8.6 C
Prizren
E premte, 24 Prill, 2026
Home Blog Page 6737

Aktakuzë kundër hoxhës, Irfan Salihu

0

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngrit aktakuzë kundër I. S., për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik.

Irfan Salihu, dyshohet se në mars të vitit 2013, ka nxit, ka përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mos durim midis grupeve kombëtare, fetare etnike apo grupeve tjera që jetojnë në Republikën e Kosovës.

“Në atë mënyrë që me rastin e një ligjërate me temën ‘Si ta shtojmë bereqetin’, para pjesëmarrësve, i pandehuri ka theksuar se ‘në periudha të ndryshme gjatë pushtimit të perandorisë osmane në trojet tona kanë qenë 1 % shqiptar’, ‘e shajnë atë myslimanë që ju ka dhënë me hektar tokë dhe i ka sjellë për të jetuar në Kosovë. Edhe i ka sjellë për të jetuar në Kosovë, edhe i ka bë sundimtarë të Ballkanit”, bëhet e ditur në njoftim.

I.S., me këto veprime dyshohet se ka kryer veprën penale nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147 paragrafi 1 të KP-së.

Shaban Murati pyet publikisht Thaçin: A bashkëpunove me shërbimin sekret francez?

0

Një nga publicistët dhe diplomatët më të njohur shqiptar Shaban Murati, në një tekst autorial të botuar sot në Tiranë tek Gazeta Shqiptare, ka pyetur përkatësisht shprehur dilemat se pse Hashim Thaçi nuk u është përgjigjur akuzave të ish-shefit të shërbimit francez.

“E para, si është e mundur që një ish-drejtor dhe jo nëpunës apo operativ i thjeshtë, i shërbimit të fshehtë të një shteti të madh me politika kontinentale, djeg kaq lehtësisht emrat e agjentëve të Francës.”, shkruan Murati në editorialin e tij. Për të vijuar mëpas me dilemën e dytë: “Pyetja e dytë, që del, është se përse deri tani zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm i Kosovës nuk ka bërë përgënjeshtrim të akuzës, që i vjen nga ish-drejtori i shërbimit të fshehtë francez”, shkruan Murati.

Arif Demolli, laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”

0

Mëngjesi i së hënës, në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit, erdhi pakëz më ndryshe. Ky mëngjes solli fituesin e çmimit Kombëtarë për Vepër Jetësore “Azem Shkreli”, çmim ky që iu nda shkrimtari Arif Demolli. Për të ndarë çmimin “Azem Shkreli”, i pranishëm ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Isa Mustafa, i cili përveç që lavdëroi punën e shkrimtarit ndër vite, ai tregoi se të dy në shkollën fillore ndanin një bankë bashkë.

“Për mua është një kënaqësi e veçantë që sot të marrë pjesë këtu në një ngjarje shumë të rëndësishme, të veprave të cilat po shënojnë historinë e Kosovës, jam shumë i lumtur që kam rastin që sot të ndaj shpërblimin e shkrimtarit Arif Demolli, për veprën e tij jetësore. Unë mund të jem pakëz subjektiv se ne kemi qenë shok klase, ku kemi kryer tetë vite bashkë në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, dhe mund të them se Arifi që nga viti i parë i shkollës fillore ka qenë shkrimtar”, theksoi Mustafa.
Ndërsa për laureatin e çmimit, përveç që ishte kënaqësi e madhe ta merrte këtë çmim, pak ishte edhe i trishtuar, pasi që, sipas tij po i vihej pika diçkaje.

“Më bëhet shumë qejfi që juria është e brezave të ndryshëm, është kënaqësi e veçantë që çmimi më ndahet nga një shok i klasës e shok i fëmijërisë. Vetë formulimi që është vepër jetësore, më tingëllon pakëz e trishtuar, sepse sikur e vë një fund apo një pikë, ku të duket sikur ka marrë fund gjithçka, mirëpo unë kam dëshirë që të vazhdoj edhe më tutje me krijimtari”, tha pas marrjes së çmimit Arif Demolli. Ndërsa sipas vlerësimit të jurisë ky çmim është ftesë për rileximin e veprës së autorit të Kosovës, që veprimin e kthen në gjuhë dhe gjuhën në veprim.

