11 C
Prizren
E mërkurë, 22 Prill, 2026
Home Blog Page 6764

Thaçi kthehet në Kosovë

0

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ka postuar në profilin e vet në Facebook dy fotografi, ku shkruan ‘Rrugës për në Kosovë’.

“Rrugës për në Kosovë, pas hapjes së Konsullatës së Kosovës në Des Moines, në shtetin e Iowa-s në SHBA, dhe pas vikendit me takime miqësore, ndër të cilët më i veçanti ishte ai me Sekretarin Kerry”, ka shkruar Thaçi.

“Agnus Dei” fiton edhe dy çmime

0

Në festivalin “Atlas & AIRES International Film Festival” i cili ka filluar më 16 janar dhe ka përfunduar më 31 janar, në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, filmi kosovar “Agnus Dei”, me skenar e regji te Agim Sopit, ka fituar dy çmime: “est Special Efects”, Asllan Hyseni dhe “Best Makeup and Hairstylling”, Bujar Gjata.

Ky film që është mbështetur nga QKK deri më tashti ka marë disa çmime ndërkombëtare./KultPlus.com

Gjashtë mijë emigrantë janë nisur drejt Maqedonisë

0

Presioni i krizës me emigrantë mbi vendet e Ballkanit po shkon duke u shtuar.

Mbi 6 mijë emigrantë kanë nisur rrugën nga Selaniku për në Maqedoni, prej ku pritet se do të vazhdojnë drejt Europës.

Numri i madh i emigrantëve është grumbulluar për shkak të grevës së marinës greke për disa ditë e ky numër ishte bllokuar në porte dhe ishuj.

I moshuari gjendet i djegur brenda në shtëpi

0

Një i moshuar ka humbur jetën në Korçë si pasojë e zjarrit që ra në banesën e tij.

A. Spaho, 82 vjeç, është gjetur i vdekur nga fqinjët mëngjesin e sotëm.

Mësohet se flakët kanë nisur në dhomën ku flinte i moshuari, i cili mendohet se kishte probleme mendore./Shekulli

Çfarë presidenti na duhet?

0

Nga Ditar Kabashi

1.

Ndonëse në natyrën time nuk është që fjalën e fundit ta them qysh në fillim, këtë herë po e ndryshoj zanatin: shkurt e shqip, Kosovës nuk i duhet një president konsensual; aq më tepër dikush i urtë, “zotni, pensionist që edhe në shtëpi rrin me kollare”, doemos i dëshmuar në qarqe akademike, autor vëllimesh të tëra nga fusha e caktuar shkencore, ndonjëri i dëshmuar si i përndjekur “irredentist”nëish sistemin, apo person që rrjedh nga një familje e spikatur (!)…Le të jetë edhe ndokush që ka nga këto cilësi, por të mos zgjedhet për shkak tëtyre.Po ashtu, Kosovës, assesi nuk i duhet honxhobonxho në krye të shtetit (për pak desh e harrova këtë kriter).

Të them hapur: republika e jonë s’e ka problem që të gjejë një president për vete. Po, është e vërtetë se një pjesë bukur e mirë e fytyrave që tashmë na i zënë ekranet televizive në edicionet e lajmeve dhe ballinat e portaleve të lajmeve (qe besa edhe portaleve satirike) e kanë të dëmtuar kredibilitetin. Megjithatë, ne do ta gjejmë një president. Në mos e gjetshim, na e gjejnë (e di, ngaqë na ka pas ndodhë më parë).

2.

Filli i problemit është te definimi kushtetues dhe pritshmëria reale për figurën e presidentit. Konkretisht, përcaktimi se presidenti “përfaqëson unitetin e popullit” po keqkuptohet tejmase. Është krijuar një bindje se presidenti nuk duhet të ketë qëndrime politike (që përzihet me ato partiake), të mos përzihet aktivisht nëorientime të politikëbërjes, të rrijë sa për dekor në zyren e tij, të japë medalje për sportistë të suksesshëm, të udhëtojë jashtë vendit vetëm kur ka ndonjë organizim ndërkombëtar formal të parëndësishëm për Kosovën, të dekretojëvendime jo gjithaq të rëndësishme, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për lloj-lloj pyetjesh të cilat, më pas, po e bëjnë këtë gjykatë të jetë si pushtet i katërt, etj. Në të vërtetë, këto nuk janë fakte sa për të kritikuar presidentët e deritanishëm. Janë realitet i rrugëtimit tonë në konsolidimin shtetëror.

3.

