10.7 C
Prizren
E mërkurë, 29 Prill, 2026
Home Blog Page 6645

Mbi poezinë e Lasgush Poradecit

0

Eqrem Çabej

Poezia e Lasgush Poradecit ka shumë vjet që tingëllon në veshin e Shqiptarit; po e ngadalshme e si nga larg, si harpa e Eolit: vetëm në kohët e fundit, me rastin e sëmundjes së tij të rëndë, vetëdija kombëtare u zgjua, dhe fletoret janë plot me artikuj për të e për ndihmat materiale që i mblidhen.

Po sa di vetë gjer tani kurrkush nuk është marrë estetikërisht me poezinë e Lasgush Poradecit.

ga shqiptarët që kam pyetur më të shumëve u pëlqejnë do vjersha idilike si “Kroi i Poradecit”, kurse shumë të paktë i shijojnë thellësitë moderne të tija; një shenjë e cektësisë së shijes shqiptare të sotme.

Duke hedhur një vështrim mbi literaturën e Shqipërisë së re, do të shohim së pari se në gjithë rrjedhjen e jetës së saj, të gjithë përfaqësuesit e saj, i përshkon një frymë e lartë etike (morale), një shenjë kjo mjaft karakteristike. Kjo frymë kapërcen në shumë raste në zonat e religjionit.

Së dyti, ajo ndahet natyrisht në dy perioda: e para përmbledh ata vjershëtorë, në jetën dhe veprën e të cilëve midis të tjerave një ide kryesore është flaka e madhe që i ndez për lirimin e Atdheut: flasim për De Radën dhe Naim Frashërin. Doemos ideja e tyre merr forma të ndryshme në të dy: e mbajtur te De Rada, ati i vjershës shqiptare, në format e ngadalshme e madhështore të klasicizmit, te Naimi më e djegur, shfaqet më direkte. Po në thelb ideja është gjith’ ajo. Dhe religjioziteti i tyre bie dendur në rigatën e misticizmit, misticizëm katolik te De Rada, e te Naimi misticizëm oriental.

Një vend të veçantë midis periodës së parë dhe të dytë mban Fishta: te ky mbretëron jo vetëm ideja e çlirimit, po edhe fjala burrnore profetike e ruajtjes së lirisë së fituar, vëllazërimit të Shqiptarëvet të sotmë. Duke filluar, pra, idenë e lirisë nëpër heroizmat lokale, Fishta arriti të përqafojë atë që quhet ideja shqiptare. Edhe vepra e Prendushit, me ndryshimet e veta, më duket se i kushtohet po këtij misioni.

Periudha e dytë është ajo në të cilën ideja kombëtare i lë udhën idesë njerëzore: Atdheu ishte duke u liruar, ëndrra e përvëluar e shkrimtarëve të parë ishte duke u bërë realitet. Kështu, syri i poetit u hap për horizonte më të gjera, vegime më të thella. Po të marrim në dorë veprat e Asdrenit, do të shohim të shfaqur atje fillimet e kësaj periode të dytë, e cila mund të quhet perioda moderne e poezisë shqiptare, dhe gjen vazhdimin e saj në vjershat e Lasgush Poradecit. Shenjë modernizmi e Asdrenit është dhe fakti se, i pakënaqur me pasurinë e fjalëve të gjertanishme, për të endur ndjenjat e vegimet e tija në gjithë stërcilësinë e tyre, ky fillon dhe pasuron thesarin e gjuhës me xhevahire të çmueshme, fjalë e mënyra foljeje të ra, delikate e stërmagjike. Po, i ikur që prej djalërisë prej Atdheut, e duke mos mundur nga ana tjetër të ngrihej në një ide universale, vepra e tij nuk mundi të dalë e plotë dhe duket të vërtetojë fjalën e gjermanit Theodor Storm: Asnjë poet i math pa Atdhe (Kein grosser Dichter ohne Vaterland).

II.

Lasgush Poradeci na hap portën e një jetë të re në poezinë shqiptare; një frisson neuf, siç pat thënë Victor Hugoi për vjershat e Baudelaireit, lind e rritet në lëmën e këngës shqiptare, një stil i ri, të cilin do ta kërkosh më kot ndër poetët e tjerë shqiptarë, po më kot dhe ndër shkrimtarët e huaj nga shkaku i origjinalitetit që e shquan këtë poet djalosh. Këtu ndjenja e mendime që nuk kish guxuar e s’kish arritur kurrkush ndër shqiptarët e pendës t’i shfaqte, këtu një stil i munduar, i cili ndryshon nga shkrimi i një Naimi a Fishte si, bie fjala, një pjesë beethoveniane nga një mozartiane. Ky, pra, është stili modern, stil’i Lasgush Poradecit.

