14.3 C
Prizren
E premte, 24 Prill, 2026
Home Blog Page 6724

Berisha: Dhuna dhe burgosja e deputetëve opozitarë, me pasoja të mëdha

0

Deputeti i Nismës Zafir Berisha thotë se dhuna e përdorur nga pushteti dhe burgosja e deputetëve opozitarë, do të jetë me pasoja të mëdha. Sipas tij, pushtetarët nuk e kanë hallin e qytetarëve dhe të vendit.

“Dje ndodhi diçka e pazakont, për një vend që është republikë parlamentare”, thotë Berisha,transmeton PrizrenPress.

“Parlamentarët u dhunuan nga pushteti, duke përdorur policinë, me forma jo demokratike deri tek burgosja e dhjetave prej tyre”.

“Kjo “fitore e Pirros” e pushtetit ndaj opozitës, do të jetë me pasoja të mëdha për demokracinë dhe pretendimet evropiane të Kosovës”.

“Ne e kemi parasysh se këta dy akterët e kësaj tragjedie e cila po i ndodh vendit, nuk e kanë hallin e qytetarëve dhe Kosoves, por e kanë hallin e vet dhe çanak-lëpirësve që i rrethojnë”.

“Mirëpo ata duhet ta kenë të kjart se jeta vazhdon edhe pas atij spektakli të dhunshëm, i cili ndodhi dje në Kuvend”./PrizrenPress.com/

Vetëvendosje: Qeveria po tenton ta shtypë opozitën

0

Lëvizja Vetëvendosje! sot mbajti një konferencë për media lidhur me dhunën që ushtroi dje pushteti mbi deputetet dhe deputetët opozitar në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Nënkryetarja e Kuvendit, Aida Dërguti, tha se opozita gjithnjë e më shumë ka mbështetjen masive gjithëpopullore, e kjo u dëshmua më 9 janar, u dëshmua më 17 shkurt, dhe po dëshmohet përditë.

“Ne po shohim këmbënguljen e kësaj qeverie antikushtetuese që të vazhdojë në krye të pushtetit me çdo kusht, derisa t’i përmbushë të gjitha kushtet e marrëveshjes së koalicionit. Për pjesën e marrëveshjes së koalicionit me Listën Serbe, shkruan në Bruksel dhe na e sollën “Zajednicën”. Tash, pjesa tjetër e marrëveshjes së koalicionit është bërja e Hashim Thaçit President. Opozita do ta vazhdojë ballafaqimin brenda dhe jashtë Kuvendit, duke i qëndruar besnike kauzës sonë”, theksoi Dërguti.

Ajo shtoi se e vendosur përballë presionit në rritje të popullit, qeveria antikushtetuese ka nisur të bëhet e dhunshme, dhe se dhuna u bë më se evidente në konferencën për shtyp të mbajtur pas protestës së 17 shkurtit, ku Hashim Thaçi e Isa Mustafa, me frikën që i dukej në fytyrë, e kërcënuan opozitën me konflikt.

“Suspendimi i deputetëve, tërheqja zvarrë dhe arrestimi i tyre, e bën Kuvendin e Kosovës jodemokratik. Kjo Qeveri që po tenton ta shtypë opozitën, i ka ditët e numëruara në pushtet”, tha ndër të tjera Dërguti.

Nënkryetari i Vetëvendosje!-s, Driton Çaushi, tha se brutaliteti i djeshëm mbi deputetët opozitarë ishte me urdhra politik, nga paniku që e kapur pushtetin për shkak të kundërshtimit në rritje gjithëpopullor ndaj tij. Ai përmendi emrat e 10 deputetëve të arrestuar dje, si dhe prezantoi para gazetarëve disa fotografi ku shihet dhuna e shfrenuar e pushtetit ndaj deputetëve të opozitës.

“Albulena Haxhiu është alivanosur dje pasi u përplas në tokë nga pjesëtarët e sigurimit. Përveç kësaj, pjesëtarët e sigurimit e penguan për një kohë të gjatë edhe dërgimin e saj në spital. E pas është dërguar atje, është penguar edhe puna e mjekëve, për shkak të prezencës së shumë policëve brenda dhomës ku po trajtohej në QKUK, ku nuk është lejuar për një kohë të gjatë as të vizitohej nga familjarët e saj. E njëjta prezencë e policisë vazhdon edhe sot, në Qendrën e Traumatologjisë”, tha Çaushi.