Hallin e kemi tek sistemi; pra tek ky i famshmi “parlamentarizëm” që na u injektua thua se do ta rrisë nivelin e demokracisë në vend. Kurrfarë efekti deri sot. Zgjedhja e presidentit në Parlament është kancer për demokracinë. Nuk mund të përfaqësojë unitetin e popullit e as vullnetin tim asnjë individ që zgjedhet me pazarllëqe partiake. Merren vesh dy-tri liderë partiakë, vendosin për presidentin, dhe pastaj ai na përfaqësuaka krejt popullin, apo? E, jo! Pa dalë kandidatët për president para popullit në fushatë zgjedhore, pa kërkuar vota, pa marrë besimin e popullit direkt, s’ka unifikues.Një president pa fuqi politike, pra, pa miratimin e masës, nuk mund të ushtrojë të gjitha kompetencat e veta diskrecionale. Çdo pretendim i kundërt është hedhje hi syve popullit.

4.

Edhe diçka: unifikues nuk nënkupton që ai të mendojë si çdo qytetar i republikës. Ai nuk mund të jetë të njëjtjën kohë edhe nacionalist edhe komunist, edhe fetar edhe ateist, edhe shqiptar edhe pjesëtar i ndonjë komuniteti tjetër. Por, ai do të duhet t’i respektojë qëndrimet e çdokujt. Ai duhet të promovojë diversitetin (në frymën e Kushtetutës), por të ketë edhe një identitet të vetin. Për më tepër, një president vetëm ceremonial dhe jo ekzekutiv nuk ka potencial të jetë i spikatur. Domethënë,të kryejë punë. Si mund të jetë përfaqësues i unitetit të popullit një president që nuk mund të vendosë në çështje politike? Qeveria të vendosë ç’të dojë dhe ky të mos përzihet apo? Më e pakta, duke munguar instituti i kundërfirmës së ndërsjellë mes qeverisë dhe presidentit, çfarë faktori politik konsiderohet presidenti? Nuk ka gjasa të jetë figurë balancuese pa qenë edhe vetë ai pjesë e një ane të peshores.

5.

Nuk duhet të shqetësohemi për emrin e presidentit, por për mënyrën e zgjedhjes së tij dhe kriteret (veçmas profesionale e morale). Na duhet një president aktiv, balancues, por gjithsesi edhe ekzekutiv, e mbi të gjitha i zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli.Presidenti i dalë nga Parlamenti ështëkushtetues e legjitim (domethënë i përligjur me normë juridike) por nuk është demokratik (ngase nuk pyetet populli). Nëse vazhdojmë si deri sot, Kosova nuk do t’ia shohë hajrin këtij institucioni kurrë. Sa për ashtu, le të bëhet president kush të dojë dhe analistët e famshëm le të merren me interpretimin e Kushtetutës për kuorum të prezencës në sallë dhe numrat për zgjedhjen e tij.

Specialja do ta tronditë skenën politike

0

Kosovën e pret sivjet një furtunë politike, për shkak të Gjykatës Speciale

Pas lajmit që para një javësh është dhënë nga Qeveria e Holandës, sipas së cilës u konfirmua fillimi i punës dhe themelimi i Gjykatës Speciale për Kosovën, analistët politikë në vend konsiderojnë se kjo lëvizje përpara në këtë proces do të thotë se në këtë vit që posa, kemi shkelur, Kosovën e pret një furtunë politike, nga e cila mundë të rrezikohet seriozisht partia kryesore në pushtet, në këtë rast PDK-ja. Shumica e emrave, që kanë qarkulluar si të dyshuar deri më tani për arrestim të mundshëm nga Specialja, vjen nga ky subjekt politik, kështu që kjo valë e arrestimeve do të krijonte një tërmet politik, që do ta çonte vendin në krizë edhe më të thellë, gjë që mbetet të mbahen vetëm zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Sipas njohësit të rrethanave politike në vend, analistit Islam Krasniqit, fillet e krizës dhe furtunës politike mund të datojnë e thellohen që nga fundi i muajit shkurt e tutje, me testin e rrezikut të zgjedhjes së presidentit.

“Pas muajt shkurt, pritet një furtunë e madhe politike, sepse edhe atëherë pritët që të ndodhë edhe votimi i Thaçit për president, gjë që moszgjedhja e tij dhe dështimi për t’u zgjedhur pritet të çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Gjykata Speciale vetëm çka do të përshpejtojë zgjedhjet e ardhshme nacionale, pra ato do të jenë të pashmangshme. Nga Specialja nuk rrezikohet vetëm partia e parë, por rrezikohen të gjitha partitë e dala nga lufta, duke mos i anashkaluar edhe AAK-në, Nismën dhe disa nga VV-ja. PDK-ja ndoshta do të dëmtohet pak më shumë, por një gjë dihet se edhe Gjykata Speciale ka qëllime politike dhe shumë letë mund të dështojë, ashtu siç ndodhi me misionet e tjera në Kosovë, siç janë UNMIK-u, EULEX-i dhe Gjykata e Hagës, sepse pas kësaj Gjykatë mund të qëndrojë Serbia apo argatët e saj”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot”.

