6.6 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026
Home Blog Page 6765

Vjedhje e rëndë në Malishevë

0

Policia e Kosovës njofton se  në Malishevë një qytetar ka raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur disa pajisje elektronike me vlerë rreth 1490 €.

Njësiti përkatës policor është duke hetuar rastin, thuhet në raportin e policisë.

Rruga që lidh qytetin e Prizrenit me autostradën, pa trotuar

0

Rruga “18 Beteja e Pashtrikut” në Lagjen e Arbanës që lidhë Prizrenin me Autostradë nuk ka trotuar.

Banoret e kësaj pjese të qytetit ankohen se është shumë rrezik të ecësh në këtë rrugë sepse është rruga me qarkullim të madh, ndoshta më së shumti në Prizren.

Sipas tyre, ajo është rruga më e frekuentuar , nga të gjitha llojet e automjeteve sepse përmes saj bëhet lidhja e qytetit me autostradën.

E qytetaret e kësaj pjese ndihen shumë të rrezikuar për faktin se fëmijët e tyre, thuajse çdo ditë kalojnë kësaj rruge fëmijët që të shkojnë në shkollë. /Telegrafi/

Hapet për vizitorë shtëpia muze e Ismail Kadaresë

0

Në qytetin antik të Gjirokastrës shtëpia ku ka lindur dhe është rritur shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare, tashmë e shndërruar në muze, ka hapur më 30 janar dyert për vizitorë.

Që nga viti 1994 Kadare ka vënë këtë shtëpi në shërbim të qytetit përmes një letre publike drejtuar kryetarit të atëhershëm të Gjirokastrës, Bashkim Finos.

Shtëpia, e djegur disa vite më parë dhe e riparuar së fundi, u hap si muze në kuadër të “Vitit kulturor të Ismail Kadaresë (2016)”, të shpallur kështu për nder të ditëlindjes së 80-të të shkrimtarit, që ishte më 28 janar.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, përmes rrjetit social Facebook ka thënë se hapja e këtij muzeu është tanimë një arsye më shumë për ta vizituar Gjirokastrën.

“U çelën dyert e shtëpisë së Kadaresë! Pas restaurimit plot shije, një arsye më shumë për të vizituar Gjirokastrën, qytetin që po rilind hap pas hapi pas tatëpjetës së rrënimit rrëqethës të njëzet e kusur viteve pa shtet”, ka shkruar Rama.

Shtëpia pritet të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, për të tërhequr më shumë përkthyes dhe shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, por edhe të rinj të talentuar në fushën e letrave dhe turistë.

Rikujtojmë se në fillim të këtij viti ky shkrimtar shqiptar u nderua edhe nga shteti francez me urdhrin e lartë “Komandant i Legjionit të Nderit”.

S’ka zgjedhje pa i kryer obligimet ndërkombëtare

0

Analistët në vend thonë se nuk mund të ketë zgjedhje, pa u trajtuar disa çështje më rëndësi në Kuvendin e Kosovës. Për disa tema, madje është i domosdoshëm koalicioni i madh thonë ata.

Ratifikimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Holandës për Gjykatën Speciale, demarkacioni me Malin e Zi, pastaj kompletimi i bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit shihen nga analistët si tema të cilat duhet të trajtohen me urgjencë në Kuvendin e Kosovës. Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se pa u trajtuar këto tema nuk mund të shkohet në zgjedhje.

“Pasi të kalojnë këto çështje, pse jo , mund të konsiderohet mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve. Por, kjo duhet të vijë në bazë të një pajtueshmërie të dyanshme dhe jo që në mënyrë të njëanshme të shkohet në zgjedhje për shkak se do të kishte destabilitet më të madh dhe zgjedhjet nuk do të mund të mbaheshin në frymë të mirë dhe në bazë të praktikave më të mira për zgjedhjet”, ka theksuar Albert Krasniqi për RTK Radio.

Në kuptimin politik, prishja e koalicionit qeverisës dhe futja në zgjedhje të parakohshme, nuk është hap i mençur për Kosovën. Kështu konsideron analisti Afrim Hoti. Ai mbron idenë që në këto rrethana, Kosova do të tregohej më e pjekur politikisht nëse do të krijonte një qeveri transitore e cila edhe do të caktonte datën e zgjedhjeve por edhe do të kryente obligimet ndërkombëtare që ka vendi.

