16.9 C
Prizren
E martë, 28 Prill, 2026
Home Blog Page 6651

Një i vdekur dhe tre të lënduar në aksidentin e Kijevës

0

(I plotësuar)– Një person ka mbetur i vdekur ndërsa tre të tjerë janë të lënduar në aksidentin e ndodhur më parë në Kijevë pranë pompës së derivateve Al Petrol, raporton Indeksonline.

Këtë lajm për Indeksonline e ka konfirmuar shefi i trafikut rajonal të Gjakovës Albin Sahatqija.

“Një person ka ndërruar jetë si pasojnë e aksidentit të ndodhur në fshatin Kijevë, ndërsa tre të tjerë janë të lënduar”, ka thënë Sahatqija.

………..

Aksident i tmerrshëm në Kijevë, dy persona të lënduar rëndë 

Lajmin e aksidentit i cili ndodhi rreth një orë më parë në Kijevë për Indeksonline e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Malishevës, Halil Morina, ai tha se në aksident janë përfshirë 3 vetura dhe një autobus, gjatë aksidentit kanë mbetur disa persona të lënduar, por Morina nuk dha numër specifik duke thënë se deri sa të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore.

“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, jemi duke u marrë me aksidentin i cili ndodhi disa minuta më parë. Në këtë aksident janë të involvuara tri vetura dhe autobusi. Jemi duke u marrë me rastin nuk mundemi të japim informata të tjera deri sa të përfundojnë procedurat ligjore”, tha Morina për Indeksonline.

Morina, tha se deri sa policia ka arritur në vendi e ngjarjes, të lënduarit ishin dërguar nga ambulanca për trajtim në Prishtinë.

…….

Në magjistralen Prishtinë- Pejë, konkretisht në fshatin Kijevë të Malishevës, si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku kanë mbetur të lënduar 2 persona , transmeton Indeksonline.

Në një fotografi të dërguan nga një lexues i portalit Indeksonline shihet një golf 2 i cili është aksidentuar më një BMV. Veturat shihet se janë tejet të dëmtuara. /Indeksonline/

Përkujtohet Naim Rexhepi

0

Në fshatin Celinë është përkujtuar dëshmori Naim Rexhepi dhe dhjetëra bashkëfshatarë të tij, të cilët u vranë nga forcat serbe me 25 mars 2016 .

Ai, bashkë me bashkëfshatarët e tij dhe familjarë të ngushtë është ekzekutuar në bodrumin e shtëpisë, pasi që nuk kishte lëshuar pragun e shtëpisë.
Në fshatin e lindjes dhe të rënies, Naim Rexhepi, përfaqësues të ndryshëm vendosën kurora lulesh të freskëta mbi varrin e tij dhe të tjerëve në mesin e tyre edhe drejtues të Lirisë.

Naimi, tashmë dëshmorë ka qenë veprimtar i dalluar, duke kryer funksione të ndryshme partiake dhe shoqërore të kohës, nga vitet e 90-ta e deri në rënie.

Ai, ka qenë nënkryetarkryetar i KF “Liria” dhe kontributi i tij ka qenë shumë i madh, si në mbështetjen financiare, ashtu edhe organizimin e klubit dhe futbollit të asaj kohe në Kosovë.

“Më kujtohet se Naimi ka qenë pos zyrtar i klubit edhe shok shumë i mirë. Me siguri që mungesa e tij, është e madhe.’, thotë Erxhan Dana, lojtar në ato vite dhe aktualisht, njëri nga drejtuesit e klubit.

Ndërkaq, kryetari Mirsad Çollaku, po ashtu ka kujtime shumë të mira.

“Naimi ka qenë i veçantë. Ishte shumë energjik por edhe i dashur.Ai, iu bashkua rezistencës aktive duke kontribuar në sport e më pas ndihmoi edhe direkt në çlrimin e vendit. Si klub jemi krenar për te dhe Përparimin. Ata, dhanë jetën për këtë liri . Ne, si shoqëri kemi obligim t’i kujtojmë dhe nderojmë për sakrificën që bënë. I përhershëm kujtimi për Naimin dhe gjithë të rënët’, ka thënë Çollaku.

