17.6 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026
Home Blog Page 6477

Zbardhet vrasja në Tropojë, policia shpall në kërkim autorët

0

Më datë 14.06.2016, rreth orës 22:45, është marrë njoftim nga salla e komandimit Tropojë, se në ambjentet e lokalit në pronësi të shtetasit L.V, në fshatin Cërrnice, kishte ndodhur vrasje me armë zjarri.

Menjëhere forca të shumta policie kanë shkuar në vendngjarje si dhe janë ngritur disa pika kontrolli.

Specialitët e Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës dhe të Seksionit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë, së bashku me grupin hetimor kanë shkuar në vendngjarje, për zbulimin e kësaj ngjarje të rëndë kriminale .

Nga veprimet e deri tanishme ka rezultuar se në ambjentet e lokalit në pronësi të shtetasit L.V, në fshatin Cërrnicë, pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasit (vëllezër):

1.Henerik Niklekaj, 22 vjeç, banues në fshatin Cërrnicë,Tropojë.( i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale).

2.Fitim Niklekaj, 24 vjeç, banues në fshatin Cërrnicë,Tropojë.( i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale).

3.Kastriot Niklekaj, 28 vjeç, banues në fshatin Cërrnicë,Tropojë.( i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale), në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasve :

1.Ardit Mrishaj, 26 vjeç, banues në Cërrnicë, Tropojë.

2.F.Q., 29 vjeç, banues në Cërrnicë, Tropojë.

Ku si pasojë ka gjetur vdekjen shtetasi Ardit Mrishaj dhe ka mbetur i plagosur shtetasi F.Q.

Në lidhje me këtë ngjarje janë shpallur në kërkim ( vëllezërit) si autorë të dyshuar, konkretisht shtetasit:

1.Henerik Niklekaj, 22 vjeç, banues në fshatin Cërrnicë,Tropojë.( i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale).

2.Fitim Niklekaj, 24 vjeç, banues në fshatin Cërrnicë,Tropojë.( i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale).

Gjithashtu është shoqëruar njëri nga vëllezërit si bashkëpunëtor i dyshuar në ketë ngjarje, konkretisht shtetasi, Kastriot Niklekaj si dhe disa shtetas të cilët janë pyetur në cilësinë e personave që tregojnë rrethanat e hetimit.

Vazhdojnë veprimet hetimore dhe operative intensive për kapjen e shtetasve dhe vënien para përgjegjësisë ligjore.

Materialet do ti kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për vepren penale të “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, të parashikuar nga neni 79-të i Kodit Penal.

Shtatorja e Ukshin Hotit ngrihet në Prizren

0

Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, shumë shpejt do të bëhet me shtatoren e veprimtarit dhe intelektualit Ukshin Hoti.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi për media nga Universiteti i Prizrenit, ku thuhet se sot do të bëhet vënia e gurthemelit të shtatores së tij për nder të ditëlindjes së tij të 73-ë.

“Ceremonia e përurimit do të zhvillohet më datën 17.06.2016, në orën 11:00, në oborrin e Universitetit “Ukshin Hoti” – Prizren”, thuhet në njoftim.

Ukshin Hoti, ka lindur më 17 qershor të vitit 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare në Kosovë gjatë viteve të ‘80-a dhe ‘90-a.

Rrëfimi i Maki Begolli, i mbijetuari i masakrës së Dubravës

Ukshin Hoti, ishte arrestuar disa herë për shkak të aktivitetit të tij atdhetar në Kosovë nga regjimi serb, por herën e fundit arrestohet në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të aktiviteteve armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjet për Republikën e Kosovës dhe më pas dënohet 5 vjet burg.

Më 16 maj të vitit 1999, pas lirimit të tij nga burgu dhe pas daljes nga qelia e burgut, Hoti zhduket nga polica serbe pa lenë gjurmë dhe nga ajo datë nuk dihet asgjë për të dhe njerëzit që e kanë parë të gjallë kanë qenë vetëm shokët e burgut dhe të burgosurit e tjerë të cilët kanë treguar se Ukshini, ishte liruar nga burgu ditën e diel, një ditë jo e zakonshme për lirimin e të burgosurve.

