7.4 C
Prizren
E shtunë, 25 Prill, 2026
Home Blog Page 6719

Polakja vjen të jetojë në Shqipëri: Burrin më bën të ndihem vetëm

0

Kjo është një nga të shumtat histori të shqiptarëve emigrantë të martuar me shtetase të huaja, që për shkak të kulturave të ndryshme, nuk munden të kenë një lidhje të shëndoshë dashurie.

Ata u njohën në SHBA disa vite më parë, periudhë në të cilën shqiptari jetonte si emigrant dhe po ashtu vajza, që sapo kishte mbërritur në shtetin amerikan nga Polonia.

Nga lidhja e tyre e dashurisë, në mars të vitit 2006, vjen në jetë fëmija i parë i çiftit, vajzë e dy vjet më vonë, lindin një djalë.

Shqiptari punonte për të siguruar të ardhurat e familjes, ndërsa gruaja polake qëndronte në shtëpi dhe kujdesej për fëmijët. Në vitin 2011, burri kthehet i detyruar në Shqipëri pasi dokumentacioni i tij nuk ishte i rregullt. E nga dashuria, nga pas e ka ndjekur edhe bashkëjetuesja me dy fëmijët.

Pas disa vitesh bashkëjetesë, me kthimin në Tiranë ata kanë vendosur të lidhen në martesë duke u drejtuar në zyrat e gjendjes civile. Kështu ata nisin jetën në shtëpinë e djalit, bashkë me nënën e tij.

Por historia nis dy vite më pas, në 2013-ën, kur vajza polake, ka pasur kontradita me bashkëshortin, pasi dyshonte në sjelljet e tij, duke menduar se ai e kishte humbur interesimin rreth saj, derisa një ditë në konflikt e sipër, ai e ka dëbuar gruan nga banesa, thuhet në vendimin e gjykatës.

PRETENDIMET

Nga ky moment, nisin gjithë peripecitë dhe kalvari i gjatë i mosmarrëveshjeve civile dhe ndërpersonale, por dhe ato gjyqësore mes çiftit.

Pas dëbimit, fëmijët jetonin në shtëpinë e babait, duke u mbajtur larg nënës së tyre, asnjë takim, asnjë telefonatë.

Gruaja polake, sipas atyre që ajo ka shprehur në gjykatë, ka shpjeguar ndër të tjera, faktin se është ndjere e keqtrajtuar nga bashkëshorti duke përjetuar ndjenja vetmie, përbuzje, distance, nga ftohtësia e burrit.

Këtë gjë, sipas të pandehurës, burri e ka përcjellë dukshëm dhe sistematikisht edhe tek fëmijët e tyre te mitur, të cilëve në emër të garantimit të kushteve materiale për një jetë më të mirë e të sigurt, u ka mohuar praninë, dashurinë, ngrohtësinë e nënës së tyre.

Ndaj polakja rezulton të ketë kërkuar e para urdhër mbrojtje në Gjykatë, e më pas edhe kujdestarinë e përkohshme të dy fëmijëve të mitur, por kjo e dyta nuk i është pranuar.

VUAJTJET ME FËMIJËT

Por gjatë gjithë procesit gjyqësor, shqiptari ka bërë disa kallëzime penale ndaj bashkëshortes, që të pengonte me çdo formë kontaktet e saj me fëmijët.

Madje në çdo takim të përcaktuar sipas kushteve të gjykatës, nëna përballej me refuzimin dhe reagimin agresiv të fëmijëve.

Por ka qenë një ditë Gushti në vitin 2014, ajo çka acaroi edhe më tej raportet dhe ka ndarë përfundimisht palët.

Në këtë datë ishte edhe dita e takimit në prani të përmbaruesit gjyqesor, me fëmijët. Teksa nëna përpiqej t’i afrohej fëmijëve, ata refuzonin dhe kështu, përmbaruesi ka mbyllur takimin dhe është larguar. E dëshpëruar, polakja ka nisur të qajë dhe kur bashkëshorti ka marrë fëmijët për tu larguar, ajo i ka ndjekur nga pas duke iu lutur që t’i përqafonte qoftë edhe një herë.