Struzhës së Prizrenit i rikthehet jeta

0

Struzha, fshati i vetëm shqiptar në mesin e 19 fshatrave të Luginës së Lumbardhit (ish- Zhupa) të banuara me popullatë boshnjake e serbe për mungesë të kushteve normale të jetës rrezikonte të zhdukej. Fshati ka pasur 450 familje, por të cilat janë shpërngulur nga ky fshat, shumica janë vendosur në Prizren, por edhe në vende të tjera. Fshati është larg Prizrenit rreth 17 kilometra. Përfaqësuesi i fshatit, Ramadan Muji, me keqardhje kujton kohët kur fshati kishte qindra shtëpi dhe mijëra banorë, ndërsa tani këtu jetojnë vetëm 25 familje me më pak se 200 anëtarë. Maliq Pireci, që tani banon në Prizren nga ky fshat i ardhur, në vitin 1999, thotë se asokohe fshati kishte 97 familje me rreth 800 anëtarë.

“Popullata e atjeshme jeton kryesisht prej ndihmave të farefisit që punojnë jashtë vendit si në Itali, Austri, Slloveni etj”, shpjegon Ramadan Tafallari. Ai pohon se ky fshat rrezikon të mbetet pa asnjë banor. Mirëpo, sipas tij, me ndërtimin e rrugës së asfaltuar prej 9 km, shpresohet se do të ketë iniciativa për kthim në vendlindje. Tafallari shpreh gëzimin tij se tashmë shumë struzhjanë kanë filluar të mendojnë që atje të rikthehen ose së paku të zhvillojnë bizneset e tyre, ngase atje ka kushte shumë të mira për të zhvilluar blegtori, e pse jo edhe turizëm. Koordinatori i Drejtorisë së Turizmit në Prizren, Shkodran Kryeziu thotë për gazetën se është paraparë që të zhvillohet turizmi rural e familjet që kanë mbetur atje janë të gatshme t’i presin turistët vendorë dhe të huaj me ushqime tradicionale, kulturë vendore, akomodim etj. Ai mendon se në këtë pikëpamje fshati Struzhë do të jetë pika më atraktive e një zhvillimi të turizmit malor e rural, shkruan gazeta Kosova Sot.

Uji dhe ajri i pastër

Kryeziu pohon se infrastruktura tanimë është rregulluar në Struzhë, si rrugicat e fshatit, pastaj ekziston ambulanca, objekti i shkollës, kanalizimi, që shumica prej këtyre ishin vepër e vetëkontributit të këtyre banorëve para e pas lufte. Ramadan Tafallarin e mban shpresa se jeta do të rikthehet në Struzhë. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Prizren, Hasan Hasani pohon se do të kenë në prioritet të gjitha nevojat e atij fshati për të kthyer ata banorë që kanë dëshirë të jetojnë atje. “Është shumë me interes që banorët atje të kthehen dhe të bëjnë jetën e tyre të bukur. Fshati ka bukuri të rrallë”, pohon ai. Por, edhe vetë disa nga banorët e këtij fshati tani pas asfaltimit të rrugës kanë shprehur gatishmërinë për t’u kthyer atje dhe për të filluar jetën, ngase thonë se atje kanë shumë kujtime të mira për jetën e dikurshme. Uji dhe ajri janë të pastër në këtë fshat dhe ekzistojnë edhe kushtet për zhvillimin e blegtorisë. Por, është fatkeqësi se deri më tani nuk ka pasur asnjë nxitje e asnjë lloj benificioni për të zhvilluar blegtorinë. Banorë të fshatit shpresojnë se do të gjejnë përkrahje për të zhvilluar blegtorinë e kësaj ane.

Shtëpitë pushimore

Dikur fshati ishte i njohur për valle, për lojëra të mundjes, e më shumti ishte i njohur për mikpritje, për bukë, kripë e zemër… Shtëpia e malorëve e njohur nga prizrenasit tani shfrytëzohet nga Shoqata e Bjeshkatarëve të Prizrenit, por Tafallari shpjegon se tashmë është një projekt që atje të fillojë ndërtimi i shtëpive pushimore dhe turizmi të bëhet një nga drejtimet ku mund të punësojë qindra të rinj. Struzha pritet t’i kthejë bijtë e bijat dhe Struzha do të jetë njëri nga vendet më të bukura turistike në Luginën Lumbardhit.

