Home Blog Page 6734

Arrestohen 5 persona në Prizren, dyshohen për shpëlarje të parasë

0

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, me 17 mars 2016, ka ndërmarrë operacionin policor, në rajonin e Prizrenit, nën dyshimin e bazuar se disa persona të dyshuar janë duke kryer veprat penale ‘mbajtje në pronësi të paautorizuar të armës’, ‘vjedhje e rëndë’ dhe ‘shpëlarje e parasë’.

Në një komunikatë të Policisë së Kosovës thuhet se gjatë operacionit është arritur të arrestohen pesë persona të dyshuar: V. N. lindur me 1973 m/sh/K, K. G. i lindur me 1979 m/sh/K, B. E. i lindur me 1983 m/sh/K, E. C. i lindur me 1967 m/sh/Sh dhe G. G. i lindur me 1970 m/sh/K.

Si prova materiale janë sekuestruar: 1 revole me 14 fishekë dhe 6 telefona celularë.

Të arrestuarit dyshohet se në bashkëveprim organizonin shkëmbimin e një shume të parave, të raportuara si të vjedhura në shtete tjera.

Të dyshuarit janë arrestuar në një lokacion të Prizrenit, ku fillimisht janë shoqëruar në stacion policor, kurse me vendim të prokurorit kompetent janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /PrizrenPress.com/

Të shtëna në Prizren, arrestohet një person

0

Policia e Prizrenit ka bërë të ditur se dje, rreth orës 18:00, ka pranuar një informacion i cili bënte me dije se në fshatin Lybeqevë ka të shtëna me armë zjarri.

Një patrullë policore ka shkuar për verifikimin e informacionit dhe ka arritur ta gjejë vendin e ngjarjes në të cilin janë gjetur 45 gëzhoja të armës automatike të cilat janë mbledhur si dëshmi materiale, raporton PrizrenPress.

Më pas, gjatë hetimit, janë ndaluar katër persona për t’u pyetur për rastin.

Pas përfundimit të hetimeve fillestare, është sekuestruar një pushkë gjysmë automatike njëzetëshe pa fishekë.

Në konsultim me prokurorin e shtetit, poseduesi i armës ndalët nën masën e arrestit sepse i njëjti dyshohet të ketë konsumuar elemente të dy veprave penale: Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtje në pronësi ose kontroll të armëve luftarake. /PrizrenPress.com/

Suharekë: E kanosë me armë të dehurin që i rrëzohet mbi tavolinë

0

Policia Rajonale e Prizrenit njofton se rreth mesnate, në ambientet e një lokali hotelier në Gjinoc të Suharekës, një i dyshuar , me armë zjarri e ka kanosur një person i cili mbase kishte qenë i dehur dhe ishte rrezuar mbi tavolinën e të dyshuarit.

Pas kanosjes i dyshuari ishte larguar nga lokali me një automjet të cilin patrullat policore e kanë ndaluar në fshatin Dvoran. Gjatë kontrollit të automjetit, në brezin e pasagjerit, policia e ka gjetur armën e llojit revolver e kalibrit 7.6mm me pesë fishekë, raporton PrizrenPress.

Po ashtu, rreth orës 02:05 minuta në rrugën “Flamuri” në Prizren, gjatë një hetimi të Departamentit të Hetimeve Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me hetues nga Prizreni është ndaluar një automjet dhe gjatë kontrollit të automjetit është gjetur një pistoletë e llojit “SIG SAUER” i kalibrit 9mm me 14 fishekë.

Në konsultim me prokurorin e shtetit, i dyshuari është ndalur në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Ia vjedhin zinxhirin e arit nga qafa në Suharekë

0

Në Shirokë të Suharekës, ka ndodhur një vjedhje grabitqare. Policia Rajonale e Prizrenit bën të ditur se ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 18:17 minuta.

Sipas raporteve hetimore thuhet se dy të dyshuar ia kanë vjedhur viktimës femër një zinxhir të artë nga qafa përderisa e njëjta po ecte nëpër trotuar të fshatit, raporton PrizrenPress.

