21.7 C
Prizren
E mërkurë, 29 Prill, 2026
Home Blog Page 6636

Daçiq në Prizren, s’kërkon falje për krimet e luftës

0

Zëvendëskryeministri i Serbisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, nuk ka pranuar të tregojë nëse ndonjëherë Serbia do t’i kërkojë falje Kosovës për krimet e kryera gjatë luftës së fundit, njofton Klan Kosova.

Daçiq tha se kërkim-falja mes vendeve vetëm sa do ta thellonte ndarjen.

Sipas tij, Kosova e Serbia duhet ta gjejnë një formulë pajtimi të njëjtë sikurse shtetet evropiane “për shembull Gjermania dhe Franca”.

Ministri serb i cili gjendet në një vizitë në Kosovë, nga Prizreni, vendi ku edhe është lindur, ka thënë se ai nuk ishte ministër në kabinetin e ish-Presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.

Nait Hasani: Vendi duhet të shkojë në zgjedhje

0

Jo vetëm opozita në Kosovë po kërkon zgjedhje të parakohshme. Edhe brenda koalicionit qeverisës tashmë kanë dalë zëra që e kërkojnë një gjë të tillë. Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, është një prej tyre. Në një bisedë për Radio Kosovën, deputeti Hasani thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje jo pse kërkon opozita, por sepse Qeveria aktuale nuk ka mundësi të qeverisë si duhet. Hasani thotë se vetëm zgjedhjet e reja, mund t’ua kthejnë shpresën e humbur qytetarëve të Kosovës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani është mjaft kritik me qeverisjen e Isa Mustafës. E duke parë që kjo Qeveri sipas tij, nuk mund të ndryshojë, ai thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Në një bisedë për Radio Kosovën, deputeti Hasani thotë se zgjedhjet duhet të mbahen brenda këtij viti, por jo vetëm pse ato i kërkon opozita.

“Jo pse kërkon zgjedhje opozita ne duhet të shkojmë në zgjedhje, por për shkak të mungesës së investimeve, premtimet që i ka dhënë Qeveria nuk ka mundur t’i realizojë, prandaj duhet të shkojmë në zgjedhje”, tha Hasani për Radio Kosovën.

Teksa i kërkon zgjedhjet si mënyrë për daljen nga kriza politike e institucionale në vend, deputeti Hasani shprehet mjaft kritik për Qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa.

“Performanca e Qeverisë tregon që nuk ka një zhvillim të vendit dhe mungesa e zhvillimit të vendit, jep një mundësi që ne duhet të ndryshojmë. Ndryshimet janë, ose duhet të shkojmë në zgjedhje, ose duhet të performojë Qeveria. Qeveria nuk ka mundësi të performojë, prandaj duhet të shkojmë në zgjedhje”, shprehet ai.

Një arsye shtesë pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje, sipas tij, është mosfunksionimi i duhur i Kuvendit të Kosovës.

“Ana tjetër është mungesa e zhvillimit demokratik të sistemit në Kuvend, tregon se ne jemi në gjendje të anarkisë brenda Kuvendit, në gjendje të papërshtatshme të zhvillimit të punimeve të Kuvendit dhe kjo tregon se ne domosdo duhet të shkojmë në zgjedhje”, tha ai.

Sipas Hasanit, zgjedhjet i kërkon edhe elektorati i Partisë Demokratike të Kosovës.

“Unë mendoj se qytetarët e kanë humbur besimin, e kanë humbur shpresën dhe atyre do t’u kthehet shpresa me anë të zgjedhjeve. Edhe elektorati i PDK-së, e ka humbur shpresën dhe edhe ai kërkon zgjedhje për ndryshim të kësaj gjendje”, tha Hasani për Radio Kosovën.

Ndryshe, opozita tash e disa muaj po kërkon zgjedhje të parakohshme, ndërsa krerët e partive të koalicionit qeverisës thonë se zgjedhje do të ketë sipas afatit kushtetues në qershorin e vitit 2018.

Tridhjetë e një vjet nga vdekja e Enver Hoxhës

0

Sot mbushën tridhjetë e një vjet nga vdekja e Enver Hoxhës. Për disa ai drejtoi Shqipërinë me nder për 40 vite, kurse për pjesën tjetër, Hoxha sundoi Shqipërinë gjatë kësaj periudhe.

