11.8 C
Prizren
E enjte, 14 Maj, 2026
Home Blog Page 6352

Në Kabul janë rrëmbyer një amerikan dhe një australian

0

Një shtetas amerikan dhe një australian janë rrëmbyer mbrëmë vonë në kryeqytetin Kabul në Afganistan.

Zyrtarët thanë sot se të dy personat ishin rrëmbyer nga veturat e tyre nga persona të armatosur me uniforma ushtarake, në rrugën kryesore afër Universitetit Amerikan të Afganistanit.

Besohet se ata ishin punonjës të këtij universiteti.

Zyrtarët amerikanë dhe australianë thanë se ata kanë njohuri për këto raporte për rrëmbim dhe se po synojnë qartësime. /Rel

Vija të kuqe vetëm për Republikën

0

Derisa kryeministri Isa Mustafa po insiston vazhdimisht që Demarkacionin me Malin e Zi duhet ta votojnë të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, pozita dhe opozita, analistët politikë po e shohin këtë këmbëngulje të kryeministrit si një tregues real, që flet se koalicioni Qeverisë është futur në krizë dhe nuk i ka votat, por as nuk po guxon të marrë mbi vete barrën e një vendimi kaq të dëmshëm për historinë e shtetndërtimit të Kosovës. Nga ana tjetër, subjektet politike në opozitë kanë filluar të deklarohen se nuk kanë më vija të kuqe të bashkëpunimit politik, në interes të krijimit të qeverisjes stabile të vendit në të ardhmen.

Një element që nga analistët politikë po shihet si moment i rëndësishëm në këto zhvillime të fundit, vlerësohet se tani vetë politikanët kanë filluar të binden se me vija ndarëse, të kuqe, mes partive nuk ka sukses në procesin e shtetndërtimit, por vijat e kuqe duhet të vendosen për ruajtjen e interesave nacionale. Kjo situatë e re, paralajmërimi i një pjese të deputetëve të koalicionit PDK-LDK se nuk do ta votojnë atë Demarkacion, sipas analistëve mund të çojë edhe deri në situatën e ridizajnimit të Qeverisë, gjegjësisht të zgjerimit të koalicionit edhe me parti të tjera nga opozita, për të marrë përgjegjësi të përbashkët dhe për të arritur një qëllim konsensual me përgjegjësi më të madhe gjithëpërfshirëse politike, si platformë e unifikuar politike për shtetin, sado që veprimi i tillë i imponuar nga situata nuk shihet me interes real nacional, shkruan Gazeta Kosova Sot.

Zgjedhjet më të shëndetshme për demokracinë

Politologu Albinot Maloku, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, tha se politikës kosovare i ka munguar dhe po i mungon një platformë shtetërore, e cila domosdo duhet të ishte e kornizuar e me vija të kuqe. E këto vija të kuqe t’i përkisnin, jo mundësisë së bashkëpunimit të subjekteve politike, por interesit nacional shtetëror. Interes nacional e shtetëror, sipas tij, në rastin aktual është ruajtja e kufijve të shtetit të Kosovës. Ai më mirë preferon zgjedhjet e jashtëzakonshme si formulë e daljes nga kriza sesa kooptim të ndonjë subjekti politik opozitar sa për ta votuar Demarkacionin.

“Ridizajnimi i Qeverisë me mundësinë e futjes së subjekteve opozitare politike, nuk është zgjidhje dhe kushdo që nga këto parti të opozitës do të futej në një Qeveri të ridizajnuar së bashku me partnerët aktualë të koalicionit qeveritar, do të ishte shuarje e tyre si subjekt politik e si kauza që me të drejtë i kanë ngritur. Demarkacioni mund të shfrytëzohet për të nxitur zgjedhje të parakohshme e që zgjedhjet nuk janë asgjë e keqe e në shpërputhje me demokracinë. Mes një ridizajnimi të Qeverisë aktuale, duke i joshur subjektet politike opozitare për t’u ngjitur në pushtet dhe zgjedhjeve të parakohshme, më e shëndetshme për demokracinë do të ishte shkuarja në zgjedhje”, tha politologu Maloku.

Heqjen e vijave të kuqe, në interes të bashkëpunimit ndërpartiak për interesat e mëdha të kombit dhe shtetit i sheh zgjidhje racionale dhe hap përpara në avancimin e demokracisë politike edhe Ali Hertica.