Ai foli edhe për fushatën e sotme të shpifjeve ndaj deputetes Albulena Haxhiu që ka për qëllim denigrimin, cenimin e integritetit dhe dinjitetit të Haxhiut.

“Ne nuk do të lejojmë asnjëherë një sjellje të tillë të pushtetit dhe të mediave të pushtetit që kanë për qëllim përuljen dhe cenimin e dinjitetit të deputeteve. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha në fund Çaushi. /PrizrenPress.com/

Dy serbë vriten në ISIS

0

Dy pjesëtarë të personelit të Ambasadës së Serbisë, Sllagjana Stankoviq dhe Jovica Stepiq, që ishin rrëmbyer në Libi në nëntor të vitit të kaluar, mendohet se janë vrarë nga sulmi amerikan kundër një kampi të dyshuar stërvitor të grupit militant, Shteti Islamik.

Kështu ka thënë sot ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq.

Daçiqi ka shpjeguar se informata për vrasjen e tyre i ishte dhënë Serbisë nga zyrtarët e jashtëm, por këto vrasje nuk janë konfirmuar nga qeveria e Libisë.

Zyrtarët amerikanë thanë dje se nga sulmi ajror janë vrarë dhjetëra njerëz, me gjasë edhe personi, Noureddine Chouchane, operativist i lartë i grupit militant, Shteti Islamik, që kishte kryer sulme në Tunizi. /REL/

Fotografia më e mirë në #InstaKosova

0

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës për nder të tetë vjetorit të pavarësisë ka përzgjedhur fotografitë fituese të postuara në të gjitha rrjetet sociale, thurjet “#InstaKosova” dhe “#InstaKosovo”.

Kjo garë është organizuar për herë të tretë si pjesë e Diplomacisë Digjitale të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në kuadër të festimit të tetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Fituesja e fotografisë më të mirë është përzgjedhur Sara Simnica nga Prishtina me fotografinë “As në tokë as në qiell”, e realizuar me Samsung Galaxy S4. Lëvizja apo mungesa e lëvizjes së lirë janë përzgjedhur temë për trajtim nga juria e garës InstaKosova, pasi që janë cilësuar si ngjarjet sociale dhe politike që e kanë karakterizuar vitin që kemi lënë pas.

Duke argumentuar mbi përzgjedhjen e fotografisë fituese, juria ka vlerësuar se “fotografia fituese vë në pah atë që duket të jetë një mjedis tipik rrugor në Kosovë. Me një arkitekturë të çekuilibruar dhe tela të varur mbi qiellin gri, ky imazh pasqyron një pamje të papërsosur të strukturës së jetës së përditshme në Kosovë. Duke u përqendruar në qetësinë e veprimit të zakonshëm të dy të rinjve, fotografia kap bukur mishërimin e ngritjes së ndërprerë nga graviteti. Duke u nisur nga kjo metaforë e gravitetit e deri në kufijtë e territorit të izoluar nga regjimi i vizave, ne kemi një fotografi që mban përbrenda saj thelbin e nevojës për lëvizje të lirë. Loja dhe natyra teknikisht e papërsosur e imazhit e begaton këtë pa përsosmëri, që  përfundimisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, e bën atë humanë dhe të afërt”.

Fituesit e dhjetë fotografive më të mira janë: Agon Nimani, Andrra Nurkollari, Arben Llapashtica, Drenusha Lika, Driton Bublaku, Erlinda Shema, Ermal Meta, Granit Spahiu, Kushtrim Krasniqi, Sara Simnica dhe Yllka Bojku.  Në garën për fotografitë më të mira kanë garuar rreth 30 mijë fotografi të postuara në rrjetet sociale. Juria që ka bërë përzgjedhjen e fituesve është përbërë nga: Agron Dragaj (fotograf), Arjeta Emra Emra (drejtoreshë e “British Council” në Kosovë), Dafina Zeqiri (këngëtare), Daniel Cosentino (multimedia artist dhe zëvendës dekan në AUK) dhe Mjalinda Hoxha (fotografe konceptuale).

