8.8 C
Prizren
E mërkurë, 29 Prill, 2026
Home Blog Page 6644

Obama e akuzoi Putinin për ngadalësim në kontrollin e armatimit

0

Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka akuzuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për ngadalësimin e progresit në reduktimin e armatimit atomik, derisa është foklusuar në shtimin e forcës ushtarake ruse.

“Do të parapëlqeja uljen e mëtejshme të arsenalit tonë bërthamor”, tha Barack Obnama, mbrëmë vonë në konferencën për shtyp Uashington, pas përfundimit të Samitit të Sigurisë Atomike, që zgjati dy ditë.

Administrata Obama i është drejtuar Rusisë me qasjen e mundshme të fazës së re në reduktimin e armatimit në vitin 2010, pasi Rusia dhe Shtetet e Bashkuara e patën nënshkruar Marrëveshjen Strategjike të Reduktimit të Armatimit numër 2, e njohur me shkurtesën START 2.

Por, nuk ka pasur negociata të mëtejshme dhe Obama tha se kjo ka ndodhur “për shkak të vizitonit që Putini e ka zhvilluar, të theksimit të forcës ushtarake ndaj zhvillimit”.

Zoti Putin, i cili e ka bojkotuar samitin në Uashington, ku merrnin pjesë dhjetëra liderë të tjerë botërorë, tha në qershor se Rusia do t’i shtoj edhe më se 40 raketa balistike interkontinentale në arsenalin e saj bërthamor, për ta modernizuar programin e saj dhe për tu marrë me sistemet anti raketore mbrojtëse të NATO-s afër kufirit të Rusisë.

Obama tha se mundësia e progresit të ardhshëm për reduktimin e armatimit me Rusinë mbetet, derisa të dy vendet vazhdojnë ta respektojnë marrëveshjen START.

Por, ai theksoi se reduktimi ka pak gjasë që të ndodhë gjatë 10 muajve të ardhshëm sa ai është president amerikan.

Të shkruash jetën tënde

0

A është autobiografi letërsia? Sa arrijnë ta shmangin jetën e tyre kur shkruajnë emra të njohur të letrave…

Beatrix jam unë. Graham Green, një nga shkrimtarët më të njohur të shekullit XX, do të shprehej kështu pak kohë para se të ndahej nga jeta për personazhin e romanit të tij të njohur “Fundi i një historie dashurie”. Shumë herë shkrimtari i kishte shmangur pyetjet mbi ngjashmërinë mes tij dhe personazhit kryesor në këtë roman që vazhdon të jetë dhe sot ndër më të lexuarit Beatrix, duke thënë se ai është thjesht një personazh që kërkonte dashurinë, ndërkohë që bota nuk ishte pastruar nga Lufta e Dytë Botërore. Në një kohë kaosi ai kishte sjellë shqetësimin e një burri mbi dashurinë, i bindur se ky ishte një ndër shqetësimet më të bukura se vetë lufta.

Libri flet për historinë e një gruaje që humbet mes dy burrave, bashkëshortit dhe të dashurit. Historia tregohet nga pikëpamja e të dashurit. Komploti është dramatik, karakteret janë krijuar me mjeshtëri dhe përfshihen në një histori njerëzore nga më të zakonshmet. Stili i shkrimit të Greene është i përkryer. Ai e jep në mënyrë të përsosur mënyrën se si luajnë psikologjitë e tri karaktereve kryesore për të ndërthurur zemrat e dy burrave me jetën e një gruaje. Mund të konsiderohet njëherësh edhe si një roman tepër shpirtëror, që ngre pyetje të mprehta, por me një ndershmëri të fortë që nuk e gjen shpesh në librat romantikë. Karakteret duken si reale, jeta e tyre nuk dramatizohet, por përfshin edhe ato vogëlsitë, pakënaqësitë, dëshirën e pashpjegueshme për të pasur më tepër që karakterizon njeriun.

Por a do të kishte këtë forcë ky roman nëse Green nuk do të ishte duke rrëfyer historinë e tij? A do të kishin këtë ndjeshmëri karakteret nëse ata nuk do të ishin personifikim i personazheve reale?