Teksa fëmijët kanë vrapuar e ajo njëkohësisht pas tyre po ashtu, djali i saj në vrap e sipër i ka rrëshqitur këmba, dhe është rrëzuar në tokë.

Duke vrapuar ai ka tentuar të dalë në rrugë ku kishte edhe shumë makina, dhe për të shmangur ndonjë rrezik, e ëma e ka kapur nga krahu duke u përpjekur ta ndalojë.

Nga kjo situatë, i bindur se për fëmijët e tij nëna paraqiste rrezik, i është drejtuar Komisariatit Nr. 3 të Policisë Tiranë, ku ka kryer një kallëzim penal për të shoqen.

Ditë më pas, polakja ka mundur të gjejë një punë në një “Call center” dhe ka marrë me qira një shtëpi, e i është drejtuar gjykatës duke kërkuar kujdestarinë e përkohshme të dy fëmijëve. Kërkesa është pranuar nga gjykata në dhjetor të vitit 2014, por nuk u realizua asnjëherë për shkak të refuzimit të fëmijëve.

Takimi i fundit i saj me fëmijët ka qenë në Mars 2015.

Tiranë: Si i shfrytëzonte si prostituta pronarja e lokalit dy vajza

0

Një 55-vjeçare në Tiranë shfrytëzonte ambientet e lokalit të saj që t’u siguronte meshkuj dy vajzave të reja që shisnin trupin e tyre në këmbim të parave duke ushtruar prostitucion.

Informacionet e siguruara nga policia të çonin në lokalin e shtetases me inicialet Xh.S., e cila kishte në pronësi në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”, bar “Unik”, ku ndërmjetësonte ushtrimin e prostitucionit nga vajzat me emrat false Xhoi dhe Ana.

Për këtë, janë organizuar disa agjentë të policisë gjyqësore të cilët kanë monitoruar lëvizjet në lokal dhe jashtë tij.

LËVIZJET NË LOKAL

Ajo që kanë parë oficerët kanë qenë lëvizjet e vajzës me emrin Xhoi, e cila hynte e dilte shpesh në lokal duke biseduar herë pas here me klientë të ndryshëm dhe pronaren. Pasditen e asaj dite, një djalë i moshës 30-35 vjeçare, veshur me një bluzë e pantallona të zeza, dhe me shapka, është parë të ulet në një nga tavolinat e barit dhe të komunikonte shpesh me pronaren 55-vjeçare.

Pas rreth 30 minutave para lokalit ndalon një taksi nga e cila zbret një vajzë rreth moshës 25-vjeçare dhe futet në lokal ku flet me pronaren, e më pas ulet në shoqërinë e djalit me bluzë të zezë.

Ka qenë e reja që është çuar e para nga tavolina pas 10 minutash bisedë dhe është drejtuar në godinën përballë, kur ndodhej një hotel. Nga pas e ka ndjekur edhe djali.

KAPJA “MAT”

Pas 15 minutave që çifti kishte hyrë në hotel, kanë ndërhyrë agjentët së bashku me autopatrullën e Skuadrës “Shqiponja”.

Pasi kanë pyetur recepsionistin për numrin e dhomës, trokitën dhe hynë, duke i gjetur dy personat të zhveshur.

Në këtë moment, kanë pyetur vajzën se sa lekë kishte marrë nga djali 32-vjeçar. Ajo ka nxjerrë nga çanta një kartëmonedhë 5000 lekë të rinj.

DËSHMIA

Në polici 32-vjeçari ka pranuar se numrin e telefonit të vajzës e kishte gjetur përmes pronares së lokalit përballë hotelit, pra 55-vjeçares me inicialet Xh.S.

