Home Blog Page 6776

U hapet rrugë aktakuzave të para të Speciales

0

Shumë shpejt pritet që Gjykata Speciale të ngrejë aktakuzat e para për ish-pjesëtarët e UÇK-së, për të cilët dyshohet se kanë kryer krime gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kjo pasi Marrëveshja ndërkombëtare mes Kosovës dhe Mbretërisë së Holandës për Themelimin e Gjykatës Speciale ka hyrë në fuqi më 4 shkurt të këtij viti, pasi është nënshkruar nga Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila ka njoftuar Kuvendin për nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje. Për hartimin e Marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe Holandës, ishte caktuar një ekip prej të gjitha institucioneve të Kosovës. Ndërsa pas përfundimit, ky dokument është nënshkruar nga zëvendëskryeministri dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, derisa në emër të Holandës firmën e ka vënë ambasadorja holandeze në Kosovë, Gerrie Willems.

Marrëveshjet ndërkombëtare, sipas Kushtetutës së Kosovës, duhet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e deputetëve të Kuvendit. Neni 18 në Kushtetutën e Kosovës, pika 1, thotë se Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje: (1) territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake, (2) të drejtat dhe liritë themelore, (3) anëtarësimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare, (4) marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga ana e Republikës së Kosovës.

Mirëpo, pika 2 dhe 3 e këtij neni ia mundësojnë të parës së shtetit dekretimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, pastaj duke njoftuar Kuvendin për një gjë të tillë. Pika 2 e nenit 18, thotë se marrëveshjet ndërkombëtare me përjashtim të atyre në pikën 1, ratifikohen pas nënshkrimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, ndërsa, pika 3 e po këtij neni, thotë se Presidenti i Republikës së Kosovës ose Kryeministri njoftojnë Kuvendin sa herë që të nënshkruhet një marrëveshje ndërkombëtare../zeri/

Çka u ka premtuar Thaçi serbëve

0

Deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës kanë thënë se nuk e kanë votuar Hashim Thaçin për president, por prania e tyre ka mundësuar kuorumin e domosdoshëm, dhe tani agjencia shtetërore ruse e lajmeve, Sputnik, ka shtruar pyetjen çka mund të përfitojnë serbët në shkëmbim për këtë ndihmesë dhënë Thaçit,

Në komentin e botuar në faqen e Sputnikut, në gjuhën serbe, me titullin “A ua ka dhënë Thaçi serbëve besën apo fjalën për AKS-në?”, thuhet se me gjithë zgjedhjen e Thaçit, përplasja mes dy rrymave politike shqiptare në Kosovë nuk është ndalur dhe se opozita edhe më tej insiston në zgjedhje të parakohshme dhe heqje dorë nga Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe përcjell sot Koha Ditore.

Dhe Sputnik i sheh zgjedhjet e parakohshme në Kosovë si “të pashmangshme… në vjeshtën e hershme, e ndoshta edhe më parë”.

“Deri atëherë serbët e kanë më mirë që të qetësohen dhe të shmangen nga fushëbeteja ‘shqiptaro-shqiptare’, e cila deri tani është vetëm politike”, shkruan Sputnik.

Kapet hajdutja e çantave

0

Një hajdute më pak. Policia e Tiranës ka arrestuar një grua, e cila akuzohet për disa vjedhje të ndodhura në kryeqytet.

Sipas policisë së Tiranës, e arrestuara është Rozalina Konomi, 41 vjeçe, banuese në Fier dhe rezidente në Hollandë.

Arrestimi i saj është bërë pasi janë dokumentuar pesë vjedhje që ajo ka kryer. Ajo është kapur në flagrancë teksa po i vidhte në rrugën e “Dibrës” çantën shtetases A. P., 30 vjeçe, banuese në Tiranë.

Ja vjedhjet që ajo ka kryer:

Më datë 17.02.2015, dyshohet se ka vjedhur çantën e shtetases Sh.B, ndodhur në rrugën “Mine Peza”.
Më datë 20.02.2016, ku është vjedhur çanta e shtetases B.N, ndodhur në rrugën “Reshit Petrela”.
Më datë 26.02.2016, ku është vjedhur çanta e shtetases K.N, ndodhur në rrugën “Ded Gjo Luli”.
Më datë 27.02.2016, ku është vjedhur çanta e shtetases M.L, ndodhur tek “Tregu Çam”.
Më datë 27.02.2016, ku është vjedhur portofoli i shtetases E.C, ndodhur në rrugën “Myslym Shyri”.

