Home Blog Page 6708

21 minuta nga Brian Eno

0

Brian Eno ka publikuar një këngë epike, 21-minutëshe, të quajtur “The Ship”, pjesë e albumit të tij më të ri – i cili pritet të dalë më 29 prill.

I frymëzuar nga Titanic, albumi mban po të njëjtin titull – “The Ship” dhe Eno këndon edhe vetë në të.

Duke shpjeguar këngën 21-minutëshe, Eno ka thënë se e kishte nisur atë si lloj të muzikës ambient, ku ai është pionier, por ndërkohë kishte zbuluar se mund edhe të këndonte në një C të ulët.

“Plakja, megjithatë, sjell edhe disa përfitime shtesë. Nga ky pikëvështrim, puna u shndërrua në një lloje kënge të pazakontë… diçka që unë s’e kam bërë më parë”, është shprehur ai.

“The Ship” do të jetë albumi i parë i Eno’s që nga “Lux” i vitit 2012. Në të, po ashtu, ndodhet edhe një përpunim i këngës “I’m Set Free” The Velvet Underground. /Politiko.net/

Molliqaj: Dallojmë shumë me AAK-në

0

Sekretari organizativ i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Molliqaj, është i bindur se shkuarja me një listë të përbashkët zgjedhore me partinë e Ramush Haradinajt do të ishte gabim shumë i madh.

Kjo për faktin se, sipas tij, Lëvizja “Vetëvendosje” dallon shumë me AAK-në.

Këto komente Molliqaj i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se me partinë e Haradinajt kanë dallime të mëdha ideologjike.

“Dallimi tjetër është mungesa e gatishmërisë së AAK-së që vendimet për listë të përbashkët t’i bazojnë në kritere dhe në parime e jo në teke të cilësdo parti pjesëmarrëse”, ka shtuar Molliqaj.

Gjatë kësaj interviste për “Zërin” Molliqaj ka folur edhe për partnerët e mundshëm të koalicionit, në rast se vendi do t’i nënshtrohej një procesi zgjedhor.

Ky subjekt politik, sipas Molliqajt, është i interesuar që të bëjë listë të përbashkët me shoqërinë civile dhe partinë e Fatmir Limajt, “Nismën për Kosovën”.

Ai ka folur edhe për emrat e mundshëm për kryeministër me të cilët do të garonin në zgjedhje.

Sipas tij, Visar Ymeri dhe Albin Kurti janë kandidatët e mundshëm, ndërkohë ka mohuar mundësinë që në këtë fazë për kryeministër të propozohej dikush tjetër, duke përfshirë anëtarë të rëndësishëm të “Vetëvendosjes” siç janë Glauk Konjufca dhe Shpend Ahmeti. /Zëri/

“Shkëlqimi” dhe rënia e LDK-së

0

Posti i kryeministrit dhe koalicioni me PDK-në e dërgojnë elektoratin drejt opozitës

Në bazë të sondazheve, të cilat OJQ-të po i bëjnë pas formimit të Qeverisë së koalicionit PDKLDK, humbja e besimit në partitë qeveritare është duke e goditur më së rëndi LDK-në.

Sipas deklarimeve të fundit të zyrtarëve të organizatave të shoqërisë civile, sondazhet flasin se Lidhja Demokratike e Kosovës tani ka zbritur deri në kuotën e besimit prej vetëm 14-15% të besueshmërisë së qytetarëve. Gjithnjë, sipas deklarimeve të OJQ-ve, që u referohen këtyre sondazheve, që nuk janë bërë publike, ky subjekt politik që po qeveris vendin, duke mbajtur postin e kryeministrit rangohet aq poshtë, saqë mbetet në pozitën e tretë pas ‘VETËVENDOSJES’, që është ngritur në pozitën e dytë.