“Kam dëgjuar për lokalin e Xh. se mban femra për prostitucion dhe kam shkuar disa herë më parë për kafe. Dje shkova pasdite dhe pronarja e lokalit më pyeti nëse doja ndonjë femër për seks dhe unë pranova. Xh. më dha numrin e Anës dhe e mora në telefon. Ajo erdhi me taksi dhe u ulëm të pimë diçka. Ramë dakort që të bëjmë seks në këmbim të 5 mijë lekëve (të reja). Shkuam tek hoteli përballë dhe pagova edhe 1000 lekë (të reja) për dhomën. Sapo filluam të kryejmë marrëdhënie hyri policia”.

Ndërsa vetë 29-vjeçarja, me emrin e punës Ana, gjatë hetimeve ka deklaruar se kontaktin e parë me lokalin e Xh. e ka pasur një javë më parë ku një shoqja e saj bënte të njëjtën gjë.

“Shoqja më ka ftuar tek lokali “Unik” për të gjetur ndonjë mashkull që të shkonte me lekë. Kur shkova tek lokali, pronarja më tha se nëse do kishte ndonjë kërkesë, për mua nga meshkuj, do më telefononte.

Madje shoqja më sugjeroi se mund të shkoja tek hoteli që ishte përballë lokalit”.

Një ditë më parë se të kapej në flagrancë, e reja kishte kryer seks edhe me një shtetas turk, po në këtë hotel.

“Dje në darkë më mori në telefon një djalë i panjohur dhe më tha se jam porosi e Xh., hajde tek lokali. Pasi ramë dakort për pagesën, shkuam tek hoteli”,- tha e reja, shkruhet në vendimin e gjykatës./Panorama/

Ndërkombëtarët, mes dy zjarresh

0

Analistët vlerësojnë se Bashkësia ndërkombëtare duhet të distancohet nga Qeveria e korruptuar dhe të mos anatemojë kot opozitën që po proteston, por nuk ka asgjë në dorë

Analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile konsiderojnë që ka ardhur koha e fundit që faktori ndërkombëtar në Kosovë të jetë shumë i kujdesshëm kësaj radhe me politikën kosovare, sepse bëhet fjalë për një sistem të instaluar, tepër mashtrues e të inkriminuar, korruptiv dhe të krijuar, që bie ndesh me vlerat universale të shoqërive të përparuara. Sipas analistëve, vazhdimi i mbështetjes së kësaj politike e qeverie të korruptuar në pushtet vetëm sa do të acarojë dhe eskalojë gjendjen, sepse populli është lodhur me këtë qeverisje të keqe, kështu që bashkësia ndërkombëtarë duhet të ndihmojë sa më parë rrëzimin e këtij regjimi të inkriminuar për një kohë të gjatë.

Politologu Faik Krasniqi thotë se derisa Kosova është çliruar nga Bashkësia ndërkombëtare dhe pavarësia është projekt ndërkombë- tar, ata kanë përgjegjësi për këtë vend, edhe për vazhdimin e kontributit për ndërtimin e një qeverisje funksionale të dekriminalizuar, pa krim të organizuar dhe korrupsion. Ai ka pohuar se deri më tani të gjitha misionet ndërkombëtare, si UNMIK dhe EULEX, janë bashkëfajtore për krijimin e një klase politike kriminale dhe mafioze, sepse të gjithë e dimë fare mirë se përfaqësues të këtyre dy misioneve kanë qenë pjesë e korrupsionit bashkë me politikanë të profilit të lartë të Kosovës../kosova sot/

UP-ja organizon konferencë ndërkombëtare studentore

0

Konferenca Ndërkombëtare Stundentore e Universitetit të Prishtinës, e njohur si UPISC’16 – shkurtesë nga University of Prishtina International Student Conference 2016 – është ngjarja studentore e parë e këtij lloji në këtë format, e cila organizohet nga studentët e Universitetit të Prishtinës, përkatësisht Fakulteteve Ekonomik dhe Juridik.

Ideja për këtë konferencë vjen si rezultat i përvojës së disa studentëve në konferenca studentore të ngjashme jashtë vendit dhe të disa të tjerëve në projekte të ndryshme, ngase rinia, në veçanti studentët, kanë nevojë të kenë më shumë qasje në mënyrën se si organizohen ngjarje të tilla dhe të mësohen me pjesëmarrje në aktivitete të tilla.

