10.7 C
Prizren
E mërkurë, 29 Prill, 2026
Home Blog Page 6646

Haga ka marrë vendim “të turpshëm” për Sheshelin

0

Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte ka gjetur se ultra-nacionalisti serb, Vojisllav Sheshel, nuk është fajtor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që lidhen me luftërat në Ballkan në vitet 1990.

Sheshel nuk ka qenë i pranishëm në seancën e së enjtes në Gjykatën në Hagë, kur gjykatësi kryesues, Jean-Claude Antonetti, ka bërë të ditur se ai është i lirë.

Antonetti ka thënë se gjykata ka vendosur se Sheshel nuk mban asnjë përgjegjësi individuale për krimet, për të cilat është akuzuar.

“Me lirimin nga të nëntë pikat e akuzës, urëdhër-arresti i lëshuar nga dhoma e apelit më 17 qershor, 2015, zhvlerësohet. Vojisllav Sheshel është njëri i lirë pas këtij aktgjykimi”, ka thënë gjykatësi Antonetti.

Gjykata e Hagës ka lejuar që Sheshel, 61 vjeç, të qëndrojë në Beograd kur të jepet vendimi. Atij i është dhënë leje e përkohshme në vitin 2014 për trajtim të kancerit, por ai i ka sfiduar urdhërat e gjykatës për t’u kthyer dhe ka mbetur në Serbi. Prej atëherë, ai është rifutur në skenën politike, duke mbajtur tubime, në kundërshtim me urdhërat e gjykatës.

Sheshel, i cili ka qenë zëvendëskryeministër në regjimin e Millosheviqit, është përballur me tri akuza për krime kundër njerëzimit dhe gjashtë akuza për krime lufte në Kroaci, Bosnje dhe në krahinën e Serbisë, Vojvodinë.

Prokurorët kanë thënë se ai ka ndihmuar ngritjen e njësiteve paraushtarake që do të ndihmonin realizimin e qëllimit të tij – krijimin e së ashtuquajturës “Serbi e Madhe”, e pastër etnikisht. Këta paraushtarakë kanë dëbuar dhjetëra-mijëra myslimanë dhe kroatë nga shtëpitë e tyre.

Sheshel është i njohur për retorikë kërcënuese. Ai është zotuar se do të vrasë kroatë “duke ua nxjerrë sytë me lugë të ndryshkura”.

Kryeministri i Kroacisë, Tihomir Oreshkoviq, ka thënë se vendimi i Gjykatës së Hagës është “i turpshëm”.

“Nuk mund të kuptoj se si dikush që është dëshmuar se ka marrë pjesë në agresionin në Bosnje, të lirohet”, ka thënë kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq.

Ndaj vendimit të Hagës ka reaguar edhe zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi.

“Vendimi për Sheshelin i Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte është dështim total i drejtësisë ndërkombëtare. Njeriu ka shkaktuar dhimbje, vdekje dhe kaos për mijëra njerëz”, ka shkruar Selimi në rrjetin social Twitter.

Vetë Sheshel ka thënë “nuk i interesojnë reagimet nga Bosnja dhe Kroacia”.

“Kur kam shkuar në Hagë, e kam ditur se asnjë krim nuk mund të dëshmohet”, ka thënë Sheshel në një konferencë për gazetarë nga Partia Radikale Serbe.

Ish-zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Florence Hartmann, ka thënë se aktgjykimi do të thotë se Sheshel mund të vazhdojë me politikën e tij dhe të bëhet njeri me ndikim.

“Pohimi se Sheshel me vendosjen vullnetarëve paraushtarakë ka dashur të mbrojë civilët, e çon Gjykatën e Hagës nga realiteti në fantazi”, ka thënë eksperti britanik për Ballkanin, Tim Judah.

Lirimi i Sheshlit vjen një javë pasi Gjykata e Hagës ka dënuar ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, me 40 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për gjenocid dhe krime lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-95. Rreth 100,000 njerëz kanë vdekur në këtë luftë.

Ratko Mlladiq, gjenerali serb që ka komanduar forcat serbe të Bosnjës, është duke pritur vendimin për të në Hagë. /REL/

Përkujtohen 106 të vrarët në Pastasellë të Rahovecit

0

Masakra e fshatit Pastasellë të Komunës së Rahovecit është një nga masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës së Kosovës të vitit 1999. Në këtë masakër janë vrarë dhe masakruar 106 persona nga fshati Pastasellë dhe fshatrat tjera për rreth.

Edhe sot e kësaj dite nga kjo masakër ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre të cilët edhe pas 17 vitesh figurojnë të pagjetur.

Në tubimin përkujtimor një fjalë rasti mbajti kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, tha se “historia e fshatit tuaj dhe fshatrave tjerë që patën fatin e njëjtë, nuk mbaroi me kaq, sepse ju u kthyet sërish për të nisur jetën aty ku e kishit lënë, por kësaj radhe pa më të dashurit tuaj”.

“Mes dhimbjesh, mblodhët fuqinë dhe ndërtuat shtëpitë, rritët fëmijët, vazhduat jetën. Të dashurit tuaj, sikur të gjithë ne, kishin ëndërruar pafund për lirinë. Ata u bënë themel i lirisë dhe i shtetit të Kosovës”.

“Në fund, dua të theksoj se Marsi nuk solli vetëm dhembje për ne. Marsi solli edhe shpresën e madhe. I solli në vendin tonë miqtë tanë më të fuqishëm NATO-n, ShBA-në, pasi që bashkësia ndërkombëtare ishte bindur se shqiptarët historikisht nuk e kanë lëshuar kurrë vendin e tyre pa luftë, e nuk do ta lëshon të gjallë as tani”, tha Vehapi.

Për masakrën e cila është bërë nga forcat serbe me 31 mars 1999, Arton Krasniqi, banor i fshatit Pastasellë, tha se kjo është njëra ndër masakrat më të mëdha, dhe më çnjerëzore që është bërë gjatë luftës së vitit 1999, duke mos kursyer as pleq dhe fëmijë. Në këtë masakër përpos vrasjes dhe masakrimit nga forcat serbe, të vrarët më pastaj edhe janë djegur.

Në këtë masakër kanë mbijetuar 13 persona. Tahir Krasniqi, i mbijetuar imasakres, tregoi për tmerrin e përjetuar ku tha se pasi që i kanë rrethuar, paramilitarët serb kanë filluar ti rrahin në mënyrën më barbare. Pas rrahjes, forcat serbe i kanë ndarë në grupe nga 30 persona dhe me pastaj kanë filluar ti pushkatojnë.

Në tubim foli edhe edhe drejtori i shkollës fillore në Guri i Kuq, Maliq Fetahu, i cili njoftoi të pranishmit se shkolla e këtij fshati mban me krenari emrin e datës së sotme 31 mars, në shenjë të përkujtimit të përjetshëm për 106 martirë. Ai falënderoi kryetarin Vehapi për përkrahjen e kësaj iniciative.

Nga një fjalë rasti në këtë përvjetor mbajtën edhe Avdullah Hoti, ministër i Financave dhe Time Kadriu, deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Për vrasjen dhe masakrimin e 106 martirëve, deri me tani nuk është dënuar asnjë serb që ka marrë pjesë në masakrën e fshatit Pastasellë. /PrizrenPress.com/

Rahovec-masakra e Pastaselles1

Dy të arrestuar në Prizren

0

Policia e Kosovës në raportin e sotshëm bën të ditur për dy të arrestuar, njërin në rrugën “Adem Jashari” e tjetrin në “William Woker”, me urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren.

Njëri i dyshuar është dërguar në Qendrën e ndalimit, ndërsa tjetri është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. /PizrenPress.com/

Pas 17 viteve, asnjë i dënuar për masakrimin e 42 shqiptarëve në Burim

0

Sot në Malishevë, është përkujtuar masakra e Burimit, ku u vranë dhe u masakruan 42 civil shqiptarë, kryesisht banorë të Dragobilit dhe Astrazupit.

Për ta përkujtuar këtë masakër, më të madhen në Komunën e Malishevës, gjatë luftës së fundit, Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka mbajtur një mbledhje përkujtimore, dhe më pas janë bërë homazhe tek varrezat e të vrarëve dhe në vendin e vrasjes, tek “Vrella e Mëhillit” në Burim.

Në këtë përkujtim, u kërkua dënimi i autorëve dhe urdhërdhënësve, të cilët vranë dhe masakruan 42 shqiptar.

Në fjalimin e rastit, kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj tha se “të gjithë këta, dhe shumë të tjerë të vrarë, ranë për lirinë që ne sot e gëzojmë”.

“Në këtë masakër, më të madhen brenda një dite, në territorin e Komunës së Malishevës, u vranë, pleq, të rinj, intelektual e bujq, u dogjën dhe u zhdukën shumë banorë të Dragobilit dhe Astrazupit”, tha Begaj, duke e kujtuar ngjarjen më të dhimbshme, të 31 marsit të vitit 1999, masakër e cila u bë në shenjë hakmarrje ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullatës shqiptare dhe në kuadër të zbatimit të planit të shtetit serb, të gjenocidit mbi popullatën shqiptare.

Ndërsa, kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Aziz Thaçi, duke folur në këtë mbledhje përkujtimore, kujtoi se “për këtë masakër, ku u vranë, u masakruan, disa u dogjën, të tjerë që u zhdukën pa gjurmë, nuk u zhvillua asnjë gjykim dhe nuk u dënua askush, edhe pse dikush mbanë përgjegjësi”.

“Kjo masakër, lëkundi vlerat e civilizimit dhe ata që bënë këtë masakër, duhet të dënohen nga gjykatat vendore apo ato ndërkombëtare”, tha Thaçi.

Në këtë mbledhje, kujtime ka evokuar edhe i mbijetuari i vetëm, Nuredin Morina, i cili kërkoi që kjo të mos harrohet dhe të dënohen ata që bënë këtë krim mbi popullatën e pafajshme.

“Vetëm zoti e din se si kam shpëtuar, por kërkoi që kjo të mos harrohet”, tha Morina, i cili i falënderoi të gjithë të pranishmit, në këtë mbledhje përkujtimore.

Më pas, familjarët, të afërmit, zyrtarët komunal të prirë nga kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, përfaqësuesit e të gjitha subjekteve politike në Komunën e Malishevës, zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme, kanë bërë homazhe në varrezat, ku janë të varrosur viktimat e masakrës së Burimit dhe pas kësaj, është vizituar edhe vendi i ngjarjes, tek Vrella e Mëhillit në Burim. /PrizrenPress.com/

Malisheve-masakra e Burimit1

Policia kap dy persona me narkotikë e armë në Marash të Prizrenit

0

Në zonën e Marashit dhe rrugën “Enver Haradinaj” në Prizren, dje në 13:00, policia ka kapur dy të rinj, shqiptarë – shtetas të Kosovës, pasi atyre gjatë kontrollit në shtëpitë e tyre iu gjetën dhe u konfiskuan 11.32 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, pajisje për përgatitjen e substancës, një pistoletë NEW Police me një karikator me një fishek cal. 8 mm, një pistolete shkrepëse, një thikë ushtarake dhe një sprej.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, me vendim të prokurorit dy të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Në Vërmicë arrestohet një shtetase Shqipërisë për kalim ilegal të kufirit

0

Policia e Kosovës bën të ditur se në Vërmicë, dje në orën 21, është arrestuar një femër – shtetase e Shqipërisë, pasi ajo kishte kaluar ilegalisht kufirin Shqipëri – Kosovë.

Sipas policisë, pas intervistimit, me vendim të prokurorit ajo është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Në Suharekë dy meshkuj rrahin një polic

0

Policia e Kosovës njofton se gjatë ditës së djeshme ka arrestuar dy meshkuj, pasi që kanë sulmuar një polic në Suharekë, raporton PrizrenPress.

Një nga të dyshuarit për sulm, dyshohet me të meta mentale i cili ka sulmuar fizikisht zyrtarin policor të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit njëri nga të dyshuarit është dërguar në mbajtje ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Arrestohet personi që hapi 200 profile të rreme në Facebook

0

Policia e Podgoricës ka ngritur padi penale kundër J.D. (34) nga Podgorica, pas dyshimeve se në rrjetin social Facebook ka krijuar mbi 200 profile të rreme.

Ajo kishte vendosur fotografitë dhe emrin e viktimës M.L., thuhet në deklaratën e Drejtorisë së Policisë të Malit të Zi.

I dyshuari J.D, thuhet se me emrin e të dëmtuarës M.L. në profilet e rrjetit social, përmes telefonit celular dhe internetit në celular, kryesisht kishte drejtuar komente dhe epitete të ashpra dhe fyese.

“Kundër J.D. është ngritur padi penale pas dyshimeve se ka kryer vepër penale, mbledhje të paautorizuar dhe përhapje të të dhënave personale”, thuhet në deklaratën e policisë, shkruan Klix.ba.

Ndërron jetë laureati i çmimit Nobel

0

Novelisti hungarez dhe i mbijetuari i Aushvicit, Imre Kertesz, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2002, ka ndërruar jetë në moshën 86 vjeçare.

Agjencia shtetërore e lajmeve MTI e ka cituar botuesin e tij të ketë thënë se Imre Kertesz ka ndërruar jetë sot, pas një sëmundjeje të gjatë.

Kertesz fitoi çmimin Nobel për portretizimet e kampeve naziste, të cilësura si “e vërteta përfundimtare” se sa poshtë mund të bien qeniet njerëzore. /REL/

“Zonjusha” jepet premierë edhe në Prizren

0

Pas premierës që pati në Prishtinë më 21 mars, filmi “Zonjusha” i regjisorit kosovar Genc Berisha do të shfaqet edhe në Prizren.

Bëhet e ditur se premiera e këtij filmi atje do të jepet më 31 mars, me fillim nga ora 22:00, në kinemanë DokuKino.

Filmi flet për tre gangsterë lokal, të cilët ngarkohen për një punë, të cilën asnjëherë nuk e kanë bërë por të joshur nga paraja, pranojnë të bëjnë.

Në këtë film me rolet e tyre paraqitën aktorë të mirënjohur për publikun kosovar, nisur nga Nëntor Fetiu, Igballe Qena, Armend Baloku, Besart Sllamniku, Muhamed Arifi, Ylber Bardhi, Besnik Krapi, Dukagjin Podrimaj, Kumrije Hoxha, Fiona Glavica, etj.

Skenarin e këtij filmi e kanë bërë Besart Sllamniku dhe Lulzim Bucolli, kurse filmi i takon zhanreve krim, dramë dhe komedi.