Në Dragash, përurohet shtatorja e Adem Jasharit

0

Është përuruar shtatorja e komandantit legjendar Adem Jashari në qendër të qytetit të Dragshit.

Rifat Jashari, vëllai i komandantit, para të pranishmëve ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për krijimin e saj.

“I falënderoj të gjithë ata që kanë punuar dhe kontribuar për shtatoren e Ademit. Lavdi të gjithë dëshmorëve, bijëve dhe bijave që derdhën gjakun për këto ditë që po gëzojmë sot”.

Charlotte zhvishet për ujë

0

Është periudha kur njerëzit konsumojnë më shumë ujë. Kompania Aqau Daemon ka gjetur momentin dhe personin e duhur për të reaklamuar produktin e saj.

Charlotte Crosby, e cila njihet për linjat e saj, ka vendosur të zhvishet për të shitur sa më shumë ujë. 26-vjeçarja doli topless për të reklamuar markën e ujit Aqau Daemon.

Fakti që tani është verë dhe njerëzit konsumojnë gjithmonë e më shumë ujë, kompanitë detyrohen të bëjnë reklama sa më tërheqëse për vëmendjen e konsumatorëve.

Ndarja dhe çka mbetet pas saj

0

Të rralla janë veprat letrare, e qoftë edhe ato artistike, shqiptare në të cilat nuk shpërfaqet kriza psikike e autorit mbi tradhtinë e femrës ndaj mashkullit. Sigurisht, kjo është e kushtëzuar prej kontekstit dhe përvojës dhe sigurisht që kjo është edhe krizë universale, por ajo që ndryshon në letërsinë shqiptare, sidomos në atë më bashkëkohore kur edhe ka filluar të trajtohet më me seriozitet, është se burimi i veprës është i papërvojë dhe të shumtën e herëve i motivuar nga patriarkalizmi dhe i kushtëzuar nga frika e përballjes me vetë krizën dhe femrën.

Mirëpo pak më thellë, sepse nuk janë të gjithë shkrimtarët Don Juan dhe Kazanova, problemi është në frikën e autorëve për të qenë të sinqertë ndaj frikës së tyre, mungesës dhe lexuesit në të vërtetë.

Haruki Murakami (jo me dëshirën e tij) është bërë një prej shkrimtarëve dhe artistëve bashkëkohorë më të njohur në botë, pikërisht me veprën e tij “Norwegian Wood”, (Druri Norvegjez (është fjala për llojin e drurit të njohur me këtë emër në anglishte)) e cila trajton dashurinë ndërmjet shokut dhe të dashurës së një personazhi i cili ka bërë vetëvrasje. Dhe është pikërisht sinqeriteti ndaj personazheve dhe respekti ndaj tyre, dhe ndaj tërë ankthit, tragjikes së frikës në dashuri në mes të një djali dhe një vajze, që e kanë bërë këtë vepër të Murakamit bibël të rinisë në tërë botën. Dhe për më shumë mentaliteti japonez i cili është tejet konservativ dhe në kohën kur është shkruar kjo vepër vetëvrasja, ndalimi dhe virgjëria e femrës kanë qenë çështje tejet të rënda për t’u shtjelluar në këtë shoqëri, e bëjnë edhe më të rëndësishme këtë lidhje dashurie.

Në letërsinë tonë shqipe, është një tregimi i Kadaresë, ku dy personazhet (megjithëse shumë qartë dallohet këtu vet autori apo alterego i tij) një student shqiptar dhe një vajzë ruse, shtrirë në një fushë në periferinë e Moskës, dhe me aeroplanët të cilët fluturojnë mbi këta dy, janë duke pritur ditën e nesërme duke u zvarritur nëpër aurën e dashurisë së këtij çifti. Dhe është pikërisht dita e nesërme kur këta dy do të ndahen përgjithmonë.