Qëllimi i konferencës është sjellja e ideve nga mbarë universitetet e botës për diskutime në Prishtinë, afirmimi i sistemit të lartë të arsimit të Kosovës, posaqërisht ngritja e vetëdijes mbi rolin dhe rëndësinë e përgatitjes akademike të studentëve për nivele më të larta të karrierës së tyre.

Këtë vit, në edicionin e saj të parë, UPISC’16 do të trajtojë çështje kryesisht të natyrës ekonomike dhe juridike, lidhur me temën kryesore “Globalizimi: Ndikimi në Tregti, Ekonomi dhe Ligj”.

Të drejtë pjesëmarrje kanë të gjithë studentët e universiteteve publike dhe atyre private brenda dhe jashtë Kosovës, duke përfshirë këtu të posadiplomuarit e nivelit Bachelor dhe Master.

Aplikimi bëhet duke përgatitur një abstrakt të punimit të tërësishëm, të strukturuar sipas udhëzimeve specifike të kërkuara në shembujt e përgatitjes së abstraktit, përkatësisht punimit, të cilët mund të sigurohen pasi që kandidatët të shprehin interesimin e tyre për pjesëmarrje në konferencë duke shkruar në [email protected]. Afati i fundit për dërgimin e abstrakteve është 1 mars 2016.

Përzgjedhja do të bëhet nga Këshilli Shkencor i përbërë nga profesorët e të dyja fakulteteve, dhe pas përzgjedhjes do të vazhdohet me procedurat e tjera të dërgimit të punimeve të plota dhe përgatitjeve për mbajtjen e konferencës.

Konferenca parashihet të mbahet në datat 3 dhe 4 maj 2016, kurse një ditë më herët arritja e pjesëmarrësve. Pastaj me datën 5 maj do të organizohet një debat gjithpërfshirës me studentë të të gjitha universiteteve publike dhe kolegjeve private të Kosovës, me temë diskutimi “Si organizohen studentët”, kurse në ditën pas kësaj parashihet një udhëtim me karakter argëtues në disa nga destinacionet turistike të Kosovës. Me datën 7 maj bëhet nisja e pjesëmarrësve.

Për të marrë pjesë në konferencë, nuk aplikohet ndonjë tarifë pjesëmarrjeje, dhe po ashtu akomodimi në konviktet studentore si dhe ushqimi në menzën e Qendrës Studentore bashkë me transportin e pjesëmarrësve ndërkombëtar nga aeroporti dhe për në aeroport do të jenë të mbuluara nga sponzorët e konferencës.

Konferenca mbështetet ekskluzivisht nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, përkatësisht ish-rektori Prof. Dr. Ramadan Zejnullahu si dhe sponzorë të jashtëm.

(Kosova Sot)

Prapaskenat presidenciale trazojnë Kosovën

0

Analistët politikë dhe përfaqësuesit e subjekteve opozitare në vend dyshojnë se peticioni, i cili u iniciua javën e kaluar kundër ambasadorit amerikan në Kosovës, pas kritikave ndaj opozitës për sjelljet e dhunshme në Parlament mund të jetë një skenar i partive në pushtet dhe i SHIK-ut të PDK-së, për njollosjen e opozitës kosovare te SHBA-ja dhe faktori tjetër me ndikim ndërkombëtar, si dhe për të krijuar një lloj mjegulle në prag të seancës, në të cilën pozita do të tentojë të “kontrabandojë” votat, në të gjitha mënyrat e mundshme, për ta zgjedhur Hashim Thaçin president të vendit.

Analistët dhe opozita kërkojnë që AKI-ja dhe Prokuroria e Shtetit të shkëputen nga ndikimi i politikës dhe të përgjojnë zhvillimin e krejt këtij procesi për të parandaluar manipulimet dhe kontrabandën me vota. “Skenarët e tillë dinë t’i bëjnë vetëm shkollarët e shkolluar të SHIK-ut, të orkestruar nga njerëzit kriminelë, që nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe miqësinë me shtetin më të madh mik të shqiptarëve, siç është SHBA-ja. Peticionet e tilla nuk janë të mirëseardhura për shoqërinë kosovare, sepse SHBA-ja ishte dhe do të mbetet një ndër aleatët më të mirë dhe besnikë të shqiptarëve”, ka thënë Ali Herica.

