëton shtetin nga uzurpatorët

0

Krimi dhe korrupsioni i lartë nga pushtetarët po e shkatërrojnë dhe po e fundosin shtetin. Autorët dhe sajuesit e krizës po i përcjellë nga afër hija e burgut

“Sikur të kishte mundësi që kjo Prokurori brenda natës të burgoste me dhjetëra oligarkë të krimit ekonomik dhe politik, atëherë shpresat e popullatës do të ngjalleshin automatikisht se në këtë vend do të bëhet mirë. Vetëm kur të bëhet shthurja e këtij rrjetëzimi kaq të organizuar kriminal dhe vetëm kur të vihen përpara përgjegjësisë fajtorët kryesorë, të cilët duhet sa më parë të eliminohen nga jeta publike dhe politike, vetëm atëherë do të ketë stabilitet Kosova”, shprehet analisti Shefqet Dibrani

Republika e Kosovës mund të shpëtojë vetëm nëse arrestohen “peshqit e mëdhenj”, e këtë duket se nuk mund ta bëjnë prokurorët kosovarë, por e vetmja shpresë është Gjykata Speciale në Holandë, por edhe Prokuroria Speciale që mund ta çlirojë Kosovën nga të korruptuarit dhe të inkriminuarit që e kanë kapur fort shtetin. Pengesat që po i vë politika, kryesisht pushteti shumëvjeçar, lidhen shumë me Gjykatën Speciale për ta shtyrë sa më shumë që është e mundshme këtë gjykatë, e cila në listën e saj ka njerëzit më “të fortë” të pushtetit e të tej inkriminuar. Në Shqipëri po bëhet Byroja kombëtare e hetimeve që është një ndihmesë që vjen nga SHBA-ja, kurse në Kosovë Specialja përmes hetuesve të vet dhe prokurorit special mund ta pastrojë këtë vend nga krimi e korrupsioni, krimi i organizuar e për të bërë shtet ligjor.

Njohësi i mirë i çështjeve të sundimit të ligjit, Shefqet Dibrani, mendon se është krejt normale se vetëm Prokuroria dhe Gjykata Speciale mund ta pastrojë politikën nga bosët që kanë kapur shtetin. “Po sikur të kishte mundësi që kjo prokurori brenda natës të burgoste me dhjetëra oligarkë të krimit ekonomik dhe politik, atëherë shpresat e popullatës do të ngjalleshin automatikisht se në këtë vend do të bëhet mirë. Vetëm kur të bëhet shthurja e këtij rrjetëzimi kaq të organizuar dhe vetëm kur të vihen përpara përgjegjësisë fajtorët kryesorë, të cilët duhet sa më parë të eliminohen nga jeta publike dhe politike, atëherë do të ketë stabilitet Kosova, e cila hëpërhë është në një situatë shumë të rëndë, me tendenca për t’u krijuar një gjendje tamam anarkike, e cila do t’i ketë pasojat e shumta. Por, secili qytetar duhet të jetë i vetëdijshëm se kjo gjendje kaq e rënduar ka ndodhur pikërisht nga frika e themelimit të Gjykatës Speciale, e cila po shpresojmë se do të veprojë shpejt dhe pa hezitime”, mendon ai.

Autorët dhe sajuesit e krizës po i përcjellë hija e burgut

Sipas Dibranit, është shqetësuese heshtja dhe lënia në veprim të lirë e përgjegjësve të situatës, të cilët tashmë i drejtojnë dikasteret më të rëndësishme shtetërore, ku nuk ka vlerë bota njerëzore më shumë sesa interesat e tyre materiale. “Sot, Kosova ka një elitë politike shumë të papërgjegjshme, e cila është në gjendje ta shkatërrojë Kosovën për t’i ruajtur privilegjet e tyre. Pikërisht frika dhe paniku nga Gjykata Speciale i ka vënë në lëvizje të gjitha grupet e interesit, të cilat edhe pse nuk e thonë, ndihen mjaft të shqetësuara, sepse janë të vetëdijshme për të kaluarën e tyre kriminale, qoftë në aspektin politik, por edhe në krimin ekonomik, që si duket Gjykata Speciale i ka parasysh që të dyja…/kosova sot/

Rama-Kerry në bulevard, momenti i takimit me një grup qytetarësh

0

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, duket se e ka shkelur agjendën gjatë vizitës në Tiranë.

