26.5 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025
Home Blog Page 6592

Thaçi për 11 Shtatorin: Jemi në zi sot, si 14 vite më parë

0

Zëvendëskryeministri i parë, Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme ka shkruar sot në Twitter, për të përkujtuar sulmin terrorist të 14 viteve më parë në New York.

Thaçi me këtë rast ka thënë se ajo që ka ndodhur 14 vite më parë, do të kujtohet përgjithmonë.

“Ne të gjithë sot jemi në zi ashtu sikurse 14 vite më parë, dhe kurrë nuk do t’i harrojmë, gjithmonë do të jemi në krah të të drejtëve dhe trimave”, ka shkruar Thaçi.

Vjeshtë “e nxehtë” për Kuvendin

0

Marrëveshjet e arritura në Bruksel për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, por edhe Marrëveshja për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi, pritet të ngjallin debat të ashpër dhe të përplasë Qeverinë dhe opozitën qysh në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, që pritet të nisë në sesionin vjeshtor më 17 shtator.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës pas më shumë se një muaji e gjysmë pritet t’i kthehet punës më 14 shtator, derisa ditë “të nxehta” pritet të jenë për legjislativin qysh në seancën e parë. Opozita i ka dërguar “selam” partnerëve të koalicionit qeverisës se tash e tutje do ta ndërrojë qasjen dhe se do të kërkojë llogari sa i takon marrëveshjeve të arritura në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, por edhe për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Por në anën tjetër është Qeveria ajo, e cila zotohet se kryeministri, Isa Mustafa, do të japë një informatë lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel me të filluar punën legjislativi.

Valon Murtezaj, këshilltar për Marrëdhënie me Jashtë i kryeministrit Mustafa, ka deklaruar për “Zërin” se shefi i tij Mustafa qysh në seancën e parë të Parlamentit do të japë një informatë në lidhje me katër marrëveshjet e arritura si për Asociacionin, po ashtu edhe për heqjen e barrikadës tek lumi Ibër, Energjinë e Telekomunikacionin. Sipas tij, të gjithë deputetët e Kuvendit do të kenë mundësinë që të zhvillojnë debat parlamentar dhe të marrin njoftime të detajuara sa i takon marrëveshjeve që janë arritur. /Zëri/

Kurti: Populli duhet të ngrihet në këmbë

0

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, ka paralajmëruar se partitë opozitare janë duke punuar për mobilizim kudo në Kosovë. Ai thotë se rasti është urgjent.

“Jemi koordinuar deri më tash me partitë opozitare dhe ato, po ashtu, pajtohen se nevojitet një lëvizje popullore për ta çuar këtë Qeveri drejt dorëheqjes e për ta ndaluar kështu edhe asociacionin. Opozita e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje! e ka edhe vullnetin, edhe guximin, edhe besimin për ndryshime, prandaj ajo është shpresa për ndryshime. Mobilizimi duket shumë më i madh sesa në janar, apo në herët e mëparshme. Njerëzit kudo që shkojmë po na luten ta shpallim sa më shpejt protestën, pasi ka padurim për shumë arsye. Nuk janë vetëm asociacioni dhe demarkacioni, por edhe papunësia, rritja e çmimeve, shkatërrimi i shkollave e i spitaleve. Asgjë nuk po shkon mirë”, ka deklaruar Kurti në këtë intervistë për “Epokën e re”.

Kurti ka thënë se asociacioni i komunave me shumicë serbe është një “para-shtet” i krijuar. Sipas tij, me këtë asociacion Kosova po federalizohet.

“Mustafa me dekret qeveritar do ta sajojë një entitet që s’do të mund ta zhbëjmë dot e as ta kontrollojmë mandej”, është shprehur Kurti.

Ndërkaq, duke folur për arrestimet e fundit të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje!, Kurti ka potencuar se arrestimet po e shpërfaqin tendencën e këtyre forcave qeveritare për ta ruajtur pushtetin nëpërmjet dhunës policore.