Analistët politikë e shohin këtë debakël të LDK-së në opinionin publik tek votuesit e saj potencialë, si rezultat i gabimeve të njëpasnjëshme që lideri i saj, Isa Mustafa, i bëri në hapa, që nga fushata zgjedhore e vitit 2014 e deri në nënshtrimin para presionit të PDK-së për të bashkëqeverisur dhe duke marrë përsipër vazhdimin e dialogut me Serbinë në Bruksel dhe nënshkrimin e dy marrëveshjeve të dëmshme për interesin e shtetit të Kosovës. Asociacionin dhe Demarkacionin më 25 dhe 26 gusht të vitit të kaluar. /Kosova Sot/

Mospajtimet e opozitës, të pritshme

0

Analisti politik Dukagjin Gorani i ka vlerësuar të pritshme mospajtimet e fundit në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe AAK-së pasi, sipas tij, këto dy parti dallojnë shumë mes vete.

Pavarësisht kësaj, ai ka thënë se do të ishte mirë të tejkalohen këto mospajtime por, jo me cdo kush.

Gorani në në intervistë për “Epokën e re”, ka deklaruar se këto mospajtime mund ta dëmtojnë kauzën e opozitës por, sipas tij humbëse e madhe mund të jetë AAK-ja.

“Opozita nuk shpërbëhet nëse AAK-ja, braktis atë. Këtë mund ta bëjë vetëm Vetëvendosje duke qenë partia më e madhe dhe bartësja tradicionale e frymës opozitare”, ka thënë Gorani. /Epoka e Re/

Patentat e shoferit përplasin koalicionin

0

Projektligji për Patentë shoferi ka nxjerrë në sipërfaqe edhe një herë mospajtimet mes partnerëve të koalicionit qeverisës në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.

Deputetët kishin shumë vërejtje, sidomos për nenin 4, që kishte të bënte me dy lloj dokumentesh, një për vozitje brenda Kosovës, e një jashtë saj.

Deputeti i LDK-së, anëtar i Komisionit për Legjislacion, Armend Zemaj, tha se duhet riformulim i nenit 4 të këtij Projektligji, sepse lejon hapësirë për manipulim.

“Ajo që mungon dhe është bazike është formulimi i Amendamentit 4, që ka të bëjë me llojet e patentave të shoferëve. Ashtu siç është e përcaktuar në projektligjin në fjalë, lë hapësirë të kuptohet se shteti mund të lëshojë dy lloj patenta shoferi. Një për lëvizje brenda vendit dhe një për lëvizje jashtë vendit. Nuk ka nevojë që të jenë dy dokumente udhëtimi. Kjo është një kosto shtesë. E maltreton qytetarin dhe krijon mundësi për manipulime”, ka thënë Zemaj.

Por, për deputetin e PDK-së, Raif Çela, këto vërejtje janë të pabaza. Ai ka thënë se pavarësisht vërejtjeve të Komisionit për Legjislacion, projektligji duhet të shkojë ashtu siç është.

“Komisioni është unanim dhe mendon se duhet të mbetet kështu siç e ka propozuar Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri. Dhe nuk është me bazë vërejtja e Komisionit për Legjislacion, për arsye se duhet të jetë kështu. Dokument identiteti i cili i mundëson mbajtësit të tij ta drejtojë automjetin jashtë shtetit që lëshon këtë dokument. Është një patentë shoferi e përkthyer në shumë gjuhë dhe që ka një fotografi të drejtuesit të automjetit dhe të dhëna relevante për të drejtën për drejtim”, është shprehur deputeti Çela. /Zëri/

“Sherr” direkt mes kryeministrit Rama dhe gazetares Ilva Tare

0

Drejtuesja e emisionit “Tonight”, Ilva Tare është përplasur me kryeministrin Edi Rama gjatë intervistës.

Kryeministri ka hedhur dyshime mbi përgatitjen e gazetares për këtë intervistë, por moderatorja Tare i ka kthyer reston menjëherë.

Rama: Përgatitjet duhet të jenë të thella kur duhet të intervistoni kryeministrin, por ndoshta s’keni faj se jeni me një fëmijë të vogël…

Tare: Mos u shqetëso fare për përgatitjen time, kam dy javë që po ju pres….