I lodhur nga sëmundja Green nuk kërkon t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, por ai thotë se donte të linte në një libër historinë e tij, dhe ta bënte atë të pavdekshme. Green u frymëzua në këtë libër nga historia e tij e dashurisë me Lady Catherinw Walston, gruaja e politikanit anglez, Henry Walston. Sarah Miles, personazhi kryesor në këtë libër është thjesht Catherina, gruaja me të cilën shkrimtari jetoi një histori të gjatë dashurie. Nuk është vetëm Green ai që hodhi në një letër historinë e tij të dashurisë. “Ajo çfarë shkruaj është vetë jeta ime”, do të shprehej tregimtari italian, Dino Buzati. Që në fillesat e shkrimit, historitë e para që u shndërruan në libra nuk ishin gjë tjetër veç histori personale të vetë autorëve. “Pavarësisht se i largohem jetës sime, në fund është ajo që gjej në librat e mi”, do të shprehej Faulkner. Suzan Sontag do të shprehte të njëjtën gjë për prozën e saj. Shpesh shkrimtarja tregonte se burrat që përshkruante i kujtonin burrat që kishte takuar dikur. Femrat në letërsinë e Scott Fitzgerald i ngjajnë aq shumë Zeldës.

Sa i ngjan jeta jote librit që shkruan? Do të pyeste Elsa Morante Alberto Moravinë kur e takoi për herë të parë. Kohë më pas ajo do të ndiente se gjithçka çfarë ai shkruante ishte vetë ai. Margariet Duras do ta pranonte fare lehtë se romani “Dashnori” ishte historia e jetës së saj. Burri nga Kina që nuk do të harronte asnjëherë vështrimin e vajzës së vogël, ishte thjesht dashnori i saj i dikurshëm, që pavarësisht viteve do ta kërkonte gjithnjë atë.

Por nuk janë vetëm historitë e dashurisë, ato që përshkruajnë rrëfimet autobiografike. Doris Lesing, do t’ia kushtonte librin “Fëmija e pestë”, djalit të saj autik. Dostojevski do të ishte një kronikan i të shkuarës së tij, ashtu si Tolstoi i trishtimeve të fshehura në kujtesë.

Në historinë e letërsisë shqipe, shkrimi autobiografik është një fenomen që lidhet kryesisht me shekullin e XX sado që shenjat e tij duken që te pasthënia e Mesharit të Buzukut, te parathëniet e veprave të Budit a te Parathënia e “Çetës së profetëve” i Bogdanit. Ky fenomen do të kishte një zgjim intensiv në romantizëm, që rizbuloi subjektivitetin, për të arritur zhvillimin në vlerë letrare në shekullin e modernitetit. Kur thuhet: po lexoj De Radën, Nolin, Koliqin, Kutelin, Kadarenë, Pashkun a Rrahmanin, menjëherë emri lidhet me vepra letrare, madje me forma të veçanta, duke pretenduar një njësim të autorit me veprën. Ky fenomen bëhet më i veçantë kur ka të bëhet me autorët dhe shkrimet letrare biografike e autobiografike. Biografia është shkrimi i jetës të një personi, kurse autobiografia është shkrimi i jetës së autorit (vetvetes).

“Pra, ky shkrim që në nismë ka pretendimin të jetë shkrim referencial (për një jetë reale), më tej bëhet shkrim autoreferencial (për një jetë të vetvetes), duke u ndërlikuar që kur vetvetja tani është shkrimtari. Ky pra, shkrimtari, duke shkruar vetveten rimerr fantazitë, qoftë edhe kur deklaron se sjell të dhëna, meqë edhe kur përshkruan veprimet nuk mund t’i ikë psikesë (shpirtit)”, shprehet kritiku nga Kosova, Sabri Hamiti.