Në tërë tregimin çdo objekt, çdo lëvizje dhe çdo vizion ka zërin e tij/saj dhe tingëllojnë sikur nota të një prej fenomeneve mbi të cilin është ndërtuar një pjesë e madhe e letërsisë, dhe që është ndarja e të dashuruarve. Tregimi është situatë, me fundin që dihet, dhe i cili motivon tërë tregimin.

Kadare e shumëfishon sinqeritetin autorial dhe të personazheve përmes kontekstit dhe përmes po këtyre zërave, duke krijuar një zonë tejet seksuale dhe me këtë të paharrueshme. Dhe është pikërisht kjo zonë që penetron tej në lexuesin si një fenomen i bukur dhe tragjik. Mirëpo, pikërisht mbi këtë zonë të bukur dhe të paharrueshme autori ka një qëndrim tejet të sinqertë dhe të hapur, dhe me këtë arrin të përjetësoj për të gjithë lexuesit dhembjen e ndarjes së të dashuruarve.

Ndërkaq, në krahasim, kjo situatë e këtij tregimi, me romanin “Prilli i thyer”, në të dytën ka një ndarje “platonike” ndërmjet personazhit të Dianës dhe Gjorgut. Megjithëse këta dy as nuk arrijnë të shkëmbejnë asnjë fjalë, dhe megjithëse çdo gjë ndërmjet këtyre dy personazheve ndodh në nivelin platonik, kjo është një ndër lidhjet (platonike) më të thella, më të bukura dhe më të ndjeshme në letërsinë moderne.

Derisa në tregimin: dashuria dhe ndarja janë reale dhe të pandalshme, në Prilli i thyer ndodh e kundërta, aty dashuria mbetet iluzore, e parealizuar dhe e pakonsumuar, dhe pikërisht për këtë ndarja është edhe më e dhembshme për shkak të mosrealizimit.

Duke e marrë në konsiderim ndarjen e të dashuruarve si një nga temat shtyllë të letërsisë, duket sikur lexuesit dhe shkrimtarët kanë një pakt të “lëndimit” të njëri-tjetrit përmes shtjellimit të dashurive burrë/grua të cilat janë të mallkuara për ndarje. Është sikur mazohizëm, (ndoshta edhe sadizëm), i shkrimtarëve dhe lexuesve për të krijuar situata, zona dhe përjetime tragjike për njëri-tjetrin.

Ndarja e të dashuruarve, përpos asaj që na mëson historia e estetikës dhe kritika prej Aristotelit e këndej, për bukurinë e tragjikes dhe fisnikërinë e saj, dhe sidomos për katarzën që e prodhon ajo, është edhe një prej përvojave më të vërteta të njeriut.

Në kritikën moderne ka edhe një term për këtë fenomen që njihet si strukturë e “unrequitted love”, pra dashuri e papërmbushur . Dhe është pikërisht ky fenomen në këtë strukturë që e krijon Kadare në këto dy vepra. Megjithëse në logjikën esenciale të njeriut kjo do të duhej të merrej sikur mazohizëm, apo vetëmundim, kjo në të vërtetë është një prej fenomeneve letrare më të bukura dhe më të eksploruara në histori të letërsisë.

Psikanaliza këtë strukturë e merr si shëmbëllim të strukturës së fëmijës me nënën, me ç’rast fëmija, prej të qenët një me nënën (Lacan), pra pa mundësi dallimi të vetes nga nëna, në përvojën e tij/saj kalon deri te ndarja dhe nënshtrimi ndaj babait në fazën e Kompleksit të Edipit. Dhe pikërisht për këtë arsye fëmija/shkrimtari vazhdimisht e përsërit këtë “dashuri të papërmbushur” për të rikrijuar dhe për të ripërjetuar dhe ribashkuar me nënën në fëmijërinë e tij/saj. Apo thënë ndryshe, njeriu është i mbyllur brenda kësaj strukture universale të njeriut.