“Këto lloj veprimesh nën hije dhe shumë të tmerrshme mund të vijnë vetëm nga SHIK-u, servis kriminal i koalicionit PDK-LDK, me qëllim të dënimit dhe denigrimit të opozitës në sytë e faktorin ndërkombëtar, që opozita të mos ketë përkrahje nga faktori ndërkombë- tar, ku pretendon që ta izolojë nga skena politike, se kinse opozita kosovare qenka kundër SHBA-se”, tha analisti Hertica../kosova sot/

Nis mbledhja e nënshkrimeve për Thaçin

0

Disa deputetë kanë filluar dhënien e nënshkrimeve për ta ftuar një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të votohet Hashim Thaçi për president të shtetit. Partnerët e koalicionit e mbajnë sekret datën e votimit të presidentit

Partnerët e koalicionit qeverisës kanë filluar grumbullimin e nënshkrimeve të deputetëve për ta thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, ku do të votohet Hashim Thaçi për president të shtetit.

Nisjen e grumbullimit të nënshkrimeve e kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, ndonëse nuk kanë bërë të ditur se kur të njëjtat mund të dorëzohen në Kryesinë e Kuvendit për të proceduar thirrjen e seancës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë për gazetën “Zëri” se para disa ditëve një numër i deputetëve e kanë nënshkruar një nismë për thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme.

“Ka të tillë që para disa ditësh kanë firmosur, ka të tillë që ende nuk e kanë firmosur, por këto janë procedura që janë të natyrës ligjore dhe votat ekzistojnë dhe nuk do të ketë ndonjë problem në këtë drejtim”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se ende nuk dihet se kur do të dorëzohen nënshkrimet në Kryesinë e Kuvendit.

“Se kur dorëzohen nënshkrimet është çështje e shefave të grupeve parlamentare në koordinim me kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit”, është shprehur ai.

Deputetët e opozitës sot para gjykatës

0

Deputetët e opozitës, që po akuzohen për përdorim të armës, vepra që lidhen me gjuajtjen e gazit lotsjellës në Kuvend, pritet të dalin sot përsëri para gjykatës.
Seanca e fundit, ishte me datë 15 të këtij muaji, por ajo kishte zgjatur vetëm pak minuta. Aq sa gjyqtari, Beqir Kalludra të konstatojë mos-praninë e të gjitha palëve, kështu që seancën e kishte shtyrë për datë 23 shkurt 2016.

Të pranishëm në seancën e kaluar ishin dy deputetë të LVV-së dhe një nga AAK, derisa Albin Kurti nuk u paraqit fare.

Gjyqtari i rastit kërkoi që seanca të shtyhet lëshoi urdhër që të pandehurit të sillen me detyrim në seancën e dytë, sot me datë 23.

Deputetët që kanë qenë në masa të ndryshme të sigurisë, paraburgim e arrest shtëpiak, tash e një kohë janë duke u mbrojtur në liri.

Pro et Contra Hashimit President

0

Nga Beqë Cufaj

Jemi në prag të një drame të madhe. Duke e ditur që ky proces i zgjedhjes së të parit të Kosovës kurrë s’ka kaluar me lehtësi- që nga koha e Ibrahim Rugovës e deri tek traumat e fundit me marrëveshjen Hashim-Isë-Behgjet kur si “kompromis” për një a dy vite qe zgjedhur Atifetja. Dhe ajo tash po i mbush rrumbullak pesë vite në këtë post falë tradhtisë së Hashimi ua bëri Isës e Behgjetit. E vetmja herë kur Kosova e kaloi lehtë me Presidentin qe kur Fatmir Sejdiu në fund të vitit 2007 e mori këtë post pa trauma për dy arsye: Hashimi dhe PDK ishin më tepër se të uritur për pushtet dhe Qeverisje dhe presioni ndërkombëtar pas rënies së koalicionit LDK-AAK-Pakicat, qe aq i madh pasi që Kosovën e priste detyra e shpalljes së pavarësisë. Pra, pos intermexo-s me Sejdiun i cili si erdhi lehtësisht e lëshoi atë post edhe më shumë budallakisht, në Kosovë, ta zgjedhësh dikënd President dmth. shumë më tepër se të bësh politikë.