Megjithëse Hoxha ende gëzon një simpati të veçantë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, periudha 40 vjeçare e udhëheqjes së tij, u karakterizua nga eliminimi i opozitës, dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësishtë nga policia dhe Sigurimi i Shtetit.

Hoxha ka lindur më 16 Tetor 1908 në lagjen “Palorto”, Gjirokastër. Ai ishte udhëheqësi komunist i Shqipërisë nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985, si Sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij. Ai shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.

Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, këto dy infarkte e rënduan akoma shumë shëndetin e tij. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij, pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985 vdes më 11 prill 1985.

Në një ceremoni madhështore Enver Hoxha u varros në varrezat e dëshmorëve ku iu bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit varri i tij u zhvendos tek varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.

Menjëherë pas vdekjes së Sekretarit të Parë të PPSH Enver Hoxha, lideri pasardhës i tij Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike propozon që në qendër të Tiranës dhe të vendlindjes në Gjirokastër të ngrihet nga një shtatore në nder të tij, Universitetit të Tiranës i vihet emri Enver Hoxha, portit kryesor të Durrësit, e shumë uzina e hidrocentrale morën emrin e tij. Gjithashtu, u krijua Java e Enverit e cila festohej gjithmonë me rastin e ditëlindjes së tij duke punuar me rendimente më të larta për të tejkaluar planin. Monumenti i Hoxhës u përurua në vitin 1988 dhe ishte 8 metra e lartë. Më 20 shkurt 1991 ai u rrëzua nga protestuesit, rrëzimi i tij simbolizonte edhe rënien e komunizmit.

Rrëfimi i trishtë i dy ish-përdoruesve të drogës

0

“Kejt ja ka nis si hajgare”, për tu bërë pastaj makth i jetës së dy kosovarëve që humbën gjithçka.

Dy ish-përdorues të drogës rrëfejnë për Gazetën Fjala historinë e trishtë nga adoleshenca kur filluan përdorimin dhe sfidat deri në braktisjen e saj.

“E kom marrë veç për qef, me provu jo që kom pas probleme” tregon AA, (Emër i njohur për redaksinë), për kohën e paraluftës kur ishte në vitin e parë të shkollës së mesme.

Dëshira për të përdorur diçka të re me shokë kishte bërë që ai dalë ngadalë të kaloj përtej një përdorimi “kapriçioz”, në një të varur që nuk mund të jetonte pa drogën që blinte “te kurrizi” në Prishtinë.

“Si e pishe krejt ish në rregull”, thotë ai duke treguar se nuk e kishte problem shumë t`i siguronte paratë për tu furnizuar me narkotik në raste krizash pasi vinte nga një familje e kamur.

Por me kalimin e kohës financat i pakësoheshin dhe nevoja për doza më të mëdha rritej.

Për të dyja “hallet” kishte gjetur alternativë.

“Kam vjedh në shtëpi”, e pranon ai. Ndërkohë shumë miq të tij, përdorues , që vështirë gjenin pasuri për të shitur vidhnin në dyqane ose vende të ndryshme.

“Se kur e kapin krizat për drogë duhet me i gjet paret gjithqysh”.

Ndërkaq, tani kishte ndërruar edhe llojin e drogës , pasi mariuana e drogat e lehta nuk i mjaftonin.

Thuajse asnjë vend në krah nuk i kishte mbetur pa një vrimë gjilpëre, nga shiringat të cilat i blinte në barnatore.

“Në barnatore e kanë ditë se për çka po na vyn. Ata e pajshin gjendjen tonë edhe tu shku gati për ditë e kanë dit se për çka po na duhen”, tregon AA.

Edhe familja ishte në dijeni

Ai thotë se si familja e tij edhe familjet e tjera e dinë kur fëmija i tyre përdorë drogë.

“Është e pamundur mos me ditë se të ndërron sjellja, muhabeti, krejt të çrregullohen. Nëse zgjohesh në mëngjes edhe ki drogë është krejt në rregull, e vazhdon  rutinën e përditshme, qohesh më hangër… Por nëse nuk e ki atëherë mëngjeset nuk fillojnë si mos më miri”, rrëfen ai.