Fotografia më e mirë shpërblehet me 500 euro, kurse 10 fotografitë më të mira me nga 50 euro. Përveç këtyre juria ka përzgjedhur edhe rreth 100 fotografi fituese të cilat do të publikohen në një libër fotografish, që do të ndahet falas në institucione të ndryshme shtetërore në botë dhe në hapësira të ndryshme të artit e kulturës.

Juria po ashtu ka bërë përzgjedhjen e 100 fotografive të cilat do të publikohen në edicionin e tretë të librit #InstaKosova. Lista e plotë e fotografive fituese të InstaKosovës si dhe një selektim i fotografive mbështetëse gjatë fushatës “Kosovo in UNESCO” do të bëhen publike më 22 shkurt, dhe më pas, do të bëhet edhe hapja ekspozitës me të njëjtat fotografi.

InstaKosova është projekt i përbashkët i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Këshillit Britanik dhe Ambasadës Norvegjeze në Kosovë. /PrizrenPress.com/

NISMA në Malishevë kërkon lirimin e deputetit Enver Hoti me shokë

0

NISMA për Kosovën – dega në Malishevë, ka kundërshtuar ashpër arrestimin deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Enver Hoti (NISMA) dhe deputetëve tjerë nga opozita e bashkuar.

Përmes një deklarate, NISMA ka kërkuar  lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të tyre, raporton PrizrenPress.

Deklarata e plotë e NISMA-s:

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, u demonstrua dhuna e policisë dhe pjesëtarëve të sigurimit të kuvendit, karshi deputeteve të opozitës së bashkuar.

Për të satën herë u pa dhe u tregua qartë fytyra e koalicionit PDK-LDK.

Ky koalicion qeverisës që tashmë është faktuar se është shkelës i kushtetutës, përdori mekanizmat e tij të sigurisë, për ti privuar nga e drejta që deputetët e opozitës të jenë pjesë e seancës duke i larguar ata me forcë nga salla e kuvendit e më pas edhe duke i arrestuar ata.

Në mesin e deputetëve të arrestuar është edhe deputeti nga radhët e Nisma për Kosovën, z. Enver Hoti. Kundërshtojmë ashpër arrestimin e tij dhe të deputetëve tjerë nga opozita e bashkuar dhe kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të gjithë deputetëve nga opozita e bashkuar.

Edhe peticioni i nënshkruar nga mase dyqind mijë qytetarë, në kundërshtim të marrëveshjeve që qeveria e Republikës së Kosovës i ka nënshkruar në Bruksel, pastaj manifestimet paqësore të mbajtura dhe të organizuara nga opozita e bashkuar, si dhe protesta e nëntë janarit të këtij viti e sidomos protesta e fundit e shtatëmbëdhjetë shkurtit, treguan qartë se opozita e bashkuar me të drejtë është duke kërkuar dorëheqjen e kësaj qeverie dhe vendi të shkoj në zgjedhje pasi që kjo qeveri dhe ky kuvend e kanë humbur legjitimitetin dhe e kanë humbur të drejtën për të qeverisur me vendin.

Kërkojmë që menjëherë të ndalet përndjekja e deputetëve të opozitës së bashkuar, të lirohen të gjithë deputetët e arrestuar si dhe të ndalet degradimi i mëtejmë i jetës institucionale. /PrizrenPress.com/

Rrah një person për pronë në Suharekë, e arreston policia

0

Në fshatin Breshanc të Suharekës një person ka sulmuar fizikisht një tjetër pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor, raporton PrizrenPress.

Viktima ka pranuar tretmanë mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Policia e Kosovës njofton se të dyshuarin e ka arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

‘Plani sekret’ i opozitës?

0

Nëse deri më 27 shkurt Qeveria nuk jep dorëheqje, në protestën e radhës, do të ngrenë shatorët përballë Qeverisë dhe do të qëndrojnë aty deri në dorëheqjen e saj.

Partitë Opozitare tashmë i kanë dhënë Qeverisë ultimatum që të dorëhiqet, deri me një datë finale 27 shkurt. Por çka nëse kjo qeveri nuk tërhiqet?