Kurse drejtori i Arsimit Nexhat Çoçaj shpjegon se aktualisht në SHFMU ”Anefi Muji” mësimin e vazhdojnë vetëm 9 nxënës dhe ka 5 mësimdhënës, drejtorin e shkollës, i cili edhe jep mësim, dhe një punëtor teknik. “Por, na mban shpresa se ngritja dhe rregullimi i infrastrukturës atje të shtojë numrin banorëve, sepse duke shtuar numrin banorëve shtohet edhe numri i nxënësve”, shprehet ai. Tregon se fshati është pika më e largët dhe nuk kanë arritur të mundësojnë bartjen e atyre nxënësve në ndonjë shkollë në Prizren, pasi Struzha është e rrethuar me fshatrat që kanë komunitet boshnjakë. Këto ditë, kur disa bashkatdhetarë kanë ardhur në Prizren, kanë marrë iniciativë që të rikthehen në këtë fshat. Disa mendojnë të bëjnë shtëpi- konakë për turistë, dikush të merret me blegtori, e disa syresh edhe me bletari.

(Kosova Sot)

Diktatura e Enver Hoxhës vrau mbi 6 mijë shqiptarë, 308 i çmendi me tortura

0

59.009 shqiptarë janë internuar në kampe përqendrimi gjatë regjimit komunist, ndërkohë që 7.022 prej tyre kanë humbur jetën.

Të dhënat vijnë përmes raportit vjetor të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, i depozituar për shqyrtim në Kuvend.

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit, numri i personave të vrarë gjatë diktaturës arrin në 6.027, ndërkohë që 308 persona kanë humbur aftësitë mendore për shkak të torturave fizike e psikologjike, raporton Shqiptarja.com.

Sipas raportit, në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të ish të Përndjekurve Politikë, me shoqatat e të Përndjekurve Politikë që operojnë në çdo qytet e trevë të Shqipërisë ka nisur një projekt i regjistrimit të saktë të mijëra qytetarëve të pushkatuar pa gjyq në vitet 1944-1955, emrat e të cilëve nuk gjenden në asnjë arkiv.

“Zbardhja e fatit tragjik të këtyre qytetarëve është një detyrë e domosdoshme e Institutit tonë dhe një hulumtim i saktë mbi numrin e qytetarëve të pushkatuar për të dhënat e sakta të shifrës së tyre, çka nuk përputhet aspak me të dhënat e deritashme zyrtare”,thuhet në raport.

Fidel Castro thyen heshtjen

0

Fideli, që i ka dorëzuar pushtetin vëllait të tij një dekadë më parë, tha se Kuba nuk ka nevojë për dhurata nga ajo që e quan “Perandoria”. Ai i cilësoi fjalët pajtuese të Obamës si një shurup dhe paralajmëroi se mund t’i shkaktonin kubanëve ndonjë infarkt kardiak.

Obama tha gjatë vizitës së tij se kish ardhur koha për të varrosur edhe mbeturinat e fundit të Luftës së Ftohtë në kontinentet amerikane.

Ndërkohë, në letrën e tij, Fideli po ashtu i kujtonte lexuesve historinë e Gjirit të Derrave, në vitin 1961, në të cilën një forcë paraushtarake azilantësh kubanë, e mbështetur nga CIA, u përpoq të shtinte në dorë ishullin.

Sidoqoftë, ish-lideri 89-vjeçar, dha edhe sugjerimin e tij modest, se Obama po reflekton dhe nuk po përpiqet të krijojë teori për politikën kubane.

Gjatë vizitës së tij, Obama foli për një të ardhme shprese për Kubën, në një fjalim të paprecedent “live” në televizion. Ai i tha Presidentit kuban, Raul Castro, se nuk duhej të kishte frikë nga ndonjë kërcënim që vinte nga Amerika dhe as nga zëri i popullit kuban.