“Kur është shtetit në pyetje çdo parti politike duhet të jetë në mbështetje të shtetit e jo nga inatet ta lënë shtetin në një situatë, ku mund të shkojë drejt rrënimit, e kjo situatë nuk është e ndershme dhe nuk i shkon politikës së shtetndërtimit. Partitë politike dhe deputetët duhet të tregohen tani si njerëz të dinjitetshëm, të fuqishëm për ta mbrojtur sovranitetin, kur është çështja e Demarkacionit, sepse nuk është shteti i asnjë partie politike, por i popullit, e të zgjedhurit në Parlament, pozita dhe opozita, thirren se janë përfaqësues të zgjedhur dhe duhet t’i bashkojë vetëm interesi i popullit”, tha Ali Hertica për “Kosova Sot”.

Ditë zie në Maqedoni

0

Dita e sotme 8 gushti, është caktuar Ditë zie në Republikën e Maqedonisë. Vendimin e solli Qeveria në seancën e djeshme të jashtëzakonshme.

“Qeveria solli vendim për ekzistim të gjendjes së krizës në rajonin e Shkupit dhe Tetovës në kohëzgjatje prej 15 ditëve, si dhe vendim për ndarje e një shume të pakthyeshme në para në vlerë prej 300.000 denarëve për familjet e viktimave”, thuhet në kumtesën nga Qeveria.

Siç theksohet, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim është e angazhuar që pajisjet e tërësishme, nga të gjitha rajonet në vend, t’i vendosë nën dispozicion të rajoneve të krizës, ndërsa komunave të cilat disponojnë me vakum cisterna u rekomandohet t’ua lënë në dispozicion Qytetit të Shkupit.

“Qeveria e angazhoi Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim menjëherë të bëjë angazhim të mekanizmave ndërtimore shtesë (ekskavatorëve dhe kamionëve), përmes marrëveshjeve të lidhura për shfrytëzim të mekanizmave ndërtimore nga firmat private dhe menjëherë të dërgohen dhe vendosen në funksion në rajonet e krizës”, thuhet në kumtesë.

Është sjellë vendim për ndarjen e naftës për nevojat e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim , NP “Rrugët e Maqedonisë”, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme. Është konkluduar që Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore të bëjë sanimin e qarkores e cila u dëmtua nga moti i lig.

“Në kontekst të vlerësimit më efikas dhe më të shpejtë të dëmeve të bëra, ndërsa me qëllim të formimit të numrit më të madh të komisioneve për vlerësim të dëmeve, Qeveria i angazhoi institucionet shtetërore të delegojnë njerëz të cilët do të vendosen në funksion të komisioneve komunale për vlerësim të dëmeve”, thuhet në kumtesën nga Qeveria.

Gjatë ditës, Qeveria do të mbajë edhe një seancë në të cilën sërish do të shqyrtohet situata momentale dhe pritet të konfirmohen masa dhe konkluzione të reja./Alsat-M/

Veteranët, përparësi në specializimet mjekësore

0

Mjekët që kanë qenë veteranë të luftës, apo që janë nga familjet e dëshmorëve, do të kenë nga pesë pikë bonus gjatë ndarjes së specializimeve. Kjo po kundërshtohet nga Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “Kiscoms”, që pas një analize të shkurtër, thonë se ky konkurs lë hapësirë për dyshime

Ministria e Shëndetësisë ka shpallur konkursin për specializime të reja. Gjithsej do të pranohen në specializime 224 mjekë, të cilët kanë përfunduar Fakultetin e Mjekësisë.

Lajmi është bërë publik përmes zyrës për informim të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ministria e Shëndetësisë në pajtim me Ligjin për Shëndetësi Nr. 04/L-125 dhe Udhëzimin Administrativ mbi Shkollimin specialistik 10/2014, në bazë të propozimit të Bordit Qendror për Shkollim specialistik (BQSHS) dhe pas aprovimit nga Kabineti i Ministrit, shpall konkurs për ndarjen e 224 specializimeve”, thuhet në njoftimin me shkrim të Ministrisë së Shëndetësisë, shkruan Zëri.

Kështu, Qendra Klinike Universitare e Kosovës së bashku me Qendrën Stomatologjike Universitare të Kosovës do të kenë të lira 17 vende për specializantët.