Nëna e tij kishte pësuar infrakt për shkak të gjendjes së të birit, të cilin nuk mund ta shihte të droguar.

Për këtë pjesë AA edhe tani e ka të vështirë të flas.

Dalë ndadalë gjithçka rreth tij po ndryshonte. Shoqëria, puna, e dashura e fakulteti nuk kishin asnjë vlerë sa “malli” pa të cilin nuk rrinte dot.

Nga përdorues i rregullt, tani ishte bërë edhe diler i vogël droge, të cilën ua shiste miqve deri në kohën ishte dorëzuar vetë në polici.

“E kom thirrë vetë policinë, i kom thanë qitu jom, se nuk dojsha me vazhdu ma me këtë gjendje”, tregon ai.

Koha që kishte kaluar në burg i kishte ndihmuar shumë në rehabilitimin e tij.

Pas 3 javëve të para të cilat thotë që i kaloi më vështirësi, atij iu përmirësua gjendja.

“Kom lujt futboll, kom punu. Qajo periudhë më ka ndihmu shumë” thotë ai.

Edhe familjarët e kishin më të lehtë, sado që të birin e kishin prapa grilave.

Pas daljes nga burgu AA, edhe njëherë të vetme e kishte provuar drogën por thotë se nuk ka pasur asnë ndjenjë siç i kishte pasur më herët.

Kishte vendosur që të trajtohej seriozisht për t`i braktisur narkotikët.

Për këtë e kishte në krah edhe të iatin, i cili e shoqëronte çdo seancë, një herë në javë.

“Shumë keq nihesh. Bash keq, se din a mu ni keq për veten a për prind”, thotë ai që ka vendosur t`i kthehet jetës normale.

Por edhe nga e kaluara AA ka mësuar shumë. Madje nuk është pishman që ka kaluar thuajse një dekadë i varur nga droga.

“Unë s’menoj kurrë anej. Mi ka prish do andrra por mi ka ndreq do tjera. M’ka ba më të fortë për shumë do sene tjera, nuk e di qysh ish kanë pa to”, rrëfen ai.

AA thotë se droga e ka bërë më të fortë ndryshe nga si e mendojnë njerëzit.

“Çka kanë me menu njerzit për mu që jam narkoman?”

Sipas tij në Kosovë të gjithë kanë qasje të gabuar në raport me përdoruesit e narkotikëve.

“Vetëm sa u’a rëndojnë barrën që ata kanë në vete”, thotë AA duke porositur të tjerët të mos i hyjnë rrugës që ndoqi ai.

“Loja” nisi që në moshën 15 vjecare

BB (Emër i njohur për redaksinë) është një tjetër ish-përdorues që në moshën 15 vjeçare kishte filluar ta plotësoj boshllëkun, siç thotë ai me marihuanë.

“Menxi gjetem marihuanë thuj t`i po blejna bombë nukleare”, rrëfen ai herën për herën e parë kur kishte rënë në kontakt me drogën.

“Si fëmij hera e  parë nuk të njofshin njerëzit që shitshin. I njifshim njerëz që ngrehshin bari por ata nuk na jepshin”.

Ky fakt e bënte më insistues në kërkim të “mallit” të ndaluar.

Një vit rresht ai përdori me shokë marihuanën derisa trupi i kërkonte pastaj narkotikë më  të rëndë.

“Mendon se mundesh me kontrollu, po s’mundesh”, shprehet BB i penduar për kohën e kaluar.

Sa më shumë që rriste dozën e drogës aq më shumë humbiste nga jeta njerëz më të dashur.

Derisa një ditë vendosi që të largohet nga e keqja.

“I thash prindërve që 3 muaj mem mbajt mbrenda në shtëpi. Veç po du me hek prej sistemit drogën. Munohnu mos mem lan me dal”, tregon ish përdoruesi i drogës.

Kjo periudhë nuk ishte aspak e lehtë.

“Sa u sillsha nëpër shtëpi qarshafin bistek e bojsha”, tregon ai.

Pas kësaj sfide ai u rehabilitua për një kohë edhe në Kroaci për tu kthyer në Kosovë i pranuar në shoqëri si fitimtarë.