Vizita e Obamës në Kubë, ishte e para e një presidenti amerikan në ishull që nga revolucioni komunist në vitin 1959.

Përkujtohet Vetim Shala

0

Në fshatin Nashec është përkujtuar në 27- vjetorin e rënies, dëshmori Vetim Shala.

Për të përkujtuar jetën dhe veprën e dëshmorit Shala në fshatin Nashec,ishin mbledhur familjarë,miqë dhe shokë të dëshmorit dhe zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren.

Vëllai i dëshmorit, Amiri, tha se përkundër dhimbjes 27 mars është shndërruar edhe në festë për brezat e rinj të familjes, e cila me krenari kujton birin e saj të shtrenjtë .

Ai shprehu edhe shqetësimet e familjes së tij për mospërkujdesje të duhur institucionale ndaj dëshmorëve që u flijuan për lirinë e atdheut në etapa të ndryshme kohore para luftës në Kosovë.

Ndërkaq, zyrtari i LVV-së në Prizren, Arbër Rexhaj, tha se dëshmori Vetim Shala, ka dhënë më të çmuaren, jetën e tij për kombin, duke qenë frymëzues i fillimit të celulave të para të luftës sonë çlirimtare.

“Duke rënë në protestat e viteve të 80-ta, dëshmori Vetim Shala, do të përkujtohet me nder dhe respekt nga të gjitha gjeneratat që vijnë pas tij”, tha Rexhaj.

Vetim Shala ishte student i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës. Ai ishte pjesëmarrës i demonstratave gjithëpopullore.
Shala u vra nga forcat serbe, duke qenë në ballë të protestave me 27 mars të vitit 1989./TVPZ/

Zhuri përkujtoi të rënët e vitit 1989

0

Në Zhur sot është janë përkujtuar të rënët e 28 marsit të vitit 1989.

Banorët e Zhurit, fillimisht kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve të cilët kanë rënë para 27 vitesh.
Asllan Badallaj, vëllai i dy dëshmorëve, rrëfeu për TV Prizrenin, për ditën kritike të kësaj date.

Ai tregon për momentet e vrasjes së dëshmorëve , Xhemshit, Xhylbehar dhe Hajrim Badallaj, në vendin ku ata u godtën nga plumbat vdekjeprurës të policisë sllavo-komuniste .

Në këtë demonstrat gjithë popullore nga policia sërbe ishin vrarë Xhemshit Bdallaj(25 vjeç), Xhylbehar Badallaj (23 vjeç) dhe Hajrim Badallaj (fëmijë 11 vjeçar), kurse u plagosen mbi 30 të tjerë, disa prej te cilëve mbeten invalidë të përjetshëm./TV Prizreni/

Zbulohet identiteti i shqiptares së vrarë në Amsterdam

0

ABCNews zbuloi sot identitetin e vajzës shqiptare të vrarë në Amsterdam në vitin 1997.

Kufoma i përket Zyra Hidës, 30-vjeçare kur është vrarë, dikur banuese në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan.

Nëna e tre djemve ka një histori shumë të dhimbshme.

Sipas së motrës, Xhuljeta Hida, ajo është martuar që kur ishte 14 vjeçe në fshatin Muriqan të Cërrikut.

Por gjërat nuk kanë shkuar mirë.

Mes çiftit ka pasur grindje të vazhdueshme e për pasojë ka ardhur edhe divorci.

Më pas janë ribashkuar sërish dhe kanë qëndruar tek shtëpia e motrës së burrit në një lagje periferike të Elbasanit.

Këtu e ndjera është përballur me një realitet akoma më të hidhur.

Familja kërkon nga shteti që të ndihmojë në ardhjen e eshtrave për të kryer varrimin në Elbasan.

Rasti i kësaj shtetaseje u publikua pasi disa gazetarë në një program televiziv holandez, ku kërkuan ndihmë për identifikimin e saj.

Veteranët e UÇK-së paralajmërojnë protestë

0

Veteranët e luftës së UÇK-së kërcënojnë me protestë nëse nuk jepet udhëzimi administrativ nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, për marrjen e pensioneve të një pjese të veteranëve, të cilët, siç thonë, gëzojnë të drejtën legjitime për t’i gëzuar ato.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, tha për RTV21 se protesta do të mbahet para qeverisë dhe do të marrin pjesë të gjithë veteranët e pakënaqur.