“Nëse do të kishim rastin që të formohej një koalicion qeverisës që do të udhëhiqte vendin drejt zgjedhjeve ( një koalicion i përkohshëm) që eventualisht do të mbaheshin kah vjeshta, atëherë,mendoj se të gjitha partitë politike duhet të ishin koshiente dhe të vetëdijshme për vendimet juridike dhe ndërkombëtare që ka Kosova”, është shprehur Afrim Hoti për RTK Radio.

Ndryshe subjektet politike tashmë kanë nisur të dalin në terren dhe të mbajnë tubime me qytetarë. Pavarësisht se krerët e subjekteve politike nuk i konsiderojnë fushatë paraelektorale, megjithatë, sipas analistëve takime të tilla tregojnë se subjektet janë duke u përgatitur për zgjedhje të parakohshme.

Basri Çapriçi e Halil Matoshi, fitojnë ‘Penën e Flakës’

0

Poetët Basri Çapriqi dhe Halil Matoshi, e ndanë çmimin-poezia më e mirë e lexuar në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës 2016 ”, në të cilën aktivitet letrar të manifestimit “Flaka e Janarit 2016”, punimet e tyre i kanë lexuar krijues nga pjesë të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria, Maqedonia e Lugina e Preshevës.

Përndryshe, “Pena e Flakës”, iu përkushtua shkrimtarit të shquar gjilanas, Beqir Musliut, në 20 vjetorin e shkuarjes së tij në amshim që, koincidoi edhe me 25 vjetorin e themelimit të këtij Manifestimi, pjesë e të cilit ishte edhe në aktin themelues e, edhe në pesë manifestime, radhazi ( 1992 – 1996 ). Për të foli sdudijuesi dhe kritiku Prend Buzhala.

Ndërkohë, pas Orës së Madhe letrare u bë edhe shpallja e rezultateve të konkursit shpërblyes në poezi dhe prozë.

Juria e konkursit letrar “Flaka e janarit” 2016 në përbërje: Sinan Sadiku, Albina Idrizi dhe Aziz Mustafa vlerësoi se konkursi letrar ishte tejet i suksesshëm. Me këtë rast njëri nga ta Sinan Sadiku tha se në konkurs kishin ardhur 81 poezi, rreth një e treta e të cilave me vlera të mirëfillta artistike, ndërsa gjysma e tyre janë veçuar në rrethin e ngushtë për shpërblime.

“Juria është e kënaqur me nivelin artistik të poezive dhe konsideron se ka prurje të reja edhe sa i përket gjuhës poetike, edhe sa i përket ritmit dhe ndërtimit të vargjeve e edhe sa u përket ideve, temave dhe shprehjes emocionale”, tha ai.

Sipas tij, pas leximit, rileximit, dhe vlerësimit të poezive nga secili anëtar veç e veç, juria është takuar dhe pas propozimeve, diskutimeve e arsyetimeve në mënyrë unanime ka vendos të shpërblehen poezitë:

1. Vendi i parë, “Rrena më e bukur…”, shifra “Ëndrra `16”

2. Vendi i dytë, “Gardhi”, shifra “Shuej”

3. Vendi i tretë, “N`amë të fjalve”, shifra “Blina”

Sadiku ka thënë po ashtu se në konkurs kishin konkurruar krijues me 35 tregime. “Vlerësojmë se është ruajtur niveli i viteve të kaluara edhe sa i përket sasisë e edhe sa i përket cilësisë”, tha ai.

Juria ka vendos të shpërblehen tregimet:

1. Vendi i parë, “Letër nga larg”, shifra, “Artemisa 2016”

2. Vendin e dytë e ndajnë tregimet: “Dhimbje e bardhë”, shifra “Pengu i jetës” dhe “Njeriu i marrë”, shifra “Sheshi pa lule”

3. Vendi i tretë, “Kokën tuaj do ta hani”, shifra “Lisi i ahut”

“Po ju njoftoj se janë eliminuar disa poezi dhe tregime për shkak se nuk u janë përmbajtur kritereve të konkursit. Konkretisht janë eliminuar pesë poezi, sepse e kanë tejkaluar dukshëm numrin e vargjeve të parapara në konkurs. Po ashtu janë eliminuar dy tregime, njëri për arsye se autorja në vend të shifrës e ka shënuar emrin dhe tjetri për arsye se e ka tejkaluar numrin e faqeve”, tha tutje Sadiku.

