4.3 C
Prizren
E shtunë, 2 Maj, 2026
Home Blog Page 6585

“Guva e Mrizit” në Muradem të Prizrenit, flet për civilizimin e lashtë Ilir

0

Fshati Muradem, pos bukurive të rralla natyrore, u bë i njohur edhe për pikturimit shkëmbore te “Guva e Mrizit”, apo siç banorët e kanë quajtur “Mrizi i Murademit”. Ato mbishkrime dhe piktura janë zbuluar para një dekade dhe e vetmja gjë që është bërë janë vënë në mbrojtjen e shtetit, por fatkeqësia është se ato tashmë janë dëmtuar nga një dorë ose e paditur, ose e porositur. Dihet fakti se të rrallë ishin fshatrat e sidomos të Dukagjinit që nuk kishin mrizet e tyre ku mrizonin bagëtitë që mos të dërgonin gjatë pikës së vapës në shtëpi, por mrizet kishin edhe ujët për bagëtitë. “Drejtoria e Turizmit i ka marrë në mbrojtje këto piktura shkëmbore të parahistorisë, e tashmë ne do të ndërtojmë për atë vend edhe rrugën. Kjo drejtori do të ndajë 20 mijë euro. Kjo për faktin që atë pjesë të bëjmë të kapshme dhe të vizitueshme për shumë vizitorë që duan të shohin ato bukuri dhe atë lashtësi”, tregon koordinatori i kësaj drejtorie, Shkodran Kryeziu.

Pikturimet shkëmbore parahistorike te “Guva e Mrizit” janë asete në kuadër të Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme të Ministrisë së Kulturës dhe domosdo se ato tashmë kanë edhe vlerë. “Mrizi” jep për të kuptuar se atje që para mijëra vjetësh kishte civilizim”. Plaku nga ky fshat tregon për gazetën se dikur pleqtë thoshin se këtu ishte një shkollë për vizatime si punë akademie. Nga të gjitha trojet shqiptare këtu njerëzit shkolloheshin që të vizatojnë. Kështu e kam dëgjuar nga pleqtë e këtij fshati. Ata thoshin se vinin nga Fishta e Shkodrës. Por, tash ec e tregoju kujt këto gjëra, sepse mendojnë se po tregoj përralla”, tregon plaku me emrin Kurtish. Fshati i bukurisë së rrallë Kryetari i fshatit Muradem, Refki Ademaj tregon se fshati e ka marrë emrin nga i pari i fshatit me emrin Murat dhe vëllai tjetër Ademi, dhe nga këta dy vëllezër ka ardhur toponimi i këtij fshati Muradem. Ai pastaj flet me admirim për “Guvat e Mrizit. “Atje jemi rritur, por nuk e kemi dituar se ai i takon lashtësisë. Tash kjo po na rikthen në civilizim të hershëm”, tregon ai.

Fshati ka një bukuri të rrallë, ndonëse në fillim të pranverës, në ditët e fundjavave, të gjitha shtëpitë e këtij fshati në të ardhmen mund të bëhen strehë apo bujtina për turistë. Janë bukuritë magjike të Murademit, i cili qëndron mbi ujërat e Bushtricës mbi burimet e Drinit të Bardhë, që burojnë nga bjeshkët e këtu kalojnë. “Murademi është fshat turistik. Por, në fshat ende nuk kemi as edhe objekt të shkollës”, pohon Ademaj. Arat me lule erëmira, oborret e bukura dhe ujërat që përshkojnë fshatin mes përmes e që kalojnë edhe poshtë shtëpive, kopshtet me mollë dhe fruta të tjera, i japin fshatit turistik një pamje të rrallë dhe shpeshherë të duket sikur je në përrallat e bukura. Kryetari i fshatit Muradem, Refki Ademaj pohon për gazetën se fshati me këtë bukuri që ka me njerëzit e mirë që i ka ballafaqohet me një problem që duhet të përfundojë sa më parë. “Fshati ka jo më pak se 60 nxënës dhe të gjithë këta udhëtojnë deri në shkollën e fshatit Vlashnje, që i ka në një drejtim katër kilometra e kjo domosdo se rëndon gjithë fshatin. Në ditë fëmijët 7-vjeçar të udhëtojnë nga tetë kilometra në ditë, kjo është e rëndë. Jemi ndoshta i vetmi fshat në Kosovë që kemi 60 nxënës e të mos kemi shkollë”, tregon ai. Mungesa e shkollës është dhembje për të gjithë Refki Ademaj shprehet për gazetën se punësimi në këtë fshat është i pashpresë. “Kemi vetëm një të punësuar në punë shteti, kurse janë jo më pak se 30 për qind e burrave të këtij fshati që punojnë jashtë Kosove. Po të mos ishte kurbeti, mos pyet se si do të shkonte gjendja”, tregon ai. Pohon të ketë shtëpi të reja, sepse vendi është shumë i bukur.