Prandaj del edhe kjo zgjedhja e Hashimit të jetë kaq e komplikuar. I vetmuar në fronin e tij të politikës së Kosovës, Hashimi është prototipi i politikanit të cilin ish-miqë e kolegë të tij nga politika por edhe nga e kaluara e përshkruajnë si një politikan autokrat i cili çkado që ka afër e shtërngon, shfrytëzon, harxhon dhe hedhë anash. Për këtë, kohëve të fundit janë të panumërta teskte, kujtime, komente, rrëfime e trajtesa të cilat japin profilin e një politikani i cili veç me faktin që tash 17 vjet është akitivisht në politikë: njeh çdokënd dhe e din sakëtisht se kujt çka i ka borxh për vendin që e ka në Kosovë.

Ajo që çudit me këtë rast: janë të panumërta trajtesat dhe diskursi kundër zgjedhjes së tij President. Dhe janë të pakta për të mos thënë për t’i numëruar me gishtërinjë qasjet afirmative (serioze) pro Hashimit President.

Hashimi është njeriu më i fortë në politikën e Kosovës por për këtë ka kundër pothuajse krejt prominencën e Prishtinës përfshirë këtu edhe partitë politike që nga opozita e deri tek LDK e cila gadi gadi në mënyrë të dhunshme do ta jep votën për të. Nëse e jep.

Në trajtesat pro Hashimit President jo pak prej tyre bëjnë një blasfemi agresive për këdo që shprehet kundër zgjedhjes së tij në postin e të parit të shtetit. Duke filluar nga etiketimet për “dorë të zgjatur” të Beogradit e deri tek cytje nga shërbime sekrete e agjentura të shteteve perëndimore. Thuajse po e jetojmë kohën e luftës së ftohtë. Jemi në post dialog me Beogradin dhe çkado që vjen nga Beogradi kundër Hashimit mund të vie edhe kundër Ramushit, Albinit, Fatmirit. Edhe mund të ketë dorë Beogradi në këto marrëzi siç ishte ajo me atë nigerianin e organeve apo siç vazhdon të jetë budallallëku me Dick Martyn por si në rastin e parë ashtu edhe të dytin është vet Hashimi ai që i ka fajet më të mëdha. Thënë shqip: për nigerianin le ta pyet Behgjetin. Për Dick Martin le t’i kujtohet teatri me Medicus-in. Përtej këtyre në pledoajetë për Hashimin janë edhe ato melmesat patetike për “rrugën” e tij të gjatë dhe sakrificat për t’u bërë ky që është. Në sytë e tyre Kandidati, dhe mundësisht, edhe Presidenti me një biografi politike në traditën e Rugovës apo edhe burrave tjerë të mëdhenjë të kombit është Hashimi. Krejt këto janë qasje të legjitime të mbrojtësve dhe adhuruesve të tij. Por janë sa të pavend aq edhe jashtëkohore këto patetizma sa njeriu, normali, qoftë ai edhe anëtar PDK-je e ka të pamundshme t’i gëlltisë. Jetojmë në vitin 2016 dhe rrethanat e politikës dhe të vet Hashimit dallojnë shumë për vet atë. Hashimi Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme në vitet 1999-2000… Hashimi dhe PDK-ja në Pushtet me LDK por për këtë me Kryeministër Bajram Rexhepin. Hashimi në opozitë derisa LDK qeveriste me AAK. Dhe Hashimi si dy herë Kryeministër i dy qeverive me të cilat dha aq shumë premtime të cilat s’i përmbushi. As vet mandatet e tij e lëre më premtimet. Është më tepër se herët të supozohet se cili do të jetë roli i tij në historinë e re të Kosovës. Nëse do të hapet ndonjë kapitull me të apo do të përfundojë si ndonjë fusnotë tragjike e Republikës… Do ta tregojnë vitet dhe dekadat në vijim.