Vetëm 1/3 e mjekëve që diplomojnë mund të marrin specializime

Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës do të ndajë 9 specializime, Spitali i Prizrenit 4 specializime, Spitali i Gjakovës 5 specializime, Spitali i Pejës 4 specializime, Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit do të ndajë 6 specializime, kurse spitali i Ferizajt do të hapë 8 vende. /zeri.info

Limaj: “Hashim, eja në shtëpi ti, Rio 2016 është e Majlindës”

0

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj përmes një postimi në Facebook ka kritikuar presidentin Hashim Thaçi, i cili tashmë gjendet në Rio, duke i thënë se po mundohet ta promovojë veten tek sukseset e të tjerëve

Ndër të tjerat, Limaj shkruan: “Hashim, eja në shtëpi ti, Rio 2016 është e Majlindës, e Majlindës e cila po e promovon Kosovën bre Hashim”.

Postimi i  plotë i Limajt:

Jam duke e shikuar Hashimin…….ky njeri gjithë jetën e tij ka vrapuar që të duket dhe që të shfaqet mu aty, aty diku tek sukseset e të tjerëve, dhe mu aty tek ato sukseset e të tjerve ka tentuar që të promovoj vehtën e tij, dhe vetëm vehtën e tij, dhe kjo tashmë po dihet dhe kjo tashmë po shifet, ai gjihmonë ka dashur të duket dhe të përfitoj nga puna e të tjerëve, asnjëherë nga puna e tij, ai meritat e të tjerve gjithmonë i’a ka m’veshur vehtës së tij.!

Por sonte, me gjithë përpjekjet e tij, bile deri në limitet e tija qesharake, nuk mundi as titullin, e as medaljen të ia marr Majlindës, Majlindës e cila sonte këtë medalje ia solli Kosovës me punën dhe djersën e saj dhe të trainerit të saj z. Driton Kuka.

Hashim, eja në shtëpi ti, Rio 2016 është e Majlindës, e Majlindës e cila po e promovon Kosovën bre Hashim. !!!

Hashim, kishte me qenë e rrugës që gjatë kthimit tënd me e vizitu medalistin tonë të dikurshëm dhe sportistin tonë të shekullit z. Aziz Salihun i cili është i shtrirë në një spital në Turqi.! Sportistin të cilin ti Hashim sa ishte i shtrirë në qendrën spitalore në Prishtinë nuk e ke vizituar, sepse ti e ke ditur se nga ajo vizitë nuk ke qka përfiton personalisht, përpos ndojnë telashe (siq i quan ti) apo siq thua ti të del ndonjë kërkes për ndihmë, e ti Hashim nuk je i gatuar/ Hashim ti nuk je i bërë me e ndihmu askënd, sepse ti nuk e njeh dhe sepse ti nuk e ke këtë virtyt.!

“Daullet e rezistencës” përloti audiencën në DokuFest

0

Arsimimi paralel, helmimi i nxënësve e demonstratat e viteve 1995 e 1997, tregohen detajisht nga vetë protagonistët e këtyre ngjarjeve, në filmin dokumentar të shkruar nga Besa Luci dhe Mathieu Jouffre e regji të Mathieu Jouffre, u mirëprit përpos me duartrokitje ashtu edhe me lot në sy nga të pranishmit që ishin në një numër mjaft të madh në Shtëpinë e Kulturës në Prizren.
Sarandë Selimi

Në shkolla nuk kishte më vend për kosovarë. Jo që nuk kishte vend në aspektin e hapësirës, por regjimi serb nuk lejonte që të rinjtë e vendit të shkolloheshin. Fillimisht nisi me një bisedë për 17 shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa në anën tjetër flitej për një periudhë kur mësimdhënësit e gjeneratës së viteve të 90-ta, ishin shkolluar. “Daullet e rezistencës”, ishte filmi dokumentar që u dha premierë kosovare, sonte në festivalin që po feston ditëlindjen e 15-të DokuFest.

Një dokumentim real i asaj se çfarë kishte ndodhur në vitet e 90-ta në Kosovë, një rrëfim që shkonte përtej rrëfimit, duke u treguar në detaje çdo fjalë, çdo lëvizje e çdo gjë tjetër që u kishte ndodhur këtyre nxënësve nga regjimi serb. Arsimimi paralel, helmimi i nxënësve e demonstratat e viteve 1995 e 1997, tregohen detajisht nga vetë protagonistët e këtyre ngjarjeve, në filmin dokumentar të shkruar nga Besa Luci dhe Mathieu Jouffre e regji të Mathieu Jouffre, u mirëprit përpos me duartrokitje ashtu edhe me lot në sy nga të pranishmit që ishin në një numër mjaft të madh në Shtëpinë e Kulturës në Prizren.