Ky fenomen i ndarjes dhe “dashurisë së papërmbushur” vazhdon tërë jetën tonë. Shembulli i filmit tanimë të zgjedhur si më i rëndësishmi në historinë e kinematografisë, pra filmit Vertigo të Alfred Hitchckok, shpreh më së miri këtë strukturë të pakalueshme. Në këtë film, personazhi kryesor pëson ndarjen tragjike me vdekjen e të dashurës së tij. Dhe ky i mbetur në këtë mungesë, në obsesion dhe në ankth nga kjo mungesë, arrin të gjejë, gruan më të përafërt me të dashurën e tij, dhe gati se dhunshëm e shtyn po të njëjtën të ndërrojë çdo pamje të saj, derisa ajo nuk ndryshon dhe nuk shndërrohet në të dashurën e vdekur (sigurisht filmi ka kthesa dhe zhvillime të tjera, por kjo është struktura thelbësore e filmit). Ajo që ndërdijshëm artikulon filmi, është ankthi ynë ekzistencial dhe obsesioni për të mbetur dhe për t’u kthyer brenda strehës së nënës, strehë të cilën Julia Kristeva e definon si “chora”, e që është “trupi” psikik i nënës.

Pak më tutje, ajo që nënkupton ky shtjellim është determinimi dhe fati i njeriut në botë. Dhe dashuria e papërmbushur, apo ndarja e të dashuruarve, është përsëritja e përpjekjes së njeriut për të gjetur një strehë, një shtëpi dhe një “zonë” të përjetimit dhe rikthimit të dashurisë infantile. Dhe është pikërisht ky konflikt pozitiv që e buron tërë jetën tonë deri në momentin fundit.

Në tregimin “Gjurmët e gjakut tënd mbi dëborë” të Marquez, ndodh një ndarje tejet tragjike që e thyen lexuesin shpirtërisht dhe estetikisht. Bëhet fjalë për lidhjen e dashurisë në mes të djalit i cili ka pasur baba të pushtetshëm në të kaluarën dhe i cili tanimë është njëlloj gangsteri, dhe të vajzës së një pushtetari aktual (brenda kohës kur zhvillohet ngjarja), dhe e cila përfundon tragjikisht me vdekjen e vajzës. Megjithëse tregimi ka kontekst tejet të gjerë, duke përfshirë sistemin e korruptuar në Amerikë Latine, dallimin dhe logjikën e pakuptueshme të Europës Perëndimore në sytë e djalit gangster nga Amerika Latine etj., struktura esenciale e tregimit është dashuria e papërmbushur e cila krijon tragjiken në shërbim të së bukurës dhe të fisnikërimit të lexuesit.

Tregimi “Gjurmët e gjakut tënd…” në njërën anë rikrijon dashurinë ideale, romantike ndërmjet dy shtresave të shoqërisë, asaj të ultë dhe të lartë, dhe në një mënyrë përmbush – dëshirën – tonë esenciale për bashkimin me “chora”, në anën tjetër krijon masat (atmosferën tropikale, borën, etj) asociative të universit i cili në dallimet dhe në kundërshtitë me ne, është i pandjeshëm ndaj ëndrrës/dëshirës sonë për dashuri ideale.

Pikërisht gjurmët e gjakut mbi bardhësinë e borës në këtë tregim udhërrëfen poetikisht fatin e pamundshëm të dashurisë ideale dhe fundin e saj. Tregimi përfundon në kaosin e Parisit, me vdekjen e të dashurës, dhe vetminë e djalit në botën e rregullave dhe të sistemit të njeriut, derisa po i njëjti djalë ka ardhur prej një rendi rregullash dhe sistemi që ende është i paparashikueshëm, dhe pikërisht kjo shpërfaq pamundësinë e njeriut përballë pandjeshmërisë së botës, dhe izolimin e tij brenda strukturave të përhershme në psikën tonë, siç është dashuria ndërmjet fëmijës dhe nënës.

Në të gjithë këta shembuj, dashuria e papërmbushur, shprehet dhe është shteg i tërë psikës sonë i themeluar qysh në fëmijërinë tonë më të hershme. Pikërisht këtu fillon frika, ankthi dhe obsesioni i shkrimtarit i cili përballet me pandihmëshmërinë e tij në raport me strukturat paraprirëse, përcaktuese dhe formësuese të tij dhe përmes letërsisë tenton të rikrijoj (lexo: përsëris) dashurinë në lumturinë dhe tragjiken e saj.