Burime të gazetës Botapress kanë kuptuar se Lëvizja Vetëvendosje në partneritet me dy partitë opozitare AAK e Nisma kanë përgatitur një plan tjetër të protestës dhe të kundërshtimit të Qeverisë deri në dorëheqje. Ky plan megjithëse ende nuk është detajuar dhe ende mbahet “sekret” mendohet që të jetë pak më ndryshe nga protestat e deritashme.

Pra, nëse deri më 27 shkurt Qeveria nuk jep dorëheqje, në protestën e radhës, partitë opozitare nuk do të mjaftojnë vetëm me fjalimet e liderëve por do të ngrejnë shatoret përballë Qeverisë dhe do të qëndrojnë aty deri në dorëheqjen e saj.

Të kujtojmë se një praktikë e tillë është përdorë edhe nga Partia Socialiste e Shqipërisë disa vjet më parë në kërkim të dorëheqjes së Qeverisë Berisha. Por deputetët socialist u tërhoqën pas 3 muaj proteste në shatore, pa e realizuar qëllimin e tyre të shkakrimit të qeverisë së atëhershme Berisha.

Botapress ka kontaktuar dje deputetin e Vetëvendosje Rexhep Selimi i cili ka konfirmuar se edhe kjo mundësi nuk përjashtohet, por para asaj kemi plane më të mira.

“Ne kemi paralajmëruar protestën e radhës me 27 shkurt, dhe nuk heqim dorë deri sa të tërhiqet kjo qeveri, e kemi shumë përnime, dhe nuk e kemi ndërmend të ndryshojmë mendje, qëndrim apo qasje”, tha Selimi për Botapress.

I pyetur se nëse nuk dorëhiqet qeveria a është e vërtetë se ju si Lëvizje do të ngeni shatore para Qeverisë në shenjë proteste, Selimi tha se është herët të flitet për një veprim të tillë por që nuk e përjashtojmë as këtë formë të protestës si mundësi, por para kësaj kjo Qeveri duhet të jep dorëheqje dhe duhet të mbahen zgjedhje të reja tha deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi.

Nita Deda emërohet drejtoreshë e DokuFestit

0

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, njofton që ka emëruar Nita Dedën si drejtoreshë të Festivalit.

Nita Deda, që më parë ka qenë Drejtuese e Komunikimt të DokuFest dhe DokuNights, ka pranuar rolin dhe do të jetë kreu i DokuFest nga viti 2016 dhe tutje.

Kontributi i Dedës në DokuFest gjatë gjashtë viteve të fundit ka qenë qendror në rritjen dhe suksesin e festivalit. Deda udhëhoqi ekipin e komunikimit dhe e transformoj DokuNights në një ndër ngjarjet më të njohura të muzikës në Kosovë.

Deda vjen me një eksperiencë në prodhimin e filmave (Producente Atis: me regji të Daniel Mulloy), artit (Koordinatore e projekteve ndërkombëtare në Galerinë Kombëtare të Kosovës), marrëdhënieve me publikun (Koordinatore e komunikimit të Pavilionit të Kosovës në Bienalen e Venedikut, në Edicionin e 55-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit 2013) dhe menaxhimit (Menaxhere e festivalit SURF në vitin 2011) dhe sjell një energji të fuqishme dhe krijuese në rolin e ri të Drejtorit të Festivalit.

Zhvillimi në udhëheqje është pjesë e planit strategjik për përmirësimin e strukturës së menaxhimit të organizatës. Eroll Bilibani, i cili ka qenë Drejtor i Festivalit për katër vitet e fundit, ka marrë rolin e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të organizatës duke u fokusuar në menaxhimin e projekteve vjetore të organizatës dhe zhvillimin e tyre të mëtejshme.

Si drejtoreshë e festivalit, Deda do të drejtojë rritjen strategjike të DokuFest dhe mbikëqyrë iniciativat dhe partneritetet e saj të reja. /PrizrenPress.com/

20 kosovarë me HIV

0

“Të diagnostikuarit me HIV përveç hallit për sëmundjen, vuajnë edhe nga paragjykimet se si të tjerët do ta presin lajmin për sëmundjen e tyre”, kështu thotë punëtorja sociale në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Sipas saj një numër i madh i pacientëve kur e kuptojnë që vuajnë nga kjo sëmundje, mbyllen në vetvete nga frika se si të tjerët do t’i  presin.