Përveç këtij çmimi sot u ndanë edhe disa çmime të tjera ku Rexhep Murtez Shala me veprën “Anonim Profan Wor(l)d”, fitoi çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare, eseistikë “Ibrahim Rugova”, e fitoi Xhavit Beqiri për veprën “Lahuta…e Fishtës”, Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani”, e fitoi Fadil Bajraj për veprën “Dan Fente-Heshtja e poetit është një akt terrorist”, çmimi “Vehbi Kukaj”, për letërsi për fëmijë për vitin 2015 e fitoi Abdullah Thaqi me librin :Kështjella e fjalës”, vjersha për fëmijë dhe të rinj ndërsa çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” e ka fituar Ervina Halili, për veprën poetike “Amuletë.”

Krejt për fund, këshilltari i ministrit të MKRS-ës, Vehbi Miftari tha se ndarja e këtyre çmimeve këtë vit është bërë sipas rregullores së re, të cilën e kanë miratuar ata si ministri. “Rregullorja nënkupton që juria tashmë e përhershme do të bëjë vlerësimin dhe ndarjen e çmimeve në bazë të leximit vjetor që ajo ua bënë veprave letrare, poashtu në kemi rritur ndjeshëm kujdesin për librin, dhe kemi katërfishuar buxhetin për librin”, përfundoi Miftari./KultPlus.com

Shënohen dy raste të thumbimit nga rriqrat në Malishevë

0

Gjatë javës së kaluar, janë shënuar dy raste të thumbimit nga rriqrat në Malishevë, mirëpo pa ndonjë rrezik të infektimit me EHKK. Këtë e ka konfirmuar drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Hajdin Berisha.

Sipas tij, nuk ka vend për ndonjë shqetësim, pasi komuna është e angazhuar maksimalisht në marrjen e masave parandaluese.

“Rastet e para, janë regjistruar në Bellanicë dhe Banjë, por asnjë rast nuk është shqetësues, pasi asnjëri rast nuk është i infektuar me ethet hemorragjike krime kongo (EHKK)”, tha Berisha për Zyrën për Informim Publik.

Lidhur me luftimin e EHKK, drejtori Berisha, tha, se “pavarësisht këtyre rasteve të para, Komuna e Malishevës, do të jetë e angazhuar maksimalisht në marrjen e masave parandaluese, duke filluar nga vetëdijesimi i qytetarëve përmes ligjëratave dhe formave të ndryshme, pastaj repelimit të kafshëve, dezinsektimin e zonave endemike dhe zbatimin e plotë të strategjisë nacionale për luftimin dhe parandalimin e EHKK”.

“Angazhimi ynë do të jetë edhe më i madh se vitet e mëparshme, edhe pse në dy vitet e fundit nuk kemi pasur rasteve të vdekjeve, madje vitin e kaluar nuk kemi pasur asnjë rast të infektimit, por ne nuk do të ndalemi së punuari në luftimin e këtij virusi, që bartet përmes rriqrave”, tha Berisha. /PrizrenPress.com

Malisheva gati për 8 vjetorin e Pavarësisë

0

Në kuadër të kremtimeve me rastin e shënimit të tetë vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Komuna e Malishevës, ka planifikuar një varg aktivitetesh, në mesin e tyre edhe mbledhjen solemne të Kuvendit të Komunës, pastaj homazhe dhe nderime te varrezat e dëshmorëve në Malishevë e Kleçkë, nderime pranë shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari, në sheshin kryesor të qytetit, si dhe një koncert të madh. Paraprakisht, do të bëhet edhe dekorimi i qytetit me flamuj.

Në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Blerta Krasniqi tha se koncerti do të mbahet me 16 shkurt, në sheshin kryesor të qytetit, ndërsa më 17 shkurt, do të mbahet Mbledhja solemne e Kuvendit të Komunës së Malishevës, si dhe do të bëhen homazhe dhe nderime pranë shtatores së Adem Jasharit dhe në varrezat e dëshmorëve.