Ismail Kadare si rrallë ndonjë shkrimtar ka arritur që të vendosë personazhet e tij përballë kësaj pandihmëshmërie të njeriut. Në ballafaqim të dy veprave të lartcekura të Kadaresë, në tregimin dhe në romanin “Prilli i thyer”, arrin të rikrijohet dashuria, mirëpo në të dyjat historia e tyre zhvillohet duke pasur fundin tragjik të paracaktuar, qoftë duke e pritur mëngjesin e ndarjes (tregimi), dhe qoftë duke e pritur ngujimin (vdekjen). Në të dyja veprat, fundi, si largimi dhe vdekja/ngujimi, janë kushtëzimi më i thellë i mundshëm i personazheve dhe vetë njeriut për të dashuruar. Dhe dashuria, pavarësisht humbjes, thyerjes, tradhtisë dhe ndonjëherë mospërmbushjes, del si strehë dhe ngadhënjim mbi fundin, cilido të jetë ai.

Veprat e cekura në këtë shkrim janë shembuj të dashurive të pazakonshme dhe simbolizuese të fatit tonë si njerëz. Në të gjitha këto, dashuria dhe qoftë edhe me ndarjen e nënkuptueshme, janë ana e mirë e ekzistencës së njeriut, dhe janë zbutja e ankthit tonë të jetës në një botë të pandjeshme ndaj nesh.

Ndarja, në të katër këto vepra ndarja është trauma e të kuptuarit të fatit tonë, qoftë edhe ndërdijshëm, se jemi të përjashtuar njëherë e përgjithmonë nga parajsa e bashkësisë me nënën (sipas psikanalizës), dhe se krejt çka ka mbetur jashtë kësaj parajse jemi ne njerëzit.

Për fund, ndoshta shembulli më i thellë dhe më i vërtetë i njeriut, dhe fatit të tij, është fundi incestuoz ndërmjet personazheve të “Njëqind vjet vetmi” të Gabriel Garcia Marquez. Pas tërë ciklit të jetës, shtresave të njohjes, niveleve të njohjes dhe përvojës në këtë roman, njeriu i kthehet përvojës së tij seksuale dhe të dashurisë përmes incestit të dy kushërinjve. Pikërisht kjo lidhje është edhe “fundi” i botës, siç e njohim, dhe siç e kemin ndërtuar. /Gazeta Shqip/

Prizren: Prezantohet raporti mbi zbatimin e Kodit të ri të Procedurës Penale

0

Dje, në hotel Theranda në Prizren, Misioni i OSBE-së në Kosovë mbajti një tryezë të rrumbullakët me gjyqtarë, avokatë, mbrojtës të viktimave dhe bashkëpunëtorë profesionalënë të cilën u bë prezentimi i një Raporti të lëshuar rishtaz nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, i titulluar “Shqyrtimi i zbatimit të Kodit të ri të Procedurës Penale”.

Ky raport ofron një pasqyrë të përgjithshme të zbatimit të Kodit të ri të hyrë në fuqi në janar të vitit 2013, duke futur kështu ndryshime të mëdha në procedurën penale dhe duke u dhënë role të zgjeruara mbrojtjes dhe prokurorisë, ndërsa gjyqtarëve përgjegjësi dhe kompetenca të reja që u mundësojnë atyre të veprojnë më mirë si mbrojtës të të drejtave të palëve.

Në këtë tryezë morën pjesë rreth njëzet (20) pjesëmarrës. Fjalime hyrëse bënë kryetari Ymer Hoxha, në emër të Gjykatës Themelore të Prizrenit dhe zyrtari ligjor Meriton Pajaziti nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, i cili edhe e moderoi takimin. Më pas u vazhdua me një diskutim përmbajtësor në lidhje me të gjeturat e raportit, të cilat u pranuan në mënyrë konstruktive nga të gjithë pjesëmarrësit.