Pas pranimit të informatës, Policia e Suharekës ka nisur me hetimin e rastit i cili ka rezultuar me arrestimin e një të mituri i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Pas intervistës, është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i mituri të ndalët nën masën e arrestit policor, ndërkaq hetuesit janë në kërkim të dyshuarit tjetër. /PrizrenPress.com/

Piktura ‘Sarajeva’ shitet në ankand për 1 milion euro

0

Piktura e famshme “Sarajeva” e vitit 1992 dhe e pikturuar nga Omar el-Nagdi është shitur në një ankand në Dubai për 1.14 milion dollarë.

Ankandi është organizuar nga Christie`s, një prej shtëpive të ankandit më të famshme në botë. Piktura fillimisht u mendua se vlente rreth 400-600 mijë euro.

El Nagdi është piktor egjiptian i lindur në vitin 1931, ndërsa piktura tregon tmerrin e Sarajevës në vitet ndoshta më të tmerrshme për këtë qytet, dhe Bosnjën në përgjithësi.

Piktura krahasohet edhe me “Guernica” të Pikasos. /KultPlus.com/

Sulm në Stamboll, nuk dihet për pasojat

0

Mediat turke raportojnë se një shpërthim ka ndodhur përsëri në një zonë tregtare të Stambollit që vizitohet prej shumë turistëve.

Raportohet për numër të madh të personave të plagosur në këtë shpërthim në Istikal Avenue, mirëpo ende nuk dihet për viktima, transmeton Klan Kosova.

Mirëpo sipas informatave të pakonfirmuara të CNN, të paktën dy persona menohet të kenë vdekur dhe shtatë të tjerë janë plagusor pas shpërthimit.

Dënohet imami që ngriti flamurin shqiptar

0

Në minaren e xhamisë së fshatit Geraj, më 28 nëntor 2014 është ngritur flamuri shqiptar. Imami i xhamisë, Nexhat Jashari ka marrë një letër nga gjykata në Preshevë. Gjoba është rreth 300 euro për shkelje të ligjit, pasi akuzohet për “përdorim të simboleve të palejuara”. Hoxha i fshatit Geraj, për shkak të moshës, nuk mund të ngjitet sipër në minare.

“Ne nuk mund ta ruajmë 24 orë xhaminë se kush hyn e kush del. Natën ka hyrë dikush, por se dimë se kush ka qenë. Jemi duke u konsultuar mes nesh se kush mundet të ketë qenë, por ende nuk dimë asgjë”, tha Nexhat Jashari, imam në Preshevë.

Pas kësaj ngjarjeje, xhamia konsiderohet se ka kryer “vepër të jashtëligjshme” dhe gjoba është e pakthyeshme.

Problemi i simboleve në Jug të Serbisë është i vjetër, pasi ndalohet me ligj përdorimi i çdo simboli që nuk është i shtetit serb, e që i përket një tjetër shteti. Mirëpo shqiptarët duan vetëm shqiponjën dykrenare.

Ragmi Mustafa, kryebashkiak i Preshevës thotë se, shqiptarët janë të gatshëm ta zgjidhin problemin.

“Gjatë përdorimit të simbolit kombëtar për 28 Nëntor, ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, përkatësisht ditën e simbolit kombëtar kudo që ka shqiptarë që festojnë, edhe në Komunën e Preshevës manifestohet. Në këtë drejtim ka një varg dënimesh të shprehura në të holla, për institucione të ndryshme duke filluar nga Komuna, madje edhe mua si kryetar komune”, thotë Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës.

Imam Jashari thotë se, herën e fundit e kanë mbyllur xhaminë, por ajo është thyer dhe flamuri megjithatë është vënë. Ai kërkon nga politika zgjidhje, në mënyrë që të mos ketë më autoritetet në adresën e tij.

Ne u kërkojmë të gjithë udhëheqësve që të jenë më konkretë në punën e tyre. Ne do ta këqyrim punën tonë, por të mos vijnë e të hedhin flamuj për të luajtur”, thotë më tej Nexhat Jashari, imam në Preshevë.