Ç’e ndryshon nga të parët, është thellësia… Ay është vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet: në qoftë se kjo nuk është vënë ré gjer tani, shkaku është se më të shumët nuk e kuptojnë poezin’ e tij, e cila me fjalë e mënyra foljesh fare të thjeshta, e shumë popullore, arrin të koncentrohet aq sa mundet të nxjerrë në dritë mendimet me të thella, ndjenjat më labirintike, idetë më të larta. Dhe po të këndohet Lasgushi me dashuri, do të vërtetohet thellësia e tij e pashoqe, në mos sot, nga brezat që do të vijnë.

Poezia moderne n’Europë: Në Gjermani është çudi se ka qenë një shkrimtar i lindur që më 1770, Hölderin, i cili në jetën e tij letrare fort të shkurtër ka nxjerrë harmonira që u afrohen këtyre të sotmeve. Në kohët e fundit Rilke, Stefan George e disa të tjerë janë përfaqësuesit e vjershës moderne gjermane. Në Francë filloi fryma e re me disa vjersha të V. Hugoit, e lulëzoi me Baudelaire (Fleurs du mal), Verlaine, Mallarmé, Rimbaud, Valéry etj. Në Itali, D’Annunzio e Pascoli e rritën pemën e re të vjershës moderne të mbjellë prej Carduccit. Në Rusi, prozatorët e së cilës kanë ndikuar të gjithë Europën, nga vjershëtorët, ai që mori më famë në kohët e fundit është djaloshi i vdekur, Sergej Jessenin. – Ja, pra, poetët që janë produkti i kohës moderne, bir i së cilës është dhe Lasgush Poradeci.

Një tjetër send karakteristik për të: ky nuk është poet lirik në kuptimin më të vërtetë të fjalës: nuk do të gjesh t’ëmbla e të buta melodi; më shpesh vjershat e tija janë drama dhe shumë prej syresh tragjedira të vogla: shquan prologun, aktin e parë të dramës, kulmin e dramës, pastaj si vala e detit e “Këngës pleqërishte”, bie, bie, bie, pasi pat luftuar shpirti i munduar, i munduar më kot…

Pasi pat luftuar më kot për të gjetur lumtërinë jashtë kësaj bote, për t’iu avitur idealit të paarritshim.

Po, mor mik, lëre këtë botë! Në qoftë se nuk vret veten, hidhu në ideal e mbushe shpirtin plotë me të! Një fuqi elementare mundet të krijojë një botë… Po, ah, janë të gjitha përralla! Largoju më mirë dhe ruaje jetën si murg, i vdekur i pakallur. Të pakën do ndjesh ahere “Ç’ëndërim krijovi truri”.

Më çdo varg prej pikash lot

Kur dridhesh nga hidhërimi dhe jeta t’është natë, mos u ngroh në mishin e gruas!… Përpara syrit të shpirtit tënd t’avitet forma ideale: “Me flokë përmbi supe.”

Me roba gjer për dhé

Këtë, të patruptën, pushtojë “me një magji të re”. Ja qëndrimi i Lasgush Poradecit kundrejt dashurisë, ku duken aq zotësia ashtu dhe vetijat e një vjershëtori.

Disa nga vjershat e tija nuk kuptohen, ose me shumë zor: Kush e njeh Lasgush Poradecin për s’afërmi di se ai është një adhuronjës entuziast i kulturës latine, i kjartësisë latine, një armik i obskurantizmës gjermane. Një paralelë: Nietzsches, armikut më të rreptë të “besties blonde” të muzikës së Wagner-it, i pëlqente muzika latine e Bizetsë, poezia latine e Horacit, mendimet latine e stili latin i Montaigneit. Po të pakë të mëdhenj kanë qenë aqe të munduar nga demoni i mendimeve kaotike sikur Nietzscheja. Spiegimin na e jep një dialog i Platonit: “Njeriu dëshiron atë që nuk ka vetë”. Edhe Lasgush Poradeci është larg nga të qenët një njeri “latin”.

Po moskuptimi i lehtë, të thomi errësira e disa vjershave të tija, nuk është e metë, përkundrazi një element i gjithë shkrimeve të thellë në botë, që prej poemave indiane e, nëpër Kuranin, gjer më sot. Fundi i fundit çdo thellësi ësht’ e errët. Dhe faji s’është aq i gjeniut sa i publikut mendjeshkurtër. Dante, tek i cili gjinden disa verse jo aq të kjartë, ka thënë: O voi che avete gl’intelletti sani, Mirate la dottrina che s’asconde Sotto il velame delli versi strani.