“Qe tri vjet as bari skom pi sen veç metadona po s’jom rahat në aspirin. Nuk kom mu ni rahat në jetë”, thotë ai, duke treguar se nuk dëshiron të jetë i varun nga asgjë.

“Më kujton senet që i kom dasht shumë e mi ka hup”.

Të dy ish narkomanët, ndihen të lumtur që fituan jetën përsëri dhe nuk do të donin që të tjerët të ndiqnin ata si shembull për të kaluarën në drogë.

“Nuk je as ma cool as ma car. Ki me përfundu ki me ja marrë inati vetvetës. Një gjë që e kam mësu është me nejt sa ma larg drogës se është ma rehat. S’ki nevojë më mendu a me marrë drogë. Ma mirë me ba plane për kafe”.

Shumë do të donin ta fshinin nga historia e jetës atë periudhë derisa porosisin edhe të tjerët që aktualisht janë konsumuies të drogave të heqin dorë./gazeta fjala/

17 vjet – Kukësi, simbol i mikpritjes

0

Bashkia e Kukësit, në nder të 17 vjetorit të eksodit të madh të kosovarëve dhe mikpritjes që ky qytet u ka bërë qytetarëve të Kosovës, do të organizojë manifestime që do të zhvillohen në Kukës në datat 15 dhe 16 prill 2016.

Pjesë e këtij programi do të jetë ekspozita fotografike, e cila do të hapet në orën 11:00 të datës 15 prill.

Më pas, në po të njëjtën ditë, në orën 18.00 do të jepet shfaqja e monodramës “Apologjia e Sokratit” nga aktori i shquar “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi, në sallën e Pallatit të Kulturës “Hasan Prishtina”.

Po atë ditë do të bëhet edhe inaugurimi i memorialit të eksodit 1999 kushtuar eksodit masiv të shqiptarëve në Mitrovicë.

Ndërkaq, në orën 20.00 do të organizohen manifestime në Xërxë të Kosovës, komuna e Rahovecit, dhe vetëm 30 minuta më pas do të bëhet organizimi i ndezjes së zjarreve në kodrat përreth Kukësit, Prizrenit, Mitrovicës, Xërxës, Gjakovës, Deçanit, Junikut, Suharekës, Opojës, etj, në përkujtim të dëshmorëve, martirëve dhe viktimave të dhunës së ushtrisë e policisë serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Më datën 16 prill, qysh në orën 9:00 të mëngjesit do të zhvillohet një konferencë jubilare dhe shkencore në qytetin e Kukësit. Në të do të flet Wolfgang Grossruck, President i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore.

Më tej, do të zhvillohen veprimtari kulturore gjatë ditës në rrugët dhe sheshin e qytetit të Kukësit.

Në orën 11.00 do të bëhet hapja e panairit agro-ushqimor dhe kulinarisë në sheshin “Skëndërbeu” të Kukësit.

Më tej, në orën, 12.00, Kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu, do të organizojë pritje për personalitet e ftuara në manifestim.

Në orën 13.00 mbahet koncert i shoqëruar me përshëndetjet e personaliteteve shtetërore të ftuar në sheshin “Skënderbeu”. Moderator do të jetë aktori i mirënjohur “Nderi i Kombit”, Mirush Kabashi.

Dhe në fund, në orën 15.30, do të ketë një drekë për të ftuarit.

AAK cakton protestë – Vetëvendosje e ftuar

0

AAK-ja sot bëri të ditur se protesta e ardhshme do të jetë më 14 maj, ndërsa LVV-ja nuk di asgjë për këtë.

Pas konsultave të njëpasnjëshme që nga anulimi i protestës së kaluar të opozitës e paraparë që të mbahej me 26 mars, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sot ka marrë vendim për mbajtjen e një proteste gjithëpopullore më 14 maj.

“Një vendim i tillë është marrë pas diskutimeve me të gjitha forumet e AAK-së dhe një përcaktimi të palëkundur që të vazhdohet me kundërshtimin e kapjes së Shtetit,” shkruan kjo parti në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Sipas AAK-së kjo parti do të konsultohet edhe me partitë tjera opozitare dhe me shoqërinë civile e me grupet e interesuara, në mënyrë që protesta të jetë sa më e fuqishme.