“Ata po arrestojnë aktivistë për aktivitete simbolike, por po arrestojnë edhe qytetarë thjesht pse shprehin zemërimin e tyre në ‘Facebook’. Por, askush nuk merret me krimin e rëndomtë, aq më pak me fajdetë, me trafiqet, me kontrabandën, me korrupsionin dhe me krimin e organizuar. Në Kosovë vrasësit dhe mafiozët lihen të lirë, ndërsa aktivistët politikë arrestohen. Ky është realiteti i kësaj Qeverie që i shërben mafies njësoj siç u shërben familjarëve të vet”, ka deklaruar Kurti, duke shtuar se kjo Qeveri është përcaktuar ta mbrojë Kosovën nga Lëvizja Vetëvendosje!, e jo nga Serbia, krimi e korrupsioni.

“Prandaj, ajo duhet të bjerë”, ka thënë ish-lideri i VV-së.

Kurti ka bërë me dije se aktivitetet e Lëvizjes Vetëvendosje! në kundërshtim të asociacionit do të jenë të përditshme, të paparashikueshme dhe të pandalshme.

“Reagimi ka për të qenë popullor dhe në mbarë Kosovën, e nuk ka për të pasur vetëm protesta”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se projektet e dëmshme të kësaj Qeverie mund të ndalen edhe prej saj, nëse kryeministri Mustafa vendos ta anulojë marrëveshjen.

“Por, siç e njohim ne, ai është një njeri frikacak, që kurrë nuk bën veprime të tilla pa pasur presion të madh popullor. Edhe Jabllanoviqin ai kishte frikë ta hiqte nga pozita e ministrit. Dhe u desh ta detyrojnë qytetarët në protesta masive”, ka thënë Kurti.

Ish-lideri i VV-së e ka porositur kryeministrin Mustafa, se nëse nuk e anulon marrëveshjen për asociacion dhe e shpall veten të pafuqishëm për t’i realizuar interesat e vendit të vet, atëherë le të japë dorëheqje.

“Nuk kemi nevojë për një dordolec në Qeveri, por për një kryeministër që merr përsipër ta përfaqësojë të tashmen dhe të ardhmen e vendit të vet. Secila Qeveri që do të mund të vijë pas tij, do të përballet me të njëjtin problem. Unë po ju them këtu, se nuk ka rëndësi se cili është emri i kryeministrit, por nëse marrëveshja për asociacion vjen përsëri për miratim, populli duhet të ngrihet në këmbë”, është shprehur Kurti.

Ai ka deklaruar se nëse kryeministri aktual nuk e kthen marrëveshjen për asociacionin duke e anuluar atë, atëherë kjo Qeveri nuk do të ketë kohëzgjatje të mjaftueshme për t’i dhënë fuqi asaj marrëveshjeje.

Kurti në këtë intervistë ka folur edhe për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës e Serbisë. Ai ka thënë se nuk mund të ketë normalizim dhe stabilizim të situatës kur Serbia nuk e njeh Kosovën.

“Nuk mund të ketë normalizim dhe stabilizim të situatës kur Serbia nuk e njeh Kosovën sepse nëse mosnjohja stabilizohet, ajo do të mbetet aty përgjithnjë. Pas njohjes, duhet të vijë edhe ballafaqimi me të shkuarën, dhe një kërkesëfalje e dëmshpërblimi për humbjet e vuajtjet e luftës dhe okupimit”, ka deklaruar Kurti.

Gashi: Mustafa në qeveri si “pula pa kokë”

0

Analisti politik, Astrit Gashi, në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova ku u diskutua për paralajmërimet e protestave kundër qeveritare që po bën vazhdimisht opozita, ka thënë se ekzekutivi aktual nuk ka një plan të veprimit si dhe se kryeministri Isa Mustafa dhe partia që drejton kanë hyrë në qeveri pa një vizion të qartë,

“Në 12 vjet e fundit kjo është qeveria e vetme që nuk ka orientim, Misioni për të cilën është formuar kjo qeveri – Gjykata Speciale dhe dialogu me Serbinë – po shkon drejt fundit”.

