8.4 C
Prizren
E shtunë, 2 Maj, 2026
Home Blog Page 6584

Mustafi flet për të ardhmen

0

Reprezentuesi i Gjermanisë, Shkodran Mustafi e ka lënë të hapur mundësinë që në fund të këtij edicioni të largohet nga skuadra e Valencias.

Për shërbimet e Mustafit interesim kanë shprehur shumë skuadra të mëdha të Evropës si Bayern Muencheni, Manchester Unitedi, Barcelona, Real Madridi e Atletico Madridi.

Ndërsa, së fundi në garë për shërbimet e tij, janë futur edhe Juventusi, Liverpooli e Borussia Dortmundi. Mustafi 24-vjeçar ka kontratë me Valencian deri në verën e vitit 2019.

“Mund të ndodhë që largimi nga Valencia të jetë një çështje në fund të këtij edicioni. Nëse largohem, më së miri do të jetë për mua të shkoj në një klub ku nuk do të më duhet të mësoj një gjuhë të re”, është shprehur Mustafi, i cili, krahas gjuhës shqipe, njeh edhe katër gjuhë të tjera.

“Në Gjermani jam rritur. Kam luajtur në Angli, Itali dhe tash në Spanjë, kështu që nuk do të jem problem që të vazhdoj karrierën në njërën prej këtyre ligave”, ka theksuar ai.

Bale dridh Realin

0

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka marrë një lajm të keq para ndeshjes me Valencinë, e cila luhet të dielën.

Sipas të përditshmes sportive madrilene, Marca, Bale nuk do të mund të luajë në ndeshjen ndaj Valencisë.

Ish anëtari i Tottenhamit ka lënduar gjurin e majtë në fitoren e Realit ndaj Manchester Cityt (1:0) në Ligën e Kampionëve

Sipas Marcas ky lëndim është i vogël, por Bale nuk do të luajë pasi i duhet Realit për finalen e 28 majit kundër Atletico Madridit.

Shaqiri e Xhaka s’luajnë për Kosovën

0

Ish-selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld ka thënë se nuk beson që Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka do të luajnë për Kosovën.

Pranimi i Kosovës në UEFA është bërë temë debati edhe në Zvicër, të cilin vend e përfaqësojnë yjet kosovar si: Valon Behrami, Xhedan Shaqiri e Granit Xhaka. Anëtarësimi i Kosovës në UEFA është bërë kërcënim për zviceranet, pasi mund të mbesin pa lojtarët e lartpërmendur.

Por, ish selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld nuk mendon se Shaqiri e Xhaka do të luajnë për Kosovën.

“Së pari duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të vendos Kongresi i FIFA-s dhe më pas do të vendosin nëse lojtarët që kanë luajtur për një vend tjetër, mund të luajnë tani për tani për Kosovën, apo pas dy ose pesë vitesh”.

“Kombëtarja është e paprekur, është krijuar atmosferë e mirë. Ata janë të lumtur kur e shohin veten e tyre aty. Janë rritur që nga fëmijëria së bashku, prandaj jam i bindur se Xherdani dhe Graniti do të vazhdojnë me Zvicrën”.

“Unë mund ta imagjinoj se sa të vështirë e kanë ata. Kjo është si të jesh në familje dhe të diskutosh për fëmijën tuaj. Të luaj për rrënjët e tua, apo për vendin ku je rritur. Është çështje e ndërgjegjes tuaj. Nëse ata i kushtojnë vëmendje karrierës së tyre, me Kombëtaren zvicerane shanset i kanë për suksese më të mëdha. Nëse zgjedhin Kosovën, kjo është gjë emocionale”.

EC Ma Ndryshe thërret Qeverinë të ndërhyjë në Qendrën Historike të Prizrenit

0

Organizata Jo-qeveritare EC Ma Ndryshe, nëpërmjet një komunikate, ka reaguar edhe një herë ndaj gjendjes aktuale në Qendrën Historike të Prizrenit.

Rrënimi i objekteve të vjetra, që gëzojnë mbrojtje në bazë të legjislacionit në fuqi, nuk po ka të ndalur në Qendrën Historike të Prizrenit. Rasti i fundit, i shkatërrimit të vlerave të trashëgimisë kulturore në këtë zonë të mbrojtur ka ndodhur të enjten në rrugën “Marin Barleti”. Sipas autoriteteve në të njëjtën rrugë ka edhe disa objekte të tjera që janë në prag të kolapsit.