Krahasuar me pledoajetë pro Hashimit kemi një mori të tërë trajtesash kundër Hashimit President. Nga autorë prominentë në Prishtinë përmes “kurzschluss”-ave në forma hakmarrjesh personale e deri tek analiza të qarta të cilat tregojnë se sa e dëmshme do të ishte zgjedhja e tij. Pa u ndalur me emra dhe tituj të caktuar duhet thënë që është pothuajse argëtuese të shijohen fletrrufetë kundër tij. Dhe kjo mori vërshuese kundërshtarësh të Hashimit nxjerr në pah një element qenësor: elitat në Prishtinë janë kundër zgjedhjes së tij President. E thonë ata që kanë punuar me të dhe s’ndjejnë obligim ndaj tij. E shkruajnë dhe botojnë ata që janë patriotë dhe e duan këtë vend duke e parë zgjedhjen e tij si një kërcënim të drejtpëdrejt për rregullimin e brendshëm politik, të tashmen e të ardhmen me një president të izoluar dhe aspak të mirëpritur në qendra të botës.

Frikësuese dhe për këtë sidomos për Hashimin brengosëse është heshtja. Heshtja e atyre që ky ka kujtuar që u ka bërë mirë. Gazetarë, shkrimtarë, publicistë e çka jo tjetër të cilët për vite i ka rehatuar me punëra për ta e familjarë të tyre dhe tashti kur i duhen më së shumti- ata po heshtin. Janë ata pra të cilët atij sot i duhen më shumë se kurrë dhe s’po i dalin krah por janë strukur në apartamentet dhe punërat e tyre të cilat me kutin e tij, ua ka dhënë vet Kandidati.

Duhet të jetë pra kjo heshtje një hakmarrje për të. Heshtje që flet vet. Dhe çmim për monetën që Hashimi e ka patur dhe ka qe një dekadë e gjysmë si armë në politikën që bën në Prishtinë.

Por për monetën e Hashimit herë tjetër. Edhe ashtu Drama as që ka filluar. Jemi ende në prolog. Pro et Contra Hashimit.

/© GazetaBlic.com/

Haradinaj: Nesër fillojmë me protesta

0

Kreu i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se protesta e opozitës, fillon që nga nesër dhe do të kulmojë më 27 shkurt.
Ai shpreson se mos zgjedhja e Thaçit president është zgjidhja e krizës në vend.

Prandaj, kreu i AAK-së është i sigurtë se vendi po shkon në zgjedhje të parakohshme.

“Ne mendojmë se është më mirë të shkojmë në zgjedhje para zgjedhjes së presidentit të vendit”, tha lideri i AAK-së për TV Rrokum.

Haradinaj thotë se ka mundësi të mëdha që në zgjedhjet e ardhshme, tri partitë e bllokut opozitar të shkojnë me një listë të përbashkët.

Mirëpo se a ka me qenë Haradinaj, kandidati për Kryeministër i kësaj liste, ai përgjigjet kështu.

“Nuk është me rëndësi kjo. Me rëndësi është të ndodhë ndryshimi në vend”, tha Haradinaj.

Policia në Prizren parkon veturat në trotuar (Foto)

0

Trotuaret e këmbësorëve janë shndërruar në vendparkingje të veturave të policisë në Prizren. Dy vetura të policisë kanë qëndruar në trotuar derisa policët kanë pirë kafe në lokale.

TV Prizreni ka arrit të kap veturën e policisë në trotuar në rrugën “Mbreti Pirro”, që ndodhet në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Prizren.
Ndërkaq, vetura tjetër e policisë është fotografuar nga një lexues në lagjen “Ortokoll” të këtij qyteti. /TV Prizreni/

foto2