Po sikundër ndër komponistët e një stili të rëndë, ziplot, nganjëherë ndihen tingëllimet e këndshme të një scherzo-je, ashtu dhe nëpër poezitë e këtij, të gjera e plot gremina, që janë tableau-të e një fati, shfaqet dikur (sa rrallë!) një nënqeshje sublime në trioletin e lehtë si një grumbull rrezesh dielli të mëngjesit në një odë të zezë:

Këto kopshte ku fryn era
Muar ngjyrën e floririt.
Se ç’i shkel baluke-prera
Këto kopshte ku fryn era!

Kush nuk mundet nga magjia e kësaj gjuhe? Djalëri Shqiptare, këndo Lasgush Poradecin, e pastaj vdis!

Këto vërejtje le t’i shërbejnë kuptimit të poezisë së Lasgush Poradecit, të këtij djaloshi, të cilin një fat i mirë duket sikur ia ka falur Shqipërisë, që të bëhet ai shkrimtar, të cilin Shqipëria do t’ia falë njëherë botës. Po si do të zhvillohen punët, kush mund ta dijë? Lasgush Poradeci ka mjaft kohë që nuk shkruan. Perioda e djalërisë i kaloi, tash do të vinte krijimi i burrërisë. Po një sëmundje e rëndë dhe e pamëshirëshme lufton që ta shtypë… Kjo kaptinë e sëmundjes së tij është tepër tragjike, aq sa nuk mund të zgjatemi më tej: a është sëmundja shkaku i vuajtjeve të tija apo vuajtjet e tija të para qenë shkaqet e sëmundjes, këto janë probleme tepër të koklavitura. Fakti është se literatura shqiptare do fitonte shumë, ose do të humbiste shumë me Lasgush Poradecin. Ne dëshërojmë të parën. Po Fati e ka në dorë!

Edhe shqiptarët. Duhen sakrifica të mbëdha që ai të mund të mbarojë misionin e vet…

E pastaj le të ronitem, le të qaj, e le të vdes.

Graz, shkurt 1929

* Botuar së pari në “Gazeta e re”, 22 shkurt 1929.

Ridvan Hoxha: LDK-ja në Prizren, drejt tkurrjes

0

Veprimtari i LDK-së në Prizren Ridvan Hoxha, ka alarmuar se kjo degë po shkon drejt tkurrjes.

Ai i ka bërë thirrje lidershqipit të LDK-së që të mos lejojë tkurrjen e këtij subjekti politik.

“Përvjetori i LDK-së në Prizren mbahet në Restaurant “ Kabashi” në Prizren me kapacitete maksimale 100-120 vende”, shkruan Hoxha në Facebook,transmeton PrizrenPress.

“Sipas informatës zyrtare të Forumit Rinor “100 të rinj do të antarsohen”, ndërkaq që lokacioni nuk i shkon as partive minore që nuk mund të sigurojnë vende deputetesh në Kuvendin Komunal e lërë më për të arritur 5% për zgjedhjet Parlamentare….!”.

Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) në Prizren, nesër shënon 26 vjetorin e themelimit. Në këtë përvjetor është paralajmëruar edhe aderime të reja.

“Nuk mbaj mend që pas 1999, e këndej që tubimet e përvjetorët e Degës së LDK-së të janë mbajtur në lokale me kapacitete të tilla të vogla”.

“ E them këtë duke marre parasysh faktin e infrastrukturës organizative të LDK-së në Prizren”

“Dega e LDK-së në Prizren ka pas 43 nëndegë nga minimum 10 anëtarë të kryesive që bëjnë 430 zyrtare, shto edhe e 101 anëtarë të Kuvendit të LDK-së , Dega në Prizren, pastaj Forumi i Rinisë, Forumi Gruas, aktivist e veprimtar-veteranë e mysafir tjerë simpatizantë të LDK-se, etj. Prandaj lindë pyetja logjik, kah po shkon Lidhja Demokratike e Kosovës në Prizren?”.

“Sigurisht se në qofte se vazhdon Dega e LDK-së, të menaxhohet nga individë të tillë , atëherë i bie që përvjetorin e ardhshëm do ta festojmë në një klasë të shkollës fillore apo të mesme”

“Si një veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i bëj thirrje lidershqipit të LDK-së, që të mos lejohet që ky sindrom i tkurrjes të përhapet edhe nëpër degë tjera të LDK-së, gjithandej Kosovës”.

“A po humbet kontakti me elektoratin me qellim apo pa qëllim?! “/PrizrenPress.com/

Pse duhet ta lexojmë Çajupin?

0

Dorian Koçi

I lindur në Shqipëri dhe i arsimuar në shkollë greke në vendlindje (në Shqipërinë e Jugut në atë kohë dhe në krahinën e Zagorisë, prej nga është autori, prej kohësh sipas së drejtës që gëzonte popullsia rum-milet kishte shkolla greke), pastaj në kolegjin francez të Kajros për të vazhduar më tej në Zvicër, Çajupi është suigeneris një rast i elitës shqiptare, arketip i shumë shtresëzimeve kulturore, të cilat të harmonizuara brenda vetes, shpeshherë nxirrnin në pah kozmopolitizmin e tyre, por që në të shumtën e rasteve iu nënshtrua nacionalizmit si një forcë lëvizëse tërheqëse e kohës.