Shenja të një letërsie autobiografike gjenden shpesh te letërsia e De Radës, apo Fan Nolit, ditarët e Haki Stermillit dhe Sterjo Spasses, por ato mund të gjenden lehtë te çdo autor i pas viteve 1940 dhe pse ishte një letërsi nën censurë. Pas viteve ‘90, letërsia autobiografike ndihet më shumë në letërsinë e quajtur të burgut. Janë autorë si Maks Velo, Pjetër Arbnori, Zyhdi Morava, Visar Zhiti, Astrit Delvina, që sjellin në letërsinë e tyre përvojat personale. Vera Bekteshi i ka tregimet e saj si një homazh për të shkuarën. Një tjetër roman autobiografik i botuar pak vite më parë është dhe “Autoportret me teleskop” i Besnik Mustafajt. Autori e ka pranuar që ky roman është një lloj autobiografie. Më herët gjurmët e një autobiografie gjenden në librat e Dritëro Agollit, Vath Koreshit, Zija Çelës, Dhimitër Xhuvanit, Dhimitër Shuteriqit etj.  /Shqip/

Republika e kulturës

0

(Një rrëfim nga Irlanda)

Nga Ndue Ukaj

Kur takon Godonë

“Është natë e bubullimat s’kanë të ndalur./Të dridhet trupi i lagur nga shiu i rrëmbyeshëm./ Nën Pemën e Jetës duke e pritë Godonë./E pritja t’ka shndërrua’ në statujë moderne,/ Ku folenë e jetës e kanë korbat e natës e zogjtë vetmitarë.

Janë vargje të poezisë sime Godo nuk vjen, të cilat më rrinin para syve të mi të lodhur, pas një udhëtimi të gjatë drejt Dublinit.

Derisa aeroplani nga Zurich zbriste sipas ritmit të tij në Aeroportin e Dublinit, mua më rrihte zemra, dhe nga dritarja kundroja magjishëm qytetin e dritave dhe harmonisë. Më dukej sikur më priste Godo i famshëm i Samuel Becketit – dhe jo vetëm i tij – tek më rrëfente për ëndrrat e enigmën e pritjes. Për misterin e ekzistencës së tij.

Godo i Becketit, s’është dosido personazh. Ai është një kryepersonazh, i cili, ka influencuar dukshëm në botën e artit e të kulturës. Më ka frymëzuar edhe mua, ndaj edhe libri im i dytë me poezi, mban titullin “Godo nuk vjen.”

Rrallë më ndodh të mbaj mend vargje të miat, por në ato momente, derisa aeroplani ateronte, në kokën time tingëllonin vargjet:

Është furtunë e rruga nga Irlanda është e pakalueshme
Deti nuk kapërcehet me hapa të vegjël netëve me shi
Kur vetmia t’ përpinë si toka e plasaritur nga tërmeti
Kur dhembja s’ka kohë e as deshifrime shkencore.

Godo nuk vjen, sepse pritja e ka molepsë.
Në gjumë t’rehatshëm i përkund ëndrrat e mia e ëndrrat tua.
Ai nuk vjen as nën Pemën e Jetës as në teatrin e çudirave
Bën gjumin e pritjes që s’e kupton koha jote e koha jonë.

Godo i Sumuel Becketit më ka shoqëruar gjatë në imagjinatën time, më ka tunduar gjatë: Më ka trishtuar, hutuar e kënaqur. Sepse, ai nuk është vetëm një rravgim poetik rreth pritjes e ardhjes, rreth absurdit të pritjes, por është një personazh që në imagjinatën e njerëzimit ka hapur dilema të shumta.

Po, sepse ne gjithmonë presim diçka. Jemi qenie në pritje, ndaj Godo banon në secilin prej nesh.

Dëshira për të njohur vende të tjera e për të takuar popuj të ndryshëm, është e ngjizur përbrenda njeriut. Është nga ato dëshirat e flakta, që na çojnë drejt aventurave pa fund.

A nuk veproi kështu Bajroni kur filloi shtegtimet e tij për t’i njohur dhe përjetuar kulturat tjera: Të largëta e ekzotike për kohën!

Po, pa dyshim. Sepse vetëm duke i kuptuar të tjerët, e njohim më mirë vetveten dhe i kuptojmë vlerat e dallimeve, ato që na tërheqin drejt vlerave të përbotshme.

Irlanda, me kulturën e saj – edhe pse me popullsi jo fort të madhe – ka hyrë dinjitetshëm në hartën e vlerave të përbotshme, dhe aty, zotëron hapësirë shumë më të madhe sesa është territori i saj gjeografik.

Irlanda – Atdhe i kulturës, haresë dhe gëzimit

Nata e parë kaloi me shpejtësi.

Të nesërmen, vizitojmë qytetin. Takimet e para janë me drejtues të institucioneve të kulturës.