Rama: …Po nëse do shikoni komentet që bëhen kur unë njoftoj se do shkoj tek ky televizion apo tek ai televizion, të gjithë shkruajnë pse shkoni atje se ata bëjnë politikë, etj….

Tare: Por edhe ne gazetarët kur njoftojmë se ju jeni i ftuar, na shkruajnë se pse e thërrisni atë se ai është arrogant, etj… /opinion.al/

Limaj kërkon dorëheqjen e Mustafës

0

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se kryeministri Isa Mustafa dorëheqjen nga drejtimi i Qeverisë e ka përgjegjësi politike dhe juridike.

“Dorëheqja është politike dhe juridike, pasi është shkelur Kushtetuta e Kosovës dhe është shkelur rregulli juridik”, ka thënë Limaj, duke shtuar se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt.

“Kosova ka nevojë të shkojë sa më shpejt në zgjedhje, sepse e ka një regjim i cili e ka shkelur Kushtetutën”, ka thënë Limaj në emisionin “Monitor” në RTK.

Libri i Bekim Fehmiut lejohet të hyjë në Kosovë

0

Libri me kujtime nga aktori i ndjerë kosovar Bekim Fehmiu është lejuar që të hyjë në Kosovë.

Kopjet e librit “Shkëlqim dhe Tmerr“ të Bekim Fehmiut të cilat ishin ndaluar në pikën doganore në Mitovicë do të hyjnë në Kosovë. Pasi Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dha lejen që ato të shpërndahen pas qëndrimit treditor të bllokuara në një pikë doganore në Mitrovicë.

Faton Fetahu, asistent i Ministrit Arsim Bajrami, tha për KALLXO.com se raporti për lejim e hyrjes së librit është dërguar në doganë.

“Ministria e Arsimit ka marrë vendim që ta lejojë hyrjen e librit të Bekim Fehmiut në Kosovë pas raportit të Inspektoratit të rajonit të Mitrovicës”, tha ai.

Librat ishin ndaluar që të hynin në Kosovë pas vendimit që kishte marrë ministria që të ndalonte çdo libër nga Serbia të hynte në Kosovë.

Ky vendim ishte marrë si kundërpërgjigje pas ndalimit të hyrjes se librave shqiptarë në Serbi nga qeveria e Beogradit.

Pjesa e dytë e librit “Shkëlqim dhe Tmerr” ka ardhur si rezultat i manifestimit të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”

Associated Press ishte në shërbim të Hitlerit

0

Historiani gjerman, Harriet Scharnberg, ka treguar se si agjencia amerikane e lajmeve kishte mbajtur qasje me regjimin nazist gjatë viteve 1930-ta, duke u premtuar se nuk do ta dëmtonte regjimin e Hitlerit.

Agjencia e lajmeve Associated Press filloi një bashkëpunim me regjimin e Hitlerit në vitet e 30-ta të shekullit të kaluar, ku përfshihej furnizimi me gazeta amerikane me material të prodhuar direkt dhe të zgjedhur nga ministria e propagandës naziste, ka zbuluar Schanberg.

Kur partia naziste mori pushtetin në Gjermani në vitin 1933, një nga objektivat e saj të parë ishte sjellja në Gjermani jo vetëm e gazetave kombëtare, por edhe atyre ndërkombëtare, shkruan The Guardian.

The Guardian u ndalua brenda një viti pune në Gjermani, përderisa nga viti 1935, agjenci edhe më të mëdha britanike, amerikane, si Keystone u detyruan të mbyllnin zyrat e tyre pasi sulmoheshin për punësimin e gazetarëve hebrenj.

Associated Press, të cilet e kanë konsideruar veten si “marinarët e gazetarisë” ishte e vetmja agjenci e lajmeve perëndimore në gjendje që të qëndronte e hapur në Gjermaninë e Hitlerit, deri në vitin 1941 kur nazistët u futën në luftë me Amerikën, njofton Insajderi.

Gjiganti i gazetarisë kështu e gjeti veten në një situatë me sa duket fitimprurëse për të qenë kanali kryesor i raportimit të lajmeve nga shteti totalitar.