Përndryshe, për botim në revistën letrare – kulturore “Agmia” propozohen poezitë: “Sagë për Doruntinën, shifra “Konstandini”; “Koha ime e arnuar”, shifra “Krizantema”; “Ara – mara”, shifra “Flaka e janarit – 2016”; “T`braktisunit”, shifra “Moza”; “Prishtina”, shifra “Makoti”; “Misteri”, shifra “Andy”; “I mbrojtur nga vetja, ju dhe të tjerët”, shifra “Monologu”; “Bisedë me një grua të palumtur”, shifra “Faqja 97 e ditarit” dhe “Ikonë flijimi”, shifra “Jeta”.

Po ashtu për botim propozohen tregimet: “Ma kujto buzëqeshjen cicërimë”, shifra “Cicërima”, “Përtej lartësive”, shifra “Dardani” dhe “Të dashurosh ilirishte”, shifra “Fyelli ilirik”.

Gjendet piktura e vjedhur e Picassos

0

“Gruaja duke u krehur”, pikturë e famshme e Picassos është gjetur në Stamboll pasi ishte vjedhur në një shtëpi private banimi në Nju Jork.

Policia turke ka informuar se pasi ka negociuar me hajdutët e pikturës, ka dalë në takim me ta në pjesën evropiane të Stambollit dhe kësisoj ka arrestuar hajdutët dhe ka marrë pikturën. Hajdutët kërkonin 8 milionë dollarë për pikturën.

Puna e tregon Dora Maar, muzën dhe të dashurën e Picasoss gjatë dekadës 1930, e zhveshur dhe duke i krehur flokët e saj kaçurrela.

Rritet numri i divorceve në Prizren

0

Dren Thaçi 20 vjeçar nga Prizreni, ka tetë muaj që është ndarë nga bashkëshortja Mirëjeta. Mospajtimet dhe botëkuptimet e ndryshme të bashkëshortësisë e kanë shtyrë atë që t’i jap fund martesës.

”Kurrë nuk kam menduar se do të vijë një ditë dhe të ndahem nga Mirëjeta, por fatkeqësisht tre muaj pas martesës na u shfaqen disa probleme dhe vendosa ma mirë me u nda me kohë se sa tërë jetën të përballem me to”, tregon Thaçi.

Ndonëse,nguron t’i tregojë publikisht arsyet e mosmarrëveshjet të cilat kanë ndikuar në ndarjen nga Mirëjeta, Dreni , shprehet se njëra prej tyre ka qenë parashikimi i gabueshëm i bashkëjetesës.

”Pasi e kemi parë se gjërat nuk po rrjedhin ashtu siç e kishim parashikuar para martesës, jemi pajtuar që më mirë të ndahemi me kohë”, tregon ai, duke shtuar se në fillim martesën e ka shikuar në një prizëm krejt tjetër nga ajo që i ka ndodhur.

Thaçi, tregon se gjatë ndarjes nga Mirëjeta, është ndjerë shumë keq,ndërsa tash i është rikthyer jetës normale.

”Në fillim e kam marrë shumë tragjike ndarjen, mirëpo tash i jam rkthyer jetës, e cila më ka munguar gjatë martesës. Tash jam pajtuar se edhe ndarja me bashkëshorten është pjesë e jetës…”, shprehet ai,transmeton PrizrenPress.

Në zyrën e ofiqarisë në Prizren,vitin e kaluar,sipas statistikave, janë shkurorëzuar 268 çifte bashkëshortores.
Ruzhdi Hoxha, koordinator i kësaj drejtorie, thotë se krahasuar me vitin 2014 vitin e kaluar numri i divorcit ka shënuar rritje .

“Në vitin 2014 kemi pasur 258, që do të thotë se gjatë vitit 2015 kemi pasur një rritje për 10 divoce më shumë”.

Të ndikuar nga plagët sociale, që përjetojnë çdo ditë, si papunësia, gjendja e rënduar ekonomike, mungesa e mirëqenies për të rritur fëmijë, emigrimi, mospërputhje karakteri, tradhti bashkëshortore dhe dhuna fizike, sipas Hoxhës, kanë detyruar 268 çifte bashkëshortorë t’i drejtohen Gjykatës, për t’i thënë lamtumirën e fundit martesës.