150-vjetori i Çajupit në Muzeun Kombëtar

0

Është përkujtuar dje në mjediset e Muzeut Historik 150-vjetori i lindjes së poetit të shquar Andon Zako Çajupi.

Me këtë rast, Muzeut Historik Kombëtar iu dhurua dekorata, që poetit iu akordua në vitin 2013 nga Presidenti i Republikës, e cila do të ekspozohet në ambientet e muzeut.

Aktiviteti u çel nga drejtori i MHK Melsi Labi, ndërsa më pas u mbajtën disa kumtesa mbi jetën dhe veprën e poetit dhe dramaturgut shqiptar.

Andon Zako Çajupi, i biri i Haritos dhe i Zoicës u lind më 27 Mars 1866 në Sheper, një fshat i vogël i Zagorisë së sipërme te Shqipërisë. Mësimet e para Andoni i mori në një shkollë greke të fshatit. Ndërsa një gjysmë gjimnaz e kreu po në gjuhën greke në Manastir të Nivanit. Studimet i vazhdoi në një kolegj francez, aty lexoi dhe shumë vepra të autorëve të famshëm të Francës, po ashtu u njoh edhe me shumë atdhetarë shqiptarë. Ndërsa në Universitetin e Gjenevës studioi shkencat juridike. Më vonë, gjatë qëndrimit në Misir, 1894-1895, Çajupi u bashkua me mërgimtarët shqiptarë në lëvizjen letrare e atdhetare.

Kryevepra e Çajupit cilësohet “Baba Tomori” e botuar më 1902 është ndarë në katër pjesë: (“Atdheu”), (“Dashuria”), (“Përralla të vërteta e të rreme”) dhe si shtojcë ka komedinë “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”. Çajupi ka botuar edhe vjersha për fëmijë si “Korbi dhe dhelpra” , “Kali dhe dreri”, “Ujku dhe qengji”, etj.

Ksenofon M. Dilo nga Sheperi i Zagorisë pohon se “Vepra e Andon Zako Çajupit ka qenë dhe mbetet një faktor aktiv i zhvillimit dhe i emancipimit shpirtëror, politik e artistik të shqiptarëve”, duke kujtuar se “Andon Cakua (Çajupi) ka marrë pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Bashkëpunoi me atdhetarë si Naim Frashëri, Filip Shiroka Ilia Dilo Sheperi, Jani Vruho etj. Lëvroi lloje të ndryshme letrare të cilat kanë brenda ëndrrën e poetit: Një Shqipëri të përparuar Demokratike”…

Andon Zako Çajupi rrjedh nga një familje patriotike. I ati i tij i ka kërkuar administratës osmane të Janinës që të hapte shkollën shqipe në Sheper (më 12 prill 1887) dhe ajo të mbahej me shpenzimet e tij. Çajupi është evidentuar si një nga penat më të shquara të letërsisë shqipe që i përket periudhës së Rilindjes Kombëtare. Ai kontribuoi në thellimin e problematikës shoqërore të Letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Poeti, publicisti dhe dramaturgu Andon Zako Çajupi, në më shumë se një shekull e gjysmë me krijimtarinë letrare të tij, ka zënë një vend të veçantë në historinë e letërsisë shqiptare. Në 150-vjetorin e lindjes së poetit, Bashkia e Libohovës dhe komuna e Zagorisë, organizuan aktivitetin përkujtimor, ku u vu në dukje kontributi patriotik i Çajupit për çlirimin kombëtar dhe progresin shoqëror në periudhat e rilindjes dhe pavarësisë së vendit tonë. Përgjatë këtij organizmi u sollën pjesë nga krijimtaria letrare e Çajupit, këngë dhe valle karakteristike të folklorit të pasur të zonës së Zagories etj. Programi i organizimeve në përkujtim të 150-vjetorit të lindjes së Andon Zako Çajupit do të vazhdojnë në Tiranë, me një simpozium shkencor dhe një aktivitet kulturor./mapo