“Shfaqja e filmit në DokuFest për ne është shumë e rëndësishme, sepse kjo është premiera jonë kosovare”, tha para fillimit të filmit regjisori Jouffre i cili poashtu falënderoi të gjithë përkrahësit e këtij filmi.

Padyshim që për ata që veç i kanë përjetuar këto ngjarje është një rikthim në kohë, dhe një emocion i veçantë. Kështu ndihej edhe njëra ndër protagonistet dhe nëna e skenaristes Lumturie Gashi Luci, e cila për KultPlus, tregoi se këto gjëra nuk i harron kurrë, por sot kur e pa edhe filmin të kompletuar bashkë me transmetimin e protestave dhe gjërave të tjera, u ndie edhe më e emocionuar se zakonisht.

“Jam krenare për punën që është bërë, fillimisht po flas si nënë e pastaj edhe si njeri që kam qenë pjesë e atyre ngjarjeve. Mendoj që për këto gjëra duhet shumë më tepër të flitet, por sigurisht unë e fajësoj edhe vetën pasi që, prindërit duhet të jenë ata që ti përmendin këto gjëra, duhet të dihen, të dokumentohen dhe të transmetohen tek gjeneratat e reja”, pohoi Gashi Luci.

E për skenaristen Besa Luci, ishte ndjenjë shumë e mirë që filmi premierën kosovare po e ka në DokuFest, ajo theksoi para të pranishmëve që filmi i saj të jetë një ndër filmat e shumtë që do të flasin për këtë periudhë.

“Jemi shumë të lumtur që filmi ka premierën edhe në DokuFest, kështu që tematika është për vitet e 90-ta në Kosovë, për arsimin paralel ku kjo për ne nuk është dokumentuar aq sa duhet dhe besojmë që do bëjmë një hap para në këtë drejtim. Shpresojmë që ky film të jetë një prej filmave të shumët që do të flas për vitet e 90-ta”, u shpreh Besa. “Daullet e rezistencës”, konkurron në kategorinë e Ballkan Dox, në Dokufest, ndërsa premierën ndërkombëtare pritet ta ketë me 15 gusht në Sarajevo Film Festival./KultPlus.com

Edhe Justin Bieber del nudo

0

Justin Bieber dhe Orlando Bloom vërtetë janë rivalë, por duket se kanë një gjë të përbashkët. Ata të dy pëlqejnë që të dalin të zhveshur gjatë pushimeve.

Justin Bieber është fotografuar në Hawaii me të dashurën e tij, bukuroshen australiane Sahara Ray.

Këto foto vijnë vetëm pak ditë, pasi Orlando Bloom u fotografua nudo, teksa po bënte një shëtitje me varkë me të dashurën e tij Katy Perry.

Majlinda: E lumtur që ëndrra mu bë realitet

0

Majlinda Kelmendi thotë se gjithmonë ka ëndërruar që në karrierën e saj të fitojë një medalje olimpike.

Këtë xhudistja kosovare e deklaroi në konferencën për media, pas triumfit në “Rio 2016” në kategorinë deri në 52 kilogramë.

“Për Kosovën si shtet është e rëndësishme pasi ka pritur shumë vjet dhe jam shumë e lumtur që e kam ngritur flamurin. Jam shumë e lumtur që të gjithë fëmijët më shohin si heroinë. Jam e lumtur që një ëndërr u bë realitet“, ka thënë ajo.

Historike: Majlinda kampione olimpike

0

Xhudistja Majlinda Kelmendi ia ka sjellë Kosovës medaljen e parë të artë olimpike.

Ajo ka triumfuar në kategorinë deri në 52 kilogramë në Lojërat Olimpike “Rio 2016”, pasi ka mposhtur në finale italianen Odette Giuffrida.

Kosova tani futet në mesin e shteteve që kanë fituar medalje nga këto lojëra olimpike.

Historike: Majlinda kualifikohet në finale

0

Xhudistja numër një në botë, Majlinda Kelmendi, ia ka siguruar Kosovës medaljen e argjendtë pas kualifikimit në finale të ‘Rio 2016’.

Majlinda mposhti në gjysmëfinale xhudisten japoneze, Misato Nakamura.

Majlinda tani do të kërkojë medaljen e artë kur në finale do të përballet me italianen Odette Giuffrida, e cila mposhti në gjysmëfinale kinezen Ma Yingnan.