20.3 C
Prizren
E diel, 10 Maj, 2026
Home Blog Page 6488

Lidhja e Prizrenit, Meka e shqiptarëve

0

Lidhja e Prizrenit ishte lëvizja e parë e shqiptare e madhe e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut. Të detyruar nga rrethanat specifike të vitit 1878, shqiptarët thirrën një Kuvend Mbarëkombëtar, i cili synonte bashkimin e Shqipërisë.

Pas firmosjes së Marrëveshjes të Shën Stefanit mes Rusisë dhe Turqisë, ku Shqipërisë nuk iu njoh asnjë e drejtë territoriale, dhe në pritje të Kongresit të Berlinit, i cili me shumë mundësi do t’i hiqte hartës shqiptare krahina të shumta, atdhetarët shqiptarë ideuan këtë mbledhje, ku do të shpallnin ndarjen përfundimtare nga sundimi osman. Më 10 qershor 1878 në Prizren të Kosovës, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katër vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Debati mes intelektualëve

Me rastin e përvjetorit të 138-të të LSHP-së dje Prizreni dukej i stolisur me flamuj të Kosovës, flamuj kuqezi dhe flamuj të shteteve që ndihmuan Kosovën. Në sheshin e LSHP-së u mbajt edhe Akademia solemne për të shënuar këtë datë të rëndësishme.

Prof. dr. Ferid Dragaj nga Ulqini foli për rolin e madh të Lëvizjes në politikën e asaj kohe.

“Më lejoni të hap edhe një debat që lidhet me faktin se LSHP-ja kishte një politikë shumë të fortë atdhetare, por nuk kishte lidhje ndërkombëtare”, potencoi Dragaj.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, tha se LSHP-ja ishte njëri ndër projektet më kapitale kombëtare për bashkimin e trojeve shqiptare. Sipas tij, patriotët e Lidhjes nuk kishin dallime fetare, shoqërore dhe krahinore.

Në shënimin e këtij përvjetori kanë marrë pjesë edhe shkrimtarë nga të gjitha trojet shqiptare.

Frymëzim ndër breza

Profesor Remzi Bardhi shprehet se Lidhja e Prizrenit ishte një frymëzim për breza të tërë në rrugën për liri. Ai përmend demonstratat e vitit 1968, të cilat si pikënisje kishin pikërisht objektin e LSHP-së.

“Lidhja e Prizrenit në rininë e qytetit tonë ishte dhe mbeti njëri ndër frymëzimet e pafund për liri”, thotë Bardhi.

Kjo bëri që ky objekt të bëhet halë në sytë e pushtuesve serbë. Kështu jo pa qëllim u dëmtuan edhe bustet e Shaip Pashës, Sylejman Vokshit dhe Mic Sokolit, në maj të vitit 1999. Edhe objekti i LSHP-së nuk do të kursehej nga serbët, por menjëherë pas luftës ai do të ngrihej sërish nga një grup aktivistësh. Tani ky objekt është meka e turistëve shqiptarë nga mbarë trojet shqiptare. Lidhja ende gjallon dhe ende është në kujtesën e secilit, e fortë dhe e qëndrueshme. /Kosova Sot/

Këshilli i Prindërve kundërshton drejtorin e ri të shkollës në Romajë të Hasit

0

Prizreni po e përmbyll një vit shkollor të qetë. Mirëpo, ky përfundim i vitit shkollor ka probleme në emërtimin e drejtorëve në shkolla.

Si rast më eklatant është ai në SHFMU “Bajram Curri” në fshatin Romajë, ku atje është emëruar Refki Demaj. Mirëpo, Këshilli i Prindërve të këtij fshati ka mbledhur 567 nënshkrime, në mbrojte të ish-drejtoreshës Drita Qenaj. Ajo, duke folur për “Kosova Sot”, tha se i është bërë e padrejtë dhe për këtë është ankuar në të gjitha instancat.