Sipas EC Ma Ndryshe, tashmë ka kaluar kohë e konsiderueshme që prej se shteti nuk po ndërmerr veprime të duhura për ruajtjen e konservimin e këtyre ndërtesave, që paraqesin vlera të çmuara të trashëgimisë arktiketonike të Prizrenit.

Objektet në rrugën “Marin Barleti”, që kryesisht janë rezidenciale, tashmë janë në shkatërrim e sipër. Të gjitha këto objekte kanë status të mbrojtjes ligjore dhe bëjnë pjesë në Kompleksin e Nënkalasë, Pantelisë dhe Potok Mahallës, pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme (me numër unik të databazës 002983). Të njëjtat gëzojnë mbrojtje ligjore, bazuar edhe në nenin 4 paragrafi 2 të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, ku theksohet se “Qendra e mbrojtur historike e Prizrenit, si pronë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje përfshihet në listën e trashëgimisë kulturore, në mbrojtje të përhershme të Republikës së Kosovës”.

Dhe tani është koha e fundit që institucionet e shtetit të Kosovës ta vënë në veprim këtë status të mbrojtjes ligjore. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk mund të qëndrojnë më indiferente në raport me zhvillimet e fundit në Qendrën Historike, e as të presin veprime nga Komuna e Prizrenit, e cila është treguar e pavullnetshme prej vitesh në këtë drejtim.

Prandaj, EC Ma Ndryshe i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë në Qendrën Historike, zonë në të cilën gjendja është jashtë kontrollit dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore ka arritur përmasa alarmante.

Intervenimi urgjent është i nevojshëm sidomos në objektet në rrugën “Marin Barleti”, në mënyrë që ato të shpëtohen në afatin sa më të shkurtër kohor. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me organet tjera duhet të ndërmarrë veprime emergjente për parandalimin e shkatërrimit të mëtejmë të objekteve të vjetra në Qendrën Historike dhe të investojë në konservimin e tyre.

Në buxhetin e MKRS-së për vitin 2016 figuron se për Masat Preventive, intervenime emergjente janë të ndara 200 mijë euro. Gjatë vitit të kaluar, kjo Ministri nuk ka investuar asnjë cent nga ky buxhet në Qendrën Historike të Prizrenit, edhe pse gjendja e shumë objekteve tashmë disa vite është tejet e rënduar. Prandaj, EC Ma Ndryshe bën thirrje që MKRS urgjentisht t’i alokojë këto mjete për intervenime emergjente në Qendrën Historike të Prizrenit. Në të njëjtën kohë kërkon që Qeveria e Kuvendi i Kosovës të angazhohen për gjetjen e mjeteve shtesë gjatë procesit të rishikimit të buxhetit vjetor.

EC Ma Ndryshe përsërit thirrjen për ndjekjen penale të rasteve të dëmtimit të trashëgimisë kulturore. Ngathtësia e gjyqësorit për t’i trajtuar këto raste është inkurajim i drejtpërdrejtë për përsëritjen e veprës penale “dëmtim i trashëgimisë kulturore”. Përkundër dhjetëra rasteve të raportuara viteve të fundit, deri në këtë moment nuk ekziston asnjë vendim gjykate për dëmtimin e trashëgimisë brenda Qendrës Historike.

Përveç dëmit të madh ndaj trashëgimisë kulturore të vendit, rastet e fundit të shkatërrimit si dhe përsëritja eventuale e këtyre skenarëve do të ndikojnë edhe në forcim të argumenteve të kundërshtarëve të Kosovës për procesin e anëtarësimit në UNESCO.

“EC Ma Ndryshe” në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale. /PrizrenPress.com/

Prizren-Shtepia e rrenuar1 Prizren-Gjendja ne Rrugen Marin Barleti Prizren-Gjendja ne Rrugen Marin Barleti1

Arrest shtepiak për Ajtene Krasniqin

0

Departamenti i Përgjithshëm Penal i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur 30 ditë arrest shtëpiak ndaj të pandehurve  me iniciale A.K. dhe O.K.  nga Prizreni.

Masa e arrestit shtëpiak  i caktohet për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje  kanë  kryer veprat  penale ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike nga neni 262 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së, dhe veprës penale në bashkëkryerje prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore të parapara nga neni  266 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së.