Ndodhemi mes malit e detit ku dikush priti Godonë e dikush shkroi Republikën e Ndërgjegjes. Ndërsa dikush tjetër skaliti portretin e artistit në rini, tek sodiste botën rrethepërqark dhe shpjegonte dilemat: Si marshonte kah e nesërmja. Është James Joyce, ai shtegtar romanësh, që rikthen kohën prapa, dhe gjen një personazh antik, Odiseun, për t’na dëftuar: Se sa e rëndësishme është që të nesërmen ta ndërtojmë mbi të kaluarën. Jo vetëm të nesërmen e botës artistike!

Irlanda është vendlindja e korifenjve të letërsisë botërore: W. B. Yeats, George Bernand Shaw, James Joyce, Samuel Becketit e Samues Heaneyit; shkrimtarë këta ( veç James Joyce-it) që kanë fituar Çmimin Nobel për Letërsi.

Irlanda është edhe atdheu i Jonathan Swift, Oscar Wilde, dhe shumë figurave të mëdha të kulturës e artit botëror. Por Irlanda njihet kudo në botë edhe për Irish Coeffin, për birrën Guinnes, për rock-un e famshëm, për Irish River Dance dhe sigurisht, për pub-et e famshme.

Po, Irlanda është atdheu i haresë dhe gëzimit.

Të duhet një ditë që ta kuptosh se Irlanda ka një popullsi fisnike e vitale. Këtë e vëren kudo. Një popull të apasionuar pas kulturës e artit. Një popull, që ndihet tej mase krenar për kulturën e vet.

Teksa takoheshim dhe bisedonim me ta për kulturën, librat, bashkëpunimin kulturor, më dukej sikur tërë kohën na pëshpëritnin:

“Dëgjoni: ne nuk jemi dosido popull. Ne jemi Irlanda.”

Vetëm në saje të kësaj – të këtij vetëbesimi, irlandezët kanë arrit që të zënë kaq shumë hapësirë në hartën e kulturës së përbotshme, aty ku nuk hyhet lehtësisht.

Në hartën e vlerave të përbotshme, populli irlandez nuk ka zënë hapësirë në saje të fuqisë ekonomike: as të asaj ushtarake a politike, por me flamurin e kulturës. Dhe sot, Irlanda shkëlqen edhe në ekonomi, politikë e sfera tjera të jetës. Sepse Irlanda marshon kah e nesërmja me kulturë, dhe me kulturë përfton vëmendjen e botës mbarë.

Këto pak evidenca të lartshënuara, janë dëshmi të pakta, të asaj çfarë vërtet është Irlanda, ndaj rrëfimi për të është tjetërfarë. Është rrëfim që të magjeps dhe të kënaq estetkisht e shpirtërisht, ashtu siç të kënaqin veprat artistike të irlandezëve të famshëm. Ashtu siç të kënaq arkitektura e tyre e prajshme e me shije. Ashtu siç të kënaq njerëzia e tyre e pashembullt.

Ka shumë shtete e popuj që na joshin për gjëra të ndryshme. Irlanda, për mendimin tim, përbën një rast specifik, sepse ajo e josh botën nëpërmjet kulturës, autoriteti i së cilës ka arritur të shtrihet në krejt planetin dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen e njerëzimit.

“Ju vini këtu për burrat e vdekur”, na thotë shkrimtarja irlandeze Sarah Webb, pasi dëgjon rrëfimet tona për heronjtë e kulturës irlandeze, ata që kanë lënë gjurmë në ndërgjegjen e njerëzimit.

E në fakt, në Irlandë nuk shkohet, është vetëm për burrat e vdekur. Sepse ishulli i gjelbër vazhdon ta mrekullojë botën me kulturë. Me art e muzikë. Me pub-e, birra, whiskey e rock. Aty, mes detit e maleve, në Dún Laoghaire, jeton një nga yjet më të famshëm të rokut botëror, Bono i grupit rock të famshëm U2. Po, aty kanë lindur dhe jetuar katër nobelistët e letërsisë. Dhe mu aty, mbahet një festival prestigjioz i letërsisë: “Mountains to sea dlr Book Festival.”