Kurse drejtori i Arsimit, Nexhat Çoçaj shprehet se Drejtoria e Arsimit nuk ka menaxhuar me këtë konkurs.

“Këto emërime i ka bërë Zyra e Personelit dhe unë s’kam ndonjë dijeni për këto raste”, ka thënë Çoçaj.

Drita Qenaj tregon se edhe ajo i është nënshtruar testit për pranim në vendin e punës drejtor, mirëpo pohon se nuk është vlerësuar realisht.

Kamerat dhe policia largojnë huliganët nga oborret e shkollave

Ndryshe, siguria në shkollat e Prizrenit është cilësuar e qetë. Zëdhënësi i Policisë, Hazir Berisha shprehet se siguria në shkollat tona është për lakmi.

Ai shprehet se tashmë në shkollat e mesme të këtij qyteti janë vendosur kamerat vëzhguese, kurse edhe sigurimet që mbikëqyrin objektet shkollore kanë kontribuar dukshëm që kjo siguri të shtohet në shkolla.

“Mbi të gjitha, ajo që duhet veçuar është fakti që policia ka shtuar vizitat dhe kontrollimet nëpër shkolla”, ka thënë Haziri, duke shtuar se një brengë që ka qenë më herët rreth qenve endacakë tanimë nuk është prezente.

Në banjat e shkollave pihet duhan nga nxënësit Drejtori i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Prizren “Luçiano Motroni”, Samir Krasniqi, shpjegon se shkolla ka qenë shkollë e qetë.

“Prania e policisë dhe e kamerave vëzhguese kanë bërë që huliganët e rrugëve të mos sillen më nëpër oborre shkollash dhe siguria mund të them se është e mirë”, ka thënë drejtori Krasniqi.

Por, nxënësit kanë ankesa lidhur me mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe rregullit brenda objekteve. Nxënësit Albina Mehmeti, Fitim Gashi dhe Mirlinda Jetullahu tregojnë se në shkolla ka siguri, por ata ankohen më shumë se në banjat e shkollave pihet duhani. /Kosova Sot/

Medveci i Prizrenit, në hall me kanalizimet që hidhen në lumë

0

Fshati Medvec shtrihet 20 kilometra larg Prizrenit dhe numëron mbi 200 shtëpi. Ky fshat kufizohet me komunën e re të Mamushës.

Qemajl Krasniqi, kryetar i fshatit, pohon se kjo zonë ka resurse të mira për zhvillimin e bujqësisë.

“Edhe tani po të punohet toka jetohet mirë, por ja që s’po mundemi më të merremi me tokën”, thotë Krasniqi.

Banori Izet Elshani, një aktivist i vjetër i këtij rajoni, shprehet se banorët kryesisht merren me bujqësi, por jo në mënyrë intensive si bëhej dikur.

“Dikur ne ishim prodhuesit më të njohur të rasateve në gjithë Kosovën, kurse tani besoni secila familje që mbjell ndonjë rrënjë perime, edhe rasatin e vet nuk e mbjellin, por e blejnë”, na thotë Elshani.

Lënia anash e bujqësisë Fshati ka edhe shkollën, por numri i nxënësve ka ardhur duke u rralluar. Hamëz Krasniqi, drejtor i shkollës në fshatin Medvec, shpjegon se aktualisht ka 242 nxënës dhe një staf prej 20 vetash.

“Është fatkeqësi që tashmë kurbeti po rëndën gjithnjë e më shumë fshatin tonë”, thotë Krasniqi, duke shtuar se janë jo më pak se 70 familje që gjenden jashtë Kosove si në Itali, në Gjermani e në Zvicër.
Studenti Kushtrim Krasniqi udhëheq një kompani të vogël, por shprehet se jeta nuk është si dikur në fshat.

“Para lufte këtu ka pasur plot jetë, veçanërisht në mesin e të rinjve, por tash mund të them, se kjo neve na duket si ëndërr. Të rinjtë e fshatit tash të gjithë ikin”, thotë Kushtrimi.