“Ne nuk i dimë arsyet e sakta arsyet e ndarjes/PrizrenPress.com/

Kadare: Kam marrë më shumë se i kam dhënë Gjirokastrës

0

Në ditën e 80-vjetorit të lindjes, shkrimtari i shquar Ismail Kadare i shkruan nga Parisi një letër mallëngjyese zonjës Zamira Rami, kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës, qyteti i lindjes së njeriut të madh të letrave shqipe. “E nderuara zonja kryetare e Bashkisë së Gjirokastrës, – e nis letrën e tij Kadare. – Në pamundësi për të qenë midis jush për arsye që nuk varen prej meje, do të doja që, me anë të kësaj letre t’ju shprehja gjithë falënderimin tim, gjithë emocionin dhe pse jo, mallëngjimin për ftesën tuaj të fisme, për të qenë pjesëmarrës në një ngjarje të gëzueshme, që lidhet me jetën time, më saktë, me shtatëmbëdhjetë vitet e para të saj”.

Duke shprehur lidhjet e tij unike dhe krejt të veçanta me vendlindjen, e cila zë një vend të konsiderueshëm në krijimtarinë më të mirë të tij, në vazhdim ai nënvizon: “Mendoj se jam i besueshëm, – vazhdon letra e Kadaresë, – në qoftë se do të them se jam përpjekur të ruaj marrëdhënie të përhershme me qytetin tim të lindjes, duke pasur bindjen në këtë rast, se ajo çfarë kam dashur t’i jap ka qenë gjithmonë më e paktë se ajo që më ka dhënë ai”.

Duke vlerësuar faktin e drejtimit të qytetit me pamje origjinale mesjetare nga një personalitet dhe zonjë e nderuar e formatit të kohëve moderne, Kadare e konsideron këtë si një fakt befasues, të pazakontë dhe fatsjellës për të ardhmen e qytetit të lindjes. “Ju drejtoni bashkinë e qytetit që në adoleshencën time më ka pëlqyer ta quaj të çuditshëm. Me këtë cilësim, lidhej, me sa dukej, pamja e tij e pazakontë dhe ndërlikimet, që mendja ime s’i kapte dot”, shkruan ai në këtë letër me nota respekti dhe mallëngjimi.

Që një grua e re si ju, do të drejtonte një ditë qytetin me hije të rëndë mesjetare, vazhdon letra, kjo do të përbënte një nga befasitë e tij të radhës. “Pa dashur të zgjatem, do të shtoja se këto befasi ngjanin shpesh të vështira, por ato sillnin me vete fat. Duke ju uruar gjithë të mirat, dhe duke përshëndetur nëpërmjet jush gjithë bashkëqytetarët e mi, ju përqafoj”, e përfundon këtë letër të ngrohtë dhe krejt të pazakontë për natyrën e tij të përmbajtur, shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, të cilën i ka dërguar kryetares së Bashkisë së Gjirokastrës. Letra është dërguar nga Parisi ku jeton dhe krijon Kadare dhe mban datën 25 janar 2016.

Në këtë përvjetor të lindjes së shkrimtarit, Ismail Kadare, kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami e ka shpallur vitin 2016 si “Viti i Kadaresë” dhe për këtë është parashikuar një kalendar ngjarjesh dhe eventesh kulturore që nisi dje të gjallojë duke promovuar artin, kulturën, botimet, artistët, me synimin për t’u kthyer vendlindjen dhe shtëpinë e Kadaresë në një qendër muzeore dhe kulturore. Shtëpia e Kadaresë që pas restaurimit u përurua dje, do të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës, për të tërhequr më shumë përkthyes dhe shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, por edhe të rinj të talentuar në fushën e letrave, turistë me interesa kulturore, etj.