Në anën tjetër Lëvizja “Vetëvendosje” sipas Frashër Krasniqit nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht në lidhje me këtë datë të shpallur nga AAK-ja. As nuk jemi konsultuar dhe as nuk kemi biseduar mes vete për këtë.

“Kosova ka nevojë për protesta dhe ato do të ndodhin pashmangshëm. Por protestat duhet të jenë të organizuara mirë dhe të mbahen në kohën e duhur. Veprimet e pakoordinuara rrezikojnë ta dobësojnë përpjekjen opozitare dhe të rezultojnë me protesta jo mirë të organizuara dhe jo të fuqishme e masive,” ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Sa i përket përgjigjes së VV-së, ne mendojmë që ata mund të përcaktohen për vendimet e tyre brenda strukturave të tyre partiake, por jo brenda AAK-së, ka thënë për KALLXO.com nënkryetari i AAK-së Pal Lekaj.

“Ne kemi caktuar datën si subjektet politik, si opozitë ku i ftojmë si VV-në, Nismën dhe shoqërinë civile dhe të gjithë qytetarët që janë të pakënaqur me këtë qeverisje,” deklaroi Lekaj.

Suharekë: Drejtori kthehet në shkollë pas 22 muaj betejash nëpër gjykata

0

Remzi Bajselmani ka rifituar pozitën e drejtorit në një shkollë në Suharekë pas vendimit të gjykatës.

Gati dy vjet pasi ka nisur betejën ligjore me komunën, arsimtari Remzi Bajselmani ka rifituar vendin e tij të punës si drejtor në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti- Skënderbeu” në Sallagrazhdë të Suharekës.

Kthimi i tij në venjdin e punës u bë vetëm pasi që Gjykata e Apelit në Prishtinë vendosi në favor të tij duke refuzuar ankesën e komunës së Suharekës dhe duke vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, dega në Suharekë, me të cilin obligohet komuna e Suharekës, për kthimin në vendin e punës drejtor në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Sallagarazhdë.

Gjykata në Suharekë një vit më parë të viti të kaluar, kishte vendosur në favor të Remzi Bajselmanit.

Por ai nuk u kthye në punë pasi komuna ishte ankuar ndaj këtij vendimi.

Por vendimi i Apelit e ka mbyllur rastin përfundimisht dhe Bajselmani ka pesë ditë që po e drejton shkollën.

Ai thotë se është i lënduar nga ky rast, por i lehtësuar që ka arritur të gjejë drejtësi.

“Jam pak i lënduar prej gjithë asaj që ka ndodhur, por meqenëse drejtësia po funksionon në Kosovë jam shumë i gëzuar dhe i bëj apel të gjithë njerëzve që të mos hezitojnë, ta kërkojnë drejtësinë që u takon sepse dhe në Kosovë ka drejtësi”, tha Bajselmani.

Ndërsa komuna e Suharekës e cila e kishte larguar Bajselmanin nga vendi i punës, tani thotë se e ka zbatuar vullnetarisht aktgjykimin e Apelit, duke mos e lejuar që i njëjti të shkojë në ekzekutim të dhunshëm.

Reshat Reshitja, zëdhënës i komunës së Suharekës, tha për KALLXO.com, se komuna e ka kthyer në vendin e punës, duke zbatuar vendimin e gjykatës dhe kjo komunë gjithmonë do ti zbatoj vendimet gjyqësore.

“Normalisht komuna e ka zbatuar një vendim të tillë të gjykatës dhe komuna do t’i zbatojë gjithmonë, vendimet që vijnë nga gjykata, pavarësisht se si është vepruar. Gjykata e din si duhet vepruar dhe komuna e ka zbatuar një vendim të tillë”, tha Reshitaj.

Remzi Bajselmani më 25 nëntor 2013, në kohën e qeverisjes së Suharekës nga Blerim Kuqi, u zgjodh për herë të dytë drejtor i Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” me një mandat deri më 25 nëntor 2018.

Por më 26 maj të vitit 2014 atij me aktvendim nga kryetari Sali Asllanaj, iu ndërpre kontrata me arsyetimin e përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës.