Edhe kryetari Qemajl Krasniqi shprehet se numri i familjeve po vjen duke u zvogëluar nga vitit në vit, derisa edhe ato që kanë mbetur pak merren me bujqësi.

“Vërtet toka është po ajo dhe nga kjo tokë e butë dhe e mirë vërtet mund të jetohet”, thotë Krasniqi.

Ai rrëfen se në afërsi të këtij fshati ndodhen edhe “Lisat e Zojzit”, që ishin vendtakim i burrave të Përdrinisë, ku bëheshin pajtimet e mëdha. Sipas tij, nga të gjitha fshatrat e Përdrinisë, edhe pse ka shpërngulje, megjithatë vazhdojnë ndërtimet e shtëpive të reja. Si rrjedhojë, edhe kërkesat për ujë të pijshëm janë të mëdha

Banorët kanë shumë ankesa Rruga lidhëse nga magjistralja Prizren-Gjakovën që lidhet përmes fshatrave Piranë-Zojz-Medvec-Mamushë, ka pësuar dëmtime të rënda dhe të thuash se mezi kalohet. Ky asfalt ishte i paraluftës edhe atë i viteve të hershme, tash ka aq shumë dëmtime, saqë rregullimi dhe shtrim i asfaltit të kësaj rruge është domosdoshmëri. Nëse kjo rrugë asfaltohet, do të lehtësonte jetën e banorëve, derisa nuk përjashtohet mundësia edhe lidhjes në ndonjë rruge alternative më të afërt me Prizrenin. Shqetësim për banorët paraqet lumi “Topllua”, i cili di të tërbohet dhe të bëjë dëme në fushat e këtij fshati.

Kryetari Qemajl Krasniqi shprehet se gati gjysma e tokës është lënë djerrinë.

“Si problem tjetër është edhe dëmtimi i shtratit të lumit “Toplluha”. Nga ky lumë në të kaluarën janë ujitur me qindra hektar tokë bujqësore, mirëpo tani me derdhjen e ujërave të zeza në lumë u është pamundësuar që këto toka të ujiten. Degradimi i këtij lumi ka filluar mbas lufte, sepse shumica e fshatrave të Suharekës, një pjesë e fshatrave të Rahovecit dhe komuna e Mamushës i derdhin ujërat e zeza. Gjithashtu shtrati i lumit është dëmtuar edhe nga nxjerrja e zhavorrit aty- këtu, dhe si pasojë e kësaj në disa vende është ngushtuar nga drunajat dhe gjësendet e tjera, dhe për pasojë gjatë dimrin janë vërshuar dhjetëra hektarë tokë të mbjella me grunaja dhe spinaq etj”, thotë Krasniqi.

Sa i përket infrastrukturës së fshatit, është investuar mjaft, por duhen edhe investime të tjera.

“Aktualisht, fshati ka nevojë për ndërtimin e sistemit të ujitjes për tokat bujqësore, pastaj kërkesa e komunitetit për ujësjellësin nga sistemi i Radoniqit dhe riparimi i kanalizimit dhe shtrimi i disa rrugëve me kubëza betoni”, thotë kryetari Qemajl Krasniqi. /Kosova Sot/

Vdes kosovari në një aksident në Rrugën e Kombit

0

Në autostradën Shqipëri – Kosovë, ndryshe e njohur si “Rruga e Kombit” ka ndodhur një aksident i rëndë, nga i cili ka mbetur i vdekur një person.

Sipas pamjeve të cilat kanë qarkulluar në rrjete sociale shihet se i vdekuri është në timon të automjetit nga Kosova, që mban regjistrimin 01-203 IA. Sipas Panorama.al, thuhet se të lënduar kanë mbetur gruaja dhe një gjashtë vjeçar, të cilët janë transportuar për në Tiranë.