Mungesa e shkollës është dhembje për të gjithë. Andaj, shumica e kurbetçinjve për këtë shkak po i marrin edhe fëmijët me vete. Fshati aktualisht ka 70 shtëpi. Banorët i mban shpresa se fillimi i përkushtimit për “Guvat e Mrizit” ndoshta do ta ofrojnë edhe ndonjë shkollë për fshatin. Nëse edhe kjo bëhet, atëherë banorët do ta ndejnë vetën të gëzuar dhe të rinjtë më nuk do të ikin në drejtim të perëndimit për të lënë vetëm pleqtë aty. Kujt i duhen pleqtë thonë murdamasit. “Rinia jonë të jetë këtu, se ata janë e ardhmja e këtij vendi”, thonë të gjithë ata.

(Kosova Sot)

Liria e Prizrenit, përkohësisht ‘pa kapiten’

0

Kapiteni i Lirisë, Kushtrim Mazreku, është lënduar të mërkurën në ndeshjen ndaj Istogut.

Ai, ka lënduar ligamentin e jashtëm, anësor.

‘Nuk bëhet fjalë për lëndimin që kam pasur para tre vjetësh. Sipas mjekut, ai operim është shumë i suksesshëm dhe lëndimi s’ka të bëjë me lëndimin e vjetër, tashmë të sanuar”.

“Por, të mërkurën sipas mjekut , kam lënduar ligamentin e jashtëm, anësor. Për këtë mjeku më ka dhënë terapi dhe sipas tij kjo mund të kaloj’, ka thënë Mazreku. /PrizrenPress.com/

Ish-komandanti i UÇK-së e TMK-së Selim Krasniqi: U mbushën burgjet me luftëtarë të UÇK-së !

0

Ish-komandanti i UÇK-së dhe Zonës së Dytë të TMK-së në Prizren Selim Krasniqi, akuzon drejtuesit e institucioneve se pas përfundimit të luftës, nuk bënë asgjë për të mbrojtur pjesëtarët e UÇK -së.

Ai thotë se pjesëtarët e UÇK -së, 17 vjet pas luftës, vazhdojnë të ndiqen nga Serbia.

“Janë mbushur burgjet me ish-luftëtarë të UÇK -së. Janë dënuar ushtarë e komandantë të të gjitha zonave duke filluar nga Pashtriku, Dukagjini, Drenica,Llapi e Karadaku”, thotë Krasniqi, shkruan “PrizrenPress”.

Selim Krasniqi gjatë luftës ka qenë komandat i UÇK -së, ndërsa pas luftës i Zonës së Dytë të TMK-së në Prizren.
Ai, bashkë me “Grupin e Prizrenit” është dyshuar për krime të luftës nga UNMIK-u. Pas pesë vitesh të mbajtjes në paraburgim Krasniqi, bashkë me Bedri Zyberajn e Agron Krasniqi, është shpallur i pafajshëm.

Ai thotë se pavarësisht arrestimeve e burgosjeve, pjesëtarët e UÇK-së, vazhdojnë të ndiqen me kërkesë të Serbisë.

“Po vazhdojnë të përndiqen e burgosen ish -luftëtarët në shumë shtete të Evropës me kërkesë të Serbisë”.

Krasniqi ka reaguar pas arrestimeve të fundit të dy ushatërve të UÇK-së në Zvicër

“Në anën tjetër është formuar një Gjykatë Speciale për arrestimin, gjykimin e dënimin e luftëtarëve të UÇK -së”, shkruan Krasniqi në Facebook.