Ai kishte paditur komunën e Suharekës për anulim të aktvendimit të kryetarit të komunës për shkëputjen e marrëdhënies së punës dhe kthimin në vendin e punës. Kallxo.com kishte përcjellur rastin në vazhdimësi dhe kishte shkruar për këtë rast. /Kallxo.com/

Prokurori i ‘Kallashit’ përfundon në Komision Disiplinor

0

Gjetjet e emisionit ‘Drejtësia në Kosovë’ e shtyjnë Zyrën e prokurorit Disiplinor të ndërmarrë hetime ndaj prokurorit të rastit “Cobra City” në Prizren.

Zyra e Prokurorit Disiplinor të KPK-së e ka dërguar në procedurë disiplinore prokurorin Beqë Shala me pretendimet për shkelje të pahijshme gjatë trajtimit të rastit “Cobra City”.

Në shtator të vitit të kaluar, emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar për parregullsi gjatë trajtimit të çështjes së paraburgimit të Dibran Hoxhës, truprojës së valltares Donjeta Kasumi e njohur në ndryshe si “Kallashi”.

Ai ishte arrestuar me urdhër të prokurorisë për një incident të rrahjes ndërsa me vendim të gjykatës i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Mirëpo dy javë më pas, prokurori Beqë Shala kishte kërkuar ndërprerjen e paraburgimit për Hoxhën me arsyetimin se kushtet për paraburgim kishin përfunduar.

“Drejtësia në Kosovë” atëkohë kishte siguruar prova se njëri nga kushtet kryesore, ai i intervistimit të palës së dëmtuar, nuk ishte përmbushur në kohën kur prokurori kërkoi ndërprerjen e arrestit.

Veprimet e prokurorisë në atë kohë ishin kritikuar nga drejtori rajonal i Prizreni Nexhmi Krasniqi i cili kishte rrëfyer për të kaluarën kriminale të grupit.

Në përgjigjen e tij rreth kësaj çështje kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha kishte pretenduar se çdo gjë rreth trajtimit të rastit të Dibran Hoxhës kishte qenë në rregull me procedurat ligjore.

Përfundimisht pas një viti hetimesh, Zyra e Prokurorit Disiplinor e ka njoftuar emisionin “Drejtësia në Kosovë” se bazuar në të gjeturat e raportuara kjo zyrë ka arritur në konstatimin se prokurori kishte kryer “sjellje të pahijshme” dhe i njëjti me rekomandim të ZPD-së është dërguar në Komisionin Disiplinor të KPK-së. /Kallxo.com/

Sanders dhe Cruz fituan në Viskonsin

0

Senatorët Bernie Sanders dhe Ted Cruz, dy kandidatë që duket se nuk kanë gjasë për triumf përfundimtar në zgjedhjet partiake për nominim presidencial në Shtetet e Bashkuara, kanë shënuar fitore të rëndësishme në shtetin, Viskonsin.

Rrjeti televiziv CNN ka raportuar se në zgjedhjet partiake në Partinë Demokratike në Viskonsin, Sanders ka fituar 56.4% të votave, ndërsa kandidatja që konsiderohet favorite për ta fituar nominimin, Hillary Clinton, fitoi 43.3%.

Megjithatë, për nga numri i delegatëve, Clinotn, ish-sekretare amerikane e shtetit, vazhdon të kryesoj me 1,778, derisa Sanders ka 1,097 delegatë.

Në Partinë Republikane në Viskonsin ka fituar senatori, Ted Cruz, me 48.3% të votave, ndërsa favoriti, Donald Trump, fitoi 35.1% të votave.

Megjithatë, Trump ka më së shumti delegatë – 743, ndërsa Cruz është i dyti me 510 delegatë.

Petrit Çeku me koncert edhe në Shkup

0

Kitaristi i mirënjohur kosovar, Petrit Çeku, do të prezantohet me një koncert solistik edhe në kryeqytetin maqedon, në Shkup.

Bëhet e ditur se Çeku do të interpretojë më 20 prill, në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë.

Koncerti përkrahet nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë, Gemak, Bushi Resort ndërsa “Telegrafi” është mbështetës medial i këtij koncerti.

Mysafir të Çekut në këtë koncert do të jenë edhe artistët Toni Kitanovski me kitarë dhe Ema Popivoda në piano.

Së fundi Petriti mbajti një koncert bamirësie në Prizren, përmes të cilit ndihmojë shoqatën “Down Syndrome Kosova”.