“Si pasojë ka mbetur i vdekur drejtuesi i mjetit Renault shtetasi Melazim Bytyqi, banues në Leshan Kosove, 51¬ vjeç dhe janë dëmtuar shtetasja B.M. 31 vjeçe dhe 1 fëmijë 6¬ vjeç që ndodheshin pasagjerë në mjetin Renault, të cilët janë nisur për në Qendrën e Traumave Tiranë”, njofton policia.

Kurse nga automjeti tjetër që është e regjistrim të Shqipërisë është lënduar një person që po trajtohet në Spitalin e Rrëshenit.

Protestë për tragjedinë e Prizrenit, kërkohet dorëheqje dhe përgjegjësi penale

0

Njëmbëdhjetë organizata jo-qeveritare (Academy for Training and Technical Assistance, Autostrada Biennale, DokuFest, EC Ma Ndryshe, Fondacioni Legatum, Fondacioni Lumbardhi, Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Institute for Sustainable Development of Youth, Instituti Demokratik i Kosovës, Organizata e Personave me Distrofi Muskulare, X40 – 40 Bunar) kanë ftuar të gjithë qytetarët e Prizrenit dhe Kosovës që të bashkohen në protestë, ku do të kërkohet llogari nga institucionet lokale dhe qendrore për vdekjen e tre vjeçares, Xheneta Gashi në fillim të javës në Prizren.

Protesta do të mbahet më 15 qershor, në Sheshin Shadërvan të Prizrenit, duke filluar në orën 12.00, raporton PrizrenPress.

Protesta qytetare do t’i ketë dy kërkesa: dorëheqjen e Kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe dy ministrave të qeverisë së Kosovës, atij të kulturës dhe atij të planifikimit hapësinor, si dhe ndjekjen penale të të gjithë përgjegjësve institucional që me mosveprimin e tyre shkaktuan tragjedinë. /PrizrenPress.com/

Arrestohet një person në Zhur të Prizrenit

0

Në fshatin Zhur të Prizrenit është arrestuar një person, dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.

“Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga gjykata Themelore Prizren, është arrestuar një mashkull k/shqiptar dhe i njëjti është dërguar në vuajtje dënimi në burgun e Prizrenit”, njofton Policia e Kosovës, raporton PrizrenPress.

Edhe në Suharekë është arrestuar një mashkull shtetas i Shqipërisë. I njëjti me vendim të Gjykatës së Apelit është dërguar në vuajtje dënimi në burgun e Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Suharekë: Burri ushtron dhunë ndaj bashkëshortes

0

Një femër nga Suhareka ka raportuar në Polici se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj saj, raporton PrizrenPress.

Sipas Policisë, i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Në Vërmicë arrestohet një shtetase e Shqipërisë pasi kalon ilegalisht kufirin

0

Në Pikë Kalimin Kufitarë në Vërmicë është arrestuar e dyshuara femër, shtetase e Shqipërisë, nën dyshimin se e njëjta ka kaluar ilegalisht kufirin Shqipëri-Kosovë, njofton PK-ja, raporton PrizrenPress.

E njëjta me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Aksident në Suharekë: Vetura futet në një mur shtëpie

0

Policia e Kosovës njofton se mbrëmë, rreth orës 23:30, një person derisa drejtonte veturën e tij nga pakujdesia ka humbur kontrollin duke përfunduar në një mur shtëpie në fshatin Reqanë të Suharekës, raporton PrizrenPress.

Sipas Policisë, përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar dy meshkuj. Njëri prej tyre është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Prizrenit. /PrizrenPress.com/

Remzie Osmani: ‘Fale dashurinë’ (Video)

0

Këngëtarja Remzie Osmani ka lansuar këngën e saj më të re.

Fjala është për projektin muzikor të titulluar ‘Fale dashurinë’ që u lansua mbrëmë për gjithë simpatizuesit e saj.

Kënga është finalizuar edhe me klip në të cilin këngëtarja dukej tejet ekstravagante.