“Kjo qeveri nuk ka plan program. Mustafa edhe LDK-ja kanë hyrë në qeverisje si “pula pa kokë” dhe nuk kanë treguar rezultate”.

“Rrëzimi i qeverisë nuk do të duhej të ishte kauzë e protestave të opozitës. Është e vështirë që nga ajo që po thotë opozita të saktësohet kauza që ky bllok ka”, tha Gashi.

A mund të jetë kjo letër shkak për vrasjen në Prizren? (Dokument)

0

Një letër e shkruar dhe e nënshkruar me dorë e ku flitej për një borxh prej 70 mijë eurosh ishte bërë mollë sherri ndërmjet Bernard Përlazrit dhe Hekuran Morinës. Përlazri kishte insistuar që babi i Hekuranit , Begu, rreth dy vite më parë ia kishte marrë hua 70 mijë euro. Por, letra që më vonë është shpallur e falsifikuar edhe nga organet e drejtësisë, e nuk është pranuar si e vërtetë as nga Hekuran Morina, të cilin dyshohet se e vrau Përlazri të hënën në Prizren. Gjatë muajit janar, Hekuran Morina e kishte denoncuar Përlazrin për reket dhe haraç, por ky i fundit ishte lënë i lirë nga Gjykata 7 ditë më parë.
E njëjta letër mund të jetë shkaku kryesor për vrasjen e Hekuran Morinës të hënën në Prizren, ndërsa Bernard Përlazri po qëndron në arrati bashkë me tre persona tjerë, si të dyshuar për vrasje. Në vendin e ngjarjes, mbetën të plagosur edhe tre persona tjerë, njëri prej tyre vëllai i Hekuranit, Fadil Morina, një tjetër shoqërues i tyre dhe një kalimtar rasti.

“Beg Morina i murr te Bernard Përlazri me 22.01.2015, 70 000 Euro Borgj. Mrena 6 mujve mu kthy borgji”, ky është teksti që përmban letër-marrëveshja e cila pretendohet se u nënshkrua nga dhënësi i borxhit Bernard Përlazri dhe marrësi Beg Morina.

Beg Morina, babai, tashmë i ndjerë, i Hekuranit (40 vjeçar), i cili u vra të hënën rreth orës 20:30 te rrethi në afërsi të lagjes Bazhderhane të Prizrenit, vdiq me 28 Tetor të 2014’ës. Vetëm pak muaj pasi ai u varros, Bernard Përlazri, në Janar të vitit 2015, kishte shkuar për t’i kërkuar djalit të tij Hekuranit, borxhin prej 70,000 Eurosh që gjoja e ka trashëguar nga babai i tij.

Morina i cili bashkë me vëllezërit drejtojnë një biznes të parketit dhe laminatit, të cilin vite më parë e kishte nisur babai i tyre, Begu, kishte refuzuar t’i jepte paratë duke mos pranuar të ketë trashëguar edhe ndonjë borxh nga babai i tij.

Por, Përlazri kishte insistuar të kundërtën, duke ia treguar po këtë letër si dëshmi. Kjo edhe kishte çuar në konflikt fizik mes këtyre dy personave. Më pas, Hekuran Morina kishte denoncuar Përlazrin në Polici, të cilët edhe e kishin kapur këtë të fundit diku rreth dy muaj pas denoncimit.