“Këto po na ndodhin edhe pse dihet botërisht, që ne bëmë një luftë çlirimtare, ku ranë shumë dëshmorë”.

“U vranë e u masakruan me mijëra qytetarë. U shkatërrua e u dogj një pjesë e madhe e pasurisë së Kosovës. E pas gjithë këtyre vuajtjeve e sakrificave të tjerët vazhdojnë të na shkaktojnë mjerim duke e paraqitur vetën viktimë”.

“Evropa po sillet sikur të ishim agresor!”.

Por, çfarë bënë liderët dhe drejtuesit e institucioneve tona?

“Në fakt edhe nuk pritet me tepër në kohën kur njerëzit më të mirë nuk mund të jenë në institucionet e krijuara me gjak e sakrificë”.

“Nëpër këto institucione ka plotë të tillë që i kanë shërbyer me devotshmëri Serbisë fashiste”. /PrizrenPress.com/

Mogherini: Kosova tashmë është Evropë

0

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Federica Mogherini, ka thënë se është e lumtur që sot ndan festën me qytetarët e Kosovës.

Ajo ka thënë se rekomandimi nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave e bënë të lumtur duke shtuar se këtë e ka dëshiruar gjatë.

“Sot kemi bërë hap shumë të madh dhe shumë të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Jam e lumtur që qytetarët e këtij vendi janë pjesë e Evropës sepse e di që gjatë e keni pritur”, ka thënë Mogherini.

Mogherini ka thënë se bashkë me institucionet e vendit do të punojnë për integrimin e Kosovës në BE. /ZERI/

Reali rikthen Moratan, e shet te Chelsea?

0

Edhe pse u pajtua ta shiste te Juventus në vitin 2014, Real Madridi është i gatshëm ta rikthejë sërish në skuadër sulmuesin Alvaro Morata.

Sipas tabloidit Goal, drejtuesit e Los Blancos janë gati ta rikthejnë në skuadër spanjollin dhe më pas ta shesin atë te Chelsea.

Edhe pse Morata ka rinovuar kontratën me Juventusin në dhjetor të vitit të kaluar, klauzola për rikthimin e tij kap shifrën e 30 milionë eurove.

Letërsia e burgut dhe morali i saj human

0

Agron TUFA

Ende nuk e njohim letërsinë e burgut dhe, më gjerë, letërsinë e shkruar nga shkrimtarët e burgosur për shkaqe “politike”. E fus në thonjëza fjalën politike, sepse diktatura edhe po të mos e kishe të shpallur ndërgjegjen tënde të kundërshtimit, do ta sajonte sa më lehtë, e mundësisht, sa më trashë një pretekst arresti e dënimi. Them nuk e njohim ende të plotë këtë letërsi të burgut, të cilën shkrimtari Visar Zhiti (edhe ky një ish i burgosur i famshëm) e ka pagëzuar me nocionin ndoshta më të saktë: burgologji. Ky nocion tashmë është shndërruar në term operativ sa herë merret në shqyrtim kritik narrativa letrare e memuaristike mbi lëndën e burgut. Vetëm dy vitet e fundit, nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, dolën në dritë dy vepra kapitale: “Orlandi i çmendun”, poema epike kalorësiake e Ludovigo Ariostos e përkthyer përgjatë 18 viteve në burgjet dhe kampet e internimit nga prof. Guljelm Deda, në dy vëllime, me rreth 1700 faqe; një përkthim si mjet mbijetese për t’i shpëtuar çmendurisë, i realizuar nën ritmin e goditjeve të kazmës në punë të rënda bujqësie, tharje kënetash etj. Dorëshkrimi i përkthimit janë rreth 500 fletore me shkrim të imët dore. Dorëshkrimi tjetër është botimi i pjesës së parë të “Fjalor i Shtjelluem Enciklopedik i Shqipes” i Atë Benedik Demës, i gjetur në arkivat e Sigurimit të Shtetit, edhe kjo, një vepër kapitale rreth 3000 fletë me shkrim dore, i shkruar nga një prift “reaksionar”. Kam parë dhe pritet të botohen dorëshkrimet e romaneve të Dostojevskit, që janë përkthyer e kanë qarkulluar me fashikuj nëpër gjithë burgjet e Shqipërisë, përkthime origjinale nga i burgosuri Nazmi Seiti. Vetëm dy-tri javë më parë u promovua romani mjaft tronditës “Lulet e pjeshkës” të ish të burgosurit Hasan Bajo, një roman që na risjell edhe njëherë realitetin dantesk të qelive, egërsinë kafshërore të dhunës së hetuesive komuniste për ta zhbërë njeriun në një masë të qullët pa identitet njerëzor, të asfiksuar nga frika. Para dy-tri vitesh u botua një libër i rrallë me krijimtarinë poetike të Kujtim Aliajt (1940-1995), 200 faqe poezi të panjohura me titullin “Ndryshe nga çdo jetë” (Omsca-1, 2013), me parathënie të gjerë të Visar Zhitit, ish-bashkëvuajtës i tij. Poeti burgoset që në moshën 17 vjeç dhe doli në liri vetëm pasi ra diktatura. Është poeti që u bë i tillë në burg, duke ëndërruar gjithë jetës lirinë. “Vërtet është një dukuri e veçantë dhe e rrallë në botë që poezinë ta mësosh e ta lexosh që në adoleshencë brenda në burg”, thotë Zhiti në parathënien e librit. Por mendoj se në burgjet e komunizmit shqiptar kjo ka qenë një dukuri e rëndomtë. Poezitë e Kujtim Aliajt janë shkruar me lëndën reale të burgut, me lëndë vegimesh, shpresash e dëshirash, në metër e varg klasik. Ja një syresh:

Si hajduti kur hyn në një shtëpi
Dhe s’lë pa parë çfarë ka, çfarë s’ka,
Dhe sytë i mban nga dera përsëri,
Hyri erë në shpellë e në kala.

Prej andej arriti gjer në re,
Të çdo ngjyre i bëri vetëm gri,
Të cilat nuk e dinë as ato pse
Zotit të tyre i lindi kjo mëri.

Dhe u foli me një zë idhnak:
“Sonte dua borën, imja mbesë,
T’ia hidhni tokës pak nga pak
E bardha të mbulojë ç’është e zezë

Pra, meqë qenka kështu, meqë narrativa mbi lëndën e burgjeve vazhdon ende të botohet në trajtë romanësh, përkthimesh, fjalorësh, vëllimesh poetike, ditarësh e epistolarësh, do të thotë se as ne nuk e njohim të plotë (dhe as jemi kujdesur fort për këtë gjë), por as ajo nuk është bërë e gjitha “fakt letrar”, kryesisht për shkak edhe të indiferencës së plotë të, atmosferës mosmikpritëse e mosmirënjohëse që ekziston prej kohësh mes nesh.
Letërsia e burgjeve (burgologjia) me autorët e saj ka ekzistuar e vazhdon të ekzistojë, pavarësisht nga shpërfillja jonë dhe mosdashja për t’i dhënë nderin që i takon, thjesht në bazë të kritereve artistike që ajo i ka dëshmuar me tepri. Ka pasur gjithnjë zëra se “ja, pritëm e pritëm, se çfarë do të na qenkësh kjo letërsia e burgjeve … po shiheni vetë, gjykojeni, s’na doli gjë”. Tingëllon hipokrit ky cinizëm, i cili, duke abstraguar nga liria e komoditeti që kanë gëzuar falë mercenarizmit, e kërkojnë heroikën e të pamundurën te letërsia e burgut. Por, nga ana tjetër, janë të verbër e s’e shohin dot, pikërisht këtë heroikë e madhështi modeste.