“Shtëpia Kadare” është jo thjesht një projekt rijetëzimi, jo thjesht një qendër muzeore dhe kulturore, por mëton të tregojë krijimin e një modeli të ri të suksesshëm, që në vazhdimësi mund të ndiqet nga bashki të tjera të Shqipërisë. “Shtëpia Kadare” do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetit, duke zhvendosur aktivitete të metropolit drejt qytetit historik, duke shtuar numrin e vizitorëve dhe si rrjedhojë, duke ndihmuar në zhvillim të turizmit. Për realizimin e këtyre synimeve është arritur edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës për rijetëzimin e qendrës së re “Shtëpia Kadare”. Në bashkëpunim me intelektualët dhe gazetarët e qytetit, bashkia organizoi dje veprimtarinë “Gjirokastra lexon Kadarenë” që shënoi fillimin e zinxhirit të aktiviteteve në kuadër të ditëlindjes së shkrimtarit, konceptuar si një lexim i personazheve të gjallë të romaneve në hapësirat publike. Një maratonë leximi në një qytet që na bashkon të gjithëve, fëmijë, të rinj, të moshuar, qytetarë të përhershëm dhe qytetarë vizitorë të vlerave të trashëgimisë dhe kulturës. Ditëlindja e 80 e shkrimtarit të mirënjohur, Ismail Kadare u kthye dje në një festë të vërtetë, duke prekur të gjitha shenjat e shkruara nga vetë shkrimtari në librat e tij, ideuar si një ngjarje që afron rrëfimin e shkrimtarit për një audiencë të madhe, duke frymëzuar dialogun dhe angazhimin e publikut.

Shteti po rrënohet nga politikanët mbi ligjin e Kushtetutën

0

“Zgjidhja më e mirë, para se të shkohet në zgjedhje, do të ishte caktimi i një Qeverie teknike, me personalitete të reja jashtë këtyre subjekteve aktuale, për të arritur konsensus politik për Ligjin mbi dekriminalizimin, nxjerrjen e Ligjit të ri zgjedhor (për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli). Po ashtu, duhet të bëhet depolitizimi i tërësishëm i sistemit të drejtësisë, administratës publike e shtetërore, përfundimin e punëve për funksionalizimin e Gjykatës Speciale, nxjerrjen e Ligjit antimafi, që të bëhet i mundur paraprakisht pastrimi i listave zgjedhore nga personat e inkriminuar në krime, korrupsion ekonomik dhe financiar”, shprehet analisti Florim Zeqa

I vetmi shpëtim dhe dalje nga ky rreth vicioz, që është futur pozita dhe opozita, është që me organizim të presidentes së shtetit të ulen për të biseduar aktorët kryesorë politikë. Kjo krizë po e rrënon gjithë Kosovën, po e dëmton imazhin e vendit e më kryesorja është se po e shkatërron ekonomikisht. Zgjidhja më e mirë do të ishte që politika të ulej bashkërisht, ku do të behej plani për zgjedhje të reja përmes një Qeverie të re teknike dhe të viheshin konturat se çfarë shteti duan kosovarët. Përpara se të shkohej në zgjedhje, me propozim të Qeverisë teknike, me konsensus mund të arrihej që të bëhej ligji i dekriminalizimit, Ligji i ri zgjedhor dhe depolitizimi i sistemit të drejtësisë dhe gjithë sistemit te administratës publike e shtetërore, përfundimin e punëve me Gjykatën Speciale, bërjen e Ligjit antimafi, në mënyrë që në zgjedhje të kemi figura më të pastra konkurrente, vetëm kështu shteti jonë do të ecte përpara. Mirëpo, duket se politikanëve diçka u pengon të gjejnë gjuhën e përbashkët për të dalë nga kjo krizë.

Publicisti Florim Zeqa thotë për gazetën “Kosova Sot” se kriza e thellë politike, në të cilën është futur vendi, është produkt i shumë faktorëve. “Në radhë të parë i keqqeverisjes 8-vjeçare, kapjes së shtetit nga mafia politike e vendit dhe nga mos efikasiteti i bashkësisë ndërkombëtare në vënien e rendit ligjor në vendin tonë, edhe përkundër ndikimit të fuqishëm politik që kanë mbi institucionet tona. Kur e them këtë e kam parasysh faktin, se te ne, më i fuqishëm në vendimmarrje është secili ambasador i vendeve të fuqishme evropiane, të mos flasim për ndikimin ekstrem të Ambasadës amerikane se sa çdo institucion i yni shtetëror”, thotë ai.

Dibrani: Krizën e ka krijuar vetë elita politike

Zeqa thotë se nuk janë marrëveshjet e Brukselit ato që kanë bllokuar shtetin, por inatet personale, gjë që po reflektohen. “Ajo që i pengon politikanët tanë, respektivisht liderët e partive politike për t’u ulur së bashku në dialog për gjetjen e zgjidhjes më të mirë për vendin, nuk janë marrëveshjet e Brukselit, as Demarkacioni me Malin e Zi, por janë inatet personale nga koha e shpërbërjes së VLAN-it dhe ambiciet personale për pushtet. Mbase, zgjidhja më e mirë para se të shkohet në zgjedhje, do të ishte caktimi i një Qeverie teknike, me personalitete të reja jashtë këtyre subjekteve aktuale, për të arritur konsensus politik për Ligjin mbi dekriminalizimin, nxjerrjen e Ligjit të ri zgjedhor (për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli).