Bernard Përlazri ishte arrestuar me 23 mars 2015, i akuzuar për vepër penale “Detyrim në Bashkëkryerje në Tentativë”. Ai u mbajt 6 muaj në paraburgim për tu lënë në liri me detyrim paraqitje në Polici me 3 shtator të po këtij viti. Vetëm pak ditë më pas, të hënën e 7 Shtatorit, Bernard Perlazraj dyshohet se qëlloi me armë Hekuranin pas një konflikti të armatosur, shumë afër qendrës së Prizrenit, në lagjen Bazhderhane.

Gazeta Express ka siguruar dokumentin në fjalë, por duke mos konkluduar për vërtetësinë apo falsifikimin e tij.

Ky dokument është parë dhe ekzaminuar nga të gjitha organet e drejtësisë në Prizren, por që sipas Prokurorisë Themelore atje, shkrimi dhe nënshkrimi i këtij dokumenti rezultojnë të mos jenë të Beg Morinës, që në dokument thuhet se i ka marrë borxh Bernard Perlazrit 70 mijë Euro.

“Ajo letër që Perlazrajt e kanë dërguar te Morinat rezulton se shkrimi dhe nënshkrimi nuk është i Beg Morinës. Por nuk vërtetohet se kush e ka shkruajtur”, thuhet në një përgjigje zyrtare për Gazetën Express të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Të njëjtën gjë e kishte deklaruar edhe kushëriri i Hekuran Morinës, një ditë pas vrasjes së tij, Emin Morina. Ai thoshte se nuk bëhej fjalë për borxh por e quante atë reket.

Por, krejt ndryshe pohojnë familjarët e Bernard Përlazrit, i cili vazhdon të qëndrojë në arrati pas ngjarjes së të hënës… /GazetaExpress

11997286-10155981999575335-202676724-n_1441900663-4739028

Arrestohen tre persona në Prizren, dyshohen për trafikim me njerëz

0

Policia e Kosovës në operacionin e realizuar në rajonin e Prizrenit, pas një pune hetimore, ka arrit të arrestojë tre persona, të dyshuar për trafikim me njerëz.
“Dy viktimat e identifikuara nga policia janë shtetase të Kosovës (femra/të mitura) të cilat janë duke u trajtuar sipas procedurave standarde për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave”,njofton Policia e Kosovës.

Personat e arrestuar janë:
S. K lindur më 1963, mashkull /shqiptar /Kosovar.
R. K lindur më 1957, mashkull /shqiptar /Kosovar.
SH. B lindur më 1970, femër /shqiptare /Kosovare.

Gjatë këtij operacioni si prova materiale janë sekuestruar:

Një Veturë
Një armë (revole) me gaz
Një jelekë antiplumb
Një Kompjuter
Një ZD memorie e kamerës
1189 euro
Dy pasaporta
Libra dhe fatura të ndryshme/PrizrenPress.com/

Ramadan Muja: Supermarketi, Jezu Krishti dhe Çokollata

0

Piotr Bojarzcuk ishte kryetar i trupit gjykues që ia hoqi Ramadan Mujës dënimin me dy vjet burgim me kusht. Ai nuk pajtohet me këtë dhe ka shfaqur mendim mospajtues, por kolegët tjerë të tij ishin të mendimit që rasti i Mujës të kthehet në rigjykim. Kjo është një prej disa ndodhive të pazakonshme në rastin e madh penal të nisur qe para katër vjetësh. Gazeta Jeta në Kosovë ka analizuar rrjedhën e këtij procesi dhe ndodhitë që përfshijnë supermarketin, Jezu Krishtin, përkrahjen politike të Mujës dhe vendimin e Apelit.

“…nuk je në supermarket për të zgjedhur, por në gjykatë,”. Kur Imer Hoxha, gjyqtar në Prizren ia tha këtë kryetarit Ramadan Muja, tregoi për fuqinë që ka autoriteti gjyqësor.
Por që nga 23 tetori i vitit 2013 kur Muja u zmbraps nga ky “urdhër” i gjykatësit, kanë kaluar gati 23 muaj.

Zhvillimet e mëpastajme kanë zbehur fuqinë e këtij deklarimi. E kanë bërë të pavlefshëm.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Hoxha i kishte prerë dënimin Mujës. Dy vjet burgim me kusht dhe 30 muaj mosushtrim të funksionit publik.

Por Gjykata e Apelit rrëzoi këtë vendim dhe e ktheu në rigjykim rastin e politikanit që gjyqtari Hoxha mendonte se po sillej si në supermarket.

Gjykatësi ishte nervozuar kur Muja kërkonte mosvazhdimin e seancës, pasi që avokati i tij nuk ishte prezent. Thoshte se ishte nisur drejt Shqipërisë.

Përveç kësaj kërkese, Muja kishte bërë edhe kërkesa tjera paradoksale. Nuk i ishin pranuar, por megjithatë Muja e kishte bërë këtë.

Derisa në vende tjera politikanë që janë pjesë e proceseve gjyqësore tërhiqen nga garat zgjedhore, Muja e kishte bërë të kundërtën.

Kërkoi që të mos shqetësohej nga gjyqi gjatë kohës së fushatës zgjedhore të vitit 2013, ku po kërkonte një mandat të tretë si kryetar.

Muja arsyetonte se po e ndiente veten të pabarabartë në garë pasi që po obligohet të paraqitet në gjyq.
Këtë ndjesi të pabarabarësisë do t’ia zhdukte përkrahja politike.
Hashim Thaçi, kryeministër më 2013 gjatë vizitës në Prizren më 24 tetor, me homologët e tij turk e shqiptar, Erdogan e Rama, e quajti Mujën “kryetar të tashëm dhe të ardhshëm të Prizrenit”.
Parashikimi i Thaçit doli të jetë i saktë.

Dënimi

Ishte marsi i vitit 2014 kur Muja bashkë me të tjerët u dënuan nga Gjykata Themelore e Prizrenit për veprat penale të “keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.. Hetimet në këtë rast kishin filluar në shtator të vitit 2011, ndërsa aktakuza ishte ngritur në shkurt të vitit 2013.

Mbi ta rëndonin akuza për keqpërdorime me prona komunale dhe prona shoqërore të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Procesi gjyqësor kishte nisur një vit më herët, më 25 mars të vitit 2013.

I njohur si refuzues i debateve televizive ku kërkohej përballja me kundërshtarë politikë të tij, Muja ishte vënë në siklet edhe nga pyetjet e prokurores kur i bëheshin pyetje lidhur me keqpërdorimin e pronave.

“Zonja prokurore e nderuar po përpiqet që të më vendosë në kryq si Jezu Krishti, mjaft jam torturuar nga prokuroria,” kishte thënë Muja.

Vetëkrahasimi me Jezu Krishtin nuk kishte ndikuar që gjyqi të tregohej më zemërgjerë më të.
E kishte dënuar në kohën kur kishte bërë pak më shumë se 100 ditë si kryetar i Prizrenit në mandatin e tretë.

Muja, për katër pikat e aktakuzës, për keqpërdorim të detyrës zyrtare u dënua me burgim prej dy vjetësh, me kusht që ai të mos kryejë vepra tjera penale gjatë 3 vjetëve. Ai po ashtu mori edhe dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike në kohëzgjatje prej 30 muajsh.

Dënime u shqiptuan edhe për të tjerët të përfshirë në rastin Muja.

Gjyqi konkludoi se Muja dhe të tjerët i dhanë kundërligjshëm në shfrytëzim pronën biznesit Gulistan një shkollë private dhe biznesit Kamilja një fabrikë e çokollatave.

Kërkesa për dorëheqje

Menjëherë pas dënimit ishin bërë më të zëshme kërkesat për dorëheqje të Mujës nga opozita lokale dhe shoqëria civile.

Ai ishte përballur edhe me një protestë të të rinjve të organizuar nga “Qytetarët Aktiv Për Prizrenin”.
Muja nuk ishte lëkundur.

“…një kërkesë e tillë është shumë naive, sepse ka edhe dy shkallë tjera të gjykatave, është Gjykata e Apelit dhe Supreme atje merren vendimet, unë nuk do të rri në gjumë, do të ankohem,” pati thënë Muja.

Zvarritjet e dyshimta

Avokatët mbrojtës, të pakënaqur me vendimin e shkallës së parë, asaj të Gjykatës Themelore të Prizrenit, lëndën e kishin apeluar në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Kishin konkluduar se vendimi përbën shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, shkelje të ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike.

Prokuroria në përgjigjen e dërguar në Apel kundërshtoi këtë pretendim.

“Nuk ka mospërputhje në mes të gjendjes faktike dhe përmbajtjes së arsyetimit të aktgjykimit,” thuhej në përgjigjen e prokurorisë ndaj ankesës së mbrojtjes.

Megjithatë, ankesa e bërë në muajin maj të vitit 2014, sipas avokatëve mbrojtës, ishte pranuar tek pas katër muajsh.

Zyra Ligjore e EULEX-it kishte arsyetuar zvarritjen me faktin se ishte dashur kohë për përkthimin e ankesave nga shqipja në anglisht.
Kjo ishte një vonesë e paparë në praktikë edhe pse Kodi i Procedurës Penale nuk parasheh ndonjë afat kohor për dërgimin e lëndës në shkallën e dytë, në rastet kur kemi të bëjmë me personat që nuk janë në paraburgim.

Mirëpo, duke marrë parasysh faktin se vepra penale për të cilën Muja së bashku me pesë zyrtarët komunalë ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit bën pjesë në grupin e veprave penale të korrupsionit, lëndë këto të cilat gjyqësori është zotuar që do t’ i trajtojë me prioritet, vonesa prej katër muajve ishte vonesë e tejzgjatur.

Zvarritjet në lëndën kundër Mujës dhe zyrtarëve tjerë komunalë nuk kishin të ndalur. Për t’ u shqyrtuar ky rast i korrupsionit me “prioritet” në Gjykatën e Apelit nga dita e shpalljes së aktgjykimit u deshën edhe një vit kohë.

Njëjtë sikur te dorëzimi i lëndës, edhe për fillimin e shqyrtimit gjyqësor në Apel, kodi nuk parasheh ndonjë afat kohor kur kemi të bëjmë me personat që nuk janë në paraburgim.

Gjatë kohës sa nuk caktohej gjykimi ndaj Mujës dhe të tjerëve, KALLXO.com, ishte interesuar për të marrë informata se çka po ndodhte me këtë lëndë. Përgjigjja zyrtare ishte “arsyeja pse po shtyhet kjo lëndë në gjykatën tonë është se nuk ka gjyqtar të EULEX-it “.
Pas 15 muaj shtyrje, i erdhi radha edhe kësaj lënde.

Me 9 qershor 2015 në Gjykatën e Apelit u mbajt seanca dëgjimore në të cilën mbrojtësit dhe të akuzuarit i arsyetuan edhe një herë ankesat e tyre dhe e kundërshtuan vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit si gjykatë e shkallës së parë.

Vendimi i Gjykatës së Apelit

Apeli vendosi që lënda të kthehet në rigjykim.

Konkludoi se janë bërë shkelje esenciale të nenit 370 i cili nen flet për përmbajtjen e aktgjykimit.
Sipas apelit, hyrja e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë nuk i përmban plotësisht elementet të cilat përcaktohen me Kodin e Procedurës Penale, pasi që në të është futur në tërësi aktakuza e ngritur nga prokuroria, e që kjo sipas apelit nuk është në përputhshmëri me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu, në aktgjykim nuk është emri dhe mbiemri i procesmbajtësit, nëse të akuzuarit kanë qenë të pranishëm në shqyrtim gjyqësor, emri dhe mbiemri i prokurorit të shtetit etj.
Gjykata e Apelit, ka konstatuar se këto shkelje më së miri mund të zgjidhen me ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë.

Pos shkeljeve në hyrje të aktgjykimit, apeli ka gjetur edhe shkelje të nenit 384 paragrafi 1, pika 1.12 të cilat shkelje kanë të bëjnë me dispozitivin e aktgjykimit.
Sipas apelit, aktgjykimi është i pakuptueshëm, i paqartë dhe kundërthënës me arsyetimin dhe faktet vendimtare të paraqitura nga gjykata e shkallës së parë.

Në mënyrë specifike, është e paqartë se cilat fakte dhe veprime janë vërtetuar me cilat prova nga gjykata themelore, sepse nuk ka asnjë përshkrim faktik i cili do të mund t’i qartësonte veprimet e caktuara inkriminuese të të akuzuarit.

Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë, nuk arrin të identifikojë palët e dëmtuara në mënyrë të qartë, e që është arsyeja pse palët e tilla të dëmtuara udhëzohen që të paraqesin kërkesë pronësore-juridike, një mjet juridik të cilin ata kanë të drejtë ta kërkojnë në procedurë civile.
Kryetari i Kolegjit Mendim Mospajtues Për Vendimin e Apelit

Risia më e madhe e këtij rasti, deri më tani asnjëherë i aplikuar në Gjykatën e Apelit nga gjyqtarët vendorë, është mendimi mospajtues i gjyqtarit të EULEX-it, Piotr Bojarzcuk, i cili mendim i është bashkangjitur aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

“Në kundërshtim me aktgjykimin, unë konsideroj se është mjaft e qartë se cilat fakte dhe veprime kanë qenë të vërtetuara nga gjykata themelore. Gjykata themelore në mënyrë të qartë i ka paraqitur arsyet për secilën pikë të aktgjykimit. Unë nuk po shoh mungesë të arsyetimit në vërtetimin e ekzistimit të veprës penale si edhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit,” ka shkruar gjyqtari Bojarczuk në letrën mospajtuese.

Në kundërshtim me gjetjet, gjyqtari i EULEX-it thotë se është mjaft e qartë se kush ka përfituar nga veprimet dhe kush është pala e dëmtuar.

“…për pikën 1 është Minir Krasniqi, Myrvete Qollaku dhe Jetish Avdullahu të cilët kanë siguruar dobinë pasurore në vlerën prej 30.050 euro, për pikën 2 është QE ‘Gulistan’, e cila ka përfituar 20.120 euro për shkak të lirimit nga qiraja dhe për pikën 3, gjykata e shkallës së parë ka pohuar se fabrika ‘Kamila’ ka pasur dobi pasurore në vlerën prej 4.500 eurove në formë të shfrytëzimit pa pagesë të pronës së komunës,” thotë gjyqtari Bojarzcuk.

Ai, në fund shpreh fuqimisht mospajtimin me vendimin e Gjykatës së Apelit, pjesë e së cilës ishte edhe vetë.

“Për mendimin tim, Gjykata e Apelit nuk ka të drejtë që ta anulojë aktgjykimin vetëm për shkak se do të preferonte shqiptimin e një dënimi më të butë, apo më të ashpër. Gjykata e Apelit duhet ta pranojë dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë kur llogaritja e dënimit bëhet brenda intervalit të përcaktuar me ligj. Për këtë arsye nuk ka hapësirë për ta anuluar aktgjykimin në fjalë,” përfundoi gjyqtari i EULEX-it.

Vetë reagimi mospajtues dhe e i paprecedent më parë i gjyqtarit të EULEX-it, i cili ishte edhe kryetar i Kolegjit të Apelit, lë të kuptohet se në rastin Muja brenda trupit gjykues ka pasur vlerësime te ndryshme lidhur me rastin.