Pas takimit në Kryeministri, ai është në këmbë drejt hotel “Rogner”-it, ku u takua me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Por para se të mbërrinte në vendtakim, kryediplomati amerikan së bashku me kryeministrin Rama u ndal për disa minuta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, takoi dhjetëra qytetarë që ishin mbledhur për ta përshëndetur.

Gjatë ndalesës së paparashikuar në protokoll, Kerry mbajti në krah një fëmijë për pak çaste. Rama e ka postuar në “Facebook” foton e këtij momenti, me moton: “Fotoja e ditës”.

Në Vermicë arrestohet serbi i kërkuar nga Interpoli

0

Policia e Kosovës në raportin e saj 24 orësh ka njoftuar për një arrestim të një personi të kërkuar. Arrestimi është bërë në Vermicë.

“Në bazë të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol është arrestuar i dyshuari mashkull K-Serb dhe i njëjti me urdhër te prokurorit dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së. /PrizrenPress.com

Gjithçka me Amerikën

0

Shqipëria u është mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen dhe mbështetjen e dhënë.

Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në përfundim të takimit me Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry.

Rama tha se në takimin dypalësh janë diskutuar një sërë çështjesh me rëndësi për vendin, mes të cilave edhe ajo e reformës në drejtësi, e cila pritet të votohet muajin e ardhshëm në Kuvend.

“Diskutuam në veçanti për reformën në drejtësi. U jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për ndihmën që kanë dhënë veçanërisht për këtë reformë. Obligimi ynë i përbashkët është që marsi të jetë muaji i votimit në Kuvend i paketës së ndryshimeve kushtetuese”.

“Me SHBA’të në krah, kjo e bën të arsyeshëm optimizmin për sukses. Me SHBA’të nuk na ndan asgjë dhe na bashkon gjithçka”, theksoi Rama në konferencën e përbashkët për media.

Rama ka thënë se po thellohet bashkëpunimi me SHBA në fushën e energjisë, ekonomisë, sundimin e ligjit dhe fushat tjera.

“Thellimi i bashkëpunimit me SHBA do të ndikojnë në sigurinë e rajonit”.

“Lidhja jona speciale na jep një përgjegjësi të veçantë për rritjen e sigurisë dhe forcimin e demokracisë në këtë pjesë të Europës”.

“Pa SHBA në krahë, as Shqipëria dhe as shqiptarët, nuk do të ishin sot më të respektuar. Pa mbështetjen dhe këshillat e çmuara të SHBA, Shqipëria nuk do të kishte kaq shumë progres në rrugën e reformës”, ka deklaruar Rama.

Rama, po ashtu, ka deklaruar se Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk është një dialog i lehtë, por është pa diskutim e vetmja rrugë për të arritur suksesin.

Kerry: Shqipëria është në rrugën e duhur

0
Shqipëria është në rrugën e duhur të reformave, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit, korrupsionit dhe forcimit të ligjit dhe shtetit ligjor.
Ky ishte mesazhi i dhënë nga sekretari i Shtetit, John Kerry, në deklaratën për medie të mbajtur pas takimit me kryeministrin Edi Rama.
“Shqipëria është duke lëvizur në drejtimin e duhur dhe jam besimplotë që ndërgjegjësimi është përqafuar sa i përket legjislacionit për luftën kundër korrupsionit. Më ka bërë përshtypje hartimi i dekriminalizimit. Jam i inkurajuar nga paketa e reformës në drejtësi dhe dëshiroj të theksoj që kjo është diçka që politika po punon fort që të realizohet. Kjo kërkon mbështetjen e çdo shqiptari. SHBA është këtu në krahun tuaj, por në fund vetëm shqiptarët mund të miratojnë ligjet e duhura dhe të këmbëngulin për zbatimin e tyre”, ka deklaruar Kerry.

Mirënjohje ShBA-së për mbështetjen

0

Presidenca ka publikuar në faqen e saj zyrtare një përmbledhje të shkurtër të asaj që kreu i Shtetit, Bujar Nishani, bisedoi me Sekretarin e Shtetit, John Kerry në Aeroportin e Rinasit.

Në njoftim thuhet se Presidenti i shprehu mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euro-Atlantike.

Presidenti Nishani u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin.

Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi Sekretarin Kerry për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presidenti Nishani përcolli gjithashtu përshëndetje të ngrohta e të përzemërta për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama.