16.9 C
Prizren
E martë, 28 Prill, 2026
Home Blog Page 6650

Rektori zgjedhet të enjten

0

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” këtë të enjte do ta zgjedhë rektorin e këtij universiteti, raporton “Epoka e re”.

Deri më tani për të parin e këtij universiteti kanë aplikuar tre kandidatë: Marjan Dema, Jusuf Musliu dhe Nuredin Mestani.

Ndërkohë konkursi mbyllet sot rreth orës 15:30.

Ky është konkursi në dytë, pasi herën e parë ka dështuar zgjedhja e rektorit.

Sërish sulm vetëvrasës në Bagdad, tre të vrarë

0

Një sulm vetëvrasës në Bagdad ka lënë të vrarë tre vetë dhe 20 të tjerë të plagosur.

Policia thotë se shpërthimi ndodhi sot, në afërsi të sheshit Tayaran, rreth një kilometër nga një vend ku po mbahej një protestë e përkrahësve të klerikut shiit, Moqtada al-Sadr, me kërkesën për reforma politike.

Asnjë organizatë nuk e ka marrë përsipër sulmin, por të gjitha sulmet vetëvrasëse të këtij viti në Irak janë kryer nga Shteti Islamik.

Ky grup militant sunit kontrollon pjesë në veri dhe perëndim të Irakut.

Lirohen pasagjerët e avionit të rrëmbyer egjiptian

0

Lirohen të gjithë pasagjerët, përveç 5 të huajve dhe ekuipazhit të avionit të kompanisë ajrore egjiptiane i cili ishte rrëmbyer gjatë fluturimit nga Aleksandria në Kajro.

Kompania ajrore egjiptiane në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, njoftoi se janë liruar të gjithë pasagjerët, përveç 5 të huajve dhe ekuipazhit të avionit të rrëmbyer.

Në deklaratën e Ministrisë së Aviacionit Civil të Egjiptit thuhet se një person i cili ka pasur mjet shpërthyes e ka kërcënuar pilotin e avionit, Omer el-Gammal dhe e ka detyruar të aterojë në Larnaka të Qipros.

Njoftohet se El-Gammal pasi i ka njoftuar zyrtarët ka zbritur në aeroportin Larnaka.

Ndërkohë kompania ajrore e Egjiptit njoftoi se në avionin e llojit Airbus 320 ka 81 pasagjerë, ndërsa më parë u raportua për 55 pasagjerë.

Malishevë: Burri rrah bashkëshorten

0

Policia e Kosovës njofton se është arrestuar një person në Malishevë, pasi i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, raporton PrizrenPress.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

NISMA formon nëndegë edhe në Krajk të Hasit

0

Nisma në Prizren ka formuar nëndegën e radhës në fshatin Krajk të Hasit. Kryetar i kësaj nëndege është zgjedhur Leutrim Likaj, nënkryetar Fatos Pervizaj, ndërsa sekretar Tahir Shala.

Kryetari i Degës së NISMA-s në Prizren, Sinan Aliaj, uroi zyrtarizimin dhe të sapozgjedhurit e kësaj nëndege.

Ai kërkoi nga përfaqësuesit e kësaj nëndege që të jenë zëri i rajonit të Hasit.

Aliaj premtoi se Nisma për Kosovë, do të zgjerohet edhe në fshatrat e tjera të Hasit. /PrizrenPress.com/

Nexhmi Krasniqi kthehet në pozitën e drejtorit të policisë në Prizren

0

Merr fund odisejada e drejtorit të policisë rajonale në Prizren.

Nexhmi Krasniqi sot zyrtarisht u kthye në pozitën e drejtorit të Policisë Rajonale të Prizrenit.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi zëdhënësi i policisë në rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha.

“Po, sapo isha në takim me z. Nexhmi Krasniqin dhe ai sot zyrtarisht është kthyer në pozitën e drejtorit të Policisë Rajonal të Prizrenit”, tha Berisha.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në shtatorin e vitit të kaluar i kishte rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit, Nexhmi Krasniqit, së bashku me Besim Rexhepin, udhëheqës në sektorin e hetimeve të vrasjeve, nën dyshimin se nga informacionet që posedonte IPK kishte ankesa nga qytetarët ndaj tyre.

Rexhepi ishte kthyer në punë rreth dy muaj më parë, ndërsa më 4 mars kthimin në punë e nënshkroi edhe Nexhmi Krasniqi i cili na disa qytetarë ishte pritur edhe me fishekzjarrë e daulle.

Ai, fillimisht mendoi se ishte kthyer në pozitën e drejtorit, mirëpo në ndërkohë kuptoi se i ishte ndërruar pozita e punës.

Krasniqi, më 7 mars filloi punën si shef i operativës në policinë e Gjakovës. /Kallxo.com/

30 mijë eurot e Ministrisë pak për DokuFestin

0

Edhe pse është e kënaqur me përkrahjen nga Ministria e Kulturës drejtoresha e “Dokufestit” thotë se 30 mijë eurot nuk mjaftojnë.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka disa ditë që ka publikuar listën e institucioneve përfituese të subvencioneve të saj.

Sipas një komunikate të Ministrisë, ajo ka ndarë 816 mijë e 300 euro subvencione për Departamentin e Kulturës.

Përfitues i këtyre subvencioneve është edhe Festivali i Filmit Dokumentar dhe atij të Shkurtër “Dokufest” që ka marrë 30 mijë euro.

Drejtoresha e “Dokufestit” Nita Deda tha për KALLXO.com se ky subvencion nga ministria është shumë i mirë në krahasim me mospërkrahjen nga Komuna e Prizrenit.

“Është pozitive që ka rritje sepse Ministria e Kulturës për dallim nga Komuna e Prizrenit e cila ka ngecur, çdo vit po ka një rritje të mbështetjes, por mendojmë se kjo nuk është e mjaftueshme për nga madhësia e festivalit, por edhe nga përfitimet që i sjell festivali vendit tonë, si për nga prurjet kulturore, por edhe në rritjen ekonomike gjithashtu,” tha Deda.

Zëdhënësi i Ministrisë së Kulturës, NdueUkaj tha se ministria do të vazhdojë që të përkrahë të gjitha aktivitetet të cilat janë në të mirë të vendit.

“Ne do të vazhdojmë të mbështetim aktivitetet të cilat janë të rëndësishme për Kosovën dhe sigurisht që gjatë viteve tëardhshme do të ketë edhe rritje të tjera të subvencioneve,” tha ai.

Kurse sa i përket “Dokufestit” ai tha se ky subvencion është i mirë dhe do të jetë në funksion të organizimit të festivalit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë 250 mijë euro subvencion edhe për Qendrën Kinematografike të Kosovës.

Sipas Ndue Ukajt kjo rritje e buxhetit për Qendrën Kinematografike të Kosovës në 1 milion euro ka ndodhur si rezultat i punës së këtij institucioni.

“Normalisht që ne do të vazhdojmë përkrahjen për kinematografinë dhe siç kemi njoftuar edhe në komunikatën zyrtarë që përkrahja vjen pas suksesit të jashtëzakonshëm që ka pasur Kinematografia e Kosovës më shumë filma, e veçmas me filmin “Shok,” tha ai.

Filmi “Shok”në kategorinë e filmave të shkurtër ishte sivjet kandidat për “Oscar”, por nuk mundi ta marrë këtë çmim.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Kosovës Arben Zharku tha për KALLXO.com se kjo rritje do t’i ndihmojë QKK-së për realizim të më shumë projekteve filmike.

“Është një lajm shumë i mirë për ata që merren me film sepse të gjithë ata që do të aplikojnë në Qendrën Kinematografikë do të kenë gjasa më të mëdha për t’u financuar, sepse kemi me pasë një buxhet më të madh dhe mundësi me mbështetë më shumë projekte filmike,” tha ai.

Zharku gjithashtu tregoi se Qendra Kinematografike së shpejti do të hapë edhe konkursin e filmave që do të mbështeten nga ky institucion.

“Ky është lajmi më i mirë për ata që bëjnë film. Ne së shpejti kemi me e hapur konkursin dhe do të presim aplikimet dhe ky subvencion do të ndikojë pozitivisht që më shumë projekte të mbështetën sivjet,” tha ai.

Përveç “Dokufestit” e Qendrës Kinematografike, Ministria e Kulturës dha 459 mijë euro për Divizionin e Arteve Skenike, Muzikore dhe Pamore ku bëjnë pjesë projekte të ndryshme nga muzika, filmi, teatri dhe nga ekspozitat, kurse 70 mijë e 250 euro janë ndarë për botimin e librave dhe për revista letrare.

Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit më 15 mars dha edhe 799 mijë euro për disa nga federatat sportive të Kosovës. /Kallxo.com/

Ekzili i papërballueshëm

0

Në shkurt 1942, Stefan Zweig dhe gruaja e tij e re bënë vetëvrasje në Brazil. Shteti brazilian, në nder të shkrimtarit, mbajti një ceremoni mortore shtetërore, me pjesëmarrjen e presidentit të vendit, Getulio Vargas. Lajmi për vetëvrasjen e Zweig  u përhap shpejt në të gjithë botën dhe mediat më të rëndësishme shkruan për të.

Në atë kohë, Zweig ishte një nga autorët më të njohur dhe veprat e tij ishin përkthyer në dhjetëra gjuhë të huaja.

Sipas një prej miqve të tij më të mirë, novelistit Irmgard Keun, Zweig ishte një njeri që, pavarësisht vuajtjeve, ishte i paaftë të urrente dhe mbase kjo e çoi drejt vetëvrasjes.

Vetëvrasja e Stefan Zweig shkaktoi reagime të ndryshme. Tomas Man, pa diskutim lideri i shkrimtarëve gjermanfolës në ekzil, nuk e fshehu indinjatën ndaj atij që cilësoi si një akt frikacakësh. Në një telegram, Man nuk i kurseu vlerësimet për talentin e mikut të tij, por në të njëjtën kohë nuk pajtohej dot me veprimin e tij.

Qëndrimi i Man bëhet edhe më i qartë në një letër dërguar një miku e kolegu shkrimtar: “Zweig nuk duhej t’ua jepte nazistëve kënaqësinë për ta paraqitur veprimin e tij si triumf të tyre. Nëse Stefan do të mund të ushqente më tepër urrejtje për ta, nuk do ta kishte ndërmarrë aktin e vetëvrasjes”.

Pse e kishte kaq të pamundur Zweig të ndërtonte një jetë të re në ekzil?

Stefan Zweig nuk kaloi ndonjëherë momente terrori në jetën e vet, as nuk kishte qenë i detyruar të largohej nxitimthi nga vendi i tij, përkundrazi kishte pasur luksin të zgjidhte edhe destinacionin. Ai e la Austrinë dhe shtëpinë e tij të bukur në Salzburg në vitin 1933, duke shkuar në Britaninë e Madhe dhe duke lënë pas gruan e tij Friderike dhe dy vajzat e saj. Ndryshe nga kolegët e tij gjermanë, përshirë edhe Tomas Man, të cilët e lanë Gjermaninë kur pushteti i Hitlerit ishte fuqizuar, pa shpresë për t’u kthyer më deri në ndërrimin e regjimit, Zweig ishte i lirë të udhëtonte mes Londrës, Vjenës dhe Salzburgut edhe për 5 vite të tjera. Madje, pasaporta austriake e lejoi edhe të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara dhe në Amerikën e Jugut.

Fuqizimi i pushtetit të Hitlerit ndikoi, në fakt, në krijimtarinë e Zweig, pasi ai humbi botuesin e tij. Gjithsesi, në fillim të vendosjes së regjimit nazist, veprat e Zweig vazhdonin ende të qarkullonin në Gjermani.

Vitet e para të ekzilit nuk ishin të vështira. Stefan dhe gruaja e tij kishin marrëdhënie mjaft të mira, madje ai i kërkoi së shoqes t’i gjente një sekretare kur u shpërngul në Londër. Ajo zgjodhi një refugjate gjermane,  Lotte Altman, një grua e re dhe serioze, me të cilën Zweig pati një histori dashurie dhe u martua disa vite më vonë.

Në vitin 1935, Zweig mbërriti në Nju Jork; ishte në kulmin e krijimtarisë së vet. Zweig e dinte që nuk ishte romancier i kalibrit të Tomas Man, e megjithatë shitjet e librave të tij kishin thyer rekorde ndërsa në Gjermani u dogjën bashkë me librat e Frojdit dhe Ajnshtajnit. Zweig asnjëherë nuk u bë politikisht aktiv, asnjëherë nuk u shpreh hapur kundër regjimit të Hitlerit. E megjithatë, ishte pikërisht pushteti i këtij të fundit që e demoralizoi.

Më 7 dhjetor 1941, kur Zweig dhe gruaja e tij Lotte ishin në Brazil, japonezët sulmuan flotën amerikane në Pearl Harbor. Një ditë më pas, Shtetet e Bashkuara shpallën luftë. Zweigu edhe një herë u përfshi nga paniku. Ai i trembej një pushtimi të mundshëm gjerman në Amerikën e Jugut.

Në këtë kohë ai punoi me librin e fundit, “Novela e Shahut”, ku për herë të parë përfshiu në përmbajtje elementë të regjimit nazist. Zweig e përfundoi novelën më 22 shkurt. Të nesërmen, ai dhe e shoqja u gjetën të vdekur. /Botime Shqip/

Regjimi afër fundit

0

Paralajmërohet kthesa e madhe. Opozita hap dyert për jopartiakët

Subjektet politike opozitare janë zotuar se do ta shfrytëzojnë në maksimum shansin e fundit për të hapur dyert për njerëzit e aftë, pa parti dhe shumë profesionistë, duke garantuar një qeverisje të re, të pastër për të ngjallur shpresën qytetare dhe perspektivën e zhvillimit të vendit.

Tanimë ekziston një disponim te të tre liderët e opozitës që t’i lënë anash interesat e ngushta grupore, klanore, partiake e biznesore, vetëm e vetëm që ta shpëtojnë Republikën nga rrënimi i mëtejshëm i klasës kriminale në pushtet.

“Vetëvendosje po përpiqet vazhdimisht që opozita e bashkuar të konsolidohet edhe më shumë, si dhe të zgjerohet edhe më tutje ky front. Jemi në diskutime të vazhdueshme edhe me shoqërinë civile, edhe me personalitete të ndryshme, që të krijojmë një alternativë të përbashkët qytetare dhe shoqërore për ta luftuar suksesshëm këtë regjim autoritar në Kosovë”, tha për Kosova Sot Adonis Tahiri nga Lëvizja Vetëvendosje.

Hapje të madhe të dyerve për figura të reja, ekspertë të pavarur, njerëz të botës akademike dhe intelektualë pa parti politike ka edhe në AAK.

“Nëse shkon në listë të përbashkët në zgjedhje dhe lë një kuotë të caktuar për 15- 20% të emrave pa parti, përfshirë këtu edhe rrjedhjet prej LDK-së, atëherë opozita i fiton sigurt zgjedhjet me mbi 51% dhe do të ketë një ndryshim përmbajtjesor në kuptimin e demokracisë”, tha analisti politik dhe profesori universitar, Nexhmedin Spahiu. /Kosova Sot/

Kriza s’e bllokon Specialen

0

Gjykata Speciale pritet që më së voni deri në vjeshtë të këtij viti t’i ngrejë aktakuzat e para për krime të supozuara nga ish-udhëheqësit e UÇK-së. Tani Kosova i ka kryer të gjitha obligimet, por topi është në anën e BE-së për caktimin e një paneli për rekrutimin e gjyqtarëve të Gjykatës Speciale. Vlerësohet se kriza politike në vend nuk mund ta prolongojë funksionalizimin e Speciales

Kosova tashmë ka kryer të gjitha obligimet për themelimin e Gjykatës Speciale. Pas ratifikimit të marrëveshjes me Holandën për vendin ku do të vendoset Specialja, tashmë ka mbetur në dorën e Bashkimit Evropian shpejtësia e funksionalizimit të Gjykatës.

Kjo pasi BE-ja duhet ta formojë një panel, i cili do t’i rekrutojë të gjithë gjyqtarët.

Ekspertët juridikë në vend thonë se Specialja llogaritet e themeluar pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Holandës dhe Kosovës.

Profesori i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Vigan Qorrolli, thotë për “Zërin” se brenda këtij viti, saktësisht më së voni në vjeshtë, do të ngrihen aktakuzat e para. Ndërsa, situata aktuale politike, sipas Qorrollit, nuk mund ta ndalë funksionalizimin e Speciales.

“Problemet e brendshme politike nuk mund ta pengojnë një detyrim ndërkombëtar, siç është Specialja. Kjo për shkak se të gjitha veprimet e Gjykatës do të bëhen jashtë territorit të Kosovës”, ka thënë Qorrolli. /Zëri/