Letërsia e burgut, sipas meje, është larmishme, e shumëllojshme dhe e dallueshme për nga gjeneratat që e kanë shkruar. Në fillim kemi të burgosurit dhe të pushkatuarit e para në prolog të diktaturës. Sepse diktatura këta shkrimtarë e poetë i burgosi dhe i pushkatoi me vetëdije të plotë, duke e ditur mirë se janë poetë e shkrimtarë, madje pikërisht pse ishin të tillë. Disa nga emrat më me peshë që u pushkatuan që në vitet e para të komunizmit janë: Lazër Shantoja (poet brilant, përkthyes e publicist), Dom Ndre Zadeja, Atë Anton Harapi, Bernardin Palaj, Beqir Çela, Qemal Draçini, Vinçens Prenushi, Ndoc Nikaj, Manush Peshkëpia, Trifon Xhagjika, Et’hem Haxhiademi, Lef Nosi, Gen Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nela. Për fat të keq, veprën e tyre sot e njohin vetëm specialistët. Antologjitë e krestomacitë shkollore janë të hapura kanatesh për ish-poetët e partisë, por jo për t’i përfaqësuar këta poetë-martirë, në bazë të kritereve po them, rreptësishtë artistike e estetike, me nga një fragment proze apo me një poezi lirike.
Nga emrat e shkrimtarëve të mbijetuar, që arritën të dëshmojnë e të shkruajnë, ndër më të rëndësishmit, sipas meje janë Atë Zef Pllumi me trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, një vepër e denjë epokale si dokument, si dëshmi, e si letërsi njëherësh, me vlera të pallogaritshme njohëse, edukatave, estetike e meditative. Në këtë hulli të prozës memuaristike janë shkruar me art e nerv edhe rrëfimet e mrekullueshme autobiografike të Petro Markos (“Retë dhe gurët”), Sami Repishtit (“Nën hijen e Rozafës”), Atë Konrad Gjolajt (“Çinarët”), Luan Myftiut (“Nën terrorin komunist”), Amik Kasoruhos (“Një ankth gjymëshekullor”), Agim Mustës (“Gjenerali i zi, Nevzat Haznedari” dhe “Poligonet e vdekjes”), Fatbardha Saraçit (“Kalvari i grave në golgotën komuniste”), Fatos Lubonjës (“Ridënimi”), Uran Kalakullës (“21 vjet burg komunist”), Maks Velos (“Koha antishenjë”), Sokrat Shytit (“Mbijetesa në kasollen e lopës”), Visar Zhitit (“Rrugët e ferrit”, “Ferri i çarë”), Ejëll Çobës (“Jetë e humbun), Beqir Ajazit (“Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan”), sikundërse dhe librat memuaristikë e reflektivë të Ahmet Bushatit, Tomorr Alikos, Pjetër Arbnorit, Bedri Çokut, Dom Simon Jubanit. Të gjithë këta emra shkrimtarësh e veprash kanë mundësuar ndër vite që në letërsinë shqipe të rritet një ndër narrativat më realiste e njëherësh më tronditëse në repertorin e prozës autobiografike dhe romanit autobiografik. Në dijeninë time, është përvijuar ndoshta letërsia memuaristike më cilësore e shkruar në krejt kampin ish-komunist të Europës Qendrore e Lindore.
Nëse flasim për letërsi në kuptimin e lartësuar të veprës artistike, atëherë do të veçoja menjëherë këtu kontributin kapital që ka në këtë drejtim poezia e Arshi Pipës (“Libri i Burgut”, Romë 1959) dhe sidomos poema e tij sonetike “Kanali”, një inspektim dantesk në kampin e shfarosjes së Maliqit, Vloçisht. Mendoj se kjo poemë, me 26 sonete, do të ishte një ndër ekuivalentet e “Ferrit” të Dantes në letërsinë shqipe. Mjafton të përmend këtu sonetin e parë hapës, për të nënkuptuar lëndën e kësaj poeme:

Nga Korça bumbullon. Currila shiu
rrjedhin prej mushamás mbi krena e shtroje.
Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:
Nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Mbramje. Dikush përbrî qet gjak për goje.
Këndon letas mbatanë nji fmí arxhiu.
Ky grindet për pak uj qi shoku i piu;
Ai shán se i vodhën bukën. Hín nji roje.

Shkopinj e shqelma. Britma. Frín bilbili.
Pushim. E dergjet lodhja, prân secili,
E flên kush mundet për atë natë me fjetë.

Si lazaret rënkon e fshân baraka.
Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,
veç atyne qi pret nji vorr i shkretë.

Arshi Pipa këtë poemë e shkroi tinëz, përmbys, në një shtrat spitali të Korçës, drejt në një tefter letrash duhani dhe e tillë ka shpëtuar e ruhet dorëshkrimi i saj unikal, tek e motra. Është një ndër figurat poliedrike që i bën nder çdo kulture të madhe të euroamerikës, ku në fakt pati sukses vepra e tij në shumë gjuhë, sikundërse dhe karriera e tij si profesor i universiteteve amerikane. Për turp, vepra e tij ende nuk është botuar as në një të dhjetën e saj, rrjedhimisht mbetet e panjohur.