Kurse, analisti Isa Mulaj thotë se goditja eventuale e kreut të PDK-së nga Gjykata Speciale do të jetë me pasoja për anëtarësinë e saj.

“Nga frika e kësaj goditjeje, shumë aktivistë dhe zyrtarë të PDK-së do të gjuhen nëpër parti të tjera, kryesisht në lëvizjen ‘Vetëvendosje’ dhe Nismën për Kosovën, ashtu siç e kanë veti të lindur politikanët kosovarë për të bredhur si prostitutat nga njëra parti tek tjetra për oportunizëm dhe interesa klanore”, u shpreh analisti Mulaj. /Kosova Sot

Koalicioni do ta votojë Thaçin për president

0

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka bërë me dije se koalicioni qeverisës do ta votojë Hashim Thaçin për president dhe është i bindur se kështu do të ndodhë.

Në një intervistë për “Epokën e re” ai ka thënë se opozita mund të mos e votojë Thaçin për president, por nuk duhet ta pengojë zgjedhjen e tij.

Haliti ka vlerësuar se shkuarja në zgjedhje të parakohshme është gabim sepse, sipas tij, nga praktika e së kaluarës zgjedhjet e parakohshme nuk kanë prodhuar diçka më të mirë por, përkundrazi, ka ndodhur krejt ndryshe.

Ai ka thënë se është në interes të Kosovës zbatimi i ligjit dhe Kushtetutës, e jo shkuarja në zgjedhje të parakohshme.

Dritëro Agolli, zhurmat që mbajnë brenda dy kohë

0

Ishte viti 1963 kur Dritëro Agolli shkroi tregimin “Kur dashuroja një grua”. Historia e një gazetari të ri që shkon për të bërë një reportazh në Thumanë dhe bie në dashuri me Donikën, gruan e veterinerit ku bujt ato ditë. Gjithë shqetësimi i një lidhjeje të ndaluar, vjen me tone të ndjeshme në një stil tepër përparimtar për vitet që është shkruar.

Ky tregim është pjesë e një përmbledhjeje tregimesh dhe novelash të shkruara pas viteve ’60 nga Agolli, ku shohim se jeta nën kampin socialist na vjen në një tjetër këndvështrim, atë të raporteve njerëzore.

“Zhurmat e erërave të dikurshme”, një libër që të përfshin teksa e rilexon edhe 50 vjet më pas, të jep një tablo tjetër të letërsisë shqipe vetëm disa vite pas çlirimit. Kjo, jo vetëm për faktin që pjesa më e madhe e historive në këtë libër orvaten rreth dashurisë, por për ikjen e bukur që shkrimtari i ka bërë kohës, duke i bërë këto rrëfime të lexohen si të jenë shkruar në vitin 2016.

Agolli duket sikur ka marrë në dorë bojërat e një piktori dhe ka ngjyrosur me ngjyrat e duhura çdo gjendje të personazheve të tij, duke i bërë të jashtëzakonshëm. Por përtej vlerave që mbart ky libër në letërsinë tonë të shekullit XX, ka një tjetër histori që ka shoqëruar botimin e tij, të cilën shkrimtari e ka ruajtur prej vitesh, për ta bërë publike në ribotimin që do të kishte libri disa vite më parë.

“Çdo libër ka një histori kur lind, histori që kujtohet herë pas here nëse jetën e ka të gjatë. Kështu ka ndodhur edhe me librin ‘Zhurma e erërave të dikurshme’. Ai lindi nga një radhë tregimesh të shkruara në fillim të viteve ’60 të shekullit XX dhe të botuara kryesisht në revistën ‘Ylli’, ku kryeredaktor ishte Qamil Buxheli, një burrë i fisëm dhe me ide përparimtare, shkrimtar me një humor të rrallë modern dhe një njeri me shije të hollë artistike”, kujton Agolli.