Në këtë klinikë  janë më shumë se 20 pacientë të cilët marrinë terapitë për HIV/AIDS

E në të gjithë Kosovën sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, për rreth 30 vite deri më tani janë infektuar 100 persona janë prekur me virusin HIV/AIDS,  në mesin e tyre ka edhe fëmijë.

E gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë regjistruar dy raste me sëmundjen HIV/AIDS.

Zëdhënësi në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti ka thënë për Gazetën Fjala se  mosha mesatare e të prekurve me HIV është nga 15 deri në 24 vjet.

“Ka pasur raste të moshave të ndryshme, si të grup-moshës 15-24 vjeçe ashtu edhe të grup moshës 45-54 vjeçe. Por, ka pasur edhe raste të prekurish fëmijë, të cilët infeksionin e kanë marrë nga prindërit e prekur me HIV/AIDS”, ka thënë Hoti.

Sipas  tij nga 100 rastet e prekura me këtë sëmundje 41 persona kanë vdekur.

“41 kanë përfunduar me vdekje si pasojë e AIDS-it”, thotë Hoti.

Ai tregon se  në aspektin gjinor, 69 për qind i takojnë gjinisë mashkullore, ndërsa 31 për qind gjinisë femërore.

Ndërkaq  Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë, është shprehur se bota është e përkushtuar për t’i dhënë fund epidemisë së AIDS-it dhe se deri në vitin 2030 kjo dukuri pritet të minimizohet.

“Tani më është bërë përparim i dukshëm. Synimi zhvillimor i mijëvjeçarit lidhur me frenimin dhe përmbysjen e HIV-it në nivel global është arritur. Në fund të vitit 2014 numri i vdekjeve të shkaktuara nga HIV-i është reduktuar në 42% nga 2 milionë sa ishte në 2004 në përreth 1.2 milionë në vitin 2014”, ka thënë ai në një raport të publikuar në dhjetor të vitit të kaluar.

.Mirëpo vetëdijësimi i shoqërisë kosovare për këtë sëmundje nuk vlerësohet të jetë në shkallën e duhur.

Sociologu, Enver Hasani shprehet se pacientët që bartin këtë virus paragjykohen nga shoqëria. Sipas tij këtë kompleks nuk e partin vetëm pacientët por edhe familjarët e tyre të cilët vazhdimisht i  sigmatizon shoqëria.

“Momenti dhe impakti i parë kur këta persona marrin vesh diagnozën është shumë dramatik. Kanë ngarkesë të madhe emocionale. Nga njëra anë sepse se ka një sëmundje “vdekjeprurëse” dhe nga ana tjetër, është meraku se mos e marrin vesh të afërmit apo shoqëria”, ka thënë Hasani për Gazetën Fjala.

“Në pjesën më të madhe të rasteve këta persona kërkojnë mbështetje tek familja andaj si e tillë familja është një nga komponentët dhe aleatë për të asistuar të sëmurin për ta tejkaluar atë sfidë”, ka shtuar ai.

E ndëkohë Instituti i Shëndetit Publik në Kosovë, njofton se në të gjitha rastet kur dyshohet se personi është i infektuar me HIV duhet të bëjë këshillimin dhe testimin vullnetar sa më të hershëm, që mundëson diagnostikimin e HIV infeksionit e me këtë edhe ndërmarrjen e masave të trajtimit dhe parandalimit të përhapjes së mëtejme tek të tjerët.

Përfaqësuesit e këtij Instituti tregojnë se trajtimi bëhet nën kujdesin mjekësor dhe në institucionet e specializuara për trajtim.

Vitin e kaluar, 1.2 milion njerëz në të gjtthë botën kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me AIDS-in. HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar, të tilla si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale./GazetaFjala/

Thaçi: Javën e ardhshme votohet Presidenti

0

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në Kosovë nuk ka krizë institucionale, por, siç tha ai, anarki opozitare.