“Masa e arrestit shtëpiak do të llogaritet në kohëzgjatje prej 30 ditëve prej datës 04.05.2016 nga ora 14:00 dhe do të zgjasë   deri me datën 03.06.2016”, njofton zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

“Të   pandehurit  dyshohen  për shkelje të Kodit Penal,  se me datë të pavërtetuar e deri me datën 04.05.2016 ku e pandehura me iniciale A.K. si pronare e biznesit privat “Ajtene Krasniqi BI” në Prizren, në bashkëpunim me të pandehurin me iniciale O.K. pa autorizim të nevojshme ligjore kryejnë shërbime farmaceutike dhe aktivitete të tjera mjekësore duke prodhuar barna të dëmshme dhe të palicensuara me qëllim të shitjes duke e dëmtuar shëndetin e njerëzve”, ka bërë të ditur Kicaj. /PrizrenPress.com/

Nxënësit e Qendrës së Kompetencës në Malishevë, prezantojnë të arriturat e tyre

0

Sot në Qendrën e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë, është mbajtur aktiviteti tradicional i kësaj qendre të arsimit të mesëm profesional, “Dyert e hapura”, ku nxënësit e saj, i kanë prezantuar të arriturat e tyre, gjatë këtij viti shkollor.

Në këtë aktivitet, mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i arsimit, Avdi Morina, të cilët edhe i kanë uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për këto të arritura.

Nxënësit e kësaj Qendrës së Kompetencës, i kanë prezantuar të arriturat e tyre në fushat e Administratës, Teknologjisë Informative (TIK), Hotelerisë dhe Turizmit, Logjistikës, Banka dhe shërbime të sigurimeve, dhe në Shitje dhe Marketing. Nxënësit e këtyre drejtimeve, në këndet e krijuara, në formë të panaireve, i kanë prezantuar njohuritë e fituara gjatë këtij viti shkollor, si dhe i kanë prezantuar para të pranishmëve njohuritë e tyre në të gjitha drejtimet, që i ka kjo vatër e shkollimit profesional.

Me këtë rast, kryetari Begaj dhe drejtori Morina, i kanë uruar nxënësit dhe mësimdhënësit, duke i inkurajuar edhe për më shumë angazhim, në shfaqjen e njohurive të fituara, si dhe ju kanë dëshiruara suksese në të ardhmen.

Qendra e Kompetencës “Kujtim Krasniqi” në Malishevë, ka marrë pjesë edhe në panaire të ndryshme, ku i kanë prezantuar të arriturat e tyre në fushat në të cilat ata profesionalizohen.

Në fund të këtij aktiviteti, është mbajtur edhe një koktej rasti, me ushqime tradicionale, të përgatitur nga nxënësit e drejtimit të hotelerisë dhe turizmit. /PrizrenPress.com/

Numër i madh i njerëzve festojnë Shën Gjergjin në Prizren

0

Qytetarë të shumtë të Prizrenit kanë shënuar një nga manifestimet kryesore që mbahet për nder të ditës së “Shën Gjergjit”.

Ata u tubuan pranë Tyrbes së Karabashit për të kremtuar ditën që konsiderohet se ndan periudhën e ftohtë me atë të ngrohtë të vitit.

Për të folur më shumë rreth historisë së kësaj feste i ftuar në Kosova Direkt në emisionin Ora e Fundit ishte historiani, Enver Bahtiu.

“Sot është shënuar Nata e Shën Gjergjit, te tyrbja e Karabashit , dhe Prizreni ka veçoritë e tij kulturore, historike dhe ka këtë festë të trashëguar mileniume me radhë”.

“Dita e Verës ose Shën Gjergji është shumë interesante në qytetin e Prizrenit”.

Bahtiu thekson se kjo ditë është e veçantë sepse ka rrënjët nga lashtësia.

“Ka qenë një ditë e veçantë, ngase kjo festë tërhek rrënjët nga lashtësia dhe tregon se banorët këtu janë vendas pa marrë parasysh se janë ndërruar pushtetet”.

“Popullata këtë festë pagane e ka trashëguar edhe feja katolike e cila e ka futur në kalendarin historik duke e quajtur “Shën Gjergj”.

Bahtiu tregon se gjatë kësaj feste caktohen shumë dasma dhe fejesa.

“Caktohen fejesat dasmat në këtë ditë edhe pse jeta ka ndryshuar prej asaj pagane në katolike”.

Riformatizimi, pas zgjedhjes së Kadri Veselit

0

Zgjedhja e kryetarit të PDK-së po e mban peng riformatizimin e Qeverisë së Kosovës, të paralajmëruar nga kryeministri Isa Mustafa.

Ky i fundit pati thënë se përveç dy posteve që ka lënë zbrazët ish-ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, do ta analizojnë performancën e secilit ministër dhe do të ketë edhe ardhje të tjera në kabinetin qeveritar.