Po ashtu duhet të bëhet depolitizimi i tërësishëm i sistemit të drejtësisë, administratës publike e shtetërore, përfundimin e punëve për funksionalizimin e Gjykatës Speciale, nxjerrjen e Ligjit antimafi që të bëhet i mundur paraprakisht pastrimi i listave zgjedhore nga personat e inkriminuar në krime, korrupsion ekonomik dhe financiar, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme, para elektoratit të paraqiten figura sa më të pastra, me programe të qarta dhe të realizueshme zhvillimore, në një konkurrencë fer dhe demokratike”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Ndërkaq, për analistin Shefqet Dibrani krizën politike e ka krijuar vetë elita politike, veçmas PDK-ja, e cila, sipas tij, në prapavijë është skenaristja e proceseve. “Personi më përgjegjës për këtë gjendje është Isa Mustafa, i cili njihet për tradhti dhe mosmbajtje të fjalës, si dhe për mosrealizimin e premtimeve.

Veteranët të hënën në protestë

0

Këshilli për Mbrojtjen e Luftëtarëve (KML) të UÇK-së ka njoftuar se të hënën do të protestojnë para objektit të Qeverisë së Kosovës për shkak të vonesave dhe parregullsive tjera që po ndodhin në lidhje me veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Megjithëse thanë se do të angazhohen që protesta të jetë paqësore, ata nuk kanë garantuar që gjithçka do të shkojë mirë për shkak të padrejtësive të mëdha që u janë bërë veteranëve nga ana e Qeverisë.

Kryetari i KML të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi në një konferencë për media tha se veteranët përkundër marrjes së certifikatave, janë ballafaquar me vonesën e marrjes së pensionit që i takon me statutin e veteranit të luftës.

Qeriqi deklaroi se kjo protestë vjen si pasojë e padrejtësive që po u bëhen veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Ju njoftojmë se veteranët e luftës ditën e hënë nga ora 12:00 do të protestojnë para Qeverisë së Republikës së Kosovës, për padrejtësitë që po u bëhen veteranëve të luftës së UÇK-së. Pra, i kemi disa kërkesa, të cilat kërkojmë nga ana e Qeverisë që të përmbushen”, tha ai.

Ai ka lexuar disa kërkesa të Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, ndër to edhe atë që Komisioni të ndërmarrë masa rreth lëshimeve që i ka bërë dhe të hiqen nga lista, ata persona të cilët nuk kanë marrë pjesë fare në luftë.

“Qeveria e Kosovës t’i kryejë obligimet që u ka mbetur në borxh veteranëve në pension, prej datës së aplikimit. Komisioni Qeveritar për njohjen e statutit të veteranit të marrë një vendim që t’u hapë rrugë invalidëve, që të aplikojnë për të drejtën në pension. Qeveria e Republikës së Kosovës të emërojë një komision mjekësor, i cili do ta përcaktojë shkallën e invalidit për ata invalidë të cilët nuk e kanë të zgjidhur këtë problem. Kërkojmë nga Komisioni që në kohë sa më të shkurtër të përfundojë shqyrtimin”, ka thënë ai.

Qeriqi shtoi se protesta do të jetë paqësore, mirëpo për këtë nuk mund të garantohet, edhe pse si Këshill do të angazhohen në mbajtjen e rregullit. Ai theksoi se padrejtësitë e mëdha që janë bërë ndaj veteranëve nga ana e Qeverisë, mund të ndikojë në eskalim të situatës.

Sipas tij, nëse Qeveria është e gatshme të shqyrtojë kërkesat e tyre, ata mund edhe ta anulojnë protestën.

“Ne jemi të hapur, të hapur deri ditën e hënë në rast se ata pranojnë që t’i përmbushin këto kërkesa, ne do ta anulojmë protestën”, tha ai.

Vlerësohet se rreth 3 mijë deri në 4 mijë veteranë janë ballafaquar me vonesë të marrjes së pensionit.