Zëvendëskryeministri Thaçi, tha se zgjedhjet e reja do të mbahen në afatet kushtetuese, pas dy vjetësh, ndërsa zgjedhja e presidentit gjatë muajit shkurt.

Ai mohoi zërat se kriza aktuale në Kosovë po shfrytëzohet për të zvarritur ngritjen e Gjykatës së Posaçme për krime lufte.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, Kosova po shënon tetë vjetorin e pavarësisë së saj në një kohë kur po përballet me krizën politike më të rëndë që nga shpallja e saj. Si e shihni zgjidhjen e kësaj krize?

Hashim Thaçi: Kosova po shënon tetë vjetorin e pavarësisë në një rrethanë të përparimit, kemi fituar 111 njohje ndërkombëtare, është anëtarësuar në shumë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare në mesin e tyre edhe 29 federata sportive dhe presim që shumë shpejt Kosova të anëtarësohet në UEFA dhe FIFA, ndërsa sivjet për herë të parë do të marr pjesë edhe në lojërat olimpike në Rio De Janeiro. Kosova këtë tetë vjetor e shënon në një stabilitet shtetëror me një forcim të subjektivitetit të vet ndërkombëtar, si një vend i respektuar prej miqve dhe partnerëve të bashkësisë ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë mund të them lirisht se ky tetë vjetor shënon edhe vitin e Kosovës evropiane sepse vetëm sa është nënshkruar marrëveshja e Stabilizim Asocimit por edhe tash kur jemi në prag të rekomandimeve për liberalizimin e vizave. Pra, kemi të bëjmë me një sukses të konsiderueshëm dhe në të njëjtën kohë shteti i ri i Kosovës përballet me sfida që i kanë edhe vendet tjera të rajonit, para se gjithash për të vazhduar trendin pozitiv të zhvillimit ekonomik, për të vazhduar thellimin e reformave në të gjitha sferat, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.

Zëri i Amerikës: Sipas jush, në Kosovë nuk ka krizë?

Hashim Thaçi: Në Kosovë ka anarki opozitare, por jo krizë institucionale, ka veprime arbitrare që e cenojnë dhe rrezikojnë demokracinë dhe të arriturat e Kosovës. Por, ne jemi të vendosur si institucione legjitime, legale dhe me një mazhorancë të fuqishme të vazhdojmë reformat e nevojshme, zbatimin e plotë të kritereve të Kopenhagës edhe në ekonomi, politikë dhe legjislacion, të punojmë për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, të krijojmë një ambient që çdo qytetar të ndihet mirë dhe krenar për të jetuar në Kosovë. Kosova është një vend i sigurt dhe me perspektivë të sigurt evropiane dhe se asnjë veprim anarkist ose që nuk përkon me traditën e qytetarëve të Kosovës, politikës së Kosovës dhe vizionit politik të vendit tonë nuk do të ngadhënjejë mbi vullnetin e qytetarëve, mbi institucionet legjitime, pra nuk do të mund të sfidohet as shteti e as institucionet prej asnjë ambicie që përmes rrugës të vijë në pushtet. Mund të ketë vërejtje dhe sugjerime për punën që bëhet, por ato duhet të prezantohen në institucionin më të nderuar të shtetit në Parlamentin e Kosovës. Ne e respektojmë të drejtën e njerëzve për të ngritur zërin ndaj çështjeve që janë të diskutueshme, por, në të njëjtën kohë duhet kuptuar se në pushtet arrihet përmes kutisë së votimit dhe jo përmes proceseve të dhunshme apo veprimeve arbitrare. Opozita kauzën e ka të gabuar dhe metodat i ka plotësisht të papranueshme.

Zëri i Amerikës: Opozita po kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kur kemi parasysh që ky është vit i zgjedhjeve edhe në një pjesë të madhe të rajonit, a mund të presim që kjo të ndodhë edhe në Kosovë?