Ai e fillon krijimtarinë e vet në frëngjisht, në tregimin “Mysafirë në Çajup”, në një gjuhë që e kish mësuar gjatë edukimit të vazhdueshëm të tij. Pavarësisht se tregimi u botua në frëngjisht, tematika e tij ishte e pastër shqiptare, madje ballkanike, pasi tema e hajdutërisë ishte një nga temat që lëvrohej më tepër në atë kohë, jo vetëm nga shkrimtarë lokalë, por edhe nga shkrimtarë ekzotikë, që shkruanin për Ballkanin. Stili i tij në frëngjisht është i përsosur dhe njohjen e kësaj gjuhe ai do ta dëshmojë më vonë dhe me përshtatjen që do u bëjë më vonë fabulave të La Fontenit në shqip. Në vitin 1902, ai boton përmbledhjen e parë poetike “Baba Tomorri”. Botimi i kësaj vepre poetike ishte një risi për publikun e paktë shqiptar, pasi së bashku me motivet romantike, fillojnë dhe marrin jetë edhe tonet realiste. Poeti i Baba Tomorrit e zbriti poezinë nga qiejt romantikë në tokë, e pasuroi frymëzimin historik të letërsisë së kohës me frymën sociale, me patosin qytetar e kritik. (Çajupi Z. A. [1997. Baba Tomorri] Parathënie nga Bulo J., Tiranë: Dituria, faqe 6) Shkrimtari dhe kritiku Mitrush Kuteli ka shkruar se Andon Zako Çajupi është Frederik Mistrali i Shqipërisë, poeti i thjeshtë dhe rustik i jetës sonë popullore. Disa nga poezitë e Çajupit përbëjnë gurë të çmuar, të cilët do të zënë një vend të ndritur në antologjinë e poetëve shqiptarë.

  1. Z. Çajupi, si autor u përket atyre autorëve që bëjnë të mundur që materien folklorike të shoqërive të tyre rurale ta përkthejnë në një shije estetike më të avancuar duke ia përshtatur kohës dhe urbanizmit. Edhe pse ky proces është një proces paneuropian që ka ndodhur në të gjitha letërsitë e mëdha apo të vogla, Çajupi mbetet origjinal në letërsinë shqipe, sepse pas Naim Frashërit, si askush tjetër në Shqipërinë e Jugut, mundi të ngrejë në art, rrëfimet, simbolet dhe imazhet e mikrokozmosit të krahinës së vet Zagorisë, në një makrokozmos gjithë shqiptar. Faik Konica, esteti dhe kritiku i hershëm i fillimeve të letërsisë shqipe, do të shprehej entuziast për poezinë e Çajupit, më 1902 duke shkruar se na leu një vjershëtor! Kemi shpresë se ka për të punuar pa pushim dhe zanat(musat) mike të Shqipërisë do t’i fryjnë vjersha më të bukura. (Faik Konica. Baba Tomorri, Vepra 1, fq. 238)

 

Pse duhet ta lexojmë Çajupin?

Nuk ka dyshim se ekziston një lidhje shumë e ngushtë midis lëvrimit të një gjuhe dhe letërsisë së kultivuar. Në këtë drejtim, letërsia shqipe, e bazuar mbi një gjuhë që ende nuk kish standardizuar alfabetin e vet, me një trashëgimi të paktë me autorë dhe tekste, nuk mund të arrinte kulme të barasvlefshme me ato të letërsive të zhvilluara. Kjo është arsyeja që kur i lexojmë sot poetët dhe shkrimtarët e Rilindjes Kombëtare, vargjet e tyre na tingëllojnë herë-herë fëminore dhe për fat të keq i anashkalojmë apo dhe nuk i rekomandojmë për të lexuar. Sigurisht që kjo mospërfillje vjen ngaqë nuk kemi dhe shkrimtarë, kritikë autoritarë që të rrëfejnë udhëtimet e tyre shpirtërore në krijimtarinë e shkrimtarëve më të hershëm dhe rrënjët e letërsisë shqipe. Në hierarkinë e letrave shqipe kemi vetëm një rast, kur Kadareja shkroi esenë e gjatë “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, e cila mund të quhet një udhëtim shpirtëror në hapësirë dhe kohë në monopatet e letërsisë shqipe.