Libri do të botohej më 1964-n për herë të parë, me një kopertinë të Safo Markos, me një sfond të zi dhe me një figurë në ngjyrën e një thëngjilli të ndezur. Në atë kohë Safo Marko ishte grafistja më e mirë e librave që botoheshin. Nga botimi i librit shkrimtari do të merrte pesë kopje. Ishte rregull që pesë kopje dërgoheshin në drejtorinë e shtypit të KQ-së të Partisë së Punës. Por kaloi një kohë dhe libri nuk po dilte në librari. Nuk vonoi shumë dhe shkrimtarin do ta thërrisnin në Komitetin Qendror, bashkë me redaktoren e librit dhe me shefin e redaksisë së tregimit në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Në atë takim, siç kujton ai, ishin përgjegjësi i shtypit, drejtori i drejtorisë së propagandës dhe një tjetër.

“Në takim u diskutua me libër përpara se çfarë duhej bërë me atë botim: a mund të lejohej të qarkullonte nëpër librari apo të ndalohej. Vërejtja kryesore ishte se nxihej realiteti i jetës së atëhershme socialiste dhe se deheroizohej Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare; personazhet e partizanëve pasqyroheshin të zymtë dhe me shumë kontradikta mes tyre, pushkatoheshin kur bënin gabime dhe shkelnin rregullat e luftës. Pas këtyre vërejtjeve, një nga pjesëmarrësit që nuk më kujtohet se cili ishte, tha se libri duhej ndaluar, një tjetër shtoi se duheshin hequr disa tregime dhe të botohej me një kopertinë tjetër jo aq të zymtë. I treti propozoi të botohej siç ishte dhe pastaj të kritikohej, duke u përcjellë me disa artikuj”, thotë Agolli.

Pasi i bënë disa vërejtje dhe disa këshillime, në atë periudhë ai punonte si gazetar te “Zëri i Popullit”, atij iu tha se duhet të ishte shembull i pasqyrimit të realitetit, duke mos bërë gabime ideologjike. U vendos që libri të shkonte sërish në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, pasi t’i hiqeshin disa tregime dhe të zëvendësoheshin me disa të tjerë, të cilët të kishin në qendër “heronj pozitivë”. Sipas kësaj këshille, Agolli do të hiqte disa tregime si “Njeriu me veladon”, “Egërsia” dhe ndonjë tjetër, duke i zëvendësuar me skica dhe reportazhe. Me këtë ndryshim libri doli në qarkullim pas disa muajve me një kopertinë tjetër, por disa kopje të botimit të parë të tërhequr nga shtypshkronja mbetën në duart e dashamirësve. Me të gjitha ndryshimet e bëra “Zhurmat e erërave të dikurshme” filloi të bënte zhurmë.

Në shtyp ai u kritikua si një vepër me gabime ideologjike. Kritikat u rritën pas Plenumit të 15 të KQ-së të PPSH-së të vitit 1965, ku vërejtjet u morën në formë zyrtare.

“Në atë plenum, bashkë me librin tim, u kritikuan dramat e Naum Priftit, Qamil Buxhelit, Fatos Arapit dhe u thumbua Ismail Kadare, a ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Kjo kritikë mund të kishte rrjedhoja të pakëndshme, sikur të mos kishte folur Enver Hoxha në konkluzionet e atij plenumi në mbrojtjen time. Ai tha për mua se Dritëro Agolli është bir i partisë dhe ka vepra shumë të bukura. Unë atëherë kisha botuar poemën ‘Devoll’”, kujton Agolli.

Koha do të bënte të veten. Librit i ishte caktuar fati. Pas atij plenumi iu dha orientim shkollave të mesme që të kritikonin veprat që përmendeshin nga Partia. Kjo barrë do t’u ngarkohej dhe mësuesve të letërsisë. Për ironinë e fatit, bashkëshortja e tij, Sadija, ishte mësuese e letërsisë. Ajo ishte 23 vjeçe dhe atë vit ishte martuar me Agollin. Në shkollën “Partizani” i ra shorti të kritikonte burrin e saj, me të cilin kishte vetëm tre muaj që ishte martuar.

“Ajo u kthye nga shkolla e habitur dhe e shqetësuar dhe, sa hodhi librat mbi tavolinë, m’u drejtua: ‘Më thanë në drejtorinë e shkollës që të kritikoj ty për atë librin …’. Iu përgjigja: ‘Ti më vrafsh, ti më prefsh, vetëm jo Partia!’. Sadija m’u përgjigj se kjo nuk ishte punë shakaje dhe më kërkoi t’ia shpjegoja gabimet ideologjike që përmbante ‘Zhurmat e erërave të dikurshme’. Por kjo është një histori e gjatë”, kujton Agolli.