Siri: Përkundër sulmeve ajrore, armëpushimi po respektohet

0

Monitoruesit në Siri thonë se sot janë kryer disa sulme ajrore kundër caqeve në pjesën veriperëndimore dhe qendrore në Siri. Megjithatë, ata theksojnë se armëpushimi ndërmjet forcave qeveritare dhe opozitës së moderuar, duket se po respektohet gjërësisht edhe sot, ditën e dytë me radhë.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut, me seli në Londër, thotë se anëtarët e vet në terren në Siri, kanë raportuar për sulme ajrore nga aeroplanët e qeverisë së Sirisë ose ata rusë, në gjashtë qytete në provincën Alepo dhe në një fshat në provincën Hama.

Drejtori i këtij observatori, Rami Abdulrahman, tha se nuk është e qartë nëse eventualisht sulmet ajrore i kanë qëlluar hapësirat që përfshihen me marrëveshje për ndalje të armiqësive.

Mediat shtetërore në Siri nuk i kanë përmendur sulmet, ndërsa Ministria e mbrojtjes e Rusisë ka refuzuar të bëjë komente.

Me marrëveshje për armëpushim nuk përfshihen territoret nën kontrollin e grupit ekstremist, Shteti Islamik, dhe Fronti al-Nusra, i ndërlidhur me al-Kaidën.

Këto dy grupe, së bashku, e kanë nën kontroll gati gjysmën e territorit të Sirisë.

Hashim Thaçi: Jam President i të gjithëve

0

Lideri në largim i PDK’së, Hashim Thaçi ka thënë se është President i të gjithë qytetarëve pa dallim partie. Ka thënë se këtë detyrë do ta mbajë siç e kishte mbajtur edhe pozicionin në luftën çlirimtare.

Këto komente, Thaçi i ka bërë gjatë vizitës në Likoshan me rastin e përvjetorit të masakrës në këtë fshat.

“Vizita ime e parë pas zgjedhjeve presidenciale në Kuvend ishte në Likoshan. Aty u përula dëshmorëve të kombit. Liria jonë sot dhe demokracia që ndërtuam ka rrënjët në këtë tokë të bekuar. Mora edhe shumë urime nga banorët e kësaj zone, por kjo veç sa më përkujton peshën e detyrës së qenuri President i të gjithëve, pa dallime partiake, ashtu siç ishim edhe në luftën tonë çlirimtare pa dallime dhe ndasi partiake”, ka shkruar Thaçi në FB.

Limaj: Jemi zëri i të pambrojturve e të pakënaqurit

0

Fatmir Limaj në dyvjetorin e themelimit të Nismës për Kosovën ka thënë se do të jenë zë i gjithë qytetarëve të pambrojtur e të pakënaqur.

Fatmir Limaj kishte nisur karrierën politike pas përfundimit të luftës duke u bërë njeriu kryesor në PDK pas Hashim Thaçit. Këtë pozitë e ka mbajtur deri në vitin 2010 kur EULEX’i kishte nisur një proces hetimor e gjyqësor ndaj tij. Para zgjedhjeve të fundit, Limaj themeloi partinë NISMA për Kosovën, me të cilën hyri në Parlament.

Ai sot ka kremtuar dyvjetorin e themelimit të partisë. Ka thënë se do të jenë zë i gjithë qytetarëve të pambrojtur e të pakënaqur.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, me rastin e dyvjetorit të themelimit të partisë së tij, ka bërë thirrje për mobilizim për ta bërë sa më të fuqishëm zërin e Nismës në çdo pjesë të Kosovës.

Postimi i plotë i Fatmir Limajt në profilin e vet në “Facebook”:

Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne, anëtarët dhe simpatizantët e subjektit tonë politik, që sot mbushi dy vjet, NISMA për Kosovën.

Duke ju falënderuar punës tuaj të palodhshme, NISMA ka arritur të bëhet pjesë e çdo familje në tërë vendin, ku zgjerimi dhe formimi i degëve dhe nëndegëve tona e tregon këtë më së miri.

NISMA për Kosovën është dhe do të jetë për të gjithë ata njerëz të pa mbrojtur, gjithë ata njerëz që janë të pa kënaqur, ne do të jemi zëri i tyre edhe në të ardhmen, dhe ju ftoj që të mobilizohemi për ta bërë sa më të fuqishëm zërin e Nismës në çdo pjesë të Kosovës.
Urime dyvjetorin e themelimit të Nismës. Urime!

Në Mamushë sulmohet me armë zjarri një person për pronë

0

Në Mamushë një person ka kanosur me armë zjarri një tjetër pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor.

Policia e Kosovës njofton se i dyshuari është arrestuar dhe nga ai është konfiskuar arma e llojit EKOL Special 99 cal. 9.9 mm, raporton PrizrenPress.

Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Sonte çmimet Oscars, kosovarët optimistë

0

Në Los Angjelos të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tash e disa ditë është shtruar tepihu i kuq para “Dolby Theatre” dhe gjithçka është gati për ceremoninë e dhënies së çmimeve prestigjioze të kinematografisë, “Oscars”.

Të gjithë kosovarët kanë një arsye më shumë që më 28 shkurt t’i mbajnë sytë nga ekrani kur nis ceremonia “Oscars”, sepse kjo është hera e parë që një film nga Kosova është nominuar për këtë çmim prestigjioz e madje po konsiderohet edhe si favorit.

Është ky filmi “Shok”, i regjisorit Jamie Donoughe, i nominuar në kategorinë e filmave të shkurtër, i cili rrëfen një histori të vërtetë nga lufta e fundit që u zhvillua në Kosovë.

“Shok” do të përballet në këtë kategori me filmat “Ave Maria”, “Day One”, “Everything Will Be Okay” dhe “Stutterer”.

Drejt SHBA-ve ka udhëtuar ditë më parë ekipi i filmit, por bëhet e ditur se vetëm pesë nga ta do të jenë të pranishëm në sallën ku jepen çmimet. Këtë nder do ta kenë regjisori Jamie Donoughe, aktorët e vegjël Lum Veseli dhe Andi Bajgora, si dhe producentët Eshref Durmishi dhe Harvey Ascott.

New York Times, BBC, Vanity Fair, Yahoo, Cineuropa e Indiewire janë vetëm disa nga mediumet apo faqet e famshme që kanë komentuar pozitivisht filmin “Shok”, e shumë prej tyre po e konsiderojnë edhe favorit absolut.

Edhe anëtarët e komunitetit artistik në Kosovë përgjithësisht kanë shprehur përkrahjen e tyre për këtë film duke e promovuar atë vazhdimit përmes rrjeteve sociale.

Disa orë para se aktorët e filmbërsit më të mirë në botë të shpërblehen për punën e tyre, filmi “Shok” do të shfaqet në televizionin publik të Kosovës, RTK, me fillim nga ora 21:15.

Ceremonia e dhënies së çmimeve do të transmetohet me fillim nga ora 23:30 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në kryeqytet, organizuar nga Komuna e Prishtinës, e gjithashtu edhe në shumë lokale në Prishtinë.

Producenti i filmit, Eshref Durmishi, gjatë premierës së filmit “Shok” në Prishtinë pati thënë për KosovaLive se shpreson që suksesi mos të ndalet vetëm me nominim, por që ata të hyjnë në histori duke i sjellë Kosovës Oscarin e parë.

“Këtë film kemi vendosur ta bëjmë sepse kemi nevojë që historitë tona të tregohen nëpër botë dhe kemi shumë ngjarje që duhet t’i tregojmë ne, ashtu siç dimë, në bashkëpunim me të tjerët, si ne në këtë rast me Jamie-n”, është shprehur Durmishi.

Filmi, si shumë të tjerë, është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë. E veçanta e tij është se tregon se si sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy djemve të vegjël të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë film me rolet e tyre paraqitën aktorët Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raça, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj.

“Shok” është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është prodhim i shtëpisë filmike Eagle Eye Films Kosova dhe Eagle Eye Media Ltd.

Sikurse edhe çdo vit, pritet që programi i ceremonisë së ndarjes së çmimeve ”Oscars” të jetë i pasur me surpriza. Tashmë është bërë e ditur se Benicio Del Toro, Tina Fey, Lady Gaga, Sam Smith, Pharell Williams e Charlize Theron janë disa nga artistët e famshëm botërorë që do të performojnë atje. /KosovaLive/

Opozita do të vazhdojë me protesta

0

Tri subjektet opozitare, VV, AAK dhe Nisma kanë thënë se do të vazhdojnë me protesta, duke kërkuar rrëzimin e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Megjithatë, sipas tyre, vendimi për protestat e reja do të merret gjatë javës së ardhshme.

Adonis Tahiri, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, ka deklaruar për “Zëri” se protestat do të zhvillohen brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, pasi që, sipas tij, marrëveshjet e arritura me Serbinë dhe Malin e Zi nuk mund të gjejnë zbatim në Kosovë.

“Protestat tona do të vazhdojnë brenda dhe jashtë institucioneve. Numri i të pakënaqurve në Kosovë po rritet vazhdimisht dhe paralel me të edhe numri i atyre që janë të gatshëm të protestojnë deri në largimin e këtyre pushtetarëve”, ka thënë Tahiri.