Në një nga pub-et e famshme, lexoj shprehjen: “You are what you read.” Dhe them me vete: Ka shumë shtete që meritojnë epitete të ndryshme, por Irlanda, ndryshe, mund të quhet Republika e Kulturës. Po, Republika e Kulturës, fuqia e së cilës, si autoritet suprem, rri prajshëm mbi krejt organizmin e shtetit; kultivon mburrjen dhe krenarinë, dhe i bën ata të fuqishëm përballë sfidave të kohës.

“Ka pak shtete që jetojnë nën pushtetin e kulturës”, them unë, teksa përpara na shfaqet muzeu i James Joyce.

“Autoriteti i kulturës, do të thosha”, shton miku im Arsim Canolli.

Me miqtë dhe kolegët, Zeqir Hamiti e Arsim Canolli, të etshëm për të parë e përjetuar sa më shumë, vizitojmë muzeun e Joyce-it.

Dublini magjik

Pastaj radhën e ka Dublini, në të cilin rrinte hirshëm autoriteti i kulturës, me katedralet e larta e muzetë e bukur, dhe veçmas me bibliotekën e famshme Trinity College Library, ku ruheshin libra të vjetër, e ndër të tjera edhe Libri i Kellit, një vlerë e madhe e njerëzimit. Biblioteka ishte magjike, me pamje impozante, me portrete shkrimtarësh e dijetarësh që i jepnin shpirt, tamam si një parajse. Derisa përjeton ato momente kënaqësie, në mes të turmës së turistëve pafund, të kujtohet Borgesi. Dhe s’ke sesi të mos pajtohesh me pohimin se “parajsa do të jetë në formë biblioteke.” E kur je në Trinity College Library, në Dublinin e kulturës, mbetesh pa fjalë dhe e kupton sa shumë të drejtë kishte shkrimtari i labirinteve.

Pastaj shkojmë në Tempell Bar e Gogarty Pub.

E pub-et në Irlandë nuk janë vetëm pube. Ato janë institucione që përfaqësojnë konstitucionin shpirtëror të këtij populli: Artin, muzikën, vallëzimin, letërsinë. Aty i ndesh të gjitha. Në harmoni me njëra-tjetrën. Është mahnitëse të shihesh në mosha të ndryshme, që pinin e dëfreheshin në harmoni.

E aty lexoja mendime të autorëve të famshëm irlandez, teksa Guinnisi pihej, këndohej e vallëzohej me ngazëllim.

Nën jehun e muzikës fantastike në Gogarty Pub, ne zbraznim birrat Guinnisi me shpejtësi dhe mahniteshim me vitalitetin e këtij populli të hareshëm e pa kurrfarë kompleksi.

Ishte para festës së Shën Patrikut, këtij apostulli të Irlandës. Atmosfera kudo ishte festive. Që nga aeroporti, i cili ishte i dekoruar në mënyrë të veçantë, deri te ngjyrat nëpër bare, ku dominon e gjelbra tipike irlandeze.

Kujtesa historike

Irlanda është një rrëfim prej të cilit mund të mësojë bota – veçmas ajo, e cila, për arsye të ndryshme historike, ka pasur fatin të përjetojë robëri e sundime.

Në përkim me mësimin se liria është aftësia për të vepruar, popujt e përparuar, lirinë kur e fitojnë, e ndiejnë në plotëni. Irlandezët, ata që u mbajtën gjatë nën pushtimin anglez, jetojnë me krenari të tashmen e tyre dhe mësojnë nga e kaluara.

Janë bërë anëtarë të BE-së, por kanë pasur sfida. Dhe në fillim të 90-tave, e rifitojnë besimin dhe e rikthejnë krenarinë.

“Ndodhen tri gjëra që ne të bënim një rikthim të fuqishëm”, shpjegon Tim Carry, i cili kishte organizuar një pritje të mrekullueshme për ne.

“E para, zgjidhet një presidente femër. E dyta, prezantohemi me sukses të jashtëzakonshëm me River Dans në Eurovision, dhe e treta e mposhtim Italinë në futboll.”

Sot, Dublini dhe Irlanda e jetonin me një mirëqenie për lakmi. Aty ushtronin veprimtaritë e tyre afariste korporata të mëdha, si: Facebook, Google etj. Krejt kjo është në saje të autoritetit të kulturës.