Raporti jep rekomandime për përmirësimin e zbatimit të këtij Kodi nga institucionet përkatëse, me qëllim të garantimit më të mirë të së drejtës për një gjykim të drejtë. /PrizrenPress.com/

Protestuesit e paktë nuk e lëkundin Ramadan Mujën nga froni

0

Edhe pse i shpallur i fajshëm nga gjykata për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe i vënë përballë protestave qytetare për herën e dytë, Ramadan Muja vazhdon të mos e lëshojë “Jerusalemin e PDK-së”.

Ish-shefi i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tani president i shtetit, duke i dhënë përkrahje Ramadan Mujës të fitojë zgjedhjet në Prizren në vitin 2009, e kishte quajtur këtë qytet si “Jerusalemin e PDK-së” duke treguar qartazi synimin e kësaj partie që me çdo kusht të qeverisë në qytetin më të rëndësishëm të Kosovës pas kryeqytetit.

Dhe, disa vite më vonë, Prizreni vazhdon të mbetet nën kontrollin e PDK-se dhe Ramadan Mujës, megjithëse ky i fundit u dënua me dy vite burgim me kusht dhe iu ndalua ushtrimi i funksioneve publike për 30 muaj pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare më 13 mars të vitit 2014. Që nga ajo kohë atij i kërkohet dorëheqja morale. Ligjërisht kryetari i një komune duhet të jap dorëheqje vetëm në rast se shpallet i fajshëm edhe në shkallën e dytë. Muja ka vendosur që të mos dëgjoj thirrjet për dorëheqje morale por të vazhdoi betejën gjyqësore .

Por, sikur të mos mjaftonte verdikti i gjykatës, Muja u përball dy herë me protesta të prizrenasve, duke e bërë atë kryetarin ndaj të cilit është protestuar më së shumti në Kosovë në këto vitet e fundit.

Fillimisht, disa ditë pas shpalljes së aktgjykimit për të, rreth një mijë protestues u mblodhën afër komunës për të kërkuar dorëheqjen e tij. Në protestë ka pasur edhe përleshje të protestuesve me policinë dhe disa të arrestuar.

Ndërsa të mërkurën, rreth 200 qytetarë u mblodhën për të kërkuar dorëheqjen e tij pas vdekjes së një vajze tre vjeçare nga shembja e murit në një shtëpi të vjetër në Prizren, për renovimin e së cilës Komuna e Prizrenit është vonuar për shkak të një tenderi.

Nëna e viktimës ka fajësuar inspektoratin e komunës për tragjedinë në familjen e saj, ndërsa kryprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha, nuk ka përjashtuar mundësinë që në këtë rast të ketë pasur neglizhencë të autoriteteve meqë komuna ka qenë e njoftuar më herët lidhur me rrezikun që shkaktohet nga disa shtëpi të vjetra.

Por, Ymer Berisha, zëdhënës i Komunës së Prizrenit, i ka thënë Insajderit se Ramadan Muja do të vazhdojë t’i qëndroj besnik votuesve të tij.

“Kryetari i Komunës vazhdon me qëndruar besnik votuesve të tij në zgjedhjet e fundit elektorale dhe konsideron se duke iu shërbyer me politika dhe me vendimmarrje administrative po e mbron interesin e qytetarëve dhe vazhdon me përmbush mandatin,” ka thënë ai.

“Ai është zëri i 36 mijë qytetarëve të cilët me votën e tyre e kanë votuar si kryetar të tyre.”

Në anën tjetër, Hajrullah Çeku nga organizata EC Ma Ndryshe që inicioi protestën, ka thënë se pushteti në Prizren nuk do të japë llogari pa pasur presion qytetar.

“Sa më shumë mobilizim qytetar, aq më pak dit të Ramadan Mujës në krye të Komunës,” ka thënë ai përmes Facebook-ut, duke shtuar se largimin e Mujës nga pushteti “e kemi obligim ndaj fëmijëve tanë.”

Protestës së thirrur nga organizata e tij i janë bashkuar edhe mbi dhjetë organizata të tjera të shoqërisë civile, organizata studentore dhe partia më e madhe opozitare në vend, Lëvizja Vetëvendosje.