Edhe pse thotë se është i pafajshëm, hoxha do ta paguajë gjobën, por lutet që të mos ketë më probleme për valëvitje flamujsh./TCH/

Manolja Kabashi nga Prizreni vuan nga leukemia akute, ajo kërkon ndihmën tonë

0

Manolja Kabashi, 20 vjeçare, është diagnostifikuar me sëmundjen e leukemisë akute. Shërimi i Manjolës duhet të bëhet jashtë vendit dhe kushton shumë.

Manolja Kabashi e cila është vetëm 20 vjeçare po lufton me sëmundjen e lekuemisë akute. Shërimi i saj kushton shumë dhe për familjen Kabashi shuma është e papërballueshme, shkruan Express.

Shërimi i Manoljës kushton 100 mijë euro dhe duhet të bëhet jashtë vendit – në Turqi.

Pas solidarizimit me Anila Brahaj, tani familja dhe Manolja kanë nevojën e të gjithë ne.

“Shpëto një jetë” – Manjola në pritje të ndihmave tuaj.

Manjola Kabashi është nga Prizreni dhe studente e vitit të dytë në Fakultetin e Ekonomisë.

Manolja Kabashi1

Opozita mban tubim mobilizues para protestës së 26 marsit

0

Sot në Sallën 1 Tetori në Prishtinë, tri partitë opozitare do të mbajnë një takim mobilizues në kuadër të përpjekjeve të tyre për të kundërshtuar koalicionin qeverisës.

E gjithashtu edhe për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, duke i paraprirë protestës së thirrur për 26 mars.

Sipas ‘event’-it të krijuar në Facebook, betejat kundër marrëveshjeve kriminale, siç i quan opozita, do të vazhdojnë.

“Ka gjysmë viti që po kundërshtohen marrëveshjet kriminale të nënshkruara nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi. “Zajednica”, marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, Qeveria shtypëse e anti-kushtetuese që po shkon kah regjimi fashist, tashmë po kundërshtohen nga një front i gjerë shoqëror. Ne nuk e kemi lënë Qeverinë që t’i realizojë këto projekte”, thuhet në përshkrimin e njoftimit.

Opozita konstaton se tashmë e ka prishur rehatinë e pushtetit, duke paralajmëruar se 26 marsi do të jetë demokracia e saj.

“Më 26 mars, suksesi jonë do të jetë demokracia. Për këtë po mobilizohemi në terren. Jemi anekënd Kosovës duke u bërë bashkë me njëri – tjetrin. Për këtë do të tubohemi më 19 mars, për t’u mobilizuar që të bëhemi pjesë e shum icës që do ta sjellë ndryshimin. Nga salla “1 Tetori” më 19 mars në Prishtinë takohemi për t’i dhënë një nisje të re angazhimit tonë protestues, që do të kulmojë në 26 mars”, thuhet në fund.

60 të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit

0

Një aksident i rëndë ajror ka ndodhur në orët e parë të ditës së shtunë në Rusi. Një avion me të paktën 61 persona në bord është rrëzuar në aeroportin e qytetin jugor Rostov-on-Don.

Avioni, një Boeing 738-800, i kompanisë “FlyDubai” ishte nisur nga Dubai, ndërsa si destinacion kishte pikërisht Rostovin.

Mediat ruse shkruajnë se aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:50 me orën lokale, ndërsa avioni është aksidentuar në tentativë për t’u ulur në aeroport.

Raporte ende të pakonfirmuara thonë se 55 pasagjerët dhe 6 anëtarë të ekuipazhit kanë mbetur të vdekur, por ende nuk kemi pasur një deklaratë zyrtare.

Shkaqet e rrëzimit janë ende të paqarta, por era e fortë dhe ndriçimi jo i duhur i pistët mendohen si faktorë që kanë ndikuar në aksident.

Mediat ruse shkruajnë se rreth 100 anëtarë të grupeve të shpëtimit janë në vendin e rrëzimit të avionit, ku kanë arritur të shuajnë zjarrin.

Kompania “FlyDubai” është krijuar në vitin 2009 me qendër në Dubai, ndërsa fluturon në më shumë se 90 destinacione.