Irlandezët, të kaluarën e tyre e shihnin me krenari: Me mburrje, pa përbuzje, ndonëse e dinë se para një shekulli ishin të varfër dhe u detyruan të emigronin në masë të madhe drejt Amerikës.

Libri dhe letërsia

Në Irlandë, asgjë nuk dukej se e zëvendëson kulturën e librit. E gjen në furrat e bukës, në pube, nëpër sheshe e rrugë, në një pllakë ku kujtohet një shkrimtar, në një gur ku janë gdhendur mendime të një shkrimtari tjetër.

Letërsia na këshillon si të zgjohemi nga molepsja, si ta kthejmë shikimin kah horizontet dhe jo nga humnera.

Po, mund të harrosh emra, mund të harrosh rrugë, por s’mund ta harrosh dashurinë tënde, e as të kaluarën tënde. E nëse provon t’i mbyllësh dyert të kaluarës, ajo hyn nga dritarja, pati shkruar shkrimtari Carlos Fuentes.

Teksa në Gogarty Pub muzika rock argëtonte një publik shumë të hareshëm, aty mund të lexoje vargje a mendime të shkrimtarëve W.B. Yeats-it S. Heaney, të J. Joyce-it, S. Becketit.

E ti s’ka sesi të mos ndjesh një ngazëllim të brendshëm kur kupton se ato pabe janë të vjetra, dhe në to kanë pirë kafe, Irish Whisky, dhe kanë shkruar gjitha këto figura të mëdha të artit botëror.

Asnjë popull nuk mund të ecë përpara, nëse të kaluarën e vet e shikon me përbuzje. E urren. E refuzon. Apo edhe ma keq: tenton ta tjetërsojë.

“Letërsia është rruga më e mirë që bota t’ju njohë, është çelës”, na porosit me shumë dashamirësi Bert Wriget, i cili shpreh gatishmërinë maksimale për të bashkëpunuar me Kosovën në fusha të ndryshme të kulturës, e veçmas në përkthime. Dhe na tregon mënyrën sesi kanë arritur festivalin e tyre ta vendosin në hartën e kulturës botërore. Festivalin “Mountains to sea dlr Book Festival e defilojnë më shumë se 7 mijë vizitorë.

Takimet e shumta me shkrimtarë, pjesëmarrja nëpër aktivitete letrare, orët letrare, ndarja çmimit prestigjioz nga The Irish Times Poetry Now Award, takimi me poetin e madh Paul Moldoon, janë kujtime të paharrueshme nga një udhëtim tejet mbresëlënës në Republikën e Kulturës, një vendi prej të cilit mund të mësojmë shumë.

Versioni aktual i demarkacionit sjell destabilizim

0

Sekretari organizativ i AAK-së, Ali Berisha, i ka bërë thirrje Qeverisë të reflektojë dhe ta marrë seriozisht kundërshtimin e demarkacionit nga qytetarët, ekspertët dhe opozita.

Ai ka thënë se ky proces duhet të shpallët i pavlefshëm pasi, sipas tij, do të sjellë destabilizim të vendit nëse kuvendi aprovon versionin aktual të demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

Në një intervistë për “Epokën e re”, ish-kryetari i komunës së Pejës ka bërë me dije se opozita është e bashkuar dhe do ta vazhdojë kundërshtimin me protesta. Ai ka thënë se zgjidhja më e mirë e këtij problemi është krijimi i një komisioni të ri, i cili do ta verifikonte dhe ta legjitimonte kufirin aty ku ka qenë gjithmonë, në mes të Kosovës dhe Malit ë Zi.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk duhet ta votojnë këtë version të demarkacionit me Malin e Zi”, është shprehur Berisha. /Epoka e Re/

LDK-ja në Prizren, sot shënon përvjetorin e 26-të

0

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – Dega në Prizren, shënon sot 26-vjetorin e themelimit të saj. Në këtë përvjetor, do të marrë pjesë edhe kryetari Isa Mustafa.

Zëdhënësi i LDK-së në Prizren Shkëmbim Cikaqi ka njofuar se në këtë përvjetor do të aderojnë edhe 100 anëtarë të rinj.