Ndërsa, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj kërkoi nga drejtoria e Shërbimeve Publike, që të filloj me dekorimin e qytetit, përkatësisht me vendosjen e flamujve përgjatë rrugëve të qytetit.

Përndryshe në mbledhjen e sotme, drejtorët e drejtorive, raportuan para kryetarit, për aktivitetet e drejtorive, fillimin e procedurave për disa projekte, të planifikuara për këtë fillim të vitit. /PrizrenPress.com

Ja pse Rusia do e humbasë sërish Luftën e Ftohtë

0

“Një Luftë e re e Ftohtë”- kështu deklaroi në Konferencën e Sigurisë në Mynih, kryeministri rus Dimitrij Medvedev.

Thuajse askush nuk e kundërshtoi.

Ndërkohë, shefi i Kremlinit, Vladimir Putin dhe presidenti amerikan, Barak Obama patën një ditë më parë një telefonatë të akullt.

Kurrë më parë nuk kanë qenë kaq agresive marrëdhëniet mes Rusisë dhe Perëndimit.

Lufta e Ftohtë përfundoi përpara 25 vitesh.

Muri ra, blloku lindor u shpërbë, Bashkimi Sovjetik po ashtu.

Perëndimi fitoi, Moska humbi.

Por këtë herë?

Bild rendit 4 arsye se përse Rusia do e humbasë sërish këtë Luftë të Ftohtë:

– Ekonomia e prapambetur: Rritja ekonomike e viteve të fundit ka qenë në varësi të çmimit të naftës. Tani ekonomia do tkurret me minus 3.8 përqind, produktet e markave të njohura botërore mungojnë, investitorët e huaj po tërheqin paratë e tyre (deri më tani 85 miliardë dollarë), në vend mbizotëron pasiguria ligjore dhe burokracia. Inflacioni është 9 përqind, normat e referencës në 17 përqind. Kjo do të thotë se ekonomia e Rusisë është një gjigand prej kartoni.

– Vulnerabiliteti: Sansionet e forta të Perëndimit mund të godasin në mënyrë fatale bankat dhe ekonominë, në rast se ato izolohen nga qarkullimi ndërkombëtar i parave (marrëveshjet-SWIFT).

– Mungesa e parave: Rusia nuk mund të përballojë një garë armatimesh si gjatë Luftës së parë të Ftohtë. Për buxhetin e vitit 2016, Rusia e ka planifikuar çmimin e naftës tek 50 dollarë për fuçi, aktualisht është poshtë 30 dollarë. Në vitin 2015 u tkurr buxheti për mbrojtjen.

– Institucionet: Rusia është vetëm formalisht një demokraci. Mediat, gjykatat, administrata janë ose thellësisht pro-Kremlinit, ose shumë të korruptuara. Në indeksin ndërkombëtar të korrupsionit, Rusia është e 119-ta nga 167 vende. “Korrupsioni nuk është përjashtim, por rregull,” thotë eksperti i Rusisë, Boris Reitschuster. Kjo do të thotë: Sistemi rus i Putinit nuk ka mësuar nga gabimet e të shkuarës.

P.S: Burrat rusë jetojnë mesatarisht vetëm 64 vite, një e katërta e tyre nuk i kalojnë 55 vjeç. Arsyeja: Alkoolizmi. Më keq janë vetëm vendet afrikane. /Mapo/

“Shkule ose do e shkulim vetë”

0

Pas disa raportimeve në media se brenda Parkut të Liqenit në Tiranë është bërë një rrethim, disa aktivistë të shoqërisë civile kanë paralajmëruar protestë më 20 shkurt.

Në rrjetin social ‘Facebook’ ka nisur një thirrje për kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, e shoqëruar me një foto ilustruese.

“Shkule ose do e shkulim vet”, është thirrja në rrjetin social drejtuar kryebashkiakut Veliaj.