Hashim Thaçi: Opozita është duke kërkuar ardhjen në pushtet edhe pa zgjedhje, është duke kërkuar shpërbërjen e parlamentit, por se kur shpërbëhet parlamenti vendoset në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe në afatin e rregullt kushtetues. Zgjedhjet do të organizohen në vjeshtën e vitit 2017 ato lokale ndërsa të përgjithshmet në qershor të vitit 2018. Vlerësoj që do të ishte me interes që udhëheqësit opozitar të kuptojnë, e para që të distancohen nga dhuna dhe e dyta të vihen në shërbim të përparësive të shtetit që ta forcojmë edhe më tepër dhe në asnjë rrethanë të pretendojmë për të dëmtuar pushtetin e në të njëjtën kohë janë duke e lënduar rëndë shtetin e Kosovës sepse koalicioni ka një mazhorancë të fuqishme dhe nuk është i cenueshëm politikisht prej këtyre veprimeve opozitare, por është duke u lënduar rëndë shteti i Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, ç’të keqe do të kishte nëse Kosova i mban zgjedhjet e parakohshme?

Hashim Thaçi: Ne nuk mund të shkojmë në zgjedhje çdo herë që dikush humb garën elektorale dhe pastaj pretendon të përsërisë edhe njëherë atë proces elektoral. Zgjedhjet mbahen një herë në katër vite, mazhoranca në Kosovë është shumë e fuqishme dhe në zgjedhje shkohet nëse nuk ka mazhorancë koalicioni ose humb shumicën në parlament apo situata tjera, por në një situatë normale nuk ka arsye që të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Përkundrazi, shteti do të funksionojë dhe do të kryej të gjitha obligimet që dalin përball me përparësitë që kemi si vend edhe në të njëjtën kohë përball bashkësisë ndërkombëtare. Ftoj të gjithë ata njerëz të distancohen prej veprimeve të tilla sepse i kanë qitur një hije të keqe shtetit tonë në këto gjashtë muajt e fundit.

Zëri i Amerikës: Kosova tash duhet të zgjedh edhe presidentin meqë skadon mandati i presidentes Atifete Jahjaga, Sipas marrëveshjes suaj me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ky post ju takon juve. A do të jeni ju presidenti?

Hashim Thaçi: Partia Demokratike e Kosovës dhe unë do ta respektojë në tërësi marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partnerët tjerë të koalicionit që përbëjmë rreth 90 deputetë. Zgjedhja e Presidentit të vendit do të ndodhë në afatin e rregullt kushtetues e ligjor në një procedurë të përpiktë dhe një proces transparentë gjatë muajit shkurt.

Zëri i Amerikës: Kur është kjo datë?

Hashim Thaçi: Ende nuk është caktuar nga kryesia e parlamentit, por ne do të respektojmë në tërësi procedurat, transparencën e plotë me një president me legjitimitet të plotë qytetar dhe natyrisht në një proces të transparencës së plotë në kuptimin legal.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, kundërshtarët nga opozita dhe një pjesë nga partneri juaj i koalicionit shprehen kundër kandidaturës suaj. Sa mund ta vështirësojnë zgjedhjen tuaj ata?

Hashim Thaçi: Unë nuk jam kandidat i ndonjë individi të caktuar, jam kandidat i një marrëveshjeje të përbashkët në mes dy partive të fuqishme në vend, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partnerëve tjerë të koalicionit. Unë kuptoj zërin opozitar, në të njëjtën kohë kuptoj edhe zërat që mund të dëgjohen aty, por mund të them se presidenti i ardhshëm i Kosovës do të jetë një prej presidentëve më legjitim që ka pasur ndonjëherë Republika e Kosovës duke vlerësuar lartë edhe punën e presidentit Rugova, presidentit Sejdiu, presidentit Pacolli dhe presidentes Jahjaga.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, kriza politike në Kosovë pasoi mospajtimet për rezultatet e bisedimeve me Serbinë dhe se kundërshtarët e tyre thonë se nuk e kanë ndryshuar qasjen e Beogradit, dhe në të njëjtën kohë e kanë dobësuar Kosovën. Sa realisht kanë ndikuar këto bisedime për normalizimin e marrëdhënieve?