Gjithsesi, pavarësisht kësaj situate, në kritikën shqiptare besoj se Çajupi, si një nga përfaqësuesit e një alteregoje të brendshme të lexuesve të vet, ku gjen jo vetëm motivet romantike, pastorale e lirike, por edhe frymën kritike, sarkazmën, humorin shpotitës ndaj veseve të shoqërisë, meriton një vëmendje të veçantë për t’u lexuar dhe shijuar si tekst, si autor dhe si përfaqësues i një epoke. Në duelin midis vetëdijes romantike dhe vetëdijes kritike te Çajupi po fitonte kjo e fundit dhe kjo fitore i hapte udhën realizmit në letërsinë shqiptare të shekullit të kaluar. T’i shtrosh udhën një drejtimi të ri dhe një stili të ri, kjo nuk është një meritë e vogël për një krijues dhe ky fakt nuk përbën një episod të zakonshëm në rrjedhën normale të një letërsie, por një pikë kthese në zhvillimin e saj. (J. Bulo, Parathënie e veprave të Çajupit, Toena: 2008, fq. 24)

Si tekst, vepra e Çajupit është një dëshmi leksikore, gjë që e ka vërejtur dhe Konica, kritiku i parë i tij kur shkruan se gjuha e autorit – i cili duket se është lab (thom duket, se nuk e kam nderin ta njoh), është e fortë e hijshme, pa lule të tepërta e të panevojshme.(Faik Konica. Baba Tomorri, Vepra 1, fq. 238) Skenat e komedisë “14 vjeç dhëndër”, vërtet të paqëlluara dhe lidhura mirë artistikisht, por të rijetëzuara përmes filmit me të njëjtin titull nuk shërbejnë vetëm për të ilustruar nervin satirik, fshikëllues dhe kritik të tekstit të Çajupit, por lehtësojnë lexuesin e ri për të pasur një kalim gradual midis një bote që ka perënduar dhe realitetit të sotëm urban. Sot ka një boshllëk të madh në gjykim për të kuptuar atë që ka arritur të transformohet shoqëria shqiptare e këtij fillimshekulli dhe shoqërisë shqiptare të strukturave sociale të ngurta, fisnore e patriarkale që mbijetuan deri në mesin e shekullit të kaluar. Në këtë drejtim, vepra e Çajupit është emancipuese dhe paralajmëruese për standardet në të cilat duhet të arrijë shoqëria.

Si autor, Çajupi është inovativ, i ri dhe eksperimentues. Ky përcaktim qëndron brenda kornizave të letërsisë së lëvruar shqipe të deriatëhershme, pasi në rrafsh europian është krejt e kundërta. Ai e njeh shumë mirë letërsinë frënge, por nuk joshet dhe tundohet nga format moderniste të saj, por shkruan në mënyrë tradicionale duke zgjedhur tetërrokëshin folklorik. Përpara tij, kështu ka shkruar vetëm Naim Frashëri, që në parathënien e përkthimit të Këngës së Parë të “Iliadës”, na i dëften modelet e tij poetike, ndërsa për fat të keq nuk kemi një traktat të tillë dhe nga Çajupi. Çajupi, së bashku me Naim Frashërin, e ngrenë ligjërimin folklorik të popullsive rurale të Shqipërisë së Jugut në art, krejt në kundërshtim me rrymat e tjera të artit në Europë që më tepër rendin drejt “unit” personal dhe në këtë mënyrë, dashur pa dashur kthehen në përfaqësues të denjë të bashkësive të lira rurale prej nga kanë origjinën. Momenti sesi ky ligjërim arrin të kthehet në dominues dhe përcaktues për masat lexuese, është jo vetëm rast studimi sesi nacionalizmi përhapet nga elitat drejt masave përmes shtypit të shkruar dhe librit, por dëshmon edhe forcën e vargjeve të veta që arrijnë ta bëjnë për vete këtë masë. Në Jug të Shqipërisë, krejt natyrshëm mund të gjesh vargje të Çajupit të kënduara labçe, pa ditur ekzekutuesit e këngëve se kush është autori i vargjeve. Kjo shkrirje autor-folklor është shumë interesante për gjithsecilin që dëshiron të njohë rrënjët e kulturës së vet.

Çajupi, në veprën e vet, demonstron kurajë civile dhe përgjegjshmëri intelektuale. Ai nuk mënon të hyjë në konflikte me autorë të tjerë shqiptarë, siç është konflikti me Mithat Frashërin, të cilin e portretizon me nota satirike te pamfleti “Klubi i Selanikut”, por që sigurisht brenda kësaj satire duhet kuptuar dhe një shqetësim intelektual për fatin politik të elitave që do të qeverisnin Shqipërinë kur do të ishte e lirë. Një debat i tillë ka qenë dhe midis Konicës e Asdrenit, ku ky i fundit shkruante se “Nëse Shqipëria ishte duke fituar pavarësinë e saj … ajo mundet dhe të mos e fitonte këtë, në qoftë se të gjithë shqiptarët nuk kanë për të gëzuar të gjitha të drejtat e tyre; dhe nëse duam të ndjekim idetë e mëdha: barazi, vëllazëri, liri – atëherë ç’nevojë ka kombi të ndahet në shkallë, me zotërinj dhe skllevër? Shqiptarët duhet të jenë të barabartë midis ligjit. Titujt duhen të hiqen … Apo mos vallë besoni se aristokracia duhet të urdhërojë dhe atëherë siç bën tani?” (Skëndi S., Zgjimi Kombëtar i shqiptarëve (1878-1912) 2000: fq., 175).

Si një nga përfaqësuesit e elitës shqiptare që jetoi në kapërcyellin e Rilindjes Kombëtare dhe periudhës së Pavarësisë, Çajupi është shumë i rëndësishëm si një nga afirmuesit dhe arkitektët e ndërgjegjes kombëtare që bëri të mundur ngjizjen e kombit shqiptar. Vargjet e tij janë gjithë patriotizëm dhe nxisin një ndjenjë të sinqertë atdhedashurie, edhe pse në mënyrë të kuptueshme në kundërvënien me osmanët si në poezinë “Sulltani”, kur i portretizon këta të fundit përmes klisheve të pasqyrimit të tjetrit në Orientalizëm.

Patriotizmi i predikuar dhe i mishëruar në vargjet e Çajupit është në fakt një patriotizëm model që mund të rimerret në formën e krenarisë kombëtare, sidomos në kohët e sotme, kur identiteti shqiptar ka pësuar lëkundje të ndryshme tektonike për vlerat dhe për principet ku mbështetet. Rilindësit dhe bashkë me ta dhe Çajupi, morën përsipër dhe ia arritën qëllimit ta kthenin ideologjinë kombëtare nga një ideologji të një pakice intelektualësh në ideologji të shqiptarëve. (J. Bulo, Parathënie e veprave të Çajupit, Toena: 2008, fq. 24) Pikërisht kjo ndërthurje midis kënaqësisë estetike që duhet të dhuronin veprat e tij dhe misionit për të realizuar zgjimin kombëtar, bën që një pjesë e poezisë së tij të tingëllojë propagandistike. Por, gjithsesi, duke e parë Çajupin sa si poet po aq dhe sa intelektual të angazhuar për të realizuar lirinë politike të vendit të vet, pra në tërësi si një personalitet të formuar të kulturës shqiptare, prapë se prapë mund të pohojmë se poetika e vargjeve të tij si kur krijon vetë apo kur shqipëron, ndjell ende lexues dhe dëshirën ndaj së bukurës. Në një tokë djerrë siç ishte shqipja e lëvruar, e fundit të shekullit XIX, dhe pa ndonjë traditë të madhe në autorë dhe tekste, nuk mund të paragjykohet as Çajupi apo dhe ndonjë tjetër për mungesë të artit poetik, por të vlerësohen që hapën rrugët dhe konsoliduan një traditë letrare që vite më vonë do të sillte në skenë dhe shkrimtarë të mëdhenj.

Ja disa nga vargjet e tij më të mira kushtuar dashurisë që meritojnë vëmendje për çiltërsinë, muzikalitetin dhe ndjesitë që përcjellin.

Pika-pika bie shiu
dhe dëbora flokë-flokë,
vetëtin e fryn veriu,
breshëri kërcet mi tokë!
Le te fryjë er’ e ftohtë,
s’ka ç’më bën dimëri mua:
Dashuria më mban ngrohtë,
se pushtoj atë që dua.
Kur fryn era me tallas,
kur bie dëbor’ e shi,
sa fle njeriu me gas,
kur ka mikenë në gji

Ku i ka të brendshmet Adelina Berisha?!

0

Pas rastit të modeles shkodrane Angela Martini, e cila doli pa të mbathura në New York, këngëtarja Adelina Berisha është fotografuar gjatë performancës së saj në një koncert krejt pa të brendshme, të cilat duket se i kishte harruar në shtëpi.

Ajo jo vetëm që guxoi të hiqte veshjet e brendshme, por ka mbajtur veshur një fustan super të shkurtër, që i nxirrte gjithçka në pah.

Fotot që zbulojnë pjesë “të tepërta” të trupit të saj, janë bërë publike, ndërsa nuk ka pasur ende një reagim nga këngëtarja kosovare.

Kim Kardashian dhe Emily Ratajkowski nudo bashkë para pasqyrës

0

Kim Kardashian është zhveshur sërish dhe këtë radhë është shoqëruar nga modelja Emily Ratajkowski.

Më herët gjatë këtij muaji, Emily u vu në mbrojtje të Kim, pasi kjo e fundit postoi një foto tërësisht nudo në Instagram dhe Twitter.

Duket vajzat kanë pasur në plan të shtojnë forcat ndaj të gjithë kritikëve duke pozuar ‘topless’ të dyja bashkë. Në një foto të shpërndarë në Instagram nga Kim, ato shihet topless dhe të pacensuruara.

Shtëpia e Bardhë jep mbi 300 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën

0

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se do t’i ndajë Ukrainës 335 milionë dollarë për ofrimin e “ndihmës në siguri”, pas një takimi të realizuar ndërmjet zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden dhe presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko.

Ndihma është shumë e nevojshme për Ukrainën, pasi vendi po përballet me një krizë ekonomike që kur Rusia aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe nxiti një revoltë separatiste në lindje të Ukrainës.

Përderisa Uashingtoni e përkrahë qeverinë pro-perëndimore të Ukrainës, njëkohësisht është i shqetësuar për nivelin e korrupsionit në Kiev. Këto shqetësime janë adresuar më herët këtë javë, kur Ukraina shkarkoi kryeprokurorin e vendit, i cili pretendohet se kishte zvarritur hetimet e nivelit të lartë të korrupsionit.

Shtëpia e Bardhë tha se Biden i ka thënë Poroshenkos se Ukraina do të marrë edhe më shumë ndihmë nëse i vazhdon përpjekjet për instalimin e reformave të reja në qeveri.

Vritet një shkabë në Kukës, mendohet se ishte e fundit në Shqipëri

0

Një qytetar ka sjellë në redaksinë e gazetës ‘Shqip’ vrasjen e një shpendi. Ai denoncon rastin në fjalë, duke thënë se ngjarja ka ndodhur përpara dy muajsh në Kukës.

“Është vrarë para 2 muajsh në një fshat të Kukësit. Nuk e di, nuk kam informacion nëse është shpend i rrallë, apo jo?! Gjithsesi me vjen keq kur shikoj kafshë të rralla që vriten nga gjuetia e pakontrolluar!”, shkruan denoncuesi, duke kërkuar ruajtjen e anonimatit.

Nga fotografia, shpendi në fjalë ngjan si një shqiponjë. Një ditë me parë, gazeta ‘Shqip’ online, denoncoi vrasjen e një baldose dhe reagimet e qytetarëve kanë qenë të shumta.

Pavarësisht kësaj, vrasja e kafshëve të rralla që ndodhen në vendin tonë, vazhdon të jetë një fenomen shqetësues dhe deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar.

Redaksia jonë u lidh me ekspertët, të cilët thanë se bëhet fjalë për një shkabë, e cila është në zhdukje në të gjithë botën. “Ne e dinim që shkabat nuk ekzistonin më në Shqipëri, pasi ishin zhdukur.

Ardhja e saj këtu do të ishte një lajm shumë i gëzuar, por vrasja përbën një krim. Ndoshta ajo ka ardhur që të ndërtojë një fole ”, thanë ekspertët.

(Kosova Sot)

Gaz lotsjellës në zyrën e Ramadan Mujës

0

Kryetari i Degës së AAK-së në Prizren, Lulëzim Kabashi, ka hedhur gazë lotsjellës në zyrën e kryetarit të Komunës, Ramadan Muja.

Kabashi, i cili është edhe nënkryetar i Mujës tha se vendimi për hedhjen e gazit është marrë nga Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së në Prishtinë.

“Këshilli i AAK-së ka marrë vendim që gazi lotsjellës pasi që është ndërprerë në Kuvendin e Kosovës, të shpërndahet edhe nëpër komuna”, tha Kabashi.
Ai tregon se e ka pasur tepër të vështirë që të hedh gaz lotsjellës në zyrën e kryetarit Ramadan Mujës, pasi që është pjesë e keqqeverisjes së tij.

“Unë kam qenë kundër këtij vendimi, sepse me njëfarë forme edhe ne jemi bashkëfajtorë për degradimin e qytetit, mirëpo ishte e pamundur të refuzojë presionin e liderit Ramush Haradinajt”, tha Kabashi.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj,pas zgjedhjes së Hashim Thaçit, president i Kosovës, ka shpeshtuar vizitat në qytetin e Prizrenit.
Burimet e ‘PrizrenPress’-it bëjnë të ditur se Haradinaj ka kërkuar nga anëtarët e AAK-së që t’i përdorin të gjitha format kundër qeverisjes së Ramadan Mujës.

“ Mos pritini nga unë që të shkrryhem për Prizrenin. Unë kam deklaruar një herë se për mua ky është sport i vogël”, citohet t’i ketë thënë Haradinaj, anëtarëve të Kryesisë së AAK-së në Prizren.