Manifestimi,  do të mbahet në ora 13:00, në restaurant “Kabashi” në Prizren. /PrizrenPress.com/

17 vjetori i rënies së 9 dëshmorëve dhe 34 martirëve në Hoçë e Vogël

0

Sot bëhen 17 vjet nga rënia e 9 dëshmorëve dhe 34 martirëve në fshatin Hoçë e Vogël të komunës së Rahovecit.

Me këtë rast këshilli i fshatit organizon tubim përkujtimor, i cili do të mbahet në ora 11:00, pranë përmendores së dëshmorëve në qendër të fshatit Hoçë e Vogël. /PrizrenPress.com/

Politikanët kosovarë, të sëmurë për pushtet

0

Dalja e hapur në skenën politike e disa mospajtimeve të fundit brenda bllokut opozitar LAN, sa i përket mundësisë së listës së përbashkët zgjedhore me shoqërinë civile dhe vazhdimit të mënyrës së kundërshtimit të mëtutjeshëm të Qeverisë së Kosovës, deri në detyrimin e saj për të pranuar shpalljen e zgjedhjeve të reja, po interpretohet nga analistët politikë si fillimi i përçarjes serioze pas 7 muaj të betejës së përbashkët me një kauzë unike. Kjo plasaritje në opozitë po cilësohet si një tregues, që e vulos konstatimin se në Kosovë pothuajse të gjitha partitë politike janë të njëjta, pra nuk dallojnë, sepse të gjitha janë të uritura për pushtet dhe për shkak të pushtetit janë në gjendje të sakrifikojnë asgjë, por vetëm interesat e shtetit dhe qytetareve që i kanë zgjedhur.

Me këto zhvillime analistët konstatojnë se politikanët kosovarë, qoftë në pozitë apo opozitë, po dalin pa moral politik, sepse kur i kujtojmë vetëm sharjet që ia kanë bërë njëri-tjetrit gjatë fushatave parazgjedhore, e shohim qartë se nuk kanë pasur kurrë për synim interesin e qytetarit, por e kanë pasur për qëllim vetëm pushtetin, sepse kur vjen interesi kyç për pushtet, ata nuk e kanë fare problem të bashkohen për të zhvatur për interesat e tyre klienteliste. E këtu në këtë fushëbetejë janë të njëjtë, të gjitha pa dallim, qoftë partitë në pushtet apo edhe ato të opozitës.

Kosova, si pronë e politikanëve dhe oligarkëve

Politologu Faik Krasniqi i ka thënë gazetës se kjo mënyrë e funksionimit joserioz të subjekteve politike të Kosovës, është një mundje që nuk po mund të shërohet tash e 17 vjet, dhe kjo gjithsesi shkon në dëm të interesit të qytetarit e në përfitim të klientelave politike. Mirëpo, ai konsideron se tash është momenti kyç që kjo praktikë të ndërpritet.

“Kosova prej pasluftës është bërë pronë e politikanëve dhe bizneseve oligarkike, të cilët kanë kapur çdo pore të shtetit. Dhe, me të drejtë shtrohet pyetja se a është bërë luftë për një shtet për ta kapur nga pushtetarët, apo për një shtet të barabartë për të gjithë qytetarët, që askush të mos jetë mbi ligjin. Por, deri më tash kjo klasë politike na dëshmoi që lufta e tyre ka qenë për pushtet dhe para dhe shkatërrimin e shtetit. Prandaj, pavarësisht mospajtimeve mes partive opozitare, opozita duhet të jetë më e bashkuar se kurrë dhe nuk guxon të përçahet, sepse përçarja shkatërron e kauzën e saj dhe njëkohësisht i mundëson kësaj Qeverie kriminale dhe mafioze që sa më gjatë të ngelet në pushtet”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot”.

Ai ka pohuar se tani është momenti kritik, kur opozita duhet të jetë e bashkuar dhe të vendosë vija të kuqe bashkëpunimi vetëm për partitë, që janë në pushtet dhe janë të lidhura ngushtë me krimin dhe korrupsionin.