Nga prozatorët, rëndësi të veçantë, sipas meje, ka vepra e gjerë dhe e njohur tashmë, e pranishme edhe në kurrikulat shkollore dhe universitare e Kasëm Trebeshinës. Rëndësi gjithaq të madhe kanë shtatë romanet e shkrimtarit Astrit Delvina (“Sykuqi”, “Bijtë e Tantalit”, “Edhe varreza nuk ka qetësi”, “Ëndrra me ngjyra”, “Globi në rrjetë”, “Plutoni”, “Kalimi i Rubikonit”), të cilët, për fat të keq, janë shpërfillur si fakte të zbehta botimi, pa hyrë në asnjë sistem leximi dhe interpretimi letrar, ndonëse për të mbrohen teza doktorale. Po ashtu, një vend të veçantë duhet të zinte ajo letërsi e ndaluar e autorëve që mërguan dhe u dënuan në mungesë, duke i privuar nga atdheu, sikundërse janë autorët me peshë të madhe në letërsinë shqipe si Martin Camaj (tashmë gjerësisht i njohur) dhe Isuf Luzaj (me një korpus të begatë e të shumëllojshëm veprash letrare e filozofike, thuajse i panjohur).

Një shkrimtar shumë i veçantë dhe padrejtësisht i harruar, më saktë – i pa vënë re, është Makensen Bungo me romanin “Këneta e vdekjes”. Është një roman rrëqethës, i shkruar me një forcë të jashtëzakonshme psikologjike dhe i kontrolluar me një koprraci të ndershme në masë e në stil. Një roman autobiografik i ankthshëm, një Imre Kertez origjinal shqiptar. Mjerisht zor gjen kënd ta ketë lexuar këtë roman të botuar një herë më 1995-n. Turp!

Padyshim, lista e romancierëve, shkrimtarëve e poetëve ish të burgosur është e madhe. Ajo vazhdon me disa emra tipikë, që njihen relativisht mirë në sajë të profileve të tyre krijuese dhe titujve të shumtë e cilësorë, sikundërse janë Bashkim Shehu, Henrik S.G., Mehmet Myftiu, Zyhdi Morava, Jamarbër Marko, Gjon Marka Ndoj, Petrit Velaj, Pirro Kuqi, Drita Çomo, Dalan Luzaj, Agim Hamiti (romani “Odiseja e një detektivi”) etj.

Letërsia e burgjeve komuniste dhe autorëve që e vuajtën në lëkurë burgun dhe internimin është një fakt i gjallë, i pranishëm, konkret. Ajo përbën një repertor ndër më të rëndësishmit e letërsisë shqipe, një bibliotekë të veçantë e të pasur, pavarësisht se ajo nuk është parë me seriozitetin e vlerës së saj artistike që përfaqëson. Për fat të keq, shumë vepra janë botuar sipas takatit të autorëve, shpesh në botime të zbehta e të vobekta, nga shtëpi botuese jo gjithnjë prestigjioze, ndaj dhe titujt e saj janë të shpërndarë e margjinuar, pa pasur fatin e fakteve ndikuese letrare. Një prej qasjeve të saj që propozoj, duhet të kishte qenë sistematizimi në një kolanë botimi, me shënime e punë redaktuese profesionale, gjë që u përket politikave shtetërore të botimit, enteve akademike, qendrave studimore e universitare. Sepse është pikërisht kjo letërsi që mbrojti nderin dhe dinjitetin kombëtar për 45 vjet diktaturë, atëherë kur krejt letërsia shqipe e kishte të pamundur për ta mbrojtur në një epokë amorale survejimi, që e komprometoi rëndë ADN-në e saj me konformizmin e servilizmin e njohur me termin socrealizëm. Letërsia e burgut i jep moral e dinjitet krejt letërsisë shqipe, pikërisht aty ku ajo ndihet në krizë të madhe. /Gazeta Shqip/

Siguria në Rahovec vlerësohet e qetë dhe stabile

0

Situata e sigurisë u vlerësua si e qetë dhe stabile në gjithë territorin e Komunës së Rahovecit. Kështu u tha sot në mbledhjen e dytë të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB).