Ndërkohë 76 vjeçari Muja, i cili e fitoi “fronin” e të parit të qytetit të Prizrenit në vitin 2007, vazhdon të jetë kryetar i Prizrenit edhe për një mandat katërvjeçar të cilin e fitoi në nëntor të vitit 2013.
Rasti Muja, tani zyrtarisht i kthyer në rigjykim pritet që të vazhdojë në muajin tetor të këtij viti.

Ndërkohë Prokuroria e pakënaqur me vendimin e Apelit dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme.
Nga ana tjetër ende pa vendosur Gjykata Supreme për ankesën e prokurorit se a duhet që lënda të rigjykohet apo t’ i kthehet edhe njëherë Apelit për rivendosje, gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula, i cili e gjykoi këtë lëndë në shkallë të parë, duket se është i interesuar që çështjen në rigjykim ta fillojë dhe ta përfundojë brenda muajit të ardhshëm.

Sylë Hoxhaj, kërkon privilegje

0

Kryeprokurori aktual i Prokurorisë së Prizrenit, Sylë Hoxha, ka vendosur të kërkojë privilegjet si ish-Kryeprokuror i Shtetit.
Kërkesën e tij pritet ta diskutojnë nesër anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

“Kërkesë për realizimin e të drejtave për përfitimin e ish-zyrtarëve të lartë, ushtruar nga Kryeprokurori i Prizrenit z. Sylë Hoxha”, thuhet në njërën prej pikave të rendit të ditës, që do të diskutohen në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës/gazeta express/

I vizitojnë punimet dhe gërmimet

0

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi dhe Kulturorë në Prizren, Samir Hoxha bashkë me drejtorin e Institutit Arkeologjik të Kosovës Enver Regja, kanë vizituar punimet e restaurimit dhe konservimit në Kalanë e Prizrenit si dhe gjetjet arkeologjike në Sheshin e Lidhjes.

“Me këtë rast u njoftuam nga udhëheqësi i projektit, arkeologu Shafi Gashi, për ecurinë e deri tanishme të punimeve duke prezantuar të arriturat e shumta gjatë këtij procesi tejet të rëndësishëm”, tha Hoxha.

“Ndërkaq, në lidhje me ecurinë e punëve gjatë gërmimeve në “Sheshin e Lidhjes” u dakorduam që të bëhet një raport i përgjithshëm në lidhje me punët e deri tanishme dhe rekomandimet për hapat e mëtutjeshëm”.

“Gjithashtu ram dakord që në një të ardhme shumë të afërt të bashkëbisedojmë dhe të konsultohemi me të gjitha institucionet kompetente, Komunën e Prizrenit, qytetarët dhe shoqërinë civile për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për monumentin në fjalë”.

“Konsiderohet se është fat tepër i madh gjetja e gërmadhave të qytetit antik të Therandës, i cili supozohet nga autorët antik për në lokacionin ku është Prizreni i sotëm”/PrizrenPress.com/

Rigjykimi i Ramadan Mujës planifikohet të fillojë dhe përfundojë në tetor

0

Pas marrjes së vendimit për rigjykim në rastin e kryetarit të komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë zyrtarëve tjerë komunalë nga ana e Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar seancat gjyqësore të këtij rasti.

Gjykatësi i EULEX-it, Vladimir Mikula, i cili e gjykoi këtë lëndë në shkallë të parë, duket se është i interesuar që çështjen në rigjykim ta fillojë dhe ta përfundojë brenda muajit të ardhshëm.

KALLXO.com ka siguruar ftesën e gjykatësit ndërkombëtar për caktimin e seancave kryesore për rastin ‘Muja dhe të Tjerët’.

Mikula, ka caktuar radhazi 8 seanca gjyqësore për këtë rast.

Seancat gjyqësore pritet të fillojnë më 7 tetor, të vazhdojnë më 8, 9, 12, 13, 14, 15 dhe të përfundojnë më 16 tetor.