“Nëse partitë opozitare e kanë seriozisht qeverisjen në mënyrë të dinjitetshme, shkapjen e shtetit nga mafio-politika dhe largimin nga pushteti të kësaj Qeverie kriminale, atëherë duhet të jenë më të bashkuar se kurrë, duke e zgjeruar kauzën e saj me gjëra që po e shkatërrojnë këtë popull, por njëkohësisht edhe zgjerimin e saj me personalitete të respektuara në opinion, të cilët në vazhdimësi kanë qenë kundër këtyre pushtetarëve mafiozë”. /Kosova Sot/

Akuza Turqisë

0

Amnesty International ka akuzuar Turqinë se po kthen mbrapsht me forcë me mijëra refugjatë sirianë në zonat e luftës.

Nuk ka shumë që Ankaraja vulosi marrëveshjen me BE-në për të frenuar fluksin e emigrantëve drejt Europës, pakt ky që përkundrejt lëshimeve të mëdha të bëra turqve diktonte sistemin e emigrantëve atje.

Por, që prej mesit të janarit, thotë organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut, mijëra sirianë janë dërguar në vendlindjen e tyre të shkatërruar nga konflikti i brendshëm 5-vjeçar, çka evidenton sipas saj “të metat e tmerrshme” të marrëveshjes BE-Turqi. Kjo e fundit e detyron Ankaranë të marrë mbrapsht të gjithë emigrantët dhe refugjatët e nisur ilegalisht drejt Greqisë në këmbim të një ndihme të bollshme monetare, udhëtimit pa viza për turqit dhe përshpejtimit të bisedimeve të anëtarësimit në bllokun europian.

Vetëm se marrëveshja në thelb mbështetet tek të konsideruarit e Turqisë një vend i sigurtë për azil, çka sipas Amnesty-së është e qartë se nuk qëndron. Grupi me seli në Londër jep dhe shifra e këmbëngul se që prej mesit të janarit, në shpërfillje të hapur të ligjit ndërkombëtar, nga Turqia janë dëbuar me forcë rreth 100 refugjatë sirianë në ditë. Shumica e të deportuarve në Siri duket të jenë refugjatë të paregjistruar, por Amnesty ka të dhëna se makineria e kthimit të detyrueshëm nuk ka përjashtuar as disa sirianë me dokumente të rregullta.

Në përpjekjen e dëshpëruar për të mbyllur kufijtë e bllokut, liderët e BE-së kanë injoruar me vetëdije faktin e thjeshtë se Turqia nuk është një vend i sigurtë për refugjatët sirianë, thote drejtori i Amnesty-së për Europën dhe Azine qendrorem John Dalhuisen, dhe çdo ditë e më shumë po bëhet edhe më pak e sigurtë, shton ai.

– See more at: http://politiko.net/akuza-turqise/#sthash.AiPBicxo.dpuf

Të shtëna me armë në Suharekë

0

Persona të panjohur kanë shtënë me armë në Suharekë. Policia e Kosovës njofton se rasti është lajmëruar nga një pronar i marketit.

“Viktima ka raportuar se afër një marketi ka pasur të shtëna me armë zjarri nga një veturë, të cilën nuk ka mundur ta identifikojë”.

“Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur tri gëzhoja të cal. 7.62mm”.

“ Nuk raportohet për të lënduar”.

“ Rasti është duke u hetuar”./PrizrenPress.com/

Prizren: Arrest shtëpiak për dy persona për posedim të narkotikëve

0

Është caktuar masa e arrestit shtëpiak për dy persona nga Prizreni për marrje me drogë.

“Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurve me inicialet B.M. dhe L.K. që të dy nga Prizreni, secili veç e veç për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 par.1 të KP-së, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prizren iu caktohet masa e arrestit shtëpiak”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Ndërsa të pandehurit L.K i është caktuar edhe masa e paraqitjes në stacion policor.

Masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit B.M. do të llogaritet në kohëzgjatje prej /tridhjetë ditëve prej datës 30 mars 2016 ora 13:30 dhe do të zgjasë deri me datën 29 prill 2016.

Masa e paraqitjes në stacion policor ndaj të pandehurit L.K. do të llogaritet në kohëzgjatje prej tridhjetë ditëve prej datës 30 mars 2016 prej orës 16:12 dhe do të zgjasë deri më 29 prill 2016.

“Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal , se gjatë kontrollit të policisë në shtëpitë e tyre me datën 30 mars 2016 në Prizren janë gjetur substancë të dyshuar për narkotik të llojit marihuan”, thuhet në komunikatë.