Në një artikull të botuar në revistën akademike ‘Studime në Historinë Bashkëkohore’, historiani Harriet Scharnberg tregon se AP ishte vetëm në gjendje të mbajë qasjen e saj në Gjermani pasi pati përfitime nga regjimi nazist.

Agjencia me bazë në Nju Jork, një marrëveshje të ashtuquajtur Schriftlicher Gesetz (ligji i redaktorit), duke premtuar që nuk do të publikonte asnjë material që llogaritej se “dobësonte fuqinë e Hitlerit, brenda apo jashtë vendit”.

Ky ligj po ashtu i lejonte regjimit nazist që të punësonte njerëz të saj në gazetë, të cilët punonin për propagandën e nazistëve.

Njëri nga katër fotografët e punësuar nga Associated Press në vitin 1930, Franz Roth, ishte anëtar i njësisë së propagandës së ushtrisë naziste SS, fotografitë e të cilës janë zgjedhur personalisht nga Hitleri.

Në qershor të vitit 1941, trupat naziste pushtuan qytetin e Lviv-it në Ukrainën perëndimore. Me zbulimin e dëshmive të vrasjeve masive të kryera nga trupat sovjetike, Forcat pushtuese gjermane kishin organizuar masakra “hakmarrëse” kundër popullatës hebraike të qytetit.

Fotografitë e kufomave brenda burgjeve të Lviv-it, Franz Roth i ka përzgjedhur me urdhër personal të Hitlerit dhe i ka shpërndarë në shtypin amerikan përmes gazetës AP.

“Në vend se të shfaqnin fotografitë e masakrës ndaj hebrenjve në Lviv, shtypi amerikan u furnizua vetëm me fotografi ku tregoheshin viktimat e policisë sovjetike dhe krimet që ata kishin kryer “, tha Scharnberg.

Regjimi i Hitlerit u përmbys në vitin 1945 pas humbjes së luftës së dytë botërore. /Insajderi.com

Kryeprokurori Hoxha: Unë kërkova hetimin e konkursit për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave në Prizren

0

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Sylë Hoxha, ka konfirmuar hetimet që janë duke u zhvilluar për hapjen dhe mbylljen ‘maratonike’ të konkursit për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave në këtë qytet.

Ai tha se personalisht ka kërkuar hetimin e këtij konkursi.

“Unë kam kërkuar hetimin e këtij konkursi”, tregon Hoxha për “PrizrenPress”. Ai tha se hetimet janë duke u zhvilluar nga policia.

“PrzrenPress” ka raportuar se Policia në kordinim me Prokurorinë në Prizren, kanë filluar hetimet për të zbardhur shkeljet e mundshme ligjore, që mund të jenë bërë gjatë hapjes dhe mbylljes së shpeshtë të konkursit për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave.

Burime bëjnë të ditur se për këtë rast tashmë janë intervistuar edhe disa kandidatë të konkursit dhe zyrtarë të Komunës së Prizren.

“Ka disa ankesa të kandidatëve për shkelje ligjore të konkursit për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave,prandaj edhe kemi filluar hetimet për të shikuar se a ka pasur apo jo shkelej ligjore”, tregon burimi brenda Policisë në Prizren.

Zyra e Personelit në Prizren, brenda një kohe të shkurtër ka hapur dhe mbyllur disa herë konkursin për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave. Kandidatët që kanë konkurruar në këto konkurse konsiderojnë se mbyllja e tyre ishte bërë në kundërshtim me ligjin. Ata janë ankuar në organet e drejtësisë se nuk i din as arsyet pse është hapur e mbyllur kaq shpesh konkursi për këto poste të shkollave.

Zyra e Personelit në Prizren, muajin e kaluar ka zgjedhur disa zëvendësdrejtorë të shkollave, ndërkaq që drejtorët ende nuk janë zgjedhur.
Zëvendësdrejtorët e shkollave nuk kanë filluar punën, për shkak ankesave të kandidatëve të tjerë të konkursit./PrizrenPress.com/