Pas gati 40 vitesh libri do të ribotohej nga “Onufri” më 2006-n. Në këtë ribotim shkrimtari ka shtuar disa tregime të tjera të botuara në shtypin e kohës. Por historitë që e shoqërojnë këtë përmbledhje të çmuar me tregime, e bëjnë më ndjellëse leximin e tij, si një libër që të gjitha pasionet e ndrydhura të viteve ’60, ka ditur t’i shndërrojë në copëza shkëlqimi shprese. /Shqip

Asllanaj: LDK e ka Kryeministrin, s’ka arsye të jetë kundër Thaçit President

0

Kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, ka thënë se është paradoksale qysh po tentohet prej disa individëve brenda partisë të rrëzojnë LDK’në nga udhëheqja e Qeverisë.

Në këtë drejtim, ai ka thënë se duhet të respektohet marrëveshja me PDK’në, ku Kryeministri mbetet i LDK’së derisa Presidenti i PDK’së.

“Si LDK s’kemi arsye të jemi kundër kësaj marrëveshje”, ka thënë Asllanaj, për Gazetën Express, të dielën.

“Është absurde kur një pjesë e LDK’së pretendojnë që në mënyrë paradoksale të rrëzojnë LDK’në prej Qeverisë, të cilën e udhëheqim për herë të parë prej pasluftës”, ka shtuar ai.

LDK dhe PDK kanë paralajmëruar se në javët në vazhdim do të mbajnë seancën për të zgjedhur Hashim Thaçin në krye të Shtetit. Disa prej deputetëve të LDK’së kanë thënë se do të votojnë kundër.

Por, anëtari i Kryesisë së LDK’së thotë se nëse shkohet në zgjedhje për shkak të dështimit për të përmbushur marrëveshjen në pikën për Presidentin atëherë partia e tij do të bartë përgjegjësinë.

“LDK nuk duhet të jetë shkaktare e ndonjë çrregullimi e institucioneve. Nëse s’respektohet marrëveshja edhe për pikën e Presidentit atëherë ne do ta bartim barrën e prishjes së marrëveshjes”, ka thënë ai.

Partitë opozitare kanë paralajmëruar se do të bllokojnë edhe zgjedhjen e Presidentit sikurse kanë vepruar deri më tash me pengimin e punës së Kuvendit të Kosovës. Madje, opozita ka paralajmëruar se më 17 shkurt, në ditën e Pavarësisë, do të mbajnë protestë kundër Qeverisë.
Por, Asllanaj thotë se zgjidhjet s’duhet të kërkohen në rrugë por në institucione derisa thotë se LDK e PDK duhet të jenë më të përgjegjshme karshi tri partive opozitare.

“Gjithsesi, sjellja e pozitës duhet të jetë më e përgjegjshme karashi opozitës. Pozita duhet të jetë më bashkëpunuese me opozitës për t’i dhënë hapësirë për te gjetur zgjidhje”, ka shtuar ai.

Kuvendi i Kosovës po vazhdon të jetë i bllokuar nga protestat e Vetëvendosjes, AAK’së e NISMA’s, të cilat po kërkojnë anulimin e marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për demarkacionin.

Edhe në këtë pikë, Asllanaj thotë se duhet të zgjidhja duhet të kërkohet në institucionet e jo në rrugë.

“Zgjidhjet duhet të gjendjen në institucionet, të cilat janë ndërtuar me sakrificën e gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka shtuar ai.

LDK dhe PDK kanë nisur një fushatë për ta bërë Thaçin President deri në fund të muajit shkurt, qysh e parasheh edhe marrëveshje e koalicionit mes këtyre dy partive. Një pjesë e deputetëve të LDK’së kanë paralajmëruar bojkotim të seancës kur do të votohet Presidentit për të pamundësuar kuorumin në Kuvend.

Imami Mazllami: Ramadan Muja një këmbë e ka në varr…! (Video)

0

Imami i xhamisë “Jeni Mahalla” në Prizren, Mazllam Mazllami, ka sulmuar keq kryetarin e Komunës, Ramadan Mujën dhe partitë politike, të cilat drejtojnë shtetin e Kosovës.

Në një ligjeratë para xhematit, Mazllami ka kritikuar Ramadan Mujën që nuk shkon të falet në xhami.

“Ku është kryetari i Prizrenit, që e ka një këmbë në varr, e një mbi varr. Pse nuk është në xhami?”, transmeton PrizrenPress.

Ai ka porositur partitët politike që të mos e gënjejnë popullin sic ka thënë “me pallavra të Kushtetutës”.

“Mos e rreni popullin më pallavra të Kushtetutës. Ajo Kushtetutë është pallavra”.

“Korrupsionin, varfërin,krvëria nuk po ndalen me Kushtetutë”. /PrizrenPress.com/