I pyetur se kur do të vazhdojnë me protestën e radhës, Tahiri thotë se opozita e bashkuar do të koordinohet për këtë çështje.

“Jemi në organizim e sipër dhe për format e ndryshme kreative të protestës, ashtu që të shtohet edhe më tutje presioni mbi pushtetarët. Ne po punojmë vazhdimisht në terren dhe po organizohemi ashtu që kundërshtimi ynë të jetë edhe më i fuqishëm dhe të rezultojë sa më shpejt me largimin e kësaj Qeverie dhe me shpalljen e zgjedhjeve të reja”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se zgjedhja e Thaçit president nuk ka legjitimitet.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet që javën e ardhshme të marrë vendim rreth daljes apo jo në protesta. Deputeti i kësaj partie, Lahi Brahimaj, ka konfirmuar se të hënën pritet të dalë me qëndrim partia e Haradinajt. /Zëri/

Momenti i ri, qasje e re

0

Pas zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës, analistët politikë konsiderojnë se është krijuar një situatë e re e cila mund të ndikojë në agresivitetin e partive politike opozitare, por ka edhe elemente që mund të ndikojnë në ridizajnimin e kërkesave të tyre politike.

Driton Selmanaj, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se tani mund të ketë një qasje më agresive të Opozitës.

“Kauzat që ato kanë ngritur për 5 muaj dhe së fundmi të artikuluar edhe me qartësisht me (kauzën kundër) të presidentit, dolën të pasuksesshme. Sidomos rasti i fundit. Kjo ndjenjë e betejës së humbur mund ta rrisë agresivitetin e tyre në veprime politike. Kjo i bie që mund të tensionohet skena politike. Mund të kemi qasje më agresive të opozitës karshi pushtetit. Kjo mund të ketë element tjetër, i cili mund të ndikojë ndoshta në rishikimin e pozicioneve politike që i kanë partitë politike opozitare karshi situatës”, thotë Selmanaj.

Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se situata politike mund të rrëshqasë edhe më shumë drejt një krize me zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Konsideroj se opozita do të vazhdojë që të mos e njohë zotin Thaçi si president të vendit dhe natyrisht në një krizë të tillë politike, marrë parasysh këtu edhe paralajmërimet e opozitës se do të vazhdojë me veprimet e veta parlamentare demokratike, siç i quajnë, dhe të tjera, unë besoj se kriza vetëm sa do të vijë duke u thelluar”, thekson Mushkolaj.

Mushkolaj konsideron se të dy taborët politikë, si të partive të koalicionit qeverisë, por edhe të atyre në opozitë, duhet të mendojnë për një qasje të re për dalje nga gjendja e krijuar.

“Nuk e besoj se [opozita] do të vazhdojë ashtu siç ka vazhduar deri tash, pasi që tash ka një situatë të re. Ka një momentum të ri politik që besoj se kërkon një qasje të re nga të gjitha palët”, vlerëson Mushkolaj.

Ndërkaq, Selmanaj thotë se nëse ka ekzistuar një mundësi e vogël për të bashkuar liderët politikë dhe për të gjetur një zgjidhje për krizën, ka qenë dera e hapur në Presidencë.

Por, tash, sipas tij, edhe ajo mundësi me zgjedhjen e Hashim Thaçit president, është mbyllur.

“Krejt kjo krizë politike vjen si rezultat i rolit politik që ky protagonist ka pasur. Demarkacioni është nënshkruar nga zoti Thaçi. Çështja e asociacionit është negociuar për dy, tre vjet nga zoti Thaçi.

Keq-qeverisja në Kosovë është sinonim i zotit Thaçi dhe tash është vështirësuar jashtëzakonisht shumë qasja e opozitës te ky institucion. Unë mendoj se tash mund të kemi një rol më pro-aktiv të faktorit ndërkombëtar”, thekson Selamanaj.

Liderët e opozitës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë theksuar se Hashim Thaçi, i cili në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur për president të ri të Kosovës, “nuk mund të jetë president i Republikës”.

Mungesa e reflektimit nga ana e liderëve të partive më të mëdha politike në Kosovë, për gjetjen e një zgjidhjeje politike rreth gjendjes së krijuar, sipas analistëve politikë, dëshmon se tash për tash, në skenën politike kosovare, nuk ka ndonjë ide se si të dilet nga kriza.

Partitë politike të opozitës e kanë kundërshtuar gjatë zgjedhjen e Hashim Thaçit president.

Ato vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen ndërmjet Kosovë?s dhe Serbisë? në? Bruksel, të arritur më 25 gusht, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe atë të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi. /REL/