“Me 1001 hallet që ka Tirana, kryetari i bashkisë vendos të rrethoje parkun e liqenit për të ndertuar një park tjetër brenda. Në 1001 hapesira të mundshme jashte parkut ku mund të bëhej ky ndërtim, kryetari i bashkisë vazhdon avazin e Fikut arrogant dhe e vendos pikërisht aty ku është vendi i fundit që duhet vendosur. Ato rrethime duhet të shkulen menjëherë!”, thuhet në thirrjen e përhapur në rrjetin social.

Zona brenda parkut të liqenit është rrethuar pasi do të bëhet një ndërtim me vlerë 78 milionë lekë të reja.

Sipas projektit, do të ndërtohet një park lojërash për fëmijët, ku parashikohet të priten disa pemë. /Mapo

Di Caprio, më i miri në BAFTA

0

Filmi i ri i Leonardo DiCaprios “The Revenant” ishte fituesi kryesor i ceremonisë së çmimeve BAFTA të dielën duke triumfuar për filmin më të mirë, aktorin më të mirë dhe regjisorin më të mirë.

Leonardo DiCaprio ishte fituesi i aktorit më të mirë, ndërsa Alejandro Inarritu i regjisorit më të mirë.

“The Revenant” triumfoi në pesë kategori në ceremoninë që u mbajt në Londër, ndërsa çmimin për aktoren më të mirë e fitoi Brie Larson për rolin në filmin “Room”.

Ky i fundit është nominuar në 6 kategori të ndryshme çmimesh në “Oscar”.

Zejnullahu: Universiteti do të vazhdojë punën me të gjitha problemet

0

Në 46 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës, rektori i këtij institucioni, Ramadan Zejnullahu, ka thënë se me të gjitha problemet që ka, universiteti do të vazhdojë të funksionojë.

Në urimin e tij, rektori Zejnullahu shkruan se Universiteti i Prishtinës “ka qenë sinonim i progresit dhe aspiratave të popullit tonë”.

“Për fat të keq, në vitet e fundit, as si Universitet e as si shoqëri nuk kemi dëshmuar se jemi në këtë rrugë. Përkundrazi, jemi identifikuar më shumë me ngecje e më pak me arritje, më shumë me probleme, e më pak me aspirata. Universiteti do të vazhdojë të funksionojë edhe në të ardhmen, me të gjitha ngecjet, problemet, arritjet dhe aspiratat e veta”, shkruan Zejnullahu në urimin e tij.

Ndër të tjerash, Zjnullahu thotë se Universtiteti i Prishtinës, është aty për t’i shërbyer interesit publik për shumë vjet.

“Sidoqoftë, gjithnjë duhet ta kemi parasysh se ky universitet është publik dhe, ne, stafi akademik e administrativ jemi këtu për t’i shërbyer interesit publik, dhe, nënkuptohet studentëve, por jo vetëm atyre gjeneratave që janë duke u shkolluar aktualisht, por edhe atyre që do të vijnë të shkollohen pas shumë vitesh”, shprehet rektori.

Rrahje në Prizren, një i arrestuar

0

Rreth orës 04:25 të mëngjesit, Policia e Prizrenit ka pranuar një informatë e cila bënte me dije se në ambientet e restorantit “Paradiso” në rrugën “Kukësi” ka ndodhur një rrahje, në të cilën është dëgjuar edhe një krismë nga arma e zjarrit.

Përmes një komunikate PK-ja ka bërë të ditur se pas shpërndarjes se informatës nga qendra operative kanë reaguar njësitet patrulluese që kanë qenë duke patrulluar më afër lokacionit dhe shpejtë i kanë ndaluar të dyshuarit. Njëri nga të dyshuarit është ndaluar përderisa po largohej me një automjet xhip dhe gjatë kontrollit është zbuluar një pistoletë M-70 Zastava me 5 fishekë të kalibrit 7.65mm.

Policia ka thënë se me këtë rast është sekuestruar edhe një veturë e llojit Audi. Ndërkaq krimteknikët kanë sekuestruar një gëzhojë të fishekut në ambientet e restorantit.

Në komunikatë thuhet se nuk janë intervistuar të dyshuarit ngase kanë qenë nën ndikim të alkoolit. Në konsultim me prokurorin e shtetit poseduesi i armës ndalet nën masën e arrestit policor./prizrenpress.com/