Por, kjo nuk pritet të ndodhë derisa të mos zgjidhet kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës në konventën e 7 majit e që me gjasë do të jetë Kadri Veseli, i cili deri më tani është i vetmi kandidat për të marrë udhëheqjen e PDK-së.

Sipas burimeve të “Zërit” brenda koalicionit qeverisës, kryeministri Isa Mustafa po pret zgjedhjen e Kadri Veselit në krye të partisë më të madhe, në mënyrë që të merren vesh pastaj për emrat që do t’i propozojnë për ministra të rinj. Por, zyrtarisht nga Zyra e kryeministrit thonë se ende po presin koordinimin me partnerin e koalicionit për ta bërë riformatizimin.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, njëherësh zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka thënë për gazetën “Zëri” se ende nuk ka asgjë konkrete, meqë ende nuk janë takuar grupet punuese të dy partnerëve të koalicionit për t’i parë propozimet.

“Kemi parë një gatishmëri të Partisë Demokratike të Kosovës që Enver Hoxhaj të emërohet në postin e ministrit të Punëve të Jashtme. Por, po presim që në ditët në vijim grupet punuese të dy partive, pra partnerëve të koalicionit, të takohen dhe do të diskutojnë për ndryshimet që do të ndodhin në kabinetin qeveritar”, ka thënë Abrashi. Megjithatë, ai nuk ka pohuar, as mohuar se a do të ndodhë të ketë edhe emërime tjera në kabinetin qeveritar. /Zëri/

Duhet t’u prishet rehatia milionerëve

0

“Ne as nuk e kemi një ligj të mirëfilltë për hulumtimin e prejardhjes së pasurisë. Politikanët, që kanë bërë pasuri milionëshe, deri tash kanë shumë rehati dhe se askush nuk ua ka prishur atyre rehatinë. Përkundrazi, ata vazhdojnë të zhvatin e të korruptohen, sepse tash për tash çdo gjë e këtij shteti është në dorën e tyre”, thotë deputeti Adem Salihaj për gazetën “Kosova Sot”

Një nga anët e errëta të sistemit të drejtësisë, por edhe shtetit në përgjithësi është pasurimi i shpejtë i disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe politikanëve dhe pushtetarëve, të cilët kanë arritur që të pasurohen thuajse brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, derisa për mënyrën e sigurimit dhe prejardhjes së kësaj pasurie askush nuk ka ndonjë përgjigje të qartë. Ende nuk dihet nëse shteti do të arrijë të zhvillojë një fushatë pastrimi të sistemit nga pasanikët e jashtëligjshëm,që me afera korruptive, duke trafikuar drejtësinë, i kanë stërmbushur xhepat dhe rritur pasurinë e luajtshme e të paluajtshme . Njohësit e kësaj fushe thonë se një përpjekje e tillë deri më tani ka dështuar që të ndodhë dhe këtu, sipas tyre, duhet të miratohen ligjet edhe për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Politologu Leon Duhanaj, sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Forca e Diasporës për Atdheun dhe anëtar i Organizatës Politike Fraksion+, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se në Kosovë kanë ndodhur shumë gjëra të cilat as nuk janë imagjinuar më parë se do të mund, siç thotë, t’i bënim ne si shoqëri. Megjithatë, Duhanaj thotë se ato kanë ndodhur dhe po ndodhin çdo ditë lëshime apo vepra të kundërligjshme gjithandej. Por, sipas tij, e keqja është se dukuritë e këqija më të përhapura janë në sektorin publik, ku shumë njerëz janë pasuruar jashtëligjshëm, duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare në institucione, derisa nënvizon se kjo dukuri është e përhapur në të gjitha institucionet pa përjashtim..

Rrënohet edhe një shtëpi e vjetër në Prizren

0

Rrënimi i shtëpive të vjetra në Prizren, nuk ka të ndalur në Prizren. Drejtori i OJQ-së “EC Ma Ndryshe” , Hajrullah Çeku në llogarinë e tij Facebook ka informuar për rrënimin edhe të një shtëpie në Qendrën Historike të Prizrenit.

“Sot e humbëm edhe një shtëpi të vjetër në Qendrën Historike të Prizrenit. Dinamika e krimit është në rritje, trashëgimia kulturore po shkatërrohet para syve të gjithëve”, shkruan ai në Facebook.

“Ky është rasti i pestë brenda një muaji. Me mosveprimin e tij, shteti po i hap rrugë edhe rrënimeve të radhës”/PrizrenPress.com/