Shkëlqim Berisha, aktivist nga Prizreni i Klubit Politik të Studentëve, organizatë që ka bashkëorganizuar protestën e vitit 2014 dhe ka përkrahur protestën e sotme, thotë se , vdekja e Xheneta Gashit është tragjedi e gjithë Kosovës dhe jo vetëm Prizrenit.

Andaj, sipas tij, protestat nuk duhet ndaluar deri në shkarkimin e tij.

“Kjo për arsye se ai është i dënuar nga gjykata për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe po ashtu për shkak të keqqeverisjes në përgjithësi në Prizren”, ka thënë ai për Insajderin.

Ramadan Muja, 77 vjeç, është në krye të Prizrenit që nga vitit 2007, kur në zgjedhjet elektorale kishte arritur të mposhte Lidhjen Demokratike të Kosovës./Insajderi.com

Në Prizren u kërkua dorëheqja e Ramadan Mujës dhe dy ministrave

0

(E plotësuar)  Qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë protestuar sot në qytetin e Prizrenit, me kërkesën për përgjegjësi për vdekjen e vajzës së vogël Xheneta Gashi para pak ditësh në Qendrën Historike të Prizrenit.

Në këtë protestë folën personalitete të ndryshme nga shoqëria civile, të cilët po kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, si dhe dy ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kujtim Shalës, ministër i Kulturës, dhe Ferid Aganit, Ministër i Ambientit.

Qytetarët, përmes një aksioni simbolik në rrugën “Marin Barleti”, kanë lënë edhe vizatime dhe gjëra tjera nëpër gypat e kanalizimit të vendosur pranë shtëpive të vjetra të Qendrës Historike të Prizrenit.

Nis protesta në Prizren, kërkohet drejtësi për vdekjen e trevjeçares

Përfaqësues të OJQ-ve dhe qytetarë të shumtë kanë filluar protestën në Prizren, ku po kërkohet dorëheqja e kryetarit të kësaj komune, Ramadan Muja, ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, pasi që sipas tyre, këta janë përgjegjësitë kryesor për vdekjen tragjike të Xhenetës tre vjeçare.

Përfaqësues të OJQ-ve iu kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Prizrenit dhe qytetarëve të Kosovës që t’i bashkohen protestës për të kërkuar përgjegjësi institucionale për vdekjen tragjike të tre vjeçares.

Me këtë protestë do të përcjellin kërkesën deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët vijnë nga Prizreni që rastin e fundit atë të vdekjes tragjike të Xhenetës ta ngrisin edhe në njërën prej seancave të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë protestë të pranishëm janë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Ismet Kryeziu: Qytetarët e Prizrenit janë të kapur

0

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, kritikoi masën e vogël të qytetarëve që dolën në protestë, që u mbajt sot në qendër të Prizrenit.

“Po e shihni që qytetarët e Prizrenit mungojnë këtu, po e shihni që këtu nuk kemi pushtet në shërbim të qytetarëve. Po e shihni që qytetarët e Prizrenit janë të kapur”, tha Kryeziu, raporton Kallxo.com.

Hajrullah Çeku: Nuk guxojmë të lejojmë më që të kemi institucione të papërgjegjshme

0

Hajrullah Çeku nga organizata EC Ma Ndryshe tha se kërkojnë dorëheqje nga kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ministrit të Kulturës, Kujtim Shala dhe ministrit të Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani.

Ai tha se përmes kësaj proteste kërkojnë nga organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet, pasi me mosveprimin e tyre këta zyrtar shtetëror kanë shkaktuar tragjedi.

“Nuk guxojmë të lejojmë të kemi institucione të tilla të papërgjegjshme”, tha Çeku, duke shtuar se le të shërbejë kjo si pikë kthese ku qytetarët të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet shtetërore, raporton Telegrafi.

Ai tha se mosveprimi i zyrtarëve shtetëror është shkaktar i drejtpërdrejtë i vdekjes së Xheneta Gashit.