Lulzim Kabashi-aak600Sipas të njëjtit burim, Haradinaj ka akuzuar kryetarin e Degës, Lulëzim Kabashin se njëanshëm ka hyrë në qeveri me PDK-në.

“Kjo ka qenë arsyeja kryesore pse është caktuar Luli me hedhë gaz në zyrën e Mujës”,tregon burimi brenda AAK-së.
Ndërkaq, kryetari i Prizrenit Ramadan Muja është shprehur i revoltuar me veprimin e nënkryetarit të tij.
Ai tha se nuk ka pritur që njeriu i cili ka kontribuar më së shumti në fitoren e PDK-së dhe në zgjedhjen e tij, në postin e kryetarit të Prizrenit, që të hedh gaz lotsjellës.

“Nuk e kam pritur gazin nga Lulëzimi”, tha Muja.

“Ai gjatë zgjedhjeve edhe pse ka qenë kandidat nga AAK-ja për kryetar të Prizrenit, më së shumti ka lobuar për zgjedhjen time”.

Muja ka ironizuar me veprimin e Kabashit.

“Ndoshta është zhgënjyer pse kryetari i tij i vërtet, Hashim Thaçi, është bërë president i Kosovës”.

Ai ka ftuar Kabashin që të heq dorë nga gazi lotsjellës.

“ E ftoj që të heq dorë nga gazi. Mos të aktrojë me këto veprime para qytetarëve,sepse nëse është degraduar qyteti, fajtori kryesor është vetë ai. Besa edhe analistët po thonë se ky veprim është i dënueshëm”.Aprilliiiiiii

Korrupsioni ua nxin jetën qytetarëve

0

“Pa një udhëheqësi të mirëfilltë të vetë gjyqësorit, që do të fillojë të kërkojë më shumë dhe të ngritë zërin më shpesh, nuk do të hiqet as mendësia e varshmërisë prej politikës”, tha ekspertja nga Instituti KIPRED, Ariana Qosaj-Mustafa

Lufta kundër krimit të organizuar edhe korrupsionit, një nga kriteret kyçe të hapjes së perspektivës evropianë të shtetit të Kosovës, duke përfshirë edhe lirinë e lëvizjes, po mbetet një betejë e pashpresë për qytetarët. Analistët politikë dhe ekspertë të sundimit të ligjit konsiderojnë se prokuroria e gjyqësori nuk po mund të dalin nga kthetrat e mafiopolitikës në pushtet edhe nga ndikimi i mafio-parapolitikës oligarkike, kur dihet fare mirë se mafiozët nuk kanë as vullnet dhe as interes që ta luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Të gjitha proceset integruese, por edhe të gjitha mbështetjet dhe zhvillimet e tjera në interes për qytetarët dhe vendin, lidhen e kushtëzohen me luftën efikase e konkrete që duhet të bëhet kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe klaneve, karteleve e nepotizmit, që kanë kapur te gjitha segmentet, në të gjitha nivelet e pushtetit.

Politologu Faik Krasniqi i ka pohuar gazetës se luftimi i korrupsionit vazhdon edhe sot të mbetet njëra nga sfidat kryesore në të gjitha segmentet e shoqërisë.

“Korrupsioni po e nxin jetën e qytetarëve të Kosovës si dhe padrejtësitë e tjera të mëdha, ku gjithçka bëhet me miqësi, klane, grupe me dredhi të fshehta, dinakëri e marrëveshje verbale. Prej pas luftës Kosova është duke vuajtur nga korrupsioni i nivelit të lartë, i instaluar nga kjo klasë politike, e sidomos nga partitë që udhëheqin shtetin prej shpalljes së pavarësisë. Edhe Qeveria e tanishme e Kosovës ka dështuar në luftimin e korrupsionit dhe në vend të luftimit të tij, korrupsioni është rritur edhe më shumë”, ka theksuar ai./kosova sot/

Në Prizren arrestohen tre hajna të telefonave

0

Tre persona të dyshuar për vjedhje të telefonave, sot janë arrestuar në Prizren. Zëdhënësi i Policisë në Prizren Hazir Berisha tha se të arrestuarit dyshohen se me datën 19 mars në orët e vona të mbrëmjes kanë kryer vjedhje të rëndë nga një servis i telefonave celularë në rrugën “De Rada”.

“Pas identifikimit të kryerësve janë gjetur edhe dëshmitë materiale të vjedhura në lokal të cilat i janë kthyer pronarit, ndërsa të dyshuarit janë marrë në pyetje në prani të avokatëve mbrojtës dhe pas intervistave të njëjtit janë ndaluar nën masën e arrestit policor për 48 orë”, tha Berisha.

Të dyshuarit janë të njohur për policinë pasi kanë kryer vjedhje edhe herëve tjera./PrizrenPress.com/