Hashim Thaçi: Dialogu në Kosovë ka shënuar një kthesë dramatike në kuptimin e largimit të ndikimit të Serbisë në Kosovë. Në anën tjetër të afrimit të komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës. Më herët disa prej tyre kanë qenë nëpër barrikada tash janë në Parlamentin e Kosovës, në institucionet legjitime, në anën tjetër ne kemi organizuar zgjedhje për herë të parë sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës edhe në veri të vendit si ato të përgjithshme dhe lokale. Tash policia dhe doganierët e Kosovës janë në pikat kufitare me Serbinë. Kemi funksionimin e sistemit të drejtësisë, janë integruar serbët në policinë e Kosovës, po e ri integrojmë veriun përmes këtij procesi dhe po e largojmë ndikimin e plotë të Beogradit. Arsye për reagime të tilla nga opozita nuk ka pasur sepse këto reagime armiqësore ndaj komunitetit serb në Kosovë vetëm sa mund ta lëndojnë dhe dëmtojnë Kosovën e re evropiane, shumë etnike dhe të largojnë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare për Kosovën. Pra, thirrjet e tyre armiqësore janë të frikshme dhe shqetësuese edhe për serbët, por në të njëjtën kohë edhe për demokracinë në tërësi në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Thaçi, procesi i bisedimeve lidhet me emrin tuaj. Sa ndjeheni përgjegjës për krizën që ka kapluar vendin?

Hashim Thaçi: Gjitha veprimet tona kanë qenë kushtetuese dhe ligjore. Marrëveshjen që kam nënshkruar në vitin 2013 është ratifikuar në Parlamentin e Kosovës. Ka kaluar në Gjykatën Kushtetuese dhe është vlerësuar se është gjithçka në përputhje me Kushtetutën. Marrëveshjen e vitit 2013 që e kam nënshkruar ka marr pjesë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe e kanë votuar në parlament, e ka votuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës kështu që e vlerësoj edhe partinë e zotit Haradinaj për votimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, në të njëjtën kohë vlerësoj lartë dhe konstruktivitetin të udhëheqësit opozitar dhe Lidhjes Demokratike të zotit Mustafa tash kryeministër aktual. Në atë kohë, unë kam arritur që të krijojë një unitet më të gjerë dhe të pranueshëm prej gjithë subjekteve politike në Kosovë ndërsa sot ata po reagojnë ndaj gjërave dhe çështjeve të cilat vet i kanë pranuar dhe vet i kanë votuar.

Zëri i Amerikës: Zoti zëvendëskryeministër, shumë veta në Kosovë por edhe jashtë saj pohojnë se kriza aktuale po shfrytëzohet për të zvarritur funksionalizimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte. Si i vlerësoni pohimet e tilla?

Hashim Thaçi: Unë sinjale të tilla nuk kam dhe opinione të tilla nuk kam. Kam dëgjuar opinionet e lira, por është një proces i pandalshëm. Kosova ka kryer të gjitha obligimet e veta, ne i besojmë sistemit të drejtësisë ndërkombëtare, nuk kemi asgjë për të fshehur dhe mendoj se ky proces duhet të shndërrohet në përparësi për Kosovën dhe jo të pretendohet që të paraqitet si frikë apo për të keqen e vendit tonë.

Zëri i Amerikës: Transparency International e radhiti Kosovën shume poshtë sa i përket shkallës së korrupsionit. Edhe, Këshilli i Evropës e cilësoi atë madje endemik. Ju jeni tashmë që nëntë vite në qeveri. Sa ndjeheni përgjegjës për këtë situatë?

Hashim Thaçi: Është fat që sistemi  i drejtësisë në Kosovë në kuptimin ekzekutiv është udhëhequr prej bashkësisë ndërkombëtare tash e 16 vite, njëherë prej UNMIK-ut dhe pastaj prej EULEX-it. Pavarësisht prej opinioneve të ndryshme, unë vlerësoj se EULEX-i ka bërë një punë të mirë, ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar së bashku me institucionet e vendit ndërsa tash po ndodh një proces krejt normal i bartjes së autoritetit më të fuqishëm tek institucionet e vendit. Institucionet tona kanë krijuar përvojën dhe ekspertizën e duhur, por natyrisht duhet të vazhdojmë edhe më tepër në këtë drejtim dhe do të jemi të pakompromis sepse është një prej kushteve themelore për të ardhmen evropiane të vendit.