Për sigurinë në territorin e Komunës së Rahovecit, elaboroi zv. komandanti i Stacionit të Policisë në Rahovec, Bekim Vuçitërna. Ai thotë se raporti përfshin periudhën dy mujore, ku situata e sigurisë paraqitet e qetë dhe stabile, e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

“Nuk kemi pasur ndonjë ngjarje e cila do të destabilizonte situatën e përgjithshme të sigurisë”, ka thënë Vuçitërna.

“Sa i përket prishjes së rendit publik, janë paraqitur gjithsej gjashtë raste të lehta, ngritje e lehtë kemi kur është në pyetje kriminaliteti, kemi rënie tek vepra penale dhe rritje në zbulueshmërinë e rasteve, krahasuar me vitin paraprak”.

“Situata e sigurisë në komunikacion është e kënaqshme, ku nuk kemi incidente trafiku me fatalitet, ndërkaq edhe nëpër shkolla situata e sigurisë është e mirë, ku jemi vazhdimisht duke mbajtur ligjërata nxënësve për siguri të përgjithshme”.

Për siguri të përgjithshme nëpër shkolla, ka folur drejtoresha e Drejtorisë për Arsim, Vjollca Vuçitërna, e cila situatën e sigurisë e vlerësoi stabile dhe të qetë në përgjithësi. Për situatën e qetë dhe stabile drejtoresha Vuçitërna falënderoi Stacionin Policisë në Rahovec, të cilit me ligjërata të shpeshta ndikojnë shumë tek nxënësit, kur janë në pyetje dukuritë negative dhe devijuese në shoqëri. /PrizrenPress.com/

Prostituta e treshes së famshme ka ‘peshkuar’ të tjerë yje

0

Ndërkohë që media po flet gjithmonë e më shumë për të, Helen Wood ka vendosur të zhvishet për një set fotosh të nxehta.

Helen u bë e famshme si prostituta e punësuar nga futbollisti Wayne Rooney për të bërë seks treshe në vitin 2010.

Por biondja bombastike duket se ka futur të tjerë meshkuj në telashe.

Thuhet se një aktor i famshëm amerikan, i martuar, ka flirtuar me të.

Po ashtu edhe një yll britanik ka shkuar me të, por emri i tij nuk bëhet publik.

Helen ka qenë edhe pjesëmarrëse në Big Brother në Britani.

Këngëtarja serbe vjedh këngën e Erës (Video)

0

Këngëtarja Ana Petrovic, ka lëshuar hitin e saj të ri, duke krijuar versionin e këngës së Era Istrefit “Bon Bon”. Mirëpo, mediat serbe shkruajnë se ky version i saj, nuk tingëllon edhe aq bukur sa kënga origjinale.

Këngëtarja nga Kosova, Era Istrefi, tashmë ka marrë famë botërore me këngën “Bon Bon”, ku shumë të rinj kanë krijuar versione të kësaj kënge./GazetaExpress/

Dëgjoheni versionin e Ana Petrovic:

https://youtu.be/qUgvyebFpMM

Shqipëria e 45-ta

0

Shqipëria nuk ndyshon pozicion në renditjen e përgjithshme të FIF-as për muajin maj. Kuqezinjtë mbeten në vendin e 45-të, pozicion ku rrëshkitën në muajin prill pas humbjes me Austrinë dhe fitores me Luksemburgun në muajin mars.

Në fakt klasifikimi i muajit aktual sjellë pak për të mos thënë aspak ndryshime për sa u përket përfaqësueseve europiane, pasi gjatë muajit Prill nuk janë zhvilluar takime qoftë miqësore që do të mund të kishin efekt në renditje.

Për sa u pëket kundërshtarëve të Shqipërisë në Grupin A të finaleve të Europianit, Zvicra mban pozicionin më të mirë, të 14-in, Rumania e 19-ta, ndërsa Franca mbetet e 21-ta.

Rekordi historik i Shqipërisë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, është shënuar në gusht të 2015-ës, me vendin e 22-të.